2013-05-02

RIZA LAHI - NGA VLL "DINOSAURET E FUNDIT" VLL 2 QE DEL SE SHPEJTI PLANZHON MBI GRANADËN PA FITIL


Më 13 shtator 1986, ndërsa bëheshin qitje në poligonin e regjimentit të Farkës, ushtari elbasanas Fatmir Skilja , i shushatur, nuk e vërviti granadën luftarake por e lëshoi pranë , para këmbëve të tija dhe ajo, tanimë pa fitil , po rrokollisej drejt grupit më ushtarë, mes të cilëve ndodhej dhe një luan.

Ky luan ishte ish piloti Ndue Logu që u hodh me trupin e tij mbi 100 kg e mbi 180 cm të; që u hodh planzhon drejt vdekjes së tij të sigurtë për të bllokuar djallin e zjarrtë që kushedi se sa jëtë ushtarësh do të merrte pas atyre fare pak sekondave që i kishin mbetur pa vjellë tër masën e tmerrëshme të vdekjes që kishte ngërthyer në grushtn me llokma të metalta.

Granada plasi në barkun e heroit, duke bërë fërtele gjitha të brendëshmet e viganit nga Shoshi i Dukagjinit dhe rritur në shtëpinë e fëmijës, por duke shpëtuar gjithëçka tjetër përqark.

Ishte një akt vetmohimi jo i paparë në historitë e ndeshjeve me eksplozivët; ne njohim rastet e Mic Sokolit nga Malësia e Gjakovës, Selam Musait nga Salaria e Vlorës, Aleksandër Matrazov nga Moska dhe…ja dhe rasti i pilotit më të mirë që kishte regjimenti i Farkës, atij burri vetullzi, ballëpastër, që ecte duke buzëqeshur me vete dhe me një ecje prej balerini, kryemjeshtër i njohjes së territorit, instrukltorit fluturues të disa breza pilotësh, Ndue Logut nga Dukagjini.

Ndue Logu mundi ta merrte diplomën me rezultatet më të larta që mund të jepte një shkollë ushtarake në Bashkimin Sovjetik; mundi ta merrte në Batajsk – si pilot helikopteri por edhe ai , në vitin skandaloz 1961 u kthye në atdhe së bashku me 18 pilotë të tjerë, pavarësisht se dy prej këtyre djemve qenë thyer.

Ti djalosh që lexon tani “Dinosaurët e fundit” duhet të dish se burrnia është vënë në provë në të gjithë brezat që kanë formuar karakterin shqiptar.

SHKELËSI I KUFIRIT

Ai ishte njohësi i mrekullueshëm i terrenit dhe qenve.
E urrente komunizmin , rronte si në skëterrë dhe vendosi të arratisej.

Kur ishte pesëqind metro larg piramidës, u dha alarmi.
Kufitarët u sulën me qën dhe me kallashë duke krehur vëndin.
Ai qeshte dhe lozte me ta si macja me miun. Kufitarët,
nuk e kapnin dot dhelprën që i qesëndiste nëpër labirinthet e saja;
i ngacmonte, suleshin ta kapnin, u humbiste si një fantazëm dhe u
hidhte një gur nga cepi tjetër e fshihej paq sërish.

Një qën iu afrua fare pranë njohësit të mrekullueshëm të botës së qenve.

Në zonën neutrale, shtiu lart dhe u fsheh si të qe rritur ndër pyje.

Kaloi piramidën - “R. S. F. e Jugosllavisë” - e hodhi automatikun përtej.. Kishte mbërritur në Botën e Lirë, tanimë nuk ishte më
në skëterrën me komunistë, që donte t’i piqte të gjallë.

Kur ndjeu të flisnin sërbisht në vënd që të ngrinte duart, u fsheh.
Ndjeu ta shanin “mysafirin” e kësaj nate , atë, “Jeben ti majka!”

Paskam kaluar nga skëterra komunsite për të ardhur në duar të serbëve?
Nëna ime! - Klithi pa zë njohësi i mrekullueshëm i botës pyjore dhe qenve, ndërsa ushtarët po e kërkonin duke bërtitur sërbisht.

Si klithi dhe një herë për të ëmën, u kthye andej nga kish ardhur .

Kur kaloi piramidën shqiptare e kuptoi se ishte e pamundur të fshihej më.

Kur u sigurua që pas pak do ta kapnin
kërceu nga ku qe fshehur - te këmbët e ndjekësve të tij
u zgjati kyçet e duarve dhe ata
i vunë pranga.

Ndërsa kufitarët e qëllonin ngado duke e sharë
në gjuhën shqipe, ai... qeshte...qeshte...vetëm qeshte
si një përbindësh me gojë të llahtarëshme
dhe ata u stepën.

Ai nuk qeshi më.

U tha: Isha të serbët!
Kam kaluar para hundëve tuaj e të qënve dhe shkova te serbët...
S’i ngrija dot para serbëve lart këto dy duar që ua shtriva ju ;
s’i përkulja dot këto gjunjë para palave dhe hymnit të
flamurit sërb .
U ktheva te prangat e skëterrës që e urrej për vdekje.
U ktheva te prangat që kanë mbërthyer atdheun tim
bëni ç’të doni me mua.
Ju nuk më kapnit kurr!

Dhe pa nga flamuri shqiptar që valavitej mbi postë.

