PJESA E DYTË “TIMURI” I DUSHKUT
11.
Gjyshja misterioze amerikane nga nëna
Aty-këtu, në shkrimet e Blendi Fevziut përmendet një gjyshe e tij, për të cilën nuk specifikon, nëse është një gjyshe nga babai ose nga nëna. Ndonëse kjo gjyshe ka qenë larg, në Amerikë, ajo ka ndikuar shumë në jetën e Blendi Fevziut, për shkak se në Shqipërinë e izoluar të kohës së komunizmit, ajo ishte kanali i vetëm i komunikimit të tij me botën perëndimore. Në një ese të tij Fevziu shkruan:
Mbaj mend mirë se, i tunduar nga ideja për t’ u dukur bukur, nga fakti që shoqërohesha nga një vajzë që i vija rrotull dhe që kisha mundësinë e vetme për të sfiluar me veshjen më të mirë që kisha, pata veshur një palë pantallona të mrekullueshme bluxhins, dhurata më e fundit e gjyshes sime amerikane.[i]
Në sajë të kësaj gjysheje Blendi Fevziu ishte në gjendje të vishej ndryshe nga shokët, me rrobe perëndimore, me këpucë atletike të prodhimit perëndimor, të kishte gjëra të cilat nuk i kishin pjesa më e madhe e bashkëmoshatarëve të tij, si televizor me ngjyra, radio dore perëndimore, magnetofon, e gjëra të tilla, të cilat pjesa më e madhe e njerëzve në Shqipërinë e izoluar vetëm sa mund të ëndrronin t’ i kishin. Fevziu shkruan se:
Vija re vështrimet që më shoqëronin në rrugë, sa herë vishja pantallonat apo këpucët sportive që më vinin çdo vit nga Amerika dhe dëgjoja komentet për ato pak veshje ndryshe që qarkullonin në oborrin e gjimnazit. Gjithçka tjetër ishte e njëjtë dhe e njëtrajtshme.[ii]
Ndonëse Fevziu në këtë rast nuk e thotë se kush ia dërgonte këto sende nga Amerika, fjalën e ka për këtë gjyshe, çka del edhe nga citimi para këtij. Blendi Fevziu, i cili ka bërë një ese deri edhe për një motër të njërës nga stërgjyshet e tij, e cila jetonte në Tiranë dhe për të cilën ai thotë se e vizitonte herë pas herë, nuk ka shkruar asgjë për këtë gjyshe të tij, që jetonte në Amerikë, dhe tek e cila ai donte të shkonte pas hapjes së vendet në 1990. Në një libër të botuar në 1993, Blendi Fevziu shkruan për planet që bënte ai në vitin 1991:
Në të vërtetë, i bindur se pas mbarimit të studimeve do të nisesha tek gjyshja ime në SHBA, e ndjeja të gjithën këtë një pengesë.[iii]
Kjo është gjyshja e cila i dërgonte veshje dhe dollarë nga Amerika. Është e kuptueshme që Blendi Fevziu të mos parapëlqente të fliste për këtë gjyshe amerikane të tij në kohën e diktaturës komuniste. Në atë kohë, Blendi Fevziu, ndonëse mburrej se kishte një gjyshe në Amerikë, e cila i dërgonte veshje, dollarë dhe sende të tjera, ai megjithatë fliste në mënyrë të mjegullt për të. Kur e pyesnin shokët e shkollës dhe të lagjes në kohën e diktaturës komuniste rreth kësaj gjysheje të tij në Amerikë, Blendi thoshte se ajo kishte shkuar atje para Luftës së Dytë Botërore. Me këtë donte të thoshte se ajo nuk ishte arratisur pas ardhjes së regjimit komunist në fuqi. Kuptohet se kështu e patën porositur në familje që të thoshte. Kjo nuk ishte e vërtetë se nëna e Blendit kishte lindur pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945. Blendi Fevziu nuk parapëlqente të jepte shpjegime më të hollësishme për këtë gjyshe të tij në Amerikë, se ajo ishte arratisur në SHBA në vitin 1949. Kjo na zbulohet tërthorazi në një intervistë që që ka pasur Blendi Fevziu me Ilva Tare në emisionin “Tonight” të kësaj të fundit, në RTV Ora News, në 20 dhjetor 2011, ku Blendi Fevziu, duke rrëfyer për jetën e vet, tha për momentin kur në shkollë i njoftuan për vdekjen e Enver Hoxhës:
U kuptua që diçka e çuditshme kishte ndodhur dhe ishte ky moment që po diskutoja me një shoqe të klasës, mbaj mend dhe bisedën tani, po diskutoja me një shoqe të klasës një çështje që lidhej me një punë shkëmbimi dollari. Dollari atëherë për të arratisurit shkëmbehej me 20 lekë, për ata që nuk ishin të arratisur me 70 lekë, dhe në një moment profesori hyri dhe tha ka ndodhur diçka shumë e rëndë, shumë e dhimbshme.
Blendi Fevziu këtu e ka fjalën për kursin e këmbimit zyrtar për këmbimin e dollarëve, në kohën e regjimit komunist. Në atë kohë, çdo banori të Shqipërisë të cilit të afërmit e tij nga Amerika i dërgonin dollarë, merrte një copë letër ku shënohej se ai kishte të drejtë të merrte në bankën shtetërore, shumën në lekë që dilte nga këmbimi i shumës së dollarëve me dy lekë të rinj për dollar, nëse dërguesi ishte i arratisur nga Shqipëria komuniste pas vitit 1944, dhe shumën në lekë që dilte nga këmbimi i shumës së dollarëve me 7 lekë të rinj për dollar nëse dërguesi kishte qenë emigrant që kishte shkuar në SHBA para Luftës së Dytë Botërore, ose pasardhës i një emigranti të tillë. Fevziu më lart flet me lekë të vjetra, çka krijon konfuzion se ai thotë se dollari këmbehej me 20 lekë për të arratisurit dhe 70 lekë për të tjerët. Kjo duhet lexuar 2 lekë të rinj për një dollar dhe 7 lekë të rinj për një dollar. Arsyeja për të cilën Blendi Fevziu diskutonte me shoqen e tij të klasës për kursin e dyfishtë të këmbimit të dollarit që përdorte regjimi komunist ishte se atij i dërgonte gjyshja dollarë nga Amerikë. Duke qenë se gjyshja e tij ishte e arratisur, atëherë duhej që familjes së Blendi Fevziut t’ i këmbeheshin dollarët me 2 lekë të rinj për dollar.
Gjyshja për të cilën flet Fevziu është Alisi Fevziu, nëna e nënës së Blendit. Alisi Fevziu, vajza e Bajram Fevziut kishte lindur në Tiranë në vitin 1921. Ajo pati njohur që në fëmijëri Nexhmije Xhuglinin, e cila më pas do të bëhej gruaja e Enver Hoxhës. Nexhmija dhe Alisi qenë të një moshe dhe qenë të dyja bashkënxënëse në shkollën fillore të quajtur qytetëse ose plotore (një shkollë fillore ku bëheshin pesë klasët e para). Pas përfundimit të kësaj shkolle, në 1933, ato të dyja shkuan në Institutin “Nana Mbretneshë”, një shkollë e mesme femërore në Tiranë. Miqësia mes tyre vazhdoi edhe më vonë. Alisi Fevziu u martua me Ali Ypin, djalin e Abdyl Ypit. Me vendosjen e regjimit komunist, kjo familje e re u gjend befas në statusin shoqëror të të të deklasuarve, siç quhej në atë kohë, ndryshe të klasave sunduese të përmbysura. Ali Ypi ishte nipi i Xhafer bej Ypit, i cili ishte një nga njerëzit që përmendej më së shumti nga regjimi komunist si kolaboracionist i fashizmit, për shkak se kishte kryesuar dërgatën që i kishte dorëzuar Mbretit të Italisë Vittorio Emanuelle III kurorën e Shqipërisë, në prill 1939. Përveç kësaj, Ali Ypi i përkiste një familjeje pronarësh të mëdhenj, çka do të thoshte se për regjimin komunist ishte a priori një familje politikisht e keqe. Por edhe biografia politike e Alisit nuk ishte pak e keqe për regjimin komunist. Babai i saj, Bajram Fevziu për regjimin komunist ishte një nga njerëzit kryesorë që u bënë shkak për rrëzimin e qeverisë së Fan Nolit në 1934, duke e tradhtuar këtë. Nga nëna, Alisi e kishte origjinën nga familja Toptani, një familje e pasur pronarësh të mëdhenj tokash që për regjimin komunist do të thoshte se ishte a priori një familje politikisht e keqe.
Ndonëse Aliut dhe Alisit u lindi një vajzë në 1945, kjo gjë nuk ishte e mjaftueshme që ta bënte nënën e re që t’ i dukej jeta më e bukur. Ajo ishte e shokuar nga përmbysja shoqërore që kishte përjetuar me ardhjen e regjimit komunist në fuqi. Alisi nuk e duroi dot këtë gjë dhe u arratis jashtë vendit në 1949 së bashku me të dashurin e saj nga një familje e madhe tregtare e Korçës, duke braktisur në Shqipëri burrin dhe vajzën e vogël. Ky ishte shpjegimi që jepte vetë Alisi kur shkoi jashtë Shqipërisë. Por ka shumë të dhëna, nga të cilat del se nuk duket asfare e besueshme që gjërat të kenë shkuar kështu. Kryesorja, trajtimi që iu bë vajzës së saj, nuk ishte ai që iu rezervohej familjeve të të arratisurve, por shumë më i mirë siç do të tregoj më tutje në këtë libër. Burri i saj dhe vajza e tyre nuk u internuan. Ali Ypi nuk kishte kryer veçse një shkollë të mesme bujqësore, e megjithatë ai punoi deri edhe si kryeagronom në një ndërmarrje të madhe bujqësore në Lushnjë. Vajza e vogël u dërgua tek daja i saj, Ali Fevziu, vëllai i Alisit, i cili banonte në qytetin e Tiranës, në vilën e të atit. As Ali Fevziu nuk pati pasoja nga arratisja e motrës. Atë nuk e larguan as nga Tirana. Ali Fevziun, me biografinë politike që kishte, si djali i Bajram Fevziut dhe nip toptanësh, duhet ta kishin larguar me kohë nga Tirana, në mos si të internuar, së paku si të dëbuar, çka ishte minimumi që bëhej në këto raste.
Që në vitin 1945 doli një porosi e veçantë e Enver Hoxhës që veçanërisht kryeqyteti, Tirana, të pastrohej gradualisht nga të deklasuarit. Nëse Ali Fevziu kishte arritur të shpëtonte deri kur u arratis e motra, tashmë nuk mund të shpëtonte më. Në këtë pikë regjimi komunist ishte kategorik. Të gjithë familjarët e të arratisurve largoheshin forcërisht nga Tirana, duke u dëbuar, ose internuar, e në vazhdim qenë kontigjenti që ishte në shënjestër për arrestime e dënime të rënda me burg. Fakti që Ali Fevziu nuk e pësoi si të tjerët që u ndodhte diçka e ngjashme, tregon se arratisja e motrës së tij ishte një gjë fiktive. Ali Fevziu dhe nëna e tij vazhduan të jetojnë në Tiranë në shtëpinë e tyre, duke u kujdesur edhe për vajzën e vogël të Alisit. Edhe kjo e fundit do të rritej në Tiranë, një gjë krejt e rrallë për fëmijët kryeqytetas me prindër të arratisur. Alisi, në SHBA, kërkonte ta shpjegonte këtë paradoks me miqësinë që kinse kishte burri i saj me Mehmet Shehun, njeriun që ishte nr. 2 i regjimit komunist. Por kjo gjë nuk ngjan e besueshme se Mehmet Shehu nuk ndërhynte për mirë në raste të tilla. Mehmet Shehu shquhej për ashpërsimin e luftës së klasave, jo për zbutjen e saj. Nëse Mehmet Shehu ka shprehur në ndonjë rast vlerësim të mirë për Ali Ypin, si njeri punëtor, këtë e ka bërë se e dinte që atë e mbështeste Enver Hoxha.
Në të vërtetë, ajo që kishte ndodhur ishte se gruaja e re dhe i dashuri i saj u përpoqën të arratisen, por ata ranë në duart e forcave kufitare të regjimit komunist. Alisi ishte një vajzë e lindur dhe e rritur në kryeqytet dhe nuk kisht ecur kurrë malësitë kufitare, që përzgjidheshin rëndom si vendet më të përshtatshme për t’ u arratisur. As bashkëpunëtori i saj, një djalë qyteti, nuk kishte eksperienca që do t’ i mundësonin të ndërmerrte një aventurë të tillë. Ata vepruan si pjesa më e madhe e njerëzve nga qyteti që përpiqeshin të arratiseshin në ato vite. Ata gjetën një banor të zonës kufitare dhe e paguan me ar që t’ i kalonte përtej kufirit. Pjesa më e madhe e atyre që e ushtronin këtë punë qenë agjentë të Sigurimit të Shtetit, të cilët i çonin njerëzit që kishin marrë përsipër drejt e në kurthin e forcave kufitare. Kështu ndodhi dhe me Alisin dhe të dashurin e saj, të cilët ranë në duart e Sigurimit të Shtetit në kufirin shqiptaro-grek.
Enver Hoxha kishte dhënë një porosi të veçantë që në raportin ditor që i dërgonte Ministria e Punëve të Brendshme për ngjarjet më të rëndësishme, të përfshiheshin dhe emrat e atyre njerëzve nga familje të rëndësishme të deklasuara, ose familje komuniste, të cilët kapeshin ose vriteshin në përpjekje për t’ u arratisur jashtë vendit, ose arratiseshin. Emri i Alisi Ypit nuk mund të mos gjendej në një raport të tillë, gjithashtu edhe ai i të dashurit të saj, familjen e të cilit Enver Hoxha e njihte personalisht, madje e përmend edhe në kujtimet e tij, kur flet për kohën që ka jetuar në Korçë. Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e Enver Hoxhës, ishte një lexuese e apasionuar e këtyre raporteve. Kështu që një ditë në raportin që gjendej mbi tryezën e zyrës së Enver Hoxhës, në shtëpi Nexhmije Hoxha lexoi emrin e shoqes së saj të vjetër, Alisit, e cila gjendej në një qeli të Sigurimit të Shtetit. Nexhmije Hoxha e dinte se Sigurimi i Shtetit, përzgjidhte ndër ata që binin në duart e tij, njerëzit që i dukeshin si më të përshtatshëm për t’ i përpunuar dhe për t’ i dërguar me misione jashtë vendit, në Perëndim, duke simuluar arratisjen e tyre.
Tek ky rrjet agjenturor sekret që kishte nisur të krijonte Sigurimi i Shtetit në Perëndim, kishte nisur të krijohej dhe një rrjet i vogël agjenturor, shumë sekret, të cilët vareshin drejtpërdrejt nga sektori i spiunazhit në kancelarinë sekrete të Enver Hoxhës, e cila ishte ndërtuar sipas shembullit të Stalinit. Nexhmije Hoxha e kapi menjëherë rastin. Alisi ishte njeriu i përshtatshëm për këtë rrjet agjenturor, se me të Nexhmija kishte njohje personale. Gruaja e re, e cila gjendej në një qeli të errët të Sigurimit të Shtetit, e keqtrajtuar nga oficerët e tij, dhe krejt e shkurajuar, duhet të jetë habitur shumë kur e nxorrën nga qelia për ta çuar në një vendtakim sekret, ku e priste vetë gruaja e diktatorit, Nexhmije Hoxha. Kjo e fundit ia shpjegoi alternativat. Ose do të vihej në shërbim të saj si një agjente speciale që do të vepronte në Perëndim, në diasporën shqiptare, ose do të shkonte në burgjet që ishin njëherësh dhe kampe pune të detyruar, ku pasi të kalonte shumë e shumë vite, do të përfundonte e internuar në fshatra të humbura. Ashtu siç ndodhte në këto raste, Alisi mori garancitë se familja e saj do të trajtohej mirë. Kuptohet se ajo ishte e shqetësuar për vajzën e vogël, nënën dhe dajën e saj, se sa për burrin, nuk dukej të ishte shqetësuar shumë.
Nuk di të them se sa ka zgjatur dilema e gruas së re fatkeqe, por ajo tekefundit pranoi për shkak se “u arratis” me sukses jashtë vendit. Në atë kohë kishte një kategori njerëzish, të cilët arrinin që ta kapërcenin me sukses kufirin. Këta qenë ata që niste vetë Sigurimi i Shtetit, me misione në Perëndim, duke simuluar arratisjen e tyre. Në shumicën e rasteve këta qenë njerëz të familjeve të deklasuara, të cilët shtrëngoheshin të bashkëpunonin me Sigurimin e Shtetit, për të shpëtuar nga burgu ose vdekja. Alisi, pas arratisjes në Jugosllavi, u martua me të dashurin e saj, u nda me të, dhe përfundoi në SHBA, ku më pas u martua me një amerikan, me të cilin lindi dy djem. Por Alisi i përkiste një gjenerate së cilës i ishte kultivuar përkushtimi ndaj familjes, prandaj ajo bëri gjithçka për ta ndihmuar vajzën e saj në Shqipëri, sidomos kur vajza u martua dhe lindi fëmijë. Për këtë flet edhe Blendi, në mënyrën e tij. Nëse Blendi kishte arsye për të mos folur shumë për gjyshen e tij amerikane në kohën e diktaturës komuniste, përse ai vazhdoi të heshtte për të edhe pas rënies së komunizmit? Blendi ka maninë që, sidomos në bisedat me të huajt të shfaqet si një lloj studiuesi i jetës së shoqërisë shqiptare nën diktaturën komuniste, gjë për të cilën ka bërë edhe shumë shkrime, sidomos kur shkruante në revistën “Klan” dhe në gazetën “Korrieri”, të cilat i quan ese, dhe që në pjesën më të madhe i ka përmbledhur në librin “50+1”. Në këto të ashtuquajtura ese, Fevziu paraqet dhe jo pak eksperienca personale, histori njerëzish të tij të afërm. Kështu ai përmend histori të kushërinjve të tij të përndjekur nga diktatura, përmend stërgjyshet e tij, ka disa faqe për motrën e njërës nga stërgjyshet, e cila ishte e deklasuar (pa ia përmendur emrin), por nuk ka shkruar kurrherë për gjyshen e tij amerikane. Kur flet për kursin e diferencuar të këmbimit të dollarit në kohën e komunizmit, për të dekasuarit dhe të tjerët, ai nuk përmend nëse familjes së tij ia këmbenin dollarin me 2 lekë të rinj, ashtu siç duhej të ndodhte meqënëse dërgesa vinte nga një e arratisur. Kuptohet se përse nuk e sqaron Blendi këtë gjë. Se në sajë të statusit special që kishte gjyshja e tij e arratisur, dollarët që dërgonte ajo këmbeheshin me 7 lekë.
Derisa është e shpjegueshme se përse Blendi Fevziu nuk donte të fliste për këtë gjyshe të tij, në kohën e diktaturës komuniste, nuk është e qartë se përse Blendi Fevziu hesht për këtë gjyshe të tij pas vitit 1990. Ndonëse kjo gjyshe e Fevziut ka pasur një histori të veçantë, ai nuk ka shkruar kurrë për të. Përveç kësaj, nuk mund të mos bëhet pyetja se përse kjo gjyshe amerikane e Blendi Fevziut, e cila ka bërë aq shumë për të mungon në dedikimin që Blendi Fevziu ka bërë në hyrje të librit të tij për Enver Hoxhën:
Prindërve të mi, babait Hektorit, kujtimit të sime mëje, Rezanës! Kujtimit të dajë Aliut dhe stërgjysheve të mia të bardha që shenjuan fëmijërinë dhe formimin tim![iv]
Përderisa përmend stërgjyshet, pse nuk përmend gjyshen amerikane, e cila ndonëse pati qenë larg, ka shenjuar fëmijërinë dhe formimin e tij më tepër se stërgjyshet? Aq më tepër që kjo gjyshe ishte ende gjallë në kohën që u botua libri! Blendi Fevziu kërkon ta mohojë këtë gjyshe amerikane, ta bëjë joekzistuese, se ai ka një kompleks faji. Blendi Fevziu është i vetëdijshëm se nëse ai thotë se kishte një gjyshe të arratisur në SHBA, atëherë me këtë ai ka ndezur një projektor në të shkuarën, në sajë të ndriçimit të të cilit raporti i familjes së tij dhe i atij vetë me regjimin komunist do të na shfaqet krejt ndryshe nga çfarë dëshiron Blendi që të duket. Se pastaj, nuk është nevoja të hapen arkiva sekrete, por mjaft të kqyret jeta e familjes së Blendit dhe vetë këtij në kohën e komunizmit, sipas pikëpamjes se sa shmanget ajo nga trajtimi standard që u bëhej të deklasuarve të rangut të tij. Ose mund të përdoren si standard fjalët që Blendi vetë thotë se i ka shprehur në një takim ndërkombëtar në një vend të Bashkimit Europian, në vitet nëntëdhjetë:
Qëlloi që nga një seancë në tjetrën të miqësohesha me një djalë të ri francez, një militant i partisë së Shirakut, në atë kohë kryetar i Bashkisë së Parisit, dhe mjaft i interesuar në politikë. Duke e konsideruar atë njeriun më të përshtatshëm për bisedat e mia politike, që aq shumë kontrastonin me ambientin e lirshëm dhe fare informal të takimit, i tregoja vazhdimisht mbi atë që kishte qenë diktatura komuniste në Lindje e akoma më me hollësi në Shqipëri. I tregova për burgjet e tmerrshme të Spaçit dhe Burrelit, për mijëra të internuarit, për pamundësinë e lëvizjes dhe persekutimit të familjes së kujtdo që quhej armik. I tregova se si tek ne thuajse ndaloheshin xhinset e koka-kola, që ndalohej të shihje stacione të huaja televizive dhe madje edhe të lëvizje nga një fshat në tjetrin pa lejen e autoriteteve lokale. Leje që ishte gjithnjë shumë e vështirë (Ky ndalim në fakt vlente vetëm për të internuarit, ndërsa për njerëzit e lirë vetëm në zonat kufitare- K.M.).[v]
Do të kishte mjaftuar vetëm gjyshja e arratisur në Amerikë e Blendit, që ta bënte familjen e tij të shihej si armike nga regjimi komunist. Se kjo do të thoshte që babai i Blendit e kishte vjehrrën të arratisur në Amerikë dhe nëna e Blendit e kishte nënën të arratisur në Amerikë, se edhe vetë Blendi e kishte gjyshen të arratisur në Amerikë. Kjo duhej të sillte si pasojë që familja e Blendit dhe ai vetë të kalonin në kalvarin e vuajtjeve që përshkruan ai më lart, në bisedën me francezin. Por ja që me familjen e Blendit dhe me atë vetë, nuk ndodhi kështu, siç do ta tregoj më tutje në këtë libër. Në krahasim me shkallën e tyre të deklasimit, ku gjyshja e arratisur përbënte vetëm njërin aspekt, familja e Blendit u trajtua praktikisht si e privilegjuar nga regjimi komunist. Prandaj Blendi përmend vetëm “stërgjyshet e bardha” dhe hesht për “gjyshen e zezë”. Kjo gjyshe e Blendi Fevziut është ende gjallë në SHBA dhe madje komunikon me Nexhmije Hoxhën, shoqen e saj të vjetër. Nexhmije Hoxha e mbajti fjalën që i dha Alisit në atë ditë të largët, kur dy mikeshat e vjetra u takuan në zyrat e Sigurimit të Shtetit, në pozita më të pabarabarta se kurrherë në jetën e tyre: Nexhmija si gruaja më e fuqishme në Shqipëri, dhe Alisi si një nga gratë më fatkeqe në Shqipëri, për momentin. Nexhmije Hoxha u kujdes për vajzën e Alisit dhe për familjen e saj. Madje, në njëfarë mënyre Nexhmije Hoxha po vazhdon të kujdeset dhe sot për nipin e Alisit, Blendin, se kallzimi penal që familja Hoxha i bëri Blendi Fevziut për librin e tij “Enver Hoxha” është një pjesëmarrje e Nexhmije Hoxhës në fushatën publicitare marramendëse që Fevziu është duke bërë për librin e tij, duke vënën në lëvizje makinerinë propagandistike shtetërore. Më tutje do të shpjegoj se përse Nexhmije Hoxhës i intereson ky libër i Blendi Fevziut.
12.
Takimi i Isuf Hysenbegasit me Enver Hoxhën dhe familja e Fevziut
Një nga fragmentet më interesante në librin e Blendi Fevziut “Enver Hoxha” është ai në kapitullin “Personazhi ndryshe”, ku përshkruan takimin e Enver Hoxhës me dr. Isuf Hysenbegasin. Është kërshërore që Blendi Fevziu, në cilësinë e biografit të Enver Hoxhës, shpik historinë e miqësisë së hershme mes Enver Hoxhës dhe Isuf Hysenbegasit, kur ai për shkak të lidhjes fisnore me Isuf Hysenbegasin është në dijeni të së vërtetës dhe përveç kësaj do të mjaftonte një kërkim i thjeshtë për të zbuluar se faktet mbi të cilat kërkohej të ngrihej miti i kësaj miqësie qenë të rreme. Gjithsesi, takimi i Enver Hoxhës me Isuf Hysenbegasin për të cilin flet Fevziu ka ndodhur, por e vërteta e tij është ndryshe. Takimi i Enver Hoxhës me Isuf Hysenbegasin është një nga ato ngjarje që provojnë talentin e madh prej aktori të Enver Hoxhës. Ky takim dhe kjo miqësi u inventuan nga Enver Hoxha për të fshehur një ngjarje të jetës së tij, për të cilën kishte nisur të pëshpëritej aq shumë, sa mund të thuhej se përbënte një skandal në rrethanat e shoqërisë së diktaturës komuniste.
Gjithçka nisi me ardhjen në Korçë të vejushës së Neki bej Starovës. Pas ardhjes në fuqi të regjimit komunist, pozita e familjes së Neki Starovës natyrshëm që do të vinte duke u përkeqësuar. Edhe nëse nuk do të kishte qenë vrasja nga ana e Kajo Karafilit e Neki beut, kjo familje, duke qenë se ishte një familje e pasur bejlerësh, do të gjendej në pozitë të keqe si e deklasuar, pra si pjestare e një klase shoqërore të përmbysur. Megjithatë shtetëzimi i pronave të familjes së Neki beut në Pogradec, ndodhi vetëm në vitin 1950, kur tashmë kishte nisur të bëhej zhurmë se përse familja e njeriut që ishte vrarë nga Kajo Karafili, dhe që e kishte motrën të martuar me Selim Mborjen, beun e pasur dhe tregtarin e madh korçar, i cili ishte i arratisur politik, trajtohej në mënyrë të privilegjuar. Arsyeja ishte tek afeksioni që kishte Enver Hoxha për gruan e Neki bej Starovës. Por në 1950 regjimi komunist më së fundi shtetëzoi pronat e Neki bej Starovës në Pogradec, duke përfshirë edhe shtëpinë e madhe ku banonte familja e tij. Një nga ndërtesat u bë muzeumi i Luftës Antifashiste Nacional-çlirimtare për rrethin e Pogradecit. Në atë kohë atyre që u shtetëzoheshin prona të mëdha internoheshin në kampet e përqëndrimit që kishte ngritur diktatura komuniste. Kjo gjë nuk ndodhi me familjen e Neki bej Starovës.
