POROSIA
(Nga ditari i një epoke, 29 prill 1998)
Shkruan:
Ymer Halimi
Dje
ishim në Likoc me N. Zariqin, dërguam ca gjëra ushqimore edhe barna. E pashë
edhe komandant Mujë Krasniqi, që kishte një gjendje, siç thuhet, “dukej si i
vdekur” por frymonte. Takova, në ambulancë, më larg spitalit, edhe kirurgun e
UÇK-së, dr. Fadil Bekën...
Krimet nuk përfliten çdo ditë,
por nuk harrohen kurrë!
Lëkundjet
politike në Kosovë, në mes të shqiptarëve dhe serbëve, kanë arritur shkallë
maksimale, që prej pushtimit të Kosovës në vitin 1912 e deri sot. Akuzat dhe
mohimet përherë janë si koncepte të kundërta, por akuzat serbe për shqiptarët
janë sajim i qëllimshëm. Serbët janë të zhgënjyer që nuk arritën t’i realizojnë
qëllimet politike mbi shqiptarët, pastrimin e territorit sipas porosive të
paraardhësve të tyre, të Garashaninit, Çubriloviqit, Ivo Andriqit, apo më saktë
platformës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe idesë së Kishës
Ortodokse Serbe.
Kjo
megjithatë u shkoi përdore shumë, pas viteve 1878, kur Evropa bënte sehir
përballë një krimi shtetëror serb mbi një popullatë duarthatë shqiptare, të
pazonjë, të papërgatitur për të mbrojtur veten dhe territoret e saj etnike! Sot
shteti serb, përkundër një periudhe të një klime paksa relaksuese të marrëdhënieve
mes këtyre dy popujve, që ishte për një kohë të shkurtër, ka shfaqur një
urrejtje të papërmbajtur, sa na quajnë “shiftar”, “turq”, “arnaut” dhe assesi
me emrin e vërtetë “Albanci”. Kjo urrejtje disi mohon etninë dhe autoktoninë
tonë në këtë vend.
Kjo
propogandë sa më shumë kohë që po kalon, veprimet brenda kombeve po i bënë më
koherente dhe, nuk po lënë hapësirë për fqinjësi e lëre për bashkëjetesë. Kjo
trysni serbe, sot mbi shqiptarët, ka shkallë të padurueshme. Shqiptarët,
apriori, akuzohen për dhunime, shkatërrim varrezash, ngacmime fqinjësh e po
çfarë jo! Madje, edhe për gjëra banale, kur as mundësia teorike nuk qëndron që
shqiptarët të ishin aty, dhe prapë ata akuzohen. Edhe afinitetin homoseksual të
Martinoviqit, (i cili ishte vetëlënduar me shishe në rektum, edhe mjekoligjorët
serbë e vërtetuan vetëlëndimin) politikanët serbë e servuan mbi shqiptarët. Po
ashtu, ai personalisht nuk akuzoi
askënd. Por, serbët për devijant seksual botuan libër me qindra faqe, serbisht
e anglisht, duke drejtuar gishtin drejt shqiptarëve. Në një rast krejt të
thjeshtë, një udhëheqës kosovar, nga Lidhja e Rinisë së Kosovës, për rastin e
dhunimeve tha: “Dy herë ka më shumë dhunime në Beograd brenda një dite se në
Kosovë brenda një viti”. Statistika ishte e saktë. Dhunimet, edhe një i vetëm
nuk arsyetohet, por krahasimi ia vlente. Kjo serbët i vuri ne siklet. Në
politikë veprimet nuk i përgjigjen edhe momentit, por ato do reflektojnë tek
pas një kohe, për veprime shtesë. Prandaj siç thuhet: për të kuptuar atë që
mund të ndodhë është e nevojshme arsyeja. Është intuita që rrëfen konfrontimin
e pashmangshëm mes serbëve dhe shqiptarëve. Shqiptarët e duan lirinë, e serbët
pastrim etnik. Megjithatë, propaganda serbe po na dërgon te ky konfrontim i
tmerrshëm. Evropa ua lejoi serbëve pastrimin etnik në Bosnje, e pse jo në
Kosove!? Kjo vetëm mbetet të shihet.
