2013-05-13

Krimet nuk përfliten çdo ditë, por nuk harrohen kurrë!


POROSIA
(Nga ditari i një epoke, 29 prill 1998)
Shkruan: Ymer Halimi

Dje ishim në Likoc me N. Zariqin, dërguam ca gjëra ushqimore edhe barna. E pashë edhe komandant Mujë Krasniqi, që kishte një gjendje, siç thuhet, “dukej si i vdekur” por frymonte. Takova, në ambulancë, më larg spitalit, edhe kirurgun e UÇK-së, dr. Fadil Bekën...
Krimet nuk përfliten çdo ditë, por nuk harrohen kurrë!
Lëkundjet politike në Kosovë, në mes të shqiptarëve dhe serbëve, kanë arritur shkallë maksimale, që prej pushtimit të Kosovës në vitin 1912 e deri sot. Akuzat dhe mohimet përherë janë si koncepte të kundërta, por akuzat serbe për shqiptarët janë sajim i qëllimshëm. Serbët janë të zhgënjyer që nuk arritën t’i realizojnë qëllimet politike mbi shqiptarët, pastrimin e territorit sipas porosive të paraardhësve të tyre, të Garashaninit, Çubriloviqit, Ivo Andriqit, apo më saktë platformës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe idesë së Kishës Ortodokse Serbe.
Kjo megjithatë u shkoi përdore shumë, pas viteve 1878, kur Evropa bënte sehir përballë një krimi shtetëror serb mbi një popullatë duarthatë shqiptare, të pazonjë, të papërgatitur për të mbrojtur veten dhe territoret e saj etnike! Sot shteti serb, përkundër një periudhe të një klime paksa relaksuese të marrëdhënieve mes këtyre dy popujve, që ishte për një kohë të shkurtër, ka shfaqur një urrejtje të papërmbajtur, sa na quajnë “shiftar”, “turq”, “arnaut” dhe assesi me emrin e vërtetë “Albanci”. Kjo urrejtje disi mohon etninë dhe autoktoninë tonë në këtë vend.
Kjo propogandë sa më shumë kohë që po kalon, veprimet brenda kombeve po i bënë më koherente dhe, nuk po lënë hapësirë për fqinjësi e lëre për bashkëjetesë. Kjo trysni serbe, sot mbi shqiptarët, ka shkallë të padurueshme. Shqiptarët, apriori, akuzohen për dhunime, shkatërrim varrezash, ngacmime fqinjësh e po çfarë jo! Madje, edhe për gjëra banale, kur as mundësia teorike nuk qëndron që shqiptarët të ishin aty, dhe prapë ata akuzohen. Edhe afinitetin homoseksual të Martinoviqit, (i cili ishte vetëlënduar me shishe në rektum, edhe mjekoligjorët serbë e vërtetuan vetëlëndimin) politikanët serbë e servuan mbi shqiptarët. Po ashtu, ai personalisht nuk  akuzoi askënd. Por, serbët për devijant seksual botuan libër me qindra faqe, serbisht e anglisht, duke drejtuar gishtin drejt shqiptarëve. Në një rast krejt të thjeshtë, një udhëheqës kosovar, nga Lidhja e Rinisë së Kosovës, për rastin e dhunimeve tha: “Dy herë ka më shumë dhunime në Beograd brenda një dite se në Kosovë brenda një viti”. Statistika ishte e saktë. Dhunimet, edhe një i vetëm nuk arsyetohet, por krahasimi ia vlente. Kjo serbët i vuri ne siklet. Në politikë veprimet nuk i përgjigjen edhe momentit, por ato do reflektojnë tek pas një kohe, për veprime shtesë. Prandaj siç thuhet: për të kuptuar atë që mund të ndodhë është e nevojshme arsyeja. Është intuita që rrëfen konfrontimin e pashmangshëm mes serbëve dhe shqiptarëve. Shqiptarët e duan lirinë, e serbët pastrim etnik. Megjithatë, propaganda serbe po na dërgon te ky konfrontim i tmerrshëm. Evropa ua lejoi serbëve pastrimin etnik në Bosnje, e pse jo në Kosove!? Kjo vetëm mbetet të shihet.
