Nga Prof. As. Dr. Vangjel Kici
Shqiperia ka 700 000 deri 1 000 000 persona që jetojnë në varfëri ekstreme. Nga këta, 184 000 janë fëmijë në nevojë dhe 31 000 janë fëmijë jetim. 100 000 persona janë me aftësi të kufizuara, pleq të braktisur dhe fëmijë etj. Nga shteti ka mungesë planifikimi të politikave sociale mbështetëse për shtresat në nevojë, përfshirë familjet pa të ardhura dhe me shumë fëmijë. Këto shifra, të dhëna nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, janë pasojë e papunësisë, varfërisë, ndarjes së prindërve dhe shkatërrimit të familjeve etj. Këto shifra tregojnë se në Shqipëri, çereku deri një e treta e popullsisë, jeton në varfëri ekstreme. Kush është shkaku i kësaj varfërie? Është toka jonë e varfër? Jo, toka dhe nëntoka jonë janë shumë të pasura. Unë jam gjeolog dhe i njoh mirë pasuritë tona minerare. Klima jonë është e mrekullueshme për zhvillimin e bujqësisë dhe të turizmit. Vendi ynë është shumë i pasur me ujra për prodhimin e energjisë elektrike. Nëntoka jonë është shumë e pasur me minerale, sidomos me krom, baker, ar, argjend, nikel, naftë, gaz etj. Po pse populli ynë i vogël, me pasuri kaq të mëdha, vuan kaq shumë në varfëri? Shkaku është keqadministrimi, keqqeverisja e vendit dhe e pasurive kombëtare , sidomos këto 20 vjetët e fundit. Më poshtë do të shihet se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh vetëm me minierat dhe me naftën tonë, që janë pasuri të mëdha kombëtare dhe do të shërbenin për një jetë më të lumtur të popullit tonë.
Të gjithë e dim se Shqipëria ka naftë. Fushat e naftës dhe të gazit, të zbuluara deri tani në Shqipëri, nuk janë as të vogla dhe as të mëdha. Fusha gjigante nafte dhe gazi quhen ato, që kanë mbi 500 milionë barela naftë ( ose gaz të konvertuar në naftë ). Me “naftë të madhe” duhet kuptuar ekzistenca e fushave gjigante. Këto fusha ndodhen në vendet, që shquhen në botë për naftëgazmbajtje të madhe. Disa nga këto vende janë: shtetet e Gjirit Persik ( disa vende Arabe dhe Irani ), Rusia, Kazakistani, Azerbajxhani, Turkmenistani, Libia, Nigeria, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika, Venezuela, Brazili, Indonezia etj. Në Shqipëri prodhimi më i lartë vjetor i naftës, rreth 2 milion e 200 mijë tonë, ka qenë në vitin 1975. Më pas prodhimi pësoi rënie. Thuhet se kërkimi dhe prodhimi i naftës dhe i gazit në Shqipëri nuk kanë qenë rentabël dhe kjo domethënë se nafta e prodhuar ka pasur kosto të lartë. Ky koncept, jo plotësisht i drejtë, ekziston edhe sot dhe kjo është një nga arsyet pse kërkimi dhe prodhimi i naftës janë lënë krejt pas dore. Gjatë viteve të demokracisë u mbyll Instituti i Kërkimit të Naftës dhe Gazit në Fier. Punonjësit shkencorë u hodhën në rrugë. Gjithashtu u mbyllën Ndërmarjet shtetrore të Shpim – Kërkimit për naftë dhe gaz, që ndodheshin në Kuçovë, Patos, Lushnje etj. Edhe punonjësit e këtyre ndërmarjeve u hodhën në rrugë. Prodhimi i naftës në fushat ekzistuese pothuajse u braktis. Këto fusha nafte deri tani i përkasin kompanisë shtetrore “Albpetrol”, kurse disa prej tyre shfrytëzohen nga kompanitë e huaja ( Patos – Marinëz, Kuçovë etj. ). Është deklaruar nga qeveria se kompania “Albpetrol” do të privatizohet sa më parë. Kjo punë do të vuloset më 7 shtator të këtij viti, gjatë garës apo ofertës ( “tenderimit” ) për kompanitë e huaja. Me këtë akt shteti shqiptar heq dorë plotësisht nga kërkimi dhe prodhimi i naftës. Gjatë regjimit komunist gjithçka u shtetëzua, kurse tani gjithçka po privatizohet. Ky është kalim nga njëri ekstrem në tjetrin dhe të dy këta ekstreme kanë qenë dhe janë të dëmshëm për Shqipërinë. Privatizimi bëhet nëpërmjet tenderave të dyshimtë