2013-05-01

Ismet Bellova dhe tre libra të tij



Nga Skifter Këllici

Nuk thotë kot populli se mali me malin nuk piqen, por jo njeriu me njeriun. Kështu më ndodhi edhe mua. Kohë më parë u ndodha në Nju Jork, i ftuar nga një imi i vjetër, me të cilin në vitet ’60-të kishim punuar së bashku gazetarë në Radio Tirana.
bellova
Dhe ja e papritura:në bisedë e sipër, pashë të hapej dera e dhomës, ku po bisedonim dhe para meje u shfaq… Ismet Bellova. Unë vija nga Bostoni, që është një vrap pele nga Nju Jorku, kurse ai nga Tirana, lumenj, dete, shtete dhe oqean kaptuar. Mbi të gjitha, pa u parë bashkë që nga shkurti i vitit 1999,ose më saktë, që nga dita kur në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve në Tiranë ishte përuruar romani tim me temë sportive “Tirana” dy orë para dënimit” që merr shkas nga përjashtimi i kësaj skuadre legjendare nga kampionati kombëtar i viti 1966-67. Vec kësaj, një nga personazhet kryesore të këtij romani,pas Anton Mazrekut,është edhe Hiqmet Bello,ose një mishërim figurës së Bellovës, ngjizur edhe me disa tipare të miat.

Nuk do të ndalem në bisedën që zhvilluam të tre,plot mall, pas ndarjesh të gjata. Por në mbrëmje,tek po largohesha, për t’u kthyer në Boston,pas këtij takimi të papritur dhe të këndshëm, Ismeti më bëri edhe një të papritur tjetër: më dhuroi, si mua, ashtu edhe mikut tim nga një pako të rëndë në duar.

-Libra? e pyeta.

Ai vetëm pohoi me kokë. Tek po ndaheshim, e falënderova,me shpresë se herën tjetër do të shiheshim në Tiranë.

Nuk kishim dalë ende nga Nju Jorku i kredhur ato çaste në mugëtirën mbrëmësore të spërkatur nga mijëra e mijëra drita që vinin nga rrokaqiejtë thua si të dremitur ,kur unë nuk durova dhe hapa pakon, nga e cila më rrëshqitën në pëllëmbë tre libra sportivë: “Portierë të mëdhenj” (1999), “Dibra sportive” (2005) dhe “Sport e miqësi” (2006). Të tre me të njëjtin autor: Ismet Bellovën.

I larguar prej 12 vjetësh nga Shqipëria,i zhytur në gjatë kohës së lirë në punën time krijuese letrare e publicistike, kam qenë, deri-diku,edhe për fajin, disi edhe larg librit shqiptar,por edhe shtypit, i cili, për fat të keq, i pasqyron rrallë këta libra. Ndaj kjo ishte e papritura e tretë dhe e më e madhja që po më krijonte Ismeti.

Menjëherë m’u fanit në kujtesë ajo ditë janari e vitit 1968, kur unë isha takuar më të në kafe “Kursal”, aty ku sot ngrihet Muzeu Historik Kombëtar. Patëm biseduar aty për librin tim të parë, vëllimin me tregime sportive “Një ndodhi në stadium”,të cilin ua kisha dhuruar kolegëve të mi të “Sportit Popullor”,midis të cilëve edhe Ismetit që punonte në këtë gazetë. Patëm folur gjatë dhe ai me çiltërsi dhe mirëdijë më qe shprehur për tregimet e këtij vëllimi,i pari i këtij lloji në letërsinë shqiptare. Më pati uruar, ashtu si edhe unë, që edhe ai një ditë të shkruante një libër me temë sportive. Por kjo nuk ndodhi ,as atë vit dhe as vite e vite të tjera.

Ndërkohë, unë u hodha nga vëllimet me temë sportive,në ato me tema të tjera,deri sa ditë vjet më pas,më 1978, botova romanin me temë historike “Atentat në Paris”, kushtuar aktit heroik të Avni Rustemit që më 1920 vrau ne mes të Parisit Esat Pashën. Pastaj më 1981 botova edhe librin publicistik “Historia e futbollit”.Nuk pata rast ta takoja Ismetin,por ai gjeti një mënyrë origjinale të më përgëzonte:shkroi një recension kushtuar këtij libri, ku natyrisht, më bënte edhe ndonjë vërejtje. Në biseda nuk i kisha thënë ndonjëherë, por me vete kisha menduar:”Tërë këtë përvojë ka Ismeti në sport!Kur do të vijë ajo ditë që ta hedhë në letër?”

