2013-04-14

A fshihet shtiza në thes? Prestigjiatori Rama fsheh Pallatin në torbë!


Nga Kostaq Xoxa


Prilli ende s’ka mbërritur në mes të rrugëtimit të tij; por rrenat e datës 1 prill kanë thyer rekordin e viteve në këtë mot të vigjiljes së zgjedhjeve parlamentare. E gënjeshtra më trashanike, më budalle, e denjë për rekordet Gines, është ajo që ka të bëjë me shitjen e librit “Kurban”. Me këtë shitje na qenka blerë një pallat 5-katesh, me vlerën e 1 milion eurove! Lajmi është përçuar nga selia private bashkëshortore e çiftit Rama. Sa për vlerat e këtij libri të vetëreklamuar me hiperbolat vargan të autorit, do të japim më poshtë një episod interesant të një pedagogu të gjuhësisë e të letërsisë i cili, ndonëse i majtë, nuk është nga ata të indoktrinuarit. Ai mësues i aftë, ç’është e vërteta, duket se i ka dhënë një përgjigje të merituar asaj shprehjeje të “Kurbanit”, ku flitet për ‘pasionalitetin’ (!) e kahershëm të Ramës për gjuhësinë.
Edi Rama, pra, me një libër na bleka një pallat! Dhe nga një fukara, me një shtëpi me qira, në të cilën nuk ka as një raft rrobash apo një dollap ku të vërë librat, na u shndërrua në një milioner!
Në ato faqet e librit të tij që flasin për këtë subjekt, autori i këtij libri të palexueshëm mundohet të mallëngjejë lexuesin me hiperbolat e tij bajate, si ato në të cilat na thotë se shtëpia me qira është kaq e ngushtë sa edhe paretet ndarëse janë sajuar me “tulla” (demek me libra), të vëna njëri mbi tjetrin, për të ndarë kuzhinën nga “dhomëza” e fjetjes! I shkreti! – thoshte Tartufi i Molierit.



Edhe gënjeshtrën e ka pa kripë! Zëdhënësja e PD-së, tani kur po i dalin petët byrekut, e fillon troç fjalën e saj publike: “Rama, deklaró 1 milion eurot për vilën në Dajt!”. Tashmë mashtruesit po i kërkohen faturat për të përligjur të 1 milion eurot për pesëkatëshin me sipërfaqe 900 m². Në faqet 30-31 të librit të tij të gënjeshtrave flet, pa pikë galeje, për atë që e quan “legjenda e pasurisë së tij”. Dhe s’e ka për gjë që të akuzojë të tjerët, se janë ata që shpifin, duke përftuar këtë “legjendë”. Citojmë: “Legjenda” e pasurisë sime marramendëse, si një jehonë që përplaset mal më mal e breg më breg dhe merr dheun për vite me radhë pa pushim, skaj më skaj, duke e bërë gënjeshtrën të vërtetë e të vërtetën rrenë me bisht … është një luftë e paskrupullt politike”. Ç’hiperbola foshnjarake! Me fjalë kumbuese, që bien era mosbesim, kërkon të na bëjë shpëlarje të trurit, si në ato fjalët e tij propagandistike. Dhe e tjer kaq gjatë e me fjalë aq të mërzitshme, sikur e parandjen që nuk e besojnë. Madje e thotë edhe këtë: “Është zor të them se njerëzia do të pajtohet me tjetër të vërtetë (nga ajo që po bëhem copë e çikë për të vërtetën time), duke hapur kapakët e miliarda fjalëve të thëna për ta bërë të vërtetë gënjeshtrën”. Pastaj shkëputet nga kjo temë për të folur “për të dy fëmijët e tij të bukur”. Por, meqë mendja i rri aty, tek abuzimet e zbuluara, vjen sërish në temë, duke thënë: “… Paçka se mileti përsëri do të më dijë po aq të pasur sa ç’janë më të korruptuarit e këtij vendi”. Le të vërehet se popullin që s’e beson, e quan “milet” në mënyrë përbuzëse. Asnjëherë nuk gjendet një fjalë e mirë, për askënd. Më tej i qan hallin prapë vetes, në një frazë kakofonike: “Publikut i është bërë pothuajse e pamundur që të çmësohet me çmësimin e imponuar…”. (I duket letrare ai çmësimi me çmësimin!”). Faqja 33, që përmban talljet dhe ekstravagancat e shëmtuara të sapo cituara, - dëshmi e përdhosjes flagrante të gjuhës së njësuar amtare,- nuk mund të përligjet nga asnjë leksikograf, i djathtë apo i majtë. Ai, Edvini, që ka rënë në dashuri me vetveten, as që do t’ia dijë se mediat shkencore nuk i kanë bërë asnjë vlerësim, për mirë apo për keq, “Kurbanit”. Ia kanë lënë harresës!