 Por, për gjithë civilizimin evropian, Kosova është diçka e veçantë: shqiptarët në Kosovë, edhe pse ishin dhe janë në shumicë, janë viktimë e pakicës serbe. Serbët e Kosovës janë të privilegjuar në çdo rrafsh jete, më shumë se çdo racë tjetër në Evropë. Kjo kështu ka filluar që prej kohës së kolonizimit, që shteti serb e bëri në Kosovë e viset shqiptare në përgjithësi. Serbët shqiptarëve ua merrnin tokat, shtëpitë, bagëtitë dhe dhunshëm i dëbonin për Turqi. Serbët, pa pasur asnjë përgjegjësi para ligjit, i vrisnin shqiptarët dhe i trajtonin e i trajtojnë si racë inferiore në sferën e tyre të jetës dhe assesi si të barabartë, dhe Evropa ishte në mbështetje serb.
Por, saktë, serbët, përkundër të gjithave enorme që kanë në Kosovë, ndjehen të pasigurt më shumë se kudo tjetër. Krejt natyrshëm, se bënë bëjnë krime sistematike mbi shqiptarët, herë më shumë e herë më pak. Kjo ka pashë psikologjike, aq më parë kur po shohin se shqiptarët po zgjohen. Është e kuptueshme, krimet nuk përfliten çdo ditë, por nuk harrohen kurrë. Edhe pse shqiptarët këto nuk i sistemuan e nuk i sistemojnë në mënyrën e duhur, në arkiva të tyre, megjithatë  brenda familjeve i rrëfejnë, po si raca izraelite e shpërndarë nëpër botë, që e kujtojnë vuajtjen izraelite me mija vite dhe e përcjellin porosinë te brezat që: uratën e bukës, uratën e gjumit, uratën për Zotin, kudo që janë, ta bëjnë me gjuhë e shpirt izraelit. Edhe shqiptarët i shpjegojnë rrënjët e tyre me dhjetëra e dhjetëra breza qe jetuan në këtë vend, para të gjithëve dhe përcjellin kujtimin për vuajtjet dhe ëndrrën e bashkimit kombëtar, prej së Evropa na copëtojë.
Megjithatë shqiptarëve, disi, u mungoi shpirti unik, ai “Zoti i tyre”. Në kisha, në xhamia, predikimet për Zotin i kishin në serbisht, bullgarisht, greqisht, arabisht apo turqisht, dhe shumë shqiptarë u serbizuan, bullgarizuan, greqizuan po edhe u turqizuan. Përfytyrimin për botën bënë duke i derdhur energjitë në kulturën e të gjithë fqinjëve, dhe fqinjët i konsiderojnë disi si pjesë e tyre, se derdhën gjakun për ta bërë Greqinë, Bullgarinë, Serbinë. Por fqinjët ua kthyen me armiqësinë më të egër të mundshme. 
Qëllimin e shtetit serb, unë e mësova si fëmijë nga fjalët e axhallarëve të mi (1956). Jo pak herë e pat dëgjuar duke thënë: “Këta qyfarë  nuk po na rrahin për pushkë...! Kanë qëllim tjetër, duan që të na heqin nga kjo tokë, kërkojnë të na përcjellin për Turqi”. Dikush nga ata që maltretonin asokohe, bajagi për armët, i kishin dhënë një porosi axhës Dakë: “Merrni vesikat e ikni se këtu vështirë se jetohet”. Në atë kohë, axhës Smajl, kushëririt tonë të parë, ia kishin sjellë “vesikat” për t’i shpërngulur për Turqi. Dhe, shkaku i vesikave atë e kishin lënë paksa më qetë. Si shembull. Por, u vendos që vesikat të digjen se ne nuk jemi turq. “Këtu do të mbesim” - u tha. Dhe kështu ndodhi. Vesikave u iku koha, thoshte axha Avdullah, se ne tash kemi armën më të fortë, e kemi shkollën e fëmijëve tanë. Ai e pohonte: “Në këtë të keqe të këtij socializmi, shkollën që na e lejuan u bë mirë”, se në Jugosllavinë e kralit po u gjet libri shqip bëhej tmerri.
