2013-04-29

Papunësia, shqetësim psikologjik dhe faktik


I vetmi “dëfrim” i të rinjve tanë janë kafeteritë


Kjo gjendje do një vëmendje të qartë për të nesërmen e këtij populli, kësaj rinie të denjë për t’u angazhuar në ndërtimin e përbashkët të shoqërisë kosovare




Shkruan: Msc. Venera Limani-Kryeziu, psikologe klinike


Marrë për bazë të sotmen kosovare, papunësia radhitet ndër faktorët më shqetësues ndër ne. Popullata e Kosovës skajshmërisht po përballet me situata të vështira ekonomike dhe sociale - madje edhe ekzistenciale. Çdo ditë, numri i të papunësuarve shënon rritje, ndërsa në vazhdimësi shtohet numri i atyre që kërkojnë punë. Kjo gjendje e papranueshme dhe si e tillë e paqëndrueshme e do një vëmendje të qartë për të nesërmen e këtij populli, kësaj rinie të denjë për t’u angazhuar në ndërtimin e përbashkët të shoqërisë kosovare. Së këndejmi, popullata shqiptare më e reja në Evropë, e aftë për punë dhe e vullnetshme për të vepruar dhe kontribuar në shumë fusha shoqërore, sikur e anashkaluar, anamendas hiqet rrugëve të qyteteve të stërmbushura me të rinj, të cilët nuk shohin asgjë më shumë se shqetësimin e tyre të përditshëm për të sotmen dhe të nesërmen e tyre të pasigurt. Ëndrrat e tyre, që ta materializojnë mirëfilli shkollimin e tyre, mbetet vetëm një ëndërr syhapur, e cila e shton shqetësimin e tyre, duke mos parë ndonjë shteg të hapur drejt perspektivës së tyre për një jetë të shëndoshë, pa shqetësimet e të sotmes ngulfatëse. Në këtë kontekst, bazuar në statistikat zyrtare, mbi 45% të popullatës nuk e gëzojnë të drejtën e punësimit - me frikën se këto të dhëna janë në rritje e sipër. Këtu dhe në këtë kuptim, zë vend edhe nepotizmi, si dukuri e shëmtuar e shoqërisë sonë, ku punësimet aranzhohen nga pushtetarët, të cilëve nuk u bën përshtypje edukimi adekuat i kuadrove të arsimuara mirëfilli, por të afërmit e tyre, të cilët zënë vendet e huaja pa kualifikimet e duhura dhe pa shkollimet e përfunduara.
Shëtitoret e të papunëve
Në këtë frymë, të një shoqërie të papërgjegjshme, pa dyshim se papunësia bëhet faktor ndikimi i frikshëm psikologjik, i dalë nga pakënaqësia dhe mosangazhimi i faktorit njeri. Kjo dukuri, pa dashje shndërrohet në prodhues krimi dhe depresioni shoqëror, ku fatkeqësisht, nga papunësia dhe pasiguria për të nesërmen tonë, shumë të rinj, i dorëzohen situatës ngulfatëse duke përfunduar me jetën e tyre në kohën e lulëzimit të tyre. Në kuadër të kësaj fryme depresive, si askund në botë, në pikë të ditës, qytetet kosovare janë të shndërruara në shëtitore e të papunëve. I vetmi “dëfrim” i të rinjve tanë janë kafeteritë e stërmbushura, në çdo kohë dhe në çdo cep të qyteteve. Andaj, si ta gëlltisim të vërtetën e hidhur? Si të frymojmë nga ngulfatja e kohë së pa frymë? - kur resurset njerëzore, më të kërkuarat gjithandej dynjasë, tek ne bredhin rrugëve dhe shtrihen nëpër kafeteritë e mallkuara, të zhveshur nga shpresat dhe ëndrrat rinore, ngase, dita e tyre rrjedh e shurdhër, pa ndonjë strategji mbi jetën dhe vlerat njerëzore të nëpërkëmbura nga djallëzitë e kohës… Çfarë tjetër të themi…? Kur në fytyrat e një rinie të lodhur, qartë vërehen dhe shpalosen rudhimet mbi ballin e depresionit shqetësues! Kur dita e tyre dhe “gëzimi” zgjasin aq sa gllënjkat e një filxhani kafeje, mbi të cilin, të përhumbur varin mendjet e tyre… duke u munduar që në mes tyre ta gjejnë këngën e ngushëllimit, që sadopak t’i amortizojnë brengat dhe shqetësimet e kohës, të një shoqërie të paorganizuar, e cila vazhdon të prodhojë pasiguri ekonomike dhe sociale. Si rrjedhojë e këtyre momenteve shqetësuese shpalosen brengat e përditshmërisë sonë. Pothuajse çdo ditë, nëpër