2013-04-14

Sali Çekaj dhe Agim Ramadani nuk u fshehën, si komandantët e “Rognerit”


Është e rëndësishme të ceket se drejtuesit ushtarakë të Betejës së Koshares e thyen rregulloren e komandimit, Sali Çekaj, Agim Ramadani etj., dhe vetë u prinë ushtarëve në vijën e parë të frontit. Ata nuk deshën të “komandojnë” nga thellësia e territorit të çliruar, të fshehur nëpër bunkerë, ku nuk mund t’i gjente plumbi i armikut që e kishin përpara, as plumbi që mund t’u vinte mbrapa dhe anash nga “bashkëluftëtarët” që bënin punën e djallit.
Çekaj dhe Ramadani nuk u fshehën, si komandantët e “Rognerit”
Por, Naim Maloku siç thotë vet, kishte marrë nga komplotistët e UÇK-së edhe një detyrë tjetër shumë më të vështirë se detyrën e parë. Ishte në pyetje bash përvetësimi i Betejës së Koshares, falsifikimi i kësaj ngjarje me rëndësi të madhe kombëtare. Ja se çka thotë Naim Maloku për detyrën që kishte marrë nga SHP i UÇK-së, “Kosharja ka qenë një segment i operacionit “Shigjeta” që ka qenë i planifikuar dhe i organizuar nga SHP i UÇK-së”. (?!)...



E kujt ishte përgjegjësia për dështimin e UÇK-së në Dukagjin?
Naim Maloku me shkrimin e tij të botuar në “Bota sot” me titull: “Lufta e Koshares dhe faktori ndërkombëtar” pasi jep ca shpjegime për luftërat çlirimtare dhe luftërat agresive të nxjerra nga literatura ushtarake e të përkthyera shumë dobët, për çudi, na jep një vlerësim të drejtë kur thotë: “...elementi më i rëndësishëm i udhëheqjes politike të luftës është informimi i drejtë për mënyrën, formën dhe qëllimin e veprimeve luftarake në terren, në mënyrë që të krijohet opinioni pozitiv për qëllimet e luftës”. Shtrohet pyetja, a thua Naim Maloku bëri apo nuk bëri “informimin e drejtë të veprimeve luftarake në terren për të krijuar opinion pozitiv për qëllimet e luftës” me intervistat që u dha gazetarëve në lidhje me UÇK-në, Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, FARK-un, kolegët e tij ushtarakë të Ministrisë së Mbrojtjes, marrëveshjet e arritura në mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Udhëheqjes politike të UÇK-së, Betejës së Logjës, Betejës së Koshares etj?


Rrëfimi për Kosharen:
Intervistë me Shpend Shalën


Për herë të parë me Shpend Shalën u njohëm në Sankt Gallen të Zvicrës. Ishte 23 prilli 2000, përkujtohej përvjetori i vrasjes së Salih Çekajt dhe Agim Ramadanit. Ai erdhi bashkë me ushtarakët e karrierës, në mesin e të cilëve edhe Tahir Zemaj. Kur doli në tribunë, solli edhe përshëndetjet e Degës së LDK-së në Gjermani, veprimtarë i së cilës ishte.
Momentalisht është në dorëshkrim monografia “Pinjollët e Rrustem Llukës” në të cilën është përfshirë një intervistë e gjatë me Shpend Shalën e cila prek mjaft çështje që lidhen me jetën dhe angazhimet e tij, po më shumë mjaft dilema të pathëna për Luftën e Kosovës. Në kuadër të dhjetëvjetorit të rënies heroike të Salih Çekajt dhe Agim Ramadani shkëpusim një pjesë të intervistës për lexuesit e gazetës “Bota sot”. Intervistë kjo që u botua nga data 23 – 30 qershor, për çka i jemi mirënjohës, sidomos redaktorit të kësaj gazete z. Myftar Halili që e redaktoi dhe e publikoi me aq kujdes dhe përkushtim.
Tani ne po sjellim edhe për një rrjet më të gjerë të lexuesve duke ruajtur versionin publik ku titujt dhe citimet janë të z. Myftar Halili.
Shefqet DIBRANI

1. , 23.06.2009, faqe16.

Pasoja politike që rënduan gjendjen e familjes sonë ishte krushqia me Demë Ali Pozharin



“Bota sot”: Sa për fillim: Çfarë do të kishit thënë ju vetë për Shpend Shalën?

Shpend Shala: Jo që do të kisha thënë, por e them se jam stërnipi i Rrustem Alisë, pinjoll i Kullës së Rrustem Llukës, i njohur në tërë Rrafshin e Dukagjinit dhe më gjerë. Jam djali i parë i Avdyl Shalës dhe i Zyliha Demë Ali Pozharit, ndërsa fëmija i tretë në familje, i lindur pas dy motrave.
Dihet mirëfilli se në familjet e mëdha me tradita të theksuara nacional patriotike dhe sidomos në familjen shqiptare iu kanë gëzuar më shumë lindjes së djalit se sa të vajzës, prandaj them se pas dy vajzave që ishin para meje lindja ime do të shënohej me një gëzim të veçantë. Sidomos më së shumti ishte, gëzuar gjyshja ime, nëna e Zylihasë, Nifa, vajza e Haxhi Bajraktarit të Vranocit.

“Bota sot”: Origjina juaj familjare?

Shpend Shala: Jemi një familje e njohur dhe me ndikim jo vetëm në Lugun e Baranit ku jetojmë tashti, por edhe në Llukë, Molliq, me një fjalë ndikimi i familjes sonë hetohet në tërë Rrafshin e Dukagjinit dhe në pjesë të caktuara edhe në Veriun e Shqipërisë. Familje me tradita të lashta patriotike e cila ka dashtë fati të jemi fillimisht të vendosur në fshatin Llukë e Epërme të Deçanit, fshat ky që për një kohë të gjatë ka luajtur rol me rëndësi në të gjitha lëvizjet patriotike të kohës. E gjithë kjo ka ndodhur kur dihet se në Llukë janë edhe Verrat e Llukës, si një vend ku janë mbajtur tubime e kuvende të besës e besëlidhjeve shqiptare. Unë do të veçoja persekutimet e familjes sonë, qoftë nga rrënja atërore, apo nga ana e nënës, si gjithmonë nga regjimet e ndryshme pushtuese që nga ato osmane – turke, si dhe ato serbe e sllave jemi keqtrajtuar e persekutuar shumë herë. Por në mendjen time është ngulitur sidomos persekutimi i xhaxhait, Sadri Shalës, për të cilin ndiej më shumë dhembje, sepse i takojmë asaj periudhe. Xhaxhi Sadriu është dënuar për motive politike vetëm e vetëm pse ishte shqiptar dhe pse rridhte nga një familje me emër dhe me nam në këto anë.
Pas viteve 70-të, edhe pse Kosova e fitoi një lloj statusi më të avancuar, për familjen tonë asgjë nuk ndryshoi. E di që babai im vetëm pse ishte dhëndër i Demë Ali Pozharit nuk arriti të pranohet as për tagërmbledhës, sepse komisioni për pranim kishte qëndrim armiqësor ndaj Demë Ali Pozhari, kurse hakmarrja duhej zgjatur edhe deri te njerëzit e farefisit.
Përsëri kur rankoviçizmi u zgjua nga gjumi, sidomos me ardhjen në pushtet të Sllobodan Millosheviqit, sidomos me marrjen e asaj pak autonomie të Kosovës kur në pushtetin e atëhershëm erdhën servilët e asaj politike, të cilët me pasion mbështetnin dhe përkrahnin atë politikë, edhe djali i Sadri Shalës, Smajl Shala, i cili për një kohë ishte nënkryetar i Kuvendit komunal në Pejë dhe veprimtar i dalluar i LDK-së. Ai kishte probleme që të punësohej në shkollën fillore në fshatin tonë (Baran), ku e kishte kryer tetëvjeçaren, ku ishte rritur. E gjithë kjo hasmëri kundër Smajl Shalës bëhej vetëm pse ishte i biri i Sadri Shalës, i cili qysh në vitet 50-ta e kishte kundërshtuar radikalizmin serb që po forcohej edhe në pushtetin administrativ të Kosovës. Siç dihet, Sadriu qe dënuar me burg të rëndë, për motive politike, kurse pas sa e sa vitesh tagrin e saj e paguante edhe i biri i tij, Smajli, i cili sapo i kishte mbaruar studimet në Universitetin e Prishtinës.
Pasoja politike që rënduan gjendjen e familjes sonë ishte edhe krushqia me Demë Ali Pozharin, si një nacionalist i dëshmuar, të cilit pushteti komunist në bashkëpunim me lakenjtë shqiptarë do t’ia shkatërrojnë familjen dhe do t’ia konfiskojnë tërë pasurinë, kurse vetë baba Demë, detyrohet të arratiset në Greqi dhe nga aty do të vendoset në Turqi ku do ta kalojë pjesën tjetër të jetës. Persekutimet e familjes sonë lidheshin tërthorazi ose drejtpërdrejt me të gjitha zhvillimet politike të kohës, dhe s’kishte sesi ndryshe kur nëna ishte mbesa e Bajraktarit të Vranocit dhe bija e Demë Ali Pozharit. Mendoj se vetëm këto dy argumente do të mjaftonin që babai im, Avdyl Shala, të shikohej me sy të keq. Është po ashtu e njohur qe edhe vëllai i madh i babës, Ali Bajrami, ka qenë po ashtu dhëndër i Haxhi Bajraktarit të Vranocit, e me këtë edhe baxhanak me babagjyshin tim, Demë Ali Pozharin.




“Bota sot”: Kur jemi këtu, rrallë më ka ndodhur të takoj njeri i cili nga rrënja e babait dhe e nënës të ketë një histori të bujshme dhe kaq të begatshme, siç e keni ju. Pastaj kulla juaj me tradita dhe lëvdata të shumta, me bëma historike dhe me ngjarje që nderojnë kombin në përgjithësi, mbase është një meritë specifike, sigurisht këto ndodhi kanë reflektuar edhe në edukimin dhe emancipimin tuaj intelektual dhe qytetar, por mua më intereson të di si e ndieni ju veten të jesh pinjoll i kësaj familjeje, me gjithë këto merita që i kemi përmendur në vazhdimësi. Pra si e ndjeni ju veten si pasardhës i Rrustem Llukës në njërën anë dhe në anën tjetër si nip i Demë Ali Pozharit?

Shpend Shala: Është vështirë të jesh pasardhës i familjeve të tilla siç ishte familja ime apo familja e nënës sime. Por njëkohësisht është krenari, unë e ndiej veten shumë krenar, por është edhe vështirë, sepse tërë jetën duhet ecur sikurse në teh shpate që të mos gabosh, duhet të jesh shumë i kujdesshëm që të mos e njollosësh familjen, të mos i njollosësh njerëzit për të cilët i tërë regjioni i Dukagjinit ka një respekt dhe gjithmonë ka pasur respekt, familje të cilat gjithherë kanë qenë të respektuara, nga të cilat fqinjët dhe bashkëfshatarët dhe njerëzit e tjerë kanë ardhur dhe kanë kërkuar ndihmën e tyre, qoftë materiale, po më shumë kanë kërkuar dhe kanë marrë mendimin e tyre si një këshillë e vyeshme që pa hezitim iu është dhënë nga të parët e familjes sime, prandaj gjithsesi ndihem krenar edhe pse është një përgjegjësi e madhe. Për mua është e rëndësishme nëse nuk kam mundësi t’i shtyj më tej këto vlera, (gjithë ato veprime patriotike dhe atdhedashurie), së paku të mos i njollos gjithë ato bëma që janë kalitur e kultivuar brez pas brezi në familjen tonë.

“Bota sot”: Siç thamë edhe më parë: Ju jeni stërnip i Rrustem Alisë nga Lluka e Epërme në njërën anë, kurse në anën tjetër jeni edhe nip i Demë Ali Pozharit. Çka do të thotë për ty si ushtarak, veprimtar dhe krejt natyrshëm edhe si politikan, të jesh pasardhës i tyre?

Shpend Shala: Më shumë se çdo gjë përgjegjësi e madhe. Unë e kam theksua edhe më parë dhe vazhdimisht në bisedat tona e theksoj se është një krenari e madhe, por siç thashë është edhe një përgjegjësi. Është krenari të jesh pasardhës i Rrustem Llukës dhe të jesh edhe nip i Demë Ali Pozharit, por në të njëjtën kohë është edhe një përgjegjësi dhe një obligim që gjatë gjithë jetës të shkosh e ecësh me vëmendje të kujdesshme që të mos gabosh dhe ta njollosësh oxhakun i cili për shekuj me radhë ia ka rritur namin dhe lavdinë familjes sonë, për të cilën janë kujdesur breza të tërë burrash dhe luftëtarësh të përmendur.

“Bota sot”: Ju prej kohësh keni mërguar. Pse keni mërguar, dhe pse në Gjermani?

Shpend Shala: Nga Kosova jam larguar në fund të vitit 1992, përkatësisht më 25 dhjetor 1992, kam dalë në Shqipëri dhe me 6 janar kam marrë rrugën për në Evropën Perëndimore. Me anije nga Durrësi për në Triestë dhe me automobil kam tentuar të hyj në Zvicër.
Në këto përpjekje na kapi policia kufitare dhe na ktheu. Kam bërë edhe një përpjekje tjetër për t’u futur në Zvicër dhe diku afër Tunelit të Gothardit përsëri na kapi policia dhe pas një arresti shtëpiak përfundimisht hoqa dorë nga përpjekja për t’u futur në Zvicër dhe u ktheva në Slloveni. Nga atje e kam marrë në telefon një mik timin të vjetër (Rexhë Haziraj), i cili në atë kohë jetonte në Shtutgart. Nga Gjermania erdh ai në Lubjanë, në hotelin “Turist” ku isha i vendosur për të më marrë me vete. Atë natë e kemi kaluar në Lubjanë kurse të nesërmen u nisëm për në Gjermani, dhe më 9 janar 1993 kam arritur në Shtutgart të Gjermanisë. Kurse më 27 prill 1995, në banesën ku jam edhe sot, jam vendosur në Konstanz së bashku me familjen time.

2. , 24.06.2009, faqe16.

Salih Çekaj ka qenë njëri ndër protagonistët kryesorë për t’u themeluar Ministria e Mbrojtjes




“Bota sot”: Nga kryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Kosovës janë bërë përpjekje për t’i organizuar Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës me shkurtesën e përfolur FARK. Sa është kjo e vërtetë dhe ju si ushtarak i karrierës a mund të na flisni për fillimet e krijimit, për organizimin në fillim të FARK-ut. Përkatësisht për dobitë dhe pasojat?

Shpend Shala: Mendoj se në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të cilën e udhëhiqte Bujar Bukoshi, qeveri kjo që vepronte në ekzil, jo që është tentuar të formohen Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës por me plasjen e luftës së hapur në mes të UÇK-së dhe forcave serbe, ku si datë mund të merret dita kur është sulmuar familja Jashari, përkatësisht pas masakrës në atë familje, jo Bujar Bukoshi, por të tjerë kanë punuar për krijimin e një force mbrojtëse, një ushtrie të ardhme të Kosovës, njëri nga ata ishte padyshim Salih Çekaj. Me angazhimin e tij dhe të ushtarakëve të karrierës formohen Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës dhe me të u formua edhe Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, në kuadër të Qeverisë së Kosovës, me seli në Tiranë, kurse ministër i Mbrojtjes zgjidhet Ahmet Krasniqi. Menjëherë janë formuar të gjitha institucionet përkatëse të cilat duhet t’i ketë një ministri e mbrojtjes.
Se si ka ardhur deri te formimi mendoj se e ka shpjeguar fare mirë kolonel Tahir Zemaj në librat e tij. Pa dyshim Salih Çekaj ka qenë njëri ndër protagonistët kryesorë i cili ka dhënë kontributin më të madh për t’u themeluar Ministria e Mbrojtjes dhe për t’u arritur ky stad organizativ në përmasat e një ministrie të mbrojtjes që i duhet secilit vend, sidomos vendit tonë që në atë kohë ishte në luftë.
Menjëherë pas emërimit të Ahmet Krasniqit për ministër të Mbrojtjes, Salih Çekaj do ta shuajë Grupin e Dukagjinit, i cili deri në ato momente udhëhiqej nga ai dhe kishte po ato synime ushtarake që u arritën me rastin e themelimit të Ministrisë së Mbrojtjes. Me sa di, Salih Çekaj, nga Ministri i Mbrojtjes ishte caktuar si kryetar i gjykatës ushtarake, e cila do të vepronte gjatë luftës pranë kësaj ministrie dhe ai nuk ka pranuar që të vihej në krye të asaj gjykate, sepse ai mendonte se është shumë më e dobishme që bashkë me Tahir Zemajn dhe eprorët e tjerë ushtarakë të futeshin në Kosovë dhe me pushkë në dorë të luftonte kundër okupatorit serb që kishte filluar masakrat dhe dëbimin masiv të popullsisë civile nga Kosova.

“Bota sot”: Dihet se Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës është caktuar kolonel Ahmet Krasniqi, a mund të na flisni pak më konkretisht cili ishte roli i Ahmet Krasniqit në mobilizimin dhe organizimin e eprorëve ushtarakë dhe në orientimet e para të luftës së armatosur në Kosovë?

Shpend Shala: Unë mendoj se Ahmet Krasniqi ka pas një rol shumë të madh në organizimet e para, ashtu siç thamë ai ishte caktuar dhe propozuar nga gjithë kolegët tanë, nga gjithë eprorët ushtarakë, që të jetë Ministër i Mbrojtjes dhe me këtë gjë ishte pajtuar edhe Kryeministri i atëhershëm i Qeverisë së Republikës të Kosovës, Bujar Bukoshi. Mund të them lirisht se roli i Ahmet Krasniqit ka qenë shumë i madh, duke u nisur edhe nga fakti se ai ka qenë një ushtarak që i ka kryer të gjitha akademitë ushtarake. Po kështu mund të thuhet edhe për Tahir Zemajn. Mes të gjithë eprorëve ushtarakë që kanë qenë në kuadrin e Ministrisë së Mbrojtjes, ata të dy kanë qenë më të shkolluarit dhe me një përvojë të përsosur në fushat e artit ushtarak prandaj roli i Ahmet Krasniqit në krijimin e Ministrisë së Mbrojtjes bashkë me kolegët dhe bashkëpunëtorët tjerë në mesin e të cilëve po veçoj zëvendësministrin e mbrojtjes Agim Mehmetin si dhe Tahir Zemajn, i cili po ashtu sikurse Salih Çekaj, nuk ka pranuar funksione, por ka dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh në luftën për liri. Salih Çekaj dhe Tahir Zemaj kanë marrë përsipër formimin dhe krijimin e brigadave me të cilat do të futeshin në Kosovë për të kryer detyrën e tyre atdhetare dhe profesionale në ballë të frontit dhe betejave, të cilat nuk kanë mbetur pa nam.
Me pak fjalë Ahmet Krasniqi pati një rol të madh dhe të rëndësishëm në krijimin dhe mobilizimin e Ushtrisë së Kosovës. Ai kishte një përvojë të drejtpërdrejtë me luftëra dhe beteja të hapura, pastaj e njihte mirë edhe strukturimin ushtarak, prandaj nuk e kishte të vështirë ta bënte Kosovën me ushtri dhe Ministri të Mbrojtjes.