dhe kjo nuk e përjashton aspak grabitjen e fushave të naftës. Përveç kësaj, privatizimi i fushave të naftës do të hedh në rrugë punëtorët dhe kështu shtohet edhe më tej papunësia dhe varfëria në vend. Pse duhen privatizuar fushat ekzistuese të naftës? Janë pa leverdi ekonomike kur çmimi i naftës ka vajtur në kupë të qiellit? Ne deri tani vet i kemi shfrytëzuar ato, pa pasur nevojë nga jashtë. Ekonomia jonë ka të ardhura të rëndësishme nga nafta dhe njerzit janë në punë. Ato shiten badihava që të mbushet sado pak arka e shtetit, që është e boshatisur. Ato shiten për të dalë sot nga situata e vështir, po nesër le të bëhet kiameti. “Nesër” këto fusha nafte nuk do të sjellin më të ardhura për ekonominë tonë. Nga privatizimi i Albpetrolit do të hidhen në rrugë 1400 punëtorë të tjerë. Kështu u veprua edhe me minierat. Ato u mbyllën të gjitha dhe minatorët u hodhën në rrugë. Të gjitha jo rentable ishin? Kudo mbyllje, mbyllje dhe papunësi. Pothuajse e gjithë pasuria kombëtare u shit dhe njerzit janë lënë pa punë. Ku po shkojmë? Opozita dhe populli bëjnë sehir. Shtetet me mend në kokë nuk e privatizojnë naftën, sepse ajo është pasuri kombëtare strategjike. Kështu për shembull, Norvegjia, Britania e Madhe etj. nuk e kanë privatizuar naftën. Ajo u ka sjellë të ardhura të mëdha ekonomive të këtyre vendeve dhe ka rritur mirëqënien e popujve.
Përsa i përket kërkimit të naftës dhe të gazit, duhet thënë se ai ka vite që është ndërprerë. Ka shumë vite që nuk kryhen shpime kërkimi. Tek ne ekziston vetëm një kompani e huaj dhe ajo është Manas Petroleum, e cila kohët e fundit e ka ndërruar emrin dhe tani quhet Petromanas Energy. Kjo kompani, që ndërron emrin si kameleoni ngjyrat, bënë vetëm punime gjeofizike. Ajo vetëm zbulon në thellësi struktura me interes për naftë dhe gaz, premton se do të shpojë këtu ose atje…., por nuk bënë asnjë shpim kërkimi në këto struktura. Për Shqipërinë kësaj i thonë “mbill dhe mos korr”, kurse kompania pa dyshim që “korr”. Pa shpime nuk zbulohen fusha nafte dhe gazi, që do të ishin burime shumë të rëndësishme të ardhurash për ekonominë e Shqipërisë. Shpimet e kërkimit dhe zbulimi i fushave të reja të naftës dhe të gazit do të hapnin shumë fronte pune në mënyrë masive dhe të përherëshme. Por kjo nuk po ndodh.
Lejen ( liçensën ) ekskluzive 5 – 7 vjeçare për kërkimin e naftës dhe të gazit në Shqipërinë e Jugut e ka marrë një kompani e huaj. Deri tani, kjo është zona më e suksesëshme për zbulimin e naftës dhe të gazit në Shqipëri. Këtu janë zbuluar shumë fusha nafte dhe gazi. Por ja çfarë ka ndodhur kohët e fundit: Jemi një grup gjeologësh ( Prof. As. Dr. ) me eksperiencë të gjatë në kërkimin e naftës , që njohim në Shqipërinë e jugut një strukturë me shumë shanse për zbulim të rëndësishëm nafte dhe gazi. Kërkuam të kontaktonim me kompanin e huaj, por pa sukses. Kërkuam ndihmën e Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, që jep liçensat. Përgjigja ishte: “ sa dini Ju, aq dim edhe ne. Adresat i keni në internet”. Në muajin korrik 2011 i drejtuam mesazh kryeministrit Sali Berisha, që të na ndihmonte qeveria për të kontaktuar me kompanin në fjalë. Në mesazh e njoftonim edhe për strukturën e rëndësishme, që përmendëm më lartë. Kryeministri na njoftoi po ato të dhëna, adresa etj., që ne i dinim nga interneti dhe që nuk na përgjigjeshin. Ne kemi bindjen se në strukturën e lartëpërmendur do të zbulohet naftë dhe gaz me shumë leverdi për vendin tonë dhe se do të hapen shumë fronte pune. Më e keqja është se Shqipëria e jugut është e “akaparuar”( e monopolizuar) nga dikush dhe ne nuk mund të sjellim aty asnjë kompani të huaj për kërkimin e naftës.
