2013-05-03

Arsimi kosovar në transicionin politik

Një shtet i zhvilluar bazohet në një arsim cilësor
description
Shkruan: Përparim Sadiku

Kosova fazën e transicionit politik po e kalon duke "çaluar" në shumë sfera të jetës shoqërore, por më së rëndi po e përjeton në zhvillimin e arsimit si proces edukativo-arsimor, apo i konsideruar si shtylla kryesore e zhvillimit të mirëfilltë të një shoqërie, përkatësisht shoqërisë kosovare. Shpeshherë krijohet përshtypja se fare kush merret me këtë çështje, pra me çështjen e zhvillimit dhe moszhvillimit të arsimit në Kosovë, që gati se ka mbetur e pashpresë. Një fjalë popullore thotë “nëse një shoqëri dëshiron ta nënshtrosh, atëherë shkatërroja arsimin”, realisht kjo thënie gjen hapësirë për t’u trajtuar në mesin e shoqërisë sonë. Kjo është për t’u shqetësuar, pse ndodh kështu!?... Derisa dikur arsimi në Kosovë ishte me të drejtë fortesë e rezistencës kombëtare, pra, ishte motivi më i fuqishëm ku bazohej shpresa për një shoqëri të lirë dhe demokratike, realisht një shoqëri e edukuar dhe e zhvilluar bazohet në një shoqëri me arsim cilësor; më thoni sot si është arsimi kosovar?!...Fatkeqësisht më duhet ta them se zhvillimi i arsimit në Kosovë, pas luftës së fundit e këndej, apo nëse dëshirojmë ta “emërzojmë” kohën, arsimi në fazën e transicionit politik të Kosovës është kthyer në objekt degjenerimi për rininë tonë.
Rendi shkollor
Me të drejtë duhet besuar se nxënësit tanë shkojnë në shkollë për t’u edukuar dhe për t’u arsimuar, ama realisht kështu nuk po ndodh në shkollat tona. Sot, në shkollat tona mësimdhënësit janë në siklet, ngase nuk munden ta mbajnë rendin shkollor dhe nuk mund të mbajnë mësimin nga mosdisiplina e nxënësve, madje ka edhe nga mësimdhënësit që nuk janë të disiplinuar fatkeqësisht!. Sot, po ti vizitosh shkollat tona, aty dëgjon zhurmë që lënë hapësirë për ta interpretuar ndryshe këtë institucion, se çka në të vërtet është?!..., madje nxënësit, por ka edhe nga mësimdhënësit, që nuk vijnë me rregull dhe në kohë të paraparë në shkollë, ka edhe nga ata nxënës që nuk vijnë fare, edhe pse dalin nga shtëpia për të ardhur në shkollë e lehtë mund t’i gjesh këta "nxënës", ngase janë kafeneve diku duke “mësuar”. Shumë nga nxënësit edhe pse janë në klasë fare nuk e kanë mendjen tek mësimi, madje shpesh dëgjon se si fyen mësimdhënësit dhe anasjelltas, megjithëse ka fare pak edhe nga ata nxënës që vërtet e meritojnë t’i quash nxënës. Këto sjellje nuk i kanë hije dhe nuk duhet t’i kenë shkollat tona, por ja që realisht e fatkeqësisht kështu është gjendja. Shumë nga njerëzit e arsimit ankohen në reformën arsimore, që realisht është marr si “copy paste”, pa i pasur parasysh specifikat tona vendore. Mësimdhënësit ankohen se reforma në arsim është hendikep në arritjen e cilësisë në arsim, për shkak se nuk e parasheh ndëshkimin për sjelljet jo arsimore të çdokujt, çoftë për nxënësin apo edhe për mësimdhënësin. Megjithëse nuk është për t’u parë gjithçka zi në këtë reformë, ngase brenda saj parashihen edhe shkallët e ndëshkimit për çdo kë që thyen rregullat arsimore, pra aty lejohet një ndëshkim modern që lejojnë rregullat pedagogjike, madje nxënësit për thyerje të rregullit shkollor, por edhe për mosmësim mund të sanksionohen me riprovim e deri në largim nga shkolla për ti aktivizuar në shkollat speciale të përmirësimit, edhe pse shoqëria jonë ka mungesë të shkollave speciale. Mësimdhënësit nuk duhet ta dorëzojnë dinjitetin e tyre pedagogjik eventualisht përballë ndonjë lëshimi profesional në kurrikulumin arsimor, madje ata janë më të thirrurit për të dhënë sugjerime për ta ndryshuar gjendjen në arsim, ngase janë njerëz të fushës përkatëse. Duke vlerësuar se a janë të pjekur nxënësit për veprimet e tyre jo arsimore, shtrohet pyetja se a duhet parë ndëshkimi si nevojë e mësimnxënies dhe edukimit?!...
Shkollat duhet t’i bëjmë atraktive për nxënësit
Kosova e transicionit politik përveçse përballet me mungesë të cilësisë nëpër shkolla, përballet ende me mungesë të hapësirave shkollore, edhe pse është bërë goxha shumë investim në këtë fushë. Nuk mundemi me thënë se sot kemi objekte të mjaftueshme për të krijuar një arsim cilësor, përderisa objektet tona nuk janë moderne, përderisa në objektet tona mungojnë hapësirat e praktikimit të punës teorike, pra mungojnë sallat laboratorike, mungon ende aplikimi i mësimit tërë ditor, që do ishte një zgjidhje që nxënësit tanë ta kalojnë ditën në objektet shkollore, e jo të dergjen kafeneve siç po ndodh sot! Pra, shkollat duhet t’i bëjmë atraktive për nxënësit. Mirëpo, mungesa e kushteve moderne në shkollat tona, nuk do me thënë kjo që ne të dorëzohemi e ta lëmë arsimimin e rinisë sonë nën fatin e kohës, apo thënë ndryshe jemi “duke pritur Godon”.
Shqetësimet e arsimdashësve duhet marrë me përgjegjësi kombëtare, ngase gjendja në arsim nuk është për lakmi, madje është si kurrë më keq. Të gjithë, si institucionet nga lart po edhe ata nga poshtë, madje posaçërisht ata nga brenda shkollave, pra, mësimdhënësit, këshilltarët arsimorë, pedagogët, psikologët, pjesë e pandarë e kësaj përgjegjësie duhet të jenë edhe prindërit, duhet t’i kthehen me përkushtim arsimimit të rinisë sonë, fëmijëve tanë, që objektet tona arsimore të kthehen në objekte me të vërtetë ku zhvillohet shkenca, ku nxënësit tanë edukohen e nuk degjenerohen, ngase kështu si jemi nuk i kemi punët për të shpresuar, madje mos të pretendojë shoqëria kosovare se do të ketë një zhvillim të qëndrueshëm si politik, ekonomik e kulturor përderisa cilësinë në arsim e kemi në pikën ZERO.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...