“Bota sot”: Ju keni qenë mik i afërt me kolonel Tahir Zemajn. A mund të na flisni së pari për rolin e Tahir Zemajt në fillimet e para për krijimin e FARK-ut, a mund ta përshkruani ndonjë moment emocional të tij si dhe ndonjë element përshkrues që karakterizojnë personalitetin e Tahir Zemajt, si ushtarak, dhe si bashkëmërgimtar i juaj, me të cilin keni kaluar një periudhë shumë të gjatë?

Shpend Shala: Shumë gjëra i kam sqaruar nëpër shkrimet e mia, apo paraqitjet publike nëpër tubime dhe akademi të ndryshme ku i kam theksuar meritat e kolonel Tahir Zemajt dhe të bashkëpunëtorëve të tij. Shkurtimisht desha të ritheksoj se Tahir Zemaj ka qenë një personalitet i papërsëritshëm. Ai ka qenë diku në një gjeneratë me Ahmet Krasniqin dhe dy nga njerëzit me shkolla më të larta ushtarake të kryera në Armatën Jugosllave dhe të kooptuar në strukturat shtetërore të Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës të Kosovës, të cilët e veshën uniformën e luftëtarit dhe të ushtarakut të UÇK-së për t’i dalë zot atdheut dhe për ta bërë të lirë Kosovën.
Roli i tij, pra i Tahir Zemajt në krijimin e mekanizmave udhëheqës në Ministrinë e Mbrojtjes është vënë në pah në të gjitha nivelet e organizimit, sidomos të njësive ushtarake, d.m.th. Tahir Zemaj me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqit, i formoi brigadat e para, të cilat futën në Kosovë, në qershor të vitit 1998, dhe kjo dihet botërisht se ka qenë brigadat 131, 133 dhe 134 që kanë hyrë në Kosovë si formacione ushtarake.
Këtu shihej roli i kolonel Tahir Zemajt, i cili pas thyerjes së kufirit depërtoi dhe futet në tokën e Kosovës, për t’u pozicionuar në Rrafshin e Dukagjinit. Brigada e udhëhequr nga Tahir Zemaj është vendosur në fshatin Prapaqan të Deçanit, duke e themeluar edhe kazermën e parë ushtarake të UÇK-së, e cila mund të merret si datë e themelimit (në rrethana lufte) të një kazerme e pajisur me gjithë logjistikën dhe infrastrukturën përcjellëse, që ishte e domosdoshme për një ushtri në rrethana lufte.

“Bota sot”: Cili ishte roli i LDK-së në fillimet e krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës?

Shpend Shala: Roli i LDK-së ka qenë me rëndësi, kur dihet se LDK – ja dhe njerëzit që kanë pasur poste udhëheqëse në këtë subjekt politik, në mesin e të cilëve po veçojmë: Salih Çekajn, Hafiz Gagicën, Fehmi Aganin dhe shumë e shumë njerëz të tjerë me të cilët nuk kam pasur rast të bashkëpunoj me ta, por i përmenda këta, se kam punuar dhe vepruar me ta dhe e di sesi kanë vepruar.
Ata kanë punuar dhe vepruar edhe në ngritjen e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, por roli i tyre është po aq i madh, sidomos para se të dalin formacionet e para ushtarake, qofshin ato në kuadër të FARK-ut, apo atyre të UÇK-së, sepse veprimtaria e tyre ne fushën e mbrojtjes daton sa ishin në Kosovë, përmes sindikatave të ushtarakëve a policisë qenë krijuar Ministria e Punëve të Brendshme, e cila i bashkërendonte punët e saj në bashkëveprim me LDK-në, sepse jo vetëm që ishte themeluese e saj, por ishte i vetmi subjekt politik që vepronte publikisht dhe që i kishte krijuar organet paralele në rrethanat e okupimit.
Themelimi i Ministrisë së Mbrojtjes në këto rrethana ishte përpjekje sublime e të gjithë eprorëve ushtarakë që vepruan me dinjitet edhe në rrethanat e pushtimit klasik. Ky veprim ka qenë i mundur ngase të gjithë eprorët që punonin ne Shtabet e Mbrojtjes Territoriale njëkohësisht ishin të përfshirë edhe në veprimet e Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes si përpjekje për t’u vetorganizuar në rrethanat e atij okupimi tejet klasik.
Gjithsesi LDK-ja kishte një rol të veçantë, pasi ishte subjekt politik që kishte guxuar ta shtrinte veprimtarinë e saj publike. Por roli më i madh i LDK-së në themelimin e Ministrisë së Mbrojtjes do të vërehet kur Salih Çekaj emigron në Gjermani dhe nga atje i bashkërendonte veprimet ushtarake dhe trajnimet në Shqipëri, ku si veprimtar i Degës së LDK-së në Gjermani, bashkë me kryetarin e Kolegjiumit të degëve të LDK-së në diasporë Hafiz Gagicën do të bëjnë punë e veprime shumë të dobishme për Kosovën, prandaj mund të themi se pikërisht kjo degë to të jetë strumbullar i përpjekjeve qoftë për ushtrime ushtarake, por edhe për t’ia vënë themelet një institucioni ushtarak mase të nevojshëm për Kosovën siç ishte Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës.

3. , 25.06.2009, faqe16.

Degët e LDK-së në diasporë kanë luajtur rol shumë të madh edhe në planin ushtarak

Grupet e para të organizuara qysh në vitin 1991 do të stërviten e përgatiten në Shqipëri, ku do të krijohen bërthamat e para të veprimit të organizuar ushtarak. Sado që nuk përfillet dhe sidomos pas luftës anashkalohet merita e Salih Çekajt, një gjë është e sigurt, se pikërisht nga ato grupe do të dalin komandantët e lavdishëm që i prinë UÇK-së, që luftuan në ballë të UÇK-së dhe që u flijuan në ballë të saj. Tash kur flitet për organizimin e UÇK-së anashkalohet Salih Çekaj por nëse dihet se një “shkamb” druri për ulje në të i ka tri këmbë, edhe UÇK-ja i ka pas tre njerëz, pa të cilët nuk do të kishte UÇK, se shtyllat prandaj janë shtylla dhe këta janë: Salih Çekaj, Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti dhe pa asnjë dyshim njeriu më i merituar ka qenë Salih Çekaj, sepse ka qenë më i arsimuari. Pastaj Salihu e ka pas të mbaruar Shkollën e Oficerëve Rezervë, pra ka qenë me gradën e kapitenit dhe fundja e fundit ka qenë shtëpia e tij në Broliq qendra kryesore e materialit dhe armatimit që ka shkuar pastaj në Drenicë, Llap e gjetiu. Është diçka tjetër nëse e mohojmë një të vërtetë, por e vërteta më e vërtetë ka qenë se Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti kanë punuar nën komandën e Salih Çekajt dhe i kanë zbatuar urdhrat e tij.
Degët e LDK-së ishin një faktor shumë i rëndësishëm, që pa ndihmën e tyre lufta dhe e ardhmja e Kosovës do të vihej në dyshim

“Bota sot”: Po roli i degëve të LDK-së në diasporë cili ishte?

Shpend Shala: Roli i degëve të LDK-së në krijimin e FARK-ut ka qenë gjithmonë në vartësi me Qendrën në Prishtinë me privilegjet e shumta financiare, të lëvizjes dhe të veprimit, prandaj Degët e LDK-së në diasporë, sidomos Dega në Gjermani dhe ajo në Zvicër kanë luajtur rol shumë të madh edhe në planin politik edhe në planin financiar, por edhe në atë ushtarak. Roli i tyre shihet vazhdimisht, edhe para luftës, edhe gjatë saj edhe pas luftës. Ndonëse gjatë luftës qenë bërë përpjekje për ta paralizuar tërësisht veprimin e LDK-së.
Siç dihet, Serbia pat nisur agresion të paparë mbi shqiptarët duke i dëbuar ata nga trojet etnike. Bash në këtë kohë nga një grup i caktuar qe nisur një luftë kundër LDK-së, edhe pse LDK-ja qysh para shumë vitesh i kishte nisur dhe bërë përgatitjet për një luftë frontale dhe pikërisht kur kërkohej e duhej më së shumti uniteti, këta djem që ishin përgatitur nga LDK-ja, ose duheshin ta pështynin LDK-në, ose duhej të hiqnin dorë nga përpjekja për të luftuar edhe me armë në dorë. Madje qe krijuar opinioni se dikush më parë e kthen pushkën kundër veprimtarëve të LDK-së se sa kundër Serbisë, kundër forcave paramilitare dhe ushtrisë serbe.
Nga viti 1990 - 91 e deri në prag të luftës kishin kaluar shumë vite dhe dihet mirëfilli e bashkëpunimi ndërmjet Salih Çekajt, Adem Jasharit dhe Zahir Pajazitit, në mes të të cilëve nuk pati asnjë konflikt, asnjë mosmarrëveshje dhe asnjë kundërshtim. Madje shtëpia e Salih Çekajt e ka pas derën hapur për Adem Jasharin, Zahir Pajazitin dhe shumë e shumë luftëtarë të tjerë, të cilët te Çekajt kanë hyrë e kanë dalë ditën e natën dhe kanë marrë materiale ushtarake pandërprerë. Kjo gjë dihet botërisht e pse hezitohet të pranohet publikisht është çështje tjetër, madje edhe familjarë dhe miq të ngushtë të Adem Jasharit e dinë këtë gjë mjaft mirë, prandaj është etike, është e moralshme që të thuhet publikisht dhe t’i pranohen vlerat e një vizionari luftarak edhe Salih Çekajt e jo vlerat e tij t’i përvetësojnë pamoralshëm profiteret e luftës që tashti në paqe sikur e ngulfatën edhe lirinë e Kosovës.
Por roli i LDK-së sikur u zbeh me fillimin e luftës në Kosovë dhe kjo gjë është vërejtur sidomos në Gjermani dhe Zvicër, ku përqendrimi i shqiptarëve është më i madh se kudo tjetër, por ndihma dhe roli edhe i shqiptarëve në vendet tjera ka qenë gjithmonë e pranishme e nuk duhet t’u minimizohet as roli, as kontributi i tyre, kurse në rrafshin diplomatik, roli i shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka qenë tejet i madh dhe shumë i rëndësishëm për të gjitha zhvillimet politike në Kosovë dhe në mbarë rajonin.
Por të mos harrojmë ta përmendim mobilizimin e eprorëve ushtarakë si dhe të kuadrit profesionist në furnizimin dhe pajisjen e nevojshme me logjistikë ushtarake. Pastaj, ndonëse dihet, ia vlen të rikujtohet se ishte pikërisht LDK-ja, përkatësisht degët e kësaj partie që iu bashkëngjiten luftës frontale e që jo pak djemve të rinj iu kushtoi shtrenjtë nga torturat dhe keqtrajtimet që i prisnin qysh në portin e Durrësit. Ata kanë kaluar nëpër një torturë psikologjike dhe nëse sot intervistohen shumë pjesëmarrës të luftës do të shpjegojnë se për ta më e frikshme, më torturuese do t’u del te Durrësi dhe kampet e përgatitjes se sa fronti i luftës. Kjo gjë është për keqardhje por ishte kohë që secili vendoste dhe torturonte dikën tjetër pa dhënë llogari, megjithatë edhe për sa u përket ushtarëve, edhe anës financiare degët e LDK-së ishin një faktor shumë i rëndësishëm, që pa ndihmën e tyre lufta dhe e ardhmja e Kosovës do të vihej në dyshim. Sa djem Kosove në Perëndim e lan punën, e lan jetën e sigurt dhe tejet luksoze për të shkuar në luftë, për t’i ndihmuar Kosovës, madje, shumë syresh, pasi e kryen misionin e tyre në shërbim të kombit dhe atdheut janë kthyer përsëri në vendet e tyre të punës në shtetet e Europës Perëndimore, a gjetiu dhe deri më sot këta djem as nuk flasin e as nuk krekosën, por vazhdimisht e theksojnë se kanë kryer një detyrim të vogël për Kosovën e tyre të shtrenjtë, për familjarët e tyre dhe për të dashurit e tyre që të kenë mundësi të jetojnë e ta shijojnë lirinë e Kosovës që ende s’është e plotë e që së shpejti do të gëzohet nga breza e breza të tërë shqiptarësh.
Angazhimi i atyre djemve në UÇK, apo thjesht nëpërmjet FARK-ut, nuk ua zbeh vlerën dhe përpjekjen, përkundrazi ua ka rritur nderin dhe famën, sepse në kuadrin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës bënte pjesë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Policia Ushtarake e Kosovës, Forcat Ajrore të Republikës së Kosovës dhe Mbrojtja Territoriale e Republikës së Kosovës. Këto ishin katër shtyllat kryesore që i përbënin Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës e që kontrolloheshin e komandoheshin nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës. Kjo strukturë organizative, kjo formë e hierarkisë gjendet në të gjitha shtetet që kanë ushtri, kanë mbrojtje dhe kanë ministri përkatëse që merret me çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, por fatkeqësisht Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, që udhëhiqej nga një grup injorantësh, me pikëpamje sektare e komuniste donte të anashkalonte organizimin profesional për të ndodhur pastaj ato që ndodhën dhe fatkeqësisht për të pësuar edhe lufta, por edhe personalitetet me vlera të veçanta për luftën dhe lirinë e Kosovës.
Njohja ime me Salihun, në Gjermani, nuk ishte rinjohje, por unë gjeta përkrahjen e tij duke më angazhuar në veprimtaritë politike

“Bota sot”: Cili ishte roli i Salih Çekajt në shkollimin e kuadrove ushtarake?

Shpend Shala: Unë kam thënë, edhe më lart e përmenda rolin e Salih Çekajt, pa të cilin shumë zhvillime politike e ushtarake nuk do t’i kishin ato merita që i kanë. Sidomos pas emigrimit në Gjermani, ai me tërë qenien dhe dijen e tij do t’i përkushtohej organizimit ushtarak sado që vazhdimisht atë e hasim dhe e gjejmë edhe në tubime publike dhe aktivitete të tjera që i organizonte Dega e LDK-së në Gjermani, apo degët tjera të LDK-së, kudo në Diasporë. Salih Çekaj, bashkë me Hafiz Gagicën, i cili atëherë ishte kryetar i Degës së LDK-së në Gjermani dhe njëkohësisht edhe kryetar i kolegjiumit të degëve të LDK-së në diasporë, do ta bartin barrën kryesore për atë shkollim që më pyesni ju. Kuptohet, me përkrahjen e institucioneve të Kosovës, veçmas me përkrahjen e LDK-së dhe njerëzve kyç në LDK që ishin në kryesinë qendrore të LDK-së, siç ishte prof. Fehmi Agani, i cili i ka mbajt lidhjet e drejtpërdrejta në mes tyre dhe presidentit Ibrahim Rugova, si Komandant Suprem i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës që ia garantonte Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e miratuar me 7 shtator 1990 në Kaçanik.
Pa asnjë dyshim janë Salih Çekaj e Hafiz Gagica promotorët e organizimit, shkollimit dhe përgatitjes së grupeve paraushtarake gjatë vitit 1991 dhe vitit 1992 në Shqipëri, ku do t´i stërvitin dhe angazhojnë edhe Adem Jasharin dhe Zahir Pajazitin, e jo siç flitet kuturu tash e dhjetëvjet.

“Bota sot”: Cila ishte njohja juaj me Salih Çekajn si veprimtar i LDK-së në diasporë, pa i ngatërruar kontributet e tija ushtarake për të cilat do të flasim më vonë?

Shpend Shala: Salih Çekajn e kam njohur qysh në Kosovë. Njohja ime me të u bë përmes djalit të axhës, Rrustemit, që ka qenë në një gjeneratë me Salih Çekajn dhe kanë qenë shokë të mirë. E kam njohur qysh në vitet e tetëdhjeta kur filloi punën në Gjykatën Komunale të Deçanit. Me Rrustemin ishin jo vetëm shokë të gjimnazit por edhe studimet e larta i kanë kryer bashkë (Salihu në Juridik, kurse Rrustemi në Ekonomik). Ata e kanë vazhduar edhe më tej shoqërinë, dhe në këto ndeja pata rastin ta njoh Salihun qysh herët. Njohja ime me Salihun në Gjermani nuk ishte rinjohje por unë gjeta përkrahjen e tij duke më angazhuar në veprimtaritë politike dhe ushtarake që rrodhën më vonë, qoftë në kuadrin e LDK-së, në Gjermani, apo në strukturat ushtarake të FARK-ut e më vonë edhe të UÇK-së, në Kosharen e heroizmave dhe lavdive të shumta.

4. , 26.06.2009, faqe16.

Formacionet ushtarake të Salih Çekajt janë më të hershme se sa lindja e UÇK-së

Siç e kam theksuar edhe më parë, roli i Salih Çekajt, përveç atij politik, në kuadrin e LDK-së, ku ka qenë sekretar i Degës së LDK-së në Gjermani, ka qenë i një rëndësie specifike edhe në krijimin e themeleve të një ushtrie të rregullt dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, të njohura si FARK, apo më vonë edhe i Brigadave të UÇK - së, pa emrin e të cilit do të kishin më pak peshë dhe rëndësi. Prandaj mund të shprehem lirisht se edhe më mirë me të, përmes bashkëpunimit të shumanshëm. Ai ka qenë si një vizionar që është gjetur kudo dhe kahdo. Sa herë e përmend emrin e tij, më rrëqethet shtati. Salihu ka qenë jo vetëm një njeri i dashur, jo vetëm një shok i mrekullueshëm, po dhe një burrë i madh, burrëria e të cilit kur të zdritet, do të jetë shkëlqimtare.
Kur fola për Rrustem Shalën dhe marrëdhëniet e tij me Salih Çekajn, është me rëndësi te theksohet se Rrustem Shala dhe Smajl Shala, së bashku me mua kanë qenë njerëzit më të besueshëm të Salihut në Lugun e Baranit. Ndër faktet e pamohueshme që vërtetojnë këtë gjë është edhe fakti se kur Tahir Zemaj hyn në Kosovë me brigadat 131, 133, 134, në Baran dërgohet Nazif Ramabaja me Brigadën 131, si ushtrues detyre i komandantit të kësaj brigade, Salih Çekaj i thotë Nazifit që të lajmërohet te Rrustem Shala, dhe nga ai do të ketë përkrahjen dhe ndihmën e pakursyer. (Këtë gjë e shpreh edhe vetë Nazif Ramabaja në prononcimet e tij në librin e dytë të kolonel Zemajt). Për kontributin e Rrustemit dhe te Smajl Shalës ka folur edhe Xhemail Berisha në intervistat e veta të botuara në gazetën “Bota sot”, gjatë muajit korrik 2003. Unë vetëm shtoj se Salihu e Rrustemi nuk kanë qenë thjesht vetëm shokë të një klase, por edhe shokë të një ideali, të veprimit konkret për të mirën e Kosovës.