Por sot, gjerat janë ndryshe. Që nga koha e lindjes së shtetit shqiptar, shqiptarët jashtë Shqipërisë Londineze e ruanin dhe e ruajnë në shpirtin e tyre ëndrrën më të lakmuar, atë që Evropa ua mohoi dhe mohon: që të jetojmë bashkë si të gjitha kombet. E kërkojnë lirinë, dhe brezave u lanë porosi të mos e harrojnë vuajtjen dhe qëllimin.
Megjithatë, pata rastin që nga axha im, Azemi ta mësoj edhe këtë: “Mashkullin e gjakut tënd nuk ke të drejtë për asgjë ta vrasësh, ama për asgjë, por kur ai behet krah me shkaun (serbin) po, edhe vëlla po ta kesh”. Do të thotë se tradhtia e kombit është më e rëndë se çdo tradhti tjetër që njeriu mund ta bëjë. E besoj, nuk është pak ta ngulitësh në kokë këtë porosi si fëmijë tetëvjeçar.
Mjekësia jonë në shërbim të Luftës Çlirimtare
Dje ishim në Likoc me N. Zariqin, dërguam ca gjëra ushqimore edhe barna. E pashë komandant Mujë Krasniqi, që kishte një gjendje të rendë, dhe siç thuhet “dukej si i vdekur, por frymonte”. Ishte i plagosur nga dora shqiptare e shërbimit serb. Takova, në ambulancë, jashtë spital, edhe kirurgun e UÇK-ës, dr. Fadil Bekën. Më sqaroi gjendjen që e kishte Muja, pas operacionit ditë më parë. Fadili e tha hapur: Duhet sa më parë për ta bërë operacion, se gjendja po i përkeqësohet. Ishte kërkesa që të jetë një kirurg i rryer i abdomenit dhe propozoi: prof. dr. Besim Elezin, nga Tirana, ose prof. dr. Riza Binishin. Më porositi që të angazhohem. Më t’u kthyer në Prishtinë kontaktova me dr. Shpëtim Robajn. Ai tha: Diçka në operacion sa duket nuk shkoi në mënyrën e duhur. Dhe gjithsesi duhet pasur një ekip mjekësh me eksperiencë. Shpëtimit i  tregova propozimin e dr.Fadilit. Tha: “Po të bëhej ajo do të ishte mirë, por mundësisht disi ta bëjmë pa e lënduar ekipin e parë të operacionit”.
Si zakonisht, u konsultuam me Kryetarin e Kryqit te Kuq të Kosovës, prof. I.Dedushajn. Informacionin e gjendjes i dhashë drejtpërsëdrejti edhe dekanit të FM-së, Hashim Maloku. Në mbrëmje kontaktuam edhe me rektorin, Z. Kelmendin. Mbeti që nesër para orës tetë të takohemi ne kafenenë “Top Kapi” në “Bregun e Diellit” qe ishte aty pranë Fakultetit të Mjekësisë. Dhe ishin thirrur ca profesorë eminentë të mjekësisë, po edhe profesor R. Binishi. Edhe udhëheqja e Fakultetit. Aty ishte edhe Rektori, Z. Kelmendi. Në atë kafene mbretëronte një gjendjeje mosbesimi në vetveten tonë. Si t’ia dalim!? Por, ishte edhe një detyrim. Ishte një çasti i veçantë i secilit nga ne. Mbretëronte gjysmë heshtjeje, po si ndriçimi i kafenesë që ishte i paktë.  Zërat që llafosnin ishin gjysmëzërash. Është një kohë e fillimit të vështirë, e pa parashikuar! Udhëtimi për në Drenicë jepte një shkallë pasigurie të madhe. Duhet kaluar nëpër postblloqe të policisë, ku edhe maltretonin. Dhe po u kuptua nga pushteti serb, se dikush ka operuar ne Drenicë “terrorist”, siç thonë ata, atëherë cilat janë pasojat?!  