Trualli i Shqipërisë ( jo deti ) është ndarë në tetë blloqe. Në Agjensinë Kombëtare të Burimeve Natyrore na tregojnë Hartën e Shqipërisë me blloqet e zënë dhe blloqet e lirë. Por edhe blloqet e lirë praktikisht janë të akaparuar. Për shembull, dikush kërkon leje kërkimi për Shqipërinë veriore ( blloku 8 ), por atij nuk i jepet kjo leje nën pretekste nga më të ndryshmet. Pra, praktikisht e gjithë Shqipëria ështe e akaparuar ( e zaptuar ) nga dikush, megjithse në fakt është pothuajse krejt e lirë. Kështu ka shumë vite që është bllokuar kërkimi i naftës dhe i gazit në gjithë Shqipërinë dhe pasojat e këtij bllokimi dihen ( mungesë zbulimi, mungesë të ardhurash për ekonominë, moshapje vendesh pune etj.).
Sikurse u përmend edhe më lartë, Shqipëria tani nuk ka as Institut Nafte, as Ndërmarrje shtetrore Kërkimi dhe as kompani shtetrore apo private kërkimi për naftë dhe gaz. I gjithë territori ynë u është ofruar vetëm kompanive të huaja të naftës. Sipas ligjit të naftës, çdo kompani e huaj, që zbulon naftë dhe gaz, përfiton rreth gjysmën e prodhimit. Madje, në rastin e pusit pozitiv Shpirag -1, shteti shqiptar në marrëveshje përfiton vetëm 30% të prodhimit !!! Sikurse shihet, nga ky zbulim nafte nuk ka pse të gëzohemi. Pra, ne u japim të huajve qyl mbi gjysmën e rezervave të mundëshme të naftës dhe të gazit të gjithë Shqipërisë. Për krahasim, Indonezia, që e ka të lartë shansin e zbulimit të naftës, u jep liçensa kompanive të huaja, por në rast zbulimi ato kanë të drejtë të marrin vetëm 25% të prodhimit, kurse pjesa tjetër i takon popullit indonezian. Prandaj, mendoj se duhet krijuar sa më parë kompania shtetrore shqiptare e kërkimit të naftës dhe të gazit, si dhe kompani private shqiptare për naftën dhe gazin. Për ndryshe, ne po u shesim të huajve badihava tërë pasurin tonë kombëtare dhe do të na mallkojnë brezat e ardhshëm. Në Europë ka shumë shtete të vegjël, që kanë kompanitë e tyre të naftës. Për shembull, Greqia ka kompanin “Helenic Petroleum”, kurse Kroacia ka kompanin “ INA naftaplin”. Serbia ka kompanin NIS dhe Austria ka kompanin OMV etj. Po ashtu kanë kompanit e tyre Danimarka, Hollanda, Norvegjia… Mendimi ekzistues, se nafta jonë tashmë duhet kërkuar vetëm në thellësi relativisht të mëdha dhe me shpenzime të shumta, të cilat gjoja nuk i përballon dot ekonomia jonë, nuk qendron aspak. Ekziston mendimi se tek ne strukturat e cekta naftëmbajtëse gjoja tashmë jane zbuluar, por kjo nuk është e vërtetë. Tek ne ekzistojnë struktura të cekta, të thellësisë mesatare dhe të thellësive relativisht të mëdha. Strukturat e cekta shteti ynë mund t’i zbulojë dhe shfrytëzoj vet. Kjo bëhet duke financuar pak në fillim për shpimin e pusit të parë. Pastaj, nafta e puseve të parë do të krijojë fonde për vazhdimin e shpimeve të tjerë dhe për vënien në shfrytëzim të gjithë vendburimit. Kësaj i thonë “mishi të tiganiset me dhjamin e vet”. Kështu ekonomia jonë do të forcohej shumë. Mendimi, se naftën tek ne mund t’a zbulojnë me shpenzime më të ulta vetëm kompanit e huaja, nuk është i drejtë. “Vrimat” e shtëpisë i di më mirë vetëm i zoti. Deri tani, gjatë 25 vjetve, çfarë kanë zbuluar tek ne kompanit e shumta të huaja të naftës? Pothuajse asgjë.