“Bota sot”: Të kthehemi te aktivizimi në radhët e UÇK-së: Cili ishte ky aktivizim? Rrethanat e asaj kohe dhe mënyra e angazhimit tuaj në radhët e Ushtrisë së Kosovës?

Shpend Shala: Isha i përfshirë qysh herët në formacionet ushtarake, jo në UÇK, sepse emri i saj ka lindur vite më vonë, por në grupin e Salih Çekajt dhe në formën e sindikatave të punëtorëve ushtarakë dhe atyre të policisë, të cilat kishin po këtë synim, domethënë për t’i mbajtur më afër, më të organizuar, në mënyrë që kur të ndizet sinjali, secili të jetë në vendin e duhur dhe në momentin e duhur. Në këto angazhime, mendoj se të gjitha përgatitjeve ushtarake për të themeluar ushtri, emri i Salih Çekajt është në piedestal dhe e meriton ushtria e ardhshme e Kosovës t’ia shkruaj emrin me shkronja të arta. Nuk e them këtë as për nostalgji, as pse më pëlqen mua e dua të mburrem me të por ai ishte promotori i të gjitha lëvizjeve dhe angazhimeve në këtë plan. Pas krijimin e LDK-së, në vitin 1990, Salih Çekaj ka qenë i orientuar për të bërë ushtrinë e ardhshme të Kosovës, në kohën kur të tjerët silleshin rreth bordeleve të “pevaçicave sllave” të cilat shërbenin nëpër pijetoret e pista dhe përplot tym të duhanit anë e kënd Kosovës.
Qysh në atë kohë Salih Çekaj i pat vënë kontaktet në Shqipëri me njerëzit e tij, për të gjetur një vend të përshtatshëm ku mund t’i ushtronte kuadrot e ardhshme ushtarake që do t’i gjendeshin Kosovës në çastet e duhura posa të ashpërsohej konflikti i pashmangshëm serbo - shqiptar. Duke i pasur edhe lidhjet e hershme, edhe lidhjet familjare e ndiej veten krenar pse kam qenë afër atij njeriu, prandaj jo vetëm që kam qenë i informuar mirë, por mund të them se kam qenë pjesë e atyre proceseve. Mund të them se isha mjaft mirë i njohur edhe me rrjedhat e grupeve të armatosura që defilonin në Drenicë e Llap, apo nëpër vende e krahina të tjera, po më mirë e kam ditur veprimtarinë e Salih Çekajt, e sidomos kam qenë i informuar kur ai udhëtonte jashtë Gjermanisë.
Duket shumë e pabesueshme, por është e vërtetë se në shumicën e rasteve diversante në stacionet e policisë, në qendra të refugjatëve serbë të vendosur në Deçan, me të cilët Serbia pretendonte ta kolonizonte Kosovën, pra në të gjitha atentatet që bëheshin në Rrafshin e Dukagjinit, veçmas në Deçan, ka marrë pjesë vetë Salih Çekaj.
Për këtë arsye mund të them se kisha njohuri të drejtpërdrejta në këto zhvillime, pasi Salih Çekaj, zakonisht ka kaluar nëpër Konstanz për të shkuar në Shqipëri dhe nga atje futej në Kosovë. Ky vend ka qenë vendtakimi i Salihut me shokët e tij, me të cilët kalonte kufirin dhe vazhdonin udhëtimin e tyre për një rrugë të gjatë.
Në mesin e shumë rasteve të tjera, më kujtohet rasti i fundit, pasi dihet botërisht se Salih Çekaj deri në fund të vitit 1996 ka qenë me “dull-dung”, njëfarë lloj leje qëndrimi, që ia kufizonte lëvizjet edhe përbrenda Gjermanisë, e të mos flasim për udhëtimet e tij të shumta edhe jashtë Gjermanisë. Por, Salih Çekaj ishte edhe si uji, edhe si zjarri, kishte lëvizje e gjetje të jashtëzakonshme. Mbante me vete disa pasaporta qoftë të falsifikuara apo të shokëve me të cilët ka ngjasuar shumë, siç ishte rasti me pasaportën e Ismet Llapit (Avdullahut). Herën e fundit, pasi ka kryer me sukses aksionin në Qendrën e refugjatëve serbë në Baballoq, së bashku me Zenun Idrizajn dhe Agron Tolajn, kthehet mjaft i gëzuar në Zvicër, te motra e vet, e cila jeton në Bernë dhe ku e ka kaluar natën. Nga atje nuk kthehet në drejtim të Konstanzit, aty ku kishte dalë vazhdimisht, por shkon për të kaluar kufirin në Bazel, ngase e kishte më afër, me shpresë se pas disa ditëve do të vinte në Konstanz për ta marrë atë lejen e qëndrimit të lëshuar nga organet kompetente gjermane. Policia kufitare e Zvicrës e zënë në pikën e kalimit të qytetit Basel dhe me të kuptuar se kush ishte, rrezikohej për ta kthyer në Serbi, por me ndërhyrjen e organeve të Republikës së Kosovës që vepronin në Gjermani u bë e mundur që Salihun ta kthejnë në Shqipëri, por jo në Beograd siç qe tentuar. Për fat të mirë në atë kohë në Shqipëri ishin në pushtet forcat demokratike dhe pikërisht me ndërhyrjen e Sali Berishës, atij i lëshohet një pasaportë ku do të kishte mundësi për të ardhur përsëri në Gjermani për ta vazhduar veprimtarinë e tij politike dhe organizative.
Ishte ky shkas që e detyroi Salih Çekajn të lajmërohet si azilant në Gjermani, ku në një afat rekord atij do t’i pranohet azili politik, me çka përfundojnë edhe peripecitë e shumta në kalimin e kufijve shtetërorë të Gjermanisë.

“Bota sot”: Kur jeni aktivizuar? Ku dhe kur? Si të themi në kuadër të FARK-ut, apo të UÇK-së?

Shpend Shala: Kjo gjë është shumë e njohur. Kam qenë i angazhuar në kuadër të FARK-ut, përkatësisht në UÇK dhe kjo ndarje me motivacione politike ka ndodhur më vonë. Fillimi ka qenë tjetër, propaganda është bërë ndryshe. Sepse UÇK-ja ishte një formacion që vepronte në kuadrin e FARK-ut, kupolë e përbashkët ishte Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: A nuk na i thuani nja dy fjalë për Kosharen!

Shpend Shala: Kosharja është fshati i parë në brezin kufitar që i përket territorit të Kosovës, kundruall tij gjendet Padeshi që i përket Shqipërisë. Fshat ky kodrinor – malor, që ngjason me një bjeshkë që ka terren shumë të thyeshëm. Një fshat tejet i vogël por i një rëndësie specifike, sidomos për luftën e fundit gjatë vitit 1998/99. Në Koshare ishte vendosur karakolli më i madh i Ushtrisë serbe, ku vazhdimisht kanë qëndruar ushtarët serbë për ta vëzhguar më mirë Shqipërinë dhe një pjesë të Dukagjinit. Pasi ishte një pikë strategjike, UÇK-ja ka bërë përpjekje për ta marrë këtë pikë strategjike, prandaj luftimet e bëra për të, sot na janë të njohura si “Lufta e Koshares”.
Në Koshare është bërë thyerja e kufirit administrativ nga UÇK-ja që ishte përgatitur dhe ushtruar në fshatin Padesh. Aq sa ka qenë për Ushtrinë Serbe pikë strategjike Kosharja, po aq ka qenë Padeshi i rëndësishëm për Ushtrinë Shqiptare.
Pas të gjitha përgatitjeve, në orët e mëngjesit të 9 prillit të vitit 1999, nën udhëheqjen e Agim Ramadanit dhe të Salih Çekajt, sulmohen forcat serbe, ku me një ofensivë të befasishme merret Rrasa e Koshares, si dhe pikat tjera me rëndësi për atë betejë dhe për Luftën e UÇK-së në përgjithësi.
Të nesërmen është pushtuar edhe karakolli i Koshares dhe janë dëbuar me qindra forca serbe, të pajisura me një armatim të rëndë dhe shumë modern. Të mos harroj ta përmendi se Karakolli në Koshare ishte një repart ushtarak me 500 - 700 ushtarë, prandaj edhe kjo ndeshje mund të thuhet se bëhej në mes ushtrive që matnin forcën e luftës dhe pse jo edhe të lirisë.
Më pas ushtria serbe tërhiqet dhe kurrë më nuk është kthyer në atë karakoll dhe as në Rrasë të Zogut, në vend të të cilave përfundimisht vendoset UÇK-ja.

5. , 27.06.2009, faqe16.

Në tensionimet ndërmjet faktorit ushtaraktë UÇK-së rol tejet negativ ka luajtur edhe SHIK-u që udhëhiqej nga Fatos Klosi

“Bota sot”: A ka ndodhur të ketë fronte lufte në luftën e UÇK-së, veçmas në Betejën e Koshares?

Shpend Shala: Përgjithësisht në luftën e UÇK-së, luftëra ka pas shumë pak e fronte edhe më pak. Këtë mendim e këtë konstatim e kanë theksuar disa herë edhe kolegët e mi eprorë ushtarakë. Është një gjë krejt tjetër sesi e trumbeton propaganda e krahut tjetër këtë luftë.
Krahu tjetër i luftës mundohet t’i përvetësojë të gjitha vlerat pozitive të asaj lufte, për të treguar se ka luftuar shumë dhe ka bërë beteja të mëdha dhe madje e kanë prapsur ushtrinë serbe. Por me përgjegjësi profesionale flas se ata nuk e kanë prapsur kurrë ushtrinë serbe, sepse iu mungonte morali dhe dija profesionale. Mjerisht nuk kanë luftuar, lufta e tyre është rritur nga propaganda, pasi mjetet e informacionit publik mbanin anën e tyre dhe kontrolloheshin nga ata. Unë mund të flas për dy beteja të ashpra, të cilat edhe ndërkombëtarisht janë të njohura, siç është Beteja e Koshares, e cila është e njohur nga vëzhguesit ndërkombëtarë, si dhe Beteja e Loxhës, që është udhëhequr nga kolonel Tahir Zemaj dhe ka ndodhur në fillim të korrikut 1998. Aty kanë marrë pjesë brigadat e udhëhequra nga kolonel Tahir Zemaj, në mesin e të cilave po përmendi atë 131 dhe 134, ku është bërë kryesisht një luftë mbrojtëse, luftë që me dinjitet e ka mbrojtur Loxhën dhe moralin e ushtarit të UÇK-së.
Mërgatës shqiptare, shumë bij i kanë mbetur rrugëve, duke mos arritur të ngjiten në frontin e luftës për rrethana që i pat krijuar një krah i luftës, i cili me çdo kusht dëshironte të përfitonte çdo gjë nga kjo luftë
Edhe pse ushtria serbe ka qenë në një numër më të madh dhe ka qenë e pajisur me një armatim e logjistikë moderne, ku nuk kanë munguar forcimet nga njësitet e artilerisë dhe mjetet tjera luftarake, nuk kanë arritur atë ditë të depërtojnë dhe për aq orë që i përshkruan aq hollësisht në librat e tij kolonel Tahir Zemaj, i cili si prijës i saj e ka përshkruar me përsosmëri Betejën e Loxhës në librat e tij dhe në anën tjetër libri dëshmon profesionalizëm dhe përgjegjësi edhe në fushën publike. E them se këto ishin ato dy beteja që duhet krenuar për tërë luftën e UÇK-së. Beteja e Loxhës ka zgjatur vetëm disa orë, kurse Beteja e Koshares nuk mund të përkufizohet në një interval të një beteje, por ajo vazhdimisht quhet si Lufta e Koshares, sepse ka zgjatur mbi 60 - 70 ditë, që nga 9 prilli e deri me 9 apo 10 qershor, apo thjesht ta marrim me 12 qershor si ditë kur përfundon Lufta e Kosovës, kur u nënshkrua në Kumanovë marrëveshja politiko-ushtarake në mes Komandantëve të NATO-s dhe gjeneralëve serbë, të cilët pranojnë kapitullimin dhe menjëherë fillojnë tërheqjen e gjithë ushtrisë dhe logjistikës ushtarake, duke djegur e rrafshuar shumë pasuri të shqiptarëve.
Të mos harrojmë të theksojmë se në Koshare ka ndodhur të ketë edhe dy - tri beteja brenda ditës, ku ushtria serbe kishte vënë në shënjestër pozicionet e UÇK – së. Siç është e ditur, forcat tona e kishin marrë qysh më 9 prill 1999 karakollin e Koshares dhe aty ishin vënë vëzhguesit në vendet kyçe, nga ku mund të përcillnin të gjitha lëvizjet e armikut. Gjatë kësaj kohe, në Koshare pati konfrontime të hapëta, u zhvilluan beteja e luftëra mjaft profesionale, të cilat vazhdimisht i kanë fituar luftëtarët e UÇK-së.

“Bota sot”: A ka mundësi të na përshkruani takimin tuaj me Salih Çekajn në Koshare?

Shpend Shala: Me Salih Çekajn kam pas shumë takime në Koshare, sepse Salih Çekaj ka qenë edhe komandanti im. Pasi jemi te lufta, unë kisha dashur të them edhe këtë: Është meritë e Salih Çekajt, përkatësisht ai ishte shkaktari kryesor që unë e kam veshur uniformën ushtarake, e sidomos që kam shkuar në Koshare. Po ashtu në prononcimet e mia të mëhershme kur flas për nënën, babën, kur flas për familjen time, të cilët edhe përkundër dëshirës, hezitonin të më thoshin shko në luftë, me përjashtim të nënës, e cila asnjëherë nuk më ka thënë: mos shko! Përkundrazi, ajo vazhdimisht më ka thënë: shko! Familja jonë kishte përjetuar dhembje e shkatërrime të shumta në historinë e saj qindvjeçare, por më shumë në luftën e vitit 1998, dhe ndoshta ishte kjo arsye që ngurronin, por falë këmbënguljes të Salih Çekajt unë kam veshur uniformën ushtarake dhe kam shkuar në luftë.
Babai me një pjesë të familjes për një kohë ka qëndruar në Tiranë (gjatë vitit 1998), dhe duke qenë në dijeni rreth fërkimeve dhe plasaritjeve të faktorit ushtarak, ai nuk hezitonte të kundërshtonte, por kur e ka parë se e kisha vendosur, më tha: “Rruga e mbarë djali im, të qoftë nderi dhe lavdia, por kujdes nga njerëzit e luftës, atje është bërë një humnerë, ruaje nderin dhe dinjitetin, miqtë, shokët dhe bashkëluftëtarët mos i tradhto, se luftë është ajo!”
Me të vërtetë fjalët e babës më dolën, sepse përveç peripecive gjatë rrugës për në Koshare, na ra të shohim e përjetojmë përplot besëthyerje dhe tradhti deri në eliminimin e kokave të njëri - tjetrit.
Kosovës e sidomos mërgatës shqiptare, shumë bij i kanë mbetur rrugëve, duke mos arritur të ngjiten në frontin e luftës për arsye, motive e rrethana që i pat krijuar një krah i luftës, i cili me çdo kusht dëshironte të përfitonte çdo gjë nga kjo luftë. Në këto tensionime ndërmjet faktorit ushtarak të UÇK-së rol tejet negativ pat luajtur edhe Shërbimi Informativ Kombëtar që udhëhiqej nga Fatos Klosi, i njohur për gjëra të shëmtuara që pat bërë kundër të gjithë luftëtarëve e ushtarakëve që deklaroheshin se i njihnin institucionet e Kosovës dhe kryetarin e saj dr. Ibrahim Rugovën si Kryetar Kosove. Po ashtu në atë kohë në Qeverinë e Tiranës ishte Fatos Nano, i cili i përkrahte këta njerëz, qoftë moralisht apo edhe materialisht e sidomos në planin e logjistikës, duke iu dhënë përvojën e SHIK - ut për t’i ndjekur të gjithë eprorët ushtarakë që kërkonin dhe donin të udhëheqin luftë profesionale.
Në këto rrethana, mua më mbetej vetëm ta mbaja premtimin që ia kisha dhënë Salih Çekajt për t’u angazhuar drejtpërdrejt në Luftën e Kosovës, krah për krah tij. Të gjitha vonesat e aktivizimit tim kanë qenë të lidhura ngushtë me Salih Çekajn, nga i cili pritja sinjalin për të shkuar në Koshare dhe për të luftuar krah për krah me të, ashtu siç ndodhi pak kohë më vonë.
Në muajin shkurt 1999 jam paraqitur në Babinë, atje kam takuar Salih Çekajn dhe Agim Ramadanin dhe bashkë me ta kam luftuar në Koshare, si ushtar i tyre, si luftëtar me uniformën e UÇK-së.
Disa emisarë, për të gjallë të Agim Ramadanit, nuk kanë guxuar t’u afrohen objekteve tona në Koshare

“Bota sot”: Ndonjë moment nga takimet tuaja të shumta me Salih Çekajn që ia vlen për t’u përmendur?