Tmerri vet. Në anën tjetër, askush askujt nuk mund t’i japë një urdhër për të shkuar, përveç një sugjerim. Për një çast u ndalën llafet. Propozova: “Kushdo që shkon në Likoc, qëllimshëm adresova, po edhe profesor Riza, do të shkojë me gruan time, Dritën, dhe vajzën e vogël, Ilirianën. Edhe ato do të vijnë me ju për Drenicë, se kur të kalohet nëpër postblloqet e policisë serbe, do të duket si një udhëtim miqësor”. Ky u duk një mendim  i habitshëm! U vendos. Pa humbur kohë, Shaban Hoxha shkoi e mori Dritën edhe Ilirianën, u pajisën me gjithë ato që duhej të merrnin me vete, së bashku me anasteziologun dr. Shpëtimin e profesor Binishin u nisen për të shkuar për në Likoc. Ishte një rast i detyrimit moral. Ishte një rast që na thërriste, ishte një rast që më e lehtë dukej vuajtja personale sesa mos kryerja e porosisë. Të pranishmit u treguan tepër të përgjegjshëm. Ishte një rast që duhej kap; çasti i duhur i historisë. Por në mua kumbonte  porosia “është nder me të ra hise me luftua për atdhe”. Porosi dhe detyrim.
Më pas, derisa shkuam në zyrat e Kryqit të Kuq të Kosovës, profesor I. Dedushajt i rrëfeva këtë porosi e detyrim: “Është nder me të ra hise me luftua për atdhe”. Kur familja jonë pesëdhjetanëtarëshe ishte e shpërbërë, në konakun tonë shekullor, baba im ishte i vetmi nga brezi i axhallarëve që ende jetonte. Në një çast, derisa ne të dy e shikonim në TV, se si votohej për ndërrimet kushtetuese në Kuvendin e Kosovës, asokohe, nën trysninë e politikës së Serbisë, ku aty shihej edhe lavdia edhe tradhtia akademike, ende pa përfunduar mirë duarngritja, baba m’u drejtua me një ton urdhërues: “Bir, është nder me të ra hise  me luftue për atdhe, se shkojnë breza e breza e kjo nuk u takon. Lum atij brezi që i takon. Lufta është e vështirë, o biri im, por pasha të madhin Zot, sot pa e kap pushkën me luftue, po u ba kjo, me ty përkrah biro! Ju nuk e dini çka është shkau (serbi), ju nuk e dini  çka është liria! Mos u mashtroni bir për asgjë, se serbët janë ata që na e kanë thithë gjakun me pamuk”. U ngritë në këmbë dhe doli në oborr. Ndoshta edhe me lot në sy, por për këta lot nuk jam edhe aq i sigurt? Megjithatë mosha ia lejonte. Si ta kuptosh një votim të tillë, veç si abuzim i të ardhmes me kombin tonë.
Por, porosinë më të shpejtë e shkrova me ngjyrë të kaltër, jo në fletë të pastër e as fletë fletoreje, por mbi shkronjat e librit te Kadaresë “Prilli i thyer”, që e kisha më afër, se u frikësova mos po m’i ik gjë kësaj shprehjeje. Ndoshta e kërkonte hakmarrjen për shokët që iu kishin vrarë pranë këmbëve të tij në Tivar; ndoshta i kujtoheshin torturat kur  shtëpinë ua kishin e rrethuar xhandarmëria dhe ushtria, në një muzg nate në vjeshtë të 1924, e ai si shtatëvjeçar e kishte pa babën e vete si vdiste i rrethuar nga armiqtë e tij. Ndoshta i kujtohej rasti kur familjarisht, i gjithë katundi, i kishin kaluar në pyll net të tëra në dimër plot acar; apo e kujtoi kur farefisin tonë, siç thoshte, “mixhën Man e bacën Ramadan”, ua kishin mbyllur derën dhe i kishin djegur për së gjalli, ndoshta e ëndërronte lirinë në dimensionin e saj, ndoshta e kërkonte lavdin e historisë, apo hakmarrjen. Çfarëdo që të ketë menduar, kjo: “Është nder me të ra hise me luftue për atdhe”, është moto, që asnjëherë nuk bën të harrohet. Por, kjo luftë, siç kërkonte ai, nuk bëhet vetëm më armë, bëhet në çdo kohë. Me prof. I. Dedushajn derisa e përshkuam rrugën e “Dubrovniku”, llafosem shumë gjëra nga e kaluara, por mua mendja më thërret tek udhëtimi i ekipit për Likoc. Ndoshta edhe pa arsye. Por, dita ishte plotë diell.

