2013-05-01

Dritan Lamaj hetoi vëllezërit Frroku

Dritan Lamaj hetoi vëllezërit Frroku

Ish-shefi i Komisariatit të Kombinatit, Dritan Lamaj, i cili u ekzekutua pasditen e 24 shkurtit pranë banesës së tij, ka hetuar vëllezërit Mark dhe Arben Frroku për një vrasje të ndodhur në Belgjikë. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur rreth 17 vjet më parë, kur Arben Frroku, i dyshuar për ekzekutimin e Lamajt dhe i arrestuar në Selanik të Greqisë, ishte vetëm 27 vjeç.

Për këtë vrasje, Lamaj kishte mbledhur informacion se ishte kryer për larje hesapesh në trafikun e drogës dhe të dyshuarit kryesorë ishin dy vëllezërit, biznesmenë të suksesshëm në Shqipëri.

Duke mbuluar zonën e Kombinatit, mësohet se kryekomisar Dritan Lamajt i ishin servirur informacione të shumta për aktivitetin e dy vëllezërve, duke bërë që ai, si punonjës policie, i cili kishte drejtuar më parë edhe hetimin e krimeve, të hetonte edhe më tej, megjithëse detyra aktuale, ishte që

të siguronte rendin dhe të parandalonte krimin në këtë zonë. Sipas të dhënave, i ndjeri mësohet se kishte mbledhur informacion se dy vëllezërit, Arben Preng Frroku, aktualisht 44 vjeç dhe Mark Preng Frroku, 41 vjeç, kishin emigruar jashtë vendit deri në vitet 2000. Në këtë vit, sipas informacioneve të mbledhura nga Lamaj, ata ishin kthyer në Shqipëri dhe i kishin hyrë biznesit. Gjatë kohës së qëndrimit jashtë vendit, nga informacionet e kryekomisarit të ndjerë dyshohet se në vitet 1995 dhe 1996, dy vëllezërit kanë jetuar në Belgjikë. “Por, ata u janë prezantuar autoriteteve belge si shtetas nga Kosova, ku Arben Frroku dyshohet se është prezantuar me emrin Liman Krasniqi, ndërkohë që vëllai i tij është prezantuar me emrin Azem Krasniqi. Në vitet e lartpërmendura, këta persona dyshohet të kenë kryer një vrasje në Bruksel dhe janë shpallur në kërkim nga autoritetet e Belgjikës me emrat e shtetasve nga Kosova, përkatësisht Liman Krasniqi dhe Azem Krasniqi”, thuhet në materialin e mbledhur nga ish-shefi i Komisariatit Nr. 6.

Madje, ai shton se vrasja e personit në këto vite, të cilit nuk i është përmendur emri, të ketë ndodhur për konflikte të krijuara në trafikun e drogës nga disa të afërm të Arben Frrokut. Informacionet e kryekomisarit flisnin se të afërmit e Arben Frrokut merreshin me trafikun e drogës në shtete të ndryshme, duke mos lënë jashtë territorit edhe Shqipërinë. Këto dyshime janë konfirmuar edhe nga burime të tjera të policisë, të cilat shprehen se janë marrë në rrugë të ndryshme, ndërkohë që ndaj Frrokut pritet që shumë shpejt të fillojë edhe zbatimi i ligjit antimafie, për pastrim parash. Ndërkohë, burimet zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pohuan për gazetën “Shqip” se “hetimi për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt do të kryhet i plotë, pasi informacionet flasin se është për shkak të detyrës”. Të pyetur nëse ka një informacion të tillë, burimet pohuan se “jemi në verifikim të këtij informacioni”. Ata kanë lënë të kuptohet se shumë shpejt, sektori “antimafia” në këtë prokurori, do të kryejë një hetim financiar të të dyshuarve për vrasjen e Lamajt, pasi indikacionet të çojnë se ata janë të përfshirë në një grup që trafikonte drogë. Nga burime të besueshme mësohet se ish-shefi i komisariatit i kishte mësuar këto informacione për dy vëllezërit që para nisjes së konflikteve mes dy palëve, ndërkohë që kishte vijuar hetimet deri në momentin, kur e kishin larguar nga Komisariati i Kombinatit.

