Isa Mustafës i është kujtuar shumë vonë për ta gëzuar këtë qytetar



Çdo gjë po bëhet më një arsye. Secili semafor që po vendoset nëpër rrugët e Prishtinës, secila pemë që po mbillet, çdo park që po rregullohet dhe çdo trotuar që po asfaltohet kohët e fundit në kryeqytet, po bëhen për shkak të frikës. Madje, Isa Mustafa ka filluar të kuptojë se po e humb Prishtinës dhe votën e qytetarit të saj për çdo ditë. Është kjo arsyeja e vetme që ai tash ka nis e po i bën disa investime të vogla nëpër kryeqytet.

Të paktën kështu mendojnë zyrtarët e partive politike që po presin ditën e zgjedhjeve lokale, që t’ia mësyjnë Prishtinës.

Ka disa javë që Komuna e Prishtinës ka nis e po investon në qytet. U vunë disa semaforë të rinj në “Ulpianë”, e po mbillen disa drunj në po të njëjtën lagje. Por krejt kjo, për disa zyrtarë të partive që do të konkurrojnë për ta marrë Prishtinës, është e kotë.

Semaforë të rinj, fidanë nëpër lagje, investime në shtëpitë e shëndetit e rregullimi i disa parqeve për Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është sinjal që Isa Mustafa ka nis e po nden frikën.

Lirak Çelaj, kryetar i Partisë Demokratike në Prishtinë, thotë se tashmë Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar ta marrë vesh se po e humb Prishtinës. Sipas tij, kjo gjë po vërehet duke u nis nga vet deklaratat që ata po bëjnë vazhdimisht kundër Partisë Demokratike të Kosovës.

“Deklarata që ‘PDK le ta harron Prishtinën’ është shenja e parë që ata e kanë kuptuar edhe vet që janë duke e humb Prishtinën, përndryshe nuk kishin pas nevojë të çojnë selame”, ka thënë Çelaj për Express.

“PDK nuk do ta heq LDK’në nga Prishtina, por do ta heq vet qytetari, sepse ai është i pakënaqur me investimet, me punën, me mënyrën se si udhëheqja e LDK’së ka punuar deri tash”.

Çelaj mendon se LDK ka nis tash e po i bën disa investime tejet të vogla nëpër Prishtinë duke u munduar t’i kamuflojnë gjitha dështimet dhe mospunën e deritanishme.

“Deri tash ata nuk kanë qenë të zot t’i menaxhojnë ato mjete, dhe nuk kanë qenë të zot të punojnë me buxhetin të cilin vet e kanë parapa me planet që kanë pas për Prishtinën. Gjithashtu ata kanë dashur ta luajnë rolin e viktimës gjoja se kanë pengesa nga dikush që të punojnë me qëllim që të përfitojnë më shumë politikisht”, thotë ai.

“Por fatmirësisht qytetari i Prishtinës është mjaft i pjekur dhe e sheh që kjo gjendje e tyre tash nuk ka të bëjë aspak me të vërtetën. Është thjeshtë mungesë e kreativitetit dh e njerëzve që dinë të punojnë”, ka shtuar Çelaj.

E pothuajse njëjtë mendon edhe Besnik Tahiri, kandidati i ardhshëm për Prishtinë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai vlerëson se është shumë normale që çdo qytetar i gëzohet çdo lloj investimi që bëhet në qytetin e tij. Por thotë se Isa Mustafës i është kujtuar shumë vonë për ta gëzuar këtë qytetar.

“Çdo qytetar i Prishtinës i gëzohet secilit investim që ndodh në qytet. Por sa i përket investimeve të fundit që po bëhen nga komuna e Prishtinës komenti im i vetëm është që është bërë tepër pak e tepër vonë”, ka thënë Tahiri

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)