Sot, kur koncipoj për publikim këtë shkrim të hershëm, pyes: kush ka të drejtë të shkelë mbi vuajtjen e këtij populli me kaq lehtësi, duke shpërdoruar shtet e pushtet?!

GJURMË NË KOHË


Brahim AVDYLI:

(ILIRËT QENË TË PARËT NË EVROPË)


DORË MBI ZEMËR


Kur vendos dorën mbi zemër
të gjithë popujt e kuptojnë,
i përkulen asaj që e rrah jetën
deri sa marrim frymë.

Krijuesi i madh e ka në dorë
ate që dashuron me ndenjë të hollë.

E madhe është bota për barkushet e vogla
që përbirohet nëpër aureolat e saj
si nëpër një çips të jetës
dhe pikëshënon universin,

mendja e di që jetojmë njerëzisht
atë copë të vogël të orës sonë
që rrah rregullisht me ritëm,

kur ngutet shumë e sëmuret del nga takti
jeta e humb kuptimin e vet
nga të rrahurat e saj.

Kur dua të rrespektoj shtëpitë e Zotit
apo të njerëzve të tjerë nga termi i veçantë
e vendos dorën mbi zemër
dhe kaloj pranë tyre-

janë njerëzit e mij që i dua më shumë,
kam gjuhë të përbashkët të marrëveshjes
aq sa kemi të shkruar në letrën e padushme...

Zemra do ta rrah jetën deri në fund
dhe kur bota të ndalet
e lëshojmë frymen e fundit,

kthehemi të shtrirë kah bota e tjetër
kah vdekja e trupit!...


Teatër i dhembjes së pafund


Është vend i shpalljes së dhembjes
marr frymë thellë në damarët e qenies sime
dhe e lëshoj rëndë në përkushtimin e vargut
me një pikë loti bebëzavë të heshtjes
që ngrihet i gjallë deri në pafundësi...

Gjakova është vendi i dashur i fëmijësisë
me të gjitha dhembjet e ndarjes së pakthim,
me lotë e shoh zhdërvjeljen e filmit të fëmijësisë
dhe nuk kam kohë të ndalem me therrjet
nëpër mushkëritë e djegura të mendimeve-

është botë e veçantë e përplasjeve të mëdha
mbrenda zemrës sime tërmetet prore rrënojnë
prap një vistër i përtërirjeve ngritet me diell,
mbrenda një çasti shprehen të gjitha stinët
e nuk ndalen bubullimat e mëdha të dheut tim
duke i ndjekur vetëtimat e përdalura të brejtjes.

Dita dhe nata nuk kanë fare kuptim të mirë
e keqja dhe e mira mbeten prore në dyluftim,
i mbledhë cuklat e fijeve të këputura papritur
e të gjëj fillet e dhembjes që piketon gjak-

gjak, gjakova dhe gjaku që nuk ndalet kurrë
për një ditë të bukur ulur këmbëkryq nën bli
me plisin e bardhë të një plaku të ndjenjave
që gjithëmonë e shoh të ulur në pikëtakimet tona
të asaj malësisë që i jep pore shpirt e madhëri,

gjak i kuq është gjaku i shenjtë i lirisë
që vetëm në Gjakovë është në çdo gemb të ri,
edhe fëmijët që vinë të shëndetshëm pas këngës
duke qarë thekshëm me lotë të përzier gjaku
e m`i ngrisin mua flokët peshë deri në vdekje
nëpër muranat e shumta të dëshmorëve...