Shpend Shala: Pasi kishin filluar luftimet, mbaj mend takimin e parë me Salihun në fshatin Padesh, në objektin nr. 3, ku ne bënim pushime. Pas diku nja 48 orëve në frontin e luftës, erdha për të pushuar, ndonëse ne mbeteshim shpesh edhe nga tri-katër ditë, varësisht nga kushtet atmosferike, por ishte menjëherë pas vrasjes enigmatike të Agim Ramadanit. Ai erdhi në Padesh, ishte shumë i shqetësuar, ndjehej jashtëzakonisht i demoralizuar dhe në njëfarë mënyre e dinte se çfarë e priste. Ai besonte shumë në veten e tij, por dyshonte në dinjitetin e ushtrisë, pasi kishin filluar të defilonin emisarë të dyshimtë, të cilët kalëronin kudo në frontet e luftës, kudo duke penguar organizimin dhe kundërvënien profesionale të UÇK-së, ngase qysh në ato ditë flitej se Agim Ramadani nuk ishte vrarë nga forcat serbe, por ishte vrarë nga emisarë që defilonin në çdo kohë edhe në Koshare duke iu afruar edhe vijës së frontit, por kurrë nuk kanë dalë në front, përkundrazi vazhdimisht kanë qëndruar në prapavijë. Luftëtarët ishin futur në sandviç, përpara nga ushtria serbe e prapa nga emisarë të dyshimtë. Ata cilët vazhdimisht rrinin në prapavijë, në mesin e të cilëve po përmendi Nesim Haradinajn, Ali Haskajn, Isa Balajn, e veçmas ndër njerëzit më destruktiv ka qenë Milaim Zekaj, të cilin sa herë e shoh në ekranin e RTK-së më shkakton dhembje koke. Këta njerëz, këta emisarë të dreqit, për të gjallë të Agim Ramadanit nuk kanë guxuar t’u afrohen objekteve tona në Koshare, si dhe vijës së frontit.
Pas vrasjes së Agim Ramadanit, Milaim Zekaj bashkë me Hysen Berishën bëhen të plotfuqishëm, kurse luftëtarët të cilët deri atëherë konsideroheshin si ushtarë e ushtarakë të institucioneve të Republikës së Kosovës ishin mbërthyer në shënjestër. Hysen Berisha, (në të vërtetë ai është Hysen Rexhepi), shëtiste poshtë e lartë nëpër Koshare dhe më sa duket për t’iu ngjitur më vonë Rrustem Berishës, ai e pat ndërruar edhe mbiemrin dhe pat luajtur një rol tejet negativ. Kur them negativ, nuk e kam fjalën për anën profesionale të luftës, por roli i tij negativ lidhet se pse i ka lejuar kundërshtarët e Salih Çekajt dhe të Agim Ramadanit të futeshin në zonë, ndërkohë që ata ishin në vijën e frontit. Pastaj i ka lejuar të defilojnë nëpër objektet tona dhe me siguri aty janë hartuar planet edhe për likuidimin e Salih Çekaj dhe Agim Ramadanit që më pas u eliminuan në rrethana misterioze dhe të pasqaruara deri më tash. Ndërsa eprori Rrustem Berisha do të avancohet në poste e grada të njëpasnjëshme, do të bëhet i besueshëm dhe gjithçka për Luftën e Koshares do t’i besohet atij.

6. , 28.06.2009, faqe16.

Dikush, një ditë, duhet t´u shpjegojë familjeve Ramadani dhe Çekaj dhe opinionit kosovar
se si u vranë Agimi e Salihu

Në anën tjetër, emisarët e pa porositur do të mbllaçitin fjalë të zhurmshme përmes ekranit të RTK-së, siç është rasti i Milaim Zekajt dhe me sa di, deri me sot askush nuk i ka marrë në pyetje për të ditur në ç’mision, në ç’kob dhe në ç’detyrë ishin në Koshare dhe pse pikërisht në ato ditë ndodhi vrasja e Agim Ramadanit dhe e Salih Çekajt.
E përsëris se Rrustem Berisha ka një përgjegjësi të madhe dhe mbase një ditë duhet t’u shpjegojë qoftë familjeve Çekaj, si dhe asaj Ramadani, si dhe opinionit kosovar e institucioneve të Kosovës sesi dhe nga kush u bë vrasja e këtyre dy njerëzve me aq rëndësi dhe pse duhet të mbeten vrasjet e pasqaruara edhe sot e kësaj dite, kur ato kanë ndodhur brenda një rrethi të ngushtë që e dinë më se miri se si ka ndodhur.
Salih Çekaj, deri në vdekjen e tij ka qenë komandant i Brigadës 134

“Bota sot”: Cili ishte roli udhëheqës e ushtarak i Salih Çekajt në Luftën e Koshares dhe përgjithësisht të Kosovës? Konkretisht çfarë roli ka pasë në Koshare Salih Çekaj dhe çfarë roli në organizimin e Ushtrisë së Kosovës?

Shpend Shala: Salih Çekaj në Koshare ka pasë rolin e Komandantit të Brigadës 134. Brigada 134 është formuar gjatë vitit 1998 dhe ajo ka zhvilluar luftëra në Dukagjin, sidomos në betejën e njohur, si Beteja e Loxhës, e cila është zhvilluar nën komandën e kolonel Tahir Zemajt. Por pas tërheqjes së saj, e cila është përfolur mjaft dhe që e ka shpjeguar më mirë koloneli në librat e tij, të gjitha përgjegjësitë komanduese i ka marrë Salih Çekaj. Në këto rrethana tensionimesh, duket pak sa absurde kur flasin njerëzit që nuk kanë luftuar fare. Ata kanë spekuluar me tërheqjen e Brigadës 134 që e ka udhëhequr Tahir Zemaj, kualifikime këto absurde me të cilat unë asnjëherë nuk jam pajtuar, sepse tërheqja e Brigadës 134 dhe e njësive tjera operative, të udhëhequra nga kolonel Zemaj, ka qenë në përputhje me normat dhe rregullat e luftës, duke u këshilluar paraprakisht me Ministrin e Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqin, si dhe në marrëveshje të plotë me institucionet relevante të Republikës së Kosovës për të shpëtuar popullatën duarthatë që ishte në ato fshatra.
Më pastaj, Salih Çekaj, deri në vdekjen e tij, edhe gjatë përgatitjeve, por edhe në vijën e frontit ka qenë komandant i Brigadës 134.

“Bota sot”: Ju folët kalimthi përkitazi me vrasjen e Salih Çekajt. A keni ndonjë informacion më konkret rreth vrasjes së tij?

Shpend Shala: Nëse bazohemi në përfoljet e shumta dhe duke u bazuar në një proverb popullor në të cilin thuhet “Fshati që duket nuk do kallauz”, kjo gjë nuk do aq koment, por të gjitha ato që i thashë bazohem në ndershmërinë time dhe në njohjet e mia sa isha në terren, jo sipas përfoljeve dhe thashethemeve. Megjithatë jo vetëm këtu, por vazhdimisht e kam theksuar se është e nevojshme kjo çështje të hulumtohet dhe të hetohet për t’u flakur dilemat, për t’u qetësuar familjet dhe pse jo për t’ua mbyllur gojën gojëkëqijve.
Derisa një gjë e tillë nuk bëhet, nuk lejohet dhe as nuk ngulmohet, nuk ka kush të drejtë t’i thotë tjetrit të mos flas, pasi dyshimet kanë një bazë ligjore për t’u nisur hetimet. Sepse, dihet fare mirë ku ka qenë Salih Çekaj më 19 prill 1999, në cilën kohë dhe me kënd ka biseduar për të fundit herë, njëri nga ata jam edhe unë, ku kam drekuar atë ditë me Salih Çekajn, i kemi dëgjuar bashkërisht lajmet e DW (Deutsche Welle), madje kam qenë i pranishëm kur është përgatitur ai raport, kam qenë i pranishëm kur ka bërë intervistën me gazetarin e DW, Halil Rrustemajn, i cili e ka sugjeruar Salihun që ta përgatiste raportin, kurse ai do ta merrte në telefon për ta emituar në lajmet e ditës. Koha për të cilën ne po flasim ka qenë diku rreth 10.00 para dite, ndërsa raporti përgatitej për lajmet e orës 13.00 të DW, ky raport është i fiksuar në celuloid dhe i takon po asaj dite të kobshme kur u vra Salih Çekaj.
Pastaj dihen kush, kur dhe pse kanë defiluar dhe në ç’mision ishin atje në Koshare. Por vrasja e Salih Çekajt dhe e Agim Ramadanit bëhet edhe më misterioze kur që të dytë nuk janë likuiduar në front lufte. Kjo gjë obligon edhe më shumë për të filluar hetimet, për t’u zbardhur e vërteta, aq e përfolur, këtu e dhjetë vite më parë.
Vrasjet në Koshare ishin misterioze dhe kanë mbetur edhe sot e kësaj dite enigmatike, ato vrasje nuk janë zbardhur, prandaj them se drejtësia kosovare herët a vonë duhet të merret me këtë çështje.

“Bota sot”: Pse Salih Çekaj mbeti i vetmi personalitet që nuk iu njohën meritat për organizimin e luftës, për udhëheqjen e luftës si dhe për çlirimin e Kosovës, që erdhi vetëm pak ditë pas vrasjeve të tij?

Shpend Shala: Këtë pyetje pak a shumë e kam trajtuar në një fjalim timin që e kam mbajtur në Gjermani, i cili përfshihet edhe në shkrimet e mia brenda këtij libri. Atij nuk iu njohën meritat sepse ishte më i merituari dhe njeriu pa të cilin nuk do të ishin nisur fillet e UÇK-së. Nuk iu njohën meritat, sepse Salih Çekaj i njohu institucionet e Republikës së Kosovës të dala nga vota e popullit. Nuk iu njohën meritat, se të pamerituarit bënin historinë, kurse luftën e ka bërë ai, e ka bërë Agim Ramadani, e ka bërë Ahmet Krasniqi, e ka bërë Ekrem Rexha komandant Drini, e ka bërë Ukë Bytyçi, e ka bërë Tahir Zemaj, e ka bërë prof. Fehmi Agani, e ka bërë Enver Maloku, e ka bërë Xhemail Mustafa. Këto personalitete janë vrarë gjatë luftës dhe menjëherë pas luftës, vetëm e vetëm për t’u shkruar historia ashtu siç nuk ishte lufta. Luftë ka qenë ajo që e ka bërë Salih Çekaj, por jo qysh shkruajnë gazetarët që nuk kanë qenë kurrë në frontin e luftes.
Po t’i njiheshin Salih Çekajt meritët për luftën, LDK-jë do të dilte si forcë politike e cila ka dhënë më së shumti për luftën. Ka shumë indikacione, por me keqardhje duhet të them se LDK-ja, si bartëse e institucioneve të Republikës, nën komandën, apo më mirë të themi në kuadër të të cilave ka vepruar Salih Çekaj, nuk ishte në gjendje t’ia njeh meritat edhe pse trumbetohet se është bërë diçka për Salih Çekajn. Jo iu ka ngritur një shtatore, jo është bërë një film për te, jo është shkruar një libër apo janë krijuar poezi e këngë të shumta apo janë emërtuar rrugë e institucione, mendoj se këto nuk mjaftojnë për një figurë aq të kompletuar, aq shumëpërmasore siç ishte ai.
Pas LDK-së vijnë institucionet që janë ngritur me votën e elektoratit të LDK-së dhe këto institucione janë zgjedhur e rizgjedhur më se katër herë dhe asnjëherë në mënyrë institucionale nuk është ngritur çështja e Salih Çekajt, e cila duhet të hetohet nëse dëshirojmë të hiqen dilemat. Përndryshe dilemat do të shtohen dhe do të shtresohen për sa të jenë gjallë ky brez dhe kjo gjeneratë që e ka bartur barrën e luftës dhe të përgjegjësisë. Nga ana tjetër, TMK-ja, që dihet nga cilat forca është formuar dhe udhëhequr dhe si ka ardhur deri te formimi i saj, e degradojnë në një formacion civil e tash së voni e shuajnë krejtsisht. Aty në TMK ka udhëhequr dikush tjetër, madje s’kanë ngurruar pa i shkelur meritat e Salih Çekajt, prandaj ai ka mbetur një ushtar me një moral të lartë, po pa asnjë mirënjohje dhe asnjë vlerësim nga Trupat Mbrojtëse të Kosovës që rrahin gjoks se janë pasardhëse e UÇK-së, ndërsa në anën tjetër di e njoh njerëz që kurrë s’kanë qenë në luftë dhe s’kanë shkrepur asnjë plumb, por që janë graduar, madje për ironi edhe deri në gradën e gjeneralëve, duke u sajuar filma e emisione dokumentare, sikur pa ta as nuk ka pasë luftë dhe as nuk do të ishte çliruar Kosova.

“Bota sot”: A mos kishte tendenca të tjera edhe më të qëllimshme. Mohimi që iu bë angazhimit dhe flijimit të Salih Çekajt mos kishte qëllim për t’i dhënë kahe tjetër organizimit dhe themelimit të UÇK-së?

Shpend Shala: E kam thënë edhe më parë, madje e kam theksuar edhe disa herë të tjera se Salih Çekaj kishte një meritë të madhe, dhe kishte dhënë një kontribut jashtëzakonisht të madh në krijimin dhe themelimin e UÇK-së. Nëse shihen vëmendshëm lëvizjet e mëvonshme, do të dalim te një pikë, te një qëllim dhe hë për hë ai qëllim është arritur, madje ku më shumë dhe ku më pak, për hir të kësaj apo asaj çështjeje edhe është pranuar, intelektualë, krijues e studiues sikur pranojnë një realitet të ri, duke anashkaluar të vërtetën morale, shkencore historike dhe faktike.
Por forca të caktuara, duket sikur u ngritën jo për ta luftuar Serbinë, por për t’i luftuar pikërisht institucionet e Kosovës, në kuadrin e të cilave ka vepruar Salih Çekaj. Sepse, sikurse institucionet civile, po ashtu edhe ato ushtarake, u vërshuan nga karrieristë, të cilët pas luftës dëshironin që të paraqiteshin se janë ata që kanë luftuar dhe vetëm ata e kanë bartur barrën e luftës, prandaj Salih Çekajt nga këta njerëz nuk i njihen kurrfarë meritash që i ka dhe i meriton. Sepse po t’i njiheshin Salih Çekajt meritat, të cilat me të vërtetë i ka pasë gjatë luftës dhe para luftës dhe deri në momentin e vrasjes së tij, gjithsesi do të dilte LDK-ja si forcë politike e cila ka dhënë shumë për luftën, çka është e vërtetë se ka dhënë shumë për luftën dhe përgjithësisht për Kosovën, e jo siç thonë trumbetuesit cinikë se LDK-ja e ka penguar luftën e fundit në Kosovë.

7. , 29.06.2009, faqe16.

Me vrasjen e Agim Ramadanit zbehet morali për luftë, kurse me vrasjen e Salih Çekajt ndërpriten të gjitha sukseset e Betejës së Kosharës

Beteja e Koshares kishte filluar plotësisht me eprorë ushtarakë profesionistë që morën pjesë edhe gjatë përgatitjeve të vjeshtës dhe të dimrit 1998 dhe deri më 9 prill 1999 kur filloi ofensiva për thyerjen e kufirit në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ato forca, ishin që të gjitha të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe që të gjithë vepronin nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës të Kosovës. Pra, ishte krejt e natyrshme që edhe ushtarakët të vepronin nën kuadrin e kësaj Ministrie. E di që sa ishin gjallë Agim Ramadani e Salih Çekaj Milaim Zeka, e as Agim Çeku në cilësinë e komandantit të shtabit të përgjithshëm nuk e paten rastin e as guximin të vinin dhe të defilonin në atë zonë që të bëjnë parada televizive sa për dekor, që të reklamoheshin në mjetet e informimit, sidomos nëpërmjet RTSH-së e cila terrorizonte diasporën shqiptare.

“Bota Sot”: A mendon dhe a beson se Salih Çekaj ishte njeriu që mund të quhet gurëthemeli i bërthamave të para ushtarake, të cilat më vonë u quajtën FARK apo UÇK?

Shpend Shala: Gjithsesi mendoj se Salih Çekaj ishte gurëthemeli i të gjitha përpjekjeve dhe angazhimeve, qoftë institucionale, apo ilegale të bërthamave të para ushtarake. Ai ishte njeriu që i solli vetëm të mira Kosovës. Ai ishte vizionar dhe njëri nga personalitet më të çmuara të luftës dhe përpjekjeve, prandaj me të drejtë ai mund të quhet gurëthemel jo vetëm i ushtrisë, por edhe i pavarësisë së Kosovës.

“Bota Sot”: A është e vërtetë se ishte pikërisht Salih Çekaj që i ka angazhuar Adem Jasharin dhe Zahir Pajazitin në ushtrimet ushtarake në Shqipëri, pastaj ai që i ka pritur e përcjell në shtëpinë e tij, në Broliq duke i armatosur deri në dhëmbë në misione e aksione të reja luftarake?

Shpend Shala: Po, kjo është shumë e vërtetë. Këtë nuk e pohoj vetëm unë por e kanë thënë dhe pohuar edhe shumë miq dhe bashkëpunëtorë të njohur të Salihut, Ademit dhe të Zahirit, siç ishin Zenun Idrizaj, Saim Tahiraj, Xhemail Berisha, pastaj Agron Tolaj dhe shumë e shumë bashkëpunëtorë e veprimtarë të tjerë të Salih Çekajt. Është krejt diçka tjetër që dikush pendohet për këto të vërteta dhe tani mohon një të vërtetë të ditur, madje jo çkado të vërtete, por atë që e ka angazhuar Adem Jasharin dhe Zahir Pajazitin në fillimet e fillimeve të luftës.

“Bota Sot”: Po njohja juaj me Agim Ramadanin cila ishte?

Shpend Shala: Agim Ramadanin e njoha në Koshare. Siç e kam thënë edhe në intervista të tjera, atë ditë që e kam takuar kam qenë bashkë me Zenun Idrizajn në Babinë, në qendrën për stërvitje ushtarake. Kur takova Agim Ramadanin ishte bashkë me Salih Çekajn dhe i rrethuar me ushtarë të tjerë. Ishte hera e parë që po e takoja. Salihu ma paraqiti si mik dhe si ushtarak. Po ashtu më kujtohet se në udhëtimin tim nga Tirana, më ka shoqëruar Kadri Balaj i cili punonte në Zyrën e Republikës së Kosovës. Kur u mbajt një takim në sallën operative të qendrës stërvitore në Babinë Agim Ramadani shprehu një admirim që më ka mbetur në mendje gjatë gjithë jetës sime.
Biseda pastaj u drejtua në çështje konkrete të organizimit ku ai nuk hezitoi t’i qortonte Kadri Balajn me shoqëruesit e tij se bënin pak, për të mos thënë fare pak, ose aspak për luftën dhe Kosovën.

“Bota Sot”: Po roli i Agim Ramadanit në Luftën e Koshares?