Në vitet e para pas ardhjes së regjimit komunist në fuqi, familjet e deklasuara kërkonin të largoheshin nga qyteti ose fshati në të cilin patën pësuar goditjet e luftës së klasave dhe vendoseshin në një vendbanim tjetër ku nuk i njihnin, duke dashur të ndërtonin atje një jetë të re. Natyrisht se ky ishte një iluzion, pasiqë kontrolli i diktaturës komuniste mbi shoqërinë sa vinte e fuqizohej, por ata gjithsesi bënin përpjekjet e tyre. Por tolerimi që iu bë familjes së Neki bej Starovës për të shkuar nga qyteti i Pogradecit në atë të Korçës, ishte një rast krejt i veçantë. Korça për më tepër ishte një qytet pranë kufirit me Greqinë, nga ku regjimi komunist qe duke larguar një pjesë të madhe të të deklasuarve vendas, jo më të lejonte të vinin të tjerë të tillë, nga qytetet e tjera. Ardhja e familjes së Neki bej Starovës në qytetin e Korçës bëri bujë të madhe, edhe për faktin se vejusha e Neki beut i përkiste një familjeje të pasur bejlerësh nga Korça, që ishte goditur nga lufta e klasave e diktaturës komuniste. Në Korçë Neki bej Starova ishte i njohur edhe për faktin se ishte kunati i Selim bej Mborjes, latifondistit dhe tregtarit të madh korçar, i cili ishte arratisur nga Shqipëria kur erdhi regjimi komunist në fuqi, dhe ishte ishte një veprimtar antikomunist jashtë vendit. Motra e Neki beut ishte martuar me Selim Mborjen. Shtëpia e Selim Mborjes në qytetin e Korçës, një vilë e madhe me një park të madh, do të bëhej rezidenca e Enver Hoxhës në kohën e regjimit komunist. Në atë shtëpi do të banonte Enver Hoxha kur vinte në Korçë, dhe vinte shpesh në kohën e verës, për shkak të klimës. Në Korçën fqinje me Pogradecin e njihnin mirë edhe historinë e vrasjes së Neki beut. Në Korçë nisën pëshpërimat se ky trajtim i privilegjuar i familjes së Neki beut bëhej për shkak të dobësisë që Enver Hoxha kishte pasur për gruan e tij.
Aq u shtuan këto zëra, saqë për t’ u dhënë fund atyre u arrestua edhe djali i madh i Neki Starovës, i cili kaloi 19 vjet në burgjet e diktaturës komuniste. Në gjyq, prokurori gjatë pretencës ia përmendi se ishte djali i Neki bej Starovës. Arrestimi dhe dënimi i djalit të Neki beut ishte një veprim i llogaritur për të krijuar përshtypjen se kjo familje nuk kishte një trajtim të privilegjuar, në krahasim me të deklasuarit e tjerë. Por korçarët nuk mund të mashtroheshin lehtë. Ata nuk mund të mos vërenin se goditja ishte dhënë ndaj asaj pjese të familjes, e cila kishte ardhur në jetë para se Enver Hoxha të njihej me Neki beun dhe gruan e tij. Ndaj pjesë së familjes që erdhi në jetë pas njohjes së Enver Hoxhës me Neki beun dhe gruan e tij, domethënë ndaj të atit të Blendi Fevziut, diktatura e egër e Enver Hoxhës, pati një qëndrim krejt të ndryshëm, jo vetëm të butë, por edhe privilegjues. Korçarëve nuk u shpëtoi as fakti se familja e Neki beut nuk pati pasoja pas arrestimit të djalit të madh. Arrestimi dhe dënimi i djalit të madh të familjes supozohej që ta rëndonte edhe më tepër pozitën shoqërore prej të deklasuari të familjes. Tashmë duhej pritur që familja e Neki beut të internohej andej nga Myzeqeja, bashkë me familjet e tjera të llojit të vet. Por nuk ndodhi kështu. Madje djalit të vogël të Neki beut, babait të Blendi Fevziut iu dha e drejta për të ndjekur shkollën e mesme (gjimnazin) në qytetin e Korçës, çka ishte një privilegj për një të deklasuar në atë kohë, kur qyteti i Korçës kishte vetëm një gjimnaz.
Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit, kishte në Korçë disa shoqe të shkollës, të cilat e informonin atë për trajtimin e të njohurave të vjetra të Enver Hoxhës. Kështu që Nexhmije Hoxha u informua deri në detaje për trajtimin e privilegjuar të vejushës së Neki bej Starovës. Nexhmije Hoxha u nervozua shumë nga ato që mësoi. Por, duke mos dashur të vepronte vetë drejtpërdrejt në këtë rast, Nexhmije Hoxha nxiti Haxhi Lleshin që të vepronte për ta ndëshkuar këtë familje. Vejusha e Neki beut e ndjeu rrezikun, ndoshta e informuar nga zyrtarë komunistë të Korçës, të cilët duke parë raportin e saj të veçantë me Enver Hoxhën, i dërgonin ndonjë sinjal. Në këtë kohë, vejusha e Neki beut, duke qenë se familja e saj luftohej kryesisht për shkak të vrasjes së bujshme të të shoqit, vendosi që t’ i bëjë një letër Enver Hoxhës, ku t’ i kërkonte që të sqarohej atentati ndaj të shoqit të saj. Në letër, për të cilën Blendi Fevziu është në dijeni por nuk e përmend në librin për Enver Hoxhën, bejleresha vejushë shkruante se Enver Hoxha e kishte njohur mirë burrin e saj, dhe mund të thoshte se cila ishte e vërteta. Letra përshkohej nga një ironi tragjike. Enver Hoxha duhet të jetë ndodhur ngushtë nga kjo letër. Ai e dinte se gruaja e tij, Nexhmija, investigonte me xhelozi të madhe gjurmët e historive të tij të vjetra të dashurisë, ashtu siç shfaqeshin nën prizmin e luftës së klasave, duke u zbutur kjo luftë në raste të caktuara. Tashmë Enver Hoxha donte që të gjente një mënyrë për ta ndihmuar vejushën e Neki beut, por duke krijuar përshtypjen se këtë e bënte për motive krejt të tjera nga ato që kishte në të vërtetë.
Kjo nuk ishte e lehtë, ndonëse historiografia komuniste kur e quante fashist Neki Starovën, nuk ofronte asnjë të dhënë për veprimtarinë e tij si i tillë, për arsye që i kam shpjeguar më lart. Por, as nuk bëhej fjalë për të vënë në dyshim një akt të Heroit të Popullit, Kajo Karafili, kryeatentatorit komunist. Sado dobësi që kishte për bejlereshën e bukur, Enver Hoxha nuk mund ta jepte Kajo Karafilin për Neki Starovën. Enver Hoxha mundi ta gjente pjesërisht zgjidhjen as duke i dhënë familjes së Neki Starovës të drejtën për të pasur disa privilegje, të cilat i kishin disa familjet e deklasuara, që e shpërblenin regjimin duke u vënë në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Ishte një praktikë e regjimit komunist që, kur t’ u jepte privilegje familjeve të deklasuara, t’ u bënte më parë ndryshimin e mbiemrit, që ato të mos shërbenin si shembull i zbutjes së luftës së klasave, duke shkuar në kundërshtim me propagandën zyrtare. Kështu, familja e Neki Starovës e ndryshoi mbiemrin nga “Starova” në “Bregasi”, që ishte një lloj variacioni mbi mbiemrin fillestar të familjes, atë “Hysenbegasi”. Të deklasuarit të cilët ndryshonin mbiemrin në kohën e diktaturës komuniste, mund të ndahen në dy në dy grupe. Në grupin e parë qenë ata, të cilët e ndryshonin mbiemrin me iluzionin se do të shmangnin goditjet e mëtejshme të luftës së klasave. Gjendja e këtyre nuk përmirësohej dhe ndryshimi i mbiemrit nuk i mbronte pjesën më të madhe të tyre, madje shpesh shërbente si shkak që ata të viheshin në fokus të luftës së klasave. Në grupin e dytë bënin pjesë ata të deklasuar, të cilët me ndryshimin e mbiemrit, merrnin privilegje të ndryshme nga regjimi komunist, çka tregonte se, në rastin e tyrë ndryshimi i mbiemrit ishte bërë me miratimin e zyrave të regjimit komunist. Një nga gjërat e kohës së regjimit komunist në Shqipëri, e cila është studiuar shumë pak, është ndryshimi i mbiemrave nga ana e njerëzve, të cilët qenë me “biografi të keqe”, siç thuhej, pra kishin në familjen apo fisin e tyre persona të cilët regjimi i konsideronte si armiq politikisht. Ata që ndryshonin mbiemrat kërkonin që t’ i fshiheshin regjimit totalitar, kërkonin që të hidheshin në një lloj ilegaliteti në rrethanat e kohës. Për këtë çështje mund të shkruhen libra të tërë. Nuk është për t’ u çuditur që Blendi Fevziu nuk thotë asgjë për këtë temë në librin e tij për Enver Hoxhën.
Regjimi komunist ishte i kujdesshëm për të ndaluar çdo mënyrë që përdornin qytetarët e tij, për t’ ju shmangur goditjes së luftës së klasave, prandaj në atë kohë nuk ishte e lehtë që dikush ta ndryshonte mbiemrin. Natyrisht se, duke konsideruar shkallën e kontrollit që ushtronte Sigurimi i Shtetit mbi të gjitha qelizat e shtetit dhe të shoqërisë, është jashtë çdo dyshimi që ndryshimi i mbiemrit të familjes së Blendit është bërë me dijeninë dhe lejën e Sigurimit të Shtetit. Duke qenë se dihej që të deklasuarit i ndryshonin mbiemrat për t’ iu fshehur luftës së klasave, zyrtarët e regjimit, tregonin kujdes që kur ballafaqoheshin me kërkesa të tilla, të kërkonin të dhëna shtesë në vendbanimin dhe vendin e origjinës së personit që bënte kërkesën. Asnjë zyrtar i regjimit që i vinte në dorë kjo kërkesë, nuk do të tregonte shkujdesje në një rast të tillë, se nëse dilte se kishte i kishte mundësuar një familjeje të deklasuar që të fshihej, atëherë do të akuzohej si bashkëpunëtor i saj dhe si armik i vetëdijshëm i regjimit. Prandaj çdo nëpunës që i vinte në dorë kërkesa për ndryshimin e mbiemrit, do të kryente me kujdesin më të madh verifikimet e nevojshme. Dhe nëse vihej në lëvizje mekanizmi i përbindshëm i verifikimit të regjimit totalitar, atëherë do të ndriçohej çdo skutë e së shkuarës së fatkeqit. Kështu, kur familja e Neki Starovës fillonte në Korçë procedurën për ndryshimin e mbiemrit, ishte e detyruar që të paraqiste dokumente të gjendjes civile që vërtetonin se kishte ardhur nga Pogradeci. Atëherë do t’ i kërkoheshin Pogradecit të dhëna mbi Neki Starovën. Kur të vinin këto të dhëna, do të bëhej e qartë se kërkesa për ndryshimin e mbiemrit ishte një manovër e një familjeje të deklasuar për t’ iu fshehur luftës së klasave. Vetë fakti që familjes së Neki Starovës iu lejua që të ndryshonte mbiemrin, përbën koncesionin e parë jo të vogël të regjimit komunist ndaj saj. Me ndryshimin e mbiemrit, familjes së Neki Starovës iu lejua që të jetonte në qytetin e Korçës. Pas kësaj, djali i Neki beut, Hektor Bregasi, që më pas do të bëhej i ati i Blendit, fitoi të drejtën që të punojë si mësues pas përfundimit të shkollës së mesme. Ai u emërua mësues në Backë të Skraparit, ku qëndroi pak se pastaj cuditërisht e emëruan mësues në shkollën e mesme (gjimnazin) e Çorovodës. Hektorit iu bë edhe një privilegj tjetër. Atëherë, nëse dikujt nuk i jepej e drejta e studimit për në shkollën e lartë, pas përfundimit të shkollës së mesme e dërgonin të kryente shërbimin ushtarak. Kështu ndodhi me shokët e shkollës së mesme të Hektorit, poetin Koçi Petriti dhe këngëtarin Sherif Merdani, të cilët pas përfundimit të shkollës së mesme u dërguan të kryejnë shërbimin ushtarak në repartet e punës. Hektori, ndryshe nga ata, nuk u mor që të kryente shërbimin ushtarak, dhe në vitin 1963, në moshën 23 vjeç, ai ishte ende duke kërkuar që t’ i jepej e drejta e studimit universitare.
Privilegjet për familjen e Neki bej Starovës qenë të tilla, saqë Enver Hoxhës iu desh të vinte në punë sensin e tij teatral për t’ i justifikuar ato, duke sajuar një takim me kushëririn e Neki bej Starovës, dr. Isuf Hysenbegasin. Gjendja e familjes së Blendi Fevziut (Neki Starovës), ndryshoi 180º me takimin e kushëririt të Neki Starovës, dr. Isuf Hysenbegasi, me Enver Hoxhën në 1962. Nëse Blendi Fevziu do ta kishte shkruar me sinqeritet librin e tij “Enver Hoxha”, atëherë në kreun me titull “Personazhi ndryshe”, kur rrëfen historinë e dr. Isuf Hysenbegasit, do të rrëfente edhe historinë e familjes së tij. Blendi Fevziu e përshkruan gjerësisht në librin e vet, takimin e Isuf Hysenbegasit me Enver Hoxhën, por duke bërë tjetërsime të qëllimshme:
Edhe një histori e njohur mirë në Fier dhe në Vlorë në vitin 1960 hedh dritë mbi karakterin dhe shpesh stilin e tij të sundimit të vendit. Isuf Hysenbegasi, një mjek otorinolog i diplomuar në Itali, kishte qenë një shok klase i Enver Hoxhës në Liceun e Korçës. Kishin kaluar shumë vjet bashkë, por jetët e tyre qenë ndarë në rrugë të ndryshme. Nxënës dhe student i shkëlqyer, Hysenbegasi u kthye në Shqipëri me diplomën e mjekut, duke bërë emër si një prej mjekëve më të mirë të vendit në specialitetin e tij. Por nuk e ushtroi dot gjatë profesionin e tij. Menjëherë pas Luftës u arrestua dhe u dënua me 10 vite burg, pas asnjë argument ligjor: thjesht sepse vinte nga një familje e madhe e Jugut. Gruaja italiane iu dëbua nga Shqipëria me gjithë vajzën dhe ai kaloi shumë vite burg në kampet e punës së detyruar. Dënimi, sipas dokumenteve të zbuluar më vonë, ishte bërë pikërisht me urdhër të Hoxhës dhe me ekzekutim të Koçi Xoxes. Vetë doktor Hysenbegasi e dinte këtë ose së paku e merrte me mend. Nuk gjente asnjë shpjegim tjetër veç xhelozisë së një shoku për shkëlqimin e dikurshëm në shkollë ose ndoshta për një ndjenjë përçmimi që kishte shfaqur ndaj tij. Për këtë arsye një ditë të vitit 1960, ndërsa ndodhej në spitalin e Fierit pas një tërmeti që kishte rënë aty, ai zgjodhi të dilte me ngut nga dera e pasme kur mësoi se Enver Hoxha, në një vizitë në qytet, kishte zgjedhur të vizitonte edhe spitalin. Por nuk arriti dot. Për arsye sigurie edhe Hoxha po hynte nga dera e pasme. Dy shokët e vjetër të klasës, ata që kishin kaluar kaq vite bashkë në Korçë dhe jeta i kishte ndarë në skaje, u gjendën befas përballë: njëri ish-i dënuar politik, i sapodalë nga burgu, pa leje qëndrimi në Vlorë dhe pa asnjë banesë ku të fuste kokën; tjetri “udhëheqës” i padiskutueshëm i Shqipërisë.
Doktori u ndje ngushtë nga ajo përballje. Vite më vonë ai kujtonte se kishte ndjerë frikë, se gjunjët i dridheshin dhe ditët e kampeve dhe të qelisë i qenë ravijëzuar sërish në ato momente. Nuk e dinte reagimin e mundshëm të tjetrit, por e dinte fare mirë që në burg kishte hyrë dhe kishte kaluar 10 vite pikërisht prej tij. Atëherë papritmas ndodhi diçka që askush nuk e priste. Hoxha e njohu vetë dhe lëshoi një prej atyre pasthirrmave që shumë veta që i kanë ndenjur pranë ia kujtojnë:
-Oooooo, doktor Isufi! Si je doktor?
Hoxha bëri dhe një gjest të pakuptueshëm për shumë prej atyre që ishin aty: ngriti dorën, ia hodhi në qafë “shokut të vjetër” dhe filloi ta pyeste me detaje për shumë gjëra të jetës. Nuk ia përmendi burgun dhe as doktori, pothuajse si i mpirë, nuk foli për të. Autoritetet lokale ndodheshin të gjithë aty, krejtësisht të befasuar. Doktori punonte me mjaft probleme në spital dhe vetëm nevoja për mjekë e kishte sjellë aty. Në të kundërt, ai do të vijonte të punonte në bujqësi si shumë ish-të dënuar të tjerë. Duke parë befasimin e tyre, Hoxha bëri hapin e dytë duke thënë:
-Doktori nuk ka qenë me ne, nuk na ka dashur ne komunistët, por një gjë ju siguroj, që ky njeri e ka dashur dhe e do Shqipërinë.
Siç dëshmonte më vonë doktor Hysenbegasi, sytë i kishte të lëngëzuar, a thua se një mall i vjetër i digjej aty. Kur po ikte, ndaloi edhe një herë dhe iu drejtua:
-Doktor, ti e di adresën time, për çdo hall dhe problem që të kesh, më shkruaj.
Doktor Hysenbegasi as i shkroi dhe as e takoi më kurrë. Por ky takim, që mund të kishte qenë fatal për të, u bë shpëtimi i tij. Me t’ u kthyer në Vlorë e thirrën në Komitetin e Partisë, ku i dhanë të drejtën për të punuar si mjek në spital dhe i dorëzuan çelësat e një apartamenti të thjeshtë në qendër të qytetit. Për gjithë jetën e mbetur, deri në fund të viteve ’80 kur ndërroi jetë pak vjet pas Hoxhës, ai nuk e kuptoi kurrë gjestin e tij. Nuk e kuptoi përse e arrestoi, përse i shkatërroi jetën dhe familjen, si dhe përse një moment vendosi ta mbështesë sërish, për ta kthyer në jetë.[vi]
Në këtë fragment të librit të Blendi Fevziut ka shumë gënjeshtra, me të thëna e të pathëna. Ajo që nuk e thotë Blendi Fevziu është se Isuf Hysenbegasi ishte kushëri i dytë me babain e Blendit. Babai i Isuf Hysenbegasit e kishte djalë xhaxhai Nekiun, babain e babait të Blendit. Gënjeshtra tjetër e Blendi Fevziut është se Isuf Hysenbegasi ka qenë në një klasë me Enver Hoxhën në Liceun e Korçës. Emri i Isuf Hysenbegasit nuk është ndër ata që kanë qenë në klasë me Enver Hoxhën, të cilët ky i fundit i përmend të gjithë në kujtimet e tij, për mirë apo për keq, madje përmend edhe ndonjë që ka qenë në klasat më lart, apo më poshtë. Enver Hoxha, në kujtimet e veta, përmend 42 nga bashkënxënësit në Liceun e Korçës. Ai përmend me emër këta bashkënxënës:
Selami Xhaxhiu, Ismail Topçiu, Shaqir Gjebreja, Vehap Ciu, Lezo Çami, Epaminonda Bulka, Anton Mazreku, Rifat Jolldashi, Zef Mirdita, Eqrem Hado, Feim Çarçani, Enver Zazani, Stavro Gjollma, Kadri Baboçi, Abdulla Rami, Sotir Angjeli, Rasim Bako, Shefqet Shkupi, Aqif Selfo, Sinan Imami, Tef Jakova, Nazmi Uruçi, Akil Sakiqi, Selman Riza, Hilmi Frashëri, Elmaz Konjari, Dhimitër Shuteriqi, Hysen Janina, Skënder Topulli, Selahudin Kokona, Nedin Kokona, Hamit Kokalari, Ymer Dishnica, Xhavit Dishnica, Xhelal Rusi, Aleko Turtulli, Kel Gashi, Kristo Fundo, Kiço Karajani.[vii]
Përveç tyre përmend, pa iu thënë emrin, edhe Sabiha Kasimatin dhe vëllain e saj, si dhe Felatun Vilën:
Bile edhe e vetmja nxënëse e Liceut të Korçës, ishte nga Gjirokastra, nga Libohova, çupa e një doktori. Një vëlla e kishte në klasën e filozofisë.[viii]
Kjo është Sabiha Kasimati. Felatun Vila përmendet tërthorazi kur Enver Hoxha shkruan:
Beu elegant dhe Aleko Turtulli ishin arhondë, prandaj s’ na hahej muhabeti me ta. I pari e fliste lirshëm frëngjishten (babai i tij ishte ministër i Jashtëm në ato kohë).[ix]
“Beu elegant” është Felatun Vila, djali i Xhafer bej Vilës, ministër i Punëve të Jashtme në 1929. Nëse Isuf Hysenbegasi do të kishte qenë në të njëjtën klasë me Enver Hoxhën, atëherë ky i fundit me siguri që do ta kishte përmendur emrin e tij, duke bërë cilësimin përkatës, siç bën në raste të tjera, kur thotë:
Nazmi Uruçi, që më pas u bë oficer dhe përfundoi keq.[x]
Si dhe kur Enver Hoxha thotë:
Lezo Çamit (edhe ky mbaroi në burg si ballist).[xi]
Ose në një rast tjetër, kur Enver Hoxha thotë:
një bir beu i deklasuar, Hilmi Frashëri.[xii]
Ose kur Enver Hoxha thotë për një bashkënxënës tjetër, të cilin e ka pasur edhe koleg si mësues, në lice:
Abdulla Rami mbaroi në burg si ballist. Ai ishte kokëngjeshur dhe i prapë, nga ata që populli i quan martallozë.[xiii]
Isuf Hysenbegasi nuk ka qenë në të njëjtën klasë me Enver Hoxhën dhe për më tepër, Hysenbegasi nuk e përfundoi Liceun e Korçës, por vazhdoi studimet në një shkollë tjetër. Hamit Kokalari, i cili ka qenë në të njëjtën klasë me Enver Hoxhën në Liceun e Korçës, e përmend Isuf Hysenbegasin si shokun e tij të Internatit privat (konviktit privat në Korçë), por që nuk ishte në klasë me të:
Për atë vit shkollor duhet të shtoj emrat e shokëve në konviktin privat, të cilët nuk i kisha në klasë: Qemal Baholli, Xhevdet Kavaja, Neim Mullai, Jusuf Hysenbegasi.[xiv]
Enver Hoxha nuk ka qenë në Internatin privat, kështu që nuk ka pasur lidhje të afërta me Isuf Hysenbegasin në Korçë. Por kjo nuk do të thotë se nuk e ka njohur atje. Blendi Fevziu e ka ditur këtë gjë kur shkruante librin se Isuf Hysenbegasin e ka kushëri dhe frekuenton shtëpinë e djalit të tij që jeton në Romë. Kur Blendi Fevziu përzgjodhi Isuf Hysenbegasin si shembull të intelektualëve të përndjekur nga Enver Hoxha, këtë gjë e bëri se dr. Hysenbegasin e ka të afërmin e vet, dhe se donte që ta nderonte njëfarlloj fisin Hysenbegasi në librin e vet, ndonëse nuk e përmend kurrherë atë. Blendi Fevziu e shpik bashkënxënësinë e Enver Hoxhës me Isuf Hysenbegasin, se ai ka të njëjtin interes me Enver Hoxhën për të sajuar miqësinë e të dyve. Blendi Fevziu, në librin e vet “Enver Hoxha”, mashtron edhe sa i përket dënimit të Isuf Hysenbegasit. Isuf Hysenbegasi nuk u dënua me 10 vite burg, por me burgim të përjetshëm. Isuf Hysenbegasi u dënua në një prej dy grupeve që dolën në gjyq në 1947, dhe ku bënin pjesë deputetë të Asamblesë Kushtetuese të vitit 1945, intelektualë, ish-komandantë partizanë, tregtarë etj. Akuza ndaj tyre ishte se kishin krijuar dhe marrë pjesë në organizata tradhtare sabotatore në bashkëpunim me imperialistët anglo-amerikanë, me synim përmbysjen e “pushtetit popullor”. Në procesin ku ishte i pandehur Isuf Hysenbegasi, u dënuan me vdekje deputetët Riza Dani, Faik Shehu (ish-komandant partizan), Kostë Boshnjaku, Islam Radovicka (ish-komandant i Zonës së Parë Operative). Një tjetër deputet, Arif Gjyli u dënua me 15 vjet burg. Në këtë gjyq u dënua me vdekje edhe miku i Enver Hoxhës Syrja Selfo, për dënimin e të cilit më pas Enver Hoxha akuzon Koçi Xoxen, si montues, por megjithatë nuk e ndëshkoi kurrherë por e gradoi prokurorin Nevzat Hasnedari, i cili ishte akuzatori në gjyq. Në këtë gjyq u dënuan dhe oficerë, ish-partizanë si Halit Gjolena, Mestan Ujaniku, Nexhmi Ballka (zëvendësministër i Punëve të Brendshme në vitet 1945-1947) etj.[xv] Më pas Isuf Hysenbegasit iu ul dënimi. Gjithsesi, deri kur u lirua nga burgu, Isuf Hysenbegasi bën pjesë në atë grup intelektualësh kundërshtarë të komunizmit, i cili do t’ i bënte nder historisë së çdo vendi europian ish-komunist.
