2013-05-01

Një kulturë që ka degraduar




Vrion Bezhani

-Infrastruktura sportive në vendin tonë është thuajse tërësisht e vjetruar dhe vetëm në shumë pak qytete të vendit apo zona të Tiranës ka patur gjatë viteve të fundit disa rinovime të pjesshme, rinovime të bëra thjesht për efekte elektorale dhe sa për të mbajtur frymën gjallë sporti ynë. Kjo gjendje e rëndë që është krijuar me kalimin e viteve ka sjellë edhe një degradim të përgjithshëm dhe gradual të sportit, që sot ndodhet në një pikë kritike. Për fat të keq në vendin tonë hapësirat që dikur kanë qenë mjedise sportive, fusha futbolli të hapura apo palestra, sot janë zhdukur dhe në vendin e tyre ndodhen pallate shumëkatëshe. Dhe çudia vijon ende, pasi edhe ato pak terrene sportive që kanë mbetur nuk dimë të mirëmbajmë dhe ato po degradohen çdo ditë dhe është e vështirë që të bësh sport.



Shumë pak është menduar në këtë drejtim për sportin, që vuan gjithnjë e më shumë dhe mezi ngre kokën në këtë kaos urbanistik dhe ku mjediset për t’u marrë me sport sa vijnë e pakësohen dita-ditës. Problemi i terreneve sportive është kthyer sot në një çështje shumë delikate në jetën sportive në vend, jo vetëm në futbollin shqiptar por edhe në sportet e tjera, kolektive dhe individuale. Mungesa e këndeve të lojërave dhe terreneve sportive për fëmijët, është një tjetër problem që e ndeshim sot në çdo qytet të Shqipërisë. Për pasojë, gjendja e rënduar e terreneve mbetet një nga sëmundjet ende të pashërueshme të sportit, realitet të cilin sportistët e trajnerët, por edhe tifozët e shumtë që shkojnë në stadiume apo pallate sporti e vënë re çdo ditë. Fakt i pakundërshtueshëm është se sot, sportistët shqiptarë e kryejnë stërvitjen e tyre në kushte aspak cilësore, krahasuar me kolegët në botë, çka na detyron të dërgojmë shpesh sportistët për stërvitje jashtë vendit, për të garuar më pas në kushte të barabarta me kundërshtarët në veprimtaritë ndërkombëtare. Por a është kjo mënyra më e mirë? Pse të investojmë për të çuar një apo dy sportistë jashtë për stërvitje, kur ato para mund të përdoren për ndërtimin e një palestre moderne, ku të stërviten 10 apo 20 sportistë? Problem që nuk po gjen zgjidhje është edhe përdorimi i mjediseve sportive, si palestrat, në mjediset e shkollave. Jo vetëm kaq, por edhe një palestër që i përket Universitetit të Sportit rrezikon të zhduket. Në vend që të lejojmë hapjen e palestrave të shkollave për komunitetin pas përfundimit të orarit mësimor ne i mbyllim ato, duke bërë që të rinjtë të mos gjejnë mjediset e duhura për të kaluar kohën e lirë. Përdorimi i palestrave të shkollave pa pagesë apo me çmime të arsyeshme është një mënyrë e mirë për të larguar rininë nga veset e rrugës, në mënyrë që ajo të rritet e shëndetshme. Por edhe ato palestra kyçen dhe nuk vihen në dizpozicion të komunitetit apo shkollës pas orës së mësimit, kjo kushtëzuar edhe zhdukja e klasave sportive, aq të rëndësishme dikur në nxjerrjen e talenteve në sport. Dhe në këtë kaos të madh sportive të krijuar në vitet e tranasizionit nuk ka ndihmuar as ligji i sportit, që nuk jep ndonjë zgjidhje konkrete për këtë çështje. Gjithkush vepron si do dhe si di vetë, duke mos ndihmuar që Ministria e Rinisë dhe Sportit të bashkëpunojë me atë të Arsimit apo edhe me Bashkitë përkatëse për të krijuar mundësi për menaxhimin më të mirë të mjediseve sportive apo për ndërtimin e terreneve të reja sportive. Ndaj është mëse e nevojshme, madje urgjente që të veprohet sa më shpejt në këtë drejtim. Shqipëria europiane bëhet jo vetëm politikisht por edhe duke krijuar mjedise të përshtatshme sportive, jo vetëm me fjalë e me premtime.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...