2013-04-24

KASTRIOT MYFTARAJ - BLENDI FEVZIU Biografia e tij dhe lidhja nga gjyshja me Enver Hoxhën(4)

PJESA E KATËRT NISJA E KARRIERËS SI GAZETAR I REGJIMIT KOMUNIST DHE SHKRIMTAR I REALIZMIT SOCIALIST



22.
Pse Fevziu i ka mohuar botimet e tij tek Gazeta “Studenti”

Në intervistën që Fevziu dha për Ilva Tare në emisionin “Tonight” të kësaj të fundit, në RTV Ora News, në 20 dhjetor 2011, ai, duke rrëfyer eksperiencën e tij të parë si gazetar në gazetën “Studenti”, në kohën që ishte student në Universitetin e Tiranës, tha:
Shumë miq me të cilët unë jetoja në fakultet nuk ishin njerëz që lexonin gazetën “Zëri i Popullit” apo “Bashkimi”, por lexonin gazetën “Drita” dhe “Zëri i Rinisë”, faqen letrare. Shumë miq me të cilët unë jetoja në fakultet nuk ishin njerëz që lexonin gazetën “Zëri i Popullit” apo “Bashkimi”, por lexonin gazetën “Drita” dhe “Zëri i Rinisë”, faqen letrare. Pra, ishin njerëz të lidhur me letërsinë. Që në gjimnaz unë mendoja se do të bëhesha shkrimtar. Letërsia ishte ëndrra e madhe e imja dhe e miqve, me të cilët jetoja dhe diku në vitin e dytë të fakultetit ishte një gazetë me emrin “Studenti”, që botohej nga Universiteti i Tiranës, ishte dhe më e lirshme se në atë kohë kontrollet nuk ishin dhe aq evidente. E drejtonte Arben Muka një student i Ekonomikut. Kryeredaktori i kësaj gazete na ftoi të shkruanim disa përgjigje për disa tregime që çonin studentët në atë kohë, midis të cilëve çoja dhe unë dhe nuk m’ i botonin.
Ilva Tare: Pse nuk t’ i botonin?
Blendi Fevziu: Nuk e di, tregimeve të mia ju ktheu përgjigje Mero Baze, kurse unë duhet të ktheja përgjigje për disa tregime të dikujt tjetër, më duket të Thoma Gëllçit. Unë refuzova të jepja këto përgjigje dhe vendosa të shkruaja për një vepër të Bardhyl Londos, një vëllim me poezi shumë interesant. E shkruajta, u pëlqye, Arben Muka më tha mund të vish të na bësh edhe ndonjë gjë tjetër. Isha nga nxënësit shumë të mirë në letërsi, por pak problematik në sjelljen e përditshme me profesorët. Me Ben Blushin po mendonim të bënim diçka ndryshe nga të tjerët që të dallohej në gazetë. Është ajo koha kur njeriu ka një ëndërr dhe mund ta ndërrojë botën kollaj dhe ideja e parë ishte të bënim një intervistë me shkrimtarë, dhe thamë do t’ i bëjmë pyetjet ndryshe, provokuese, do të pyesim për jetën private etj. Ia thamë Mukës, por tha ku ka shkrimtar që të japë intervistë për gazetën “Studenti”. E nisëm me Nasi Lerën, një emër shumë i njohur në atë kohë, ishte sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe befas për një vit e gjysmë kemi intervistuar pothuajse të gjithë shkrimtarët e Shqipërisë në disa intervista shumë interesante.Unë ruaj ende bllokun origjinal të pyetjeve të para që kam bërë.Ka qenë një bllok, fletore gjashtëdhjetëlekëshe quhej, ku shkruaja të gjitha pyetjet për të nxjerrë shtatë pyetje. Kishim menduar me qindra pyetje për të arritur deri aty. Janë me shkrimin tim dhe të Blushit. I bënim bashkë pra Ben Blushi dhe Blendi Fevziu madje dhe emrat i vinim një herë ai dhe një herë unë sipër, kur intervistonim.
Blendi Fevziu këtu ka rrëfyer një përrallë të cilën mund ta besojnë vetëm ata që nuk e njohin kohën për të cilën flet ai. Së pari, gazeta “Studenti” nuk ka qenë gazetë e Universitetit të Tiranës, siç thotë Fevziu lirshëm, por emërtimi formal i saj ishte: organ i Komitetit të Rinisë së Universitetit të Tiranës. Kjo do të thoshte se gazeta kontrollohej nga Komiteti i Rinisë i Universitetit, i cili ishte nën mbikqyrjen dhe kontrollin e Komitetit të Partisë të Universitetit të Tiranës. Kontrolli konsistonte para se gjithash në atë se cilët emra do të botonin në gazetë, dhe kujdesi kryesor ishte që ata të qenë “me përbërje të mirë politike”, siç thuhej, domethënë të mos qenë me origjinë nga familje të deklasuara. Të tillë lejoheshin vetëm me leje të veçantë nga zyrat e posaçme të regjimit. Gjatë viteve që Blendi Fevziu ka qenë student nuk ka ndodhur që të ketë botuar në këtë gazetë një njeri me biografinë politike të Fevziut, madje edhe me biografi më pak të keqe politikisht për regjimin se ajo e Fevziut. Ky i fundit ka qenë një rast unik, si emër që botonte tek gazeta “Studenti”, duke konsideruar biografinë politike familjare që kishte.
Arben Muka, për të cilin flet Blendi Fevziu, nuk ishte student në kohën që ishte kryeredaktor, por gazetar profesionist. Arben Muka kishte diplomuar për ekonomi në Universitetin e Tiranës në 1987 dhe u emërua kryeredaktor i gazetës “Studenti” disa muaj pas diplomimit, në janar 1988.[i] Ndonëse Arben Muka nuk ishte një nga fanatikët e regjimit komunist, por një i ri me natyrë liberale, megjithatë ai nuk do të qe në gjendje të zbuste kaq shumë luftën e klasave sa të botonte në gazetë një njeri me biografinë e Fevziut. Edhe nëse do të donte Arben Muka të tregohej liberal, siç thuhej në atë kohë, përsëri do të ishte Sekretari i Komitetit të Rinisë së Universitetit ai që nuk do ta lejonte.
Sekretari i Komitetit të Rinisë së Universitetit të Tiranës në atë kohë ka qenë një nga figurat më të zeza të burokracisë së regjimit komunist për rininë, Kosta Barjaba, i mbiquajtur “Korçaginaqisi”, sipas emrit të personazhit kryesor të romanit sovjetik “Si u kalit celiku”, militantit bolshevik Pavël Korçagin. Për shkak të origjinës minoritare greke, të Kostës, emri “Korçagin” ishte shndërruar në “Korçaginaqis”. Kur Kosta donte t’ i bënte kompliment ndonjë të riu, e quante “Korçagin”, e kur ai ishte minoritar grek, ndonjëherë i thote “Korçaginaqis”. Se ky Kosta Barjaba ka lindur në fshatin Sopik të Sarandës, dhe është minoritar grek. Fakti që Barjaba ishte minoritar grek (është ende) nuk do të kishte a priori asgjë të keqe, por ai, duke qenë se kishte lindur në fshat dhe pas diplomimit në universitet për filozofi, e mbajtën me punë në kryeqytet, mendoi se mënyra më e mirë për të ruajtur vendin e punës dhe për të bërë karrierë ishte që të tregohej rigoroz ideologjikisht dhe të mos bënte lëshime në luftën e klasave. Natyrisht se kujdesi i parë duhej treguar për të mos e zbutur luftën e klasave përtej kufirit të moderuar të zbutjes që kishte bërë regjimi gjatë gjysmës së dytë të viteve tetëdhjetë. Ndonëse në gjysmën e dytë të viteve tetëdhjetë shtrëngimi i regjimit ishte duke u liruar paksa, Kosta mendonte se më mirë ishte që edhe lëshimi më i vogël në këtë frymë të bëhej nga të tjerët, me urdhër të Komitetit të Partisë së Universitetit, ku drejtonte një tjetër burokrat i famshëm partiak, Ilia Kongo. Si Kongo, ashtu dhe Barjaba, qenë zyrtarë me rrogë, çka do të thoshte se paguheshin, madje paguheshin mirë sipas standardeve të kohës, që të vigjëlonin mbi biografitë e pedagogëve dhe studentëve, posaçërisht të atyre që botonin në shtyp, në gazeta dhe revista. Kosta Barjaba e shikonte gazetën “Studenti” si një “minë” e cila rrezikonte t’ i shpërthente në çdo moment në rrugën e karrierës së tij, kështu që ai praktikisht e kishte dubluar kryeredaktorin duke e parë me lupë gazetën, se mos botohej diçka që do të bëhej shkak që ai të kritikohej. Kosta Barjaba kishte si model Sekretarin e Komitetit të Partisë së Universitetit të Tiranës, Ilia Kongo, një aparatçik, emrin e të cilit Spartak Ngjela, në librin e tij “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, e përfshin në atë grup aparatçikësh që i quan si:
Njëri më i zi se tjetri, inkuizitorë të shkallës së lartë.[ii]
Ilia Kongo vigjëlonte veçanërisht mbi gazetën “Studenti”, një pasion ky që i kishte mbetur që nga koha kur punonte në Komitetin e Rinisë. Për ndalimin e botimit të tregimeve të tij në gazetën “Studenti” Fevziu rrëfen vetëm gjysmën e së vërtetës. Është e vërtetë se atij fillimisht nuk iu botuan tregimet që i dërgoi redaksisë. Në vjeshtën e vitit 1987, kur ishte në vitin e parë të studimeve universitare, Fevziu shkoi në redaksinë e gazetës “Studenti” dhe paraqiti për botim disa tregime. Për fatin e keq të Blendit, Kosta Barjaba gjendej në zyrat e redaksisë, dhe i bëri përshtypje se Blendi kishte veshur pantallona bluxhins, këpucë atletike perëndimore, dhe mbante syze dielli elegante amerikane. Kosta e pyeti se nga i vinin këto veshje. Blendi Fevziu e dinte mirë se Kosta do të informohej në burime të tjera, dhe nëse vërtetohej se kishte gënjyer kjo çështje do të bëhej e madhe. Prandaj i tha inkuizitorit të kuq Barjaba, se ato ia dërgonte gjyshja. Kosta Barjaba bëri pyetjet standard që bënte në këto raste një aparatçik komunist dhe arriti ta bënte Blendin të thoshte se gjyshja e tij ishte arratisur në Amerikë. Kjo bisedë u bë shkak që tregimet e Fevziut të mos botoheshin përkohësisht tek gazeta “Studenti”. Gjithsesi, këtu duhet thënë se Barjaba kishte të drejtë në shkakun kryesor që paraqiti, atë se tregimet qenë të dobëta. Tregimet qenë vërtet të dobëta. Sot pas 24 vjetësh koha ka vërtetuar thënien e Barjabës se ky djalë (Fevziu) ndoshta mund të bëhej dhe kozmonaut, por jo shkrimtar.
Por “Timuri i Dushkut” nuk dorëzohej lehtë. Fevziu u ankua në zyrat sekrete që i dinte ai, dhe Barjabës i erdhi porosia që Fevziut t’ i lejohej të botonte shkrimet e tij, madje edhe të bëhej anëtar i stafit drejtues të gazetës! Blendi Fevziu gënjen rëndshëm kur thotë se atij nuk ia botonin krijimet e tij letrare në gazetën “Studenti”. Studenti Blendi Fevziu jo vetëm që botonte shpesh në këtë gazetë, por që në vitin e dytë të shkollës së lartë, ishte në stafin drejtues të gazetës “Studenti”. Në gazetën “Studenti” të datës 18 maj 1989, pra kur Fevziu ishte student i vitit të dytë, janë publikuar emrat e anëtarëve të stafit të gazetës. Emri i Blendi Fevziut figuron si anëtar i Këshillit Botues.[iii] Anëtarë të Këshillit botues krahas tij janë edhe Kosta Barjaba, shefi i Komitetit të Rinisë të Universitetit të Tiranës, Besnik Dervishi djali i njeriut të nomenklaturës së lartë komuniste, Rrapo Dervishi etj. Fevziu, jo vetëm që ka botuar në gazetën “Studenti” në kohën kur diktatura komuniste ishte ende në fuqi, por madje ka marrë edhe cmime në konkurset e saj. Në gazetën “Studenti” të datës 12 janar 1989 botohen emrat e fituesve të konkursit të vitit 1988, ku “Për artikuj kritikë dhe biografikë” çmim të parë ka marrë pikërisht Blendi Fevziu me artikullin “Krijimtaria në rritje e një poeti” (rreth librit “Si ta qetësoj detin të Bardhyl Londos”)[iv]
Blendi Fevziu gënjen në mënyrën më të trashë kur thotë se ishte vendimi i tij që të bënte një shkrim për një libër me poezi të Bardhyl Londos, në vend të atij që i kërkoi kryeredaktori. Në atë kohë gjërat nuk funksiononin kështu. Ajo që nuk e thotë Blendi Fevziu është se shkrimi i tij për librin e Bardhyl Londos u botua para se të dilte vetë libri. Si e mësoi Blendi Fevziu se Bardhyl Londo do të botonte një libër të tillë? Kjo do të thotë se Fevziun e patën dërguar me mision tek Bardhyl Londo për t’ i bërë pyetje provokuese, të cilat ndonëse nuk u publikuan, mund të përdoreshin kundër Londos për qëllime të tjera. Kjo është arsyeja që Fevziu nuk e ka ftuar kurrë Bardhyl London në emisionin e tij televiziv, në formatin e intervistës me një të ftuar të vetëm. A nuk duhej që Blendi Fevziu ta kishte ftuar Bardhyl London për një intervistë në emisionin e tij, ku të diskutohej edhe për atë vëllimin me poezi shumë interesant, për të cilin Blendi thotë se bëri shkrimin e vet të parë? Por në këtë rast Fevziut do t’ i duhej të fliste dhe për shkrimin e tij të parë për London, gjë që ai nuk ka dëshirë ta bëjë kurrsesi.
Ndryshe nga ç’ thotë, Fevziu vazhdoi të botonte tek gazeta “Studenti”, madje edhe tregime. Në 23 mars 1989 ai botoi në gazetën “Studenti” tregimin “Që pas dritareve të hapura”. Në 18 maj 1989, në gazetën “Studenti” u botuan tre tregime të Fevziut, me titull “Përballë rastësisht”, “S’ mund të ktheheshe pas kaq vitesh” dhe “Sonte”. Në 23 shtator 1989 Fevziu botoi në gazetën “Studenti” tregimin “Heshtja e thellë e detit”. Dhe këta nuk janë të gjithë tregimet e botuar nga Fevziu në 1989. Në këtë rast, natyrshëm mund të bëhet pyetja se përse Fevziu e mohon botimin e tregimeve të veta. Kjo nuk ka të bëjë aq me përmbajtjen e tyre, se sa me faktin se Fevziu është i vetëdijshëm se me biografinë politike që kishte, atij nuk mund t’ i jepej e drejta e botimit.
Ajo çka Fevziu nuk e përmend është se atij iu dha paralelisht e drejta e botimit, si në gazetën “Studenti”, ashtu dhe në gazetën “Zëri i Rinisë”. Gazeta “Zëri i Rinisë” ishte një nga gazetat qendrore në vend, duke qenë organ i Bashkimit të Rinisë (të gjitha gazetat në atë kohë qenë organe të ndokujt), siç e kam rrëfyer. Manipulatorët e zyrave të posaçme të regjimit komunist, të cilët e dinin ambicjen e madhe të Fevziut për të botuar letërsi, bënë që të botoheshin tregimet e tij mediokre, madje me të tepërt. Praktikisht, në vitin e dytë universitet, Fevziu ka botuar në gazetën “Studenti” më tepër shkrime se çdo bashkëmoshatar i tij, madje edhe më tepër se Ben Blushi. Në 1989, me fillimin e vitit të ri shkollor në shtator, Fevziut iu ngarkua që të bënte një reportazh për gazetën “Studenti”, me këtë rast. Ky reportazh me titull “E përbashkëta e një shtatorëve” është botuar tek gazeta “Studenti” në 14 shtator 1989.
Sa për historinë e intervistave me shkrimtarët, Fevziu nuk mungon të gënjejë edhe këtu. E vërteta është se të gjitha intervistat mbajnë autorësinë e të dyve së bashku, Ben Blushit dhe Blendi Fevziut. Si intervistues, në fakt paraqitej gazeta “Studenti”, por shënohej edhe emri i autorëve të pyetjeve, duke u vënë i pari emri i Ben Blushit dhe i dyti, emri i Fevziut. Gjithsej Fevziu dhe Blushi bënë dymbëdhjetë intervista, të gjitha në vitin 1989. Kryeredaktori Arben Muka kishte të drejtë që ishte skeptik mbi atë se a do t’ u jepnin shkrimtarët intervista këtyre dy studentëve të vitit të dytë, se çdo shkrimtari me njëfarë rëndësie i dukej si ulje për reputacionin e tij që kur e intervistonte një gazetë si “Studenti”, nuk po merrte mundimin ta intervistonte së paku kryeredaktori. Ben Blushi e kishte me gjysmë zemre këtë punën e intervistave, por Fevziu ngulmonte. Fevziu përdori njohjet e të atit, duke iu kërkuar intervistave shkrimtarëve që kishin qenë dikur studentë bashkë me të atin e tij. I pari që pranoi të jepte intervistë ishte dramaturgu Ruzhdi Pulaha në 26 janar 1989, me ndërhyrjen e babait të Ben Blushit, shkrimtarit Kiço Blushi, i cili ishte kryeredaktor i revistës letrare “Nëntori”.[v] Më tutje, arriti edhe Fevziu që të siguronte një intervistë me poetin Koçi Petriti[vi], i cili kishte qenë bashkënxënës me të atin e tij në shkollën pedagogjike në Korçë, pas përfundimit të së cilës kishin qenë të dy mësues në Skrapar për disa vjet. Në këtë intervistë, emri i Blendi Fevziut është i pari dhe pas tij vjen ai i Ben Blushit. Megjithatë, Blendi Fevziu nuk e ka ftuar kurrherë në emisionin e tij televiziv “Opinion” Koçi Petritin, që i bëri nder duke i dhënë intervistën e parë që e ka bërë ai vetë. Mosmirënjohja e Blendit ndaj Koçi Petritit ngjan edhe më e madhe po të mendosh se kur Koçi Petriti u bë dekan i Fakultetit të Filologjisë pas ardhjes së PD në pushtet, në 1992, ai deshi ta merrte Blendi Fevziun pedagog në katedrën e gjuhë-letërsisë shqipe. Por zëvendësdekani Aurel Plasari, i cili donte të merrte në punë një tjetër në vend të Blendi Fevziut, çoi fjalë në zyrat qeveritare se Fevziu shkruante me pseudonim në shtypin opozitar, kundër Presidentit Berisha dhe qeverisë së PD, ndonëse ishte drejtor në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kështu që Blendi nuk u bë pedagog në atë kohë.
Kur Fevziu shkoi në Vlorë, në prill 1989, për të bërë reportazhin për Enver Hoxhën, që do të botohej në gazetën “Zëri i Rinisë”, kryeredaktori i gazetës “Studenti”, Arben Muka i dha porosi që të intervistonte shkrimtarin Shefqet Tigani, i cili banonte atje.[vii] Fevziu në fillim mendoi se kjo ishte një nga ato shakatë që u bëheshin në redaksitë e gazetave bashkëpunëtorëve të rinj si ai, do të thotë mendoi se Shefqet Tigani nuk ishte një emër real, por ishte një emër i shpikur, aq më tepër që mbiemri ngjante qesharak. Kështu, Fevziu mendoi se kur ai të shkonte në Vlorë dhe të kërkonte shkrimtarin Shefqet Tigani, me të do të qeshnin të gjithë, dhe po kështu do të ndodhte edhe kur të kthehej në Tiranë. Nuk përjashtohej që pas kësaj t’ i mbetej nofka “Tigani”. Blendi Fevziu, pa i treguar gjë Arben Mukës, shkoi dhe u ankua tek sekretari i Komitetit të Rinisë të Universitetit, Kosta Barjaba, të cilit i tha se kryeredaktori i gazetës “Studenti” tallej me figurën e shkrimtarit e realizmit socialist. Kjo ishte një akuzë që, nëqoftëse në 1989 nuk sillte arrestimin e Arben Mukës,, mund t’ i sillte me siguri humbjen e vendit të punës. Kosta Barjaba as që kishte dëgjuar për një shkrimtar me emrin që i tha Fevziu. Kështu që e mbajti shënim atë që i tha Fevziu, dhe i tha se do të bisedonte “më lart”, siç thuhej në atë kohë në mënyrë evazive, çka nënkuptonte që nga zyrat e larta partiake, deri tek zyrat e Sigurimit të Shtetit. Fevziu u nis në Vlorë dhe atje, kur shkoi në ndërmarrjen bujqësore ku do të bënte reportazhin për gazetën “Zëri i Rinisë”, për të cilin do të flas më tutje, rastësisht i ndodhi që të takohej me shkrimtarin Shefqet Tigani, i cili kishte shkuar atje për një bisedë me nxënësit e shkollës së mesme. Fevziu mendoi se kjo nuk ishte gjë tjetër veçse vazhdim i shakasë që, sipas mendjes së tij, kishte nisur t’ ia bënte në Tiranë Arben Muka, prandaj nisi të bënte shaka me shkrimtarin Shefqet Tigani, duke i thënë se kur e kishte marrë këtë mbiemër, dhe se mos ia kishin vënë me telefon nga Tirana.
Por Shefqet Tigani ishte një person real. Ai ishte me origjinë nga Peja e Kosovës, dhe banonte në Vlorë, ku punonte si mësues në fshatrat e këtij rrethi. Shefqet Tigani kishte botuar tregime dhe novela në gazetat dhe revistat letrare qendrore, si dhe libra. Shefqet Tigani u nervozua shumë me Blendi Fevziun dhe i përplasi në kokë disa numra të revistës letrare “Nëntori” që i kishte me vete, dhe ku qenë botuar tregime të tij, si dhe një libër të tij. Shefqet Tigani nuk deshi t’ i linte gjërat me kaq dhe deshi ta rrihte Blendin, por këtë e shpëtoi drejtuesi i vatrës së kulturës të fshatit, i cili e tërhoqi Blendin në vatrën e kulturës, ku i tregoi prova të tjera se Shefqet Tigani ishte shkrimtar. Pas kësaj Blendi Fevziu shkoi i kërkoi të falur Shefqet Tiganit dhe e bëri intervistën me të. Tani problemi i Blendi Fevziut ishte si ta bënte Kosta Barjabën që të mos vazhdonte të merrej me denoncimin që kishte bërë ai ndaj Arben Mukës. Fevziu u përpoq të lidhej në telefon me Kostën Barjabën nga fshati ku gjendej në Vlorë, por nuk ia arriti dot.
Intervistën tjetër Fevziu arriti që t’ ia merrte Nasho Jorgaqi, i cili ishte pedagogu i tij në Fakultet, ku pikërisht në atë kohë, në vitin e dytë të studimeve, i jepte lëndën e letërsisë së periudhës së Pavarësisë. Për këtë intervistë do të flas gjerësisht më tutje. Ndonëse Blendi Fevziu, tashmë kur prej disa vitesh e bën emisionin katër herë në javë dhe nuk le temë pa diskutuar, që prej ëndrrave deri tek seksi, ai nuk ka bërë kurrë një emision për gazetën “Studenti”. Fevziu nuk e ka ftuar kurrë për një intervistë në emisionin e tij Arben Mukën. Blendi Fevziu kur ishte student nuk e hiqte nga goja shkrimtarin Nasi Lera, të cilin e njihte se kishte qenë nxënës bashkë me të atin. Fevziu u mburrej shokëve se njihte një shkrimtar, duke u thënë: Nasi Lera tha këtë, apo Nasi Lera tha atë. Sot Fevziu nuk e fton kurrë Nasi Lerën në emisionet që bën për letërsinë apo për përkthimet, ndonëse Nasi Lera është përkthyes shumë i mirë.


