Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nesër mban Kuvendin e gjashtë zgjedhor, nga i cili do të dalin strukturat udhëheqëse të partisë. Kandidati i vetëm për kryetar është Ramush Haradinaj. Zyrtarët e AAK-së, vlerësojnë se procesi zgjedhor ka qenë mjaft demokratik dhe transparent, por nga monitoruesit, këto zgjedhje shihen vetëm si plotësim i anës ligjore.
I filluar më 15 janar të këtij viti, procesi i brendshëm zgjedhor në AAK po shkon drejt finalizimit. Nesër do të mbahet Kuvendi i gjashtë zgjedhor i kësaj partie, ku do të zgjedhën strukturat e reja udhëheqëse të AAK-së.
Mund të ketë të zgjedhur të rinj në strukturat tjera, por kryetari do të mbetet i njëjti. Ramush Haradinaj nuk ka kundërkandidat në këtë garë. Ernest Luma, zëdhënës i AAK tha se janë bërë të gjitha përgatitjet, ndërsa vlerësoi se procesi ka qenë demokratik në të gjitha degët. Ai tha se Haradinaj është i hapur për kundërkandidat.
“Deri më tani nuk ka kundërkandidat të Haradinajt, edhe pse ka qenë dhe vazhdon ende të jetë i hapur vullneti i zotit Haradinaj për të pasur kundërkandidat dhe për t’u sfiduar në mënyrën më demokratike të mundshme”, tha Luma për Radio Kosovën.
Haki Shatri, është anëtar i kryesisë së AAK-së, i cili në vitin 2009 ka kaluar në këtë parti nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ai thotë se në AAK ka gjetur demokraci të mjaftueshme, ndërsa procesin zgjedhor e konsideron si mjaft demokratik.
“Njerëzit kanë luftuar brenda rregullave, me konkurrencë lojale. Nuk kam vërejtur diçka që është cenim i lirisë dhe rregullave të demokracisë në këtë proces të zgjedhjeve”, tha Shatri.
Por, kështu nuk mendon Albert Krasniqi, hulumtues në institutin KIPRED, i cili nuk pret përmirësim as në Kuvendin e përgjithshëm të AAK-së.
“Zgjedhjet e brendshme në AAK më shumë kanë qenë formale, sa për të përmbushur kërkesat ligjore. Kështu që kemi parë që kryetarët e degëve janë caktuara paraprakisht pa kundërkandidat dhe në garë të mbyllur. E përmendi vetëm degën e Prishtinës dhe Mitrovicës. Edhe në garën e nesërme mendojmë se kjo praktikë do të vazhdohet edhe atje dhe nuk mund të presim ndryshime”, tha Krasniqi për Radio Kosovën.
Në procesin e brendshëm zgjedhor të AAK-së, sipas zyrtarëve të kësaj partie, kanë marrë pjesë rreth 90 mijë anëtarë në më shumë se 30 degë të kësaj partie. Ndërsa në Kuvendin që do ta mbahet nesër, pritet të marrin pjesë rreth 500 delegatë.