Blendi Fevziu thotë, siç e kam cituar më lart, se gruaja italiane e dr. Hysenbegasit u dëbua nga Shqipëria bashkë me vajzën e tyre. Por atëherë kjo nuk quhej ndëshkim por privilegj se regjimi komunist shqiptar nuk e kishte zakon që t’ i lejonte gratë e huaja të njerëzve që dënonte me burg politik, që të shkonin në Perëndim me fëmijët, se kishte shumë gjasë që ata të shndërroheshin në denononcues publikë të diktaturës komuniste shqiptare. Pjesa më e madhe e grave me origjinë nga vende perëndimore, burrat e të cilëve u burgosën ose u pushkatuan nga regjimi i Enver Hoxhës, përfunduan në kampet e internimeve, ose edhe në burgje, dhe vetëm pak prej tyre mundën të riatdhesohen. Kuptohet kur merrnin përsipër të bashkëpunonin me Sigurimin e Shtetit në vendet ku do të shkonin. Takimi mes Enver Hoxhës dhe Isuf Hysenbegasit nuk ka ndodhur në 1960, siç thotë Blendi Fevziu, por në 1962. Blendi Fevziu qëllimisht e zhvendos kohën e këtij takimi, me dy vjet, nga viti 1962 në 1960, ndonëse e di mirë, jo vetëm vitin, por edhe ditën e saktë të takimit. Vetë Fevziu thotë se Hoxha dhe Hysenbegasi u takuan kur i pari kishte shkuar në Fier, me rastin e tërmetit të fortë që ra atje. Ky tërmet ndodhi në 18 mars 1962. Enver Hoxha shkruan në ditar, në 18 mars 1962, në Vlorë:
Në drekë u ktheva në Tiranë, kur në orën 16. 30 ra një tërmet i fortë. Përnjëherësh pyeta se mos kishte rënë edhe gjetkë dhe për fat të keq tërmeti kishte prekur gati gjithë zonën e Jugut, por dëme të mëdha në njerëz e në banesa ka bërë në Fier, në Patos, në Vlorë dhe në fshatra. Nesër do të shkoj t’ i vizitoj vendet e dëmtuara nga tërmeti.[xvi]
Të nesërmen, në 19 mars 1962, Enver Hoxha shkruan nga Fieri:
Arrita sot në mëngjes në Fier. Dëmet e shkaktuara nga tërmeti janë të mëdha. Në Fier e në Vlorë afro 2700 shtëpi janë dëmtuar, nga të cilat rreth 1000 janë bërë të pabanueshme. Por fatkeqësia më e rëndë është se u vranë 5 veta, rreth 70 të tjerë janë plagosur e nga këta disa janë shumë rëndë. Tërmeti ka qenë afro 7 ballë. Vizitova të plagosurit në spital.[xvii]
Pikërisht në 19 mars 1962 ndodhi takimi i Enver Hoxhës me Isuf Hysenbegasin. Ky takim nuk ishte kaq spontan sa mund të duket. Pas këtij takimi, Isuf Hysenbegasi pati vërtet favoret që përmend Blendi Fevziu, të cilat i ruajti edhe kur disa vjet pas takimit me Enver Hoxhën u martua me kushërirën e parë të Arshi Pipës, një ish-i burgosur politik, i cili ishte arratisur nga vendi dhe tashmë gjendej në SHBA. Kjo duket e çuditshme se qënia e Arshi Pipës në rrethin e krushqisë së Mehmet Shehut, vite më pas, do të bëhej më pas preteksti i Enver Hoxhës për të rrëzuar nr. dy të regjimit komunist. Në kohën që kushëriri i Blendi Fevziut Isuf Hysenbegasi akomodohej në qytetin e Vlorës, dy nga djemtë e Dhimitër Konomit, pra xhaxhallarët e Skerdilaid Konomit, do të arrestoheshin dhe dënoheshin njëri pas tjetrit, sipas nenit famëkeq të agjitacionit dhe propagandës. Kjo ndodhi se në kohën që Enver Hoxha kërkonte të vendoste marrëdhënie me Greqinë, ai për të kënaqur Athinën nisi një fushatë dënimesh të pinjojve të familjeve të krishtere ortodokse atdhetare, të cilët kishin qenë antigrekë. Më vonë, pas vitit 1990, xhaxhai i gjyqtarit Skerdilaid Konomi, ish-i dënuari politik Bebi Konomi, duke u treguar djali i denjë i të atit atdhetar, rrahu në mes të Vlorës një biznesmen grek që kishte cënuar pronën e tij, duke shkaktuar dhe një lloj incidenti diplomatik midis dy vendeve.
E sigurt është se takimi Enver Hoxha-Isuf Hysenbegasi në 1962 koncidoi me një ndryshim konsistent në qëndrimin e regjimit komunist ndaj familjes së Neki Starovës (Hysenbegasi), i cili e kishte pasur kushëri të dytë dr. Isuf Hysenbegasin. Për të kuptuar kontekstin e takimit të Enver Hoxhës me Isuf Hysenbegasin dhe ngjarjet që ndodhën më pas me familjen e Blendi Fevziut më duhet të sqaroj se në vitin 1962, kur Enver Hoxha takoi dr. Hysenbegasin, ai po finalizonte projektin për erën e re në punën e Sigurimit të Shtetit, në rrethanat e reja të krijuara pas prishjes sovjeto-shqiptare. Pikërisht një vit më pas në mars 1963, Enver Hoxha i adresoi Sigurimit të Shtetit të parin dhe të vetmin mesazh publik përshëndetje të drejtpërdrejtë me rastin e festës së krijimit të “Armës së dashur të Partisë”, atë që e quajti:
Mesazh drejtuar organeve të Sigurimit të Shtetit me rastin e 20-vjetorit të krijimit të tyre.[xviii]
Ndonëse ky mesazh u bë me rastin e 20 vjetorit të krijimit të Sigurimi të Shtetit, megjithatë, çka të bën përshtypje është fakti se ai është unik. Mesazh të tillë nuk kishte pasur për dhjetëvjetorin, dhe nuk pati as për tridhjetëvjetorin dhe dyzetvjetorin.[xix] Në këtë mesazh Enver Hoxha u drejtohej njerëzve të Sigurimit të Shtetit, duke u thënë:
Misioni juaj në situatën aktuale për popullin, atdheun e socializmin ka një rëndësi kolosale. Rrota e historisë vazhdon pa u ndalur përpara, drejt komunizmit.[xx]
Enver Hoxha, me këtë, sa ç’ donte që t’ u tërhiqte vëmendjen punonjësve të Sigurimit të Shtetit për situatat e reja të krijuara, aq edhe donte t’ i bënte që të mos humbnin kurajën në situatat e reja. Më tutje, në mesazh, Enver Hoxha porosit:
Përgjithësoni dhe pasuroni më tej eksperiencën tuaj… Sot nga Arma e Sigurimit kërkohet një punë sa më e kualifikuar. Ajo duhet të godasë kurdoherë në shenjë.[xxi]
Viti 1963 u shndërrua në një vit të veçantë për Sigurimin e Shtetit, kur u ndërtua në linja kryesore, në rrethanat e reja të krijuara, veprimtaria e tij që do të vazhdonte deri në 1991. Në këtë kuadër pati ndryshime të çuditshme dhe në fatin e shumë familjeve të deklasuara. Të gjithë ata të cilët e njihnin mirë familjen e Neki bej Starovës u habitën shumë kur në 1963, një vit pas takimit të Isuf Hysenbegasit me Enver Hoxhën, të dy djemve të Neki beut, iu dha e drejta e studimit në Universitetin e Tiranës, si studentë të rregullt, të ditës. Babait të Blendit, Hektor Bregasit iu dha e drejta e studimit për gjuhë-letërsi në Universitetin e Tiranës. Gjithashtu, po atë vit, iu dha e drejta e studimit edhe vëllait të Hektorit, për histori-gjeografi. Edhe atij si student i rregullt i ditës. Ata që nuk e kanë jetuar atë kohë, nuk mund ta kuptojnë këtë fjalë “e drejta e studimit”. Atëherë ishte shteti ai që caktonte se për çfarë dhe ku do të studionte një njeri në universitet, dhe kjo quhej “e drejtë studimi”. Në kohën e regjimit komunist, vështirë se mund të ketë një rast tjetër që dy vëllezërve t’ u ketë dalë e drejta e studimit në të njëjtin vit, dhe me siguri që është një rast unik që kjo të ketë ndodhur me njerëz të deklasuar. Hektor Bregasit nuk i ishte dhënë e drejta e studimit pas përfundimit të shkollës së mesme në 1957. Kjo e drejtë iu dha pesë vjet më vonë. Pra, të gjitha të dhënat të çojnë në përfundimin se bëhej fjalë për një pakt misterioz me regjimin komunist.
Enver Hoxha, duke qenë në dijeni të tutelës që ushtronte Nexhmije Hoxha ndaj vajzës së shoqes së saj të arratisur në Perëndim, u kujdes që të bënte një kombinim që do t’ i largonte dyshimet e Nexhmijes për shkak të trajtimit të privilegjuar të njërit prej djemve të Neki bej Starovës. Rezana Ypi, vajza e Alisi Fevziut, kishte një histori jo më pak të çuditshme se ajo e Hektor Bregasit. E lindur në 1945 në një familje të deklasuar, jeta e saj do të ndryshonte në mënyrë dramatike pas arratisjes së nënës së saj Alisi Ypi (Fevziu), e cila siç kam thënë u vendos në SHBA. Pas kësaj, vajza e vogël praktikisht u braktis nga i ati i saj, Ali Ypi, i cili u martua përsëri. Ali Ypi ia dorëzoi vajzën e vogël dajës së saj, Ali Fevziut, i cili jetonte i vetëm në Tiranë, pasiqë nuk ishte i martuar. Ali Fevziu kishte gjithsesi statusin shoqëror të të deklasuarit, se ai punonte llogaritar në Ndërmarrjen Bujqësore në Kamzë. Hektori dhe Rezana ngjajnë me dy personazhe të shkrimtarit të parapëlqyer të djalit të tyre, Blendit, pikërisht të Graham Greene. Hektori dhe Rezana u njohën që në fillim të viteve gjashtëdhjetë, kur Hektori ishte një mësues i ri që vinte në Tiranë tek të afërmit e vet, për të siguruar një të drejtë studimi universitare. Rezana ishte një gjimnaziste e re kryeqytetase. Se si u njohën ata të dy ky mbetet një mister, por pas njohjes së tyre ndodhi një fakt mëse i çuditshëm dhe tejet kërshëror. Në të njëjtin vit, në 1963, Hektor Bregasit dhe Rezana Ypit iu dha e drejta e studimit për gjuhë-letërsi, si studentë të rregullt të ditës, në Universitetin e Tiranës. Në kohën e regjimit komunist vështirë se ka ndodhur rast tjetër që një vajze apo djali që e kishte nënën të arratisur jashtë vendit, dhe për më tepër gjendej në SHBA, t’ i jepej e drejta e studimit si studentë të rregullt e ditës në universitet. Aq më tepër kur kjo ndodhte me dy të rinj të deklasuar që dukej qartë se do të martoheshin me njëri-tjetrin. Arratisja fiktive e nënës së Rezanës, apo edhe njohja e saj me Nexhmije Hoxhën, nga njëra anë, si dhe njohja e gjyshes nga babai të Blendi Fevziut me Enver Hoxhën, vetëm pjesërisht e shpjegojnë këtë trajtim të privilegjuar të fëmijëve të të tyre. Në fakt, prova e lakmusit për raportin e të arratisurve me regjimin komunist ishte sjellja ndaj familjarëve të tyre në Shqipëri. Por, kur bëheshin privilegjime të tilla në çift, pas tyre qëndronin kombinacione për të simuluar arratisje jashtë vendit, për llogari të rrjetit agjenturor të Sigurimit të Shtetit në Perëndim.
Pasiqë Hektor Bregasi dhe Rezana Ypi u diplomuan në 1967, ata u martuan. Kjo martesë duket e nxitur me mjeshtëri, njëlloj si fejesa e djalit të Mehmet Shehut, Skënderit me Silva Turdiun, më pas. Se cfarë ndodhi që ky çift i ri i deklasuar mbeti në Shqipëri, kjo nuk dihet. Legjendimi, sic quhej në zhargon, u ndërlikua diku në një pikë. Fjala për këtë martesë duhet të ketë shkuar edhe tek diaspora antikomuniste në Perëndim ku vepronte gjyshja e nuses. Prandaj duhej që të krijohej përshtypja se ndaj çiftit do të ushtrohej lufta e klasave, gjë që vështirë se mund të thuhej deri më atëherë. Por gjithsesi as kjo nuk ndodhi ashtu siç duhej pritur në rastin e tyre. Ashpërsimi i përgjithshëm i luftës së klasave në vend, në fund të viteve gjashtëdhjetë, me fillimin e asaj që u quajt “revolucionarizimi i mëtejshëm i gjithë jetës së vendit”, bëri që shumë njerëz të deklasuar ta pësonin keq, çka nuk mund të thuhej për familjen e re Bregasi, e cila nuk e pësoi më keq se të rinjtë me biografi të mirë politike, të cilët emëroheshin larg vendbanimit të tyre. Blendi Fevziu, në librin e vet “Enver Hoxha”, shkruan kështu për luftën e klasave në kohën e diktaturës komuniste:
Sistemi u ngrit mbi filozofinë e fajësisë fisnore: kush kishte pasur dikë me “Ballin Kombëtar”, të dënuar, ose të konsideruar “kundër Partisë”, në brezin e parë internohej, ndërkohë që fëmijët dhe nipërit nuk lejoheshin të vijonin studimet shkollore, nuk pranoheshin në punë normale, dhe do të ndiqeshin gjithnjë nga “njolla e biografisë”. Madje fëmijët e familjeve të persekutuara e bënin edhe ushtrinë në një repart të veçantë, të quajtur “reparti i punës”.[xxii]
Sipas rregullave të regjimit komunist, si i ati ashtu dhe e ëma e Blendit, duhet të ishin privuar nga e drejta e shkollimit, dhe i ati të kishte kryer shërbimin ushtarak, në repartet e punës, siç thotë Blendi. Por nuk ndodhi kështu. Madje, edhe Blendi vetë, duke pasur gjyshin e vrarë në atentat nga Kajo Karafili dhe xhaxhain të burgosur politik, duhet të kishte qenë privuar nga e drejta e shkollimit dhe të thirrej ushtar në repartet e punës. As kjo gjë nuk ndodhi. Blendi Fevziu shkoi në universitet dhe nuk u thirr që të kryejë shërbimin ushtarak as në repartet e punës dhe askund tjetër veç stërvitjes ushtarake që kryenin të gjithë studentët.
13.
Familja e Fevziut në fshatin Dushk të Lushnjës
Martesa e djalit të Neki bej Starovës me vajzën e Alisi Fevziut qe një “shuplakë” në fytyrën e Nexhmije Hoxhës, e cila shikonte këtu konfirmimin e dashurisë së Enver Hoxhës me gruan e Neki beut, madje dhe diçka më tepër se kaq. Prandaj Nexhmije Hoxha gjeti mënyrën të reagonte, por duke nxjerrë arsye krejt të ndryshme nga ato reale. Nexhmije Hoxha u tërhoqi vërejtjen zyrave përkatëse të Sigurimit të Shtetit se statusi i privilegjuar i familjes së re të deklasuar, të krijuar nga Hektori dhe Rezana, arriti deri në atë pikë sa mund të kompromentonte punën e vjehrrës së Hektor Bregasit, e cila tashmë gjendej në SHBA me mision nga Sigurimi i Shtetit. Masa për të matur raportin e të arratisurve me Sigurimin e Shtetit ishte qëndrimi i regjimit komunist ndaj familjarëve të tyre në Shqipëri. Qëndrimi i butë i regjimit komunist ndaj vajzës së Alisi Ypit ishte shumë kompromentues për këtë të fundit. Si mund të trajtohej kaq butë vajza e një të arratisure, aq më tepër kur vajza ishte martuar me një djalë babain e të cilit e kishte vrarë në atentat Heroi i Popullit, Kajo Karafili? Këto dyshime gjenin rrugën për të dalë jashtë vendit edhe në atë kohë. Prandaj regjimi komunist bëri kinse e ashpërsoi qëndrimin ndaj prindërve të Blendi Fevziut, duke i dërguar në Lushnjë, por me statusin e të dëbuarit, jo atë të të internuarit. Hektorin e dërguan në fillim në sektorin e derrave në Sulzotaj, ku punoi si magazinier, pastaj në katundin Dushk të Lushnjës. Të dëbuarit jetonin dhe punonin në të njëjtat kushte si të internuarit, por me ndryshimin se nuk u duhej të paraqiteshin çdo ditë në apel. Të dëbuarit e kishin të ndaluar të shkonin në qytetin ku kishin patur vendbanimin si dhe në qytete të tjera, që u caktoheshin në vendimin e dëbimit. Rrethi i Lushnjës, ku kishte një përqëndrim të madh të përndjekurish politikë, si të internuar ashtu dhe të dëbuar, kqyrej nga Sigurimi i Shtetit si një pikë e nxehtë ku kishte nevojë për një vëzhgim të posaçëm të “elementit armik”, me anë të agjenturës, e cila doemos që do të vinte nga familjet e deklasuara.
Enver Hoxha i cili e ndjeu se e kishte tepruar, nuk bëri asgjë ndaj reagimit të Nexhmije Hoxhës. Mes asaj dhe atij zhvillohej një luftë e gjatë në këtë fushë, ku herë tërhiqej ai dhe herë ajo. Gjithsesi, Enver Hoxha, para se të vdiste i dha leitnantit të tij Sulo Gradecit porosi të sakta për kujdesin që duhet të tregonte ndaj familjeve të caktuara, të femrave me të cilat ai pati pasur histori dashurie. Prej këtej edhe përfitimi nga ana e Blendi Fevziut i një të drejte studimi universitare në 1987. Natyrisht se të deklasuarit që kishin privilegje të tilla, për siguri rekrutoheshin edhe bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
Kur prindërit e Blendi Fevziut, Hektori dhe Rezana, u dëbuan në Lushnjë, ata si të dëbuar, nuk kishin të drejtë të ushtronin profesionin e mësuesit, në Dushk. Hektori punoi si punëtor në bujqësi, ndërsa gruaja e tij përsëri u privilegjua se punoi si edukatore në çerdhe. Në Dushk Hektorit dhe Rezanës u dhanë një shtëpi nga ato që ndërtoheshin standard, për punëtorët e fermës, dhe që u jepeshin edhe të internuarve dhe të dëbuarve, si shpërblim për “sjellje të mirë”. Këto qenë ndërtesa njëkatëshe, të ndërtuara “me punë vullnetare”, me cilësi të dobët, secila me nga dy apartamente të vogla, disa me nga një dhomë e një kuzhinë dhe disa me nga dy dhoma e një kuzhinë. Pikërisht në kohën kur prindërit e tij qenë në Lushnjë, lindi Blendi Fevziu. Blendi lindi në Çermë të Lushnjës, në 18 maj 1969 lindi Blendi Bregasi, i cili më pas do të bëhej i njohur si Blendi Fevziu. Blendi ka mundur që ta shënojë Tiranën si datëlindje falë një neni të Kodit të Familjes, që i mundëson fëmijës së birësuar të marrë vendlindjen e birësuesit të tij. Kështu, kur Blendi u birësua nga daja i nënës, në 1983, atij iu shënua si vendlindje Tirana. Më pas familja e Blendit kaloi nga Çerma në Dushk të Lushnjës, i cili qe një fshat më i pëlqyer pasiqë ishte stacion hekurudhor.
Eksperienca e Blendit në Lushnjë ka frymëzuar atë që mund të quhet si i vetmi krijim letrar me vlerë i tij. Nëse ka ndonjë krijim letrar të Fevziut që ka njëfarë vlere ky është padyshim tregimi “Miu”, i cili nuk i ikën rregullit se një krijim letrar i mirë mund të dalë vetëm si rezultat i përjetimeve personale të autorit. Duket se Fevziu e ka shumë për zemër këtë tregim, se tregimi “Miu” gjendet në dy libra të Blendi Fevziut, në atë “100 ushtarë”, të botuar në 1992, në bashkëautorësi me Ben Blushin (Secili prej tyre ka tekstet e veta, nuk nuk janë të përbashkëta), dhe në librin tjetër me tregime, që ka për autor vetëm Blendi Fevziun, me titull “Gjysma tjetër e botës”, i botuar në 1996. Tregimi “Miu” të bën përshtypje se atje duket se gjakon përjetimi i autorit. Dhe në të vërtetë ky tregim është shkruar mbi bazën e përjetimeve të fëmijërisë së Fevziut në fshatin Dushk të Lushnjës. Ndonëse Fevziu i vendos ngjarjet në një vend të pacaktuar dhe personazhet nuk kanë emra, por identifikohen thjesht si burri e gruaja, megjithatë, nga fuqia e përjetimit kuptohet se bëhet fjalë për një eksperiencë të tij familjare, aq më tepër kur dihet se të tilla eksperienca si ajo që përshkruhet në tregim, u patën ndodhur të internuarve dhe të dëbuarve që kishin ardhur në fshatrat e Myzeqesë nga qytetet e ndryshme të vendit. Të internuarit dhe të dëbuarit banonin në ato shtëpitë njëkatëshe, të ndërtuara thuajse rrafsh me tokën, si dhe në barraka. Në këto shtëpi qenë vizitorë të shpeshtë minjtë. Prindërit e Blendit, të cilët qenë qytetarë që kishin jetuar në banesa të mira, nuk qenë mësuar me minjtë. Kështu që minjtë shkaktonin tmerr tek ata, ashtu si dhe në familjet e tjera qytetare të sjella atje. Eksperienca me minjtë, kur erdhën së pari në fshatrat e Lushnjës, qe temë e bisedave horror të prindërve dhe fqinjëve të tyre. Këto biseda Blendi i pati dëgjuar që në fëmijëri, dhe ato u ngulën thellë në vetëdijen dhe nënvetëdijen e tij. Këtu natyrisht duhen shtuar edhe përjetimet e Blendit në fëmijëri me minjtë. Tregimi “Miu” nis me momentin e parë kur gruaja e shtëpisë zbulon praninë e miut, gjatë natës, kur gjendej në shtrat me burrin e saj:
Herën tjetër gërvima qe më e fortë dhe njëherazi me të gruaja ndjeu një tingull të dobët, si të shuar, të ngjashëm me bëlbëzimat e foshnjave. Zhurma u përsërit kaq e pranishme dhe e besueshme sa asaj iu duk se po të zgjatej pak mund ta prekte me dorë, ashtu siç mund të prekte, padashur, në një natë të zezë, trupin e ftohtë të një lakuriqi. U ngjesh fort pas burrit dhe priti. I shoqi flinte qetë dhe nga kontakti me të gruaja ndjeu ngrohtësinë e një sigurie qorre. Nga jashtë vinte drita e zbehtë e neoneve. Ajo i mbushte muret përballë me tatuazhe hijesh. Mendoi t’ i hapte krejt perdet por nuk guxoi të ngrihej. Zhurma e mëparshme vërtitej akoma në trurin e qëruar nga ora e vonë e natës dhe papritur ndjeu frikë. Abazhurët aty pranë kishin dhe ata një formë të përçudnuar që e trembte. E çoi dorën atje, por e largoi përsëri. Asgjë, mendoi, jam bërë si fëmijë. Nuk ishte asgjë. Në vetminë e vonë qeshi, me frikën absurde që e pati mbërthyer dhe mendoi se nesër, kjo do të ishte një temë e re e dëshiruar bisede, në ditën e gjatë e të lodhshme të punës. Po bëhej gati të flinte kur zhurma u ndje sërish. Këtë herë qe e bindur. Zgjati dorën e tmerruar dhe zgjoi burrin.
-Dëgjo!- i tha- Ki mendjen![xxiii]
Kjo nuk është gjë tjetër veçse historia-horror e natës së parë që prindërit e Blendi Fevziut kaluan në fshat, në Lushnjë, të cilën histori Fevziu duhet ta ketë dëgjuar shumë herë më pas. Në fantazinë letrare të Fevziut, këtu drita e hënës që dukej nga dritarja e shtëpisë në fshat bëhet dritë neonesh. Në tregim ka vetëm dy personazhe, burri dhe gruaja. Në tregim nuk ka një fëmijë, çka është një tregues simptomatik për autorin, Fevziun. Fëmija është atje gjatë gjithë tregimit, por është i padukshëm, është vetë Blendi Fevziu i tmerruar që përgjon bisedat e prindërve, siç bën çdo fëmijë që mendon se prindërit fshehin gjëra të tmerrshme prej tij. Në vazhdim të tregimit, Fevziu shkruan për reagimin e burrit:
Ai gjendej ende midis dy botëve të kësaj jete, asaj që lindte ëndrrat dhe asaj që i zhvleftësonte ato, kur ndjeu gërvimën e përsëritur. Një çast e pati të vështirë ta përcaktonte se cilës prej të dyjave u përkiste. Pastaj, kur zhurma u shfaq rishtaz, diku në fund të dhomës, dhe kur gjumi i iku nga trupi ende i ngrohtë duke e akulluar, arriti ta kuptonte ç’ po ndodhte. Përgjoi edhe një çast pastaj e shtrëngoi gruan pas vetes.
-Është mi,- i tha.- miu bën ashtu.
-Po,-ja ktheu gruaja- mi.
Heshtja që u nder më pas u coptua aty-këtu nga gërvima e miut të pagjumë. Ajo përplasej nëpër muret dhe mobiljet si një mizë e trallepsur dhe vinte deri tek ata gjysmë e shuar. Burri e ndjeu se si nën krahun e tij gruaja u kruspullos e trembur.
-I kam frikë minjtë,- bëlbëzoi ngadalë.
-Edhe unë- Ja ktheu i shoqi me po atë zë të shuar.- Në fakt jo se i kam frikë. Më shumë ndjej neveri.
Gërvima rrotullohej nëpër cepat e dhomës gërryese, ndërsa aty në mes, mbi një krevat të gjerë e të shtruar bukur, burrë e grua e ndiqnin me ankth të trembur. Miu i padukshëm e nevrik i perceptuar veç si gërvimë, depërtonte deri në thellësitë e errta të shpirtit të tyre. Përfytyrimi i formës së tij të murrmët, të squllët dhe i bishtit të gjatë zgjonin tek të dy rrënqethje.
-Thonë që minjtë janë të rrezikshëm.- Foli gruaja ngadalë sit ë respektonte orën e vonë.
-Të tmerrshëm- e mbështeti i shoqi.
-Pse thua të tmerrshëm?
-Sepse mua të gjitha gjërat e frikshme më duken të tmerrshme.
-Mos thuaj më e tmerrshme, më tremb.
-Mirë, s’ them.[xxiv]
Këtu lexuesi mund të imagjinojë fëmijën që përgjon bisedën e prindërve, atë bisedë që duhet të jetë përsëritur në shumë net, si një version i bisedës së natës së parë të tmerrit. Asnjëri nga ata të dy nuk e ka parë miun, ata thjesht e marrin me mend se bëhet fjalë për një mi, ose më saktë ata dëshirojnë që të jetë një mi, se kjo u duket gjëja më pak e tmerrshme. Mund të kishte dhe gjëra më të tmerrshme, p.sh. një gjarpër. Pasoi një natë pa gjumë, e shenjuar nga tmerri:
Qëndruan ashtu ca çaste, një orë, dy… Kur agimi që po zbardhte u var në perdet e rënda të dhomës, duke i fashitur hijet e natës, asnjëri nuk dinte të thoshte sa kohë kishin kaluar pa gjumë. Veç një gjë e mbanin mend me siguri: Gërvima nuk qe përsëritur më.[xxv]
Këtu filloi fushata kundër miut, e cila u shndërrua si ai teatri japonez kabuki, me skena të përsëritura që shumëfishohen në një spirale ku alternohen shpresa dhe ankthi:
Burri e priti një kohë të gjatë në korridor me sy të ndritur nga gëzimi. Çdo zhurmë nëpër shkallë vinte deri tek ai fërgëlluese. Kur gruaja e shtyu derën, një çast u çmerit nga entusiazmi i hovshëm që ia shformonte tiparet deri në përçudnim. Dritëhijet luhatëse i kolovateshin mbi fytyrë. Një çast ajo desh klithi e trembur, pastaj në çastin e fundit arriti ta platiste atë në thellësitë e tymosura të gjoksit.
-E gjeta- foli ai dhe e kapi për duarsh. –Nuk ishte asgjë. U trembe kot e dashur për një gjë aq të vogël. Vërtet fare të vogël.
Gruaja e kqyri me kujdes dhe ndjeu se habia e saj u nder në sytë e burrit, i turbulloi pak çaste dhe zbriti rishtazi poshtë. Aty ku ajo nuk mund ta ndiqte më.
-E gjeta pra, atë,- sqaroi ai dhe ngazëllimi i çlirohej i vagullt prej kudo. Midis asaj forme mjegullore që kishin tiparet vezullonin edhe dy gropa të thella mbushur me kënaqësi dhe mllef. Atë mllef lehtësues që të jep siguria e fituar pas një ankthi të lodhshëm.