23.
Incidenti i Fevziut me Nasho Jorgaqin për biografinë e Qemal Stafës

Në prill 1989, Fevziu vendosi të intervistonte Nasho Jorgaqin për gazetën “Studenti”. Një nga arsyet për të cilat Fevziu e bënte këtë gjë pikërisht në atë kohë ishte se pas dy muajsh ai kishte provim me Nasho Jorgaqin, i cili jepte në Fakultet lëndën e Letërsisë shqipe të periudhës së pavarësisë. Në intevistën me Nasho Jorgaqin, Fevziu e ka vënë emrin i pari. Si titull të intervistës Fevziu zgjodhi fjalët e Nasho Jorgaqit “Kryesorja është të gjesh vetveten në art”[viii], një gjetje kjo që bart ironi, se kryevepra e Nasho Jorgaqit në art, ishte romani voluminoz sigurims “Mërgata e qyqeve”. Është kureshtare renditja që iu bën Fevziu atributeve të Nasho Jorgaqit, në hyrje të intervistës, kur thotë për të se është:
njëkohësisht prozator dhe biograf, studiues i letërsisë dhe publicist.[ix]
Kështu, Fevziu e quajti Nasho Jorgaqin “biograf”, para se ta quante studiues të letërsisë, kur kjo e dyta qe fusha kryesore e Jorgaqit, dhe ishte detyra e tij akademike. Por duket se Fevziu dhe Nasho Jorgaqi bisedonin kryesisht për çështje biografike. Fevziu mendonte se intervista do t’ i pëlqente shumë Nasho Jorgaqit dhe me të do të siguronte notën dhjetë në provimin që kishte për të dhënë me të dy muaj më pas. Ditën që doli gazeta në qarkullim, Fevziu dhe Blushi dolën ta presin profesor Nashon tek hyrja e Fakultetit për t’ i dhënë gazetën. Por Nasho Jorgaqi e pati lexuar gazetën para se t’ ia jepnin ata të dy dhe qe zemëruar shumë se në hyrje të intervistës ata e patën quajtur librin e Nasho Jorgaqit “Qemal Stafa”, me të cilin Nashoja mburrej dhe mburret veçanërisht edhe sot, si “biografi letrare”[x]. Madje, edhe në pyetjen që i kishin bërë Nashos për librin “Qemal Stafa” kishte një ndryshim. Pyetja në trajtë komenti ishte bërë:
Më vonë botuat edhe novela të tjera, për t’ i befasuar pastaj lexuesit me biografinë letrare “Qemal Stafa”…[xi]
Në këtë fjali ishte shtuar fjala “letrare”. Fevziu e pati shtuar këtë fjalë kur po e rishikonte tekstin e intervistës dhe këtë cilësim e pati bërë thjesht nga injoranca, jo me të keq. Por Nashoja u prek në një pikë delikate të tij, dhe u zemërua shumë se kështu dilte që biografia ishte trillim. Nasho Jorgaqi, kur i pa dy studentët tek hyrja e Fakultetit e kuptoi se përse kishin dalë, dhe vendosi të sillej si Manush Kelmendi, alias Isuf Mullai, heroi i romanit të tij sigurims “Mërgata e Qyqeve”, pra t’ i fshihte përshtypjet e tij.
Nashoja e mori gazetën që i ofruan të dy studentët, i falenderoi, dhe pastaj i pyeti me një ton që tregonte se detaji që po përmendte nga intervista, e kishte kënaqur veçanërisht.
-More djem, të fortë jeni, veçanërisht ai të cilit i shkoi ndërmend që të thotë “biografi letrare” për librin “Qemal Stafa”! Cili nga ju të dy e pati këtë ide?
-Unë profesor Nashoja?- Tha me krenari Blendi Fevziu.
-Ashtu, ti na qenke! -tha Nasho Jorgaqi, duke e ndryshuar në moment tonin, që i mori nota kërcënuese, dhe shtoi: Epo, e mendova unë, nipi i profesorit tim të adhuruar, Dhimitër Shuteriqi, i cili më ka marrë përdore në rrugën e letërsisë, nuk mund ta bënte këtë gabim ideologjik?
-Si gabim ideologjik, profesor Nashoja? Ç’ gabim ideologjik ka këtu?- Tha Fevziu i zverdhur.
-Ke të drejtë, këtu nuk ka gabim, këtu ka krim, krim kundër Partisë dhe pushtetit popullor, -tha Profesor Nashoja. – E di ti more Bilbil, apo si e ke emrin…
-Blendi, profesor…
-E di ti more Blendi, se reaksionarët e arratisur jashtë vendit, ata mërgata e qyqeve, kur unë botova biografinë e Qemal Stafës thanë se ky nuk ishte një libër biografik i bazuar në dokumente, por një biografi letrare, domethënë trillim, apo fiction, siç thuhet në gjuhën e Perëndimit dekadent? E di ti more djalë, se me këtë që ke bërë ti, lexuesi do të mendojë se unë e pranoj që kam shkruar një biografi letrare, se këtu unë nuk të korrigjoj ty në përgjigjen time. Shiko sa të qarta janë fjalët e mia,- vazhdoi Nasho Jorgaqi duke lexuar përgjigjen e tij në gazetë:
Qemali ishte heroi më i dashur i fëmijërisë dhe i rinisë sime. Unë isha i magjepsur nga ai. Prandaj sapo nisa të gjurmoj për jetën e tij, nuk e kisha veten në dorë. Me tërë ato që dëgjoja dhe mblidhja mund të shkruheshin dhjetra tregime, mund të shkruhej edhe roman (unë i kisha menduar këto), por Qemali do të humbiste në qoftë se nuk tregohej për të në gjuhën e dokumentit. Dokumenti nuk është vetëm material i gjallë por në rast se di ta trajtosh, ai ka plot vlera emocionale dhe estetike. Me këtë vepër ndjeva afërsinë shpirtërore me letërsinë dokumentare dhe tani kuptoj se gjithë krijimtaria ime qendron mes artit dhe studimit, ndërmjet përpjekjes për ta dhënë një gjë bukur dhe saktë.[xii]
-E kupton ti se çfarë do të thotë “letërsi dokumentare”,- tha Nasho Jorgaqi duke i rënë gazetës me pëllëmbën e dorës, dhe shtoi: Kjo nuk ka të bëjë me trillimin letrar. Letërsi dokumentare do të thotë literaturë dokumentare. Të shkruash “letërsi dokumentare” nuk do të thotë se ke shkruar një biografi letrare. Kjo hyn në zhanrin e romanit historik. Por këtu nuk është fjala për një lajthitje studentore, se është marrë një tezë e reaksionarëve me të cilën më kanë luftuar mua për 20 vjet. Habitem me ty, djali i Kiços sesi lejon që emri tënd të keqpërdoret në gazetë nga njerëz që punojnë në prapaskenë.
Ben Blushi nuk dinte ç’ të thoshte. Nashos befas sikur iu ndez një llampë në tru. Duke qenë se prof. Nashoja kishte shumë njohuri nga historia, atij befas i bëri përshtypje mbiemri i studentit, “Fevziu” dhe tha:
-Fevziu, Fevziu, kaq herë jam matur të të pyes për këtë mbiemrin tënd. Si shumë i rrallë më duket. Tani që po shkruaj biografinë e Fan Nolit, kam ndeshur emrin e Bajram Fevziut. A ke lidhje me atë ti?
Blendi u hutua dhe u skuq se e kuptoi që kishte rënë në një mjeshtër. Kur Blendi iu përgjigj se e kishte gjyshin e nënës, prof. Jorgaqi, eksperti i zgjidhjes së enigmave të ndërlikuara në letërsinë sigurimse, e pa me hutim dhe e pyeti se përse mbante mbiemrin e dajës së nënës? Blendi u detyrua që t’ i thoshte se atë e kishte birësuar daja i nënës. Atëherë prof. Nashoja e pyeti se si e kishte emrin i ati i tij biologjik. Kur Blendi iu përgjigj se emri i babait ishte Hektor Bregasi, prof. Nashoja e pyeti se nga ishte me origjinë i ati. Përgjigjia e Blendit, se i ati ishte me origjinë nga Pogradeci, nuk e kënaqi Jorgaqin, dhe ai pyeti më thellë, se nga cili fshat ishte me origjinë. Blendi, i cili e dinte se me kë kishte të bënte, dhe se Jorgaqi mund të zbulonte gjithçka lehtë, u detyrua të thotë se i ati ishte me origjinë nga Starova.
-Aha, Starova e bejlerëve, - tha prof. Nashoja,- po nuk më thua more djalë, i kujt ishte babai yt atje në Starovë, si quhej gjyshi yt?
-Neki Starova,- iu përgjigj Blendi Fevziu me gjysmë zëri.
-Ama nipi i Neki bej Starovës qenke ti more djalë!- tha Nasho Jorgaqi duke tundur kokën i menduar.- Ëhë, qënke dhe stërnipi i Bajram Fevziut, që tradhtoi Fan Nolin në 1924. E ti sot në vitin 1989 më shkruan se libri im “Qemal Stafa” është biografi letrare. E shikon se si punon Reaksioni brez pas brezi, more nipi i profesor Dhimitër Shuteriqit!- iu drejtua Nashoja Ben Blushit.
Nasho Jorgaqi sinjalizoi, siç thuhej në gjuhën e kohës, deri në zyrat më të larta të regjimit komunist për këtë problem, por nuk gjeti mirëkuptim. Në ndërkohë, Nashoja bëri të vetmen gjë që kishte në dorë, e la në provim Fevziun për në vjeshtë. Por, para se Fevziu të paraqitej në provim, në vjeshtë, Nashos i erdhi sinjalizimi “nga lart”, se kjo çështje quhej e mbyllur, madje i bënë me dije në mënyra që Nashoja i kuptonte mirë se studenti Fevziu bënte shërbime më të mëdha se gabimet. Që prej atij momenti prof. Jorgaqi e mori me sy shumë të mirë këtë student të zellshëm, dhe më pas i tha se nëse do të diplomonte me një temë, ai ishte gati që të bëhej udhëheqësi shkencor i tij. Fevziu ishte i lumtur që ta bënte këtë gjë, me rekomandimin e prof. Nashos, i cili ligjëronte mbi letërsinë e periudhës së Pavarësisë, pra periudha letrare mes kohës së Rilindjes dhe asaj të Realizmit Socialist. Fevziu zgjodhi Konicën, për shkak se, siç i tha Fevziu prof. Jorgaqit, e ndjente se duhet të bënte luftën e klasave kundër një intelektuali borgjez që ishte dhe bej, për t’ ia shpërblyer Partisë dhe shokut Enver, që i dhanë atij, një djali nga një familje bejlerësh, të drejtën e studimit në Universitet.
Gjithsesi, Fevziu u hakmor në mënyrën e tij ndaj Nasho Jorgaqit duke mos e ftuar kurrë në emisionin e tij, ndonëse profesor Jorgaqi ende gëzon shëndet të mirë dhe është aktiv intelektualisht. Incidenti i Fevziut me Nasho Jorgaqin është i tillë që Fevziu mund të krenohej me këtë bëmë të tij, ta përmendte atë me të madhe pas vitit 1990, si një veprim prej disidenti të tij. Ndonëse Fevziu e bëri pa vetëdije këtë veprim, ai mund të kishte thënë fare mirë se e bëri me qëllim, në një moment guximi prej të marri, ashtu siç thotë se bëri kur i foli për Karl Marxin atij që po i priste me gërshërë pantallonat bluxhins amerikane. Fevziu nuk ka nguruar që ta përmendë këtë episod me Nasho Jorgaqin, nga modestia, se ai është mburrur për shumë gjëra të tjera të pabesueshme. Fevziu thjesht ka nguruar për shkak se do t’ i duhej të shpjegonte se përse ai nuk e pësoi në këtë rast.


