2013-04-20

“GOLGOTA SHQIPTARE”

Dr. Nebi Dervishi - Recension


Recension


Punimit të Ismet Jonuzi-Krosi – “GOLGOTA SHQIPTARE” (pjesa e I /parë)

Unë, pata fatin që të njihem që në fillim me përmbajtjen e librit të Ismet Jonuzi-Krosit, “GOLGOTA SHQIPTARE”, pasi që kam qenë redaktor i tij. Sigurisht,funksioni i recensës sime atë kohë ishte, që krahas vlerave të librit të evidencoja edhe dobësitë e tij, me synimin e vetëm për të ngritur nivelin e botimit. Sot, në momentin që monografia është në fazën e botimit, konstatoj me kënaqësi të veçantë se shumë prej sugjerimeve janë marrë në konsiderim dhe ne, të gjithë së bashku kemi në duar një libër që deri më tani, u mungonte bilbliotekave tona.

Për “Golgotën e madhe”, që përjetuan shqiptarët në trevat etnike lindore gjatë sistemit komunist, duke filluar nga viti 1944 e në vazhdimësi, është folur mjaft ndër gazeta, revista, radio e televizion, sikurse janë dhënë reportazhe televizive, janë shfaqur filma dokumentarë e tjerë.

Kjo, dramë e gjysmës së kombit shqiptar është pasyruar pjesërisht ose në mënyrë të fragmentuar edhe në veprat e shkrimtarëve dhe të ndonjë dramaturgu, por në ndonjë monografi gjithëpërfshirëse, e plotë dhe e rrumbullakësuar deri më sot, me sa dijmë ne nuk është shkruar.

Nisma vjen nga Ismet Jonuzi-Krosi, ndërsa shtegun e hap dorëshkrimi i tij rënçethës, “GOLGOTA SHQIPTARE” (pjesa e I /parë/).

Nëqoftëse, çdo monografi në kumtimin e mirëfilltë të fjalës, duhet të mbështetet në materialin faktografik, në korpusin e burimeve relevante, këtë parakusht të domosdoshëm e plotëson edhe dorëshkrimi që e kemi në dorë.

Autori, me pasionin e gjurmuesit, vullnetin dhe durimin për lakmi, i është përveshur vjeljes së dokumentacionit bazë, kujtimeve të bashkëkohanikëve, evokimi i disa prej tyre që e përjetuan këtë golgotë, dëshmitarëve të gjallë të familjarëve dhe të afërmëve të tyre, procesverbaleve, vendimeve të gjykatave të kohës e të dhënave të tjera, që mandej këto materiale të bollshme, t’i sitemoj dalëngadalë me pasion dhe me kujdes të veçantë, sipas personazheve (figurave) emblematike të rezistëncës në rajonin e Pollogut e më gjerë.

Por, merita kryesore e autorit qëndron, në trajtimin me një vërtetësi dhe në mënyrë objektive të figurave dhe ngjarjeve që po shtjellon. Analizat, sintezat dhe konkluzionet në të cilat arrin, ai gjatë shtjellimit të çështjeve të ndryshme janë të sakta, të argumentuara dhe të mbështetura në një bazë të gjerë burimore.

Në tërë monografinë, që është ndjekur hap pas hapi dhe është pasqyruar e zbërthyer veprimtaria e figurave të veprimtarëve për çështjen kombëtare, si dhe janë çjerrur maskat e politikës degjeneriuese sllavo-komuniste për t’i ndjekur e penguar përpjekjet e tyre për të drejtat e ligjshme të shqiptarëve.

Qëllimi esencial i këtij recensioni parësor, është që ta tërheqë vëmendjen e lexuesit të nderuar, lidhur me momentet që kanë të bëjnë me përjetimet golgotiane e ç’njerëzore të shqiptarëve të trevave të Pollogut, e më gjerë në harkun kohor 1944-1953. Andaj, për çështje të tjera nuk do të hyjmë më thellë, përveç që se në qoftëse kanë të bëjnë me sqarimin e çështjes, e cila më ka nxitur të bëj recensionin e këtij libri me plotë vlera faktike.