Shpend Shala: Agim Ramadani, nëse flasim për funksionin ushtarak, ai ka qenë shef i Shtabit në Brigadën 131, dhe pa dyshim është një ndër njerëzit kryesorë që ka luajtur një rol shumë me rëndësi në organizimin e atyre njësive që kanë vepruar në brigadat 131, 134 dhe Batalionin Diversant - vëzhgues. Ai ka pasë një rol të veçantë gjatë përgatitjeve, rol shumë me rëndësi dhe shumë të veçantë edhe gjatë luftës deri në vrasjen e tij. Fatkeqësisht vrasja e tij ndodh vetëm dy ditë pas thyerjes së kufirit, por Agim Ramadani ka luftuar edhe gjatë vitit 1998 në Luftën e Kosovës, ka marrë pjesë në të gjitha aksionet që i kemi përmendur edhe më lartë gjatë vjeshtës dhe dimrit të vitit 1998, kur qe sulmuar njësia famëkeqe “Zhaoka”, ku nën komandën e Agim Ramadanit është asgjësuar ajo njësi, si dhe në aksionet tjera Agim Ramadani ka ngadhënjye. Unë e thashë se është fatkeqësi vrasja e tij, sepse me vrasjen e Agimit, e cila nuk është bërë aq rastësisht, por aty fillon çalimi, demoralizimi dhe tërësisht zbehet ai morali për luftë, kurse me vrasjen e Salih Çekajt aty ndërpriten të gjitha sukseset e Betejës së famshme të Koshares. Vetëm kush gënjen, vetëm kush e thotë, e thotë të kundërtën, por pas vrasjes edhe të Salih Çekajt më nuk është shënuar asnjë përparim, qoftë në përforcimin e pozicioneve luftarake e le më me zmbrapsjen e forcave serbe.
Që nga data e 19 prillit ato pozicione kanë mbetur deri me përfundimin definitiv të luftës kur bashkë me forcat e koalicionit ndërkombëtar kanë përparuar dhe janë futur thellë në territorin e Kosovës.

“Bota Sot”: A ka dyshime rreth vrasjes së tyre kur dihet se ata janë vrarë në rrethana shumë të errëta dhe të ndërlikuara siç thatë edhe më parë e ku e keni thënë edhe në shkrimet tuaja, veçmas atëherë kur kanë filluar të defilojnë edhe në Koshare njerëz të dyshimtë?

Shpend Shala: Gjithsesi, këtë gjë e kam theksuar disa herë, kudo që më është dhënë rasti. Nuk dëshiroj të akuzoj ndokënd, por vrasja e Agim Ramadanit dhe ajo e Salih Çekajt duhet të hetohen. Se kush ishin ata, sa të rëndësishëm ishin ata tregon edhe mos suksesi i mëpastajmë në këtë front.
Dihet që në Koshare ka ardhur vetë Agim Çeku, i cili tek në prill 1999 e ka pranuar funksionin e komandantit të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, pastaj ardhja e eprorëve të tjerë siç ishte Naim Maloku dhe njerëzve të tjerë që s’kishin të bënin me luftën e aq më pak me Kosharen a institucionet e Kosovës. Këto janë vetëm disa fakte ku mund të nisin hetimet, pastaj gjërat do të zbërthehen dalëngadalë, sepse sipas çdo analize, po më shumë duke i parë se si rrodhën dhe si u zhvilluan ngjarjet e më pastajme do të bindemi se është dashtë të eliminohen ata dy burra, dy komandantë të ballit të luftës për të bërë historinë ndryshe ngase siç e kam theksuar edhe më parë, për të gjallë të Agim Ramadanit nuk kanë guxuar forcat destruktive të paraqiteshin në Koshare e Zoti na ruajt të hynin në objektet dhe repartet tona.

“Bota Sot”: Një pyetje paksa e vështirë: Më kujtohet se vetëm pas vrasjes së Agim Ramadanit dhe të Salih Çekajt komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Agim Çeku e pat vizituar Kosharen dhe më kujtohet mirë se kumtin e vrasjes së tyre me një zë që çirrej e jepte gazetari i tashëm i RTK-së Milaim Zeka. Pasi ju ishit në atë kohë në Koshare, a mund ta shtjelloni këtë temë pak më mirë?

Shpend Shala: E kam theksuar edhe më parë se Beteja e Koshares kishte filluar plotësisht me eprorë ushtarakë profesionistë të atyre brigadave, të atij batalioni që e përmenda edhe më lart, që morën pjesë edhe gjatë përgatitjeve të vjeshtës dhe të dimrit 1998 dhe deri më 9 prill 1999 kur filloi ofensiva për thyerjen e kufirit në mes Kosovës dhe Shqipërisë. Ato forca, ata njerëz ishin që të gjithë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe që të gjithë vepronin nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës të Kosovës, apo siç ironizonin nën kuadrin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës me shkurtesën e njohur FARK, dhe që të gjitha financoheshin nga ajo ministri. Pra, ishte krejt e natyrshme që edhe ushtarakët të vepronin nën kuadrin e kësaj Ministrie, kurse pas vrasjes së Agim Ramadanit dhe të Salih Çekajt, ashtu siç e keni dëgjuar edhe ju në mjetet e informacionit, (sepse unë këtë gjë nuk mund ta dëshmoj pasi ne nuk e kishim një mundësi të tillë), por e di që sa ishin gjallë ata nuk e pati rastin e as guximin qoftë Milaim Zeka, e as Agim Çeku në cilësinë e komandantit të shtabit të përgjithshëm të vinin dhe të defilonin në atë zonë që të bëjnë parada televizive sa për dekor, që të reklamoheshin në mjetet e informimit, sidomos nëpërmjet RTSH-së e cila terrorizonte diasporën shqiptare, ngase Kosova ishte në luftë dhe nuk e kishte mundësin e shikimit.


8. , 23.06.2009, faqe16.

Dihet kush luftoidhe kush mori grada!

Ka njerëz që kurrë s’kanë qenë në luftë, por me të mbaruar lufta janë veshur me uniformame grada të larta ushtarake, madje edhe me gradë gjenerali. Sa jam i informuar nuk ka ndonjë hetim serioz për zbulimin e disa vrasjeve enigmatike para, gjatë dhe pas luftës, dhe se askush nuk merret me këto çështje. Mendoj se librat e kolonel Tahir Zemajt janë dokumente të gjalla dhe flasin shumë edhe për vrasjet që tronditen Kosovën. Libri i dytë sjell shumë informacione, por ka edhe njerëz që kanë informacione të sakta e nuk e kanë guximin e Tahir Zemajt për t’i thënë publikisht. Shpresoj se tashti me ardhjen e pavarësisë, me ngritjen e institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës do të nisin hetimet dhe do të ndriçohen edhe këto çështje që kanë mbet enigmatike, si dhe shumë vrasje të tjera mjaftë misterioze. Shpresoj se edhe rasti i Salih Çekajt dhe Agim Ramadanit do të zbardhet.

Kjo propagandë kaq irrituese dhe madje poshtëruese kishte të vetmin qëllim të denigronte të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, kurse në anën tjetër kishin qëllim që të mblidhnin sa më shumë mjete e sa më shumë para në fondin “Vendlindja thërret” që e kontrollonin dhe e menaxhonin një grup i vogël, të cilët, siç u dëshmua më vonë, nga lufta dolën të pasur, madje milionerë.
Po sa i përket defilimit të Milaim Zekës dhe të Agim Çekut në Koshare menjëherë pas vrasjes së Agim Ramadanit dhe të Salih Çekajt është dashur që moti të hetohet e jo njerëzit e tillë të shpërblehen me punë të mira e poste të larta politike e shtetërore.

“Bota Sot”: A është e vërtetë ashtu siç flitet, se kurthi për vrasje të dyshimta është përgatitur për t’i dhënë kahe gjithë Luftës së Kosovës?

Shpend Shala: Pikërisht! Dihet se ky krah ka përgatitur lista të zeza, të cilat janë të njohura edhe gjatë luftës, po më shumë janë bërë publike me të mbaruar lufta. Në ato lista nuk ka qenë vetëm emri i Salih Çekajt e Agim Ramadanit dhe i Tahir Zemajt, por aty ka qenë emri i prof. Fehmi Aganit, i presidentit të Kosovës dr. Ibrahm Rugovës, pastaj i Bujar Bukoshit, me një fjalë emrat e njerëzve kyç që kishin rol me rëndësi në institucionet e atëhershme të Republikës së Kosovës, qofshin ato civile apo ushtarake.

“Bota Sot”: A janë bërë hulumtime nga ndokush për këto vrasje?

Shpend Shala: Sa jam i informuar nuk ka ndonjë hetim serioz, dhe askush nuk merret me këto çështje. Aty - këtu ka pasë indikacione private të grupeve individuale, të grupeve të vogla të njerëzve, të cilët megjithatë kishin dëshirë që të lënë të shkruar diçka siç ka qenë rasti i Tahir Zemajt, i cili më shumë se ndokush tjetër kishte dëshirë t’i lente shumë gjëra të shkruara dhe falë zotit ata libra janë bërë publikë për të gjallë të tij. Mendoj se ata libra janë një dokumentar i gjallë dhe flasin shumë edhe për vrasjet që tronditen Kosovën. Libri i dytë i Tahir Zemajt sjell shumë informacione, por ka edhe njerëz që kanë informacione të sakta e nuk e kanë guximin e Tahir Zemajt për t’i thënë publikisht.
Shpresoj se tashti me ardhjen e pavarësisë, me ngritjen e institucioneve përkatëse të Republikës së Kosovës do të nisin hetimet dhe do të ndriçohen edhe këto çështje që kanë mbet enigmatike, si dhe shumë vrasje të tjera mjaftë misterioze. Shpresoj se edhe rasti i Salih Çekajt dhe Agim Ramadanit do të zbardhet. “Ata janë vrarë në vijën e frontit, sa do që në atë kohë s’ka pasë ndonjë betejë”?!...
Mendoj se pushteti i ri, në Kosovën e Pavarur do të merret seriozisht me këto çështje, për t’i hetuar e ndriçuar të gjitha vrasjet edhe ato para lufte, gjatë luftës dhe këto që ndodhën pas luftës.
Ta zëmë nga rastet e nga faktet: Me vrasjen e Enver Malokut, si drejtues i Qendrës Informative të Kosovës, menjëherë është krijuar agjencia informative e UÇK-së, e cila quhej “Kosovapress”, pastaj “Radio Kosova e lirë”, dhe krejt natyrshëm mund të shtrohen dilemat pse gjithë këto lëvizje menjëherë pas vrasjeve të personaliteteve shqiptare dhe me të drejtë shtrohet pyetja: A mos ka ndonjë lidhje në mes krimit dhe veprimit?

“Bota Sot”: Për luftën, jo vetëm në Koshare por përgjithësisht për luftën e Kosovës janë shkruar libra, madje edhe seri librash, cilin prej tyre do ta veçonit për qasjen objektive e reale të të gjitha zhvillimeve politike e ushtarake në atë kohë?

Shpend Shala: Pa dyshim do t’i veçoja librat e Tahir Zemajt sepse janë më me vërtetësi dhe shumë më objektivë. Mbase janë të vetmit libra që e përshkruajnë një realitet ashtu siç ishte, me gjithë mangësitë që vihen re, prapëseprapë mbeten librat më të mirë. Askush nuk ka bërë ndonjë përpjekje të shkoj më tej se ai.
I kam lexuar të gjithë librat që janë shkruar. Nuk po them se sa të varfër e sa manipulues janë, nuk po them se sa më trishtojnë. Kosovës i duhen libra të tjerë. Libri që e ka të vërtetën në shuplakë të dorës ende nuk është shkruar. Pritet.

“Bota Sot”: Si i vlerësoni tendencat për t’u rishfaqur të atyre as që kanë luftuar?

Shpend Shala: Ka njerëz që kurrë s’kanë qenë në luftë, madje as nuk kanë tentuar të hyjnë në Kosovë gjersa forcat e NATO-s e çliruan Kosovën, kurse ushtarin serb dhe luftën kanë mundur ta shohin vetëm në ekranet televizive. Gjithë kohës janë sorollatur nëpër vendet Europës Perëndimore, apo nëpër hotelet luksoze të Tiranës, kurse me të mbaruar lufta, janë veshur me uniforma, me grada të larta ushtarake e madje edhe me gradë gjenerali që për mua është përdhosje e gangsterizëm, sa komike, aq edhe tragjike. Madje edhe ndërkombëtarët e dinë fort mirë kush ishte në luftë, kush luftoi dhe kush mori grada, apo kush u pasurua në kurrizin e luftës.

“Bota Sot”: Të kthehemi te fillimi i kësaj bisede: Nga hulumtimet e mia kam vërejtur se ju jeni pinjoll i një kulle dhe një fisi që ka pasë rëndësi në zhvillimet shoqërore e politike në Rrafshin e Dukagjinit, a mund të theksoni edhe diçka që ty të ka bërë të krenohesh?

Shpend Shala: Unë nuk kam çfarë të them më shumë se ato që i kemi thënë brenda këtij projekti (është fjala për librin në dorëshkrim), sepse shumë gjëra në një mënyrë a në një tjetër janë thënë. Dhe jam i sigurt se me mirë se unë i ka shpjeguar im atë, por megjithatë dua të them se krenohem që jam nga ata fëmijët e rritur në një kullë, se tradicionalisht kullat tona kanë qenë vatra dijesh dhe trimërish të pafundme. Nëse dikush sot mund të krenohet se është rritur në një vilë luksoze dhe moderne, lirisht mund të them se jam më krenar që jam rritur në atë kullë, si kështjellë të kreshnikëve. Që nga mosha pesëvjeçare unë kam qenë lejuar të ngjitem lart në kullë dhe të rri në dhomën e burrave, t’i dëgjoj bisedat e tyre dhe krejt natyrshëm edhe për ndonjë shërbesë të vogël. Në dhomën e burrave që në Rrafshin e Dukagjinit njihet si Oda e burrave, nuk kam pasur të drejtë të flas dhe të përzihem në bisedat e burrave, por kam mundur t’i përcjell dhe t’i dëgjoj vazhdimisht ato kuvendime. Po kjo gjë më ka shoqëruar edhe gjatë luftës dhe pas mbarimit të saj. Më shkoi jeta si dëgjues i zellshëm nëpër kuvende burrash. Me gjithatë për mua si fëmijë ka qenë një privilegj i madh dhe natyrisht jam trajtuar i privilegjuar në familje dhe përgjithësisht në lagje. Krenohem se jam i lindur dhe jam rritur në një kullë me emër e zë të madh, e që në Baran është e njohur si Kulla e Rrustem Llukës, prandaj pse të mos krenohem unë, Shpend Shala, që jam pinjoll i asaj kulle, i atyre traditave dhe i gjithë atyre historive që kanë ndodhur në familjen tonë të madhe, qoftë në Baran ku jam rritur, apo në Llukën e Epërme, prej nga e kemi prejardhjen.
Familja e Rrustem Llukës dhe ne pasardhësit e tij jemi familje me respekt të veçantë jo vetëm në këto dy fshatra që i përmendëm por në tërë Rrafshin e Dukagjinit, prandaj ne vazhdimisht obligohemi t’i nderojm këta njerëz e këto treva që i nderuan “Pinjollët e Rrustem Llukës”.

“Bota Sot”: Në fund ju falenderojmë në emër të lexuesve të gazetës “Bota sot” që na dhe mundësinë ta bëjmë publike edhe për një opinion më të gjerë.

Shpend Shala: Edhe për mua ishte kënaqësi e veçantë, ndërsa lexuesin e nderuar, bashkëluftëtarët e bashkëpunëtorët e mijë, veçmas familjen e Dëshmorit Salih Çekaj e përshëndes duke uruar që në këtë përvjetor të kenë dhimbje më pak.

Intervistoi: Shefqet DIBRANI


----------------------------
Intervistoi: Myftar DRAGIDELLA


Pas betejës së Loxhës ofenziva e armikut vazhdoi në viset tjera të Kosovës


Për ndihmesë të Junikut ishte planifikuar edhe njësiti operativ brigada "Skënderbeu" e udhëhequr nga eprori Fuad Ramiqi, e cila disa herë kishte bërë përpjekje për të hyrë, por ishte penguar nga persona të papërgjegjshëm me orientim dhe motive armiqësore. Pamundësimi i hyrjes së kësaj brigade, mosdhënia e ndihmës së Salih Çekajt nga ana e shtetit shqiptar dhe mosarritja e armatimit të premtuar për njësitet operative të Brigadave 131, 134 dhe 133 përshpejtoi edhe rënien e Junikut. – thotë major Nazif Ramabaja.
Intervistoi: Myftar DRAGIDELLA
M. DRAGIDELLA: Në një shkrim tuajin, në gashtëmujorin e vrasjes së kolonel Tahir Zemajt, keni përshkruar Betejën e Loxhës. Pas kësaj beteje të njohur ndër shqiptarët e Kosovës, çka ndodhi në arenat tjera të luftës?

Major Nazif Ramabaja: Ndodhi ofenziva e Rahovecit të cilën e përgjonim nëpërmes sistemit të ngritur për përgjim në brigadë. Pas Betejës së Loxhës, ku kishim marrë si trofe lufte shumë armë, municion dhe një motorolë 16 kanalëshe nga inspektori Sergjan Peroviç, në frekuencën e kanalit të fundit (Muja-2 ) kishim përgjuar zënien rob të një fshatari (Selim Bytyçi) në Rahovec.
Fjala tjetër ishte: „Vepro në mënyrë sa ma të shkurtër“ (në gjuhën serbe), pastaj dëgjohej: „Është vepruar“. Kështu kishte ndodhur me shumë fshatarë të cilët i kishin masakruar dhe likuiduar pa mëshirë gjatë zënies rob të tyre. Përveç Rahovecit ishte ndërmarrë edhe sulmi mbi Junikun sipas planit të qeverisë serbe për pastrimin e pesë kilometërshit të zonës kufitare në mes të Kosovës dhe  Shqipërisë.
M. DRAGIDELLA: Duke e parë këtë gjendje, cilët ishin hapat që ju ndërmoret për përgatitje sa më të mira për betejat e ardhshme?
   