24.
Incidenti i luftës së klasave, i Blendi Fevziut në shtëpinë e Shefqet Peçit

Intervistat e Blushit dhe Fevziut u ndërprenë në mënyrë tragjikomike, kur do të bëhej intervista me “poetin” Shefqet Peçi. Shkak u bë Fevziu, i cili i propozoi Blushit që të intervistonin Shefqet Peçin, ish-komandantin e njohur partizan, i cili kishte qenë zyrtar i lartë i regjimit komunist dhe tashmë që i kishte kaluar të tetëdhjetat, ishte anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, që jetonte në një vilë të madhe që u ishte konfiskuar “reaksionarëve”, dhe e kalonte kohën me vjersha, kujtime dhe duke u marrë me biografitë politike të njerëzve. Shefqet Peçi kishte maninë e vargëzimit dhe besonte se ishte dhe poet. Ben Blushi nuk donte që ta bënin këtë intervistë, se do t’ i duhej të qethte flokët. Shefqet Peçi ishte i dëgjuar për verejtjet që u bënte të rinjve që ndiqnin modën “borgjeze”. Nga Shefqet Peçi duhej pritur çdo gjë, edhe që të të jepte tridhjetë minuta kohë për t’ u qethur, dhe për t’ u paraqitur tek ai ushtarakisht pastaj, për të vazhduar intervistën. Por Fevziu kishte shumë dëshirë ta bënte këtë intervistë. Madje ai qe përgatitur shumë për këtë intervistë, lexoi librat me poezi të Shefqet Peçit, si dhe librat e tij me kujtime nga lufta, që ta befasonte këndshëm “komandantin lab” me njohuritë e tij. Më në fund Ben Blushi pranoi por i tha si me shaka se nëse Shefqet Peçi do t’ i dërgonte të qetheshin, atëherë ai Fevziu do të qethej zero, si ushtarët, si dënim që i futi në këtë situatë. Ky ishte kushti, dhe Fevziu pranoi. Por, ditën që shkuan për të bërë intervistën në shtëpinë e Shefqet Peçit, Fevziu i kishte qethur flokët që një ditë më parë si gardist i kuq kinez. Qethja sipas normës më strikte të modës revolucionare të regjimit komunist, që kishte bërë Fevziu, bënte që të binin edhe më tepër në sy, flokët “borgjezë” të Ben Blushit. Por fati e solli që Fevziut t’ i ishte rezervuar një e papritur në shtëpinë e Shefqet Peçit.
Kur Blushi dhe Fevziu shkuan në shtëpinë e Shefqet Peçit, në një zonë rezidenciale të zyrtarëve të lartë komunistë, në Tiranë, atje gjetën edhe Haxhi Lleshin, i cili kishte ardhur të vizitonte Shefqet Peçin. Sa pa Haxhi Lleshin, Fevziu u drodh si gomari që shikon ujkun, por nuk kishte çfarë të bënte. Shefqet Peçit, i cili pati qenë oficer në kohën e Monarkisë, dhe i dinte emrat e e krerëve të ushtrisë së viteve ‘20- ‘30, i bëri përshtypje mbiemri i Blendi Fevziut, dhe i tha këtij të fundit se ky ishte një mbiemër shumë i rrallë të cilin nuk e kishte ndeshur përveçse tek Bajram Fevziu, madje e pyeti se çfarë lidhje kishte me këtë të fundit. Blendi u ndodh ngushtë dhe u përpoq të dilte nga kjo situatë e vështirë duke thënë se nuk i njihte mirë lidhjet e ngatërruara familjare. Por Peçi dhe Lleshi, të cilët e kishin pasion hetimin e biografive, filluan të luajnë me Blendin si dy maçokë pleq dinakë të luftës së klasave, me një mi të njomë, naiv.[xiii]
-Ju more djem, Partia po u përgatit që të punoni në sektorin e propagandës, kështu që duhet të mësoni që të përdorni një armë të fuqishme të Partisë sonë, që është kërkimi në biografitë e njerëzve. Ja, ne do t’ u mësojmë sot me një shembull konkret si ta bëni këtë punë, - tha Shefqet Peçi, duke bërë sikur nuk e kuptonte se nëse ky kërkim dilte me sukses atëherë e pësonte njëri nga “djemtë”, dhe shtoi: apo jo shoku Haxhi?
-Patjetër, -tha Haxhiu,- a keni dëshirë t’ i mësoni këto marifete, çuna?
-Sigurisht shoku Haxhi,- u përgjigj vetëm njëri nga çunat, Ben Blushi.
Dhe Haxhi Lleshi, sa për t’ i dhënë një dorë në këtë lojë mikut të vet, Shefqet Peçit, i tha se mund të ndërtohej lidhja mes Blendit dhe Bajram Fevziut, nëse ajo ekzistonte, mjaft që djali të jepte të dhënat e duhura. Bajram Fevziu ka vdekur vetëm gjashtëdhjetë vjet më parë, shtoi Haxhi Lleshi, kështu që lidhja nuk është e largët.
Blendi Fevziu ishte në dilemë se e dinte se këta dy burra nuk mund t’ i gënjente, se mund të kishte pasoja të rënda. Por cilin emër të përmendte, atë të babait biologjik, apo atë të babait adoptiv? Nga pikëpamja e luftës së klasave ishte si midis Schillës dhe Karribdës. Nëse do të përmendte babain biologjik, atëherë ata do t’ ia nxirrnin shpejt emrin e Neki Starovës, dhe ai e merrte me mend se çfarë do të ndodhte në këtë rast. Nëse do të përmendte emrin e babait adoptiv, do t’ i nxirrnin të tjera gjëra. Gjithsesi, meqënëse atje ishte Haxhi Lleshi, Blendi e gjeti më me vend që të përmendte emrin e babait adoptiv. Kështu që Blendi, i zbehur, u përgjigj se babai i tij quhej Ali.
-Me cilën është martuar ky Aliu, si quhet nëna tënde,- pyeti Haxhi Lleshi.
-Prit Haxhi, të mbarojmë punë njëherë me linjën atërore,- tha Shefqet Peçi.
-Mund të ecim edhe paralel,- tha Haxhiu, të cilit nuk i erdhi mirë nga kjo vërejtje e Shefqetit, të cilin e kishte pasur vartës në Presidiumin e Kuvendit Popullor, se iu duk si cënim i autoritetit të eprorit.
-Nëna ime quhet Rezana,- tha Blendi krejt i hutuar, duke gjetur tek pyetja një shteg për t’ ju ikur sadopak linjave të rrezikshme të bisedës që hapnin pyetjet e atyre të dyve.
-Nga cila familje ishte Rezana, gruaja e Ali Fevziut?- Pyeti Shefqet Peçi.
-Rezana nuk ishte gruaja e Ali Fevziut, shoku Shefqet.- Iu përgjigj Blendi me një zë si në të qarë.
-Mor çun, a nuk na the ti se je djali i Aliut dhe se nëna tënde quhet Rezana?- Pyeti Haxhiu, që e ndjeu veten disi ngushtë nga toni i tjetrit.
-Shoku Haxhi, Aliu është daja i nënës time.- tha Blendi.
-Atëherë si ka ka ndodhur që ti je djali i dajës së pamartuar të nënës dhe i mbesës së tij?- Pyeti Haxhi Lleshi.
-Babai im quhej Hektor, - tha Blendi që e kuptoi se me përgjigjen e tij kishte krijuar një situatë absurde.
-Ti na the se babai quhej Ali?- tha Haxhi Lleshi dhe vështroi nga të tjerët,- apo jo?
-Sikur nuk e dëgjova të thotë Ali, -tha Shefqet Peçi që kështu gjeti rastin t’ ia marrë hakun Haxhiut për mënyrën si i foli pak më parë,- nejse vazhdojmë me këtë Hektorin.
-Ti shoku Shefqet je duke thënë që më bënë veshët mua kur e dëgjova të thotë Ali?- Pyeti Haxhi Lleshi me të keq.
-Jo o i uruar, -tha Shefqet Peçi, -po të jetë për të bërë veshët, kjo më ndodh mua që kam bateri. Po vazhdo e pyete tani për këtë Hektorin, meqënëse e nise.
Haxhiut i erdhi inat që Shefqeti ia la në derë edhe nisjen e këtij hetimi, që e kishte bërë vetë, megjithatë nuk i ktheu përgjigje dhe vazhdoi me Blendin. Haxhi Lleshi, i cili mendoi se babai i Blendit e kishte mbiemrin Fevziu, e pyeti:
-Tani na thuaj se si quhej babai i Hektor Fevziut?
-Jo i Hektor Fevziut, shoku Haxhi,- u përgjigj Blendi me një fije zëri, -i Hektor Bregasit.
-More djalë, na e bëre mendjen dhallë,- i tha Shefqet Peçi,- ti na the se e ke mbiemrin Fevziu, e tani po thua se je i biri i Hektor Bregasit?! Nuk po të marr vesh. Pse nuk quhesh Blendi Bregasi ti?
-Mua më ka adoptuar daja i nënës shoku Shefqet.- Iu përgjigj Blendi.
-E si quhej ky daja i nënës?- E pyeti Haxhi Lleshi.
-Ali Fevziu.- Ktheu përgjigje Blendi.
-Pra Aliu është babai yt adoptiv,- tha Haxhi Lleshi që i kishte mësuar mirë këto terma në Presidiumin e Kuvendit Popullor dhe shtoi: E dëgjon Shefqet, nuk më bënë veshët mua pak më parë.
-Si urdhëron, shoku Haxhi, ashtu është.- Tha Blendi Fevziu.
-Kurse Hektori është babai tënd natyral, burri i Rezanës.- Tha Haxhi Lleshi, i kënaqur që ia gjeti fillin lëmshit të ngatërruar gjenealogjik të Blendi Fevziut.
-Haxhi, më duket se dolëm nga shinat,- tha Shefqet Peçi,- ne po kërkojmë të dijmë për Bajram Fevziun, kështu që na duhet të ndjekim linjën e Aliut. Që të hyjmë prapë në shina, na thuaj se si quhej babai i Aliut, more djalë.
-Bajram,- u përgjigj Blendi.
-E mor djalë se na e more shpirtin, - i tha Haxhi Lleshi duke pshertirë,- pra Bajram Fevziu na paska qenë babai i dajës së nënës tënde, dhe gjyshi i nënës tënde. Tani na thuaj, çfarë e ke ti Bajram Fevziun?
-Kështu del se e kam stërgjysh,-murmuriti Blendi me një habi të shtirur, a thua se po mësonte një gjë të re. Për fatin e keq të Blendit të dy pleqtë e panë gjenealogjinë e tij si një mënyrë interesante për të shtyrë kohën, atje nën hijen e pjergullës, në oborrin e vilës së Shefqet Peçit. Ky i fundit tani donte të dinte se me kë qenë martuar fëmijët e Bajram Fevziut. Në fakt, Shefqet Peçi mendonte se kështu do të zbulonte lidhje të reja me familjet e mëdha të deklasuara.
-Nuk e di mirë,- u përpoq të bishtnonte Blendi, por dy “dacët” pleq të luftës së klasave, e patën kapur për bishti “miun” e deklasuar dhe ai nuk kishte nga të luante.
-Aliu, daja i nënës, me kë është martuar?- E pyeti Haxhi Lleshi.
-Nuk është i martuar,- tha Blendi si i lehtësuar.
-Fëmija tjetër i Bajram Fevziut del të jetë gjyshja tënde, nëna e nënës tënde, me cilin ishte martuar ajo? Pra si quhet gjyshi yt nga nëna?- Pyeti Shefqet Peçi.
-Ali,- u përgjigj Blendi me një fije zëri.
-Ali kush more djalë, - gërmoi Shefqet Peçi,- nuk e di mbiemrin e gjyshit?
-Ali Ypi,- tha Blendi Fevziu.
-Aha, Ypi,-tha Shefqet Peçi, -e mora vesh. Nipi i Xhafer Ypit që i dërgoi kurorën Viktor Emanuelit në 1939.
-Kurse vajza e Ali Ypit na është martuar me këtë, si ia the emrin babait tënd…-vazhdoi Shefqet Peçi.
-Hektor Bregasi, shoku Shefqet,- tha Blendi.
-Hm, “Bregasi”, “Bregasi”- po thoshte Shefqet Peçi sikur të ishte duke folur me vete, duke kërkuar në depon e kujtesës së tij të famshme për punë biografish.- Si quhej babai i këtij Hektorit, domethënë gjyshi yt?
-Neki,- u përgjigj Blendi.
-Neki…- përsëriti Shefqet Peçi dhe shtoi: Nga e keni origjinën juve?
-Nga Pogradeci,- tha Blendi Fevziu.
-Nga cili fshat?
-Nuk e di… - dredhoi Blendi.
-Por ky Nekiu çfarë pune ka bërë, me çfarë është marrë?- Vazhdoi të pyeste Shefqet Peçi.
-Ka marrë pjesë në Lëvizjen e Fierit, Zogu e dënoi me vdekje.- tha Blendi me krenari.
-Sikur nuk ka Neki Bregasi ndër të dënuarit me vdekje të Lëvizjes së Fierit,- tha Shefqet Peçi,- apo jo more Haxhi?
-As unë nuk di që të ketë, vetëm një Neki kishte ndër ta, Neki Starova…- tha Haxhi Lleshi, i cili ishte marrë me këtë çështje për shkak se në 1974 patën dashur të rehabilitonin Neki Starovën. Shefqet Peçi, i cili ishte më i mprehtë se Haxhiu, dhe e kuptoi se “në ç’ ferrë flinte lepuri”, tha duke i rënë ballit me dorë:
-Prit o Haxhi, se më duket se u ngatërruam me këmbët tona, dhe bëmë një gabim dialektik.
-Përse e ke fjalën? -tha Haxhi Lleshi i prekur, se iu duk që ish-vartësi ia cënoi përsëri autoritetin.
-Ky djali nuk na tha se gjyshi i tij quhej Neki Bregasi. Atë e nxorrëm ne si përfundim.- Tha Shefqet Peçi i kënaqur që ishte treguar më i zgjuar se Haxhiu në këtë lojë, dhe shtoi duke u kthyer nga Blendi: Si e mbante mbiemrin gjyshi more djalë?
Blendi e kuptoi se nuk mund të dredhonte më, se ata mund t’ ja merrnin për tallje, prandaj u përgjigj:
-Starova.
-Nipi i Neki bej Starovës qenke ti more djalë?- Ulëriu Haxhi Lleshi.
-Po,- belbëzoi Blendi.
Shefqet Peçi nuk e mbajti dot të qeshurën se iu duk shumë e bukur kjo histori. Të dy “dacët pleq” të luftës së klasave kishin arritur që ta mbërthenin edhe këtë herë “miun”.
-Ky është provokim që ma bëjnë Nexhmija dhe Ramizi,- tha Haxhiu, duke harruar se në ç’ rrethana u ballafaqua me nipin e Neki beut.- Të më dërgojnë mua nipin e vrasësit të babait. Tani kam gojë t’ u flas mirë, se deri më sot e mohonin se kanë ndonjë gjë me mua, dhe se më larguan nga posti i kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor se kujdesen për shëndetin tim.
-Prit o Haxhi se nuk ta dërguan ty por mua, ai erdhi të më marrë intervistë mua, e ti u ndodhe këtu.- Tha Shefqet Peçi.
-Ç’ rëndësi ka, -tha Haxhi Lleshi që kishte marrë zjarr,- nipin e Neki beut e dërgojnë t’ i marrë intervistë Shefqet Peçit, komandantit të Brigadës V Sulmuese. Jepja intervistën o Shefqet, se do të kthehet përmbys në varr Heroi i Popullit Kajo Karafili, që ia numëroi me nagant Neki beut! Do të kthehen përmbys në varre dëshmorët e Brigadës tënde! Për këtë luftuan e vranë ata o Shefqet, për këtë luftuam ne, që nipi i Neki beut, stërnipi i Xhafer Ypit, e kushedi se i kujt armiku tjetër që do të zbulosh po të gërmosh në biografinë e tij, të vijë këtu e të të marrë intervistë ty. Hajde o i nipi Neki bej Starovës, bëja pyetjet Heroit të Popullit, Shefqet Peçi! Cila është pyetja e parë: A e ke bërë ndonjë vjershë për Heroin e Popullit Kajo Karafili, shoku Shefqet? Hë more Shefqet, a do të më thuash se po bëj ndonjë gabim dialektik tani?
Sipas dëshmitarëve, Blendi, që po rrinte atje pa ditur ç’ të bënte, kishte lagur me urinë pantallonat bluxhins që ia kishte dërguar gjyshja nga Amerika. Ben Blushi po dëgjonte i habitur dhe i tmerruar. Shefqet ua bëri me shenjë dy studentëve që të largoheshin dhe ata ikën pa fjalë. Tek dera Ben Blushi u nda nga Blendi Fevziu pa i folur dhe ata pothuajse u nuk shoqëruan më të dy deri në dhjetor 1990, kur u ngarkuan një detyrë të posaçme. Pas zhurmës që bëri Haxhi Lleshi, botimi i intervistave të Blendi Fevziut tek gazeta “Studenti” u ndërpre, dhe me këtë rast e pësoi edhe Ben Blushi. Kur e pyesnin se përse u ndërprenë intervistat, Blendi Fevziu thoshte se tani nuk kishte kohë të merrej me intervista, se ishte duke shkruar një roman. Nëse Blendi kishte arsye për të heshtur për këtë incident, sa kohë ishte ende në fuqi regjimi komunist, është kërshërore heshtja e tij e mëvonshme. Blendit nuk i pëlqen që ta përmendë këtë përndjekje të tij të hershme si “gazetar”, nga ana e regjimit komunist. Kuptohet se përse. Atij nuk i pëlqen të përmendë detajet e incidentit të tij me Haxhi Lleshin në shtëpinë e Shefqet Peçit. Nëse një djali i ri, i deklasuar, i cili donte të bëhej shkrimtar, dhe që pas rënies së regjimit komunist do të shkruante në shtyp, si dhe do të botonte libra, do t’ i kishte ndodhur që t’ i nënshtrohej një gjyqi të luftës së klasave në shtëpinë e një prej drejtuesve më të njohur për zhvillimin e luftës së klasave, siç qe Shefqet Peçi, atëherë ky djalë me siguri që do të kishte shkruar për këtë eksperiencë personale dhe do ta përmendte atë shpesh. Kjo është një nga ato ngjarje për të cilat mund të shkruhej një libër i tërë. E megjithatë Blendi Fevziut nuk i pëlqen që ta përmendë një ngjarje të tillë.