Meqë folëm për atë megalomaninë e barasvlerës së këtij libri me një pallat milionash, nuk më duket e tepërt që të bëj të njohur atë që më ka thënë një miku im: “Një fqinji im më tregoi një episod për një nxënës të një mësuesi të majtë, i cili jep në shkollë lëndën e gjuhës e që gëzon respektin e nxënësve për njohuritë gjuhësore. I ati i nxënësit e kishte prurë “Kurbanin” në shtëpi, që e kishte blerë me listë, siç shiteshin “Veprat” e Enverit. Një nxënës i kishte thënë në orë të mësimit: - Ju po na mësoni standardin gjuhësor që të shkruajmë në mënyrë të njësuar. Dhe na korrigjoni në hartimet tona fjalët jashtë gjuhës së kodifikuar. Por a janë të standardit gjuhësor fjalët si thashethemuar, vitrinat e qepenosura, ujqërisht, pallatizuese, pasionalisht, i bubullimshëm, i vandalizuar, banorë të alienuar, i mbrapshtudhëhequr, vite të rëndëngarkuara, e tatëpjetë metaformike, korruptorët, mik i asnjëherëharruar, më la të mbresuar në kujtesë, e shumëhimnizuara taksë, perversiteti i disasterrtë, ndryshe nga ç’thashethemohet, dinamitimi i kishave, pervertimi i kontakteve, qyteti me asnjëtëpërgjasuarin, veshë të rrëshirosur, shkrimtarë të tiranizuar…? Mësuesi që e kuptoi menjëherë se në cilin libër i kishte gjetur nxënësi ato fjalë, i kishte dhënë këtë përgjigje: - Ke bërë mirë që ke gjetur fjalët jashtë standardit. Ndërmjet tyre ka edhe neologjizma të sajuara. Jashtë standardit janë edhe fjalët e huaja të zëvendësueshme. Qëmtime të tilla duhet të bëjnë edhe nxënësit e tjerë. Do të ishte mirë të shihni edhe gabimet e disa folësve në TV. A e keni vënë ré sesa herë bëhen gabime të përsëritshme të mjaft folëseve? Disa shembuj: “Këto” ishin titujt e filan gazete. Duhet “këta”…Gabime të përhapura janë edhe ’recension’ për ‘recesion’, apo anasjellas (kanë kuptime të ndryshme); apo “proçes” për “proces”; ngatërrohen “afruar”, me “ofruar”. Edhe këto me kuptime të ndryshme, etj. Autorët nuk na duhen. Po flasim për gabimet e shpeshta, që përsëriten në vazhdimësi. Një rast tjetër i ngatërresave të shpeshta: ‘Elementë’ (njerëz) “të ndershëm”. Por “ tri elemente” të tabelës së Mendelejevit. Pra: ‘tre elementë’ të zellshëm. Por ‘tri elemente’ të natyrës’ (për shembull uji, zjarri, ajri). Nuk është e rëndësishme të merremi me autorët. Këtu jemi për të ndrequr gabimet. E përsëris: Përpara nxënësve nuk u përmend emri i autorit. Mësuesi specialist nuk mund të hyjë në fushën e propagandës. Por, amà, nuk mund të përligjë shkatërruesit e standardit të gjuhës së njësuar, qoftë edhe duke mos i përmendur me emër”.