Dhe ja më së fundi, më 1985, doli në qarkullim libri “Sporti ynë”, me autorë Osman Palushin,ish-kryeredaktor i “Sportit Popullor”, Besnik Dizdarin, që kishte vite që shkëlqente si gazetar sportiv i “Bashkimit”,për t’u bërë edhe kryeredaktor i “Sportit Popullor” dhe … Ismet Bellovën. Sidoqoftë, Ismeti, në kapitullin që kishte shkruar, ishte larg aftësive të tij si gazetar,dhe kjo, sepse atij i ishte dashur të shkruante për masivizimin e kulturës fizike dhe sportit gjatë viteve të pushtetit popullor,me fjalë të tjera, kapitull, shkruar detyrimisht, me stil propagandist.”Por besoj se së shpejti lexuesit do të shohin Bellovën po aq të zhdërvjelltë sa ç’e njohin në mikrofonin sportiv të Radio Tiranës”,- mendoja përsëri.

Nuk harroj atë ditë të vitit 1993,kur së bashku me te ndodheshim në studion e emisionit radiofonik popullor sportiv të Pirro Ruvinës,ku unë po citoja faqe të një librit tim, kushtuar historisë se evoluimit të sistemeve taktike të futbollit shqiptar.

Ashtu si gjithnjë, më foli plot mirakandje për librin tim të ri. Dhe jo vetëm kaq,por më vonë, siç më thoshin shokë, ishte ai që bëri ç’është e mundur,duke trokitur më ngulm në dyert e drejtuesve sektorit shkencor të IKF “Vojo Kushi”, që unë më këtë libër të fitoja gradën shkencore, dr. i shkencave në fushën e historisë së sporteve,e cila arsye absurde nuk m’u dha.

Çfarë dashamirësie, po të marrim parasysh se ai vetë nuk e kishte fituar një gradë të tillë,ndonëse punonte në atë sektor!… Çfarë dashamirësie tregoi ai edhe kur u shfaq filmi artistik “Fushë e blertë,fushë e kuqe”,kushtuar skuadrës së futbollit “Shprefeja ” e Tiranës,skenarin e të cilit e kisha shkruar unë së bashku me Gëzim Erebarën,regjisor i këtij filmi, me origjinë si ai nga Dibra!

…Këto po mendoja gjatë atyre orëve të udhëtimit nga Nju Jorku në Boston. Dhe kuptohet vetvetiu se që të nesërmen me mëngjes, u krodha në leximin e këtyre librave që i quaj dhurata të rralla nga kolegu im, Ismet Bellova.

Siç e kam thënë në krye të këtij shkrimi,këto që rendis në letër, janë vetëm përshtypje dhe kurrsesi vlerësime profesionale, sepse edhe po të doja, nuk do të mund t’ia arrija në kaq pak faqe.

“Ja pra,- mendoja sërishmi,-Ismeti ka heshtur kaq gjatë kaq gjatë,duke u mjaftuar vetëm me shkrime sportive të ditës dhe me mikrofonin sportiv të Radio Tiranës,si vazhduesi i parë i traditës së Anton Mazrekut,babait të gazetarisë sportive shqiptare edhe radiofonike qysh në mesin e viteve ’50-të të shekullit të kaluar,ka grumbulluar në vetvete prej vitesh e vitesh kujtime,përshtypje,ngjarje,gjithnjë i heshtur, thjeshtë, fjalëpak, sic ka qenë është dhe do të mbetet, dhe tani, ashtu si një përrua i nëndheshëm që shpërthen me stërkala ngjyrash të larushitura, të cilat përhapen e na flladitin me puhizën e tyre,ashtu dhe ai na flladit me këta libra, ku përjetëson me një gjuhë të goditur artistike që ia kam zili edhe unë që jam shkrimtar, faqe të ndritura të sportit shqiptar dhe shumë prej figurave të tij të shquara.”

Lexoj librin “Portierë të mëdhenj”e më kujtohet një libër në rusisht me titull“Nga Zamora te Jashini”,ku përshkruhet jetëshkrimi i disa prej portierëve më të famshëm të botës, deri në fillim të viteve ’60-të. Por u kujtoj lexuesve se libri i mësipërm i Bellovës,është më origjinal dhe mbase më origjinalët në botë, (dhe këtë e them me bindje, sepse që nga viti 1956 kam ndjekur, jo vetëm shtypin sportiv sovjetik, italian e ma pas edhe francez,por edhe libra sportivë në këto gjuhë),dhe kjo,sepse në faqet tij ne njihemi me portierët më të mirë të botës dhe të Shqipërisë, të të gjitha kohërave dhe midis tyre, veçanërisht me Qemal Voglin dhe Perlat Mustën,madje edhe me faqe të ndritura të futbollit tonë.