-E gjeta vrimën nga hynte. Ishte aq e vogël dhe e papërfillshme sa nuk do ta besoje kurrë. Edhe unë nuk e besova. Pastaj e pashë. Ishte ajo, vetëm ajo. Dhe e mbylla. E mbylla mirë. Ti nuk beson që unë e mbylla.
-Besoj.
-Dhe që miu nuk do të vijë më kurrë.
-Edhe këtë e besoj.
-Dhe je e kënaqur.
-Shumë.[xxvi]
Kushedi sa ditë të tilla duhet të ketë përjetuar Blendi Fevziu në shtëpinë e tij në Lushnjë. Blendi, qartësisht e projekton vetveten dhe frikën e tij tek nëna, e cila natyrisht se e përjetonte fuqimisht tmerrin e djalit të saj. Dialogu i mësipërm, është bërë sa midis burrit dhe gruas, aq edhe midis Blendit dhe prindërve të tij, posaçërisht midis Blendit dhe babait të tij. Sa herë janë përpjekur prindërit ta bindin Blendin e vogël se minjtë nuk do të vinin më në shtëpi, se gjumin e tij nuk do ta shqetësonte më asgjë e frikshme. Në tregim Blendi shpreh refuzimin e tij të hershëm, të nënvetëdijshëm për të qenë fëmijë i një familjeje që jetonte në kushte të tilla. Kjo kuptohet nga fjalët e gruas:
-Sa mirë që nuk kemi fëmijë- bëlbëzoi- për fëmijët frika e miut është e tmerrshme. Është vërtet e tmerrshme.[xxvii]
Në netët e tmerrshme Blendi, si çdo fëmijë që ka frikë shkonte të flinte në shtratin e prindërve (ai ishte fëmija i parë, motra do të lindte shtatë vjet pas tij), kështu që ai ndante me ta përjetimet si ky i mëposhtmi:
Nuk i kishte zënë gjumi ende, kur gërvima teptisi diku në një cep të dhomës. E lehtë, si e pandjeshme, gërryese. Gruaja u mrrol. Format nën çarçaf iu bënë të padallueshme. Burri e ndjeu se po dridhej po nuk u përmbajt dot. Dridhja vinte nga brenda dhe zinte vend tek supet. U mundua të qe i qetë.
-Mos ki frikë,- tha me zë të shuar- nuk është asgjë.
-Ai paska vrima të tjera, unë kam frikë.- bëlbëzoi ajo.
Ndoshta diku fshihet- tha burri nesër do t’ i zë të gjitha vrimat.
-Nesër,- mërmëriti- nesër, po kjo natë.[xxviii]
Por ata e humbën betejën me minjtë, dhe tmerri u shndërrua në stereotipin e tyre psikologjik, në një torturë të përhershme, çka Fevziu e përshkruan kështu:
E gjitha kjo vazhdoi me një rregullsi pipëtitëse një ditë, dy, tri përherë. Po ai ankth natyror, po ai ngazëllim mesditash. Rrokulliseshin e vinin poshtë njëri-tjetrin pa fituar kurrë. Ankthi qe kthyer në rutinë dhe rutina pranohet gjithmonë pa vërtetim. Muzgjeve, në atë kohë pezull pa eufori e tmerr gërvime, burri vështronte perdet e njollosura nga roza e perëndimeve, e pas tyre ca hapësira ende të ndritshme nga do të ngrihej nata. Nata e frikshme që i flijonte iluzionet e mesditave me gërvimën misterioze.[xxix]
Është domethënëse se Fevziu në tregimin e tij përshkruan saktësisht sjelljen e të internuarve dhe të dëbuarve në katundet e Lushnjës, në luftën kundër minjve. Përpjekja e fundit e dëshpëruar e tyre në luftën kundër minjve ishte që ta zbraznin krejt shtëpinë nga orenditë, ashtu që të mund të çoheshin natën me të dëgjuar zhurmën më të vogël dhe të zbulonin minjtë. Fevziu shkruan:
Dhe një ditë, një ditë krejt të zakonshme, pa identitet e përmasa, me po ato mendime të lodhshme, mrekullia lindi diku në zgavrat e mendimeve të tij dhe u ngjit lart. Doli në sipërfaqe më i ndritshëm, brilanti. Burri përqafoi gruan fort. Qe një përqafim fantastik, ku netët e pagjuma kërcitën në trupin e saj si qelqe preciozë.
-E gjeta- mërmëriti- e gjeta.
Dhoma strukej e tëra në cepat e errët, si të donte të fshihte lakuriqësinë e saj. Muret e ftohtë, mungesa e sixhadeve dhe mobiljeve të rënda e thërrisnin idenë e shkretimit nga larg për ta mbyllur aty. Burri u ngjesh i kënaqur nga zgjidhja e tij.
-Tani nuk ka ku të fshihet më.- bëlbëzoi- dhoma është bosh.
Vështrimi u kap pas tavanit e në çast u var poshtë, rrafsh me muret si merimangë. Zërat e huaj kumbonin në akustikën e shkretë të dhomës së dhjetëfishuar.
-Boshi është mrekulli- vazhdoi- bota duhet t’ i falet boshit. Boshi nuk mund të pjellë asgjë të papritur. Ai duket që larg, ai ndihet që larg.
Gruaja u deh nga mendimi se gjithë ajo dhomë boshe, nuk mund të ruante në brendësi të saj asnjë të fshehtë misterioze. Krevati e vetmja mobilje, qëndronte në mes të katër mureve, i baraslarguar sipas supersticit fatal. Lakuriqësia i distanconte prej botës reale, të zymtë, i mvishte me siguri. Jetonin të dy në veçimin pa përmasa, që lindte aty e vdiste po aty. Bota ishte larg, pas xhamave dhe perdeve të rënda, midis dritave të makinave dhe njerëzve; aty ku lindnin gjëra të frikshme e të tmerrshme. Për të ardhur deri tek ata i duhej të kalonte atë shkretëtirë të betontë heshtjeje; atë izolim të ftohtë që të ngjethte. Burri vështroi gruan, ajo u përkëdhel në krahun e tij. Ishte natë. Ose më saktë nuk dihej sa natë pati ikur nëpër masat e kohës. Gruaja u përkëdhel përsëri:
-Sa mirë i dashur- bëlbëzoi- sa mirë kështu.
Shkretëtira ishte tronditëse. Por më mirë shkretëtirë se sa ajo gërvimë e frikshme.[xxx]
Familja e Blendi Fevziut kishte sjellë me vete në katundin e Lushnjës sixhade dhe mobilje, nga ato që i kishin trashëguar prej të parëve të tyre, dhe të cilat bëheshin një strehë dhe mbulim i mirë për minjtë. Zbrazja e shtëpisë në fakt ishte kapitullimi para minjve, për shkak se kështu shtëpia u dorëzohej atyre, duke qenë ata që diktonin mënyrën e jetesës. Duket se diktatura komuniste kishte bërë llogari që t’ i persekutonte të internuarit dhe të dëbuarit edhe me anë të minjve. Shumëkush që lexon këto rreshta me siguri që do të thotë se përse këta njerëz nuk mbanin mace, që do të ishte mënyra më e thjeshtë për të shpëtuar nga minjtë. Kështu bënin fshatarët, por të internuarit dhe të dëbuarit kishin frikë të mbanin… mace. Kjo nuk është shaka. Macet mbysnin zogjtë e pulave, si dhe bënin dëme të tjera në shtëpitë e fshatarëve dhe në kopshte, e me këtë rast faji u ngarkohej a priori maceve të të internuarve dhe të dëbuarve, kështu që këta detyroheshin të paguanin dëmin. Prandaj këta nuk mbanin mace, e aq më pak qenër. Një i internuar, apo i dëbuar fitonte të drejtën për të mbajtur mace, apo qen, vetëm pasiqë i bënte shërbime të tilla regjimit komunist, që i siguronin atij një status të tillë që ai nuk rrezikonte të paguante për dëme të cilat nuk i kishin bërë kafshët e tij shtëpiake. Familja e Blendi Fevziut nuk mund të mbante mace apo qen, për shkak se Sigurimi i Shtetit zbatonte ndaj saj manualin e ashpërsimit të rremë të luftës së klasave. Në tregimin e Blendi Fevziut, ka një fund kafkian, një arritje të cilën ai nuk do të kishte aftësi ta bënte pa një përjetim të fuqishëm personal:
Kishte kaluar mesnata, ndoshta më vonë, kur gërvima teptisi rishtas. Po ashtu, e lehtë, nervozuese, e frikshme. Ata po flinin të dy të qetë dhe kur burri u çua i pari, nuk i qe tretur ende nga fytyra qeshja e mbrëmshme. Ndenji një çast mbi krevat, përgjoi pastaj zgjoi të shoqen.
-Dëgjo- i tha- ki mendjen!
Gruaja me tipare të theksuara nga tmerri, u rek të kapte gërvimën e lehtë. Sytë e përpinin boshin rrotull dhe boshi hynte brenda syve të saj.
-Dëgjon- i tha ai.
Ajo aprovoi me kokë dyshuese. Zhurma nuk ishte aty. Nuk ndihej në asnjë cep të dhomës dhe prapë dëgjohej qartë. Burri ngjante më tepër me një statujë.
-Ajo është- bëlbëzoi- dëgjohet, ndihet…
Gruaja vështroi përsëri e lemerisur.
-Zhurma është këtu- tha burri- Vëre veshin, dëgjoje.
Ai tregoi me dorë trupin e tij, në një hapësirë të ndërmjetme midis gjoksit dhe stomakut. Pizhamave vija-vija aty u mungonte një kopsë.
Gruaja afroi veshin dhe s’ ndjeu asgjë. Ngriti sytë. Një çast ju bë se ndjeu një lëvizje në stomak, pastaj dëgjoi një gërvimë të lehtë.
-Këtu- thirri me zë të lebetitur- ai është këtu.
Por burri nuk dëgjonte më. Kishte futur gishtat thellë në grykë si të donte të nxirrte prej andej miun e tmerrshëm. Një kohë të gjatë britën fort, por hapësira boshe e dhomës i shurdhonte zërat, pa arritur tek xhamat, pas të cilëve niste jeta. Në mëngjes herët, kur fijet e para të agut guxuan të ikin tej shkretëtirës boshe të dhomës, drita ende e zbehtë ra mbi krevatin e gjerë, të bukur, ku dy trupa të ngurtësuar vazhdonin të qëndronin të kruspullosur jashtë përmasave të kësaj jete.[xxxi]
Fundi është diçka si tregimi “Metamorfoza” i Kafkës. Banorët e shtëpisë së zbrazur zbulojnë kështu se miu është brenda tyre, ata janë shndërruar në minj, diçka si Gregor Zamza i Kafkës që zbulon se është shndërruar në krokodil. Njerëzit vdesin dhe mbijeton miu që gjendej tek ta. Në të vërtetë ky ishte dhe qëllimi i regjimit komunist kur i ndalonte të internuarit dhe të dëbuarit në fshatrat e Lushnjës që të mbanin mace. Ata duhej të shndërroheshin në minj. Dhe vetë Blendi Fevziu pësoi një metamorfozë të llojit të Gregor Zamzës atje në katundet e Lushnjës, duke u shndërruar në mi. Nuk është ironi e vogël që e vetmja arritje letrare e Fevziut është përshkrimi i metamorfozës së vet kafkiane!
Pikërisht në kohën që ishte në Lushnjë, Blendi Fevziu u ballafaqua për herë të parë me Andi Bushatin, i cili më pas do të bëhej miku i tij. Andi Bushati në vitet ‘70, kur ishte fëmijë shoqëronte të atin, Mehdi Bushatin, që ishte shef i Degës së brendshme në Lushnjë (shef i Sigurimit të Shtetit), në udhëtimet që bënte në nëpër fshatrat e Lushnjës, si të thuash me një rrugë dhe dy punë: Mehdi Bushati edhe inspektonte të intenuarit dhe të dëbuarit, edhe dilte për gjueti, për të vrarë rosa. Gjatë këtyre udhëtimeve Andi u kërkonte fëmijëve të të internuarve të deklasuar, që të zgjatnin duart para dhe i qëllonte me një thupër, ndërsa oficerët e Sigurimit të Shtetit qeshnin dhe e uronin shokun Mehdi për ndjenjën e lartë të luftës klasore që kishte djali i tij që në moshë të vogël. Kështu e ka pësuar edhe miku i sotëm dhe bashkëmoshatari i tij, Blendi Fevziu, i cili ka pasur fatin e keq të marrë ndonjë thupër nga çekisti i vogël Andi. Kur në këto udhëtime gjuetie ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, ky i fundit e kishte bërë zakon që ta pyeste Andin se a donte të vriste një rosë, ndërsa Andi, me sa duket i mësuar nga babai, i përgjigjej se dua të vras një armik të klasës. Kjo e bënte Kadri Hazbiun të qeshte me të madhe dhe t’ u thoshte vartësve të vet se duhet t’ i edukonin fëmijët e tyre me sensin e lartë të urrejtjes për armikun e klasës, siç kishte bërë shoku Mehdi, pa harruar të shtonte dhe meritën e gjyshit, shokut Hysni (eprori direkt i Kadri Hazbiut në linjë partie), në edukimin e këtij fëmije. Mirë që Andit nuk ia linin armën e gjahut në dorë në kohën e inspektimit të të internuarve dhe të dëbuarve, por i linin vetëm thuprën, se sot me siguri që do të na mungonte Blendi Fevziu. Kur Blendi Fevziu ia ndaloi Andit emisionin “Apostrof” që ky bënte në Tv Klan, andi murmuriste nëpër dhëmbë:
Mirë të më bëhet, kur nuk e vrava që në Lushnjë!
Kur Andi Bushati është i ftuar në emisionin “Opinion” të Fevziut, gjë që ndodh shpesh, ai e ka zakon që në “analizat” e tij politike të fusë edhe thënie nga filmat e realizmit socialist, si “Po puna e komisarit ishte lojë, more!”. Por Andi Bushati nuk thotë kurrë atë fjalinë e famshme të një filmi të realizmit socialist për spiunët (kuptohet të Fashizmit), që ishte: “Gëlltit diku një lugë çorbë të prishur, dhe pastaj vjell gjithë jetën”.
Merret vesh, Andi Bushati është i kujdesshëm që të mos e prekë mikun e tij, Fevziun, se i ngjall kujtime të pakëndshme.
14.
“Timuri” i fshatit Dushk të Lushnjës
Nuk është ekzagjerim të thuash se libri i parë që lexon njeriu në jetë, le përshtypje të mëdha tek ai, më tepër në nënvetëdije se në vetëdije. Libri i parë që lexon njeriu në jetë ka një rëndësi të madhe, kur është fjala për të kqyrur formësimin e tij. Nëse biografët do të dinin se cili ishte libri i parë që kishte lexuar në jetën e tij subjekti i tyre, atëherë ky do të ishte një fakt me rëndësi themelore për ta, një lloj “Filli i Ariadnës” në labirintin e formësimit dhe të sjelljes së subjektit të tyre. Në rastin e Fevziut unë e quaj veten një biograf me shumë fat se subjekti im ka bërë një pohim për librin e parë që ka lexuar në jetën e tij, madje edhe për rrethanat në të cilat i ka rënë në dorë. Unë nuk habitem që më rezulton se Fevziu u formësua sipas modelit të shkrimtarit të parë që ai lexoi në jetë, si dhe të heronjve të librave të tij. Blendi Fevziu në një autobiografi të vetën, që ka publikuar në moshën 23 vjeç, në librin “100 ushtarë”, të cilin e ka botuar në bashkëautorësi me Ben Blushin, shkruan për librin e parë që ka lexuar:
Të parin në letërsi kam njohur Arkadi Gajdarin.Të dytin Skifter Këlliçin.[xxxii]
Të njëjtën gjë e thotë edhe në një version tjetër të autobiografisë së tij, të publikuar në një libër me tregime që ka botuar në 1996:
Të parin në letërsi kam njohur Arkadi Gajdarin.Të dytin Skifter Këlliçin.[xxxiii]
Por, Fevziu në një intervistë për Iva Tiço, në revistën e përmuajshme “Madamë Mapo”, në numrin e muajit shkurt 2012, ndërsa na jep edhe një të dhënë shtesë, e përmbys radhën, duke e nxjerrë Arkadi Gajdar të dytin:
Nuk e dija se romanet shkruheshin dhe për fëmijë dhe një ditë kur ime më më solli një roman të Skifter Këlliçit, u mrekullova. E lexova menjëherë. Libri i dytë ishte një novelë e Arkadi Gajdarit që po ashtu më mrekulli. Pastaj hyra në botën e Pinokut dhe të librave të tjerë për fëmijë.[xxxiv]
Kështu, Fevziu na bën me dije se ishte fjala për një novelë të Arkadi Gajdar. Kujt i duhet besuar, Fevziut të viteve 1992 dhe 1996, apo atij të vitit 2012? Natyrisht se Fevziu e dinte në 1992 dhe 1996 se cili ishte libri i parë që kishte lexuar, nuk e zbuloi këtë gjë befasisht në 2012! Arsyeja për të cilën Fevziu në 2012 e nxjerr Arkadi Gajdarin të dytin në listën e librave të lexuar prej tij, është se ai tashmë ka reflektuar dhe nuk i pëlqen më të thotë që libri i parë i jetës së tij ka qenë ai i një shkrimtari sovjetik. Në çdo rast, libri i parë i huaj që ka lexuar Fevziu, është ai i shkrimtarit sovjetik Arkadi Gajdar. Blendi Fevziu ka lindur në vitin 1969, dhe ka filluar të lexojë libra në klasë të dytë apo të tretë të shkollës fillore, pra rreth moshës 8-9 vjeç, do të thotë në vitet 1977-78. Në atë kohë në Shqipëri qenë përkthyer dhe botuar libra shumë të mirë të letërsisë perëndimore, të cilat gjendeshin në bibliotekën e fëmijëve bashkëkohës me Fevziun në Perëndim. Libri i parë që kam lexuar unë, që kam lindur tre vjet para Fevziut është “Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Holgersonit”, i nobelistes suedeze Selma Lagerlof. Këtë libër e kam lexuar në përfundim të klasës së parë të shkollës fillore, pasiqë përfundova mësimin e abetares. Më tutje mbaj mend se kam lexuar “Aventurat e Tom Sojerit”, pastaj “Aventurat e Hakëlberi Finit”, që është vazhdim i të parit, “Pinoku”, “Udhëtimet e Guliverit”. Tani, në paskqyrje, vërej se prindërit e mi, të cilët qenë mësues ashtu si ata të Fevziut, u kujdesën që të më shmangnin nga librat e letërsisë sovjetike për fëmijë, në vitet e para të leximeve të mia.
Në rastin e Fevziut ndodhi e kundërta, ai vetë pohon se ishte nëna e tij, e cila i vuri në dorë librin e Arkadi Gajdar. Pra ishte dëshira e prindërve që ky të ishte libri i parë që do të lexonte djali i tyre, në jetën e tij. Kur prindërit përzgjedhin një libër për të qenë libri i parë që do të lexojë fëmija e tyre, ata natyrisht kanë një dëshirë që autori i librit dhe personazhi kryesor i librit, të jenë modeli që do të ndikojë tek fëmija e tyre. Kështu që prindërit e Fevziut kanë dashur që ai të formësohet sipas modelit të Arkadi Gajdar dhe të heronjve të novelave të tij. Kështu që mund të thuhet se kur prindërit e Fevziut i vunë në dorë djalit të tyre që kur ishte ende fëmijë librat e Arkadi Gajdar, kjo nuk kishte shpjegim tjetër veç atij se i ati dhe e ëma donin që djali i tyre të bëhej spiun i Sigurimit të Shtetit. Arkadi Golikov, i cili kur u bë shkrimtar e ndryshoi mbiemrin në “Gajdar”, ishte ekzemplar i vagabondit të mitur, të prodhuar nga revolucioni bolshevik në Rusi, i vagabondit që u bë subjekt i pëlqyer i rekrutuesve bolshevikë të Çeka-s, policisë së parë sekrete sovjetike, paraardhëses së KGB. Në 1917, kur Arkadi Gajdar ishte afërsisht 14 vjeç (ai ka lindur në 22 janar 1904), në Rusi u bë revolucioni bolshevik. Atëherë ai u bashkua me bolshevikët. Në parathënien e botimit shqip, të vitit 1965, të librit të Arkadi Gajdar “Shkolla”, që është një libër autobiografik, thuhet për të:
Në moshën katërmbëdhjetëvjeçare mori pjesë në luftimet nëpër rrugë duke mbrojtur qytetin nga bandat e kulakëve dhe bjellogardistëve. Ahere Gajdari u plagos për të parën herë. Pas pak kohe ai hyri në radhët e Ushtrisë së Kuqe dhe u emërua axhutant i komandantit të Kompanisë së posaçme në front. Në ushtri vajti fare i ri, katërmbëdhjetë vjeç. Në radhët e ushtrisë u kalit, u burrërua. U poq dhe më shumë karakteri i luftëtarit të ri. Ushtria ka qenë “shkolla luftarake, në të cilën kaluan vitet më të mira të vegjëlisë sime”- shkroi më vonë Gajdari në autobiografinë që e dërgoi si parathënie të botimit të parë të novelës “Shkolla”.Pikërisht për këtë shkollë jete që kaluan të rinjtë e brezit të tij, na tregon Gajdari në novelë. Titulli e shpreh me shumë përpikmëri idenë e autorit.[xxxv]
Kompanitë e posaçme qenë reparte të Çeka-s famëkeqe, të cilat u qenë atashuar njësiteve më të mëdha të Ushtrisë së Kuqe. Kompanitë e posaçme ushtronin terror ndaj banorëve në vendet ku shkonte Ushtria e Kuqe, si dhe në vetë radhët e Ushtrisë së Kuqe, ku ndëshkohej me vdekje mosbindja më e vogël e ushtarëve të pavendosur për të bërë luftën e klasave. Në gjuhën e propagandës bolshevike, terrori i kuq i ushtruar ndaj shtresave të ndryshme të shoqërisë, shprehej në eufemizma si në fragmentin e cituar më lart, “mbrojtja e qytetit nga bandat e kulakëve dhe bjellogardistëve”, të cilët kishin fajin e patolerueshëm që mbronin ekzistencën e tyre nga agresioni bolshevik i llojit të luftës së klasave, ndaj shoqërisë ruse. Kështu që Arkadi Gajdar u bë një çekist që në moshën 14 vjeç. Mund të merret me mend se cila ishte “shkolla” që kaloi Gajdar në kompaninë e posaçme të Ushtrisë së Kuqe. Kjo ishte shkolla e terrorit të kuq, nga e cila ai doli një terrorist profesionist, një pararendës i denjë i Pavlik Morozovit, spiunit që në moshën 13 vjeç, në 1932, denoncoi të atin në NKVD (policia sekrete sovjetike), me ç’ rast i ati u arrestua dhe u pushkatua.
Pikërisht ky monstër bolsheviko-sovjetik, Arkadi Gajdar, është shkrimtari i cili e mrekulloi Fevziun, siç e kam cituar më lart këtë të fundit të thotë. Çfarë e ka mrekulluar Fevziun tek novelat e Arkadi Gajdar? Personazhi kryesor i novelës “Shkolla” braktis shkollën dhe bashkohet me bolshevikët, dhe në vazhdim me Ushtrinë e Kuqe. Ai bëhet anëtar i një të ashtuquajture “çete të posaçme të proletariatit revolucionar”. Kjo çetë ndëshkonte “të bardhët” nëpër fshatra, domethënë çdo njeri që nuk u bindej të kuqve, bolshevikëve. Forca e posaçme e kuqe sulmonte fshatrat natën, vriste, digjte shkatërronte, pa harruar të bënte grabitje, që justifikoheshin kinse për nevojat e njerëzve të saj. Natyrisht se “të bardhët”, do të thotë çdo njeri që nuk u nënshtrohej bolshevikëve, u bënë qëndresë me sa mundën të kuqve, dhe Arkadi Gajdar është shembull për këtë. Ai u rrah dhe u qëllua me plumba nga kundërshtarët, aq sa në 1924, në moshën 20 vjeç, u detyrua të largohet nga ushtria si invalid. Pas kësaj u bë shkrimtar, dhe do të pompohej nga propaganda zyrtare sovjetike si shkrimtari më i rëndësishëm sovjetik i letërsisë për fëmijë, që më pas mrekulloi edhe Fevziun. Më pas Fevziu do të kishte një fat të ngjashëm me Gajdar, se atë jo një herë e rrahën në lagje, shkollë dhe tek bordurat e bulevardit, për shkak të spiunimeve të tij.
Por libri i Arkadi Gajdar që e mrekulloi më shumë Fevziun, sipas rrëfimit të atyre që e kanë njohur ishte libri më i famshëm i Gajdar, “Timuri dhe skuadra e tij”. Ky ishte dhe libri më i famshëm i Arkadi Gajdar. Ky libër i Arkadi Gajdar u botua në 1940, dhe kishte si qëllim popullarizimin dhe shumëfishimin e një tjetër lloj përbindëshi të prodhuar nga NKVD (pasardhësja e Çeka-s), që ishte Timuri, personazhi kryesor i librit. Synimi i librit ishte të nxiste luftën e klasave mes fëmijëve. Timuri dhe historia e tij nuk ishte një krijim i fantazisë së Gajdar, por një realitet sovjetik, i krijuar nga laboratorët stalinianë të manipulimit të shoqërisë. Në prag të fillimit të Luftës së Dytë Botërore në 1939, në Bashkimin Sovjetik u bë një mobilizim i gjerë ushtarak, duke u rritur shumë numri i ushtarëve dhe oficerëve të Ushtrisë së Kuqe. Trajtimi financiar i oficerëve dhe furnizimi i familjeve të tyre me ushqime dhe sende të tjera u përmirësua ndjeshëm në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë, përveç NKVD. Stalini po i merrte me të mirë ushtarakët se e ndjente që shpejt do t’ ua kishte nevojën. Në atë kohë, duke qenë se vëmendja e policisë u përqëndrua tek ruajtja e objekteve që kishin të bënin me përgatitjet për luftë, u rrit kriminaliteti tek të miturit, e mbetur, prindërit e të cilëve qenë mobilizuar në Ushtrinë e Kuqe. Banda keqbërësish të mitur filluan të grabisin shtëpitë e oficerëve të mbetura pa burra, duke qenë se në to kishte ushqime dhe sende të tjera. Kjo e alarmoi regjimin sovjetik dhe NKVD u udhëzua që të krijonte banda “të mira” fëmijësh, të cilat do të merrnin në mbrojtje familjet e oficerëve të Ushtrisë së Kuqe, dhe do të përgjonin e luftonin “të këqinjtë”. E vërteta ishte se të dy palë fëmijët qenë të uritur dhe donin të siguronin ushqim dhe sende të tjera.
