Vullnet Mato
SPARTAKËT E KËSAJ KOHE
Spartaku zgjidhi skllevërit
dhe u priu në gërxhet e lirisë,
duke i këputur çdo skllavi
zinxhirin e çeliktë të shfrytëzimit.
La për të gjitha kohërat
në kujtesën e historisë,
britmën kryengritëse,
kundër shtypjes dhe mjerimit.
Sa keq të bëhesh sot skllav
me zinxhir te këmbët,
për mitingje e protesta
si numër i shumësit aritmetik;
me shpërblimin mizerabël,
sa për të mprehur dhëmbët,
të ndërsehesh kundër skllevërve
kundërshtarë në politikë!...
Spartaku u ndriçoi njerëzve
rrugën e kohës së vërbër.
Por ndodh njerëzit e kësaj kohe,
verbohen nga spartakët karieristë,
pranojnë imponimin,
apo premtimin e gënjeshtërt,
të mbushin sheshet me turma skllevërish
pa britmën e protestës në shpirt.
Unë për veten time,
skllav nuk do të bëhesha kurrë.
Zinxhirët i këputa bashkë
me kërthizën nga barku i nënës.
Por në dalsha në shesh,
me shokët e gjakut të ndezur furrë,
do i bie kambanës së qiellit
me batoqin e hënës;
Derisa klithmat të çojnë nga varri
vetë Spartakun e lashtë.
Të vërë rregull me burra kombëtar
që i duhen Shqpërisë.
Kalamajtë grindavecë të tribunave,
që tundin shkopinjtë e lëmit me kashtë,
t’i shpjerë prapë te nënat,
t’i vënë nga e para në sisë…