25.
Reportazhi për Enver Hoxhën i Fevziut në gazetën “Zëri i Rinisë” në 1989

Ndonëse Blendi Fevziu ka folur dhe shkruar shumë për fillimet e tij në gazetari, ai nuk e përmend kurrë shkrimin e tij të parë në shtypin qendror të vendit. Ai përmend vetëm shkrimin e tij të parë në gazetën “Studenti”. Arsyeja bëhet e qartë nëse lexohet shkrimi i parë i Fevziut në shtypin qendror, që është një reportazh i botuar në gazetën “Zëri i Rinisë”, në prill 1989, e cila ishte një nga gazetat kryesore në Shqipërinë komuniste. Blendi Fevziu që në vitin e dytë të studimeve universitare u ngarkua nga gazeta “Zëri i Rinisë” që të bënte një reportazh në Vlorë, për të përshkruar frymën që ekzistonte në përvjetorin e katërt të vdekjes së Enver Hoxhës, në Ndërmarrjen Bujqësore “Rinia”, në Vlorë. Titulli i reportazhit të Fevziut është “Takim i paharruar”. Meqënëse Fevziu, 26 vjet pas botimit të këtij reportazhi u bë “biografi” i Enver Hoxhës, ia vlen që ky reportazh të sillet i plotë, në librin tim biografik për Fevziun. Ja se çfarë shkruan biografi i Enver Hoxhës në reportazhin e botuar në 8 prill 1989:
Përgjatë bregdetit, në të majtë të rrugës automobilistike që të çon në Ujin e Ftohtë, lartohen brezaret përherë të gjelbëra të NB “Rinia”. Ndërmarrja, si vetë emri dhe ata që punojnë aty, është ende e re, pa i mbushur 24 vjetët. 200 punëtorë iu ngjitën të parët kodrave pranë Ujit të Ftohtë majin e 1965-ës. Ishte aksioni i madh kombëtar për hapjen e tokave të reja. Bregdeti nisi të ndryshojë. “T’ u qepemi kodrave e maleve, t’ i zbukurojmë e t’ i bëjmë ato pjellore si dhe fushat”.- thoshte shoku Enver në Kongresin e 5-të. Dhe zjeu vendi nga brohoritjet e vullnetarëve. 2000 të rinj, studentë të Universitetit të Tiranës (nga të cilët 800 vajza), punuan gjatë vitit ’67-’68 në hapjen e brezareve në Jonufër. Më 1969 filluan mbjelljet, ndërsa një vit më vonë të katër sektorët u bashkuan në NB që mori emrin “Rinia”. 1300 ishin punëtorët e parë, me qindra të tjerë kanë punuar gjatë kësaj kohe aty.
Fotografitë nëpër stendat e korridoreve të drejtorisë flasin shumë. Tërheq vëmendjen një fotografi e shokut Enver me punonjës të saj, gjatë takimit të 23 marsit 1977. Është një nga ngjarjet më të bukura që e kujtojnë aq shpesh. Fytyrat e punonjësve pranë udhëheqësit, prej vitesh buzëqeshin krenarë nga fotografia. Dhe po të kërkosh të dish diçka më tepër për atë takim të gjithë do të përmendin emrin e Haziz Zyrtajt, ekonomist, një prej kuadrove më të vjetër të ndërmarrjes.
-Është dita më e bukur e jetës sime- tregon ai. E kujtoj shpesh dhe gjithmonë më duket e re. Na lajmëruan mesditën e 22 marsit, nuk e dinim që do të vinte vetë shoku Enver. Këtë e mësuam mbasdite. Punuam deri vonë. Në mëngjes erdhëm herët. Brigadat u shpërndanë në vendet e punës. Ne sikur nuk na mbanin dot orët. Prisnim që shoku Enver të qëndronte, poshtë në zyrat. Në orën 11.00 e pamë makinën që ndaloi sipër, tek sektori i Ujit të Ftohtë. Ai u fut vetë në mes të punëtorëve. Brigadat e mëposhtme u ngjitën me vrap lart. Drejtori nxorri letrat ta informonte.
-S’ ka nevojë për letra. Hajde bisedojmë një herë bashkë lirisht.
Na pyeti për familjet, për punën, për ullirin. Ngrohtësia dhe afërsia e tij na i largoi emocionet. Ndërprisnim njëri-tjetrin duke folur.
-M’ u bë qejfi që i pashë të rinjtë e të rejat si bleta mbi lule- na tha.- Kini kujdes me ullirin. Atij po nuk i bëre shërbim që të vogël mbetet rakitik, si fëmija.
Dhe nuk e harruam këtë. Folëm gjatë për të gjitha. Pothuaj dy orë. Ishte edhe shoqja Nexhmije.
-Të ardhurat nga ullinjtë, në qoftë se i bëhen me të vërtetë shërbimet e duhura kësaj bime kaq të vlefshme, do të jenë të mëdha- tha shoku Enver gjatë bisedës.
NB Ulliri, që tani është ndarë nga NB “Rinia” e ka kthyer këtë në moto. Kur shoku Enver vizitoi një vit më vonë Sarandën, në mitingun e Ksamilit dhe bisedën e Lukovës, foli përsëri për detyra të reja, për punën në të ardhmen.
NB “Rinia”, si një pjesë e atij gjerdani perlash bregdetare që vargëzohen nga Vlora në Sarandë, po i tejkalon detyrat e veta. Pas Plenumit të 7-të të KQ të PPSH zotimet janë rritur. Misër do të merret 250 kv mbi planin, grurë 170 kv, ullinj 150 kv, 200-300 kv agrume, 1.107.000 lekë fitim. Janë shifra e zotime të marra nga punonjës që fjalën e veprën e kanë një.[xiv]
Ky është reportazhi i Fevziut. Arsyeja për të cilën Fevziu nuk pëlqen që ta përmendë atë, nuk është se reportazhi ishte një tekst i shkruar sipas shablloneve propagandistike të regjimit komunist. As që mund të imagjinohet që Fevziu, ose çdokush tjetër i cili do të ngarkohej që të shkruante një reportazh të tillë, të kishte shkruar ndryshe në atë kohë. Madje, Fevziu mund ta kishte përmendur këtë reportazh në librin e tij për Enver Hoxhën, duke e sjellë si shembull të eksperiencës së tij të drejtpërdrejtë me makinerinë propagandistike të përbindshme që ndërtoi Enver Hoxha, e cila kërkonte ta mbushte humnerën mes jetës reale të njerëzve dhe utopisë zyrtare, me një lumë fjalësh të rreme. Por Fevziu nuk e ka bërë një gjë të tillë se ai është i vetëdijshëm që me biografinë politike familjare që kishte, atij normalisht nuk mund t’ i jepej e drejta për të botuar në gazetën “Zëri i Rinisë”, e aq më pak një reportazh për Enver Hoxhën. Në atë kohë kryeredaktorët e gazetave dhe revistave tregonin një kujdes të jashtëzakonshëm veçanërisht për autorët që do të botonin shkrime për Enver Hoxhën. Nëse një njeri me biografi të keqe politike shkruante për Enver Hoxhën, atëherë nga kjo gjë mund ta pësonte kryeredaktori dhe të tjerë në gazetë apo revistë. Remzi Lani nuk mund ta ngarkonte Blendi Fevziun të shkruante një reportazh për Enver Hoxhën, pa qenë i sigurt se ai kishte biografi të përshtatshme politike. Është e vërtetë se në 1989 fryma e luftës së klasave ishte zbutur disi, por jo në atë masë sa një njeri me biografinë politike të Blendi Fevziut të shkruante një reportazh për Enver Hoxhën.
Para se ta ngarkonte Fevziun me këtë detyrë, Remzi Lani ishte dashur ta pyeste studentin Blendi Fevziu për familjen e tij, babain, nënën, duke ia bërë të qartë edhe se ata që shkruanin për “shokun Enver” duhet të qenë me përbërje të mirë politike. Fevziu nuk do të kishte guxuar të gënjente se e dinte që do të kishte pasoja të rënda nëse e bënte këtë. Emri i tij do të dilte në gazetë, dhe ata që e dinin historinë e tij familjare do të shkruanin letra në zyrat e larta të regjimit komunist, duke bërë të ditur gjithçka. Por Remzi Lani kishte një rekomandim për Fevziun nga zyrat sekrete të regjimit se këtij djaloshi duhej t’ i ngarkohej të bënte një reportazh për shokun Enver, si shpërblim për punët që kishte bërë ai.
Remzi Lani ka qenë i ftuar shumë herë në emisionin televiziv të Blendi Fevziut për çështje të ndryshme, dhe për ato të medias. A nuk ishte dashur që Fevziu, natyrshëm, ta kishte përmendur ndonjëherë gjatë këtyre emisioneve se Remzi Lani ka qenë kryeredaktori që ka botuar shkrimin e tij të parë në shtypin qendror? Fevziu nuk e ka bërë asnjëherë këtë gjë dhe nuk i ka rezervuar Remzi Lanit kohën e plotë televizive të emisionit të tij, për një intervistë ku Lani të rrëfente gjerësisht edhe veprimtarinë e tij si kryeredaktor i “Zërit të Rinisë”. Nëse rrëfimi i Remzi Lanit në një emision të tillë do të kishte qenë i sinqertë do të ngjante si ai i Preç Zogajt, në prill 2011, për të cilin kam folur më lart në këtë libër. Natyrisht se në jetën dhe karrierën e Remzi Lanit nuk do të ndryshonte asgjë nëse ai do të pranonte se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Më tepër se Remzi Lanin, kjo do të dëmtonte të tjerë njerëz, si Blendi Fevziun, se do të zbulohej se cila qenë forcat që e kishin promovuar atë në atë kohë.
Një i deklasuar si Blendi Fevziu mund ta arrinte këtë gjë vetëm nëse kishte mbështetjen e zyrave të posaçme të diktaturës komuniste, do të thotë nëse ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Në intervistën që dha për Ilva Tare në emisionin “Tonight” të kësaj të fundit, në RTV Ora News, në 20 dhjetor 20011, Fevziu, duke rrëfyer eksperiencën e tij të parë si gazetar në gazetën “Studenti”, në kohën që ishte student për gjuhë-letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës, në vitet 1987-91, tha:
Nuk kisha asnjë plan për t’ u bërë gazetar dhe e kam thënë disa herë, dhe shumë prej shokëve të mi, për të cilët mund të flas nuk kishim një model në gazetari.
Nëse Blendi Fevziu nuk kishte asnjë plan për t’ u bërë gazetar në atë kohë, atëherë përse bëri gjithçka që gazeta “Zëri i Rinisë” ta ngarkonte të shkruante një reportazh për Enver Hoxhën, në vitin e dytë të studimeve universitare, në 1989? Se kryeredaktori i gazetës “Zëri i Rinisë” nuk e pati nga mendja e vet idenë që ta ngarkonte Blendi Fevziun me shkrimin e këtij reportazhi.


26.
Mentorët intelektualë të rinisë së Fevziut: nga Nasho Jorgaqi, Aurel Plasari, Preç Zogaj, tek heshtja për Jusuf Vrionin