Nuk është e rastit që libri “Kurban” nuk ka gjetur asnjë gjuhëtar që t’i dalë në mbrojtje këtij libri, të lavdëruar me hiperbola neveritëse nga vetë autori. Po si nuk është shfaqur asnjë gjuhëtar i vetëm, qoftë édhe socialist, që t’u dalë për zot lavdeve të skajshme të vetë autorit, në tryezën e kritikës letrare? Kuptohet se kështu do të shkonin punët, përderisa libri për të cilin po flasim nuk është vetëm se një bashkësi fletësh, pa asnjë personazh pozitiv,( me përjashtim të vetë autorit)...
Më duhet të shtoj edhe diçka: Sikur të bëhej një pallat me një libër, kushedi sa miliona do të kishte Mitrush Kuteli, që vdiq i varfër! Nuk do të çuditemi, nëse édhe “Kurbani” do të katandiset si “Refleksionet”.
Për ta mbyllur me argumente të tjera që dëshmojnë korrupsionin e Ramës, po japim edhe disa të dhëna të tjera, të shprehura nga zëdhënësja që përmendëm, e cila i drejtohet Ramës: “Keni deklaruar se tokën e keni blerë në vitin 2003 me 2 000 lekë të vjetra / m², domethënë me 2 dollarë / m². Por edhe në zona më periferike, në vitin 2000, është shitur me 20 000 lekë / m² apo 20 dollarë /m², pra ju e keni blerë me dhjetëfishin e çmimit më pak, ndërsa ngjitur me ju, me dokumente të rregullta, fqinjët tuaj e kanë blerë tokën me 50 dollarë /m² ”, domethënë 25 herë më shumë, krahasuar me 2 $ / m² të blerjes së Ramës.
Për ta ballafaquar më qartë hipokrizinë, citojmë përfundimisht një fragment në f. 31: “Edhe dashamirët e mi nuk e përfytyrojnë e jo më ta besojnë se arka ime e kursimeve është modeste dhe jetesa ime krejt normale”. Do të thosha se arka e kursimeve të Ramës nuk është asfare modeste dhe jetesa e tij nuk është as krejt normale, as ai vetë nuk është aspak shpërfillës ndaj parasë, sipas një shprehjeje tjetër të tij. Nga “varfëria” e tij ‘mallëngjyese’ e “Kurbanit”, te deklarimet e tanishme të detyruara me ligj, ka ndryshesa të mëdha, që portretizojnë një xhambaz, jo një shpërfillës të parasë. Nuk ka përse të fajëson edhe dashamirësit e tij që s’e besojnë. Me ç’atribut i ka dhënë ‘të drejtën’ vetes që të ketë mundësinë të blejë prona të paluajtshme me një çmim 25 herë më të vogël se qytetarët e tjerë? Me atë që shfrytëzon imunitetin e postit të tij, për afera për të cilat në Perëndim janë dënuar me burg personalitete të rëndësishëm? Dhe mos të harrojmë se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Po vërtetohen fjalët e Nanos për shitjet abuzive të ikonave në Francë. Udhëtimet si të milionerëve në vendet e ngrohta në acaret e dimrit, shpenzimet me bollëk jashtë shtetit për të zbukuruar dentierën e tij si edhe mjaft të dhëna që po e nxjerrin kokën për qyteza të tëra në pronësinë e tij në plazhet e shtrenjta të Spanjës, shkojnë në këtë kahe; në atë të fshehjes nën mantelin e një varfanjaku, të një pasurie të paligjshme përrallore!
Pra, ‘carta canta’ është një shprehje italiane, domethënë janë faktet që flasin. Sa për ato “Jehonat që përhapen mal më mal e breg më breg e skaj më skaj”, ato janë për të bërë efekte në naivët, në një libër që është për leshkot dhe që kërkon të çmohet si bakri i ndryshkur për flori 24 karatësh.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...