Një bandë e tillë “e mirë” ishte ajo e kryesuar nga trembëdhjetëvjeçari Timur, i cili kishte ardhur në qytet për të kaluar një periudhë tek xhaxhai i tij. Nga prindërit e tij përmendet një herë vetëm nëna; se çfarë ishte bërë me babain nuk thuhet gjë. Banda e Timurit kishte tubuar rreth njëqind fëmijë, me të cilët kishte marrë në mbrojtje shtëpitë e ushtarakëve në qytetin ku banonte. Timuri paraqitet si një lloj Zorro sovjetik. Ngjarjet në libër zhvillohen në verën e vitit 1939, kur ndodhën luftime të ashpra në shkallë të gjerë mes ushtrisë sovjetike dhe asaj japoneze në kufirin sovjeto-kinez. Libri fillon me përshkrimin e jetesës së dy vajzave të vetmuara, të një koloneli sovjetik, i cili gjendet në front. Në libër nuk thuhet se ku është nëna e tyre, ndoshta ka përfunduar në ndonjë gulag. Në qytetin e vogël provincial pranë Moskës, zhvillohet e ashpër lufta e klasave mes fëmijëve. Në qytet vepron një bandë “e keqe” adoleshentësh, e kryesuar nga Kvakini. Timuri është komandant i bandës “së mirë”. Të dy ata komunikojnë mes tyre në terma të kohës së Luftës Civile në Rusi:
Timuri i doli përballë Kvakinit, duke tundur lehtë një degëz të thyer. Kvakini, sapo e vuri re, qëndroi. Fytyra e tij e sheshtë nuk tregonte as habi dhe as frikë.
-Tungjatjeta, komisar!- i tha ai me zë të ulët, duke mënjanuar pak kokën.- Nga je nisur kështu me vrap?
-Tungjatjeta ataman!- Iu përgjigj Timuri po me atë ton.- Të dola ty përpara.[xxxvi]
“Ataman” qenë prijësit e kozakëve të bardhë në Luftën Civile, ndërsa “komisar” ishte shefi politik në repartet e Ushtrisë së Kuqe. Të dy bandat përleshen me njëra-tjetrën dhe Timuri i kap dhe i “burgos” kundërshtarët e tij- një simbolikë kjo e realitetit sovjetik të kohës. Autori e përfundon kështu librin, duke ia lënë skenën natyrisht Timurit:
Si u hodhi një vështrim shokëve, buzëqeshi dhe tha:
-Më kënaqet syri kur shoh se të gjithë e ndjejnë veten mirë… se të gjithë janë të qetë… Kjo do të thotë se edhe unë e ndjeje veten mirë.[xxxvii]
Në të vërtetë, në shoqërinë sovjetike të kohës, “Timuri” ndjehej vërtet mirë, por të tjerët nuk ndjeheshin asfare mirë me “Timurin”. Pas daljes së librit të Gajdar, “Timuri” u shumëfishua në mënyrë të pabesueshme, duke u krijuar gjithandej territorit sovjetik lëvizje të llojit të Timurit, çka tregonte se ishte fjala për një projekt shtetëror. Shpejt në Bashkimin Sovjetik do të kishte një ushtri timuriane, disa herë më të madhe se ushtria gjigande e atij nga i cili e mori emrin heroi i Gajdar, prijësit tartar të Mesjetës, Timur, i mbiquajtur Timurleng. Nuk dihet përse Gajdar zgjodhi emrin “Timur” për heroin e librit të tij, por një gjë është e sigurt, lëvizja timuriane e meritonte këtë emër. Lëvizja timuriane u bë një forcë e policisë sekrete sovjetike dhe prej saj u frymëzua Mao Ce Dun më pas, për të mobilizuar dhjetëra milion gardistë të kuq- fëmijë. Në libër, mikesha e Timurit pyet motrën e saj të madhe:
-Olja, po kush është ky Timuri?
-Timuri nuk është perëndi… ai ka qenë mbret,- u përgjegj Olga pa qejf, duke shkumbuar fytyrën dhe duart me sapun.- Ka qenë një mbret i keq dhe i çalë, në historinë e Mesjetës.[xxxviii]
Kur Fevziu lexoi librat e Arkadi Gajdar, ai gjendej në fshatin Dushk të Lushnjës. Në gjysmën e dytë të viteve shtatëdhjetë, kur ndodhi kjo gjë, Sigurimi i Shtetit, për shkak të rritjes së popullsisë, dhe rritjes së shtresës së të deklasuarve pas godtijes që u bë në vitet shtatëdhjetë ndaj komunistëve, kishte filluar të kishte vështirësi për të ushtruar të njëjtin kontroll që kishte ushtruar deri atëherë mbi shtresat e deklasuara të shoqërisë. Prandaj u adoptua metoda staliniano-maoiste e përdorimit të fëmijëve dhe u nxitën lëvizjet timuriane. Dëshmitarët thonë se Blendi Fevziu, ose më saktë Blendi Bregasi siç quhej atëherë, krijoi një lëvizje timuriane në Dushk, e cila keqtrajtonte familjet e të internuarve të tjerë dhe fëmijët e tyre. Në Dushk Blendin e quanin “Timur”. Dëshmitarët të cilët e kanë njohur Blendi Fevziun në Dushk thonë se ai e imitonte Timurin edhe në veshje. Mund ta përfytyrojmë Blendin në Dushk sipas përshkrimit që i bën Arkadi Gajdar Timurit:
një çun i gjatë e flokëzi rreth nja trembëdhjetë vjeç. Ai ishte i veshur me një palë pantallona të shkurtra e të lehta, me ngjyrë të zezë dhe me një këmishë të kaltër me mëngë të shkurtra. Në këmishë kishte të qëndisur një yll të kuq.[xxxix]
Blendi Fevziu, që mrekullohej nga librat e Arkadi Gajdar ishte një përbindësh i prodhuar nga diktatura komuniste në Shqipëri, ishte Timuri sovjetik në trajtë karikature. Arkadi Gajdar e krijoi personazhin e Timurit, duke marrë për bazë djalin e tij, emri i të cilit ishte Timur, dhe tek i cili i ati kishte eksperimetuar formësimin e tipit “Timur” të njeriut të ri sovjetik. Të gjithë “Timurët” (timurovcët) e tjerë qenë “bij” të Arkadi Gajdar, ndër ta edhe Blendi Fevziu. Kur nëna e Blendi Fevziut i dha të birit për të lexuar si librin e parë të jetës së tij, një libër të Arkadi Gajdar, këtu duhet të ketë pasur dhe një arsye personale. Djali i Arkadi Gajdar, Timur Gajdar, në 1959, me rastin e ardhjes së liderit sovjetik Hrushov në Shqipëri, vizitoi edhe ai vendin tonë si gazetar ushtarak. Me këtë rast ai mori takim dhe me trembëdhjetëvjeçarë të shkollave të Tiranës, timurovcë shqiptarë që kishin moshën e Timurit në libër, dhe të cilët qenë të lumtur të takoheshin me heroin e tyre. Nëna e Fevziut në atë kohë ishte pikërisht 13 vjeç, dhe natyrisht që ishte një timurovce e zjarrtë, çka e tregon gjesti që bëri ndaj të birit rreth 20 vjet më pas. Edhe ajo duhet të kishte qenë e mrekulluar nga Timuri, por më tepër nga Timuri real. Timur Gajdar vdiq në Moskë në 23 dhjetor 1999, dhe Blendi Fevziu ishte një nga njerëzit që udhëtuan në Moskë për të marrë pjesë në varrimin e bujshëm të tij, ku morën pjesë timurovcë nga e gjithë bota.
Vetë Arkadi Gajdar, ashtu si Frankenstein, e pësoi nga krijesa e tij. Në vjeshtën e vitit 1941, Arkadi Gajdar, kur gjendej në front si gazetar ushtarak, mbeti i izoluar në një “thes” gjerman, siç quheshin manovrat gjermane me rreze të gjerë për çarjen e frontit sovjetik dhe rrethimin e grupimeve të mëdha ushtarake ruse. Atje, në një situatë kaotike, shkrimtari më i famshëm sovjetik i librave për fëmijë u sulmua dhe u vra nga një bandë timurovcësh të armatosur, të cilët grabisnin njerëzit që gjenin rrugës. Më tej, propaganda sovjetike tha se ai u vra në luftë me gjermanët. Kështu Arkadi Gajdar u eliminua nga bijtë e tij, ashtu siç do t’ u kishte ndodhur edhe prindërve të Fevziut, nëse në vitet tetëdhjetë diktatura komuniste në Shqipëri nuk do të kishte hequr dorë tashmë nga gjyqet e montuara ku fëmijët akuzonin prindërit e tyre. Karriera si timurovc ishte fillimi i bashkëpunimit të Blendi Fevziut me Sigurimin e Shtetit. Në atë kohë Sigurimi i Shtetit bëri një numër rekrutimesh në kryeqytet dhe në qytetet kryesore, kryesisht ndër familjet e deklasuara që kishin mbetur në këto vendbanime. Mosha e rekrutimeve ka qenë më e ulët se sa besohet. Kopi Kyçyku, babai i Ardian Kyçykut, me të cilin Blendi Fevziu ka qenë në një klasë në shkollën e mesme “Partizani”, në Tiranë dhe në fakultet, për gjuhë-letërsi shqipe, rrëfen me sinqeritet eksperiencën e tij me Sigurimin e Shtetit. Kopi Kyçyku, përkthyes dhe studiues, shkruan në kujtimet e veta se e kanë rekrutuar si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit që në moshën 14 vjeç, në fund të viteve pesëdhjetë në Pogradec:
Një mëngjes dhjetori me shi tek po dilja nga shtëpia, një burrë thatim, rreth të tridhjetave, më tha se në orën tre pasdite duhej të ndodhesha tek dera anësore e Degës së Punëve të Brendshme. Nuk isha më shumë se katërmbëdhjetë vjeç e gjysëm! Sikur e parandjeu tronditjen time, ndaj më qetësoi:
Mo ski frikë, se nuk është për të keq. Por mos i thuaj njeriu!
U largua sakaq, ndërsa mua shpirti ma di se si i kalova ato orë. Më tre pa pesë u gjenda në vendin e caktuar, ku një zeshkane e bëshme, pastruese e Degës, më shoqëroi deri në fund të katit të dytë. Isha futur, pra në folenë e grerave. Atje, në kthinë, mes mjegullës së cigareve, më prisnin majori Eq. Ta. dhe kapiteni K. Ki. Kur hyra nuk e luajtën të rëndët fare. Më thanë se vajtja ime atë dimër në Tiranë, në pritjen që Komandanti jepte çdo vit për nxënësit e dalluar, si dhe në verë, për pushime në Bullgari, nuk mund të bëheshin pa dijeninë dhe pa pëlqimin e Sigurimit të Shtetit. I falenderova.
-Ne kemi besim tek rinia, pra edhe tek ti. Jemi të bindur se do të na ndihmosh në luftën kundër të pakënaqurve, që, si kudo, mund të ndodhen edhe në shkollë! Nxënës, por edhe mësues…- theksoi majori.
Sakaq, me duart e zverdhura nga nikotina, më zgjati një stilograf dhe një fije letër e më ftoi të shkruaja ato që do të më diktonte… Unë i nënshkruari… Kur e panë që, në një moment të caktuar ngurrova paksa, majori i cili m’ u duk i dehur, shtypi, pothuajse me egërsi, një sustë, dhe pas dy-tri sekondash, në vesh më erdhën klithma rrënqethëse… Pata përshtypjen se ishte diçka e incizuar, që u vu në lëvizje fill pas shkeljes së sustës, por e vërteta ishte se filluan të rrihnin dikë me muzikë (për të mbytur klithmat, e kishin hapur radion me fund). “Siç e sheh, dimë edhe ndryshe. Ndofta ta ka ënda ta kalbim tët atë e tët ëmë”, gati ulëriu kapiteni K. Ki. Dhe, instiktivisht, vuri dorën në automatikun që ndodhej mbi tavolinë. M’ u kujtua se si, me po atë automatic i pat derdhur në gojë e në trup një karikatore të tërë qenit të të zotit të shtëpisë në Pleshisht të Mokrës, që iu duk se donte t’ i ngulte një dhëmb. E vërteta ishte se lehja e qenit, që shkoi për dhjamë qeni, lajmëronte ardhjen e një miku, që e kishte emrin K. K.
Vazhdova të shkruaja. Mbaj mend që deklarata ime përfundoi afërsisht me fjalët: “Po të dekonspiroj, le të dënohem sipas ligjeve në fuqi”.[xl]
Problemi këtu ishte se Sigurimi i Shtetit të cilit po i betohej Kyçyku nuk funksiononte sipas asnjë lloj ligji, domethënë nuk kishte një ligj për Sigurimin e Shtetit, të miratuar nga Kuvendi Popullor, që sipas Kushtetutës së kohës kishte atributin për të bërë ligje. Kyçyku, i cili vinte nga një familje me biografi të mirë, u shpërblye më pas duke u bërë deputet. Nëse Blendi Fevziu do të kishte sinqeritetin e Kyçykut, ai do të tregonte se me çfarë çmimi ia shpërbleu regjimit komunist lejën për t’ u bërë qytetar i Tiranës, dhe të drejtën e studimit në shkollë të lartë, në një kohë që ajo nuk iu jepej bashkëmoshatarëve të tij me biografi të keqe politike. Në vend që të bënte një rrëfim të sinqertë, Blendi Fevziu, kur u bë një njeri me ndikim, bëri gjithçka për të zhdukur provat dhe dokumentet e marrëdhënies së tij speciale me regjimin komunist. Por Blendi Fevziu harron se vetë jetëshkrimi i tij dhe i familjes së tij, shndërrohet në një akuzë për të. Fevziu shkruan në librin “Enver Hoxha”:
Sipas të dhënave të studiuesve të Ministrisë së Brendshme, Sigurimi i Shtetit pati në dispozicion për gjatë 46 viteve një armatë prej 200 mijë bashkëpunëtorësh. Njerëz të kandisur me forcë, me bindje, apo të joshur me privilegje që raportonin gjithçka që thuhej në shoqëri. Armata e “spiunëve”, siç njihej në popull, shërbente për ndjekjen e personave problematikë.[xli]
Shumë e saktë. Kur një të deklasuari i bëheshin privilegje, atëherë këto i jepeshin si shpërblim për bashkëpunimin e tij me Sigurimin e Shtetit. Nëse fjalët e mësipërmje të Blendi Fevziut përdoren si kod për të zbërthyer enigmën e qëndrimit të regjimit komuniste ndaj familjes së tij, dhe atij vetë, të cilët u privilegjuan çuditërisht, atëherë del se Blendi Fevziu dhe familja e tij kanë përfituar nga bashkëpunimi me Sigurimin e Shtetit. Kur Blendi Fevziu flet për dosjet e Sigurimit të Shtetit, në librin “Enver Hoxha”, ai nuk thotë asgjë për asgjësimin e dosjeve në periudhën e fundit të diktaturës komuniste. Me urdhërat nr. 1-7, të datës 12 shkurt 1991, ministri i Punëve të Brendshme Heuran Isai, kuptohet me urdhër të Ramiz Alisë, urdhëroi që të asgjësohen:
Dosjet për krimet e parashkruara, dosjet e përpunimit 2A dhe 2B të agjitacionit dhe propagandës, tentativës së arratisjes, të agjentëve në shërbim të zbulimeve të huaja. Dosjet e tjera të asgjesohen me listë të veçantë.
Kuptohet që për asgjësimin e tyre janë dashur disa javë, kjo dhe për faktin se ajo ka qenë një periudhë shumë e turbullt (pas tetë ditësh u rrëzuan monumentet e Enver Hoxhës) kur Sigurimi i Shtetit qe shumë i angazhuar në çështje të tjera. Asgjësimi, në rastin më të mirë, ka zgjatur disa javë, çka do të thotë se ai është bërë në kohën e qeverisë Nano 1, që erdhi në fuqi në 22 shkurt 1991, pra dhjetë ditë pas daljes së urdhërit dhe është zbatuar nga ministri i Punëve të Brendshme Qeverisë “Nano 1”, Gramoz Ruçi. Natyrisht se janë asgjësuar shumë dosje të personave të cilët do të përfshiheshin në politikën pluraliste, media etj. Asgjësim dosjesh është bërë edhe më pas. Blendi nuk flet kurrë për asgjësimin e dosjeve, se e ka “mizën nën kësulë”, si i thonë fjalës. Por, asgjësimi i dosjeve nuk e fsheh dot bashkëpunimin e një personi me Sigurimin e Shtetit, se kjo mund të zbulohet edhe duke kqyrur nëse trajtimi që diktatura komuniste i ka bërë këtij personi është kompatibël me biografinë e tij politike, dhe nëse ka kërcime të çuditshme në karrierën e tij. Kështu, nëse një i deklasuar ka pasur një trajtim shumë më të mirë se i homologëve të tij, atëherë kjo mund të shpjegohet vetëm me bashkëpunimin e tij me Sigurimin e Shtetit. Edhe nëse nuk e zotëron dosjen e tij në Sigurimin e Shtetit, mjaft të lexosh Platformën e Komitetit Qendror të PPSH, mbi bazën e së cilës punonte Sigurimi i Shtetit. Sipas saj, agjentët, të cilët do të rekrutoheshin kryesisht nga të deklasuarit, do të shpërbleheshin për punën e tyre agjenturore, me një trajtim më të mirë se homologët e tyre, sa i përket banimit, shkollimit etj.
Në 11 prill 2011, në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, në Tv Klan, u shfaq një spektakël unik në llojin e vet. E gjithë koha televizive e asaj mbrëmjeje në emision i ishte dhënë një tjetër versioni shqiptar të Arkadi Gajdar, Preç Zogajt, për të bërë një “rrëfim” mbi eksperiencën e tij si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Kjo intervistë ka vlerën e një çelësi për të depërtuar në mendjen e Blendi Fevziut dhe të fshehtat që ndryn ai për të shkuarën e vet. Preç Zogaj dhe Blendi Fevziu ngjajnë se të dy u përkasin familjeve të cilat në kohën e diktaturës komuniste qenë të deklasuara, ndonëse familja e Zogajt qe në një shkallë shumë më të ulët se ajo e Fevziut, sa i përket kësaj. Të dyve, si Zogajt ashtu dhe Fevziu diktatura u bëri lëshime të cilat, nisur nga statusi i tyre social prej të deklasuari, qenë privilegje, dhe që sipas Platformës së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH për Sigurimin e Shtetit, nuk mund t’ u bëheshin të deklasuarve veçse si shpërblim për bashkëpunimin e tyre. I pyetur nga Fevziu për fillimin e bashkëpunimit të tij me Sigurimin e Shtetit, Zogaj u përgjigj:
Është Sigurimi që vjen e të kërkon, nuk ndodh asnjëherë ndryshe. Nuk mund të përgjigjesh pse vjen ai, po se çdo të bësh ti. Një operativ më kërkoi këtë gjë dhe më tregoi dhe arsyet. Isha me të gjitha dhjeta dhe kisha probleme në biografi. Kisha dy dajallarët e babait tim të pushkatuar, Gjin Jaku dhe Gjon Jaku që ende nuk u dihen eshtrat. Njëri është i varrosur në Lezhë, tjetri në Rrëshen. Kam pasur dhe kushërinjtë e mi kulakë, si ish-pronarë tokash që refuzuan hyrjen në kooperativë.
Oficeri operativ i Sigurimit të Shtetit ka vepruar sipas manualit, do të thotë Platformës së përmendur më lart, pra ai i ka hedhur “grepin” me “karremin” në majë, që ishte premtimi se nëse djaloshi Preç do të bashkëpunonte me Sigurimin e Shtetit, atëherë ai do të merrte si shpërblim ato gjëra të cilat ndryshe qenë të paarritshme për të me biografinë politike që kishte, si shkolla, një punësim i mirë, karriera si shkrimtar, meqenëse i pëlqente të shkruante etj. Preç Zogaj, në intervistën për Fevziun tha se ai nuk u kishte sjellë dëme të tjerëve me bashkëpunimin e tij, dhe se Sigurimi i Shtetit nuk kishte ndikuar kur atij iu dha e drejta e studimit universitar, si dhe kur u punësua në Tiranë, në gazetën “Zëri i Rinisë” (më tutje shkoi në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”). Zogaj tha mbi të drejtën e studimeve universitare që iu dha në kohën e diktaturës komuniste:
Unë kam shkuar në shkollë me korrespondencë nga ushtria, me ndërhyrjen e Llazar Siliqit dhe Dritëro Agollit sepse ndërkohë shkruaja edhe poezi. Pjesa e Sigurimit ishte jashtë kësaj drame. Nuk ndërhyri Sigurimi fare për punën e shkollës. Sigurimi themi ne, por në atë kohë ishte Operativi, sepse, nëse do të bëjmë histori pa data, nuk do ta kuptojmë. Duhet të nisemi nga fakti që Preç Zogaj ishte një nxënës me të gjitha notat dhjeta dhe nuk i jepej e drejta e studimit sepse kishte dy daja të pushkatuar dhe kushërinjtë kulakë. Po të isha unë ndonjë bashkëpunëtor i Sigurimit, i interesave të Sigurimit, do të kishin bërë ndonjë gjë për të më ndihmuar, por nuk kishin fuqi.
Është kërshërore se përse Preç Zogaj në 2011, njëzet vjet pas shkrirjes së Sigurimit të Shtetit del me tezën se oficerët operativë, qeliza bazë e Sigurimit të Shtetit nuk kishin fuqi, kur ata qenë pjesë e një mekanizmi të plotfuqishëm. Preç Zogaj nuk mund të mos ta dijë se ishte në në praktikën e Sigurimit të Shtetit që t’ ua jepte benefitet me pikatore të deklasuarve që bashkëpunonin me të, për të rritur zellin e tyre në punë. Kështu, Zogajt vërtet nuk ia dhanë të drejtën e studimit universitar për tre vite pas përfundimit të shkollës së mesme, por i dhanë të drejtën e botimit, çka nuk ishte më pak e rëndësishme. Dritëro Agolli dhe Llazar Siliqi, dy krerët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve nuk do të guxonin kurrë të ndërhynin në mbështetje të një të deklasuari nëse nuk do të kishin të dhëna nga Operativi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve se ai ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Gjithsesi, gjithçka u zhvillua sipas praktikës së Sigurimit, pas tre vjetëhs, Zogajt iu dha e drejta e studimit, e më pas u soll me punë në Tiranë, në një gazetë qendrore, çka ishte një arritje që të deklasuarit e tjerë, veç se mund ta ëndrronin. Zogaj nuk mund të mohojë se kurrkush tjetër me biografinë politike të tij, nuk mund t’ i arrinte këto gjëra, pavarësisht nga talenti që kishte. Fevziu as që i bëri pyetje të tilla Zogajt, se kështu do të zbulohej se edhe Fevziu kishte ecur para në jetë në të njëjtin shteg si Zogaj. Fevziu i tha Zogajt:
Pra, nuk ju dha favore fakti që kishit bashkëpunuar me Sigurimin.
Zogaj u përgjigj:
Bashkëpunëtori i famshëm i Sigurimit të Shtetit minimumi do të lihej në qytet nuk do të çohej në një fshat kaq të largët. Atje në Velë unë kam mësuar frëngjisht, kam qëndruar dhe flija në qelën e priftit, sepse aty flinim, kam kopjuar me dorë autorë francezë që m’ i jepte Besnik Mustafaj dhe i kam edhe sot e kësaj dite, i ruaj si kujtim i absurdit që ne kemi jetuar. Tre vjet kam qëndruar në Velë dhe kam ardhur në Tiranë.
Arsyetimi që kërkoi të bëjë Zogaj nuk qëndron dot. Për një bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, që vinte nga një familje e deklasuar, të emërohej në punë mësues në një fshat të largët, aq më tepër kur ai ishte vetë fshatar, si Zogaj, ishte një privilegj, se ai shpëtonte nga puna e rëndë e krahut, që ishte dhe e paguar keq. Pastaj Sigurimit të Shtetit i duheshin bashkëpunëtorët edhe në fshat, jo vetëm në qytet. Veç kësaj, Sigurimi i Shtetit i bënte lëshimet gradualisht. Kështu, pasiqë Zogaj qëndroi tre vjet në këtë katund si mësues, atë e dërguan me punë në kryeqytet. A nuk i kthehet ky fakt si boomerang arsyetimit të Zogajt për bashkëpunëtorin e famshëm të Sigurimit që duhej çuar me punë në qytet? Nëse Blendi Fevziu do të kishte bërë një rrëfim si i Preç Zogajt, edhe ai do të pohonte se pas arritjeve të çuditshme të tij qëndronte Sigurimi i Shtetit. Është interesante se Preç Zogaj dhe Blendi Fevziu kanë një detaj tjetër të përbashkët, të dy kanë diplomuar me temë, duke pasur si udhëheqës shkencor, siç quhej, Nasho Jorgaqin, romancierin zyrtar të Sigurimit të Shtetit. Preç Zogaj tha:
Kam mbrojtur temën e diplomës po me notën dhjetë. Dy drejtuesit e diplomës, Nasho Jorgaqi e Çapajev Gjokutaj, kanë dhënë vlerësime të shkëlqyera për punën time.
Nasho Jorgaqi kishte detyrë që të kujdesej për këta studentët e deklasuar që kishin privilegje të tilla. Meqënëse Zogaj ka shkruar, siç e kam cituar, se në dhjetor 1990 tashmë e kishte mik Fevziun, ishte dashur që ky i fundit të shprehej mbi atë nëse pati ndonjë dyshim ose jo për Zogajn kur e njohur. Kjo do të kishte qenë një gjë e natyrshme, e thënë edhe si me ton humori dhe Zogaj nuk mund t’ ia merrte për keq. Fakti se Fevziu nuk e bëri këtë gjë, flet shumë. Fevziu, duke qenë vetë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, nuk kishte arsye që bënte hipoteza se cili nga të njohurit e tij ishte bashkëpunëtor, se ai ndjehej i sigurt nga çdo rrezik. Është me të vërtetë e mahnitshme skena, nuk mund të them ndryshe, në emision, kur Fevziu e pyeti Zogajn:
Çfarë ju tha operativi në takimin e parë?
Ky definitivisht ishte një këmbim eksperiencash. Zogaj herën e parë iu shmang përgjigjes, por pak më tutje, Fevziu ngulmoi:
Të kthehemi tek takimi i parë me Operativin në shtëpi.
Zogaj u përgjigj:
Më kërkuan takim në një shtëpi dhe shkova i vetmuar. Fillimisht nuk i besova se mendova mos ishte ndonjë kurth. M’ u prezantua si Operativi i shkollës së mesme dhe më shpjegoi se në kuadër të platformës së Partisë së Punës, po krijojmë një rrjet informatorësh nëpër shkolla. Në këtë kuadër më ftoi të punoja edhe unë për ta. pasi siç më shpjegoi, kishin interes që unë të punoja me ta, si një nxënës i mirë nga një familje që ka probleme.
Kjo gjë i kishte ndodhur Zogajt në moshën 17 vjeç e gjysëm, siç tha ai. Kësaj kategorie njerëzish së cilës i përkiste Zoga, pra nxënës nga një familje “me probleme”, do të thotë e deklasuar, të cilët kishte ambicje për t’ u shkolluar, dhe për të botuar shkrime letrare etj., i përkiste edhe Fevziu, i cili pati nga regjimi ato që për një të deklasuar janë privilegje. Fevziu nuk mund të mos kishte pasur një takim me Operativin. Më tutje, Fevziu e pyeti Zogajn për takimin e parë me Operativin:
Ishte kërcënim ky propozim, apo joshje?
Zogaj u përgjigj:
As kërcënim as joshje, por një propozim normal.Për herë të parë nuk pranova, por jo për shkak të Sigurimit, sepse pavarësisht se isha i orientuar nga letërsia, të gjithë të rinjtë e asaj kohe kishin atë mitin e agjentëve. Në atë kohë të rinjtë kishin dëshirë të bëheshin si kapiteni Klos etj., pra ishin këto mitet e adoleshencës të asaj kohe.Por nuk ishte kt problemi. Unë nuk u besova se ishin të Sigurimit. Dhe prandaj i refuzova.Ata shkuan pastaj tek drejtoresha e shkollës dhe ishte pastaj kjo e fundit që më thirri në zyrë dhe më tha se ata janë vërtet të Sigurimit. Atëherë unë kam pranuar.