Por, për gjithë civilizimin evropian, Kosova
është diçka e veçantë: shqiptarët në Kosovë, edhe pse ishin dhe janë në
shumicë, janë viktimë e pakicës serbe. Serbët e Kosovës janë të privilegjuar në
çdo rrafsh jete, më shumë se çdo racë tjetër në Evropë. Kjo kështu ka filluar
që prej kohës së kolonizimit, që shteti serb e bëri në Kosovë e viset shqiptare
në përgjithësi. Serbët shqiptarëve ua merrnin tokat, shtëpitë, bagëtitë dhe
dhunshëm i dëbonin për Turqi. Serbët, pa pasur asnjë përgjegjësi para ligjit, i
vrisnin shqiptarët dhe i trajtonin e i trajtojnë si racë inferiore në sferën e
tyre të jetës dhe assesi si të barabartë, dhe Evropa ishte në mbështetje serb.
Por,
saktë, serbët, përkundër të gjithave enorme që kanë në Kosovë, ndjehen të
pasigurt më shumë se kudo tjetër. Krejt natyrshëm, se bënë bëjnë krime
sistematike mbi shqiptarët, herë më shumë e herë më pak. Kjo ka pashë
psikologjike, aq më parë kur po shohin se shqiptarët po zgjohen. Është e
kuptueshme, krimet nuk përfliten çdo ditë, por nuk harrohen kurrë. Edhe pse
shqiptarët këto nuk i sistemuan e nuk i sistemojnë në mënyrën e duhur, në
arkiva të tyre, megjithatë brenda
familjeve i rrëfejnë, po si raca izraelite e shpërndarë nëpër botë, që e
kujtojnë vuajtjen izraelite me mija vite dhe e përcjellin porosinë te brezat
që: uratën e bukës, uratën e gjumit, uratën për Zotin, kudo që janë, ta bëjnë
me gjuhë e shpirt izraelit. Edhe shqiptarët i shpjegojnë rrënjët e tyre me
dhjetëra e dhjetëra breza qe jetuan në këtë vend, para të gjithëve dhe
përcjellin kujtimin për vuajtjet dhe ëndrrën e bashkimit kombëtar, prej së
Evropa na copëtojë.
Megjithatë
shqiptarëve, disi, u mungoi shpirti unik, ai “Zoti i tyre”. Në kisha, në
xhamia, predikimet për Zotin i kishin në serbisht, bullgarisht, greqisht,
arabisht apo turqisht, dhe shumë shqiptarë u serbizuan, bullgarizuan, greqizuan
po edhe u turqizuan. Përfytyrimin për botën bënë duke i derdhur energjitë në
kulturën e të gjithë fqinjëve, dhe fqinjët i konsiderojnë disi si pjesë e tyre,
se derdhën gjakun për ta bërë Greqinë, Bullgarinë, Serbinë. Por fqinjët ua
kthyen me armiqësinë më të egër të mundshme.
Qëllimin
e shtetit serb, unë e mësova si fëmijë nga fjalët e axhallarëve të mi (1956).
Jo pak herë e pat dëgjuar duke thënë: “Këta qyfarë nuk po na rrahin për pushkë...! Kanë qëllim
tjetër, duan që të na heqin nga kjo tokë, kërkojnë të na përcjellin për Turqi”.
Dikush nga ata që maltretonin asokohe, bajagi për armët, i kishin dhënë një
porosi axhës Dakë: “Merrni vesikat e ikni se këtu vështirë se jetohet”. Në atë
kohë, axhës Smajl, kushëririt tonë të parë, ia kishin sjellë “vesikat” për t’i
shpërngulur për Turqi. Dhe, shkaku i vesikave atë e kishin lënë paksa më qetë.
Si shembull. Por, u vendos që vesikat të digjen se ne nuk jemi turq. “Këtu do
të mbesim” - u tha. Dhe kështu ndodhi. Vesikave u iku koha, thoshte axha
Avdullah, se ne tash kemi armën më të fortë, e kemi shkollën e fëmijëve tanë.
Ai e pohonte: “Në këtë të keqe të këtij socializmi, shkollën që na e lejuan u
bë mirë”, se në Jugosllavinë e kralit po u gjet libri shqip bëhej tmerri.