Major Nazif Ramabaja: Kishim kontakt të përditshëm me dy oficerët e Brigadës 13, nëpërmes komandantit Tahir Zemaj, i cili kontaktonte me Rrustem Berishën dhe Agim Ramadanin të mbetur në Junik, në pritje të një lloj armatimi i cili duhej të arrinte, por në fakt nuk erdhi kurrë për shkak të pengesave të ditura.
Bëhej fjalë për një lloj armatimi superior i cili duhej të arrinte nga një shtet i fortë të cilin armatin as Serbia nuk e kishte në arsenalin ushtarak dhe se planifikonim që me ardhjen e këtij armatimi dhe organizimi i luftës çlirimtare në Kosovë do të bëhej në mënyrë më të organizuar.
Me hyrjen e forcave shtesë të armatosura me oficerë që kishin profesion përgatitjen, organizimin dhe zhvillimin e luftës së armatosur, me detyrë që këtë organizim ta mbështesin edhe të gjithë oficerët tjerë kështu që lufta çlirimtare, e potencoj lufta çlirimtare, do të merrte karakter të përgjithshëm mbarëpopullor e udhëhequr nga kuadri profesional ushtarak.
Duke parë se në çfarë situate gjendej Juniku dhe fshatrat e Rekës së Keqe, me pëlqimin e komandantit të njësiteve operative të Rafshit të Dukagjinit, Tahir Zemajt, dhe me urdhërin e tij, Salih Çekaj tërhiqet për në Shqipëri ku bën përpjekje titanike për të siguruar një pjesë të armatimit për t´i ardhur në ndihmë Junikut.
Ai edhe pse kontakton me Ali Aliun, mikun e tij, dhe disa ministra në qeverinë shqiptare nuk arrinë të sigurojë armatimin e duhur përveç një sasie simbolike e cila ishte e pamjaftueshme për luftëtarët e Junikut.
M. DRAGIDELLA: Në këtë kohë, në Junik ishte një gjendje e vështirë. Përse aq lehtë ra Juniku në duart e armikut?
Major Nazif Ramabaja: Për ndihmesë të Junikut ishte planifikuar edhe njësiti operativ brigada "Skënderbeu" e udhëhequr nga eprori Fuad Ramiqi, e cila disa herë kishte bërë përpjekje për të hyrë, por ishte penguar nga persona të papërgjegjshëm me orientim dhe motive armiqësore. Formacioni i kësaj brigade ishte duke bartur mjete ushtarake antitankse që i dedikoheshin Junikut e të cilat u duheshin më shumë se buka dhe uji. Pamundësimi i hyrjesë së kësaj brigade, mosdhënia e ndihmës së Salih Çekajt nga ana e shtetit shqiptar dhe mosarritja e armatimit të premtuar për njësitet operative të Brigadave 131, 134 dhe 133 përshpejtoi edhe rënien e Junikut.
M. DRAGIDELLAÇka e karakterizon rezistencën për mbrojtjen e Junikut?
Major Nazif RamabajaGjatë rezistencës së mbrojtjes së Junikut kontribut të jashtëzakonshëm dha oficeri Agim Ramadani, i cili u bë i njohur me këtë luftë e sidomos për shpërthimin e rrethimit dhe kurthat që ua përgatiti forcave ushtarako-policore dhe paramilitaro-mercenare serbe në minimin e rajoneve në Junik, Gjocaj dhe Jasiq dhe tërheqjen e të plagosurve dhe popullatës civile për në Shqipëri.
Për këtë Juniku, Gjocaj dhe Jasiqi duhet të mburren për luftën që e bëri Agim Ramadani i cili u bë sinonim i një strategu dhe profesionisti se si duhet luftuar. Ndihmesë të madhe në këtë i dha edhe Rrustem Berisha me ushtarin Astrit Ademajn.

Ne si oficerë profesionistë nuk kemi mundur të hyjmë nën komandën e një shtabi të UÇK-së, në të cilin nuk dihej se kush ishte komandant
M. DRAGIDELLA: Në këtë kohë flitej se mungonte bashkëpunimi në mes të forcave shqiptare të armatosura që verponin në Kosovë. A janë bërë përpjekje për një bashkëpunim më të mirë?
Major Nazif RamabajaNjë mbrëmje udhëtova për në Irzniq me shoferin Zymer Sefajn, njëherit pjesëtar i sigurimit personal dhe dy pjesëtarë të sigurisë personal: Sinan Shalën dhe Burim Gashin ku u zhvillua një takim pune. Në atë takim morën pjesë Ramush Haradinaj, "Smajli", Salih Veseli "Vetima", Rrustem Tetaj, Nazmi Ibrahimi i Jabllanicës (Shqiponja së Dushkajës), Fadil Nimani "Tigri", Tahir Zemaj dhe unë (Nazif Ramabaja).
Kjo ishte edhe një shenjë dhe përgjegje për të gjithë ata të cilët pyesin se përse nuk ka pasur bashkëpunim në mes të forcave të cilat vepronin në terren dhe forcave të armatosura, njësiteve operative  të cilat hynë në Kosovë. Bashkëpunimi ekzistonte, por rrjeti i atyre të cilët ishin kundër këtij bashkëpunimi dhe e pengonin ate në çdo mënyrë ishte tejet i madh si në Kosovë ashtu edhe jashtë saj, e në këtë rrjet ishin të përfshirë shumë emisarë të cilët ishin "turistë" të kësaj lufte dhe gjenin përfitimin e tyre nëpërmes fjalëve të mëdha, shpifjeve dhe intrigave të këtyre emisarëve. Ne si oficerë profesionistë nuk kemi mundur të hyjmë nën komandën e një shtabi të UÇK-së, në të cilin nuk dihej se kush ishte komandant.
M. DRAGIDELLA: Çka u bisedua atë natë dhe a është arritur pajtimi?
Major Nazif Ramabaja: Sa i perket gatishmërisë ushtarake sipas elementeve të renditjes ushtarake, ishte në nivel të duhur. Për kriteret e zgjedhjes së policisë ushtarake u tha:
Të jenë ata që i propozojnë  shtabet dhe puna e tyre do të ishte më e lehtë për të vepruar, konsideronte Ramushi. Në Lug të Baranit ka shkuar puna në dy drejtime: një në kuadër të brigadës dhe e dyta ata të cilët e kanë kryer këtë detyrë para ardhjes së brigadës. Me tutje duhet punuar në shkrirjen mesvete dhe të bëhet bashkimi në një, apo brigada të ketë për punë të veta policinë në kuadër të saj.
Sa i përket kësaj pike të renditjes ushtarake, kishte informata se shiteshin pushkët në Malishevë, pata thënë unë dhe për këtë vendosem një punkt kontrolli në Këpuz, ku të gjithë ata të cilët shkojnë me armë për në Malishevë të ndalohen që të shënohet numri i armës në mënyrë që të vërtetohet pas kthimit se a e ka të njëjten armë. Nëse udhëtohet në grup të lejohet vetëm një armë për çeshtje sigurie, ndërsa të tjerat të ndalen dhe pas kthimit të personave t`u kthehen prapë të njëjtat. Këto ishin vendimet e këtij takimi pune. Pas këtij takimi pune Ramush Haradinaj m´u drejtue duke më thënë :"Çka kisha për të bërë vet po të mos ishit ju oficirët".

"Kur njerëzit luftojnë vazhdimisht kundër bashkatdhetarëve të tyre, zakonisht vihet re se ata bëhen më të egër në mënyrë të panatyrshme dhe mbushen me tërbim më tepër se kur janë kundër një armiku tjetër". 
M. DRAGIDELLA: Cilat ishin vështirësitë me të cilat u ballafaquat ju oficerët profesionistë dhe nga vinte rreziku për një dobësim të radhëve tuaja?
Major Nazif Ramabaja: Kuadri profesional ushtarak duke ditur mirë për pasojat e luftërave të "Trandafilit" të shekullit 15-të në Angli ku sipas Çarls Dikensit: "Kur njerëzit luftojnë vazhdimisht kundër bashkatdhetarëve të tyre, zakonisht vihet re se ata bëhen më të egër në mënyrë të panatyrshme dhe mbushen me tërbim më tepër se kur janë kundër një armiku tjetër". 
Kjo na shtyri të bëjmë atë që është dashur për të bërë, vetëm e vetëm për të mos arritur deri të nji tërbim i tillë, për arsye se ne nuk njihnim parollën se: "Armiku është në mesin tonë", por gjithmonë duke përsëritur dhe vepruar sipas rrethanave luftarake dhe mënyrës së zhvillimit të operacioneve duke u gjendur në ballë të luftës e duke e pasur armikun (okupatorin) gjithmonë përballë, menjanuam luftën vëlla-vrasëse dhe pamundësuam realizimin e planeve të forcave okupuese ushtarako-policore dhe paramilitaro-mercenare serbo-ukrainase të zbatojnë planin e spastrimit etnik nëpërmes taktikës së „Tokës së djegur“ dhe planit të çetnikëve të Vojsllav Sheshelit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës të përpiluar më heret, por të bërë publike në tetorin e vitit 1995, e që na kishte rënë në dorë nëpërmes oficerit për vëzhgim e përgjim, Asim Lokajt të cilin e kishte marr nga Salih Cacaj, aktivist i LDK-së në Pejë.
M. DRAGIDELLA: Çka e karakterizon aktivitetin tuaj në fund të korrikuit të vtit 1998?
Major Nazif Ramabaja: Plani i ditës së 27.07.98 duhej të zbatohej me përpikëri. Njësiti marshon prej komandës së brigadës, repartit ushtarak në Baran nëpër Vranoc deri ne Bistricë dhe anasjelltas. U informuam se në Çeskovë, ka qenë  Salih Veseli "Vetima" dhe iu ka thënë se ata duhet të lidhen me Jabllanicën e Dushkajes. Për këtë raportoi Enver Berisha, komandant i shtabit të Çeskovës. 
Idriz Atashi nga fshati Jabllanicë e Leshanit, i ka dërguar në Shqipëri gjashtë vetë për t´u bërë organizimi në këtë rajon: Jabllanicë e Leshanit, Rosujë, Kliçinë, Poterq dhe Kostovc. Iu dhash udhëzime, që së pari duhet formuar shtabin në mënyrë që të kemi me kënd të komunikojmë në mënyrë legjitime e pastaj të punohet sipas udhëzimeve dhe urdhëresave të cilat lëshohen prej komandës së kësaj brigade.
M. DRAGIDELLA: Në qendrën e ndërlidhjeve të Brigadës 131 përgjoheshin aksionet e armikut. Çka arritët të mësoni gjatë atyre përgjimeve?
Major Nazif Ramabaja: Në këtë qendër është bërë përgjimi i të gjitha ofenzivave të rëndësishme të cilat i ndërmori armiku nëpërmes motorolës e cila kishte ra në duart tona në Betejën e Loxhës, nëpërmes së cilës bëhej zbulimi i frekuencave, kanaleve dhe shifrave të komandimit të anës kundërshtare. Në frekuencen 15 9.900 bëheshin bisedat telefonike të shifruara, mirëpo pas një kohe bëmë deshifrimin dhe lokacionin e njësiteve të cilat merrnin pjesë  në ofenzivë. Frekuenca 16 3.050 kishte të bënte me sulmin në: Rahovec – Llapushnik – Kijevë – Landovicë – Caralevë.
Ndodhi sulmi në Rahovec dhe vrasja e Agim Qelës, siç kishim marrë informata nga luftëtari Alush Gjocaj, i cili edhe vet ishte plagosur, menjëherë pas renies së Rahovecit në duart të soldateskës, policisë dhe paramilitarëve serbë. Në këtë ofanzivë kishin marrë pjesë edhe mercenarë rusë-belorusë dhe ukrainas (sipas përgjimeve tona, të cilët kanë bërë masakra së bashku me paramilitarët e Arkanit dhe çetnikët e Sheshelit) ekzistojnë incizimet e përgjimeve në audio-kasetë të cilat i posedoj.
Ishte fillimi i ofenzivës serbe për marrjen nën kontroll të rrugës kryesore, apo magjistralës Prishtinë-Pejë. Luftime të ashpra janë bërë në Grykën e Llapushnikut, granatimet e Gllarevës dhe magjistrales Prishtinë-Prizren të Caraleva, fshatrat e Shtimes si dhe rrethina e Therandës. Në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin intensitet ishin sulmuar dhe granatuar fshatrat e brezit kufitar me Shqipërinë, Reka e keqe: Smolica, Dobroshi e Juniku.
Sipas të gjitha gjasave (informatave me të cilat dispononim, që i kishim marrë nëpërmes përgjimeve) dhe deklaratave të fundit se Malisheva është zonë e lirë dhe se së shpejti do të  lëshohen letërnjoftimet dhe pasaportat e mbrenda dhjetë ditëve edhe Prishtina do te jetë në duart tona, të lansuara nga zëdhëndësi i UÇK-së Jakup Krasniqi, supozohet se radhën e masakrimeve dhe dëbimeve do ta ketë Malisheva me rrethinë, sepse është duke iu ngushtuar rrethi nga te gjitha anët: nga Rahoveci, nga Suhareka dhe nga Llapushniku. 
Që me datën 26 dhe 27  korrik janë mbyllur shitoret në Malishevë dhe kanë "ikur" pronarët dhe nuk kanë mbetur dhjetë vetë, gjendja është kaotike, sidomos pas ardhjes se 20.000 të ikurve civilë nga Rahoveci, njoftonte Naim Hysenaj nga fshati Kodradiq.
M. DRAGIDELLA: Si bëhej dëshifrirmi i kodeve të armikut nga ana juaj dhe si u sulmua Malisheva?
Major Nazif Ramabaja: Dëgjoheshin shifrat: Kosa, Jastreb, Rubin, Bistrica, (Gvozdeni ishte shifër për mjetet e blinduara, tanke sepse kërkojnë 20 litra vaj të cilin e ka hudhur jashtë), Ibar, Limun etj. Degjëhej: “Kosa 501, Kosa 1, 5/1 Limun e ka kryer detyrën”, pastaj: “733 mirru vesh me të dhe vepro si të thotë ai, Kosa 121”, “Unë jam në k.761 300 m në përendim, 858 dal në O. Svetac lajmërohu, Kosa 5 lajmërohu” (Përkthimet në shqip nga unë).
Gjatë sulmeve, dëgjimit dhe përgjimeve nëpërmes qëndres së komandës së brigadës, armiku sulmoi Malishevën nga të katër anët: Nga ana e Rahovecit nga ana e Kijevës, nga ana e Llapushnikut dhe nga ana e Caralevës dhe sipas planit të tyre pra më 28.07.1998 kanë planifikuar të mirret Malisheva dhe në orët e mbrëmjes pas tërheqjes së UÇK-së Malisheva ka rënë në duart e ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë. Në ndërkohë është sulmuar edhe Dobroshi, Juniku, Jasiqi, Gjocaj në Rekën e keqe.