Fevziu ka qenë 21 vjeç në 1990, çka do të thotë se adoleshenca e tij ka kaluar gjatë regjimit komunist, kështu që mund të shprehej mbi vërtetësinë e këtyre fjalëve të Zogajt. Por Fevziu nuk bëri asnjë objeksion ndaj Zogajt, për sa më sipër, kur dihet se bashkëpunëtori i Sigurimit të Shtetit nuk ka qenë kurrë miti i adoleshentëve në Shqipëri. As i adoleshencës, as i ndonjë moshe tjetër. Aq shumë përçmohej kjo kategori, saqë zyrat e propagandës së regjimit komunist, nuk bënë as përpjekjen më të vogël që ta idealizonin në filma, teatër dhe këngë bashkëpunëtorin e Sigurimit të Shtetit dhe oficerin operativ të Sigurimit të Shtetit. E shumta në filma dhe teatër shfaqej ndonjë qytetar i cili e informonte si rastësisht oficerin e Sigurimit të Shtetit. Ndryshe nga ç’ thotë Zogaj asnjë adoleshenti, për të mos folur për më të rriturit nuk i shkonte ndërmend që të projektonte personazhet e filmave të huaj me agjentë, tek figura e bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit, i cili përçmohej si fuks, siç quhej në një argo të asaj kohe spiuni- një shtrembërim i fjalës i bërë qartësisht për vetëmbrojte. Blendi Fevziu e pyeti Preç Zogajn në emisionin e prillit 2011:
E keni të vështirë të flisni për të kaluarën tuaj?
Por vetë Fevziu qartësisht e ka të vështirë të flasë për të kaluarën e vet. Blendi Fevziut nuk i pëlqen që të flasë për periudhën kur ka jetuar në Lushnjë, jo thjesht për shkak të ndjenjës së vanitetit, të manisë për t’ u shfaqur si qytetar që nga dita e lindjes, por kryesisht për shkak të kompleksit të fajit që ka për bëmat e tij në Lushnjë si “Timur” enverian. Në një të ashtuquajtur ese, me titull “Kur ke qenë i lumtur në jetë”, Blendi Fevziu reflekton mbi këtë pyetje që e ka ndeshur në një revistë universitare amerikane. Fevziu shkruan ndër të tjera:
Duke kërkuar në disa shënime të vjetra udhëtimi, gjeta një kartolinë të harruar, një prej dy kopjeve që një fëmijë 9-vjeçar më kishte dhënë shumë vite më parë në Romë, për t’ ia dërguar një shokut të tij. Ishte djali i vogël i një familjeje që kishte vuajtur shumë në vitet e komunizmit, brezi i tretë i internuar në një fshat të harruar të Lushnjës, që me t’ iu dhënë rasti, më 1990-ën, ishte larguar nga Shqipëria. E vendosur fillimisht në Romë, familja priste të nisej për në Nju-Jork, ku jetonte tashmë edhe stërgjyshi i tyre, për hir të të cilit kishin pësuar edhe vuajtjen dhe persekutimin e gjatë. Nuk e di se si rastësisht isha gjetur në banesën e tyre të përkohshme në Romë dhe se si një natë përpara nisjes, djali i vogël më kishte besuar dy kartolina për t’ ua dërguar dy moshatarëve të tij, edhe ata fëmijë të familjeve të internuara në Savër të Lushnjës. Disa javë më vonë njëra prej kartolinave më qe kthyer me shënimin se familja ku adresohej kishte lëvizur tashmë dhe me sa dukej gjendej edhe ajo jashtë Shqipërisë. E ruajta atë kartolinë të thjeshtë i bindur se shprehte gjithë dhimbjen dhe dramën e një vendi.
“Është nata e fundit në Romë, nesër nisemi, shkruante djali 9-vjeçar. Por edhe pse Nju-Jorku më pëlqen, edhe pse Roma është e mrekullueshme, unë kam mall për ju. Kujtoj fushën e sportit në Savër dhe më duket se tani ju jeni duke luajtur me të dy ekipet që loznim gjithnjë, se jeni duke u zënë se kush është gol dhe kush shtyllë dhe se pas lojës rrini ende mbi bar, duke folur për shumë gjëra. Kam mall dhe nuk e di nëse do t’ ju takoj më. Mbase shpejt, mbase jo. Babi më thotë se do të mblidhemi të gjithë në Nju-Jork. Nuk e di nëse është e vërtetë apo ma thotë se i vjen keq për mua. Edhe atij i mbushen sytë me lot. Por unë mund t’ ju them se nuk ju harroj dot dhe se me ju, kam qenë vërtet i lumtur”.
Cila mund të ishte lumturia e këtij fëmije që kishte vuajtur internimin që ditën e parë të lindjes, siç kishte vuajtur edhe babai apo gjyshi i tij? Si mund të kishte një nostalgji të tillë në ditën e shpëtimit! Apo, më shumë se nostalgji, kjo ishte frikë nga e panjohura?[xlii]
Ndonëse Fevziu ka jetuar në të njëjtin mjedis me atë të këtij fëmije, ai bën kinse nuk e kupton se ky fëmijë nuk po shprehte nostalgji për jetën e të internuarit, por për marrëdhëniet njerëzore që kishte krijuar me bashkëvuajtësit. Fevziu edhe këtu vazhdon bën për inerci punën e dizinformatorit të Sigurimit të Shtetit (një nga detyrat e agjentit), duke tjetërsuar mendimet e shprehura nga ky fëmijë, moshatarët e të cilët Fevziu i pati keqtrajtuar si “Timur” sigurims, në kohën e tij. Blendi Fevziu këtu nuk thotë asgjë për eksperiencën e tij personale, të ngjashme me atë të këtij fëmije. Në të njëjtën “ese” Fevziu thotë, siç do ta citoj më tutje në këtë libër, se ai ka qenë i lumtur në jetë, kur bashkohej me tifozët e “Dinamos” gjatë adoleshencës së tij. Pra, Fevziu ka qenë i lumtur kur bënte lakeun e Sigurimit të Shtetit, se një i deklasuar si Fevziu që shpallej tifoz i klubit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk mund të ishte veçse lakeu i Sigurimit të Shtetit.
15.
Arhetipi lushnjar i groteskut të kohës së diktaturës komuniste, si bazë formuese e personalitetit të Fevziut
Gjatë kohës së qëndrimit në Lushnjë, Blendi Fevziu u formësua në një mjedis të veçantë shoqëror-kulturor, të krijuar me shumë djallëzi nga diktatura komuniste, sipas modelit sovjetik stalinist, për zonat e banuara ku kishte përqëndrim të madh të internuarish dhe të dëbuarish për motive politike. Në zona të tilla, diktatura komuniste stimulonte djallëzisht njëfarë grotesku masiv, një sharlatanëri masive, se e shikonte satirën si mënyrën më të sigurt për ta mbajtur kundërshtarin të nënshtruar. Dy miqtë e Blendi Fevziut, Preç Zogaj dhe Edi Rama e kanë përshkruar relativisht saktë këtë mjedis të krijuar në Lushnjë në kohën e diktaturës komuniste. Zogaj, kur përshkruan Rrapush Xhaferrin, kreun e një fondacioni piramidal mashtrues, si prototipin e këtij mjedisi, shkruan kështu për takimin e tij të parë me Rrapush Xhaferrin:
Qysh në sekondën e parë të njohjes, pa e ditur se bejtexhiu i porsaardhur ishte pikërisht njeriu, portreti i madh i të cilit me derdhjen tronditëse të mishrave të gushës po pushtonte gjithë Shqipërinë, pra, pa e bërë ende këtë lidhje, isha gati të vija bast se ishte nga Lushnja. Këtë siguri ma dha, sa e folura e tij e veçantë lushnjare, aq edhe tipologjia e bejtexhiut që zgjoi në mendjen time një plejadë personazhesh që nuk mund të gjendeshin gjëkundi në lëmshin tokësor veçse në Lushnjën “pa merita”, që ironizonte pareshtur të ashtuquajturën krenari të qyteteve fqinj duke zhvilluar një jetë intelektuale dhe krijuese që nuk klasifikohej në nomenklaturën zyrtare të gjërave dhe që nxirrte vazhdimisht tipa jashtë normës, jashtë kohës; talente me shkëndija marrëzie, të marrë me shkëndija gjeniealiteti, njerëz antikonformistë dhe plot humor, por jo tendenciozë që mbroheshin nga rreziqet e kohës me pamjen e tyre prej të luajturish ose lunatikësh. Kjo anë e veçantë dhe e pazhurmshme e jetës së qytetit kontrastonte fort me konformizmin e shquar myzeqar, madje kam përshtypjen se neglizhohej nga regjimi shi për këtë shkak: shumica dërmuese e popullit ishte e qartë ideologjikisht dhe në pozita të shëndosha pune. Budallenj, siç ka shkruar shkrimtari i shquar i realizmit socialist ka në gjithë botën dhe në të gjitha kohërat, por budallenjtë i duan të gjithë, sepse nuk i prishin punë njeriu. Shumë-shumë ata zenë një ditë prej ditësh një shtrat në spitalin neuropsikiatrik. Socializmi është human edhe me ta.
Për një paradoks, raca e “lunatikëve” dhe e “të lajthiturve” rronte dhe shtohej në hijen e parimeve humane të socializmit. Kur kishte ndonjë miting apo ndonjë festë popullore si, fjala vjen, festa e grurit të ri, ata i shihje mes popullit duke duartrokitur me masë dhe duke u përkulur me ndrojtje para autoriteteve. Më tej, sekush ndiqte ëndrrën e vet diversive, fiksionin e vet, hobin e vet. Ky mikromjedis kishte fituar njëfarë lirie shprehjeje e veprimi. Ai e fekondonte vetvetiu jetën e mërzitshme e pa ngjarje të qytetit duke bërë që të “prekeshin” nga frymëzimi jozyrtar i artit, letërsisë, filozofisë dhe shkencave dhjetëra individë të disponueshëm nga natyra për të dalë nga norma. Një i tillë duhet të ketë qenë Rrapush Xhaferri. Ai nuk mund të ishte veçse nga Lushnja, në qytetin ku jetoi derisa iku në emigracion profesori i shquar i fizikës, zoti Ruci, të cilit perënditë i kishin vënë në ballë një sy të madh dhe një tjetër më të vogël pak më poshtë. Me një punë titanike ky njeri arriti të shpikte një makinë bujqësore universale që u quajt “Makina mbjellëse-korrëse-lidhëse-zgjidhëse-ngulëse-shkulëse-prerëse-ngjitëse”. E shpiku makinën dhe u kap grykë më grykë me kryeministrin Mehmet Shehu dhe stafin e tij, që ishin skeptikë në fillim, por e pranuan më vonë se makina e Rucit ishte një zbulim i madh që dëshmonte aftësitë e mëdha krijuese të inteligjencës socialiste, veçse kishte një defect: nuk mund të prodhohej e tëra në vend…
Ku ishte në këtë kohë gjenerali i ardhshëm Rrapush Xhaferri? Shtatë yjet e unazës së tij ishin ende në re. Qyteti njihte personazhe të tjera që do t’ i veniste më vonë shkëlqimi i tij. Njihte të famshmin Faik Pajollin, që fliste vetëm me vargje me rimë të puthitur, njihte Noken, lëvruesin e vargut aleksandrin, Sherif Balin, që rronte lart në kodra duke prerë karpuz në pjatën e Zhak Preverit, Shpëtim Nazarkon që mësonte përmendësh Balzakun, Engelsin, Kapablankën dhe Ajnshtajnin… Të gjithë këta njerëz e sa e sa të tjerë më pak të njohur, por jo më pak origjinalë, kanë rrezeatuar një mënyrë të caktuar jetese dhe të menduari që i ka dhënë konturet dhe përmbajtjen butaforisë lushnjare në kuptimin e mirë të fjalës.[xliii]
Produkt i një mjedisi të tillë ishte edhe Blendi Fevziu i cili jetoi në Lushnjë deri në moshën 14 vjeç. Këtu e ka origjinën sharlatanëria intelektuale e Blendi Fevziut. Edi Rama në pasthënien e botimit shqip të librit të piktorit rus Vasili Kandinski “Mbi shpirtëroren në art”, shkruan për një udhëtim dhe qëndrim të tij të gjatë në Lushnjë, në vitet tetëdhjetë, kur, së bashku me mikun e tij Vladimir Myrtezai, kishte marrë detyrë të bënte një pikturë murale në muzeumin e Lushnjës:
Edhe pse, kushdo që t’ i verifikojë sot fjalët e mia, kur rruga ta shpjerë për në Lushnjë, si dhe të hidhet një vrap të sodisë pikturën që kemi lënë në një mur atje, ka për ta pasur boll vështirë të më japë të drejtë, ishte padyshim e kësaj natyre ajo domosdoshmëri e brendshme që Zakin e mua na shpuri bujtës në një dhomë ku uji qe shumë i ngrohtë për t’ u pirë dhe shumë i ftohtë për t’ u larë, në katin e tretë të hanit “Myzeqeja”, ose siç quhej ndryshe Hani i dy Filipëve, asokohe hoteli i vetëm i qytetit. Fjalën e kam gjithmonë te përpjekja e kapërcimit të kufijve, siç po rrekesha ta shkoqisja ca më sipër, e jo te rezultati, sepse në atë kohë të lavdishme, tek lypsej të pikturonim një murale në muzeumin e qytetit që ishte lartuar vrastar mbi kënetat dhe kreaturat prapanike që vegjetonin dikur në llumin e tyre të fjetur, duhej të bënim përditë llogarinë me hanxhinë- një aradhë e pambarimtë zyrtarësh të marrë që mbanin pre në kthetrat e tyre krejt trevën e Myzeqesë. Jo më kot i measnjëtëpërngjasuari Bujar Xhaferri, duke na uruar mirëseardhjen në vendin ku atij vetë i duhej të mbijetonte pas korracës së një humori të zi, na e tha menjëherë se kishim vënë kombët në një tokë kun ë çdo metër katror shkelnin njëkohësisht gjashtë të marrë, dhe jo të marrë të llojit paqedashës të gjenive të pazbuluar, sindozot princi i fizikës Shpëtim Nazarko, i cili lozte shah tërë ditën dhe pastaj ua niste kryelartë varavingove në bulevardin e gjerë të asaj treve të begatë, duke pritur çastin kur fizikantët e të gjitha vendeve do të bashkoheshin njëzëri për të kërkuar abdikimin e Albert Ajnshtajnit dhe hipjen në fron të atij vetë, delfinit shqiptar, falë zbulimit të ri që kishte bërë për historinë e asaj shkence, depozituar sot e gjithë ditën në kasafortën e një banke gjermane i përmbledhur në dy fletore tetëlekëshe bukurshkrimi, ku shpjegohet me një kaligrafi shembullore pse e-ja baraz me mc² është një lapsus i mendjes së mbretit krifëbardhë të fizikës. As të marrë që ndiheshin përtej jetës dhe vdekjes, si puna e një letrari trushqepur me një lëkurë dhelpre kopsitur mbi jakën e palltos, për të cilin thuhej se në çantën e pandarë prej igeliti mbante me vete rreth tetëdhjetë mijë aforizma në dorëshkrim, tamam ai birbo që kur merrte kthesa të prera nëpër bulevard, pa ia hedhur njeriu sytë që e kqyrnin botën tinëz për t’ i shpëtuar ndeshtrashës me Syrin e Keq, përsëriste me vete “Treni ecën mbi dy shina”,- jo, jo, fjala është për të marrë shoqërisht të rrezikshëm, të cilët në kohë të xhiros qytetare të pragdarkës e merrnin bulevardin me hap ceremonial pas hijeve të shumëfishuara të Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv, kurse në kohë të lirë na survejonin sa të mundnin, nga të katra anët, duke u stërbetuar bar-bufeve e mbledhjeve gjysmëilegale të Frontit Demokratik se muralja jonë jo e jo që nuk do ta gëzonte dritën e diellit të papërlyer lushnjar, por as ne vetë nuk do të na linin pa na përzënë pasi të na e kishin futur bishtin nën shaël! Ndër ta dukej si më i vendosuri Kasketa, një veteran trukokallë që gjatë dimrit shqeponte simosozot, sepse, siç thuhej, i therte plaga e vjetër e një plumbi mbetur në këllqe prej kohës kur mori malet e Myzeqesë për t’ u bashkuar me Nacionalçlirimtaren, e që, çdo muzg, endej bulevardit në përgjim tonin, për të na u qepur paskëtaj me një çekiç të fshehur nën sqetullën e xhaketës së hirtë, bishtin e të cilit ua nxirrte fshehurazi bashkëqytetarëve të një ideali, si shenjë të sigurt të ekzekutimit tonë, dënim kapital që ai vetë e paskëj dhënë për Zakin dhe mua, “dy leshgjetërve nga Tirana, zbritur në Lushnjë për të bërë orgjira”! Gjithnjë sipas fjalëve të Luciferrit tonë, ky dënim do të ekzekutohej me goditje prapa koke në më të parin rast, sapo që ne të gjuanim vështrimet e ndonjë shtojzovalleje myzeqare…
Që të mbijetonim dokudo përtej shpurës së psikopatëve, zgjodhëm natën, duke i shfrytëzuar me muaj të tërë të gjitha orët e saj: endeshim me kovat dhe penelat e sajuar me furça rrojeje sa në njërin e sa në tjetrin cep të murit, në orvatjen për t’ i shtyrë sadopak kufijtë e ngushtë kun a mbanin peng me të njëjtin pasion të verbër qoftë hanxhiu i Myzeqesë e qoftë ai që i vinte në ndihmë nga Tirana, korpusi fuqiplotë i komisionit shtetëror, deri ditën kur u morën vesh të dy bashkë e vendosën të na linin në mëshirën e Gjyqit të Mbramë Partizan.[xliv]
Ajo çka Edi Rama nuk e thotë është se, atë e dërguan pikërisht në Lushnjë, në funksion të ushqimit të frymës mbisunduese të mjedisit të veçantë të stimuluar nga diktatura komuniste atje. Edi Rama ishte një njeri ekcentrik, ekstravagant, i cili i përshtatej shumë mirë këtij mjedisi lushnjar me të cilin krijonte një feedback të përkryer. Me praninë e Edi Ramës në Lushnjë, diktatura komuniste, me djallëzi, donte ta bënte të kuptonte mjedisin ku ai do të shkonte se fryma intelektuale liberale e kryeqytetit, të cilën Edi Rama shtirej se e përfaqësonte, nuk qe gjë tjetër veçse degjenerim ekstravagant. Vështirë të ekzagjerohet ndikimi mbi Blendi Fevziun i mjedisit të veçantë lushnjar, ku ai u rrit deri në moshën 14 vjeç. Me shumë njerëz të këtij mjedisi grotesk lushnjar, Blendi Fevziu qe në kontakt të drejtpërdrejtë, siç qe rasti i një miku të babait të tij, të cilin e përshkruan shkrimtari i dënuar politik në kohën e diktaturës komuniste, Visar Zhiti, i cili shkruan në kujtimet e tij:
Edhe mikun tjetër të tim eti, që do të bëhej edhe imi, Tahsim Demirin, që më jepte libra të ndaluar, e hoqën. Kishte qenë regjisor, pastaj aktor, skenograf, pllakatist, poet, mix, fotozhenik, eksentrik, me të dashura plot, thoshin, por me biografi të keqe, me babanë në burg, tani jo, ka dalë, prandaj dhe ia kishin hequr një rol filmi, kur e kishte zgjedhur regjisori sovjetik Çuhrai, thoshin, revizionisti.
Në fund të rrugës perëndonte një diell i kuq, aq shumë i madh sa nuk e kisha parë asgjëkundi kështu. Plotësonte, siç duket, vogëlsinë e qytetit. Tahsimi po kthehej, e takova në rrethinë. Ndali te një pellg, spërkati këpucët me baltë, pantallonat e errëta, madje edhe flokët. Që t’ i bëhet qejfi Partisë thoshte, se do të shkoj në Komitet për një hall.[xlv]
Veçanërisht në Lushnjë kishte njerëz si ky, të cilët duke e ndjerë se diktatura komuniste e pëlqente groteskun, vetëtjetërsoheshin në këtë kahje. Ky arhetipi lushnjar i kohës së diktaturës komuniste, është i pranishëm ende tek Fevziu, duke qenë baza e formimit intelektual të tij. Personi të cilin përshkruan Zhiti, ka qenë mik i babait të Blendi Fevziut dhe vizitor i shpeshtë i shtëpisë së tij, në Dushk të Lushnjës, ku shkohej për pak minuta me tren. Ky Tahsimi ka qenë njeriu më i shquar të cilin Blendi Fevziu pati fatin që të njihte deri në moshën 14 vjeç, kështu që ndikimi i këtij njeriu tek Blendi mund të merret me mend lehtë. Shumë veprime të mëvonshme të Blendi Fevziut mund të shpjegohen duke përdorur si çelës sjelljen e këtij Tahsimit që merrte llum nga pellgu për të lyer rrobet që kishte veshur dhe fytyrën. Një sjellje e tillë e Blendi Fevziut ishte që ai u bë tifoz i “Dinamos” në futboll, siç do të rrëfej më tutje se e pohon ai vetë. Një fragment nga një shkrim i Fevziut me titull “Identiteti: made in Albania!”, që në rastin e Fevziut do të duhej të kishte titullin “Identiteti: made in Lushnja” na zbulon shumë qartë deformimin e personalitetit të Fevziut në mjedisin lushnjar të kohës së diktaturës:
M’ u kujtua se si ngulesha para TVSH-së ditën e shtunë në mbrëmje, kur sipas programit të saj ishte “Estrada në ekran” dhe m’ u duk se ende tani e kam të vështirë të përjetoj po atë kënaqësi të atyre dy orëve. A mund t’ ia shpjegonte miku im këtë fëmijëve të mi amerikanë dhe a do ta kuptonin ata. Si do t’ ua shpjegonte atë momentin kur, i veshur si fotograf, Tano Banushi replikon me qytetarin që nuk gjente fotografinë e tij, duke i lëshuar batutën monumentale: “Gruan ta gjeta, fëmijët t’ i gjeta, kur nuk e di vetë ku je, si ta di unë”! Padyshim që nuk do ta kuptonin dhe nuk është çudi që në një moment apo tjetrin ta vështronin me qortim.[xlvi]
Fevziu e ka fjalën për emisionin “Koncert variete”, që transmetohej çdo të shtunë në mbrëmje nga televizioni shtetëror shqiptar, në kohën e regjimit komunist, dhe që çdo herë ishte një shfaqje e Estradave të rretheve me humor dhe këngë. Është kontradiktore që Fevziut, i cili thotë se komunizmin nuk e ka dashur që në fëmijëri, për shkak të mjedisit familjar, ta ketë pëlqyer kaq shumë humorin zyrtar komunist, dhe madje të ketë një nostalgji kaq të madhe për të, kur ky humor qe quintia essentia e bajatësisë së propagandës komuniste. Humori që shfaqej ditën e shtunë në televizionin shtetëror ishte një aspekt i propagandës komuniste, ishte një humor i realizmit socialist. Estradat e kohës së komunizmit e kishin të lejuar të përfshinin në rrezen e humorit vetëm njerëzit e shkallës së ulët të shoqërisë, si fotografët, që përmend Fevziu, berberët, fatorinot, punëtorët dhe kooperativistët “e pandërgjegjshëm”, e shumta ndonjë brigadier, por kurrë zyrtarët e rangut të mesëm, e aq më pak të lartë. Deri edhe me policët nuk lejohej të bëhej humor. Por lejohej të viheshin në lojë intelektualët, të cilët stigmatizoheshin si teknokratë, apo burokratë. Skeçi i Estradës së Shkodrës me Tano Banushin në rolin e punonjësit të fotostudios, është shembull i këtij lloj humori të realizmit socialist. Një i ri i moshës së Fevziut i cili dëgjonte radiot e huaja dhe shikonte televizionet e huaja, kishte lexuar libra të ndaluar, dhe që për më tepër i vinin rrobe nga Perëndimi, siç qe rasti i Fevziut, nuk mund të kishte përshtypje tjetër përveç përçmimit për këtë lloj humori. Madje ky lloj humori përçmohej gjerësisht nga shoqëria shqiptare e kohës, çka kuptohet dhe nga popullariteti i anekdotave që ishin krijuar mbi këtë humor të realizmit socialist. Për skeçin me Tano Banushin që përmend Fevziu qarkullonin disa anekdota, të krijuara në Shkodër. Sipas njërës prej këtyre anekdotave, kur burri u kthye në shtëpi me fotografinë ku mungonte ai vetë, dhe nisi t’ i ankohej gruas, ajo i tha:
-Idiot, si nuk të vjen marre që shkon e grindesh me burrin e huj! A nuk asht tuj t’ u kujtu se në momentin që fotografi po e shkrepte aparatin ti befas ia nise me vrapu, aq sa m’ u duk se m’ u çmend burri. Por ti veç sa pate parë një kamion që ndaloi tek dyqani i mishit përballë dhe mendove se mos ndoshta ma në fund pati mbërritë furnizimi me mish. Por kamioni kishte ndalu se i qe mbaru karburanti.
Sipas një anekdote tjetër, kur Tano Banushi me disa shokë të vetët po bënin një fotografi dikund rrugëve të Shkodrës, atyre iu afrua një qytetar dhe iu tha:
-Më falni, a ban me u largu pak më tutje, se kam frikë se jeni tuj na prishë punë boll?
-Posi jo mor, - iu përgjigj Banushi,- por a ban me e ditë se çfarë pune jena tuj ju prishë se nuk po kuptoj kurrgja?
-Po ja, - ia ktheu tjetri,- kena pesë orë që mbajmë rradhën për gjizë tek ai dyqani i bulmetit pas shpinës suaj, dhe kena frikë se kur të bahet fotografia ka me na u zhdukë dyqani.