Blendi Fevziu, ndonëse në shkrimet dhe intervistat e tij ka përmendur shumë ngjarje nga fëmijëria dhe rinia e tij, nuk ka folur asnjë fjalë për ata të cilët kanë qenë mentorët intelektualë të tij, për njerëzit që ndikuan në formësimin intelektual të tij. Nuk mund të thuhet se prindërit e tij të cilët patën diplomuar të dy për gjuhë dhe letërsi shqipe, të kenë ndikuar shumë në formësimin intelektual të tij, aq më tepër në dëshirën e tij për t’ u bërë shkrimtar. Se të dy ata nuk kishin ndonjë vokacion për letërsinë. Pas vitit 1990, as i ati dhe as e ëma e Blendit nuk botuan qoftë edhe një libër të vetëm me poezi ose tregime, ndonëse kishin mundësi financiare që ta bënin këtë gjë. Fevziu nuk përmend asnjë mësues të shkollës tetëvjeçarë, apo të mesme, që të ketë ndikuar tek ai, siç ndodh në përgjithësi me njerëzit që shkruajnë letërsi. Njeriu që ka ndikuar më së shumti në formësimin e Blendi Fevziut pas moshës 14 vjeç ka qenë Aurel Plasari. Qëkurse Fevziu erdhi në Tiranë, në 1983, ai ishte vizitor i shpeshtë dhe i rregullt i shtëpisë së Aurel Plasarit, në pallatin që është në krah të vilës që sot është selia e Nunciaturës Apostolike të Selisë së Shenjtë, domethënë Ambasadës së Vatikanit. Aurel Plasarit iu lejua që të mbante apartamentin prej tre dhomash në qendër të Tiranës, pas vdekjes së të atit, ndonëse ishte i pamartuar. Në atë kohë ndodhte rëndom që kur një njeri mbetej i vetëm në zotërim të një apartamenti të tillë, atij i merrej ai dhe i jepej një dhomë e vetme, ose e shumta një apartament me dy dhoma. Me Aurel Plasarin nuk ndodhi kështu. Ky privilegj mund të bëhej vetëm për shkak të marrëdhënies speciale me regjimin.
Kjo gjë ndodhte se apartamenti i Aurel Plasarit përdorej si qendër për veprime speciale. Kjo gjë kamuflohej duke bërë Aurel Plasari në shtëpi kurse private me pagesë për mësimin e gjuhës italiane. Edhe kjo ishte një gjë që regjimi ua lejonte njerëzve të caktuar. Kështu në shtëpinë e Aurel Plasarit, në qendër të Tiranës, mund të hynin e të dilnin njerëz të caktuar, të moshave të ndryshme, pa u krijuar dyshime tek fqinjët. Blendi Fevziu ishte një nga ata që shkonin në shtëpinë e Aurel Plasarit për të mësuar italisht me pagesë. Fevziu nuk e ka shpejguar kurrë se kur dhe si e ka njohur Aurel Plasarin, i cili u bë redaktor i librit të tij “Enver Hoxha”. Disa vite më parë, Blendi Fevziu thoshte se Aurel Plasarin e ka njohur, në fillim të viteve tetëdhjetë, në ditët e fundit që ky kalonte në bordurat, në anë të bulevardit të madh të Tiranës. Në 1983, kur Fevziu erdhi në Tiranë, Aurel Plasari ishte 28 vjeç. Ndryshimi në moshë mes tyre ishte shumë i madh për të lidhur një miqësi bordurash. Gjithsesi, Aurel Plasari mund të quhet instruktori i Fevziut për jetën kryeqytetase. Plasari i mësoi Fevziut si të sillej me djemtë e bordurave, si të bëhej interesant për ta, dhe t’ i bënte ta kërkonin shoqërinë e tij, duke qarkulluar tek ta ndonjë libër të ndaluar, jo të lodhshëm, si “Tre shokët”, të Remarkut, që pëlqehej shumë nga rinia e kohës. Ironia e rrethanave e solli që Blendi Fevziu të niste studimet universitare për gjuhë dhe letërsi-shqipe, në 1987, atëherë kur Aurel Plasari ende nuk i kishte përfunduar ato, kështu që Fevziu dhe Plasari takoheshin shpesh edhe në fakultet, se Plasari u diplomua vetëm në 1990, kur Fevziu ishte në vitin e fundit të shkollës së lartë. Në librin “Enver Hoxha” Fevziu konfirmoi faktin e njohur nga disa njerëz, se Aurel Plasari ishte dhe është mentori, apo tutori i tij intelektual.
Derisa Blendi Fevziu në librin e tij “Enver Hoxha” ka falenduar Aurel Plasarin, ai ka nguruar që të falenderojë biografin e parë që ka njohur në jetën e tij, dhe që ka qenë njëherësh mentori tjetër i hershëm intelektual i tij, prof. Nasho Jorgaqi, të cilin e ka pasur pedagog në Universitet. Nasho Jorgaqi ka qenë udhëheqësi shkencor i Blendi Fevziut në temën e diplomës, në vitin 1991. Blendi Fevziu shkruan në një autobiografi të tij, të botuar në vitin 1992, në librin me bashkëautorësi, me Ben Blushin, “100 ushtarë”:
Në 1991 u diplomova me Faik Konicën.[xv]
Në një biografi që jepet sipas të dhënëave të Blendit Fevziut, me rastin e një interviste që ai i ka dhënë gazetës “Studenti” në 24 dhjetor 1991, thuhet:
Sivjet u diplomua me punimin “Veçori të stilit në veprën e Faik Konicës”.[xvi]
Deri më sot, Fevziu nuk e ka botuar tekstin e temës së tij të diplomës, as si libër më vete, ndonëse ai ka botuar dy libra-broshura në vitet nëntëdhjetë. Në të vërtetë tema e diplomës e Blendi Fevziut për publicistikën e Konicës u shkrua në dy versione të ndryshme, një para dhjetorit të vitit 1990 dhe një pas tij. Deri në dhjetor të vitit 1990 Fevziu shkruajti versionin sipas të cilit Konica ishte një bej reaksionar, një reaksionar hipokrit, një imitues i stilit ekstravagant të publicistikës borgjeze franceze dhe angleze. Pas ndryshimeve politike në vend, në dhjetor 1990, Fevziu nisi të shkruajë një tekst tjetër, një idolatri për Konicën.
Blendi Fevziu sigurisht se ka biseduar me prof. Nasho Jorgaqin në kohën kur shkruante librin “Enver Hoxha”. Ndonëse i ka kaluar të tetëdhjetat, prof. Jorgaqi ka shëndet të mirë, dhe është aktiv në jetën sociale e kulturore. Aq më tepër që edhe shtëpinë e ka fare afër asaj të Fevziut. Prof. Jorgaqi është një njohës i mirë i kohës së komunizmit në Shqipëri, aq më tepër që ai ka pasur lidhje të mira me nomenklaturën e lartë komuniste. Prof. Nasho Jorgaqi ka qenë romancieri zyrtar i Sigurimit të Shtetit, duke qenë autori i librit më të famshëm të letërsisë sigurimse, atij “Mërgata e qyqeve”, i cili bazohet mbi të dhënat e marra drejtpërdrejt nga Sigurimi i Shtetit. Me prof. Nashon, Fevziu duhet të jetë këshilluar edhe në cilësinë e biografit, se Jorgaqi ishte njeriu të cilit iu besua shkrimi i biografisë më të rëndësishme që u botua në kohën e regjimit komunist, asaj të Qemal Stafës, e botuar së pari në 1964, dhe e ribotuar e përpunuar në 1970, nën kujdesin personal të Nexhmije Hoxhës. Madje, prof. Jorgaqit, pasiqë e kreu me sukses këtë mision, iu kërkua që të punonte edhe për një biografi të Enver Hoxhës, por i garantuar botimin e saj. Enver Hoxha ishte në dilemë nëse duhej të shkruhej një biografi e tij ose jo. Duke vazhduar të bëjë punën e biografit, Nasho Jorgaqi është autor i biografisë në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, i redaktorit të librit “Enver Hoxha” të Fevziut, Aurel Plasarit.[xvii] Në kohën e diktaturës komuniste Nasho Jorgaqi ka qenë një lloj tutori i të rinjve intelektualë, të cilët regjimi i përgatiste për misione speciale. Fevziu thotë në autobiografinë e tij, të cituar më lart:
Në gjimnaz nisa të shkruaj tregime, në fakultet nisa të botoja.[xviii]
Ajo që nuk e thotë Fevziu në autobiografinë e tij, është se ai nisi të shkruante tregime me temë nga veprimtaria e Sigurimit të Shtetit, i frymëzuar nga librat e prof. Nasho Jorgaqit. Që në ditët e para të shkollës, në fakultet, në 1987, Fevziu iu drejtua prof. Nasho Jorgaqit duke mbajtur në dorë librin në dy vëllime të këtij të fundit, “Mërgata e qyqeve”, kryevepra e letërsisë sigurimse të realizmit socialist, dhe i kërkoi një autograf.
Një herë, gjatë kohës që Fevziu bënte studimet universitare për gjuhë-letërsi shqipe, një pedagog i letërsisë shqipe të realizmit socialist u la si detyrë studentëve që të përzgjidhnin tregimin që u pëlqente më shumë nga kjo letërsi dhe të shpjegonin përse u pëlqente. Fevziu zgjodhi tregimin e Nasho Jorgaqit “Lufta e klasave”. Në këtë tregim, Jorgaqi rrëfen historinë e një të riu komunist në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist. Ky i ri komunist, merr përsipër që të ndërhyjë pranë autoriteteve komuniste që një tregtari fqinj me të t’ i uleshin tatimet e jashtëzakonshme të luftës, me të cilët ngarkoheshin në atë kohë tregtarët dhe biznismenët, në përgjithësi. Të ashtuquajturat “tatime të jashtëzakonshme për fitimet e luftës” qenë konceptuar si mënyra djallëzore për të shpronësuar tregtarët dhe prodhuesit në përgjithësi, në një kohë që ligjet e nxjerra nga regjimi i ri njihnin ende të drejtën e pronës dhe të sipërmarrjes së lirë. Atyre që nuk paguanin të gjitha tatimet e jashtëzakonshme që u kërkoheshin, u konfiskohej pasuria që kishin. Vetë titulli i tregimit të Nasho Jorgaqit na kumton se qëllimi i tatimeve të jashtëzakonshme të luftës ishte lufta e klasave. Tregtari në fjalë kërkoi ndihmën e personazhit kryesor të tregimit, vetëm pasiqë i erdhi tatimi i jashtëzakonshëm për herë të shtatë. Në tregim, “shoku Jorgji”, zyrtari kryesor komunist i qytetit, e qorton personazhin kryesor për zbutje të luftës së klasave, dhe ai e merr këtë si një mësim të cilin nuk e harroi gjithë jetën. Tregimi mbyllet kështu:
Në fund nuk dua të le pa kujtuar që fqinji im jo vetëm që e pagoi tatimin e shtatë, po pagoi edhe të tjera. Nxorri edhe floririn që kishte fshehur në kopshtin që ndante shtëpitë tona.[xix]
Pra, qëllimi ishte shpronësimi i këtij personi nga ari që zotëronte. Arsyeja për të cilën Fevziu zgjodhi këtë tregim, është e njëjtë me arsyen për të cilën ai u bë tifoz i “Dinamos”. Përse Fevziu ka nguruar ta shënojë emrin e prof. Jorgaqit në listën e gjatë të emrave të atyre që i falenderon në librin për Enver Hoxhën? Fevziu natyrisht se e ka lexuar me shumë vëmendje librin e mikut të tij, Nafiz Bezhani, “Mëkatarë”, ku në vëllimin e parë ka një kapitull me titullin “Dragoi”.[xx] Në këtë kapitull tregohet për një bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit, me pseudonimin “Dragoi”, të cilin autori e quan me emrin e rremë Robert Duka. Bezhani jep të dhëna aq të hollësishme për “Dragoin” sa nuk është i vështirë identifikimi i tij. Natyrisht se Bezhani, si jurist, dhe zyrtar, ka llogaritur se libri mund të bëhej shkak që ai të kallëzohej penalisht për shpërdorim detyre, duke qenë se kishte qenë zyrtari më i lartë përgjegjës për ruajtjen e sekretit të dosjeve të Sigurimit të Shtetit, që do të shqyrtoheshin nga Komisioni për Kontrollin e Figurës së zyrtarëve. Prandaj, Bezhani ka bërë një truk duke e futur emrin e vërtetë të “Dragoit” në listën e personave që ai i kishte ndjekur! Kështu “Dragoi” do të bëhej qesharak në gjykatë. Blendi Fevziu e ka kuptuar se cilit person real i përshtaten të dhënat që që jep Bezhani nga dosja e “Dragoit” i përshtaten një njeriu të cilin Blendi Fevziu e njeh shumë mirë. Mentori tjetër intelektual i Fevziut ka qenë Preç Zogaj, të cilin Fevziu e ka njohur që në kohën kur ishte student. Zogaj shkruan në një libër të tij me kujtime:
Në dhjetor të vitit 1990, kur isha mbyllur në shtëpinë time në shoqërinë e dorëshkrimit të pabotueshëm “Pa histori” që e mendoja një kryevepër pa stil, miku im Blendi Fevziu, student në atë kohë, më çoi fjalë se “kishte plasur në universitet” dhe se duhej të ngjitesha atje.[xxi]
Zogaj nuk e shpjegon se si ishte krijuar kjo miqësi mes një 34 vjeçari si ai, dhe studentit 21 vjeçar Blendi Fevziu. Zogaj atëherë ishte një poet që kishte bërë njëfarë emri, duke botuar disa libra, dhe në atë kohë punonte si redaktor i prozës së shkurtër në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Fevziu ishte një student, i cili nuk i kishte botuar krijimet e tij letrare kurrkund përveç tek gazeta “Studenti”. Pra, kjo miqësi ngjan enigmatike. Fevziu nuk ka rrëfyer sesi është krijuar kjo miqësi. Zogaj, nga ana e tij, në rrethana të caktuara, ka bërë një rrëfim të sinqertë të bashkëpunimit të tij me Sigurimin e Shtetit, që në vitet e shkollës së mesme. Nëse Zogaj do ta vazhdojë këtë rrëfim, ai do të na zbulojë se edhe “miqësia” me Fevziun ishte pjesë e kësaj veprimtarie të tij. Fevziu ka qenë një nga nxënësit e Zogajt. Sot Preç Zogaj është një nga njerëzit që është më së shumti i ftuar në emisionin e Fevziut, ku ka një kontratë të privilegjuar. Ndonëse Zogaj ka një talent në oratori, përsëri nuk mund të thuhet se miqësia e hershme enigmatike e të dyve, nuk ndikon në praninë e privilegjuar të Zogajt në panelet e emisionit të Fevziut. Që herët, Blendi Fevziu e ka quajtur Preç Zogajn si modelin e tij të gazetarit. Në një intervistë që Fevziu i ka dhënë gazetës “Studenti” në 24 dhjetor 1991 ai u pyet:
Meqë jemi këtu, cilët janë modelet e gazetarisë suaj?[xxii]
Përgjigjia e Fevziut ishte:
Gazetaria është si një foshnjë njëvjeçare. Në periudhën e diktaturës nuk mund të bëhej fjalë për modele. Më pas, ata me të cilët punova së pari në RD, Preç Zogaj, ndoshta gazetari më i mirë i Shqipërisë, pastaj Frrok Çupi që e sjell ndërmend gjithmonë ashtu siç e kam parë herën e parë: I vetëm mbi tavolinën e ndotur mbi gëlqere, në këmbë, në dhomën bosh, duke përgatitur numrin e parë të RD-së.[xxiii]
Ky është rasti i parë dhe i fundit që Blendi Fevziu shprehet për një model të vetin shqiptar në gazetari, dhe ai zgjedh Preç Zogajn. Ironia këtu është se Preç Zogaj nuk kishte eksperiencë si gazetar më tepër se Blendi Fevziu. Preç Zogaj kishte shkruar kryesisht për letërsi para se të shkruante tek “Rilindja Demokratike”. Sa për numrin e parë të gazetës “Rilindja Demokratike”, duke konsideruar se ai u bë nga gazetarë profesionistë, ishte një katastrofë e vërtetë, dhe e gjithë kjo ishte e qëllimshme.
Është kërshërore se përse Fevziu nuk ka folur kurrë për Jusuf Vrionin, si për mentorin e tij intelektual, ndonëse e ka njohur që në adoleshencë. Për këtë njohje Fevziu shkruan:
Jusufin e kisha njohur në mesin e viteve ’70, ende fëmijë, kur e ke të vështirë të bësh vlerësime dhe të arrish në përfundime që mund të etiketojnë më pas personalitetin e një njeriu. Ishte një nga ndeshjet e turnout të Roland Garos në Paris, dhe i pasionuar pas tij, kishte bërë një udhë të gjatë me biçikletë për t’ u stacionuar në shtëpinë e një të afërmit tim. Ku me sa duket, lartësia dhe afërsia me Dajtin jepnin më shumë shanse për të kapur valët e turbullta të RAI-t. E kisha parë me një kuriozitet fëmije si ndiqte me pasion çdo lëvizje të topit, si drithërohej, ngrihej në këmbë dhe si binte pre e pasionit të tij të vjetër.[xxiv]
Shtëpia për të cilën flet Blendi Fevziu është ajo e dajës së nënës së tij, Ali Fevziut. Por kjo ngjarje nuk ka ndodhur në mesin e viteve shtatëdhjetë, se në atë kohë Fevziu jetonte në Dushk të Lushnjës, por në mesin e viteve tetëdhjetë kur tashmë Blendi jetonte në shtëpinë e dajës së nënës, në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur saktësisht në vitin 1984. Jusuf Vrioni, pasiqë pa se Enver Hoxha ishte shumë i sëmurë, u tremb shumë se mos e eliminonin dhe atë për të zhdukur sekretin e përkthyesit të deklasuar të veprave të diktatorit. Prandaj hoqi dhe antenën e televizorit, që të mos gjenin se ku të kapeshin ndaj tij. Iluzion i kotë, se nëse diktatura do të donte ta eliminonte, do ta gjente shkakun. Ndërsa priste të niste ndeshja e tenisit, Jusuf Vrioni, në një letër, kishte vizatuar fushën për t’ i shpjeguar Blendit diçka nga rregullat e lojës. Pas fillimit të ndeshjes, në pauzat e shkurtra, Vrioni, jo krejt me vetëdije, shkruante në fijën e letrës, fjalët që gjendeshin në pankartat publicitare anash fushës së lojës. Fevziu e mori letrën dhe e dorëzoi në “organet kompetente”, siç thuhej në atë kohë, duke thënë se Jusuf Vrioni merrte mesazhe nga spiunazhet e huaja nëpërmjet televizorit. Fija e letrës shkoi deri tek Enver Hoxha, se Vrioni ishte përkthyesi personal i Enver Hoxhës. Diktatori e kuptoi se përse ishte fjala, dhe nuk i dha rëndësi, por më tepër pati kureshtje për atë që e kishte sjellë këtë të dhënë. Kur Enver Hoxha mësoi se burimi ishte nipi i Neki bej Starovës, do të thotë edhe i bejlereshës së preferuar të diktatorit, qeshi aq shumë sa ata të cilët qenë përreth tij u habitën. Por, siç thoshte Sulo Gradeci në këto raste:
-Mendja e shokut Enver shikon aq thellë, sa ne të tjerët, nuk shohim as në ëndër.
Me të vërtetë që mendja e shokut Enver këtë herë shikonte thellë, në thellësi të bejlereshës së tij të preferuar, nëse mund të thuhet kështu, nga ku kishin dalë produkte gjenetike që jepnin prova të qarta se mbanin vulën e tij. Pas kësaj ngjarjeje, Jusuf Vrioni nuk shkeli më në shtëpinë e Ali Fevziut, deri në 1990. Edhe më pas, Jusuf Vrioni e pati shumë frikë Blendi Fevziun dhe i shmangej sa të mundte. Blendi Fevziu, sikur të mos kishte ndodhur gjë, i afrohej Jusuf Vrionit dhe i kërkonte që ta intervistonte në emisionin e tij.