Punimi “GOLGOTA SHQIPTARE”, fillon me një parathënie (faqe 8-10), e titulluar “Veprimtaria e organizatave politike ilegale në Kosovë e në vise të tjera etnike shqiptare (1945-1999)”, ku evidenton një numër të konsiderueshëm të të dënuarve shqiptarë, të cilët vitet e rinisë dhe vitet më të ndritura të rinisë i kanë mbajtur në kazamatet jugosllave, si në Idrizovë të Shkupit, Veles, Nish, Podgoricë, Lepogllavë, Stara Gradishkë, Bileqe, Beograd e në Goli Otok.

Evokimet e personazheve, që kaluan e që njëhësh e përjetuan “Ferrin e Goli Otokut”, dëshmojnë për një trajtim të egër, barbar e mizor, të pa përsëritshëm në historinë e njerëzimit në kohën bashkëkohore.

Autori, skëterën e ka shtrirë në 181 faqe, me fotografi e faksimile vendimesh, me një parathënie, me personazhe të ndara në tre grupe (faqe 14-144) dhe pjesa e fundit me dëshmitë që flasin (faqe 146-175).

Në fillim të punimit, bën përpjekje që ta ndriçojë Organizatën Ilegale Politike Kombëtare “LIRIA”, e udhëhequr nga profesor Sadudin Kadriu-Gjura me shokë, që ishte vazhdimësia e Organizatës Ilegale Politike Kombëtare “BESA”, e themeluar që në vitin 1935 në Beograd.

Në përfundim të këtij recensioni do të shtojmë, se libri kushtuar Golgotës shqiptare (1944-1953) që i vihet para lexuesit, pak ditë para se Kosova të fitojë pavarësinë dhe “De jure” nga studiuesi dhe publicisti Ismet Jonuzi-Krosi, është me vlera jo vetëm për studiuesit që merren dhe do të merren në të ardhmen, me këtë përpjekje të fuqishme të një populli liridashës, por do të shërbejë si një porosi brezit të sotshëm dhe atyre që do të vijnë, për të çuar deri në fund amanetin e atyre brezave që për afro një shekull luftuan për t’i parë trevat etnike të bashkuara në një trung të vetëm.

Do t’i sugjeroja autorit që ka mundësuar botimin e këtij studimi, se do të ishte me vlerë që punimi të përkthehet edhe në gjuhën angleze, në mënyrë që edhe bota e qytetëruar perëndimore të njoh gjenocidin që sistemi komunist serbo-sllav, ka ushtruar mbi popullsinë shqiptare në Jugosllavi. Libri “GOLGOTA SHQIPTARE” (pjesa e I /parë/) dhe shpresojmë edhe tri që autori i ka projektuar do të jenë një dëshmi e gjallë për historiografinë shqiptare si edhe për gjykatësit e Hagës, të cilët po vënë në një bankë për të gjykuar si kriminelin ashtu edhe viktimën.

Duke përgëzuar autorin për botimin e kësaj monografie interesante dhe të dobishme, i urojmë suksese e botime të tjera të vlefshme që na i premton në parathënien e kësaj monografie.


Strugë, më 18.06.2007 Dr. Nebi Dervishi


Dr. Vebi Xhemaili - DIÇKA PËR LIBRIN GOLGOTA SHQIPTARE



Të vetëdijshëm se ka mbetur shumëçka të thuhet dhe të shkruhet për këtë libër. Që po del në dritë nga autori Ismet Krosi. Ky libër po përkujtohet në çastin kur populli shqiptar duhet t’ua lajë borxhin burrave më të përvuajtur dhe të ndrydhur nga pushteti komunist, duke e shpallur pas vdekjes HERO kombëtar siç ështe veprimtari Sadudin Gjura. Në kohën e okupimit komunist të cilin, veprimtari i kombit shumë rëndë e përjetoi, por kurrë nuk u gjunjëzua, bashkë me popullin shqiptar të shpërndar nga trungu i vet.