Në një anekdotë tjetër, fotografi, Tano Banushi, i përgjigjet burrit që kërkonte veten në fotografi:
-Gruan ta gjeta, fëmijët t’ i gjeta, nëse nuk e gjen veten tande mos e kërko në Shkodër, por shko kërkoje në Spaç.(nënkuptohej burgu famëkqe komunist)
Këto lloj anekdotash me konotacion politik përbënin një kundërkulturë të vërtetë në atë kohë, e cila luftonte me sukses të plotë kulturën zyrtare të filmave të Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe estradave shtetërore. Ironizimi i frazave dhe episodeve të filmave dhe skeçeve të kulturës zyrtare qe një nga fushat më të pëlqyera të kësaj kundërkulture. Regjimi komunist u mundua të luftonte me këtë kundërkulturë, dhe kjo ishte arsyeja që çdo të shtunë të televizionin shtetëror nisi të transmetohej emisioni “Koncert variete”. Shteti komunist shqiptar nisi të bënte kështu atë luftë që e kishte humbur më parë shteti sovjetik dhe për të cilën studiuesi britanik Ben Lewis, në librin e tij mbi anekdotat politike në vendet komuniste, shkruan se:
Ka disa arsye për të cilat shakatë politike të kohës së komunizmit qenë të veçanta. Ato kishin një homogjenitet unik: ekzistenca e pushtetit totalitar do të thoshte se çdo shaka për një aspekt të politikës, ekonomisë ose medias, ishte një shaka për Komunizmin. Shteti sovjetik u dha shakave më shumë unitet duke i ndaluar ato. Ata i kriminalizonin të gjitha shakatë politike si “propagandë antisovjetike” dhe u përpoqën t’ i zëvendësojnë ato, pa sukses sipas mendimit të shumë njerëzve, me versionin e tyre të humorit të zymtë shtetëror, të cilin e shpërndanin me anë të revistave satirike.[xlvii]
E njëjta gjë ndodhte edhe në Shqipëri, pa sukses. Regjimi komunist e pranoi disfatën dhe u detyrua që t’ i toleronte anekdotat me frymë disidente se Enver Hoxha qe aq inteligjent sa të kuptonte atë gjë që kishte kuptuar edhe Stalini para tij. Gjëja më e keqe se qarkullimi i anekdotave ishte që regjimi komunist ta bënte luftën kundër tyre një fushatë të përhershme serioze, çka do të bënte që regjimi të bëhej qesharak. Prandaj, diktatura komuniste, kohë pas kohe, arrestonte dhe dënonte me burg ndonjë nga ata të cilët i shikonte si aktivistë të humorit ilegal politik, por nuk shtyhej shumë në këtë “fushë të minuar”. Një njeri që ka dalë nga periudha e diktaturës komuniste me personalitet të padeformuar, ose më saktë me personalitet pjesërisht të deformuar, në atë masë saqë ishte në gjendje që pas rënies së diktaturës komuniste, ta riparonte dëmtimin e personalitetit të vet, ka nostalgji pikërisht për këtë humor ilegal, jo për humorin zyrtar. Fakti që Blendi Fevziu, shumë vite pas rënies së diktaturës komuniste, ka nostalgji për humorin zyrtar të saj, është simptomë e deformimit të pariparueshëm të personalitetit të tij, në atë kohë. Shkurt, Fevziu vazhdon t’ a përlyejë veten vullnetarisht me “baltën” e “pellgjeve” të kulturës komuniste. Një njeri i tillë nuk mund të shkruajë një biografi të diktatorit komunist, Enver Hoxhës. Fevziu duhet të jetë subjekt i një libri për Enver Hoxhën dhe jo autor i tij.
Fevziun, i cili në fragmentin e mësipërm të cituar nga libri i tij, ankohet se mikun e tij që tashmë jeton në Amerikë dhe fëmijët e tij që kanë lindur atje, nuk janë në gjendje ta kuptojnë kur ai u flet për ndjenjat e tij të ngjashme me ato të Fevziut, në të vërtetë nuk do ta kuptonin jo më adoleshentët e sotëm shqiptaro- amerikanë, por, para së gjithash nuk do ta kuptonin dot bashkëmoshatarët e vet të cilët e kanë përjetuar kohën për të cilën flet Fevziu, por që personaliteti i të cilëve nuk u deformua nga diktatura komuniste në atë masë sa ky deformim të bëhej i pakthyeshëm. Ose më saktë, këta bashkëmoshatarë të Fevziut do të kuptonin një gjë, se Fevziu i deklasuar e ndjente veten pjesë të kulturës zyrtare komuniste, e shijonte shumë atë, për shkak të përkatësisë së tij në një “klasë” speciale të shoqërisë, asaj të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Stefan Zweig, për të cilin Fevziu ka shkruar që në 1989, ka thënë në kujtimet e veta:
Gjërat më bindëse në jetën e njeriut janë gjithmonë përjetimet e vogla vetjake.[xlviii]
Përjetimet vetjake formative të Fevziut në Lushnjë kanë qenë të tilla që kanë krijuar tek ai një personalitet të deformuar.
16.
I deklasuari tifoz i “Dinamos”, klubit të Ministrisë së Punëve të Brendshme
Në kohën e diktaturës komuniste, “Dinamo” ishte klubi sportiv i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ndonëse “Dinamo” ishte një klub i privilegjuar që kishte të drejtë të merrte sportistë, ndër më të mirët në vend, nga klubet e tjera, me përjashtim të “Partizanit”, të Ministrisë së Mbrojtjes, megjithatë “Dinamo” ishte klubi që kishte me pak tifozë, ndër klubet e mëdha të vendit. Tifozë të “Dinamos” ishin vetëm punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme (Policisë dhe Sigurimit të Shtetit), si dhe familjet e tyre. Ndonëse “Dinamo” ishte një klub sportiv shumë i mirë, me arritje të shquara në shumë lloje sportesh, duke përfshirë dhe futbollin, e që për këtë meritonte simpati, megjithatë në shoqërinë shqiptare të kohës së komunizmit kishte një bojkotim të këtij klubi. Në shoqërinë shqiptare të kohës së komunizmit ishte krijuar një përshtypje se të shpallje që ishe simpatizues i “Dinamos”, pa qenë i lidhur drejtpërdrejt ose familjarisht me Ministrinë e Punëve të Brendshme, ishte njëlloj si të deklaroje se ishe spiun i Sigurimit të Shtetit. Por kishte një kategori njerëzish, të etur për të shprehur përkushtimin e tyre të veçantë ndaj regjimit komunist, të cilët pikërisht se e ndjenin këtë bojkotim ndaj “Dinamos”, shpalleshin simpatizues të këtij klubi, duke menduar se kështu do të bëheshin më të pëlqyeshëm për regjimin komunist.
Por asnjë i deklasuar nuk guxonte që të shpallej tifoz i “Dinamos” nga frika se mos ia merrnin këtë gjë si tallje, madje edhe si diçka më tepër, si punë armiqësore. Se një i deklasuar- tifoz i “Dinamos” do të bashkohej në stadium me tifozët e “Dinamos”, të cilët qenë pothuajse të gjithë njerëz që kishin të bënin me organet e diktaturës së proletariatit, drejtpërdrejt nga puna që bënin ose nga lidhjet familjare. Çdo i deklasuar që do të gjendej në këtë situatë do të akuzohej për punë agjenturore. Sigurisht se kishte dhe të deklasuar të përçudnuar të cilët do të kishin dëshiruar që të shpalleshin tifozë të “Dinamos”, por që nuk guxonin ta bënin këtë gjë, për arsyet e mësipërme. Blendi Fevziu ka qenë një nga të deklasuarit- tifozë të “Dinamos”. Në vitet tetëdhjetë Blendi Fevziu ishte i njohur në Tiranë si një nga tifozët më të zjarrtë të “Dinamos”, aq sa shumë njerëz mendonin se ai e kishte babain oficer të lartë të Sigurimit të Shtetit. Blendi Fevziu, pas vitit 1990 ka shkruar shumë për të justifikuar zgjedhjen e tij sportive. Në një shkrim me titull “Një pasion që quhet futboll”, Blendi Fevziu kërkon ta shpjegojë zgjedhjen e vet sportive me anë të shembullit të shkrimtarit Salman Razhdi:
Si për t’ i dhënë një ilustrim impresionues analizës së tij, shkrimtari merrte si shembull një udhëtim në SHBA, diku aty nga viti 1994. Ishte pikërisht ajo që më befasoi më shumë se çdo gjë tjetër dhe që më bëri të kaloj pjesën e mbetur të udhëtimit i kolovitur mes një habie gjysmë misterioze dhe ca kujtimeve të lehta, por impresionuese të rinisë së herët.
“Më 1994 shpjegonte Salman Razhdiu, gjatë një qëndrimi të gjatë në SHBA, mora përsipër sfidën që t’ u shpjegoja amerikanëve futbollin. U përpoqa t’ u transmetoja atyre përvojën e një tifozi. Dhe t’ u përgjigjesha pyetjeve: Pse një londinez ka gjasa të jetë më tepër tifoz i ‘Arsenalit’ sesa i ‘Totenhemit’! Është misterioze por ditën që ai vendos se në cilin kamp do të jetë, nuk ndryshon më…”
Pa lënë ende gazetën në koshin përpara sediljes sime, pyetja e parë që më erdhi ndërmend ishte se pse unë vetë kisha zgjedhur “Dinamon” dhe jo “Tiranën” apo “17 Nëntorin”, siç quhej atëherë. Pse kisha mbetur një minoritet i vogël i lagjes sime që çdo të diel vishej bardhë e blu dhe pse i kisha mbushur mbrëmjet e fëmijërisë me ankthin për ekipin blu me një D të madhe në gjoks?[xlix]
Natyrisht se është krejt pa vend krahasimi i dilemës së një të riu britanik, për të zgjedhur midis “Arsenalit” dhe “Totenham Hotspur”, si dhe dilemës së një të riu shqiptar të kohës së komunizmit për të zgjedhur midis “Dinamos” dhe një klubi tjetër sportiv. Arsyet apo ndjenjat për të cilat një i ri britanik zgjedh t’ i përkushtohet “Arsenalit”, “Totenhamit” apo ndonjë klubi tjetër, janë krejt të ndryshme nga ato për të cilat një i ri shqiptar që jetonte nën diktaturën komuniste zgjidhte t’ i përkushtohej një klubi sportiv, me “Dinamon” si pjesë të dilemës. As “Arsenali”, as “Totenham” dhe as ndonjë klub tjetër britanik nuk përfaqësonin policinë e një diktature. “Dinamo” ishte një klub sportiv që kishte lindur bashkë me diktaturën komuniste. Vetë Blendi Fevziu, në paragrafin e mësipërm, pohon se në lagjen e tij tifozët e “Dinamos” qenë një pakicë. Kështu ndodhte edhe në krejt Tiranën dhe në krejt vendin. Arsyeja e vetme për të cilën një i deklasuar mund të ishte tifoz i “Dinamos” është se ai ishte pjesë e “organeve të diktaturës së proletariatit”, që përfaqësonte “Dinamo”, do të thotë se ai ishte njeriu i Sigurimit të Shtetit.
Blendi Fevziu nuk e thotë se kur u bë tifoz i “Dinamos”, por një gjë është e sigurt. Kur erdhi në Tiranë, në moshën 14 vjeç, ai tashmë ishte tifoz i “Dinamos”. Blendi Fevziu ishte bërë tifoz i “Dinamos” që në Lushnjë, çka do të thotë se për këtë gjë kishte pasur një nxitje nga familja. Duke konsideruar se Blendi pohon se ka qenë tifoz i “Dinamos”, së paku që në adoleshencë, duket krejt e pabesueshme historia e mëposhtme që tregon ai. Në intervistën që Fevziu dha për Ilva Tare, në emisionin “Tonight” të kësaj të fundit në RTV Ora News,në 20 dhjetor 2011, ai tha:
Nga vitet e komunizmit megjithëse unë kam dalë në moshën 21 vjeçare, nuk mbaja mend asnjë përveç Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit. Vitin e fundit të fakultetit, ndërsa rrinim një ditë dhjetori ose janari, tek bordurat para Hotel “Dajtit”, një prej atyre djemve, është deputet në parlament sot, tha që unë jam gati të jap 500 lekë kush shkon t’ i heqë kasketën atij xhajës. Ishte një burrë rrumaduc që po ecte. Doli dikush tha që ia heq unë. Më ftoi edhe mua, pasi bëmë 20 metra, dikush na thirri, mos mo tha, se është Hekuran Isai, ministri i Brendshëm. Nuk kishim asnjë njohje, të rinjtë ishin indiferentë nga ajo anë.
Blendi Fevziu e ka kryer vitin e fundit të studimeve universitare në 1990-91, kështu që kjo ngjarje, supozohet të ketë ndodhur në dhjetor 1990, ose në janar 1991. E vetmja gjë e vërtetë në këtë ngjarje duket të jetë fakti se Hekuran Isai e kishte zakon që ta bënte në këmbë shpesh rrugën prej disa dhjetëra metrash nga ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme, tek Hotel “Dajti”. Por është krejt e pabesueshme që Blendi Fevziu të mos e njihte ministrin e Punëve të Brendshme, Hekuran Isain, jo më në moshën 21 vjeç, por edhe në moshën 14 vjeç, kur erdhi në Tiranë. Këtë e them për faktin se nuk kishte tifoz të “Dinamos” që shkonte në stadium të dielave dhe të mos e njihte Hekuran Isain, i cili ishte ministër nga viti 1982 në 1991, me një ndërprerje të shkurtër prej disa muajsh në 1989. Kur Hekuran Isai vinte në tribunën qendrore të stadiumit, kuptohet si tifoz i “Dinamos”, tifozët e “Dinamos” të pranishëm në stadium ekzaltoheshin dhe fillonin brohoritjet, për të kënaqur ministrin. Ndodhte dhe që Lalë Hekri, për t’ u dukur popullor, në pushim të ndeshjes shkonte tek tribuna përballë për të përshëndetur tifozët e “Dinamos”. Kështu që historinë me Lalë Hekrin Blendi Fevziu e tregon vetëm për të përgënjeshtruar disa histori anekdotike që i kanë ndodhur atij. Blendi rrinte rrotull stadiumit në pritje që të vinte “Mercedesi” i Hekuran Isait dhe bërtiste: “Dinamo”, “Dinamo”! Ilva Tare e pyeti Fevziun, duke e pasur fjalën për atë të riun për të cilin tha se sot është deputet i PS dhe që u ofroi një shpërblim për t’ i hequr kapelën nga koka Hekuran Isait:
Emrin e deputetit nuk do të na e thoni?
Blendi Fevziu iu përgjigj:
Jo, është një deputet i PS.
Me këtë Blendi Fevziu praktikisht e tha emrin e deputetit, se shoku i tij i bordurave i asaj kohe, që sot është deputet, ishte Ben Blushi. Gjithsesi, me këtë episod që rrëfeu, Blendi Fevziu ka treguar se në moshën 21 vjeç ai ka qenë, jo një djalë i bordurave, por një horr i bordurave. Se nëse e marrim të mirëqenë ngjarjen, atëherë mund të thuhet se Fevziu u nis t’ i rrëzonte kasketën nga koka një burri të cilin nuk e njihte, çka është një akt prej vagabondi. Fevziu u nis që të kryente me vetëdije një akt rrugaçërie dhe u kthye mbrapsht vetëm pasi i thanë se cili ishte burri që po sulmonte. Fevziu u tërhoq jo për arsye etike, por nga frika për atë që do t’ i ndodhte nëse do t’ i rrëzonte kasketën nga koka ministrit të Punëve të Brendshme. Është e vështirë të ekzagjerohet përshtypja e keqe që të krijon kjo sjellje e një studenti universitar të vitit të katërt, i cili për më tepër kishte botuar shumë shkrime në shtyp, dhe që ishte edhe drejtuesi i rrethit letrar të Universitetit të Tiranës. Nuk mund të mos bëhet pyetja se në sa raste të tjera, Fevziu dhe shokët e tij të bordurave kanë vënë baste të këtij lloji. Është e çuditshme që përkushtimi i Blendi Fevziut për “Dinamon” ishte i njëjtë me atë të tifozëve më fanatikë të të këtij klubi, të cilët urrenin tifozët e klubeve të tjera, posaçërisht të “Tiranës” (“17 nëntori”). Blendi Fevziu thotë në të njëjtin shkrim:
Më kujtohet se sa e vuaja faktin që tifozët e “Tironës” grumbulloheshin tek cepi në të djathtë të stadiumit, duke kënduar atë këngën e tyre që më trishtonte aq shumë: O Tirona, o Tirona, rreth e qark nëpër stadium; mos u mërzitni ju tifoza se fitorja ka mor fund!
Më acaronte ai besim i tepruar dhe mezi pritja që të humbnin për t’ iu derdhur armatës së tyre gjithnjë entuziaste.[l]
Tifozët e “Dinamos” veçanërisht, por edhe ata të “Partizanit” (dy klubeve zyrtare të diktaturës) e urrenin “Tiranën” (“17 nëntorin”) se ky klub dashur pa dashur u shndërrua në simbolin sportiv të kundërshtimit të diktaturës. Nuk është ekzagjerim të thuhet se e vetmja formë e disidencës publike të përhershme në kohën e diktaturës komuniste ka qenë refuzimi përçmues i tifozëve të “Tiranës” për të brohoritur me emrin zyrtar të klubit, që ishte emërtimi propagandistik “17 nëntori”, data zyrtare e çlirimit të Tiranës. Pretendimi i tifozëve të “Tiranës” se “17 nëntori” ishte një togfjalësh jopraktik për t’ u brohoritur, nuk ishte bindës për regjimin komunist, i cili u mundua që t’ i bënte tifozët e “Tiranës” të brohorisnin “Nëntori, Nëntori!” Por ata nuk u pajtuan as me këtë dhe vazhduan të brohorasin me emrin e vjetër të klubit, “Tirana”, më saktë “Tirona”. Kjo praktikisht do të thoshte shprehje proteste ndaj “ditës së çlirimit” të kryeqytetit, domethënë ndaj ardhjes në fuqi të komunizmit në Tiranë. Prej këtej dhe acarimi i tifozëve të “Dinamos” ndaj atyre të Tiranës. Duke qenë tifoz i “Dinamos”, madje tifoz i zjarrtë, Blendi Fevziu shprehte vetëidentifikimin me diktaturën komuniste. Ai nuk mungon të përshkruajë se si e shprehte përkushtimin e tij:
Më kujtohet autobusi i aksionit në gjimnaz, i ndarë në dysh, ku njëra anë thërriste emrin e Eduard Abazit, sulmuesit në atë kohë aq në formë të “Dinamos”, ndërsa pjesa tjetër atë të Agustin Kolës, starit që po i jepte “Tironës” një tjetër trajtë. Sillja në mend histerinë e dy grupeve që shndërrohej në një djesitje pas asnjë shkak, që pas shumë orëve në diell në një arë me misër bëhej edhe më absurd. Por ajo ishte një kënaqësi e patjetërsuar dhe mbaj mend që të zije vend sa më pranë grupit të tifozëve, madje të shndërroheshe në pjesë të tij, ishte një privilegj jo aq i thjeshtë. Një nga ato kënaqësi që shënonte edhe ditën e lodhshme të aksionit.[li]
Natyrisht se në këtë grup Blendi Fevziu gjendej në shoqërinë e djemve të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, të cilët qenë tifozët më të zjarrtë të “Dinamos”. Ashtu siç gjendej mes tyre në stadium, çka e përshkruan kështu:
Pas të gjithë kësaj, m’ u kujtua se qëllonte ende që të përshëndesja në disa nga restorantet luksoze të kryeqytetit, në disa nga zyrat më të larta të shtetit apo edhe në dyqanet shik të Tiranës fytyra të njohura, por kurrë të prezantuara, afiniteti i vetëm me të cilat ishte prania e përbashkët çdo mbasdite të diele, mbi derën e mesme të karshies (pjesa e stadiumit përballë tribunës- K.M.), aty ku mblidhej grupi i vogël por i flaktë i tifozëve të “Dinamos”. Ç’ është kjo ndjesi njerëzore që e përjetojmë kaq shumë dhe që lë kaq gjurmë, pyesja veten?[lii]
Në këtë grup, Blendi Fevziu gjendej në mes të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të veteranëve të Sigurimit të Shtetit, të cilëve u bënte përshtypje ky “dinamovit” kaq i zjarrtë. Blendi Fevziu nuk na rrëfen se si i lindi atij pasioni për “Dinamon”, si u bë “dinamovit”, siç quheshin me një term rusisht tifozët e kësaj skuadre në Shqipëri. Një i deklasuar si Blendi Fevziu do të guxonte që të behej dinamovit, madje i zjarrtë vetëm nëse do të ishte ngarkuar me mision nga Sigurimi i Shtetit. Dhe natyrisht që Sigurimi i Shtetit ishte shumë i interesuar për të futur agjentë dhe midis bijve të oficerëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për t’ i mbikqyrur ata. Një i deklasuar ishte njeriu më i përshtatshëm për një mision të tillë se ai kishte motive të fuqishme për të qenë i zellshëm në përmbushjen e këtij misioni. Dhe që Blendi Fevziu ishte i zellshëm kjo duket kur ai përshkruan dhe episode sa qesharake aq edhe domethënëse të përkushtimit të tij për “Dinamon”:
Më erdhi edhe një herë pa vetëdije në mend një mbasdite e gjatë dhe e lodhshme maji, kur ne tifozët e pakët të “Dinamos” në lagje qëndronim të ulur mbi ballkonin e lartë të shtëpisë sime me po atë mision të pamundur të shponim me llastiqe plumbçi balonat e mrekullueshme tabake, me shirita bardhë e blu, që tifozët e shumtë të “Tironës” i ngrinin çdo ditë të diele përpara ndeshjes, me po atë mbishkrim që na acaronte dhe na bënte nervozë: “Tirona Kampion”.[liii]
Sigurisht që Blendi Fevziu i bënte këto gjeste për t’ u afruar sa më tepër me tifozët e “Dinamos”, për t’ u simpatizuar prej tyre. Është për t’ u habitur se në sa raste, Blendi Fevziu ka shprehur afeksionin e tij për “Dinamon”. Në një tjetër “ese” të tij, të botuar në 2003, dhe të përfshirë në librin me përmbledhje esesh, Fevziu shkruan:
Duke ndjekur pa shumë vëmendje, por pa dyshim me një lloj kurioziteti të holluar debatet e shqiptarëve në internet, qëlloi të ndeshja emrin dhe adresën elektronike të një mikut tim të vjetër. Një ish-studenti të shkëlqyer të matematikës, me të cilin më shumë sesa studimet, na bashkonte para viteve ’90, pasioni i stadiumit dhe ajo drithërima e çdo të diele mbasdite, kur “Dinamo” dilte në fushë dhe ne e ndiqnim me një ndjesi tashmë të harruar.[liv]
Fakti se Blendi Fevziu dhe Andi Bushati qenë të vetmit tifozë të “Dinamos” në kursin e gjuhë-letërsisë shqipe, në Universitet, u bë shkak për miqësinë e tyre. Andi Bushati ishte tifoz i “Dinamos” për shkak se babai i tij, Mehdi Bushati ishte oficer i Sigurimit të Shtetit dhe gjyshi i tij, Hysni Kapo ishte një ndër themeluesit e Sigurimit të Shtetit. Andi në fillimet e veta si gazetar bënte vetëm shkrime sportive. Kur “Olimpik” i Marseille erdhi të luante në Tiranë me “Dinamon”, në 3 tetor 1990, në ndeshjen e kthimit të Kupës së Kampioneve (sot Champions League), Andi Bushati u caktua shoqëruesi i dytë i francezëve. Shoqëruesi i dytë, siç duhej ishte gjithmonë njeriu i Sigurimit të Shtetit. Duke qenë se ishte tetori i vitit 1990, pra pas ngjarjeve të ambasadave, dhe kur regjimi komunist kërkonte t’ i krijonte përshtypjen Perëndimit se po reformohej, regjimi inskenoi një spektakël propagandistik me rastin e ardhjes së “Olimpik”. Në Shqipëri kishin ardhur shumë gazetarë francezë, edhe për shkak të bujës që kishin bërë në botë ngjarjet e verës së atij viti në Tiranë. Për më tepër që me “Olimpik” ishte edhe Beckenbauer, i cili pasiqë fitoi Kupën e Botës, si trainer, me Gjermaninë në verën e vitit 1990, kaloi si trainer i “Olimpik” të Marseille. Ky ishte “Olimpiku” i famshëm që atë sezon do të dilte në finalen e Kupës së Kampioneve ku do të humbte me njëmbëdhjetëmetërsha ndaj “Crvena Zvezdës” së Beogradit, dhe që tre vjet më pas do të fitonte Ligën e Kampioneve. Beckenbauer.
Një grup të rinjsh të përzgjedhur, nën dirigjimin e Andi Bushatit, ndër të cilët qe edhe Blendi Fevziu, u afruan tek lojtarët e “Olimpik” dhe Beckenbauer, kur ata gjendeshin në hollin e hotelit dhe u kërkuan autografe, një gjë kjo që as mund të përfytyrohej më parë në raste të tilla. Blendi Fevziu ishte tifoz i Gjermanisë, çka e ka thënë në raste të tjera, kështu që një takim, qoftë edhe prej disa sekondash me Beckenbauer, ishte një gjë e madhe për të. Aq më tepër kur Andi Bushati kishte marrë përsipër që një fotoreporter shqiptar ta fiksonte këtë moment në një fototografi, të cilën Blendi duhet ta ketë me siguri edhe sot. Fevziu mundi t’ i marrë një autograf Beckenbauerit. Por Blendi nuk ka folur kurrë për këtë takim të tij me Beckenbauer. Arsyeja është se ai nuk do që të pohojë se ka marrë pjesë në një inskenim të Sigurimit të Shtetit.
17.
Birësimi i Blendi Fevziut- kombinacion i Sigurimit të Shtetit
Derisa familja e Blendi Fevziut e ndryshoi një herë mbiemrin në kohën e diktaturës komunise, vetë Blendi e ndryshoi edhe një herë tjetër mbiemrin. Blendi Fevziu në librin e tij “Enver Hoxha” shkruan për trajtimin e të deklasuarve në kohën e diktaturës komuniste:
Familjet e të dënuarve u internuan, djemtë e rritur pothuajse të gjithë u burgosën. Të afërmit e tyre u distancuan ose pësuan degradime sipas rangut që kishin. Në këtë kohë lindi moda e ndarjes së familjeve: pas dënimit të bashkëshortit ose bashkëshortes, për t’ iu shmangur ndëshkimit, ai që nuk qe dënuar ende divorcohej dhe denonconte veprimtarinë e njeriut me të cilin kishte kaluar kaq vite të jetës së tij, nënës ose babait të fëmijëve të tij.[lv]
Këtu Fevziu nuk flet për një “modë” tjetër që lindi tek të deklasuarit, për t’ ju shmangur sadopak luftës së klasave, veç “modës” së ndërrimit të mbiemrave, dhe që ishte birësimi i fëmijëve. Të deklasuarit përpiqeshin të bënin birësime të fëmijëve tek të afërmit e tyre, për t’ i shpëtuar sadopak nga lufta e klasave. Nuk është çudi që Blendi Fevziu, ashtu si për për ndryshimin e mbiemrave nga të deklasuarit, nuk thotë asgjë as për birësimet, ndonëse këtu mund të sillte si shembull historinë e familjes së tij, dhe për më tepër të vetën. Arsyeja për të cilën Blendi Fevziu nuk e përmend birësimin është e njëjtë me atë të ndryshimit të mbiemrave. Ai është i vetëdijshëm se pas çdo ndryshimi mbiemri, dhe birësimit, të cilët qenë privilegje në llojin e vet, familja e tij dhe ai vetë kanë marrë privilegje, çka i dallon nga të deklasuarit e tjerë. Pra, birësimi, ashtu si ndryshimi i mbiemrave në familjen e Blendit është bërë me udhëzim dhe mbështetje të Sigurimit të Shtetit. Në kohën e komunizmit, të deklasuarit (me këtë fjalë quheshin ata që u përkisnin “klasave të përmbysura”, pra kategorisë shoqërore të shenjuar nga regjimi si kundërshtarë politikë), të cilët kishin siguruar njëfarë komoditeti brenda kufijve që u lejonte statusi i tyre, kishin si kujdes kryesor, që të mos provokonin reagimin e shtetit totalitar ndaj tyre. Të deklasuarit përpiqeshin të shmangnin çfarëdo veprimi që mund të bëhej shkak që të rivihej në lëvizje makineria e luftës së klasave ndaj tyre. Në vitin 1982, kur të gjithë të deklasuarit qenë strukur për shkak të valës së re të terrorit që ngriti Enver Hoxha që me vrasjen e Mehmet Shehut, në dhjetor 1981, një i deklasuar i quajtur Ali Fevziu bëri një kërkesë në gjykatë për birësimin e djalit të mbesës së tij, Rezana, të quajturit Blendi Bregasi. Në pamje të parë mund të duket se këtu nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme, se regjimi komunist nuk u kishte hequr të deklasuarve të drejtën e familjes. Natyrisht që nuk ua kishte hequr këtë të drejtë, për arsye se ekzistenca e familjes së të deklasuarit ishte një parakusht që të funksiononte skema e përgjegjësisë kolektive, e përdorur si mënyrë për të kontrolluar veprimet e individit.
