Në Kongresin Amerikan u mbajt një dëgjim për marrëveshjen Kosovë – Serbi, në të cilën përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit i dha mbështetje, ndërsa analistë dhe lobistë e quajtën jo të mirë për Kosovën dhe vështirë të zbatueshme.
Kryetari i nën-komisionit për Evropë si pjesë e Komisionit të Çështjeve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve kongresisti Dana Rohrabacher, organizator i dëgjimit, ishte skeptik lidhur me suksesin e marrëveshjes, duke thënë se ajo ‘legalizonte statusin e deritashëm të serbëve në veri, ndërkohë që Kosova nuk fitonte asgjë me te’. Rohrabacher njihet si mbështetës i idesë së këmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë si një zgjidhje afatgjatë.
Johnathan Moore, ushtrues i detyrës së zëvendës ndihmës-sekretarit të Shtetit dhe Drejtor i Zyrës për Çështje të Evropës Qendrore dhe Jugore në fjalën e tij marrëveshjen e quajti ‘një zhvillim të rëndësishëm pas shumë vjet angazhimi të SHBA dhe partnerëve të saj evropianë’.
“Kjo marrëveshje thekson faktin se pajtimi, e jo ndarja apo këmbimi i territoreve është qëllimi i Serbisë dhe Kosovës. Ne e kemi bërë të qartë zotimin tonë për një Kosovë demokratike, sovrane, të pavarur dhe shumetnike në kufijtë e tanishëm të saj”, tha Moore. Ai tha se marrëveshjen nuk e quajmë ‘autonomi, por mendojmë se mënyra më e mirë e mbrojtjes së të drejtave të pakicave dhe të gjithëve në Kosovë është sundimi i rendit dhe ligjit’.
Kongresisti Eliot Engel tha se marrëveshja nuk ishte më e mira, ‘por është një marrëveshje e mirë për të dyja palët’, ndërsa Daniel Serwer e quajti ‘një marrëveshje për rendin e ligjin në gjithë Kosovën dhe për vetadministrim të serbëve’.
Këshilltarja për Ballkanin në Ligën qytetare Shqiptaro-Amerikane, Shirley Cloys DioGuardi tha se marrëveshja ishte ‘një zgjidhje afatshkurtër që nuk do të sjellë paqe të qëndrueshme’. Sipas saj, ‘paqja do të vijë vetëm atëherë kur Serbia të njoh Kosovën, të zhbëjë strukturat paralele dhe të njoh të drejtat e shqiptarëve në jug të Serbisë’.
Serbo-amerikani Obrad Kesiq, lobist në Washington, mbajti qëndrimet zyrtare të politikës dhe diplomacisë Serbe rreth Kosovës, duke shfaqur dyshim për zbatueshmërinë e marrëveshjes, ndërkaq Roland Gjoni një analist i rajonit tha se marrëveshja shkonte përtej planit Ahtisaari dhe se me te ‘të drejtat e njeriut po merrnin konotacione të një qasje territoriale’.
Robert Churcher, ish drejtor i Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Prishtinë, tha se marrëveshja mundësonte krijimin e një ‘Republika Srpska’ të dytë dhe se politika evropiane ndaj Kosovës dhe Bosnjës ka qenë vazhdimisht jounike. “Kjo marrëveshje kishte më shumë për qëllim të bënte të dukej mirë Ashton dhe synohej arritja e saj me çdo kusht”, tha Churcher./S.Gashi