Tani le të kalojmë tek problemi i perspektivës naftëgazmbajtëse të vendit tonë. Qysh në fillim duhet theksuar se kjo perspektivë është shumë e madhe. Ne akoma sillemi vërdall me kërkime vetëm në Shqipërinë e jugut dhe në Shqipërinë perëndimore ( në tokë dhe në det ). Këto u servirim edhe të huajve. Harrojmë pjesën tjetër të Shqipërisë. Ka rreth 10 vjet që është argumentuar shkencërisht perspektiva e madhe naftëgazmbajtëse e Shqipërisë lindore. Brezi perspektiv fillon nga deti Egje dhe vazhdon në Greqi, në Shqipërinë lindore, në gjithë Kosovën, në Serbi, Bosnje-Hercegovinë dhe në Kroaci, deri në veriperëndim të Zagrebit….. Ky është një fat i madh për të gjithë kombin shqiptar. Por kujt ia jep Zoti këtë fat? Për këtë brez me perspektivë prej kohësh janë në dijeni të gjitha qeveritë tona, të djathta dhe të majta, por asgjë nuk kanë bërë, sepse ato duan “mendimin e masave”( zbatimi i vijës së masave të nënës Parti ) dhe jo mendimin e një specialisti. Çfarë duhet të bënin, sipas mendimit tim? 1- Të kërkonin mendimin e specialistëve të ndonjë kompanie të huaj dhe prestigjioze të naftës, duke u dërguar studimin. 2- Shteti shqiptar të lidhte kontratë me një kompani të huaj për të bërë studimin gjeofizik në një nga masivët e shumtë të Brezit të Mirditës ( për shembull, në masivin e Bulqizës ose të Gomsiqes etj. ). Në rast se poshtë ndodhet struktura karbonatike, të shpohet një pus kërkimi. Rezultati pozitiv ose negativ i këtij pusi do të shërbente për të vlerësuar të gjithë masivët e tjerë të brezit, që janë të shumtë. Në rastin pozitiv do të hapej një perspektivë e jashtëzakonëshme për zhvillimin ekonomik të vendit tonë dhe të Kosovës, domethënë për zhvillimin ekonomik të mbarë trojeve shqiptare. Brezi i Mirditës, që ka perspektivë të madhe për naftë dhe gaz, shtrihet ndërmjet Korçës dhe Bilishtit, vazhdon ndërmjet Librazhdit dhe Pogradecit, vazhdon në gjithë krahinën e Mirditës dhe përfshin pothuajse gjithë Kosovën. Në gjeologji ky quhet “Brezi Ofiolitik Mirditë – Kosovë”. Interpretimet e deritanishme gjeologjike e kanë përjashtuar padrejtësisht perspektivën e madhe naftëgazmbajtëse të këtij brezi. Ky përjashtim është bërë duke argumentuar se gjoja shkëmbinjtë e brezit në fjalë janë formuar në një oqean të dikurshëm. Në fakt ata nuk janë formuar në oqean, por në një hulli të dikurshme ( në gjeologji quhet “basen pas-harkut”). Në botë është vërtetuar se basenet pas-harkut janë shumë të rëndësishëm për naftëgazmbajtje. Nga literatura na bëhet e ditur se në këtë tip baseni ndodhet nafta “e madhe” e Azerbajxhan-Turkmenistanit, e Gjirit të Meksikës, e rajonit të detit Ohotsk etj.