27.
Letrari i dështuar

Në intervistën që Fevziu dha për Ilva Tare në emisionin “Tonight” të kësaj të fundit, në RTV Ora News, në 20 dhjetor 20011, ai, duke rrëfyer për veten, tha:
Që në gjimnaz unë mendoja se do të bëhesha shkrimtar. Letërsia ishte ëndrra e madhe e imja dhe e miqve, me të cilët jetoja.
Dëshira për t’ u bërë shkrimtar nuk ka qenë thjesht një ëndërr e fëmijërisë dhe adoleshencës për Fevziun, nga ato që rëndom marrin fund, e shumta me përfundimin e shkollës së mesme. Edhe gjatë kohës që ishte student Fevziu dëshironte të bëhej shkrimtar dhe punonte shumë për këtë gjë. Në autobiografinë e publikuar nga Fevziu në librin që ka botuar në 1992, në bashkëautorësi me Ben Blushin, thuhet:
Në gjimnaz nisa të shkruaj tregime, në fakultet nisa të botoja. Letërsia qe gjithmonë shpresa e fundit. Të parë nuk kam pasur.[xxv]
Në një biografi të Blendi Fevziut të hartuar sipas të dhënave të tij, me rastin e një interviste që ai i ka dhënë gazetës “Studenti” në 24 dhjetor 1991, thuhet:
Për disa kohë ka drejtuar rrethin letrar të Universitetit.[xxvi]
Rrethi letrar i Universitetit të Tiranës përbëhej nga të gjithë studentët e të gjitha fakulteteve të cilët shkruanin letërsi. Fevziu u caktua të drejtonte Rrethin letrar në vitin 1990, kur ishte në vitin e katërt të studimeve universitare. Kjo do të thoshte se ai shihej si një shkrimtar i ardhshëm, së paku nga burokracia kulturore e regjimit komunist. Blendi Fevziu u ftua të merrte pjesë në Konferencën kombëtare të talenteve të reja në letërsi, që u mbajt në Korçë në nëntor 1990:
Në nëntor 90 isha talent i ri.[xxvii]
Talente të reja quheshin ata që kishin botuar së paku disa shkrime letrare, poezi, tregime e ndonjë gjë tjetër, në shtypin letrar. Në dhjetor 1991, kur Fevziu tashmë i kishte përfunduar studimet universitare, dhe punonte si drejtor në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ai tha në një intervistë për gazetën “Studenti”:
Ëndrra e gazetës më kap shpesh. Ka dy ditë që ëndrroj të bëj vetëm dy gjëra: të bisedoj në një shkollë me nxënësit e mi për Konicën, Migjenin, Koliqin… ose të shkruaj.Po ka edhe diçka tjetër. Në fillim isha dhënë i gjithi pas punës. Harroja gjithçka, duke u përpjekur për diçka të bukur. Tani ka kohë që një magjepsje tjetër m’ i turbullon netët. Një delir i vjetër, të cilit i kisha besuar ëndrrën time. Subjekte novelash, romane, personazhe dhe psikopatë që vërtiten në një kohë të çmendur.[xxviii]
Kështu, Fevziu ende mendonte se do të bëhej shkrimtar. Intervistuesi i thotë Fevziut:
Para një viti kemi folur dhe për një vëllim me tregime.[xxix]
Fevziu përgjigjet:
Diçka më larg, në fillim të vitit të fundit, kompletova vëllimin e parë me tregime. E dorëzova në Shtëpinë Botuese një muaj përpara ngjarjeve të dhjetorit. Vëllimi ishte ëndrra studentore, ishte vrulli i brezit tim që priste të afirmohej. Papritur gjithçka u përmbys brenda një nate dhe afirmimi erdhi nga ajo anë që asnjë nuk e priste. Gjithë puna e vëllimit u krye në një kohë të çmendur. Recensioni në Janarin e mitingjeve; redaktimi në Shkurtin e grevave, të hedhjes së busteve dhe terrorit; përpunimi dhe kompletimi në Mars-Prill; menjëherë pas zhgënjimit të parë të madh të ëndrrës sonë: Kishim humbur duelin me regresin dhe qindra shokë të varur në bordet e anijeve kishin marrë rrugën vrastare të mërgimit. Më së fundi, kur midis kësaj çmendurie të përgjithshme, aty nga fillimi i Majit vëllimi qe gati, në Poligrafik mungonte letra. U bënë tetë muaj që ajo vazhdon të mungojë.[xxx]
E vërteta është se në kohën që Fevziu fliste kështu, ai, me postin që mbante në Ministrinë e Kulturës, kishte pasur mundësi me kohë të gjente aq letër sa për të botuar librin e tij me tregime. Se edhe gjatë vitit 1991 vazhdonin të botoheshin libra në Shqipëri. Tashmë që ministër ishte bërë pikërisht shefi i redaksisë së prozës së shkurtër, në Shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, tek i cili Fevziu çoi vëllimin me tregime në vjeshtën e vitit 1990, ky libër duhet ta kishte parë më së fundi dritën e botimit. Por ngjarjet e dhjetorit 1990 bënë që Blendi të hiqte dorë nga botimi i librit, se tregimet qenë me frymë fanatike komuniste, dhe të paprshtatshme për kohën e re. Nëse do të kishte arritur të botohej ky libër, Fevziu do të ishte kompromentuar dhe nuk do të hynte dot në shtypin opozitar si student që sillte një frymë të re.
Në vitin 1992 Blendi Fevziu botoi një libër në bashkëautorësi me Ben Blushin. Libri me titull “100 ushtarë” ishte një përmbledhje tregimesh dhe poezish të të dyve, por që secili tekst kishte si autor njërin prej tyre. Libri përmban tetë tregime të shkurtra të Blendi Fevziut, dhe një autobiografi të tij. Libri nuk bëri ndonjë diferencë mes librave të shumtë të letrarëve të rinj që u botuan në gjysmën e parë të viteve nëntëdhjetë, ndonëse të dy autorët qenë njerëz të njohur për publikun. Duke qenë të njohur si gazetarë politikë, Fevziu dhe Blushi mbetën megjithatë anonimë si shkrimtarë. Fevziu e kishte parandjerë këtë se në autobiografinë e tij, që ishte pjesë e librit thotë:
Nuk e di në do të shkruaj më letërsi. Në përgjithësi nuk e di ç’ do të bëj nesër. Ajo që më preokupon sot është të mos lexoj Remarkun dhe Heminguejin.[xxxi]
Fakti që Fevziu thoshte se ishte i preokupuar se si të mos lexojë këta dy shkrimtarë, do të thotë se ata i kishte lexuar më së shumti vitet e fundit. Në vitet e komunizmit, romani “Tre shokët” i Remark, një libër i ndaluar, qarkullonte nën dorë, dhe ishte “Bibla” e rinisë. Në të vërtetë, Fevziu, midis autorit të parë që kishte lexuar, sovjetikut Arkadi Gajdar, dhe Remarkut e Hemingway-t nga leximi i të cilëve hoqi dorë në moshën 23 vjeç, nuk duket të ketë lexuar shumë. Madje më pak ai ka lexuar qëkurse erdhi me banim në Tiranë, në moshën 14 vjeç. Kjo kuptohet kur ai shkruan:
Mbasditeve nuk kam munguar kurrë tek bordura. Më dukej sikur do t’ i mungoja vetvetes.[xxxii]
Fevziu e ka fjalën për bordurat e Parkut “Rinia” në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku uleshin të rinjtë gjatë kohës që qytetarët e Tiranës bënin shëtitjen e quajtur xhiro. Një pjesë e të rinjve nuk merrnin pjesë në xhiro, por uleshin në bordurat prej betoni dhe vështronin shëtitësit për orë të tëra. Tek bordurat Fevziu shpenzonte kohën që bashkëmoshatarë të tij e kalonin duke lexuar libra. Se tekefundit dita kishte vetëm 24 orë, dhe Fevziu nuk mund të gjente kohën edhe për të qëndruar tek bordurat, edhe për të bërë mësimet për ditën e nesërme në shkollë, edhe për të parë televizor, edhe për të lexuar. Në vazhdim, Fevziu, siç ka pohuar vetë, pas braktisjes së Hemingway-t dhe Remark-ut, do të lexonte Kazanzaqisin.
Si Fevziu ashtu dhe Blushi duhet ta kenë përjetuar shumë keq diskrepansën mes njohjes që kishin në publik si gazetarë politikë, dhe pritjes që iu bëri publiku si shkrimtarë, me botimin e librit të tyre të parë letrar. Por faji nuk ishte i publikut. Nuk ishte çështja se interesi për letërsinë kishte rënë, siç thoshte në atë kohë Fevziu. Libri thjesht ishte i dobët edhe si libër i dy 23 vjeçarëve. Fevziu pas kësaj, pothuajse e braktisi krejt letërsinë për një kohë të gjatë. Pothuajse, se duket që nuk ia bënte zemra ta braktiste krejt. Katër vjet më pas, në 1996, kur Fevziu ishte 27 vjeç, ai botoi më së fundi një vëllim me tregime, vetëm me emrin e tij si autor, me titull “Gjysma tjetër e botës”. Libri, me një format të vogël aq sa më i vogël nuk bëhet, nuk i ka as 100 faqe. Libri përmban katërmbëdhjetë tregime të shkurtra dhe autobiografinë e ribotuar. Së paku dy nga tregimet, “Miu” dhe “Balta e varreve të harruara” (ky më tepër është një reportazh) janë ribotime, se gjenden dhe në librin e parë.
Libri i dytë letrar i Fevziut nuk pati ndonjë pritje më të mirë se i pari nga publiku. Kjo bëri që për 14 vjet Fevziu të heqë dorë krejt nga letërsia. Fevziu do t’ i kthehej letërsisë në moshën 41 vjeç, kohë kjo kur një shkrimtar ka bërë një pjesë jo të vogël të veprës së tij. Në të vërtetë, dukej se Fevziu e kishte vendosur që ta braktiste letërsinë, por shkaku që iu rikthye ishte suksesi i papritur letrar i Ben Blushit. Në vjeshtën e vitit 2008, Ben Blushi botoi një libër me përmbledhjen e artikujve të botuar në shtyp si reagim ndaj romanit të tij “Të jetosh në ishull”, që ishte botuar në pranverën e atij viti. Libri përmban shkrimet e 56 autorëve.[xxxiii] Në libër nuk mungon asnjë nga emrat e miqve dhe kolegëve të Blushit me të cilët ai ka qenë në shkollë, si dhe në gazetari, që në fillim të viteve nëntëdhjetë deri më sot: Andi Bushati, Andi Bejtja, Armand Shkullaku, Alfred Peza, Arian Çani, Fatos Lubonja, Henri Çili, Nikollë Lesi, Piro Misha, Aleksandër Çipa etj. Ai që mungonte në këtë libër ishte një artikull i Blendi Fevziut, shokut të kursit në Universitet, në vitet 1987-91, si dhe mikut dhe bashkëautorit të librit të parë, të botuar në 1992. Pse heshti Fevziu për romanin e mikut të tij që shkaktoi shumë zhurmë? Kjo heshtje ka vetëm një shpjegim, Fevziu u befasua dhe ndjeu zili. Të dy patën ushqyer ëndrrën për t’ u bërë shkrimtarë, të dy patën botuar në bashkëautorësi librin e parë letrar në moshën 23 vjeç. Por në çdo dyshe njerëzish të artit, njëri, në rastin më të mirë ndodh që njëri është “Mozart”. Tjetri është “Salier”. Se cili prej tyre ishte “Mozart” dhe cili “Salier”, kjo mbeti enigmë për shumë kohë, se ata, sikur të kishin bërë një pakt të heshtur e braktisën letërsinë për t’ u marrë me gazetari politike dhe politikë. Por Blushi iu kthye befasisht letërsisë pas 16 vjetësh dhe me sukses madje. Kështu, në 2008 Fevziu u gjend para konstatimit pezmatues se, në këtë dyshe, “Salieri” ishte ai.