A e dini ju sa herë jam rrëzuar nëpër metropole
duke qajtur me lot kalldrëmin e rinisë në Gjakovë,
ka mbetur e përhershme kinoja dhe teatri i gjallë
që lozin tragjikomeditë e dhembjes së pandalur-

prap do të rrëzohem në Paradeplaz në Zürich
apo në Rapperswil, në Stuttgard, München e gjetiu
trotuaret e pagjetura përmallshëm në ëndërrat e mia,

liria është ndjenjë që çel sythin e përmbajteve
me pranverën rritet e me dimrat e shumtë zhduket,
rreth e rreth zgjerohen në pafundësi këngët e saj
që si fëmijë të rritur dhimbshëm më rrënqethin

prore i kam kënduar, por çuditërisht më janë zhdukur
dikund në ndërdije ka mbetur ia zë i qartë kënge
se Gjakova është teatër i shpalljes së dramave

e i dhembjes së pa fund të përkryer të burrërisë!

SI S’TË NJOHA KOSTANCË


Qindra herë vi dhe shkoj prej teje Kostancë
të gjëjë fillet e tua nëpër shqiponjën e hershme

shpeshherë të shikoj e luaj me veten time
duke numruar çuditë që kalojnë pranë meje-

i mas vitet e mia që rodhën në heshtjen e pa gojë...

A mos ka ndonjë bukuri të rrallë e të veçantë
që zë vendin e parë pranë Bodensee,
kjo vashë gjysmë e zhveshur, me kokën lartë
sillet rrotull
        me demonët në duar të ngrehur lartë-

gjinjtë e fryrë sikur e shpërthejë karahorin!...

Unë nuk e njoh asnjë njeri në truallin tënd
sa herë m’u kanë lodhur këmbët nëpër ty
duke kërkuar varrezat ilire deri në Kreuzlingen-

prore ndalen te muri i „spätrömisches Kastel“[1]

më duket se jam teqind vjet pas Krishtit
e shoh veten kudo së bashku me romakët

atëherë, nuk e mbaj mend se ka qenë aty
                                        restoranti De Medici
e mbaj në mend vetëm kishën romake katolike
me kokat e shqiponjave që zënë gjarpinj në Münster-

jam një ilirian i hershëm në Kostancë që nuk flet

por dëgjoj të qajnë fëmijë në Münsterplatz
një sicilian të shkurtër e të përkulur që prap nuk flet
prandaj, nuk më njeh as ti e prore nuk ke fjalë,

vi të derdhë dhembjet e mia në liqenin tënd
e ato më bëhen aq shumë sa mezi i sjellë
e njoh kalldrëmin tënd, zallin, gurët e dheun-

kaluan pesëdhjetë vite pa këmbyer dy fjalë
me heshtjen tënde të dhimbshme memece!...


GJURMË NË KOHË


Askujt nuk i kam thënë, deri më sot, e dashura ime
shumë vite u bënë pa asnjë pulëbardhë të shtrenjtë,
unë nuk mund t`u gënjej kur nuk e ndien këtë shpirti
zemra ime nuk thotë fjalë që nuk dalin prej zgafellës,

dy korbat që i kam pasur një kohë më kanë gënjyer
me atë periudhë fjalësh të pështjellura rreth gjuhës,
kur nuk më kishte njëra fatzezë rob të ndjenjave të saj
provonte të më ngrehë tjetra me lëvozhgën e fjalëve...