Më së tepërmi ka rezistuar Juniku. ...Kishte shumë të plagosur nga granatimet, ndërsa luftëtarëve tanë iu nevojitej armatimi antitank më shumë se buka dhe uji
M. DRAGIDELLA: Sa ishin në gjendje që këto fshatra të sulmuara t´i rrezistojnë ofenzivava të armikut?
Major Nazif Ramabaja: Më së tepërmi ka rezistuar Juniku, i cili është bërë bllokadë rrethimi ku kolegët tanë Agim Ramadani dhe Rrustem Berisha qëndruan dhe rezistuan së bashku me luftëtarët tjerë. Kishte shumë të plagosur nga granatimet, ndërsa luftëtarëve tanë iu nevojitej armatimi antitank më shumë se buka dhe uji.
I informuar për pamundësinë e hyrjes së njësitit operativ të Brigadës "Skënderbeu" në ndihmë të kësaj zone dhe i vetëdijshëm për gjendjen në të cilën gjindeshin luftëtarët e Junikut me rrethinë, shpejtova deri ne Prapaçan te komandanti Tahir Zemaj, analizuam situatën dhe u lidhem me kolegët, në këtë rast pasi  bisedova me Rrustem Berishën, por jo edhe me Agim Ramadanin, sepse gjindej në vijen e parë të frontit, shpreha gatishmërinë që me një pjesë të brigadës 131-të t`u shkoj në ndihmë dhe të mundohemi që ta shpërthejmë rrethimin, e më vonë të bashkohemi me njësitin operativ ku ishin të caktuar me formacion Rrustemi si komandant i brigadës, ndërsa Agimi komandant i batalionit të parë, të lidhemi me njësitet dhe t´i vazhdojmë betejat se bashku, komplet dhe kompakt me të gjitha strukturat dhe kuadrin luftarak.
Për gatishmërinë time u falënderua Rrustemi dhe potencoi se e dinte mirë se me të vërtetë do t´i shkoja në ndihmë, por do të tentojnë të qëndrojnë deri sa t`u harxhohet municioni e pastaj të terhiqen për në Papaj dhe pas konsolidimit do të tentojnë të bashkohen me brigadën dhe për këtë më janë mirënjohës që të dy, pra Agimi dhe Rrustemi.
M. DRAGIDELLA: Ju si epror me përvojë, pos organizimit të luftës në atë kohë përgatitet edhe një doracak që u mungonte edhe zonave të tjera?
Major Nazif Ramabaja: Po, me datën 29.07.1998  përpilova doracakun për komandantë të skuadrave, togjeve dhe kompanive, i cili ishte më se i nevojshëm për zhvillimin e aksioneve ushtarake duke përdorur strategji të lloj-llojshme siç ishte ajo e Çun Xu-së dhe të strategëve të tjerë të shquar.
Dy kopje ia dhashë oficerit Shaban Dragës për t´i dërguar në Drenicë dhe për t´u shërbyer me ta në këtë fazë fillestare deri sa të mos përpilohet një strategji e përbashkët në fazën tjetër e cila kishte për qëllim kalimin nga defenziva (mbrojtja e pragut të shtëpisë) në ofenzivë (me ndërmarrjen e aksioneve taktike, operative dhe strategjike që kishte për qëllim clirimin e çdo pëllëmbe të okupuar), pasi që ishin të formuara grupet si:1.Grupi artilerik, 2.Grupi i mitrolozave 7.9mm-tokësor dhe 12.7 mm - kundërajror, 3.Grupi antiblind, zola, murtaja e krahut dhe ambrusi dhe 4.Grupi i shënjtarëve, snajperë 7.9 mm dhe pushkë automatike.
M. DRAGIDELLA: Pos ushtrimit të këtyre grupeve, ato ditë u takuat edhe me ushtarë që më herët kishin qenë ushtarë tuaj në ish-APJ?
Major Nazif Ramabaja: Ushtrimin e këtyre grupeve e bëmë në menyrë që të jemi të gatshëm për çdo sfidë dhe sulm eventual të forcave ushtarako-policore dhe paramilitare serbe dhe mercenare ruso-ukrainase. Në komandë të brigadës papritmas u duken ish ushtarët të cilët kishin shërbyer në Ajdovshqinë të Sllovenisë dhe unë (Nazif Ramabaja) isha komandant i tyre e këta ishin: Agim Krasniqi nga Vranoci i cili më solli kompjuterin dhe ia dhuroi brigadës dhe Rifat Morina nga Loxha, i cili kishte dëgjuar se unë kisha udhëhequr dhe komanduar me ushtarët në atë luftë. Pasi bëri montimin e kompjuterit me vendimin tim u transferua nga Loxha në Baran në shtab të Brigadës 131.
Të nesërmen erdhi "Çergashi" (Agim Zeneli) së bashku me Mujë Berishën, njëri komandant i frontit e tjetri komandant i shtabit të fshatit Këpuz të Klinës për të kërkuar ndihmë për mbrojtjen e zonë sonë dhe përveç spjegimeve që u dhashë në lidhje me taktiken e përdorimit të minahedhësave 82 mm, konfiguracionit dhe riorganizimit të vijës së zjarrit, iu dhashë edhe pesë predha të topit pazbrapsje 75mm të cilin e kishin në përdorim, por i tërhoqa vërejtjen "Çergashit" (Agim Zenelit) që në asnjëi mënyrë mos të dali jashtë zonës përgjegjëse të brigadës pa e informuar komandën e kësaj brigade.
Po ashtu erdhi një ushtar vullnetar nga Gjakova, Arben Kovani në njësitin tonë. Punën e vazhduam në katër grupe të organizuara dhe me grupin special intervenues të cilët duhej t´i njohin jo vetëm armët që kishin, por të gjitha llojet e armëve të tjera që ka njësiti në formacionet e veta ushtarake Ushtrimet u bënë në fshatin Vranoc dhe Baran. Ushtarët ishin të shkëlqyeshëm në përqafimin e njohurive të reja të cilat kishin të bëjnë me këtë njësit special intervenues.
Pastaj në komandë të brigadës u lajmëruan Rexhep Fetahu me kamionin TAM 75 T-5 dhe Ragip Kastrati me autobusin Mercedes, të cilët vullnetarisht do të bëjnë bartjen e ushtarëve në rast intervenimi në zonën e brigades. Për t`u bërë të ditur edhe me tutje loxhjanëve se brigada në zonën e saj do të intervenojë dhe ndihmojë në çdo kohë dhe situate.
Bëmë përgatitjen e njësitit intervenues me ushtarë të rryeshëm dhe luftëtarë të mirë të cilët kishin marrë pjesë në luftime apo në raste të njëjta intervenimi dhe klasifkimin e armatimit të nevojshëm, bëmë intervenimin në Loxhë sipas pozicionit për ta kthyer armikun nga sulmi i planifikuar. Në këto ushtrime taktiko-teknike komandant i njësitit u caktua Isuf Krasniqi "Cufa".
M. DRAGIDELLA: Pas kthimit të grupit intervenues nga Loxha, cilat ishin planet e mëtejshme?
Major Nazif Ramabaja: Muaji gusht ishte muaj i ri sa i përket aktiviteteve ushtarake dhe dita e parë e këtij muaji u karakterizua me kthimin e grupit intervenues nga Loxha. Përgatitja e grupit të ri intervenues që të dërgohet në vijën e parë të frontit në Raushiq në mënyrë që të forcohet vija e frontit në këtë fshat e pastaj forcimin e kësaj vije në mes të Raushiqit dhe Lubeniqit. Komandant i njësitit intervenues ishte eprori Esat Ademaj. Pas mesdite intervenimi të bëhet me vozitësin Ragip Kastratin, të mobilizuar së bashku me automjetin teknik të tipit Mercedes për interesa të brigadës.
U bë planifikimi i çeljes së strehimoreve masive për njësitin në objektin"fabrikë" të cilin projekt do ta bente Naim Hysenaj, i cili na dorëzoi një sasi të municionit nga shtabi i fshatit Kodradiq, për nevoja të brigadës pasi që të gjitha aktivitetet ushtarake kalonin përmes kësaj brigade, sepse popullata e cila përfshihej në zonën përgjegjëse të brigadës kishte një besim të plotë në njisitë operative të UÇK-së të cilat me një profesionalizëm të lartë, organizim luftarak dhe njohuri të larta taktiko-teknike dhe përdorim të njeteve dhe teknikës ushtarake u bënë simbol i qëndresës duke përkrahur dhe ndihmuar me të gjitha mjetet të cilat i kishin.
M. DRAGIDELLA: Çka u bë më të lënduarit në Betejën e Loxhës?
Major Nazif Ramabaja: Pranimi i të plagosurve nga qendresa e Junikut, Naim Malokut  dhe Gani Shehut në spitalin e Irzniqit (gjegjesisht në vend të panjohur për Naimin) në një shtëpi e pastaj transferimi në spitalin dhe strehimoren e Prapaqanit ku shtriheshin Faruk Xhemajli, Skënder Çeku, të dy të plagosur në Betejen e Loxhës e pastaj me organizimin dhe urdhërin e komandantit Tahir Zemajt u transferuan në një vend më të sigurtë në luginën e Pagarushës. Transportimin e bën Rexhë Osaj, Ismet Çeku, Idriz Osdautaj etj.

Kishte ardhur shkresa nga shtabi i Drenicës se kanë nevojë për eprorë me të cilën kërkesë u pajtuam dhe komandanti i njësiteve operative në Rrafshin e Dukagjinit, Tahir Zemaj, me lejimin e ministrit të mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqit, të dy eprorët mbeten për të vepruar në territorin e Drenicës, siç kishim planifikuar me parë me brigadën 133 pas formimit të bërthamës dhe zgjërimit të saj të kalojnë në Drenicë
M. DRAGIDELLA: Me vendimin e komandantit Tahir Zemaj e në bazë të lejës së ministrit Ahmet Krasniqi disa oficerë nga komanda juaj shkuan në zona tjera?
Major Nazif Ramabaja: Ardhja e Shaban Dragës nga territori i Drenicës të cilin e kishim liruar, për shkak se kishte qenë në vizitë te familja dhe se shtabi i Drenicës kishte kërkuar ndihmë me eprorë ushtarakë. Po të njëjten gjë e kishim bërë edhe me eprorin Kemajl Shaqirin.
Pas vizitës familjare na kishte ardhur shkresa nga shtabi i Drenicës se kanë nevojë për eprorë me të cilën kërkesë u pajtuam dhe komandanti i njësiteve operative në Rrafshin e Dukagjinit, Tahir Zemaj, me lejimin e ministrit të mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqit, të dy eprorët mbeten për të vepruar në territorin e Drenicës, siç kishim planifikuar me parë me brigadën 133 pas formimit të bërthamës dhe zgjërimit të saj të kalojnë në Drenicë.
Eprori Shaban Draga me informoi me detajisht për shkallën e zhvillimit të aktiviteteve luftarake në territorin e Drenicës, mangësinë e eprorëve dhe organizimin e bërë në nivel të ulët, pa komanda dhe komandime, ndermarrjen e masave joadekuate sa i përket punëve gjenerike në rend të parë fortifikimi, nuk ka njësi të caktuara dhe kuader profesional ushtarak. Për këtë dy oficerët Kemajl Shaqiri dhe Shaban Draga kërkuan qe t`u bashkangjitet edhe Shemsedin Fetahu i cili i takonte gjinisë artilerike.
Shabanit i dhashë një kampanjollë për ndihmë, si mjet teknik dhe u pajtuam që të bëjë përcjelljen e ushtarëve të cilët arrinin prej Shqiperisë me armatim përgjatë zonës përgjegjëse të Brigades 131, prej Raushiqit deri ne Drinin e bardhë, nëpërmes këtij kanali, i cili finksiononte si një arterie, në mënyrë të organizuar dhe me përcjellje të kalojnë të sigurt dhe të vazhdojnë rrugën për në territorin e Drenicës.
M. DRAGIDELLA: Në kuadër të Brigadës 131 cilët sektorë kishit formuar?
Major Nazif Ramabaja: Në brigadën 131-të e cila kishte qendrën në Baran, kishim formuar edhe sektorët e informimit, atë të logjistikës, kartografisë, sigurimit, dhe koordinimin e punëve në mes të subjekteve politike dhe njësiteve operative,  ku në këtë merrnin pjesë:
Rrok Berisha, shef i informimit, Rrustem Shala, shef i logjistikës, Asim Lokaj, shef i kartografisë dhe përgjegjës për vëzhgim, Sadri Selca, shef për zbulim dhe kundërzbulim, Nikë Krasniqi, kordinator në mes subjekteve politike dhe njësiteve operative dhe Hasan Gashi, shef i policisë ushtarake. (Pas largimit të tij për kërkimin e familjes, shef i policisë ushtarake emrohet Besim Gashi.
M. DRAGIDELLA: Me 2 gusht 1998 forcat e armikut filluan një sulm ndaj disa fshatrave të komunës së Klinës dhe komunës së Pejës që i përkasin Lugut të Baranit?
Major Nazif Ramabaja: Sipas të gjitha informatave  të cilat i posedonim nëpërmes vëzhgimeve dhe përgjimeve të organizuara në komandën e brigadës, pritej që të sulmohen fshatrat e Lugut të Baranit në orët e hershme të mëngjesit, pra me dy gusht, ku më vonë gjatë analizës së kësaj ofenzive u tregua se posedonim me të dhëna të sakta për arsye se fshatarët e Çeskovës dhe shtabi i këtij fshati kishin dëgjuar ndezjen e tanksave dhe zhurmë të madhe në orët e hershme të mëngjesit (4:00) të dy gushtit 1998, të cilat vinin nga Dollova. Pas fillimit të granatimeve mbi Çeskovën, bëmë kompletimin e njësitit intervenues.
Të katër grupeve që kishin ushtruar më parë, u mbajta pesë minuta bisedë morale siç e kishim praktikuar para çdo intervenimi luftarak dhe potencova ndërmarrjen e veprimeve luftarake sipas planit të paraparë: "Njësiti në sulm", me detyrë që të bllokohet trekëndëshi i udhëkryqit rrugor Nepole - Çeskovë dhe Nepole - Këpuz, ndaljen e forcave okupuese ushtarako-policore dhe paramilitaromercenare serbe (në detyrën e afërt), kurse në detyrën tjetër ishte qëllimi që të formohen kushtet për të kaluar në ofenzivë në bashkëpunim dhe bashkëveprim me forcat tona në krahun e djathtë, angazhimin e disa luftëtarëve nga fshati Buçan si dhe ardhja në ndihmë e njësitit operativ nga Bardhaniqi me eprorin Musa Gjakovën.
Sipas informimit të komandantit të shtabit lokal, Gani Morinës, në ora 9:00 kanë filluar sulmet nga Grabanica nëpërmes Bokshiqit në drejtim të Çeskovës dhjetë tanke dhe mjete tjera mekanike, ndërsa nga drejtimi i Dollovës kanë sulmuar njëzet tanke dhe pas dy orë e gjysmë të gjitha janë bashkuar në një vend. Fshatarët e kanë lëshuar fshatin dhe vetëm pesë ushtarë janë në pozicione. Gjendja është e vështirë dhe në fshat ka mbetur i sëmurë një plak rreth njëqindvjeçar dhe nuk dihet për fatin e tij.
M. DRAGIDELLA: Cilat ishin veprimet që ju i ndërmorët për të ndaluar ofenzivën e armikut në atë kohë?
Major Nazif Ramabaja: Nga "Bistrica" siç e quante okupatori Pejën në bisedat e koduara, ishte nisur për t´u ardhur në ndihmë ekspedita shkatërruese në nji kolonë të gjatë në të cilën gjindeshin të gjitha mjetet luftarake me qëllim të bashkangjitjes së forcave të mëparme të cilat kishin filluar sulmin në trevën Çeskvë-Bokshiq-Gllogjan-Nepole. Ne bllokuam udhëkryqin Nepole-Çeskovë-Këpuz me njësitin operativ për intervenime të shpejta dhe armiku u detyrua ta ndërrojë drejtimin e sulmit dhe të orientohet në drejtim të “Kotës 490”.
Angazhimi i skuadrës artilerike me minahedhës 82 mm me komandant Ramadan Gashin, ku në kishim vetëm dhjetë predha dhe pas hudhjes së predhave të para goditet një tanksë të cilës i shkatërrohen zingjirët dhe se një ushtar okupator lëndohet rëndë në këmbë. Informatën e morëm përmes përgjimeve në sistemin e ndërlidhjeve të organizuar në brigadë. Armiku kërkoi ndihmë për ta tërhequr tankun sepse gjëja kishte ra në një gropë.
Pra “Gropa” ishte kodi i tyre i cili tregon se bëhej fjalë për prishje-shkatërrim. Kjo ishte hera e parë ku ishin përdorur minahedhësat dhe ishte qëlluar caku. Armiku ishte hutuar dhe nuk u dëgjua më se një orë dhe nuk bëri kurrëfarë lëvizjesh taktike në luftë. Ai kuptoi se lansimi i predhave nga minahedhësat 82 mm ishte bër në mënyrë shkollore dhe profesionale nga kuadri ushtarak.
Një pjesë e njësitit operativ iu kishte dalur në ndihmë Raushiqit si mbështetje dhe ngritje të moralit luftarak, por pasi se nga "Bistrica" (Peja) ishte nisur ekspedita shkatërruese, kërkova që sa më parë njësiti të kthehet dhe të kyqet në luftë. Me ardhjen e njësitit me të cilin komandonte eprori Esat Ademaj menjëherë e njoftova me detyrën luftarake dhe qëllimin e saj, por ndodhi çka ndodhi, ajo të cilën nuk e pritnim dhe më së paku na nevojitej në atë moment - fatkeqësia.
M. DRAGIDELLA: Për çfarë fatkeqësie ishte fjala dhe sa pati ndikim në zhvillimin e mëtejmë të planit të paraparë luftarak?
Major Nazif Ramabaja: Fatkeqësia në komunikacion që na ndodhi me kombin e Zymer Sefës të cilin e drejtonte Arianit Krasniqi në të cilën fatkeqësi u lënduan nëntë ushtarë të njësitit elit operativ e këta ishin: Arianit Krasniqi, Elmi Krasniqi, Shpend Krasniqi, Arsim Hysenaj, Mujë Dervishaj, Tahir Malushaj, Gazmend Gjoci, Xhelil Krasniqi dhe Ahmet Thaçi të cilët u rrokullisën para hyrjes në Kosuriq dhe kjo fatkeqësi pamundësoi bllokimin e rrugës e cila shpiente nga Bokshiqi për në Gllogjan dhe në orët e pasdites disa tanke hynë në këtë fshat.
Njësiti artilerik në mungesë të predhave u detyrua të tërhiqet në fshatin Buçan, kështu që pas marrjes së krahut të majtë nga ana e armikut dhe hyrjes së disa tankseve në Gllogjan në një mënyrë na u rrezikua prapavija dhe u detyruam që të bëjmë tërheqje taktike nëpërmes lumit Bistrica dhe të bllokohet rruga që shpiente në drejtim Gllogjan e Llugagji dhe ura e cila kalonte mbi lumin Bistricë dhe vazhdonte në drejtim të Jabllanicës (Shqiponjës), e cila ishte objekt i rëndësishëm dhe duhej të mbrohej me të gjitha mjetet që kishim.
Në krahun e majtë të sulmit të armikut bëmë bllokimin e rrugës kryesore Gllogjan-Kosuriq, para shkollës tek ura dhe morëm pozicionet në anën e majtë në pjesën veri-perëndimore në pritje të forcave okupatore serbe nga drejtimi i Bokshiqit. Të gjitha këto operacione taktike luftarake u zhvilluan me njësitin operativ për intervenime të shpejta nën komandën e eprorit Esat Ademaj.