Prokuroria për Krimet e Rënda ka marrë në pyetje familjarët e kryekomisarit Dritan Lamaj për të gjitha dyshimet që mund të kenë vetë ata për ekzekutimin mafioz të tij për shkak të detyrës. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, fillimisht janë thirrur personat më të afërt të Dritan Lamajt, me të cilët ai mund të ketë diskutuar çështjen e kërcënimeve apo të konflikteve të ndryshme që ka pasur për detyrën, ndërkohë që më pas pritet të merren në pyetje edhe persona të tjerë, që mund të kenë dijeni për dyshimet e të ndjerit. Megjithatë, prokuroria nuk ka konfirmuar nëse është marrë në pyetje bashkëshortja e Lamajt, e cila është në gjendje më të rënduar, edhe për shkak të sëmundjes së saj, pasi pritet që të operohet në muajin mars. Në lidhje me dëshmitë e dhëna në prokurori, grupi hetimor nuk ka dhënë detaje, megjithëse mësohet se janë mbledhur detaje të shumta për kërcënimet e ndryshme që ka pasur Lamaj gjatë ushtrimit të detyrës si shefi i Komisariatit Nr. 6 në zonën e Kombinatit. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se ka informacione se dy të dyshuarit kryesorë të kësaj vrasjeje e kanë kërcënuar 41-vjeçarin Lamaj kohë më parë, duke i thënë se “do të vrasim vajzën e vogël dhe motrën”. Gjithçka ka ndodhur në ambientet e Komisariatit Nr. 6, ku Lamaj kishte bërë shoqërimin e tyre, në sajë të konflikteve që kishin lindur mes tyre. Një deklaratë e tillë mjaft e guximshme, e bërë nga Arben Frroku dhe i afërmi i tij, Vlash Gjoni, mësohet se e ka tensionuar Lamajn, i cili u ka thënë se nuk kanë asnjë punë me njerëzit e familjes së tij, pasi ata nuk kishin përse të përfshiheshin në konfliktet e tyre. “Nëse doni që të hakmerreni, shumë mirë mund të më vrisni mua. Lërini të qetë ata!”, mësohet se u ka thënë kryekomisari të arrestuarve. Këto të dhëna po verifikohen aktualisht nga prokuroria, për të cilat janë thirrur edhe familjarët e të ndjerit. Por, pavarësisht se vrasja ka qenë e paralajmëruar kohë më parë, nuk është bërë asgjë për parandalimin e saj. Të njëjtat burime konfirmojnë se i ndjeri e ka ngritur problemin tek eprorët e tij, por këta të fundit janë mjaftuar duke bërë largimin e tij nga drejtimi i Komisariatit të Kombinatit dhe punësimin në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.




Deputeti i PS Pandeli Majko duke komentuar ngjarjen e  rëndë të vrasjes së kryekomisarit Lamaj, e konsideron vrasjen e policeve si vrasjen e shtetit. 

Ish-kryeministri  Majko  u shpreh se janë të papranueshme sulmet dhe akuzat që po bën mazhoranca ndaj opozitës ne kushtet kur kjo e fundit nuk ka asgjë tjetër veç fjalës për të reaguar.

“Opozitës nuk mund t’i kërkosh tani pse akuzon sepse ka vetëm fjalën. Por sot në Shqipëri ne kemi një problem shumë të madh të sigurisë. Është i disati komisar që po vritet. Sot të kesh guximin të vrasësh një polic, është
më shumë se sa guximi për të marrë armën dhe për të vrarë policin, vrasja e policit është vrasja e shtetit dhe këto gjëra po ndodhin ngadalë duke e rrudhur atë”, tha Majko.

Ka reaguar edhe Partia Kristian-demokrate e Shqipërisë ndaj deklaratave të Ministrit të Brendshëm Flamur Noka. Sipas saj përpjekjet për ta lidhur vrasjen me emrin e PKDSH-së jane ulëta dhe perverse.

PKDSH thotë se i dyshuari për vrasje ishte një ndër kandidaturat e ofruara për Qarkun Shkodër, ndërsa zyra e hapur i përket degës së kësaj partie në qytetin verior.

“Pohojmë se zoti Arben Frroku ishte një ndër kandidaturat e ofruara për Qarkun Shkodër, ende të pazyrtarizuara, ndërsa zyrat e hapura i përkasin Partisë Kristian-demokrate dega Shkodër”, deklaroi Dhimitër Muslia, kreu i PKDSH-së. 