Nafta e madhe dhe gazi në Azerbajxhan-Turkmenistan ndodhen në basenin pas-harkut të malit Elbrus, kurse baseni i Mirditë – Kosovës ndodhet pas-harkut të malit të Korabit. Pra, në të dy rastet kemi të bëjmë me basene pas-harkut, por në njërin është zbuluar nafta dhe gazi, kurse në tjetrin nuk janë bërë kërkime për naftë dhe gaz. Ndoshta disa njerzve tek ne u duket e pabesushme, por ky është realiteti gjeologjik. Brezi Shqipëri – Kosovë ka perspektivë naftëgazmbajtëse të përafërt me Azerbajxhan-Turkmenistanin, që shquhen në botë për naftë dhe gaz. Për më tepër, në Brezin Ofiolitik Mirditë – Kosovë ka shumë masivë shkëmborë, që quhen struktura diapirike. Këto struktura të shumta dhe gjigante diapirike ultrabazike, në gëlqerorët poshtë vetes kanë perspektivë të madhe për naftë, dhe sidomos për gaz. Të tilla struktura gjigante ndodhen pranë qyteteve dhe fshatrave që vijojnë: Leskovik, Ersekë, Korçë, Bilisht, Pogradec, Prrenjas, Librazhd, Elbasan, Bulqizë, Fushë Lurë, Krujë, Burrel, Rrëshen, Vau Dejës, Pukë, B. Curri – Tropojë – Krumë, Kukës etj. Nga literature na bëhet e ditur se pikërisht në struktura të tilla, kohët e fundit, është zbuluar naftë “e madhe” dhe gaz në rajonin e detit Ohotsk pranë Japonisë. Të gjithë i dim dy shpërthimet e gazit, në kohë të ndryshme, në thellësit e minierës së kromit në Bulqizë. Këto shpërthime, fatkeqësisht, u shoqëruan me viktima ndërmjet minatorve. Lajmet njoftuan se ai ishte vetëm gaz hidrogjen, por analizat e bëra e kundërshtojnë këtë njoftim. Ato tregojnë se ai ishte kryesisht gaz metan shoqërues i naftës. Ky gaz ka ardhur nga thellësia, nëpër çarjet e shkëmbit, nga kapelja gazore e vendburimit të mundshëm gjigant të naftës në gëlqerorët poshtë masivit të Bulqizës. Kjo duhet të kihet parasyshë dhe të merren masat e nevojshme në minierën e kromit në Bulqizë dhe në minierat e tjera të kromit, sepse grumbullime të tilla gazi befas mund të ndeshen edhe në të ardhëshmen. Nafta dhe gazi po na thonë: Ja ku jemi!, kurse neve nuk u besojmë syve. Kjo pra është “nafta e madhe”, që pritet të zbulohet në Shqipëri. Prandaj, mendoj se qeveritë e njëpasnjëshme në Shqipëri duhet të ndryshojne krejt politikën në drejtim të naftës dhe të gazit. T’i dëgjojmë këshillat e miqve tanë të mëdhenj, por në fund të fundit, për disa gjëra të vendosim vet, sepse jemi shtet i pavarur dhe sovran. Nuk duhet harruar se nafta dhe gazi e kanë fuqizuar ekonominë dhe rritur mirëqënien e popujve. Rusia e viteve ’90, e rraskapitur ekonomikisht, e mori veten shpejt kryesisht nga shitja e gazit dhe e naftës. Vendet e Gjirit Persik kanë ekonomi të fuqishme vetëm në saje të naftës. Norvegjia ka ekonomi të fuqishme, sidomos nga shitja e naftës dhe e gazit. Greqia do të kryejë shpime për kërkimin e naftës dhe të gazit, afër kufirit jugor të Shqipërisë, me synim që me naftën që do të zbulojë të dalë nga kriza e thellë e borxheve, kurse ne në Shqipëri e braktisim krejt kërkimin dhe prodhimin e naftës!!! Kam pritur që Ministria e Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës të na ftonte për të marrë të dhëna mbi strukturën me perspektivë për naftë, që e kam theksuar më sipër. Aty ka shumë shanse të zbulohet naftë dhe gaz. Nga ky zbulim do të kishte të ardhura të rëndësishme ekonomia jonë, do hapeshin fronte pune në mënyrë masive dhe të përherëshme, por kjo nuk ndodhi. Për këtë, dhe për problemet e shkruara më sipër, fajin nuk e kanë të huajtë. Të keqen e kemi brenda.
