2013-05-01

FUTBOLL VENDI KOMBETARJAFUTBOLL BOTA MIKSBRAZIL 2014JETË KUPAT E EUROPËS MOTOSPORTFORMULA 1OPINION Sulejman Demollari: Kënaqësi të jeshë midis “10 sportistëve shqiptarë të shekullit”


Ish-kapiteni i Dinamos dhe ish-trajneri i Kombëtares midis “10 sportistëve shqiptarë të shekullit”
Dash FRASHËRI – Ish-kapiteni i Dinamos dhe i Kombëtares, më vonë dhe trajneri i Kuqezinjve, Sulejman Demollari, u përzgjodh ndër “10 sportistët e shekullit”, një anketë e organizuar nga gazeta më e vjetër sportive në Shqipëri, “Sporti Shqiptar”. Në përzgjedhjen e “10 shekullorëve” votoi dhe gazeta “Telegraf”. Demollari u përfshi në një listë të privilegjuar së bashku edhe legjendat Panajot Pano, Loro Boriçi, Riza Lushta, Refik Resmja, Ela Tase, Ymer Pampuri, Pavlina Evro dhe Elisabeta Karabolli. Gazeta “Telegraf” bisedoi me Sulejman Demollarin, të vetmin futbollist të gjallë, nga lista me “pesë yjet” e topkëmbës. “Sula” ka luajtur 45 ndeshje me përfaqësuesen e Shqipërisë, ndërsa ka qenë dhe kapiteni i ekipit “Shpresa”, që arriti të ishte midis tetë ekipeve më të mira të Europës në vitin 1985.

- Sulejman Demollari, jeni përzgjedhur midis 10 sportistëve më të mirë shqiptarë të shekullit. Çdo të thotë kjo për Sulën?

- Është vërtet një kënaqësi e madhe të jesh pjesë e asaj liste të zgjedhur, pra midis atyre emrave më të mëdhenj, të famshëm dhe që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për sportin tonë dhe futbollin në veçanti, gjatë 100 viteve si shtet shqiptar. Është më shumë si një vlerësim, kur të cilësojnë si një nga dhjetë sportistët më të mirë të shekullit. Gjithsesi, Shqipëria ka nxjerrë shumë sportistë që mund ta meritonin të ishin në atë listë të përzgjedhur.



- Ndër “10 sportistët e shekullit” ishin dhe yjet e futbollit shqiptar, si Panajot Pano, Loro Boriçi, Riza Lushta, Refik Resmja. Një vlerësim që merr përmase me të vërtetë të mëdha, apo jo?



- Të jesh midis emrave të tillë si Panajot Pano, Loro Boriçi, Riza Lushta, Refik Resmja, është një privilegj i madh për çdo futbollist. Por, në listën e përzgjedhur nga specialistët, gazetarët sportive, lexuesit online të gazetës “Sporti Shqiptar”, ishin dhe emra të tillë si volejbollistja e shkëlqyer, Ela Tase, kampioni i botës në peshëngritje, Ymer Pampuri, apo atletja Pavlina Evro, kampionia e Europës në qitje, Elisbeta Karabolli.



- Shumë dashuri për nga sportadhësit, por dhe nga njerëzit e medias. Si do ta komentonte Demo?



- Unë do ta vlerësoja si një respekt, ndaj një punë të bërë me shume seriozitet dhe profesionalizëm. Por, unë dua ta ndaj këtë vlerësim me të gjitha ata, që kanë ndikuar në formimin tim, duke filluar nga trajnerët e moshave, ekipit të Dinamos, dhe deri tek ata të ekipeve kombëtare. Kanë meritë të gjithë bashkëlojtarët e e mi në skuadrën e Dinamos, të brezit tim. Kjo më bën të ndihem i lumtur për këtë anketë të veçantë.



- Sulë, le të kthehemi te Demollari fëmijë. Pra, në prekjet e para të topit. Si filloi kjo dashuri e madhe?



- Si çdo fëmijë, edhe unë e kam filluar nga futbolli i lagjeve, pra i rrugicave. Por, unë pata fatin që në kohën time ishin krijuar klasat sportive, në hapat e parë të mi si futbollist, dhe për këtë meritë kanë dhe trajnerët e parë të mi, Thoma Diamanti dhe Albert Oroshi, dy teknikë shumë pasionantë. Nga shkolla ime, “Alqi Kondi”, sot “Pjetër Budi”, ka dalë thuajse një ekip Kombëtar i tërë, që nga Vasillaq Zëri, Petrit Dibra, Albert Minga, Arjan Bimo, Artur Lekbello, etj,. Duke kaluar vitet u ingranova te ekipet zinxhir të klubit Dinamo, tek të para të rinjtë, të rinjtë dhe deri tek ekipi i parë.



- Ju keni qenë kapiteni i të gjitha ekipeve kombëtare të Shqipërisë, përfshirë Shpresat dhe Kombëtaren e madhe. Një statistikë për t’u pasur zili?



- Është diçka pikante në karrierën e një futbollisti. Është një kulm për një lojtar, kur ai luan për të gjitha ekipet kombëtare, duke filluar nga Të Rinjtë, Shpresat, Olimpike dhe Kombëtaren A, dhe në të gjitha këto ekipe kam qenë dhe kapiten skuadre. Kam qenë kapiten si te Dinamoja e Tiranës dhe te Dinamoja e Bukureshtit. Kjo më bën vërtet të lumtur. Për mua ka qenë vërtet një karrierë e bukur.



- Në nëntor të vitit 1990 keni pozuar me një fanellë të Kombëtares së Francës, diçka e pazakonshme për kohën. Si ndodhi?