Monografia që kemi në dorë ka për qëllim që, sa më realisht të paraqitet një segment i luftës heroike dhe burrërore që bëri intelegjenca shqiptare. Ky veprimtar i palodhshëm i Pollogut dhe çështjes shqiptare, do t’i bëjë ballë me durim të madh e gjakftohtësi, stoikisht ideologjisë tradhtare të riokupimit sllavo-komunist të trojeve shqiptare.

Kur flasim dhe kujtojmë figurën e Sadudin Gjurës dhe bashkveprimtarëve të tij, por edhe kur marrim guxim të shkruajmë për një figurë të ndritur siç na përshkruan publicisti Ismet Krosi, ai nuk del tjetër veçëse një luftëtar i denjë dhe i paepur për qëllime të pastra të bashkimit kombëtar. Të shkruash sot për këtë figurë të rrallë e të pastër kombëtare, është edhe nder edhe përgjegjësi. Nder është sepse ai, me luftën e vet që bëri, sakrifikoi veten familjen dhe nderoi kombin shqiptar. Përgjegjësi është pse druajmë që të mos lëndojmë atë thelbësoren për çka luftoi Sadudin Gjura tërë jetën për çlirimin dhe bashkimin e kombit.

Dëshmitarët e gjallë flasin gjithnjë duke pasur në gojë vetëm të vërtetën për Sadudinin, me kompetencë të plotë për thelbin e strategjisë ushtarake, politike, ideore dhe luftararke të Organizatës Ilegale Politike Kombëtare “LIRIA”. Kjo strategji u përkrah plotësisht nga i tërë populli tetovar dhe më gjerë në mbrojtje të trojeve Arbërore.

Ne, pasardhësit e tij, i jemi mirënjohës këtij veprimtari, i cili i vuri në binarë të shëndoshë me çka në radhë të parë pikëpamjet kombëtare që diti t’ua zgjerojë horizontin se, luftën që bëri për komb, ishte e shejntë dhe prioritare.

Kuptohet se me të vetmin qëllim politika komuniste vuri në dispoinim pushtetin policor për të shfarosë këtë popull, të mbajë nën okupim tokat e tij. Bolshevizmi gjatë pesë dekadave sa do të qëndrojë në skenën politike do të përpiqet, pjesërisht t’ia arrijë qëllimit duke i dërgua edhe nëpër kazamatet më të egra jugosllave deri në Goli Otok. Të gjitha këtë do ti përdorë për të shuar vetëdijen, dinjitetin kombëtar dhe synimet liridashëse. Mirëpo, pushteti komunist kurrë nuk do të arrijë ta shuajë vullnetin e çeliktë, atdhedashurinë dhe bindjen në fitoren përfundimtare të shqiptarëve, që ishte e trasuar nga plejada e shkëqyer e veprimtarëve të kohës së Sadudinit me bashkëveprimtarë, të cilët e trasuan rrugën drejt çlirimit dhe bashkimit kombëtar.

Prandaj emri i Sadudinit, do të jetë gjithmonë i shënuar në historinë më të re kombëtare si patriot i palodhshëm për çlirimin dhe bashkimin e kombit, pra jemi të bindur se ky libër historik do të shtoj te brezat e rinj kurajon drejt platformës për një ardhmëri që ky popull e meriton.


Tetovë, 19.06.2007

Dr. Nuri Bexheti
Jo më kot, ekziston mendimi, se librat më të mirë historikë janë shkruar nga jo historianët, por nga autoritetet e tjera akademike, qofshin atotë sferave letrare, apo atyre publicistike. E tillë, është edhe iniciativa e guximshme e publicistit dhe regjisorit të përmbledhjeve dokumentare Ismet Jonuzi – Krosi, për të zbardhur ngjarje, momente dhe biografi të personaliteteve shqiptare, për të cilët historia deri më tani ka heshtur.

Ismet Krosi, sjellë në vellimin e parë të serisë së tij, materiale tepër ekskluzive, burime të panjohura, të cilat në të ardhmen do të jenë dhe do të shërbejnë si literaturë primare për të gjithë të interesuarit që do të merren me periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore e deri në fillim të mijëvjeçarit të tretë.