masmediat tona, njerëzit e moshave të ndryshme në mënyrë kritike flasin dhe shprehin pakënaqësitë e tyre të shumta, duke filluar nga punësimi si bazë themeltare për jetën e njeriut, pensionet qesharake, mospërfillja e zërit të qytetarisë për shumë padrejtësi, brenga dhe shqetësime të shumta drejtuar në adresë të shtetit dhe organeve të drejtësisë, ndaj të cilave në masë të madhe është zbehur dhe ka humbur besimi i duhur. Në vorbullën e shumë ankesave ndër më të ndryshmet, e në veçanti pasiguria e ekzistencës, jepet një mesazh i qartë: se individi nuk mund të mbijetojë pa mbikëqyrjen sociale dhe ekonomike, pa të cilat nuk mund të kalohet në vetaktualizim, si pikënisje e rëndësishme për individin në realizimin e potencialit të tij krijues si pjesëtarë i barabartë i një shoqëri të qytetëruar, ku individi me të drejtë e fiton dhe e krijon hapësirën e tij racionale për të kontribuar në ndërtimin e shoqërisë dhe vetvetes së tij, duke i eliminuar pasojat psikologjike si faktorë potencialë në mbarëvajtjen e shëndetit publik.
A je duke punuar?...
Kjo pyetje, e cila dëgjohet më së shpeshti dhe pa dyshim është bërë brenga kryesore e përditshmërisë sonë - e ka marrë formën brenda një përshëndetjeje të zakonshme. Kështu, duke kaluar në një përshëndetje tashmë të rëndomtë, madje edhe mes njerëzish që nuk kanë ndonjë miqësi të thellë, brenga e papunësisë, natyrshëm e ka kapluar çdo mendje njeriu. Andaj, sikur vetvetiu na del nga goja dhe bashkëbiseduesin e pyesim: A je duke punuar diku? A ke gjetur ndonjë punë? Dhe, nëse e analizojmë këtë shprehje të lirë, si një shtysë inercioni të preokupimit tonë do të vinim në përfundim: se këtu rrjedh shqetësimi kryesor, si barrë e përditshmërisë, me të cilën ballafaqohemi. Dhe, çka ndodh brenda nesh si qenie njerëzore, kur nuk mund të jemi pjesë e një grupi aktiv, kur nuk kemi mundësi ta gjejmë veten dhe të kontribuojmë për shoqërinë, pjesë e së cilës jemi edhe ne? E tërë kjo luftë brenda nesh ndikon tejet rëndë në humorin dhe funksionimin psikologjik të individit. Prandaj, individi mund të ndihet i padobishëm për veten dhe rrethin ku jeton, i nënvlerësuar subjektivisht dhe objektivisht, i tensionuar, i stresuar, e madje edhe i depresionuar. Andaj, puna është pjesë përbërëse e aktivitetit dhe funksionimit tonë individual, madje në përputhje me komentin e Frojdit, i cili thotë: “puna është faktor kyç që kontribuon në shëndetin psikologjik dhe mirëqenien e individit”. Në kuptimin e mirëqenies shëndetësore, si popullatë e dalë pas tmerreve të luftës, është dashur ta kuptojmë seriozisht ndikimin psikologjik dhe të situatave stresogjene, që në mënyrë të organizuar të trajtohemi në frymë institucionale. Këtu, shteti dhe institucionet relevante kanë rol të rëndësishëm dhe parësor - që në menaxhimin e situatave mbi shëndetin publik të përfitonim shumë duke e ruajtur shëndetin dhe mirëqenien e popullit tonë. Prandaj, duke kuptuar dhe kujtuar vështirësitë e shumë personave të traumatizuar nga përjetimet e situatave makabre dhe shumë faktorë në çrregullimet e personalitetit individual, ku hyn edhe papunësia si shkaktare e gjendjes së rëndë ekonomike dhe mungesa e jetës sociale, janë kanosës potencial i shëndetit individual me shumë shqetësime psikologjike të natyrës së lehtë, por edhe asaj të rëndë, me pasoja të paparashikueshme... Në këtë kuptim, mbetemi me shpresë dhe në vend të përshëndetjes pyetëse “A je duke punuar?”, “A ke gjetur ndonjë punë?”, të zëvendësohet me shprehjen “Si kalove sot në punë?” Kjo do të ishte mrekullia e kohës dhe e hapësirës sonë në të cilën kemi vendosur të frymojmë shqip…

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...