Zemra ime është rrudhur e tharë nuk nxjerrë pipa të rij
të dashurisë që nuk del e nuk rritet nën kujdesin e viteve,
jeta ime ka mbetur tokë e braktisur deri në pafundësi
sa herë kaluan vitet pranë meje dhe bëjnë sikur s`më shohin.

Tani zotrat më kanë braktisur prej tryezës së përpëlitjeve
në një skaj të dhomës së mbushur me pluhur dhe libra,
qaj e përlotem pa pra për anëtarët e tjerë të bashkësisë-
si duket, të gjithë i kanë mashtruar ndër fjalë të kurdisura.

Tashmë, fare i dalloj njerëzit nga jeta, vetja dhe zotrat
jeta normale e njerëzve është qelbëzuar me gënjeshtra të liga,
janë joshur të gjithë nga shfryrjet pa ndjenja e lakuriqësia,
nga korrupsioni dhe e pavërteta, deri në thellësin e gjërave

dhe vetëm pyes, a është kjo bota e ime në të cilën pështillem
askush nuk më vëren se jam gjallë edhe pse njëlloj marr frymë,
a u dashka të jem shumë më pak njeri dhe kjo qenka e vërteta
e të zbres poshtë në tokë sikur tjerët dhe të luaj pa ndenja-

jeta ime është luftë me të keqen, jetë i vetëm e pa dashuri!...


SPROVË ME VETVETEN


çdo ditë vdes nga pak njeriu
dhe nuk mendon se po vdes
deri sa i afrohet fundi

çdo gjë vdes radhazi

vdes edhe ideali pak nga pak
dëshirat vdesin në shpirt
edhe pse i mbesin gjurmët

mendimi kthehet në etje
që të merr me ethe
dhe tretet dikur bashkë me ty
humnerave të botës...

Jeta është komplekse dhe nuk ka shpjegim
edhe pse njeriu përpiqet me fjalë
prej lules së shpirtit t`a nxjerrë fjalën,

jetë pa ngjyrë
jetë me ngjyrë- gjak kuq të zi
jetë e zezë i thënçin
njëmijë herë vdiça dhe mbetem gjallë

çasti çastit nuk i përngjet!...

Tërë jetën e kam vdekur nga pak
dhe trupi mund të pushojë një ditë
përgjithmonë,

mbetet testament vepra e gjallë
dhe a e di dikush të lexojë
atë tekst të pa fjalë midis rreshtave
lartë mbi jetën?!...

Ndonjëherë nuk kemi vështrim
dhe nuk shohim
çka është shkruar në biografinë e ditëve,

njeriu qenka fluskë saponi
të lojërave që fëmijët i lëshojnë
dhe zhduken në hapësirë




prandaj, nuk e di
si duket jeta në botën tjetër-

kjo jetë është sprovë
me vetveten...

është sprovë me të vërtetën!...


ZOG I NEMUR PREJ QIELLIT


Kudo nëpër Evropë
vajton përherë me pikëllim
e askush nuk të kupton

zog i nemur prej qiellit.

Dhembjen tënde e deshifroj
për të vetmin vëlla të vogël,
e të lanë mëtutje mbi tokë
të vajtosh dhembjen tënde
pranë nesh

gjithmonë shara të rri mbi qafë
ku peri rrinte i vjerrur
derisa thurje qorapë të leshta...

Kur të dëgjoj më vjen të qaj
më përloten sytë me lotë të tharrë
midis bebëzave-

jam shqiptar dhe ti e ke gjuhën time
mija njerëz na kaplojnë anash
dhe nuk na kuptojnë
se të dytë jemi të dënuar,

në livadhe, le të pëlcasë një gomar
sepse asnjë fjalë nuk e njeh
as nga gjenealogjia
as nga mitologjia-

qielli ynë është i pa skaj...

A e dinë, o Gugu-Isuf,
se ilirët qenë të parët në Evropë

prandaj ti-
zog i nemur prej qiellit
përherë vajton në ilirisht!...