Udhëheqja e operacioneve dhe marrja e raporteve nga vija e parë e frontit u bë nëpërmes komandës së brigadës me organet përkatëse siq ishin: Sistemi i përgjimit, ndërrlidhjes e vëzhgimit të operacioneve
M. DRAGIDELLA: Si bëhej në atë kohë dhënia e urdhërave dhe dërgimi i informatave që është një segment i rëndësishëm në zhvillimin e operacioneve luftarake?
Major Nazif ramabaja: Udhëheqja e operacioneve dhe marrja e raporteve nga vija e parë e frontit u bë nëpërmes komandës së brigadës me organet përkatëse siq ishin: Sistemi i përgjimit, ndërrlidhjes e vëzhgimit të operacioneve nga ana e grupit vëzhgues dhe dërgimi i informatave nëpërmes korierëve të cilët luajtën një rol të rëndësishëm.
Në dhënien e urdhërave të cilat lëshoheshin nga ana e shtabit të brigadës, dërgimi i tyre deri te njësitet operative intervenuese dhe anasjelltas në mungesë të mjeteve të ndërlidhjeve (të gjitha këto informata shenoheshin në harta topografike) ndihmesë të jashtëzakonshme jepte Asim Lokaj dhe sipas situatës në terren merreshin vendimet luftarake.
Të gjitha këto i përcolli komandanti i vetëshpallur në Lugun e Baranit me profesion mjek ortoped, Dinë Krasniqi, të cilin e kisha vendosur pranë vetëm e vetëm për të parë ai vet dhe për të fituar bindjen se si duhet komanduar dhe vepruar në rrethana të jashtëzakonshme dhe mënyrën e zhvillimit të operacioneve luftarake drejtpërdrejt në terren, pas epërsisë së armikut në armatim dhe teknikë luftarake.
M. DRAGIDELLA: Në Lugun e Baranit zhvillohej luftë e rreptë. A kishit nevojë për ndihmë dhe kush u erdhi në ndihmë që të detyrohet armiku të tërhiqet?
Major Nazif Ramabaja: Gjatë luftimeve njësitet tona operative nuk patën humbje në njerëz dhe teknikë, por patëm vetëm tre të plagosur nga granatimet të cilat ishin të pandërprera dhe herë-herë me intensitet të lartë nga të gjitha kalibrat e armatimit të rëndë artilerik, tankist dhe kundërajror. Në mbrëmje na erdhën në ndihmë njëzetëeshtatë luftëtarë nga shtabi i Isniqit dhe pesë nga Broliqi të cilët shprehën dëshirën që të kyqen në vijën e parë të frontit të eprori Esat Ademaj.
Ne i kyqëm në luftë sipas gjendjes në teren, nevojës dhe vullnetit të tyre sepse kishin dëgjuar se luftë e madhe është duke u bërë në regjionin e Lugut të Baranit ku kishin shpreh vullnetin e tyre të jenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në një anë e në anën tjetër oficerëve të kësaj brigade iu kishte rritë fama pas zhvillimit të Betejës së Loxhës dhe fitimit të saj.
Në orët e vonshme të natës diku pak para mesnate erdhi Esati dhe më raportoi se e ka vështirë të rezistojë në vijën e parë të frontit nëse nuk i dalim në ndihmë. Pas këtij raporti bëra riorganizimin e vijës së parë duke angazhuar forcat shtesë (rezervën) dhe disa luftëtarë të fshatit Kosuriq. Ndihmesë të konsiderueshme dha komandanti i shtabit lokal, Selim Kelmendi posaçërisht në ushqim.
M. DRAGIDELLA: Nga rrezistenca e ushtarëve tuaj armiku ndërroi planin e sulmit, duke marrë drejtimin e Nepolës?
Major Nazif Ramabaja: Sulme të pandërprera vazhduan forcat e armatosura të krahut të djathtë afër Llugagjisë dhe detyrimi i njësiteve operative për qëndresë dhe mbajtjen e objekteve të rëndësishme të cilat kishin rol kyq në strategjinë e mëtejme dhe ishin qelësi i rezistencës për mbajtjen nën kontroll të forcave të armatosura këtë drejtim, i cili ishte damari kryesor në Rrafshin e Dukagjinit, si në pikëpamje ushtarake ashtu edhe në atë civile sepse kishte dyndje të madhe të popullatës në këtë rajon ku sipas disa vlerësimeve 10% e popullatës së Kosovës ishte zhvendosur nga vendbanimet e tyre.
Për shkak të pamundësisë së depërtimit të armikut në drejtimin Gllogjan-Llugagji, ai bëri zëvendësimin e sulmit kryesor me atë rezervë duke shfrytëzuar drejtimin nëpërmes Nepoles, por në pamundësi që ta kalojë lumin Bistricë, për shkak të rezistencës së forcave tona të armatosura të ura mbi lumin Bistricë u detyrua të sulmojë anës së majtë të lumit (i cili më tutje bashkohej me Drinin e bardhë) në mbështetje të zjarrit artilerik dhe mjeteve tjera: Tankseve, autoblindave, pragave dhe shumëtytshave të tipit "Orkan" të cilat dogjën dhe shkrumbuan pozicionet mbrojtëse të në kodrën e Jabllanicës.
M. DRAGIDELLA: Gllogjani ra në duart e armikut. Çka ndodhi pas kësaj?
Major Nazif Ramabaja: Pas marrjes së fshatit Gllogjan nga forcat okupuese ushtarako-policore dhe paramilitaro-mercenare serbo-ukrahinase në fshat janë stacionuar më se 38 tankse dhe nji pjesë e popullatës është terhequr në drejtim të Llugagjisë, ndërsa pjesa tjetër është strehuar në kishën e fshatit.
Ka filluar kontrollimi i shtëpive dhe ku është gjetur armatim, kanë djegur shtëpitë: Pesë në familjen e Pal Koci por jo edhe shtëpia e tij, ndërsa më së keqi e kishte pësuar shtëpia e Mëhill dhe Rrok Berishës në të cilën forcat okupuese ushtarako-policore dhe paramilitaro mercenare serbe ishin strehuar përkohësisht dhe për shkak se kjo shtëpi kishte qenë mikëpritëse e forcave të armatosura, njësiteve operative dhe ishte mbajtur një tubim me shtabin dhe popullatën e fshatit në të cilin kishin marrë pjesë edhe Ramush Haradinaj si përfaqësues i UÇK-së në cilësinë e komandantit të Rrafshit të Dukagjinit dhe unë (Nazif Ramabaja), përfaqësues i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës në cilësinë e komandantit të Brigadës 131 të njësive operative në Lugun e Baranit.
Rrok Berisha ishte zgjedhur deputet i parlamentit të Kosovës nga Lugu i Baranit i cili u angazhua në mënyrë të veçantë në ndihmesën e njësiteve oparative, pritjen e eprorëve profesionistë, veçanërisht u dallua për angazhim si shef për informim në Brigadën 131 si dhe dha kontribut të çmueshëm në Isniq në ndihmesën dhe shpëtimin e popullatës civile gjatë ofenzivës së armikut në gusht-shtator 1998.  
M. DRAGIDELLA: Në Nepole ato ditë u bë rezistencë e madhe. Armikut i shkaktuat humbje dhe ai pastaj filloi të hakmirret?
Major Nazif Ramabaja: Në fshatin fqinj, në Nepole falë syqeltësisë dhe organizimit të mirë të shtabit lokal dhe angazhimit të parezervë të Nikë Krasniqit, kordinatorit në mes subjekteve politike dhe njësiteve operative, u bë rezistencë e madhe me të gjitha forcat që kishin, duke i shkaktuar armikut humbje në njerëz: dy policë të vrarë e një i plagosur, me të cilat humbje okupatori nuk pajtohej sepse  rritej numri i humbjeve si në njerz ashtu edhe në teknikë luftarake.
Ishin dy tankse të shkatërruara, një autoblindë, tre të plagosur dhe dy të vrarë, ndërsa në anën tonë kishim vetëm katër të plagosur. Si hakmarrje për këto humbje forcat e armikut bën shkrumb e hi fshatin Nepole duke ndezur më se 38 shtëpi. Okupatori këtu përdori planin e spastrimit etnik të kësaj treve duke zbatuar taktikën e "tokës së djegur".
Pas tërheqjes së popullatës civile jo të plotë nga Jabllanica hynë forcat okupuese ushtarako-policore dhe paramilitaro-mercenare serbe me ndihmën e çetnikëve vendas siq ishte Jagoshi, dhe atyre të ardhur nga Serbia. Zhelko Martinoviçi kapiten i ushtrisë serbe bën masakrimin e këtyre civilëve: Arif Adem Kosumaj 72 vjeç, Hane Ibrahimi 80 vjeç dhe Zize Zekaj duke i prerë në fyt, ndërsa ushtarit të cilit kishte shërbyer në fshat dhe nuk ia mësuam emrin u vra dhe iu kishte hequr kapaku i kokës.

Për dislokimin nga Jasiqi në Prapaqan me urdhërin e të madhit kol. Tahir Zemajt janë kujdesur një ndër heronjt dhe heroinat e Kosovës, Salih Çekaj dhe Sabahate Tolaj
M. DRAGIDELLA:  Në atë kohë kishte disa çrregullime rreth përgatitjes së ushqimit, pasi disa kuzhinierë kishin shkuar të tërheqnin familjet e tyre. Kush u doli në ndihmë?
Major Nazif Ramabaja: Në ditën e tretë të sulmit të forcave okupuese serbe, së bashku me Asim Lokajn, i cili kryente detyrën e oficerit përgjues, shkuam në vijën e parë të frontit në pozicionet e njësitit operativ para shkollës së Gllogjanit, bëmë freskimin e luftëtarëve duke u sjellë ushqim (bukë e djath) sepse në një mënyrë ishte bërë çrregullimi i kuzhinës për shkak të shkuarjes së kuzhinierëve për t´i tërhequr familjet e tyre të cilët ishin nga Nepolja. Edhe pas këtyre çrregullimeve në momente të caktuara dhe kyqe për njësitet operative aktivizohej me të gjithë potencialin dhe autoritetin që kishte në këtë rrethinë Rrustem Shala, shef i logjistikës në brigadë.
Sa i përket logjistikës dhe organizimit të prapavijës në momentet më kritike me një vetiniciativë kur nuk lejonin rrethanat luftarake, në bashkëpunim dhe bashkëveprim me shtabin e komandës dhe shtabet lokale grumbullonte, organizonte, depononte dhe shpërndante ushqimin jo vetëm për njësitet operative, por edhe për popullatën e strehuar në Lugun e Baranit.  Për këtë ishte ngritur një furrë në Baran për pjekjen e bukëve. Të gjitha ishin bërë nën organizimin e Rrustem Shalës i cili simbolizonte direkun e shtëpisë në Brigadën 131.
I jam mirënjohës edhe babait të Ramadan Gashit (që momentalisht nuk po kujtohet emri), i cili punoi në këtë furrë pa ndërprerë dhe kryente nji punë të madhe dhe shumë të rëndësishme që ushtria të ketë gjithmonë bukë. Në momentin kur dolëm në vijën e parë të vëzhgimit u aktivizuan snajperistat serbë të cilët ishin pozicionuar në shtëpitë e para, mbi shkollë të Gllogjanit dhe kishin hapur dritaret e vogla në përfundim të katit të parë në mënyrë që të veprojnë më lehtë dhe filluan të shtënat në drejtimin tonë
M. DRAGIDELLA: Gjatë atyre viteve të luftës u ka rënë të keni kontakte edhe me komandanten Sabahate Tolaj e komandantin Isuf Haklaj, që ditë më parë u vranë nga dora kriminele. Cila ishte shëmbelltyre e tyre luftarake?
Major Nazif Ramabaja: Sabahate Tolaj dhe Isuf Haklaj komandant i policisë ushtarake në brigadën 134-të, të njësive operative të UÇK-së të komanduara nga kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes i Forcave të Armatosura  të Republikës së Kosovës detyrat i kryenin me shumë përkushtim. Më kujtohet momenti i hyrjes së njësive operative të UÇK-së nga Shqipëria në Kosovë dhe ndalimi i përkohshëm në Jasiq, për shkak të mosmarëveshjeve, të cilat për opinion janë të njohura nga intervista e korrikut të vitit 2002.
Për dislokimin nga Jasiqi në Prapaqan me urdhërin e të madhit kol. Tahir Zemajt janë kujdesur një ndër heronjt dhe heroinat e Kosovës, Salih Çekaj dhe Sabahate Tolaj. Nga shpirti i kësaj luftëtareje dilte dhe shpërthente jashtë një vrull, elan, entuziazëm, ndërsa nga fytyra e saj rrezatonte një vendosshmëri, qëndrueshmëri dhe dëshirë e flakët për të luftuar deri në çlirimin përfundimtar të Kosovës me çka u shqua edhe si organizatore dhe kishte kujdesje të veçantë për furnizimin e ushtarëve dhe eprorëve që nga ushqimi deri tek teknika ushtarake. Ishte kujdesur për eprorët të cilët kishin hyrë në luftë në Koshare pa pistoleta personale.
Një ndër ta ishte edhe oficeri Fadil Hadergjonaj, i cili pas rënies në fushën e nderit të komandantit Salih Çekaj, kishte marë detyrën e komandantit të Brigadës 134. Sebahatja kryente detyrën e komandantes së logjistikës në këtë brigadë dhe duke dërguar material luftarak nga Ministria e Mbrojtjes, gjegjësisht depoja në Laprakë për në Koshare, ndalon në Qendrën stërvitore në Kolsh, ku isha duke i stërvitur ushtarët për hyrje në Koshare dhe thyerje të kufirit. I dhashë skuadrën policore e cila ishte njësi speciale e komanduar nga Izet Beqiraj dhe pastaj ra dëshmor në Koshare dhe një pistoletë që t´ia dërgojë special oficerit Fadil Hadergjonaj, çka dhe e kreu me sukses.
Në fund edhe pse i kam dërguar telegram edhe njëherë i ngushëlloj familjet e Sabahate Tolaj dhe të Isuf Haklajt i cili është shquar si komandant i policisë ushtarake me një profesionalizëm të lartë, energji dhe vendosmëri për kryerjen e të gjitha urdhërave dhe detyrave luftarake, bashkëluftëtar dhe kolegë i Sabahates, i cili pas një gjendje komme ndërroi jetë në spitalin e Prishtinës, ndërsa pjesëtarit të SHPK-së Hysen Lataj i dëshiroj shërim sa ma të shpejtë dhe kthim në vendin e punës. 

Armiku përdori taktikën e marrjes së informatave duke lansuar individë si “satelitë” në territorin të cilin e kishin nën kontroll njësitet operative si p.sh në Lugagji, por këtë e zbuluam nëpërmes të sistemit të përgjimit në brigadë dhe persona e tillë ndaloheshin...
M. DRAGIDELLA: Pasi që fronti me armikun zgjati një kohë më të gjatë, ndihej nevoja e zëvendësimit të komandës, kurse armiku lansonte edhe “satelitët “ e tij për marrjen e infomatave të cilat nuk i shkonin?
Major Nazif Ramabaja: Kisha planifikuar që ta bëj zëvendësimin dhe freskimin me forca rezervë të cilat i mbaja në sigurimin e repartit ushtarak dhe stërvitjeve të brendshme, por morali për të qëndruar në pozicione ishte aq i fortë sa që edhe pas dyzetë e dy orësh pa marrje të ushqimit të ngrohtë, duke e hargjuar edhe rezervën e kompletit luftarak dhe duke u mbështetur në prapavijën e shtabit lokal të Kosuriqit dhe logjistikës së brigadës, këto forca me dëshirën e tyre dhe moralin e lartë vazhduan që ta mbajnë frontin.
Por për shkak të lodhjes së madhe të eprorit Esat Ademaj, bëra zëvendësimin e tij me eprorin Musa Dragën dhe këtij të fundit në mënyrë vullnetare iu bashkangjit Naim Krasniqi nga Vranoci i cili ishte një luftëtar i shqëlqyeshem dhe i papërtueshëm në dhënien e ndihmës aty ku u kërkonte nevoja për mobilizimin e të gjitha forcave dhe kryerjen e detyrave luftarake.
Armiku përdori taktikën e marrjes së informatave duke lansuar individë si “satelitë” në territorin të cilin e kishin nën kontroll njësitet operative si p.sh në Lugagji, por këtë e zbuluam nëpërmes të sistemit të përgjimit në brigadë dhe persona e tillë ndaloheshin, izoloheshin dhe shfrytëzoheshin për marrjen e informatave të cilat ishin më se të rëndësishme për njësitet operative.
Duke e vërejtur armiku se nuk po iu arrijnë informatat e duhura filloi të shprehë nervozizëm nëpermes zhvillimit të manovrave të paplanifikuara dhe kontrolluar mirë. Provokimeve të tilla iu përgjigjeshim me mbylljen e shtegjeve, drejtimeve sulmuese nëpërmes vëzhgimit të zonës përgjegjëse të brigadës me qëllim që të përforcojmë sistemin e zjarrit, rrethimin e zonës dhe daljen në vijën frontit Gllogjan-Bokshiq-Çeskovë-Këpuz si dhe lidhja në bashkëveprim me luftëtarët e Jabllanicës të cilët i takonin zonës së Dushkajës, t´i përforcojmë pozicionet dhe të kalojmë në kundërofenzivë.
M. DRAGIDELLA: Cila do të ishte analiza e shkurtër e operacioneve triditore luftarake në Lugun e Baranit?
Major Nazif Ramabaja: Analiza e operacioneve luftarake në Lugun e Baranit prej 2 deri 4 gusht  1998 u bë me komandantët e shtabeve lokale të fshatrave: Kodradiq, Vranoc, Rashiq, Turjakë, Baran, Çallopek, Kosuriq, Lugagji, Gllogjan, Nepole, Këpuz, Çeskovë, Raushiq, Loxhë, Lugmir, Lozhan, Graboc, Baran i Epërm dhe Rosujë. Kjo analizë u bë në mënyrë profesionale, duke shfrytëzuar hartat topografike dhe planet e hartuara gjatë dhe pas ofenzivës me të gjitha elementet e renditjes luftarake me theks të posaçem në lëshimet eventuale, gjërat pozitive dhe veprimet në të ardhmen duke i avancuar dhe bërë më efikase.
M. DRAGIDELLA: Cilave qëllime dhe detyra u kushtonit rëndësi më të madhe?
Major Nazif Ramabaja: Me rëndësi ishin: Informimi i gjithanshëm dhe efikas, me shfrytëzimin e sistemit të hierarkisë ushtarake nga lartë-poshtë dhe anasjelltas me aktivitetet luftarake të zhvilluara në zonën përgjegjëse të brigadës në koordinim dhe bashkëpunim me forcat lokale, domosdoshmëria e qëndrimit dhe rezistencës dhe moslargimi nga fronti pa urdhër për tërheqje, evakuimi i popullatës civile sipas planit të hartuar më parë dhe në koordinim të ngushtë me shtabin e brigadës, përgatitja e të gjitha shtabeve në zonën përgjegjëse të brigadës e posaqërisht shtabit të Loxhës, Raushiqit, Grabocit, Lugmirit dhe Llozhanit për nji sulm të mundshëm të forcave okupuese ushtarako-policore dhe paramilitaro-mercenare serbo-ukrahinaso-beloruse, me qëllim të zhbllokimit të rrugës magjistrale Prishtinë-Pejë dhe Pejë-Deçan-Gjakovë. Përveç kësaj të gjithë të pranishmëve iu dhanë edhe detyra konkrete siç ishin:
1. Mospërzierja në kompetenca të tjetërkujt dhe përfshirja në to,
2. Ndërtimi i strehimoreve në çdo fshat,
3. Dëgjimi, vëzhgimi dhe qëndrimi në pozicionin e zjarrit,
4. Dalja në vijat e para të frontit, rrethimi dhe sigurimi i zonës përgjegjese të brigadës me ushtarë të njësive operative,
5. Dërgimi i ushtarëve me armatim të rëndë nga të gjitha shtabet lokale në shtabin e brigadës në mënyrë që të stërviten: Të hyjnë në repart, stërviten e pastaj të kthehen në shtabet lokale të përgatitur dhe të pajisur me njohuri të reja luftarake.
M. DRAGIDELLA: Ju keni vendsour që si komandant, disa bashkëveprimtarë, individë dhe të tjerë që kontribuan me ndihma të ndryshme t´i falënderoni?
Major Nazif Ramabaja: Ashtu është. Të gjithë atyre me të cilët kam pasur në këtë apo atë mënyrë kontakt dhe bashkëpunim ju jam mirënjohës dhe shprehu falenderimin tim. Një pjesë me të cilët kam pasur kontakte gati të përditshme kam vendosur që t´i nxjerri nga arkiva dhe t´u shpërndaj mirënjohje me shkrim, për çka kam angazhuar përfaqësuesin tim Z. Mëhill Berishën, i cili ka barrën më të rëndë si fizike ashtu edhe materiale, sepse të gjitha shpenzimet e shtypjes, postale, ardhje-vajtje i ka mbuluar vetë, për këtë i jam dyfish mirënjohës dhe zoti e shpërbleftë. Në mesin e atyre që merituan mirënjohje është edhe gazeta jonë kombëtare “Bota sot” e cila sikurse para luftës, gjatë luftës dhe tashti është duke e luajtur një rol të rëndësishëm në infomimin objektiv të lexuave të saj.

Paqja në Ballkan në rrezik për shkak të ndikimit rus? Luftë në Kosovë nuk do të ketë ?!

                  Kërko brenda në imazh Shkruan  :Flori Bruqi, PHD Disa  vjet më parë nga Flakon Demaku Kryeministri i Kosovës, Albin Kurt...