Ishte ende errësirë por jo aq
sa kufitarët shqiptarë të mos dallonin mbi palat e flamurit
lotët e burrit që erdhi t’i shtrinte duart prangave.

Në brezin e pilotit të rriturit në shtëpinë e fëmijës, ja, qenë thyer dy djem shqipërie. Aristotel P. dhe Ilia K. Ata vendosën të mos ktheheshin më tokën që i kishte lindur por, në planin e tyre të braktisjes, ata kishin parashikuar edhe një masë që rrallë mund t’i binte ndër mënd ndonjërit nga djemtë e hedhur dhe me gjellët pa kapak - të fshiheshin sa më larg.

Kur Ndue Logu vetë i 18 udhëtonte për në atdhe me zemër të mbushur dhe të thyer për Aristotelin dhe Ilian, një grup tjetër djemsh shqiptarë që do të kthehej pas tyre, po bridhnin nëpër rrugët e qytetit me thika të fshehura. “ Ishim gjashtë veta. Ishim në grup. Nëse do të hasnim kund njërin apo të dy nga dezertorët , secili do të hante në një kohë 6 të ngulura thike në emër të atdheut dhe popullit që kishin braktisur” – më tha njëri prej ekzekutorëve të mundëshëm.

Burri ka kohë për t’u turpëruar edhe në rini, edhe në burrëri, edhe në pleqëri. Dezertori ka vetëm një emër; është një cilësi që bashkon si me një komandë karaktere, ngarje, periudha historike dhe rrethana gjithfarëshe.

Ndue Logu u ngrit si një lapidar prej mali në burrërinë e tij.

Unë nuk di ndonjë pilot tjetër, që populli t’i ketë kënduar një këngë kaq të veçantë dhe në një rrethanë kaq të veçantë, siç ka qënë njëra e krijuar gjatë ndërmarrjes mbarëpopullore për elektrifikimin të plotë të vëndit. Pas vrasjes në aksionin e rinisë së një vajze prej Dukagjinit , quajtur Shkurte, pas kësaj nxitjeje mbarëpopullore, nisën të ndizeshin drita edhe në zona ku kishin jetuar prej mijëra vjetësh me kandil, bishtukë a pishë të ndezur.

“ Llampa e ndezur shfaqej në çdo shtëpi si fytyra e Shkurtes”, shkruante një poet nga më të njohurit e asaj kohe. Elektrifikimi i Dukagjinit, kësaj monade shqiptare, ka qënë një punë e bërë me hare të paparë dhe në mënyrë të jashtëpërfytyrueshme, duke shfrytëzuar energjitë e pashterrëshme që gjeneron një shpirt i rënë në dashuri. Pilotët bënë çudira në atë kohë për të aritur që të ndizej drita mes dhomës si “fytyra e Shkurtes”. Dhe, populli i këndoi Ndue Logut një këngë, kështu:

“Paj, kush ishte, more njaj piloti?

Bash Ndue Logu, nji djalë prej Shoshi”.

Ndue Logu dolli i paaftë nga një sëmundje profesionale pilotësh – “lumbago”.

 Por ai , në kohën e indondatave të dëborës nuk linte fluturim pa shkuar duke fluturuar përmbi borë drejt zonave veriore e verilindore në atë dimër të ’85. Ani, si pasagjer rrinte, ama, ky njohës i mrekulleushëm i terrenit, ndihmonte papushim ekipazhet , megjithëse….tanimë mund të rrinte në një depo, zyrë, me një reflektor te këmbët , se ishte “shef armatmi”.

Në një periudhë u bë bujë e madhe, e jashtëzakonëshme – Shqipëria e perçeve të dikurëshme, e gjakmarrjeve të dikurëshme, e dhunës ndaj gruas shënoi një nagjarje që është përsëritur vetëm një herë. 4 vajza të Institutit të Kulturës Fizike, pikërisht Flora Toto, Polikseni Vjeshta, Drane Cara dhe Vezire Meta , u hodhën qënga qielli mbi Tiranë me parashutë. Parashutisti që i hodhi vajzat ka qënë shefi i kësaj arme, pionieri i parashutizmit shqiptar, Shaban Danaj.

Po piloti që i hodhi, cili qe? Ndue Logu, që u varros me 14 shtator 1986.

Mbase…mbase, përveç bustit të heroizimit të tij të ngritur nëpër zemrat e atyre që e njohën, në emër të kontibuteve të tija për ushtrinë shqiptare, artin e fluturimit , devocionit për kryerjen e detryrave ajrore por, sidomos, për planzhonin e tij të fundit drejt vdekjes në emër të jetës së të tjerëve, do të ishte gjëja më normale dhe në përputhjen me aliazhin e artë të traditës sonë t e vjetër dhe të botës moderne ushtarake , që Ndue Logu, ta kishte një bust.

Një bust në mes të repartit ku ai dha jetën, apo në Shosh, në Shkodër, në shtëpinë e fëmijës apo në ndonjë rrugë të Tiranës…

Përfunduar ora 06 e mëngjesit të dt 15 prill 2013.


Ps

Kjo pjesë rënqethëse që sapo lexuat nuk do të ishte shkruar kurrë nga dora ime, pa kontributin, shtyrjen, nxitjen, këmbënguljen dhe pasionin deri në përgjërim të e pilotit Niazi Nelaj, nga Kalivaçi i Tepelenës, ish shkruesi i historisë së regjiemntit të Farkës

( autori)

RIZA LAHI

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...