 Automjeti i atentatit, burg të akuzuarit për vjedhje
Gjykata e Durrësit ka vlerësuar të ligjshëm ndalimin e 32-vjeçarit Gentjan Bejtja, për akuzën e vjedhjes në bashkëpunim të automjetit, i cili u përdor nga autorët e vrasjes së kryekomisarit Dritan Lamaj dhe ka caktuar arrest në burg me një afat 30 ditor. 

Prokurori i Çështjes Ilir Turja gjatë seancës së caktimit të masës së arrestit kërkoi arrest në burg për një afat 45 ditor, në mënyrë që të sigurohen provat mbi fajësinë e tij të mbështetura kryesisht në tabulatet telefonike, këqyrjen e pamjeve filmike të fiksuara nga një kamera sigurie pranë vendit të ngjarjes dhe saktësimin e dëshmive nga dëshmitarët okularë.

Mbrojtja nga ana e saj deklaroi se nuk ka asnjë provë që të fajësojë 32 vjeçarin Bejtja
deri në këto çaste dhe se akuza ka pasur kohën e mjaftueshme për të siguruar provat kundër tij. Në këto rrethana kërkoi lirimin e klientit të vet. Bejtja, baba i dy fëmijëve dhe në pritje të një fëmije të tretë u ndalua natën e 25 shkurtit i akuzuar për bashkëpunim në vjedhjen e makinës BMë të shtetasit Fatmir Lila, mjet që më pas u përdor në vrasjen e Lamajt dhe u gjet i braktisur në Domje të Tiranës. Që nga çasti i ndalimit Bejtja ka mohuar të jetë përfshirë në këtë ngjarje, ndërkohë që akuza pretendon se vjedhësi i BMË-së ka zbritur nga një automjet tip fuoristradë që drejtohej prej të arrestuarit. 





Me pranga në duar, i shoqëruar nga dy oficerë të policisë greke, Arben Frroku u largua nga ndërtesa e gjykatës së Selanikut pasi iu dha vetëm masa e sigurisë me 40 ditë paraburgim nga prokurori, ndërsa u shpall i pafajshëm për akuzën e posedimit dhe përdorimit të lëndëve narkotike. 

Frroku, si dhe i arrestuari i dytë i policisë greke, Jak Jaku, mbërritën në ndërtesën e gjykatës së qytetit rreth orës dhjetë e gjysmë të mëngjesit në makina të veçanta.

Në fillim ka qenë Frroku ai që dëgjoi në zyrën e prokurorit se ndaj tij ekziston një urdhër ndërkombëtar arresti, pasi organet shqiptare të drejtësisë e akuzojnë për implikim në vrasjen e shefit të komisariatit të policisë nr.6, Dritan Lamaj.

Avokati mbrojtjës i biznesmenit, Makis Kaftopoulos sqaroi se klienti i tij deri tani ka vetëm një akuzë, atë për posedimin e një sasie të vogël droge, 0.4 gramë kokainë.

TCH: Përse akuzohet Arben Frroku?

Avokati: “Klienti im deri tani ka një akuzë për posedim të një sasie të vogël droge, 0.4 gramë kokainë. Sot në mëngjes na u njoftua nga prokurori i Selanikut që ka ardhur nga Ministria e Rendit të Greqisë një urdhër nga Interpoli me anë të të cilit klienti im akuzohet për një vrasje që ka ndodhur në Tiranë javën që kaloi. Sipas ligjit që ekziston, brenda 40 ditësh duhet që drejtësia shqiptare të çojë tek drejtësisa greke të gjitha të dhënat dhe shkresat dëshmuese në mënyrë që të mbështesë me fakte dhe të vërtetojë që klienti im ka lidhje me këtë akt. Nëse brenda 40 ditësh nuk vijnë të gjitha këto dëshmi fajësie, atëherë klienti im do të mbetet i lirë”.

TCH: Pse erdhi në Greqi?

Avokati: “Klienti im erdhi në Greqi pasi unë për tre vjet e disa muaj kam marrë përsipër mbrojtjen e kushëririt të tij të parë, Sokol Frrokut, i cili është dënuar për posedim të lëndëve narkotike, të sasive të vogla të lëndëve narkotike. Të hënën kishim një takim të caktuar, në mënyrë që ta merrja në pyetje si dëshmitar në çështjen e kushëririt të tij”.

