2013-04-19

Selim Kryeziu:Tregu i lirë, gojëkëqijtë dhe unë analisti


Tregu i lirë, gojëkëqijtë dhe unë analisti
Shteti ynë i dashur Kosova, në muajin shkurt ka mbushur pesë vjet. Në shtator hyn jo në klasën e parë, por parashkollor. E arritur e kënaqshme kjo. Pastaj shteti ynë nuk është shtet shkel e shko. Ai është i pranuar ndërkombëtarisht gati nga njëqind shtete të botës. (Pa çka se Hasha pat thënë se brenda vitit do ta njohin njëqind shtete, i bie afërsisht të ketë shtrembëruar realitetin (ju pëlqen eufemizmi i përdorur në këtë rast?) për rreth gjashtë vite. Nuk është shumë jo! Mos u ankoheni!
Për fat të keq Kosova nuk pati ecurinë e politikanëve të saj të cilët për pesë vjet, nga shkolla fillore arritën të marrin diploma jo fakulteti, po master bile edhe tituj doktorë shkence. Gjithçka sipas hierarkisë. Ka rend e ligj këtu. Asgjë të veçantë personalisht nuk shoh këtu, asgjë tragjike, sepse, edhe në aspektin ekonomik, shteti ynë i dashur nuk ka arritur t’i ndjek politikanët e vet. Ata janë politikanët më të pasur të rajonit e më gjer, kurse Kosova është më e varfra në rajon dhe më gjer. Epo, nuk mund të jemi të parët për gjithçka, ju lutem!
“Se hynë njerëzit në politik për të vjedhur, e kam ditur, po se hynë në politik me marr diploma e tituj shkencorë, kur nuk më ka shkuar mendja!”. Kështu më tha një ditë një nga ata gojëkëqij, i cili nuk lë gjë pa thënë për politikanët tanë të dashur. Mos ja vëni veshin. T’i kthehemi analizës sonë.
Republika e Kosovës prej kohesh është përcaktuar si shtet demokratik me treg të lirë. Personalisht nuk marr erë fare nga ekonomia dhe kurrë nuk kam arritur ta kuptoj drejtë çfarë domethënë TREGË I LIRË. Ç’është e vërteta sapo fillova ta kuptoj këtë togfjalësh, “tregu i lirë”, ma përzjeu krejt Mimi. Kështu i quaj unë me përkëdheli politikanët. P.sh: Mimi ose Kusarica (po si se ndërroi mbiemrin kjo se?), për Mimozën e kisha fjalën, besoj se e kuptuat. Po kot ankohemi ne. Fajin për gjithçka e ka populli, d.m.th. , NE. Kemi filluar të bëhemi edhe bukëshkalë. Po, po! Dëgjoj aty këtu duke thënë: “Ma zi se në kohë të Serbisë... janë bërë ma të zi se shkiet... etj, etj”. Këto fjalë përdoren shpesh edhe në adresë të policëve të Kosovës. Dhe unë jam plotësisht i sigurt se këto fjalë i kanë rënë në vesh edhe Guximit, djalit të shefit të shefave dhe me gjerë, prandaj ka rrahur policin. Nuk ka pasur faj ai i shkreti. Ka ra viktimë e këtyre gojëkëqijve. Sa më vjen keq! Kushedi sa i dhembin grushtet të gjorit. More edhe presidenten po e tallin, keni dëgjuar?!. Po a tallet i (e) para e shtetit. Seriozisht kemi dal fare. Paska bërë solarium, pa çka? Mos deshët ju që ajo të shkoj në Afrikë që të merr ngjyrë. Pastaj, jo
Hasha po e shtet Mitrovicën, - po thonë gojëkëqijtë. Një shakaxhi gojëkeq bile po tallej një ditë. “Mirë që do ta marrin shkiet pjesën veriore të Mitrovicës, po çka do të bëjmë më këngën e Shkurte Fejzës “jo nuk ndahet Mitrovica?”. Nëse e ke ti atë gajle, po ta heq unë, - i thash. Ja japim gjithë Mitrovicën Serbisë dhe ajo mbetet e pandarë, ashtu si thotë edhe kënga e Shkurtës.
Të çuditshëm, vërtet të çuditshëm jemi ne shqiptarët. Ankohemi e ankohemi për gjithçka. Jemi bërë si vajtojcat. Vajto e ankohu, vajto e ankohu. Po deri kur vallë?!(shprehje e bukur artistike apo?). VALLË – sa bukur tingëllon kjo pyetja retorike me këtë - VALLË”. Po fakti që për çdo ditë konsumojmë ushqime fallco e të dala afatit, blejmë mjete “origjinale” Made in Chinna, hamë edhe m.... e nuk ankohemi. Është treg i lirë. Po, po, është treg i lirë! Tani ankohemi pse disa diploma universiteti (rreth gjysma e Kosovës) qenkan fallco. Po pse fallco more lum miku? Po ato diploma me euro origjinale janë blerë. Jemi apo s’jemi vend demokratik me treg të lirë?! Kush ka para blenë çfarë t’i dojë e bardha zemër. Veç nënë e babë nuk mund të blesh (edhe ashtu nuk ka asnjë të interesuar për këtë produkt), të tjerat i blenë të gjitha. Treg i lirë miku i thonë këtij, nuk është si në kohë të komunizmit. Demokraci është kjo heeeej!
Kur e mendoj ndonjëherë e dini sa keq më vjen për nënën time qe këtë vit i mbush te 80-tat, dhe nuk ka diplomë universiteti. Pesë djem koti ka rritur e gjora, e një diplomë nuk ishin në gjendje t’ia blejnë. HARAM, tri here HARAM!!!

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...