Vlerësoj, se botimi i vëllimit të serisë “GOLGOTA SHQIPTARE-I”, do të nxisë kureshtjen dhe debatin jo vetëm të opinionit shkencor në Maqedoni, por edhe të opinionit publik më të gjerë të rajonit.


Tetovë, më 20.05.2007

PARATHËNIE
VEPRIMTARIA E ORGANIZATAVE POLITIKE ILEGALE NË KOSOVË E VISET TJERA ETNIKE SHQIPTARE 1945-1999





Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova dhe viset e tjera shqiptare,jo vetëm që u penguan për t´u bashkuar me Shqipërinë,ashtu siç ishte vendosur në konferencën e Bujanit (31 dhjetor 1943-1 e 2 janar 1944), por ngjau ajo më e keqja,që këto troje etnike shqiptare u ripushtuan dhe u ndanë në katër copëza brenda Federatës Jugosllave të AVNOJ-it: Kosova bashkë me pjesët etnike shqiptare në Maqedoni, në Serbi dhe në Mal të Zi.

Populli shqiptar, ndonëse s´u pajtua asnjëherë me këtë gjendje, u organizua në forma të ndryshme legale e ilegale për të sendërtuar aspiratën e vet historike, çlirimin e trojeve shqiptare që mbetën nën sundimin jugosllav (lexo-serbosllav) dhe bashkimin e tyre me shtetin amë,Shqipërinë. Veprimtaritë politike-kombëtare ilegale të shqiptarëve në Kosovë…gjatë viteve 1945-1999 janë përshkuar nëpër gjashtë faza organizative:

Faza e parë, e organizimeve politike-kombëtare ilegale përfshin periudhën nga fundviti 1944 e deri më vitin 1950, dhe përkufizohet kryesisht me veprimtarinë e Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare(LNDSH). Drejtues të LNDSH-së ishin intelektualët patriotë: Halim Spahija, prof.Ymer Berisha, Tahir Deda, Marije Shllaku, Gjon Serreçi, At Bernard Llupi, Adem Gllavica, Ukë Sadiku, kapiten Hysni Rudi, Ajet Gërguri, Luan Gashi, Ibrahim Fehmiu, Qemal Skënderi, Halim Orana, Hamdi Berisha, Prof.Ibrahim Kelmendi, Hysen Tërpeza, Ejup Binaku, Sadudin Gjura me shokë,Organizta Ilegale Politike Kombëtare “Liria”, etj.
Faza e dytë, përfshinë kohën në mes viteve 1950-1958, dhe në popull, kjo periudhë deri në vitin 1966 quhej „Koha e Rankoviqit“. Brenda këtyre viteve organizimet ilegale, kanë qenë të shumllojshme si:vazhdimësia e veprimeve të LNDSH-së nga grupe me emërtime të tjera,Informbyroistët“, organizimi i grupimeve të ndryshme nga Sigurimi shqiptar, kundërshtimi i rekvizitave “Otkupit“. Kundërshtimi i asimilimit të shqiptarëve në turq dhe luftimi i marrëveshjes xhentëlmene Tito-Qypurli 1953 për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi…, luftimi në forma shantazhuese të kolektivizimit, aksioni i armëve etj. Përfaqësues të këtyre grupimeve ishin: Xhavit Gafuri, Hasan Jashari, Shaban Dërguti, Hafëz Jakupi, Bitër Dehalla, Sefer Elezkurtaj, Hajdar Bytyqi, Bie Vokshi, Fetah Bogiqi, Sami Peja, Sali Kelmendi, Konstandin Vasilaca (oficer i armatës shqiptare), Hajrullah Gorani, Ramiz Osmani, Xhemil Fluku, Ramadan Rexha, Ali Aliu, Omer Qerkezi, Sabit Kapiti, Mehmet Gega dhe grupi i tij,, Naxhi Purde me grupin “Shkëndija”, Rexhep Abdullahu, Nysret Nivokazi, Emin Fazliu,Nejazi Maloku (Procesi i Prizrenit) Enver Dukagjini, Adem Demaçi, Muhamed Brovina, Hidë Dobruna…
Faza e tretë, përfshinte kohën në mes të viteve 1958-1968, dhe kjo periudhë karaketrizohet me formimin e organizatave ilegale, të cilat do të artikulojnë koncepte të reja politike e kombëtare.
Në vitin 1958, atdhetari Metush Krasniqi, formoi organizatën: “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë“ (PRBTSHSHA);
Në vitin 1960-61, atdhetarët: Kadri Halimi dhe Ali Aliu formuan organizatën:“Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Trojeve Shqiptare në Jugosllavi, me Shqipërinë“ (KRBTSHJSH);
Në vitin 1963-64, simboli i qëndresës shqiptare Adem Demaçi, formoi “Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve“ (LRBSH) dhe në kuadër të të cilit kanë vepruar Komiteti i Prishtinës, Pejës, Gjakovës…
Në vitet 1964-68, veproi grupi i studentëve (sipas platformës së LRBSH-së), të drejtuar nga studenti Osman Dumoshi. Ky grup, ishte organizator i demonstratave të 27 Nëntorit 1968.
Faza e katërtë, përfshin periudhën 1969-1981, dhe mund të thuhet se është faza e lulëzimit të veprimtarive ilegale në Kosovë…Grupet ilergale më të njohura që e karakterizojnë këtë periudhë janë:
Grupi Revolucionar i formuar në vitin 1972, nga Kadri Osmani, Xhafer Shatri…(K.Osmani, fillimisht në nëntor 1969 kishte organizuar shpërndajen e një pamfleti, me anë të të cilit ka manifestuar suksesin e demonstratave të vitit 1968, dhe për këtë veprim dënohet me 10 muaj burg);
Grupi MLK (1976-78),OMLK(1978...) vazhdues të „Grupit revolucionar“, të drejtuar nga Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni, Kadri Zeka, Rexhep Mala…(Në vitin 1978 Kadri Zeka emigron në Zvicërr) „Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës“ (1975), e kryesuar nga Adem Demaçi dhe grupi i Adem Rukiqit;
-Partia Komuniste Marksiste-Leniniste e Shqiptarëve në Jugosllavi-PKMLSHJ(1977...) i drejtuar nga Avdullah Prapashtica;
Besëlidhja Kombëtare Demokratike Shqiptare (1977…) e drejtuar nga Emin Fazlia, alias Emil Kastrioti, me seli në Gjermani;
Fronti i Kuq Popullor-FKP(1978...), i drejtuar nga Ibrahim Kelmendi i emigruar në vitin 1976 në Gjermani;
Grupi Partia Kombëtare e Punës (1979-1980), i drejtuar nga Zaim Beqiri...;
Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe të Viseve të tjetra Shqiptare në Jugosllavi (LNÇKVSHJ(1978-shkurt 1982,) të drejtuar nga Metush Krasniqi, Jusuf Gërvalla dhe Sabri Novosella. (Në dhjetor 1979 Jusuf Gërvalla emigron në Gjermani, ndërsa Sabri Novosella në Turqi). Gjatë viteve 1980-81 në Kosovë me programin e LNÇKVSHJ-së sipas udhëzimeve të Jusuf Gërvallës ka vepruar Komiteti i Deçanit, i drejtuar nga Ismail Haradinaj, Hasan Ukëhaxhaj, Jashar Salihu, Xhavit Hoxha...dhe Komiteti i Drenasit, i drejtuar nga Bajram Gashi, e shumë të tjerë.
Faza e pestë e Lëvizjes Ilegale në Kosovë, dhe në viset tjera shqiptare, fillon me demonstratat e Pranverës së vitit 1981, dhe përfundon në vitin 1990, atë kohë kur nis fundi i shpërbërjes së Perandorisë Jugosllave të AVNOJ-it.
Bartëse e organizimeve ilegale ishte Lëvizja për Republikën e Shqiptarëve në Jugosllavi-LRSHJ, e cila u themelua me 17 shkurt 1982, pas shkrirjes së tri organizatave ilegale: LNÇKVSHJ, OMLK, PKMLSHJ në këtë organizëm.
Grupi Kushtrimi i Lirisë, i drejtuar nga Rafi Halili dhe Bejtulla Ademi, që veproi në Tetovë e më gjerë në vitet 1981 dhe 1982;
Grupi Marksistë Leninistë, i drejtuar nga Milaim Ziberi dhe Safet Shabani nga Kërçova në vitin 1983;
Grupi Dorë për dore, i drejtuar nga Alit Naxhaku nga Ohri në vitet 1983 dhe 1984;
Nënkomiteti i komitetit organizativ i marksistëve-leninistëve të Kosovës dhe për viset e banuara me shqiptarë në Maqedoni, është themeluar në vitin 1985...
Në vitin 1986 LRSHJ merr emrin: Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës dhe në kuadër të saj kanë vepruar një sërë grupimesh të vogla me emërtime të ndryshme, të cilat synonin me çdo çmim jetësimin e Republikës së Kosovës.
Dejtuesit e ilegales në periudhën 1981-1990, në Kosovë dhe në perëndim ishin: Jakup Krasniqi, Hydajet Hyseni, Gani Koci, Mehmet Hajrizi, Bajram Kosumi, Ali Lajçi, Gani Krasniqi, Nezir Myrtaj, Fazli Veliu, Ali Ahmeti, Hysen Gega, Bajram Bahtiri, Emin Fazliu alias Emil Kastrioti, Kastriot Haxhirexha, Fehmi Lladrovci, Ismet Begolli, Emrush Xhemajli, Shaban Shala, Halil Alidemaj, Mr.Ukshin Hoti, Mentor Kaçi, Kadri Osmani, Nuhi Berisha, Rexhep Mala, Xhavit Haliti, Xhafer Shatri, Elmi Zeka, Gafurr Adili, Hasan Mala, Agim Sylejmani, Xhavit Haziri, Saime Isufi, Abdullah Prapashtica, Meriman Braha, Martin Çuni, Bislim Elshani, Afrim Morina, Sejdi Gega, Bardhyl Mahmuti, Zaim Beqiri, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Fadil Vata, Zija Shemsiu, Ibrahim Kelmendi, Bajrush Xhemajli, Hajdin Abazi, Fatmir Brajshori, Emin Krasniqi, Sejdi Veseli, Adem Grabovci, Enver Topalli, Halit Naxhaku, Gafurr Elshani, Muhamet Kelmendi, Tahir Hani, Pajazit Jashari, Fadil Lepaja, Januz Musliu, Ramë Buja, Ahmet Haxhiu, Ibish Neziri, Xhabir Morina, Rafi Halili, Ibrahim Shala, Berat Luzha, Ramadan Avdiu, Xhemajl Fetahu, Sherif Konjufca, Bajram Ajeti, Raif Çela, Shemsi Veseli, Petrit Duraku, Ahmet Isufi, Beqir Beqa, Bashkim Mazreku, Behadin Hallaqi, Nysret Pllana, Sadri Ramabaja, Azem Syla, Akile Dedinca, Nesim Elshani, Ali Ajeti, Gursel Sylejmani e shumë të tjerë.

6. Faza e gjashtë (1991-1999,) është faza më kulminante e organizimeve politiko-ushtarake në Kosovë...dhe në historinë më të re të sa,j me të drejtë cilësohet si periudha e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Bazamenti i UÇK-së u bë Lëvizja Popullore për Repubilkën e Kosovës (LPRK), e cila në vitin 1993, u emërtua si; Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK).

GRUPI I PARË



1. Sadudin Gjura, i dënuar me 14 burg dhe tre vjet humbjen e të drejtave qytetare,

2. Sabri Ramizi, i dënuar me 10 vjet burg dhe 3 vjet humbjen e të dretës qytetare,

3. Izmit Bajrami, i dënuar me 11 vjet burg dhe 3 vjet humbjen e të drejtave qytetare,

4. Murat Isaku, i dënuar me 9 vjet burg dhe 3 vjet humbjen e të drejtave qytetare,

5. Vehbi Lushi, i dënuar me 7 vjet burg dhe 3 vjet humbjen e të drejtave qytetare dhe

6. Abdylselam Skenderi, i dënuar me 7.5 vjet burg dhe 3 vjet humbjen e të drejtave qytetare,

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...