- Gjithçka ndodhi para ndeshjes me Francën, një takim për eliminatoret e Euro 2012, më saktë më 17 nëntor 1990. Gazetarët francezë, mesa duket kishin marrë lejë diku, dhe ata më propozuan ta vishja për të pozuar për ta. Në fakt, të vishje bluzën e Francës me “katër asa”, siç e quanim ne, ishte e veçantë dhe për opinionin, apo për ndeshjen që ishte.



- Ju keni një karrierë të gjatë futbollistike, gati 20-vjeçare, çfarë mbani mend si më pikanten?



- Momentet më kulmore janë ato me ekipi Kombëtar, që është dhe maksimumi për një futbollist. Kam dalë gjashtë herë si futbollisti i vitit në vendin tonë, në bazë të anketave të organizuara nga “Sporti Shqiptar’. Kam qenë golashënues i njohur në Shqipëri, por dhe në Rumani; kam fituar kampionate në Shqipëri, por dhe në Rumani, por dhe Kupa të Shqipërisë. Mendoj se, kam bërë një karrierë të plotë dhe të kënaqshme për një futbollist.



- Ju kanë krahasuar me lojtarë të mëdhenj, jo vetëm shqiptarë. Me kë të kanë krahasuar më shpesh?



- Kam marrë shumë epitete nga specialistët apo tifozët. Gjithsesi, për mua më i rëndësishmi ishte fakti që më krahasoni një hije e Mishel Platinisë. Nuk ka vlerësim më të madh, pasi Platinija e ka fituar tri herë “Topin e Artë” dhe mbetet një nga futbollistët më të mëdhenj në botë.







- Ju kanë konsideruar si futbollistin më të mirë të huaj që ka luajtur në Rumani, një vend me futboll shumë të zhvilluar. Sa ju ka emocionuar?



- Mua më dha mundësia në moshën e dytë time si futbollist, pasi dihej që para viteve 1990 Shqipëria ishte e mbyllur. Dinamo e Bukureshtit ishte një ekip elitar i kampionatit rumun, dhe që kishte arritur deri në gjysmëfinalen e Kupave të Europës. Ishte një kampionat shumë i vështirë dhe tepër i fortë, boll të kujtojmë se rivale ishte Steaua e Bukureshtit, dikur kampione e Europës në vitin 1986. Dhe në Rumani lashë diçka të bukur të vlerave të futbollit shqiptar.



- Demo, ju keni qenë pjesë e Shpresave kur ato dolën në tetë më të mirat e Europës. A e kujtoni shpesh atë moment?



- Po, pa dyshim. Kanë qenë vitet 1980, kur në edhe ëndërruam për të shkuar në Botërorin e Meksikës, pas rezultateve të bukura në barazimin 2-2 në Poloni, fitorja 2-0 me Belgjikën në Tiranë, barazimi me Greqinë në “Qemal Stafa”. Ishim një brez shumë i mirë, pasi ne arritëm të dilnim dhe në tetë ekipet më të mira të Europës për Shpresat, duke u eliminuar nga Italia. Dua të përmend këtu emra të tillë si Mirel Josa, Sokol Kushta, Adnand Ocelli, Hysen Zmijani, Agim Canaj, Fatbardhe Jera, etj,. Ishte një brez që, kishim luajtur shumë kohë bashkë, dhe kjo të jep rezultate.



- Emocionet kur ekzekutohet himni Kombëtar para tifozëve në “Qemal Stafa”, natyrshëm që krijon emocione, me këngën që dëgjohet nga të gjithë. Por, kur e keni dëgjuar atë në stadiumet e huaja me shiritin e kapitenit në krah, çfarë emocionesh keni ndjerë?



- Këto janë ndjenja që, vetëm një njeri që e ka përjetuar mund ta përshkruajë atë. Janë emocione të jashtëzakonshme, kur dëgjon himnin e vendit tënd në një shtet të huaj. Karikohesh në mënyrë të jashtëzakonshme. Në kohën tonë, kur dhe nuk kishim përfitime materiale, kur luajë për flamur nuk mund të kishte kënaqësi më të madhe. Ndjenja e kombit të bënte që të jepje maksimumin në fushë.



- Çmimi yt është dhe një respekt për të gjithë lojtarët e Dinamos…



- Po, sigurisht. Unë kam pasur fatin të luaj me emra të mëdhenj te Dinamo, duke filluar nga trajnerët me të cilët unë kam luajtur: Saimir Dauti, Shyqyri Rreli, Bejkush Birçe, Bahri Ishkën, por dhe bashkëlojtarët, duke filluar nga Ilir Përnaska, Muhedin Targaj, Shyqyri Ballgjini, Halit Gega, Agron Hazbiu, Andrea Marko, duke ardhur edhe te brezi i fundit i imi, me Pjerin Nogën, Naun Koven, Eduard Abazin, Rudi Vatën, Foto Strakoshën. Të gjithë këta kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm tek mua.



- Ju përmendët emrin e Agron Hazbiut, apo Agron Dautaj, siç njihej në ambientin sportiv, djali i vetëvrarë i ish-ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut. Si ishte ai si futbollist?



- Unë kam luajtur me Dautajn gjatë dy viteve të para të miat te Dinamo. Ishte një mbrojtës shumë energjik dhe një djalë me shumë karakter. Agroni hynte gjithmonë në fushë, për të fituar. Ishte një djalë me shumë ego. E mbaj mend si një djalë tepër korrekt. Ishte një me të vërtetë një futbollist profesionist.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...