TCH: Komunikoi me ju?

Avokati: “Po, komunikoi me mua dhe me tha që po vij në Greqi të dielën në mbrëmje. Më tha, po vij në Greqi dhe nesër do të takohemi në zyrën tënde”.

TCH: Atëherë mësuat edhe për vrasjen?

Avokati: “Unë jo. E mësova ditën tjetër kur më tha se erdhën në hotelin ku po flinte me dy të tjerët, ku edhe e arrestoi policia e Selanikut për sasinë e vogël të kokainës, për sasinë prej 0.4 gramë. U mbajt që prej asaj dite deri më sot që ishte dhe dita e dëshmisë së tij. Nga sa mësuam do të ketë ndërmjetësuar një telefonatë nga Tirana në Athinë në Ministrinë e Rendit dhe kështu që u mbajt, se përndryshe do të ishte lënë i lirë që të hënën”.

TCH: Po përsa i përket akuzës së lëndës narkotike?

Avokati: “Kjo është një çështje që për drejtësinë greke nuk ka asnjë vlerë. Do të hyjmë në hetuesi për dhjetë minuta dhe më e mundshmja është që hetuesi do na lërë të lirë, sepse ky akt nuk është i dënueshëm. Domethënë posedimi i një sasie kaq të vogël nuk përbën kusht për paraburgim”.

TCH: Ai e mohon vrasjen në mënyrë kategorike?

Avokati: “Po. Kundërshton çfarëdolloj implikimi në vrasjen e oficerit të policisë shqiptare”.

TCH: Nëse del fajtor për lëndët narkotike?

Avokati: “Për këtë sasi nuk ekziston mundësi faji. Asnjë. Është brenda kontekstit të ligjit grek për drogën ku sasi të vogla që posedojnë përdoruesit nuk përbëjnë vepër penale”.

TCH: Kush është përdoruesi në këtë rast?

Avokati: “Përdoruesi është kushëriri i tij dhe personi tjetër që ishte me të. Por, edhe ai në disa raste ka qenë përdorues. Nuk është përdorues droge Arben Frroku. Në këtë rast personi tjetër ka pranuar që sasia e lëndëve narkotike ishte e tij dhe jo e Arben Frrokut. Dhe kishin marrë një sasi të vogël kokaine në darkë”.

Pas Frrokut është thirrur në zyrën e prokurorisë edhe i arrestuari i dytë, Jak Jaku, të cilit i është komunikuar i njëjti njoftim. Katër orë më pas, Froku dhe të gjithë të arrestuarit e tjerë janë çuar në zyrën e hetuesisë që ndodhet në të njëjtën ndërtesë dhe mnjehërë pas saj janë larguar pasi janë shpallur të pafajshëm për sa i përket sasisë prej 0.4 gramë kokainë që u gjet në dhomën e hotelit ku u arrestuan.

“Po mbahen në këto momente vetëm për shkak të urdhër-arrestit të Interpolit, Jo për lëndën narkotike”, deklaroi më tej avokati Kaftopoulos.

Pasi u larguan të arrestuarit, pala mbrojtëse përsëriti se nëse drejtësia shqiptare nuk dërgon dokumentacion të mjaftueshëm që fajëson Frrokun si të implikuar në vrasjen e zyrtarit të lartë të policisë, atëherë ai do të lihet i lirë pas 40 ditësh.

I pyetur nga Top Channel brenda ndërtesës së gjykatës, ku nuk lejohet përdorimi i kamerave, Arben Frroku deklaroi se është i pafajshëm dhe se ai është bërë pre e një loje politike. Ai mohoi zërat që nga Partia Socialiste, kryetari i saj apo dikush prej anëtarëve të kësaj partie, i është ofruar kërkesa për deputet. Sipas Frrokut, çdo gjë ka ndodhur pak ditë para se ai të shpallte kandidaturën për deputet me Partinë Kristian Demokrate në qytetin e Shkodrës, me kryetar zotin Dhimitër Muslia.

Ende nuk bëhet i ditur vendi ku Frroku do të mbahet për 40 ditë, por burime të pakonfirmuara thonë se ai mund të çohet në burgun e Kasandrës, në zonën e Halkidhikisë.  


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...