Dy persona janë vrarë dhe së paku 40 janë plagosur nga dy shpërthime që kanë goditur vijën e finishit në Maratonën e Bostonit.
Shpërthimet kanë shkatërruar atmosferën e njërës prej ngjarjeve më të mëdha sportive në Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar panik dhe konfuzion.
Shërbimet e emergjencës janë shfaqur në vendin e ngjarjes, i cili shpejt është rrethuar nga forca të shumta të policisë.
“Isha duke ecur në rrugën Boylston dhe kemi dëgjuar dy shpërthime të mëdha. Kam menduar se kanë qenë diçka për Ditën e Patriotit… por kur kemi kthyer te këndi, kemi parë njerëzit që vrapojnë majtas dhe djathtas… Së paku dhjetë auto-ambulanca kanë arritur menjëherë dhe ato kanë mbyllur të gjitha rrugët”, rrëfen atë që ka parë një qytetare me emrin Jessica.
”Kam mbuluar shumë gjëra dhe kjo është ndoshta gjëja më e keqe që kam parë”, ka thënë në anën tjetër David Abel, reporter pranë “The Boston Globe”.
Shpërthimet kanë qenë të njëpasnjëshme dhe kanë ndodhur rreth dy orë pasi fituesit kanë arritur në cak, përkatësisht rreth orës 14:50, sipas kohës lokale.
Njësitet emergjente po shfrytëzojnë tendën e ngritur për vrapuesit e maratonës, për të trajtuar të plagosurit.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë ka thënë se presidenti Barack Obama është njoftuar për ngjarjen dhe se ka urdhëruar administratën e tij që të ofrojë ndihmë në hetime. Nënpresidenti Joe Biden ka thënë se “lutjet tona janë me njerëzit në Boston, të cilët kanë pësuar lëndime”.
Administrata Federale e Aviacionit ka krijuar zonë të ndalim-fluturimit mbi vendin e ngjarjes. Ndërkaq, në Uashington dhe Nju Jork është rritur dukshëm siguria përreth vendeve kyçe.
“Policia në Nju Jork ka shtuar masat e sigurisë përreth pikave kryesore në Menheten, si dhe përreth hoteleve”, ka thënë për agjencinë Reuters Paul Brown, zëvendëskomisar i Policisë së Nju Jorkut.
Maratona e Bostonit është njëra nga gjashtë maratonat më të mëdha në botë. Rreth gjysma e 27,000 atletëve të regjistruar kanë pasur të përfunduar garën në kohën e shpërthimit.
Organizatorët e maratonës në Londër, e cila është planifikuar për këtë javë, kanë thënë se janë “të tronditur dhe të pikëlluar” me lajmet nga Bostoni.