Si një “Salier” ngulmues, në vitin 2010, Blendi Fevziu, iu rikthye befasisht letërsisë, të cilën e kishte braktisur që në vitin 1996. Romani i Fevziut “Hiri i vullkanit” nuk ishte gjë tjetër veçse një reagim ziliqar ndaj dy romaneve të njëpasnjëshme të mikut të tij Ben Blushi, “Të jetosh në ishull” dhe “Otello arapi i Vlorës”, të botuar në 2008 dhe 2009. Fevziu, qartësisht nuk mundi ta duronte lavdinë e Blushit, me të cilin pati botuar në bashkëautorësi librin e parë letrar, me tregime, në 1993. “Hiri i romanit” është një roman i dobët, i ngjashëm me ato tekstet letrare që qarkullojnë në facebook. Autori ka bërë një shartim mes një legjende të hershme dhe atyre historive të rilidhjes së ish-të dashuruarve në Facebook. “Hiri i vullkanit” është një libër i llojit që në frëngjisht quhen roman a clef, që në shqip do të thotë “roman me një çelës”. Në një roman me çelës autori rrëfen për persona realë dhe ngjarje reale të jetës së tyre. Por këto mjegullohen me pak trillim, fiction. Në romanin e Fevziut, personazhi kryesor, i cili quhet Franc, ka lindur në vitin 1969 si Fevziu, ka qenë nxënës në shkollën e mesme të përgjithshme “Partizani” në Tiranë, të cilën e ka nisur në 1983, si Fevziu. Në roman ka shumë detaje nga jeta e Fevziut, madje njerëzit që ka njohur ai gjatë qëndrimit të parë në Itali, në 1991, jepen me emrat e tyre realë. Në roman është ky episod. Personazhi kryesor, Franci në kohën që gjendet si emigrant në Itali, në 1991, bën këtë:
Herë të tjera, pasditeve, i hipte autobusit 990 dhe zbriste në Corso Trieste 990. Atje ishte zyra e Unionit Islamik të Europës Perëndimore, një OJQ që drejtohej nga Mentor Çoku, një militant i vjetër i së djathtës që ishte larguar nga Shqipëria në vitin 1944 bashkë me gjermanët.[xxxiv]
Ky është një episod nga jeta e Fevziut, siç e kam cituar nga shkrimet e tij të tjera, ku rrëfen për vetveten. Mentor Çoku është person real, tek i cili ka banuar Fevziu në 1991, në Romë. Gjithashtu, personazhi kryesor i romanit, Franci, bën dhe këtë gjë, që është një episod nga jeta e Fevziut në Itali, në vitin 1991:
U vendos bashkë me Garinxhën në Xhenxano, një qytezë në periferi të Romës, ku një miku i shkodranit kishte apartamentin që ia kishte lënë një i afërm i tij.[xxxv]
Në librin “Piedestale pa statuja”, që është një rrëfim për vetveten, Fevziu shkruan për qëndrimin e tij në Itali:
një ditë të mrekullueshme qershori të vitit 1991 në Romë, kur duke u vërtitur me një listë numrash telefoni në dorë, në kërkim të një strehe për të futur kokën, së bashku me Armand Shkullakun, kishim ngecur tek një plak i vjetër që na priti me shumë dashuri. Quhej Lazër Radi dhe jetonte në një apartament në periferi të Romës, në Xhenazano në pritje të kthimit në Shqipëri.[xxxvi]
Lazër Radi ishte shkodrani për të cilin flet Fevziu në roman. Kurse Armand Shkullakun Fevziu e quan në roman “Garinxha”! Në një episod tjetër në roman, kur personazhi kryesor shëtit me të dashurën italiane:
Tek ecnin ai i fliste për fëmijërinë e tij në Tiranë. Për rrugicat e errëta orientale të Kodrës së Kuqe, që çuditërisht i ngjallnin tani më shumë nostalgji se bulevardi dhe xhiroja.[xxxvii]
Tek Kodra e Kuqe (e quajtur kështu për shkak të tokës argjilore) në Tiranë gjendej shtëpia e Ali Fevziut, dajës së nënës të Blendit. Fevziu banoi tek Kodra e Kuqe kur ishte gjimnazist dhe student. Në qendër të romanit të Fevziut është historia e dashurisë e personazhit kryesor, Francit, me një vajzë që është nxënëse në të njëjtën shkollë të mesme me të, të cilën e njohu rastësisht një ditë kur ajo erdhi në shtëpinë e tij bashkë me një shoqen e saj, për të marrë detyrat e letërsisë. Detyra kishte të bënte me legjendën e Ymer Agë Ulqinit, të cilën djali ua tregon gjerësisht, se si ai kur u nis në luftë, i tha vashës me të cilën ishte fejuar, që ta priste nëntë vjet e nëntë ditë, dhe në përfundim të kësaj kohe ajo le të martohej. Gjatë rrëfimit të legjendës, vajza e pyet Francin për vazhdimin e historisë, dhe ai i tregon se në përfundim të këtij afati Ymer aga i kërkoi leje mbretit që të kthehej në atdhe për të ndaluar martesën e vashës, dhe kështu ndodhi. Historia e dashurisë së dy të rinjve ndodh si një parabolë e legjendës, por të përmbysur.
Në roman, ndryshimi mes jetës reale të Fevziut dhe jetës së personazhit kryesor është se Fevziu përshkruan në libër se si do të kishte shkruar jeta e tij, nëse ai do të kishte studiuar për mjekësi, ashtu siç ka thënë në një rast se patën dashur prindërit e tij që të bënte ai. Blendi Fevziu në një intervistë për Iva Tiço, në revistën e përmuajshme “Madamë Mapo”, në numrin e muajit shkurt 2012, tha:
Prindërit e mi që kishin studiuar për letërsi më bindnin gjithnjë që të studioja në një shkollë që “të jepte zanat”. Preferonin mjekësinë, edhe pse s’ qenë të bindur se mund të ma jepnin atë të drejtë studimi.[xxxviii]
Ndonëse Blendit nuk iu dha e drejta e studimit për mjekësi, aspirata për të studiuar për mjek, rilindi me hapjen e Shqipërisë në 1990. Tashmë prindërit e tij mendonin se aim und të shkonte të studionte jashtë vendit, në Perëndim, me ndihmën e të afërmve të tij, dhe të punonte si mjek në ndonjë qytet të Perëndimit. Por Blendi Fevziun nuk e joshte perspektiva e studimeve të vështira dhe të gjata për mjekësi, të cilat vazhdonin më së paku dhjetë vjet. Në vend të kësaj, Fevziu parapëlqente të merrej me politikë dhe me gazetari në Shqipëri, çka i mundësonte që të udhëtonte shpesh edhe jashtë vendit. Kështu që Fevziu u bë mjek vetëm në romanin e tij.
Në libër, personazhi kryesor dhe e dashura e tij, Meri, të cilën e ka njohur që në shkollën e mesme, studiojnë të dy për mjekësi. Në libër Fevziu dhe e dashura e tij ndahen në vitin 1991, kur ai ikën në Itali (një tjetër episod nga jeta reale e Fevziut) dhe rikomunikojnë vetëm 19 vite më pas, në vitin 2010, nëpërmjet Facebook. Në këtë kohë ai jeton në Vienë, ku punon si mjek, dhe ajo jeton në Spanjë, në Barcelonë. Të dy dakordohen që të takohen dhe ai i thotë se do të niset për tek ajo në Spanjë. Por planet e tyre prishen për shkak të bllokimit të trafikut ajror që ndodhi në Europë në 2010, nga hiri i një shpërthimi vullkanik në Islandë, që u përhap në qiejt e Europës. Atëherë, Franci (Fevziu) niset në Spanjë me tren, por kur arrin në Barcelonë nuk takon të dashurën e dikurshme, për shkak se ajo nuk ka duruar dot dhe është nisur në kahje të kundërt me të, pra është nisur për në Austri, me tren. Të dy arrijnë në vendbanimin e njëri-tjetrit, pothuajse njëkohësisht. Kjo duket se simbolizon fatalitetin e mosbashkimit të tyre. Në të vërtetë, romani i Fevziut tregon se atij nuk i ka dalë ende brenga për të fejuarën e tij që e braktisi në 1991 dhe u largua në Perëndim. Fevziu në roman i paraqet gjërat sikur ishte ai që e braktisi atë kur u largua në Itali në 1991. Kur e vërteta është se e fejuara e tij ishte larguar para Fevziut. Fevziu, si një lake i zellshëm, nuk rri dot pa përmendur edhe kryeministrin Sali Berisha në roman:
Atij i zuri veshi lajmin për Kryeministrin e Shqipërisë, që po udhëtonte nëpër Gjermani drejt Vienës. Gazetari njoftoi se ai kishte mbetur në Bruksel, dhe se tani po kthehej në Shqipëri në rrugë tokësore, siç po ktheheje edhe kancelarja gjermane nga Roma në Berlin dhe Kryeministri malazez nga Londra në Podgoricë.[xxxix]
Francois De La Rochefoucauld ka thënë:
Ekzistojnë njerëz të cilët nuk do të kishin dashuruar kurrë, nëse nuk do të kishin dëgjuar të përmendej fjala “dashuri”.
Në rastin e Fevziut mund të thuhet se ai nuk do të kishte shkruar kurrë një roman për dashurinë, nëse nuk do të kishte shpërthyer një vullkan në Islandë. Romani “Hiri i vullkanit” vulosi dështimin e karrierës letrare të Fevziut, domethënë fatin e tij si shkrimtar i dështuar. Drama shpirtërore e Blendi Fevziut dhe shkaku kryesor i çrregullimit të personalitetit të tij, ka të bëjë me atë se ai është një letrar i dështuar. Në Shqipërinë e periudhës së tranzicionit lloji më i çuditshëm i sharlatanit lindi nga letrarët e dështuar. Këta qenë njerëz që tentuan të bëhen poetë ose prozatorë, shkruajtën disa poezi dhe ndonjë tregim, të cilat u pritën me indiferencën më të madhe nga publiku. Duke e kuptuar se në letërsi nuk kishin asnjë të ardhme, këta njerëz, zakonisht me një diplomë gjuhë-letërsie, u vetëshpallën specialistë të rangut akademik në fusha të tjera, dhe me ndihmën e lidhjeve politike u katapultuan në botën akademike si pedagogë universitarë, anëtarë bordesh, kryetarë jurish, për të hyrë pastaj me këto kredenciale false në politikë. Një nga ekzemplarët më sinjifikues të kësaj specieje është Blendi Fevziu. Zakonisht njerëzit që i përkasin species të përmendur më lart janë fshatarë, të cilët bartin veset e fshatarit, pa pasur asnjë nga virtutet e tij. Dhe në qytet kanë marrë vetëm veset e qytetarit. Zgavrën shpirtërore që i la dështimi letrar ai deshi ta kompensojë me aventura intelektuale sharlatanore në fusha nga më të ndryshmet, si politika, gazetaria televizive, apo puna e “biografit”.
Blendi Fevziu, kur shkruajti romanin “Hiri i vullkanit”, e bezdisi shumë Ismail Kadarenë. Në fillim i kërkoi që ta lexonte tekstin e romanit para se ai të botohej. Ismail Kadare i bëri tekstit një lexim diagonal dhe i dha disa vlerësime sa për ta hequr qafe. Por Fevziu nuk i ndahej dhe nisi ta pyeste se çfarë mendonte Kadare për këtë apo atë episod të romanit, për këtë apo atë stilemë etj., etj. Në fund Kadare, i mërzitur, i tha se kur e merr në dorë librin të krijohet përshtypja se autori, domethënë Fevziu, i ka shpallur pretendimet e tij modeste që në titull. Kështu, duke qenë se shpesh frymëzimi i një shkrimtari për të shkruar një vepër krahasohet me një shpërthim vullkanik, çka do të thotë se llava e vullkanit është vepra, Fevziut i kishte rënë për pjesë vetëm “hiri” i këtij vullkani këtë herë. Fevziu u ngërdhesh siç e ka zakon dhe e kaloi këtë si një trill të gjeniut. Ky nuk ishte rasti i parë që Fevziu e bezdiste Kadarenë me tekstet e tij letrare. Helena Kadare ia nxorri inatin Fevziut për këtë në librin e saj me kujtime, ku në 685 faqe emri i Fevziut nuk përmendet asnjëherë, ndonëse përmenden edhe Fahri Balliu dhe Agron Gjekmarkaj, si vizitorë të shtëpisë së Kadaresë, si dhe ndërtuesi Behar Male. Për Fevziun, i cili e mban veten për mikun më të madh të Kadaresë në Shqipëri, kjo qe sikur ta qëllonin në kokë me të gjithë kopjet e librit të Zonjës Kadare që dolën në qarkullim, në shqip dhe në frëngjisht.