Lexoj librin “Dibra sportive”, (ku janë përfshirë edhe artikuj të gazetarëve të tjerë të njohur),dhe mrekullohem,kur kujtoj se si nga një rreth malor, si Peshkopia dhe Dibra e Madhe, me rrethinat e tyre ,kanë dalë kaq e kaq figura të shquara sportive. Ndër ta kujtoj vetë Bellovën,kujtoj Ali Kastratin,që e kam njonur që i vogël, si boksier,pastaj trajner, masazhist të “Partizanit”,qe kohët e fundit u nda nga jeta në moshën 90-vjecare,kujtoj Naim Pilkun,basketbollist dhe trajner të po kësaj skuadre dhe të kombëtares,por edhe më 1955 trajner i ekipit të të rinjve të “Tiranës” më 1955,ku bëja pjesë edhe unë dhe Astrit Greva,që do të bëhej më pas edhe i trajner i madh i “Partizanit” në basketboll, shumë herë kampion. Kujtoj Feti Borovën,basketbollist i shquar, mësues imi i edukimit fizik në gjimnaz, pastaj, me raste, koleg edhe në mikrofon e kamera televizive, ndër trajnerët më të kulturuar në Shqipëri,që humbi para disa vjetësh jetën aksidentalisht,kujtoj Ylvi Pustinën, disa herë kampion i Shqipërisë në shah,kujtoj Agron Rekën, që së bashku më vëllanë tim,Luanin, ishin nga pingpongistët më të mirë të vendit,(Agroni edhe disa herë kampion kombëtar).Kujtoj, së fundi Dërfrim Methasanin, që vazhdon traditën e Bellovës si gazetar sportiv në RTVSH e sa e sa të tjerë nga Dibra.

Lexoj librin ”Sport dhe miqësi”,(kujtime nga takimet sportive shqiptaro-gjermane) dhe kujtoj njohjen time të parë më Bellovën, në verë të vitit 1954,në fushën e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, unë, atlet modest i “Tiranës” në atletikën e lehtë, kurse ai, ushtar, por edhe trajner i këtij sporti në klubin”Partizani”,pastaj punën tonë të përbëashkët si radiokronistë sportivë që nga viti 1959 .Lexoj faqe të këtij libri me kujtime të Lojërave Verore të ushtrive të vendeve të Lindjes,të zhvilluara më 1958 në Lajpcig dhe më kujtohet Ismeti që ende nuk i kishte mbushur 24 vjetët, që u kthye plot hare nga këto lojëra, që kishte filluar të fliste edhe gjermanisht, gjuhë të cilën ,krahas rusishtes dhe italishtes, siç dëshmon në libra nga takimet dhe bisedat me personalitete të huaja, me kalimin e viteve i përmirësoi në një shkallë të tillë ,sa lexonte literaturë sportive.(Nuk harroj që në fillim të viteve ’70-të, kur shkoja në Bibliotekën e Universitetit, ish-drejtori i saj, Mihal Hobddari,dashamirës i madh i sporteve,që u nda para disa vitesh nga ne, më thoshte se, veç të tjerëve në këtë bibliotekë vinte edhe Ismet Bellova,për të parë revistën e përjavshme gjermane “Fusball Vohe.”)

Edhe libri i mësipërm i Bellovës është i rrallë për veçantitë e tij origjinale,përshkrimin e takimeve të sportistëve tanë,me sportistë të një vendi të madh dhe të shquar edhe në sport,së pari të RDGJ-së e RFGJ-së, pastaj të Gjermanisë së bashkuar, pas vitit 1990,që nga viti 1953, kur vendin tonë e vizitoi skuadra e futbollit “Kimik” i Lajpcigut, deri në dhjetëvjeçarin e parë të viteve 2000, që po jetojmë.

Të tre librat e Ismetit janë njeri më tërheqës se tjetri,por ky i fundit “Sport dhe miqësi”,për mendimin tim, është më i godituri, për mënyrën e të shkruarit, për stilin, për dashurinë me të cilën i ka përshkruar këto takime që vështirë të të shqiten nga mendja.

Duke lëcitur këta libra cilido lexues, i çdo moshe qoftë, e ndjen veten të përfshirë në vorbullën e ngjarjeve kaq emocionuse, sepse, në një mënyrë, a një tjetër, i ka përjetuar ato në vite.

Diku në librin “Dibra sportive” Ismeti shkruan:

“Në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi” më është kërkuar dikur që të mbroj gradën shkencore-të doktorit të shkencave. Kur më kanë thënë një gjë të tillë, u jam përgjigjur:

“Si, more, do të më jepni titullin doktor?Po ju harroni se mua njerëz të thjeshtë dhe personalitete prej vitesh më thërrasin “profesor”!Pra, vetë populli ka kohë që më ka dhënë një titull të tillë më të lartë.”(faqe 251)

Dhe kështu është. Aq më tepër, që pas këtyre librave Ismet Bellova meriton denjësisht “de jure”dhe të quhet profesor,ndonëse ato nuk janë vepra shkencore,por me vlera të dukshme në publicistikën sportive.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...