SHITJA E ALBPETROLIT
Nga Prof. As. Dr. Vangjel Kici ( gjeolog )
Albpetroli është kompania shtetrore, që përfshin të gjitha fushat e njohura të naftës në Shqipëri. Nafta e prodhuar nga këto fusha i sjell të ardhura vjetore të rëndësishme ekonomisë tonë. Dhe këtë e din mirë qeveritarët tanë. Nga ana tjetër, shumë punëtorë janë të punësuar në këto fusha nafte. Deri tani vet e kemi shfrytëzuar naftën e këtyre fushave, pa pasur nevojë nga jashtë. Pse duhen shitur (“privatizuar”) këto fusha? Janë pa leverdi ekonomike kur çmimi i naftës ka vajtur në kupë të qiellit? Jo, fushat ekzistuese të naftës janë me leverdi ekonomike. Ato po shiten badihava që të mbushet sado pak arka e shtetit, që është e boshatisur. Ato po shiten që të grabiten. Nga shitja e Albpetrolit do të hidhen në rrugë mbi 1400 punëtorë. Kështu shtohet edhe më tej papunësia dhe varfëria e popullit tonë. Këto fusha nafte, nëqoftëse shiten sot, nesër e tutje nuk do i sjellin më të ardhura ekonomisë tonë. Për këto arsye, dhe për faktin se nafta dhe gazi janë pasuri strategjike kombëtare, pasuri e gjithë popullit, Albpetroli nuk duhet shitur (“privatizuar “) në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim. Shitja e Albpetrolit është një krim i shëmtuar ndaj popullit shqiptar, është tradhëti kombëtare, dhe kjo duhet thënë hapur dhe me zë të lartë, sepse nafta dhe gazi janë pasuria më e rëndësishme e popullit tonë. Nafta është jetike, si gjaku. Nuk duhet lejuar shitja e të gjithë “gjakut” të Shqipërisë!!
Bashkë me Albpetrolin po shitet, si pa u ndjerë, edhe nafta dhe gazi, që ndodhen në 60% të sipërfaqes së Shqipërisë. Këtu përfshihet gjithë Shqipëria lindore, e cila ka perspektivë të jashtëzakonëshme për naftë dhe gaz të kalibrit të Azerbajxhanit. Këtë perspektivë të lartë e di mirë kryeministri Berisha, sepse ka shumë vite që i është dërguar qeverisë studimi gjeologjik për këtë problem. Por, në vend që të mendonin për të bërë kërkime për naftë dhe gaz në këto zona, qeveritarët tanë kanë menduar gjatë gjithë kohës si t’a shesin (= grabisin ) këtë pasuri të madhe. Në Shqipërinë lindore pritet të zbulohet aq shumë naftë dhe gaz, sa t’a bëjë të lumtur jetën e popullit shqiptar. Por qeveria nuk mendon aspak për jetën e popullit tonë. Ajo i shet badihava rezervat e mëdha të pritëshme të naftës dhe të gazit dhe e mbyll krejt këtë perspektivë të madhe për popullin shqiptar. Me shitjen e Albpetrolit, po shitet edhe perspektiva naftëgazmbajtëse e Shqipërisë lindore, dhe ky është krimi i dytë edhe më i madh që po i bëhet popullit tonë.
Çmimi i shitjes së Albpetrolit, dhe i naftës së madhe dhe gazit që pritet të zbulohen në Shqipërinë lindore ( shitje për 25 vjet ! ), me shumën 300 deri 850 milion dollarë, është një çmim qesharak. Në fushat ekzistuese ka shumë rezerva nafte, por sidomos në Shqipërinë lindore pritet të zbulohen fusha gjigante nafte dhe gazi, të krahasueshme me Azerbajxhanin e famshëm. Vlera e pritëshme e kësaj nafte dhe e këtij gazi do të jetë qindra miliardë dollarë. Prandaj, kjo shitje bëhet badihava dhe kjo nuk është shitje, por grabitje e një pasurie kolosale. Kjo pasuri e popullit shqiptar nuk duhet shitur për asnjë çmim. Ku janë shkencëtarët e naftës shqiptare? Pse nuk flasin? Ku janë shkencëtarët e Sherbimit Gjeologjik Shqiptar? Pse heshtin? Nesër do të jetë vonë. Kështu i mbrojmë ne interesat e popullit tonë? Turp për ne!
Për të dalë nga kriza financiare e tanishme është shumë më mirë të marrim borxhe nga jashtë se sa të shesim badihava naftën e madhe dhe gazin e gjithë Shqipërisë. Kjo dihet mirë edhe nga qeveritarët tanë, por çfarë t’i bëjnë ata oreksit të tyre të madh për grabitje?!! Duke ua shitur të gjitha pasuritë kombëtare të huajve ( dhe vendasve ) populli shqiptar po bëhet pa pronë. Populli pa pronë shndërrohet në skllav, pa atdhe. Prandaj, i bëjë thirrje gjithë klasës politike dhe popullit tonë që të mos lejojnë në asnjë mënyrë dhe me asnjë çmim shitjen e Albpetrolit dhe të naftës së madhe të pritëshme të Shqipërisë lindore. Kjo duhet bërë urgjentisht, sot, sepse nesër do të jetë vonë. Po u firmos kjo marrëveshje, për shitjen e Albpetrolit dhe të aseteve të tjera shoqëruese, nuk mund të shfuqiz