[i] Të dhënat për Arben Mukën citohen nga jetëshkrimi që ka dhënë për veten në librin e tij “Mediat shqiptare në periudhën e pushtimit nga Italia fashiste”, Instituti Shqiptar i Medias, Tiranë 2010, f. 121-122
[ii] Spartak Ngjela, “Përkulja dhe rënia e tiranisë shqiptare”, Botim i UET Press, Tiranë 2011, vëllimi I, f. 381
[iii] Gazeta “Studenti”, 18 maj 1989, f. 8
[iv] Gazeta “Studenti”, 12 janar 1989, f. 4
[v] Gazeta “Studenti”, 26 janar 1989, f. 4
[vi] Gazeta “Studenti”, 9 mars 1989, f. 5
[vii] Gazeta “Studenti”, 6 prill 1989, f. 5
[viii] Gazeta “Studenti”, 20 prill 1989, f. 4
[ix] po atje: f. 4
[x] po atje: f. 4
[xi] po atje: f. 4
[xii] Po atje: f. 4
[xiii] Biseda e mëposhtme citohet sipas transkriptit të përgjimit të bërë nga Sigurimi i Shtetit, i cili i mbante në përgjim të herëpashershëm njerëzit si Haxhi Lleshi dhe Shefqet Peçi, se Ramiz Alia donte të informohej për frymën që ekzistonte në rrethet e veteranëve të nomenklaturës së lartë komuniste, në kohën e ndryshimeve në Lindjen komuniste.
[xiv] Gazeta “Zëri i Rinisë”, 8 prill 1989, f. 3
[xv] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 126
[xvi] Gazeta “Studenti”, 24 dhjetor 1991, f. 3
[xvii] “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, vëllimi i tretë, Tiranë 2009, f. 2034
[xviii] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 126
[xix] Nasho Jorgaqi, “Tregime të zgjedhura”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1995, f. 96
[xx] Nafiz Bezhani, “Mëkatarë”, Botime “Toena”, Tiranë 2001, Vëllimi 1, f. 165-186
[xxi] Preç Zogaj, “Rënia e zgjedhjeve”, Shtëpia botuese “Dita”, Tiranë 1997, f. 5
[xxii] Gazeta “Studenti”, 24 dhjetor 1991, f. 6
[xxiii] po atje: f. 6
[xxiv] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 181
[xxv] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 126
[xxvi] Gazeta “Studenti”, 24 dhjetor 1991, f. 3
[xxvii] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 126-127
[xxviii] Gazeta “Studenti”, 24 dhjetor 1991, f. 6
[xxix] po atje: f. 3
[xxx] po atje: f. 3
[xxxi] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 127
[xxxii] po atje: f. 127
[xxxiii] Shih: “Pro & kundër Blushit”, Botimet “Toena”, Tiranë 2008, f. 5-6-7
[xxxiv] Blendi Fevziu, “Hiri i vullkanit”, Botime “Dudaj”, Tiranë 2010, f. 166
[xxxv] po atje: f. 161
[xxxvi] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 120
[xxxvii] Blendi Fevziu, “Hiri i vullkanit”, Botime “Dudaj”, Tiranë 2010, f. 166
[xxxviii] Revista “Madamë Mapo”, shkurt 2012, nr. 19, f. 24
[xxxix] Blendi Fevziu, “Hiri i vullkanit”, Botime “Dudaj”, Tiranë 2010, f. 69

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...