FRYMA E FUNDIT


Toka e shqipes e shkelur dhimbshëm
rreth e rrotul nga të gjithë fqinjët
sa brinjët duan të pëlcasin
deri ku nuk ka më fund,

shkelur me shkelmat e tankseve
të dhunës së përdalur...

A e mbledhë frymën e fundit të shpirtit
nëpër oqeanet e paskajshme të lotëve
me jetën e ndrydhur thekshëm
nëpër dhembjet e vdekjeve

nga fundi i asgjësë për ta nxjerrur
pikën e fundit të durimit
derisa vetëtinë e bubullinë jashtë saj
murmuron minutat e mbetjes gjallë

dhe mbledhë veten si mbiqenie
zemrën e shtrydhë për të fundit herë
të leshojë ulurimat e gjalla të shpirtit-

këngën e zjarrtë të lirisë!...


PËRFYTYRIMI  I  DETIT


Shpesh më fanitet deti
si sofër e madhe
shtruar nën hënë-

përreth të heshtur
përtypen shkëmbinjtë
kafshoren duke e njomur
në atë verdhësi të largët...

Asgjë nuk më duket
më e pikëlluar
se shkëmbijtë e kërrusur
në  vetvete,

e gropëzave të tyre
po të isha gomë
e fatkeqësive të botës
hijën e mosbesimit
do ta zhbija

dhe trishtimet e shtruara
në atë sofër!...
  
VARGJE PËR NËNËN


Të kemi borgj
më tepër se ajrin
se prehjen e përjetshme-

na ke ushqyer
me dromca shpirti

na ke rritur
me drojën e përditshme

e veshur
me zhgunin e rrudhave të ballit!...

Sa keq
që s’mund të të gëzoj më shumë
pos me ndonjë këngë
nipa e mbesa,

dhëntë fati
e të buzëqeshësh Dielli
ndonjëherë!


fragment rrugësh


Kush e dëgjon këngën time
dhe vërtetë zemra si dridhet
ai do të jetë falumtur,

se unë
këtë grusht leckash
dhe këtë çifteli
do ta bart pa pushim
rrugë më rrugë
banesë në banesë

derisa telat së klithuri të këputen
e të fundosen
në fund lukthi
si e vetmja gjellë
e papërsëritshme...!

Kush e dëgjon këtë këngë
veshët, zemrën,
sytë le ti mbyllë-

derisa të çmendem,
derisa të vdes duke kënduar!





[1] Kështjella e vonë romake

Për botim dhe bashkëpunim..


Të nderuarit bashkatdhetarë,
mbajtës të mrëfilltë të faqeve tuaja të nderuara,
Redaktorë dhe Drejtues të këtyre organeve publike.

E kam për nderë që u drejtohem me këtë panoramë poezishë. Për disa prej jush, kjo është hera e parë. Për të tjerët, është një paraqitje e rrallë me shkrime letrare, pas shkrimeve të mija historike dhe të natyrës kombëtare.

Kohëve të fundit, u jam kthyer studimit të veprave të reja dhe rishqyrtimit të atyre veprave të lexuara më parë. Në saje të tyre kam fituar një pikëvështrim të ri të këtyre shkrimeve. Më duhet të them se ky është shkaku që jam vonuar t`ua dërgoj ndonjë shkrim...

Por, do të vie koha e do t`ua dërgoj ndonjë punim tjetër. Në dispozicionin tuajin e keni faqen time për çdo gjë që do të dëshironi, e cila, me siguri do të përmirësohet...

E kam për nderë nëse ju keni vend për botim ose mund ta gjëni ndonjë vend, nëse i plotësojnë kushtet e bashkëpunimit. Bashkëpunimi im me ju është i patjetërsuar.

Me përshëdetje të përzemërta,
Brahim AVDYLI.
http://brahimavdyli.ch

Presidenti amerikan Donald Trump do të shtyjë përpara marrëveshjet Kosovë-Serbi që përfshijnë interesat amerikane

                          Nga Flori Bruqi,PHD  Vuçiç është duke u përballur me protesta masive në Serbi. Sigurisht, ai ka interes që të shpë...