Por, në rastin e familjeve të deklasuara, birësimi mund të shihej si një mënyrë që individë të caktuar të dilnin jashtë rrezes së luftës së klasave. Vetë fillimi i një procedure birësimi nga një familje e deklasuar, mund të bëhej shkak që kjo familje të vihej në fokusin e një vëmendjeje më të thellë nga “organet e diktaturës së proletariatit”, me të gjitha pasojat që vinin nga kjo, gjegjësisht ashpërsimi i luftës së klasave kundër kësaj familjeje. Biografia politike e Ali Fevziut ishte e tillë që ai nuk kishte interes që të bënte çfarëdo veprimi që do ta bënte shtetin komunist të fokusonte vëmendjen ndaj tij. Ali Fevziu ishte i biri i një njeriu që sipas Kodit Penal që ishte në fuqi në Shqipëri, në kohën kur u bë birësimi, konsiderohej që kishte kryer një krim për të cilin nëse do të kishte qenë gjallë do të ishte dënuar me vdekje. Neni 58 i Kodit Penal të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, parashikonte veprën penale të “Veprimtarisë armiqësore para Çlirimit”, me këtë përmbajtje:
Veprimtaria aktive kundër lëvizjes revolucionare, e zhvilluar gjatë ose para pushtimit nazifashist nga persona të ndodhur në vende me përgjegjësi në shtet ose nga persona të ndodhur në shërbime të fshehta ose në organizata tradhtare dënohet:
Me heqje të lirisë jo më pak se dhjetë vjet ose me vdekje.[lvi]
Bajram Fevziu, i ati i Ali Fevziut, emri i të cilit përmendej nga historiografia komuniste si njeriu që tradhtoi qeverinë e Fan Nolit në dhjetor 1924, duke i hapur Zogut rrugën e Tiranës, nëse do të kishte qenë gjallë pas ardhjes së komunistëve në pushtet, do të ishte dënuar me vdekje, sipas këtij neni. Gjithsesi, për efekt të rekordeve të luftës së klasave, Bajram Fevziu do të gjykohej sipas këtij neni të Kodit Penal. Përveç kësaj, Ali Fevziu kishte edhe një motër, të arratisur nga Shqipëria komuniste, e cila gjendej në SHBA. Sipas kritereve të diktaturës komuniste, kjo gjë bëhej shkak që statusi shoqëroro-politik i Ali Fevziut të ishte ai i një të deklasuari të shkallës së lartë. Aq më tepër që nëna e tyre ishte një toptanase. Në kohën e diktaturës komuniste, më të ekspozuar ndaj rrezikut qenë ata të deklasuar, të cilët kishin familjarë emrat e të cilëve përmendeshin për keq në historiografinë zyrtare komuniste. Ali Fevziu ishte një prej tyre. Arratisja e motrës, e kombinuar me praninë për keq të të atit në historiografinë komuniste, e bënte Ali Fevziun një të deklasuar që ishte në shënjestër për t’ u burgosur nga regjimi. Minimumi që duhej t’ i kishte ndodhur një njeriu me biografinë politike të Ali Fevziut ishte që të internohej në ndonjë vend të humbur larg Tiranës. Normalisht- me këtë fjalë dua të them- sipas normës së trajtimit të të deklasuarve nga ana e regjimit komunist, një njeri si Ali Fevziu nuk mund të lejohej të banonte në qytetin e Tiranës. E megjithatë, Ali Fevziu banonte në Tiranë, madje në vilën e tij, të trashëguar nga i ati, ndonëse Aliu ishte i pamartuar. I vetmi “persekutim” ndaj Ali Fevziut ishte se u detyrua që të ndante vilën me një zyrtar të regjimit komunist, familja e të cilit erdhi për banim atje. Por edhe kjo nuk e dëmtonte shumë Ali Fevziun se shtëpia ishte mjaft e madhe dhe ai nuk kishte familje. Regjimi komunist mund t’ i jepte privilegje të tilla një të deklasuari me të dhënat e Ali Fevziut, vetëm nëse ky njeri kishte një marrëdhënie speciale me regjimin. Shkurt, regjimi komunist privilegje të tilla u bënte vetëm bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Sigurimi i Shtetit i përzgjidhte agjentët nga radhët e të deklasuarve, pra pikërisht nga ajo kategori së cilës i përkiste Ali Fevziu.
Ali Fevziu i kishte të gjitha arsyet që, me ngritjen e valës së re të represionit të diktaturës komuniste në fillim të viteve tetëdhjetë, të përpiqej që të bëhej sa më i padukshëm për regjimin komunist. Por natyrisht, se një i deklasuar i cili kishte një marrëdhënie speciale me regjimin komunist, mund t’ i lejonte vetes që të bënte një kërkesë për birësim, duke llogaritur paraprakisht, varësisht rastit të dhënë, nëse kjo e provokonte ose jo zemërimin e regjimit komunist. Por edhe një i deklasuar që kishte një marrëdhënie speciale me regjimin komunist, nuk do të guxonte të bënte një kërkesë birësimi si ajo që bëri Ali Fevziu. Ali Fevziu, 60 vjeç, me banim në qytetin e Tiranës, bëri në gjykatë një kërkesë për birësimin prej tij të djalit të vetëm të mbesës së tij (vajzës së motrës), të quajtur Rezana Bregasi, e cila jetonte në Lushnjë, si e internuar së bashku me familjen (burrin dhe dy fëmijët, një djalë dhe një vajzë). Djali 13 vjeçar quhej Blendi Bregasi. Sipas ligjit, paraqitja e kërkesës së birësimit do të thoshte se kërkuesi ishte marrë vesh paraprakisht me prindërit e fëmijës dhe me vetë këtë të fundit. Pra, dukej qartë se kërkesa për birësim ishte rezultat i një marrëveshjeje mes prindërve të Blendit, posaçërisht nënës së tij, nga njëra anë, dhe dajës së saj, në anën tjetër, e gjithë kjo, e llogaritur në dobi të djalit.
Por, kalkulusi i të dy palëve, prindërve të Blendit dhe dajës së nënës së tij, ngjan absurd nga pikëpamja e logjikës së të deklasuarve. Natyrisht se birësimi ishte llogaritur që të bëhej në interes të djalit. Por çfarë do të përfitonte i birësuari në këtë rast? Biografia politike e djalit nuk do të përmirësohej se, nëse Blendi ishte djali i një nëne, e cila nga ana e saj e kishte nënën e vet të arratisur në Amerikë, ai, pas kësaj do të bëhej djali i një babai adoptiv që e kishte motrën të arratisur në Amerikë. Lidhja toptanase dhe ajo me Bajram Fevziun mbeteshin të pandryshuara, madje afroheshin më tepër. Lidhja e Blendi Fevziut me Neki Starovën mjegullohej edhe pak më tepër se sa e kishte mjegulluar i ati i tij, me ndryshimin e mbiemrit, nga “Starova” në “Bregasi”. Përfitimi i vetëm real ishte se djali do të shkonte me banim në Tiranë. Por, duke njohur praktikën e regjimit në raste të tilla, kishte shumë të ngjarë që procesi i birësimit të shndërrohej në proces të çjerrjes së “rrjetës së merimangës” që kishin endur me kujdes të dy palët, i ati i Blendit dhe Ali Fevziu, për t’ u kamufluar në shoqërinë represive komuniste.
Në këto raste, gjykata, duke dashur që të ishte në rregull me luftën e klasave dhe të mos akuzohej nesër për zbutjen e saj, kërkonte nga organet e shtetit totalitar të dhëna për biografinë e të dy palëve, atij që kërkonte të birësonte dhe atyre që jepnin fëmijën e tyre për birësim. Këto të dhëna kërkoheshin zyrtarisht dhe jepeshin po zyrtarisht. Ajo që atëherë quhej “biografi” ishte në fakt një gjenealogji politike, dhe kësaj i afrohej më tepër termi “përbërje politike” e familjes dhe fisit që përdorej si saktësim i fjalës “biografi”. Me këtë rast pyeteshin organizata e Frontit Demokratik të lagjes, organizata e Bashkimeve Profesionale në qendrën e punës të dy palëve, ku kishte luftëtarë të sprovuar të luftës së klasave, të cilët, për të qenë në rregull, nuk mungonin të pyesnin organizatën e partisë të lagjes, e natyrisht operativin e Sigurimit të Shtetit. Kujdesi i secilit “për të qenë në rregull” bënte që edhe për çështjen më të vogël, të viheshin në dijeni instancat përkatëse të partisë dhe Sigurimit të Shtetit. Natyrisht se gjykata do të furnizohej me të dhëna të hollësishme dhe të sakta biografike mbi atë se cilët ishin prindërit e fëmijës, dhe cili ishte kërkuesi, si dhe me të dhëna për prindërit dhe prindërit e prindërve, për krushqitë e tyre, pra për krejt pemën gjenealogjike me rrënjët dhe degët. Regjimi komunist kishte sloganin “Bujqësia çështje e gjithë popullit”, por i vetmi sektor i “bujqësisë” që funksiononte në mënyrë të përkryer, me pjesëmarrjen e detyruar të gjithë popullit ishte “pemtaria” e gjenealogjisë politike familjare, e gjithë kjo në shërbim të luftës së klasave.
Në këtë rast, djali që kërkohej të birësohej kishte një gjysh nga ana e babait të vrarë në atentat nga një “Hero i Popullit”, një gjyshe nga ana e nënës, të arratisur në Amerikë, një xhaxha të burgosur politik, i cili për më tepër ishte baxhanak i Tomor Dostit, djalit të një prej krerëve të Ballit Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më pas në emigracionin politik në Perëndim. Birësimi, në rastin e Blendi Fevziut vështirësohej më tepër nga fakti që kërkohej të bëhej në kryeqytet. Tirana ishte kryeqendra e regjimit komunist dhe atje ishte e vështirë që të shkonin me banim njerëzit me biografi të mirë politike dhe jo më të deklasuarit. Kështu që, normalisht, inicimi i procesit gjyqësor të birësimit të Blendit, duhet të çonte në dëbimin e Ali Fevziut nga Tirana, në rastin më të mirë si i internuar. Si prindërit e Blendit, ashtu dhe kërkuesi i birësimit, e kishin parasysh këtë gjë, megjithatë e inicuan procesin, dhe ia arritën qëllimit.
Në 1983 gjykata vendosi të pranojë kërkesën e birësimit dhe Blendi Bregasi, banues në Dushk të Lushnjës, u bë Blendi Fevziu, djali i adoptuar i Ali Fevziut, banues në qytetin e Tiranës. Kodi i Familjes parashikonte që birësuesit i lindte e drejta të kërkonte edhe ndryshimin e vendlindjes së të birësuarit, duke i dhënë si të tillë, atë të vendbanimit të tij. (Kjo i dha mundësi Blendit që të shënonte Tiranën si vendlindje të tij.) Kështu, për një ironi të fatit, emri i djaloshit 14 vjeçar nga Dushku, “Blendi”, ngjante shumë i përshtatshëm për njeriun që vinte nga paraardhës që patën ndryshuar shumë mbiemra, një traditë të cilën do ta ndiqte edhe ai vetë, se “Blend” në anglisht do të thotë “përzierje”. Por, ironia nuk përfundonte këtu, se djaloshi i cili kishte në gjenealogjinë e vet pesë mbiemra, në fakt nuk mbante asnjë të tillë, për shkak se ai kishte si mbiemër emrin e dytë të stërgjyshit, Bajram Fevzi Çorbaxhiut. Blendit do t’ i përshtatej shumë mbiemri “Çorbaxhiu”, për shkak të kuptimit të emrit të tij.
Por birësimi i Blendi Fevziut, në rrethanat që u bë, nuk do të kishte qenë i mundur pa bashkëpunimin e vetë të birësuarit. Regjimi komunist nuk bënte kurrherë diçka për një të deklasuar pa kërkuar shpërblim prej tij. Në fillim të viteve tetëdhjetë Sigurimi i Shtetit nisi të ndjente vështirësi në Tiranë dhe në qytetet kryesore të vendit. Me rritjen e popullsisë u rrit masa e të rinjve të cilët kishin dëshira gjithëherë në rritje përmirësimin e jetesës sipas modelit perëndimor, me të cilin të rinjtë njiheshin nëpërmjet televizioneve të huaja, kryesisht atyre italiane. Metodat klasike të regjimit komunist për kontrollin e rinisë, që bazoheshin tek spiunimi, nuk po funksiononin më siç duhet. Organizatat e rinisë në shkollat e mesme dhe në universitet, të cilat duhet të ishin mjete të Sigurimit të Shtetit për kontrollin e rinisë, nuk po e bënin detyrën siç duhet. Gjithëherë e më tepër të rinjtë kishin filluar t’ i njihnin spiunët, dhe t’ i bojkotonin ata. Madje, gjithëherë e më tepër të rinjtë kishin filluar që ta kishin për turp spiunimin, dhe t’ u binte zelli për të. Kështu që ndjehej nevoja për të sjellë në Tiranë të rinj të përkushtuar ndaj spiunimit. Me këtë rast në Tiranë erdhi edhe Blendi Fevziu, me një mision të posaçëm si Spiuni i Bordurave. Në bordurat e Bulevardit të Madh të Tiranës, atij shpejt ia vunë emrin “Blendi Fuksziu”. Vetëm me marrëdhënien speciale të Blendi Fevziut me regjimin komunist, mund të shpjegohet ky episod nga jeta e tij në kohën e diktaturës komuniste, që ai e rrëfen në një nga librat e tij:
M’ u kujtua se si gjatë një koncerti në pallatin e sportit diku në vitin 1986, një koncert ku përziheshin bashkë personazhe atëherë të njohur të humorit, këngës, sportit dhe kinemasë, një grup instruktorësh të Komitetit Qendror të Rinisë me gërshërë në duar kishin ndaluar dhe prerë pantallonat e ngushta apo bluxhins të gjithë atyre të rinjve që qëndronin në radhë, me biletën në dorë. Fati i keq e solli që gërshërët e tyre të ndryshkura të binin edhe mbi pantallonat e mia të reja, që i vishja për herë të parë dhe që mendoja se qenë gjëja më e mrekullueshme që kisha pasur deri atë ditë. Kundërshtimi im qe i kotë dhe batuta se Marksi nuk kishte shkruajtur asgjë për pantallonat e ngushta më kushtoi një javë paraqitje në zyrat e Komitetit të Rinisë të Rajonit tre. Në ca zyra që të ngjallnin krupën dhe ku djem e vajza kryesisht të shëmtuar, më shihnin me një seriozitet të stisur dhe më sqaronin se me këto mend që kisha do të përfundoja realisht në minierë.[lvii]
Si mund të guxonte të fliste kështu një njeri me biografinë politike të Blendi Fevziut? Njeriu që thoshte gjëra të tilla për Marksin përfundonte në burg. Blendi Fevziu në këtë kohë ishte 17 vjeç, pra kishte përgjegjësi penale, sipas ligjit. Kjo e folur e shkujdesshme nuk mund të shpjegohet me atë se Blendi Fevziu ishte i ri, dhe nuk e kuptonte rrezikun. Blendi Fevziu kishte lindur dhe ishte rritur në një familje të deklasuar dhe në këtë lloj familjeje fëmijët porositeshin, që në moshë të vogël, që të tregonin kujdes me fjalët dhe qëndrimin e tyre, ashtu që të mos e provokonin regjimin komunist me asgjë që ishte e pakënaqshme për të. E megjithatë, Blendi Fevziu këtu sillet ashtu siç nuk do të guxonin të silleshin as djemtë e nomenklaturës komuniste. Blendi Fevziu nuk ekzagjeron asfare, ai është sjellë vërtet kështu. Por kjo ka ardhur, jo se ai kishte një guxim prej të krisuri, por se kishte një mision prej agjenti-provokator. Për një njeri që kishte biografinë politike të Blendi Fevziut, pas një incidenti të tillë, gjërat nuk mund të shkonin aq lehtë sa ç’ e përshkruan ai edhe më hollësisht, në një shkrim tjetër:
Mbaj mend mirë se, i tunduar nga ideja për t’ u dukur bukur, nga fakti që shoqërohesha nga një vajzë që i vija rrotull dhe që kisha mundësinë e vetme për të sfiluar me veshjen më të mirë që kisha, pata veshur një palë pantallona të mrekullueshme bluxhins, dhurata më e fundit e gjyshes sime amerikane. Isha parë aq gjatë përpara pasqyrës, kisha menduar aq shumë efektin që do të bënte ngjyra e ëmbël blu në gurkali, kisha ëndërruar aq shumë atë veshje, sa nuk kisha se si të mos tmerrohesha përpara katër vetëve, të veshur me pantallona terital, me pulovra leshi nga gryka e të cilëve lartohej një golf fallco, që tundnin para syve të mi një palë gërshërë të tmerrshme rrobaqepësish. M’ u deshën pak sekonda që të më shpjegonin se unë kisha shkelur normat e rinisë, se kisha veshur pantallona të ngushta, se po manifestoja “shfaqje të huaja” dhe se si ndëshkim gërshëra e tyre, do të më priste fundin e pantallonave.
E bënë vërtet, duke prerë një vijë të gjatë, nga fundi deri afër gjurit dhe duke lënë të valëviteshin në erë dy anët e zgjeruara tej mase. Dy policë që i shoqëronin vështronin edhe ata me inat, ndërkohë, që me një guxim të marri, unë po u thoja se kjo ishte shkelje ligji, se ata po dhunonin kushtetutën, se pantallonat kishin ardhur me postë, se ishin marrë në doganë kundrejt pagesës dhe se asnjë ligj nuk thoshte se në Shqipëri ndaloheshin pantallonat e gjata!
Zëri im që bashkohej me atë të një bashkëgjimnazisti tjetër të “Qemal Stafës” (i kishin grisur edhe atij një palë pantallona kadife që ashtu si unë, i vishte për herë të parë), duket se i bezdisi aktivistët. Njëri prej tyre, mori shënim emrat dhe na njoftuan se të nesërmen në mëngjes duhej të paraqiteshim në Komitetin e Rinisë të Tiranës, ndryshe, nuk do të fillonim dot mësimin.
U paraqita të nesërmen atje, duke gjetur në derë bashkëvuajtësin tim, Ardi quhej, dhe në katin e parë, në zyrën e dezhurnit një instructor. Nuk e di sa kohë humbëm duke u vërtitur nga një zyrë në tjetrën, duke dëgjuar moralizime pafund të tipit: Rinia e vërtetë punon në aksione, ndërsa ju tundeni në boulevard me xhinse etj., por mbaj mend që diku nga dreka u gjendëm në zyrën e një prej funksionarëve më të lartë të BRPSH-së. Një tip i ashpër, ish-oficer, në mos gaboj, që nuk e zgjati shumë me ne: Propozim për notë të thyer në sjellje; shënim në dokumentet e shkollës së lartë dhe sugjerim Organizatës së Rinisë së shkollës, që të punonte veçantë me secilin. Duke ndier kundërshtimin tonë për arbitraritetin e tij, funksionari nuk ngurroi:
-Në minierë do të përfundosh, bërtiti, me këto mend që ke! Në Valias apo Krrabë do të shihemi!
Nuk e zgjati më shumë. Dolëm dhe nuk u pamë që nga ajo ditë.[lviii]
Së pari, sipas rregullit, i riu duhej të paraqitej në zyrat përkatëse bashkë me prindërit. Blendi Fevziu, i cili ishte i adoptuar do të paraqitej bashkë me Ali Fevziun. Me këtë rast do të fillonin pyetjet standard, nga të cilat e para ishte se kush ua dërgonte veshjet nga jashtë vendit dhe nga ku. Përgjigjet duhet të ishin të sinqerta se gjithçka do të verifikohej. Ali Fevziu, babai adoptiv do të përgjigjej se veshjet i dërgonte motra e tij nga Amerika. Pyetja tjetër ishte se kur dhe si kishte shkuar gjyshja në Amerikë. Qëllimi ishte të mësohej nëse ishte e arratisur ose jo. Nuk kishte dobi që të gënjenin se gjëja e parë që bëhej sipas procedurës standard ishte se pyetej organizata e Frontit Demokratik të lagjes ku banonte, organizata-bazë e partisë e lagjes, operativi i Sigurimit të Shtetit i lagjes, që jepnin të dhëna të hollësishme mbi atë se cila ishte “përbërja politike” e familjes së këtij djali dhe e prindërve të tij. Kështu që Ali Fevziu do të detyrohej që të pohohej se motra e tij ishte arratisur. Në këtë pikë do të fillonin pyetje më të hollësishme. Ali Fevziu do të pyetej se përse nuk kishte ardhur nëna e djalit, e cila supozohej të ishte gruaja e tij. Ai do të detyrohej që të përgjigjej se nëna e djalit ishte mbesa e tij, dhe se ai e kishte adoptuar djalin. Kjo do të bëhej shkak për pyetje më të thelluara për prindërit biologjikë të djalit dhe do të zbulohej krejt biografia politike e familjes së djalit. Kur të zbulohej gjithçka, Blendi Fevziu nuk do ta kalonte dot kaq lehtë këtë situatë, nëse nuk do të kishte pasur një marrëdhënie speciale me regjimin komunist. Blendi Fevziu ishte një i deklasuar atipik, një i deklasuar që kërkonte të binte në sy dhe që e provokonte regjimin komunist. Ai shkruan:
Vija re vështrimet që më shoqëronin në rrugë, sa herë vishja pantallonat apo këpucët sportive që më vinin çdo vit nga Amerika dhe dëgjoja komentet për ato pak veshje ndryshe që qarkullonin në oborrin e gjimnazit. Gjithçka tjetër ishte e njëjtë dhe e njëtrajtshme.[lix]
Një njeri i tillë, me veshje perëndimore, ishte një sfidues i propagandës zyrtare të regjimit komunist. Kur kjo sfidë bëhej edhe me fjalë, siç pohon Blendi Fevziu më lart, atëherë ky njeri bëhej i padurueshëm për regjimin, dhe më së paku do të përjashtohej nga shkolla, madje edhe do të internohej në ndonjë nga ato katundet që Blendi i njihte mirë. Ndonëse në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë diktatura ishte zbutur disi, ajo megjithatë nuk mund t’ i toleronte sfidat e këtij lloji nga të deklasuarit, për shkak se kjo mund të iniconte një reaksion zinxhir shoqëror që do të çonte në shpërbërjen e sistemit shoqëror dhe humbjen e kontrollit të regjimit mbi shoqërinë. Prandaj diktatura komuniste në raste të tilla bënte ndëshkime shembullore dhe për atë që kishte thënë Fevziu ndëshkimi ishte burgimi për agjitacion dhe propagandë armiqësore. Vërtet diktatura komuniste në këtë periudhë erdhi duke i rralluar dënimet me burg për agjitacion e propagandë, por këto dënime vazhdonin, për të bërë shembuj në shtresat e ndryshme shoqërore, ashtu që dënimi i një individi shërbente për frikësimin e të tjerëve.
[i] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 346
[ii] po atje: f. 292
[iii] Blendi Fevziu, “Piedestale pa statuja”, Botim i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1993, f. 278
[iv] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 5
[v] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 256
[vi] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 269-270-271-272
[vii] Enver Hoxha, “Vite të rinisë”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1988, f. 30, 51, 52, 61, 62, 64, 65, 70, 73, 78, 81, 86, 88, 92
[viii] po atje: f. 87
[ix] po atje: f. 88
[x] po atje: f. 52
[xi] po atje: f. 61
[xii] po atje: f. 62
[xiii] po atje: f. 52
[xiv] Hamit Kokalari, “Kujtime”, Shtëpia botuese “Omsca-1”, Tiranë 2011, Vëllimi I, f. 14
[xv] Gazeta “Bashkimi”, 27 janar 1948
[xvi] Enver Hoxha, “Ditar: 1962”, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, Shtëpia botuese “8 nëntori”, vëllimi 4, f. 90
[xvii] po atje: f. 91
[xviii] Enver Hoxha, “Gjithmonë vigjilentë: për organet e punëve të brendshme”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1986, vëllimi II, f. 69-72
[xix] Shih: Enver Hoxha, “Gjithmonë vigjilentë: për organet e punëve të brendshme”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1986, vëllimi I, II
[xx] Enver Hoxha, “Gjithmonë vigjilentë: për organet e punëve të brendshme”, Shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë 1986, vëllimi II, f. 70
[xxi] po atje: f. 71
[xxii] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 153-154
[xxiii] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 5
[xxiv] po atje: f. 5- 6
[xxv] po atje: f. 6-7
[xxvi] po atje: f. 7
[xxvii] po atje: f. 8
[xxviii] po atje: f. 9
[xxix] po atje: f. 11
[xxx] po atje: f. 11-12
[xxxi] po atje: f. 12-13
[xxxii] po atje: f. 125
[xxxiii] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1996, f. 93
[xxxiv] Revista “Madamë Mapo”, shkurt 2012, nr. 19, f. 25
[xxxv] Arkadi Gajdar, “Shkolla”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1965, f. 4
[xxxvi] Arkadi Gajdar, “Timuri dhe skuadra e tij”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1969, f. 43-44
[xxxvii] po atje: f. 127
[xxxviii] po atje: f. 21
[xxxix] po atje: f. 26
[xl] Kopi Kyçyku, “Zinxhiri i anktheve”, Shtëpia botuese “Globus R”, Tiranë 2008, f. 76-77
[xli] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 151
[xlii] Blendi Fevziu, “50+ 1: ese”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 27- 28
[xliii] Preç Zogaj, “Uncivil war: luftë jocivile”, Shtëpia botuese “Dita”, Tiranë 1998, f. 115-116-117, 119-120
[xliv] Vasili Kandinski, “Mbi shpirtëroren në art”, Botime “Përpjekja”, Tiranë 1998, f. 155-156-157
[xlv] Visar Zhiti, “Rrugët e ferrit”, Shtëpia botuese “Omsca-1”, Tiranë 2012, f. 318
[xlvi] Blendi Fevziu, “50+ 1: ese”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 53-54
[xlvii] Ben Lewis, “Hammer & Tickle: A history of communism told through communist jokes”, Weidenfeld & Nicolson, London 2008, p. 11
[xlviii] Stefan Zweig, “Bota e djeshme: kujtimet e një evropiani”, Shtëpia botuese “Elena Gjika”, Tiranë 2004, f. 422
[xlix] Blendi Fevziu, “50+ 1: ese”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 332-333
[l] po atje: f. 334
[li] po atje: f. 335
[lii] po atje: f. 336
[liii] po atje: f. 23-24
[liv] po atje: f. 48
[lv] Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”,UET Press, Tiranë 2011, f. 269-292
[lvi] “Kodet e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, Botim i Byrosë Juridike pranë Këshillit të Ministrave, Tiranë 1982, f. 427
[lvii] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 210
[lviii] po atje: f. 346-347
[lix] po atje: f. 292
I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...