Por
sot, gjerat janë ndryshe. Që nga koha e lindjes së shtetit shqiptar, shqiptarët
jashtë Shqipërisë Londineze e ruanin dhe e ruajnë në shpirtin e tyre ëndrrën më
të lakmuar, atë që Evropa ua mohoi dhe mohon: që të jetojmë bashkë si të gjitha
kombet. E kërkojnë lirinë, dhe brezave u lanë porosi të mos e harrojnë vuajtjen
dhe qëllimin.
Megjithatë,
pata rastin që nga axha im, Azemi ta mësoj edhe këtë: “Mashkullin e gjakut tënd
nuk ke të drejtë për asgjë ta vrasësh, ama për asgjë, por kur ai behet krah me
shkaun (serbin) po, edhe vëlla po ta kesh”. Do të thotë se tradhtia e kombit
është më e rëndë se çdo tradhti tjetër që njeriu mund ta bëjë. E besoj, nuk
është pak ta ngulitësh në kokë këtë porosi si fëmijë tetëvjeçar.
Mjekësia jonë në
shërbim të Luftës Çlirimtare
Dje
ishim në Likoc me N. Zariqin, dërguam ca gjëra ushqimore edhe barna. E pashë
komandant Mujë Krasniqi, që kishte një gjendje të rendë, dhe siç thuhet “dukej
si i vdekur, por frymonte”. Ishte i plagosur nga dora shqiptare e shërbimit
serb. Takova, në ambulancë, jashtë spital, edhe kirurgun e UÇK-ës, dr. Fadil
Bekën. Më sqaroi gjendjen që e kishte Muja, pas operacionit ditë më parë.
Fadili e tha hapur: Duhet sa më parë për ta bërë operacion, se gjendja po i
përkeqësohet. Ishte kërkesa që të jetë një kirurg i rryer i abdomenit dhe
propozoi: prof. dr. Besim Elezin, nga Tirana, ose prof. dr. Riza Binishin. Më
porositi që të angazhohem. Më t’u kthyer në Prishtinë kontaktova me dr. Shpëtim
Robajn. Ai tha: Diçka në operacion sa duket nuk shkoi në mënyrën e duhur. Dhe
gjithsesi duhet pasur një ekip mjekësh me eksperiencë. Shpëtimit i tregova propozimin e dr.Fadilit. Tha: “Po të
bëhej ajo do të ishte mirë, por mundësisht disi ta bëjmë pa e lënduar ekipin e
parë të operacionit”.
Si
zakonisht, u konsultuam me Kryetarin e Kryqit te Kuq të Kosovës, prof. I.Dedushajn. Informacionin e gjendjes i dhashë
drejtpërsëdrejti edhe dekanit të FM-së, Hashim Maloku. Në mbrëmje kontaktuam
edhe me rektorin, Z. Kelmendin. Mbeti që nesër para orës tetë të takohemi ne
kafenenë “Top Kapi” në “Bregun e Diellit” qe ishte aty pranë Fakultetit të
Mjekësisë. Dhe ishin thirrur ca profesorë eminentë të mjekësisë, po edhe
profesor R. Binishi. Edhe udhëheqja e Fakultetit. Aty ishte edhe Rektori, Z.
Kelmendi. Në atë kafene mbretëronte një gjendjeje mosbesimi në vetveten tonë.
Si t’ia dalim!? Por, ishte edhe një detyrim. Ishte një çasti i veçantë i
secilit nga ne. Mbretëronte gjysmë heshtjeje, po si ndriçimi i kafenesë që
ishte i paktë. Zërat që llafosnin ishin
gjysmëzërash. Është një kohë e fillimit të vështirë, e pa parashikuar! Udhëtimi
për në Drenicë jepte një shkallë pasigurie të madhe. Duhet kaluar nëpër
postblloqe të policisë, ku edhe maltretonin. Dhe po u kuptua nga pushteti serb,
se dikush ka operuar ne Drenicë “terrorist”, siç thonë ata, atëherë cilat janë
pasojat?! Tmerri vet. Në anën tjetër,
askush askujt nuk mund t’i japë një urdhër për të shkuar, përveç një sugjerim.
Për një çast u ndalën llafet. Propozova: “Kushdo që shkon në Likoc, qëllimshëm
adresova, po edhe profesor Riza, do të shkojë me gruan time, Dritën, dhe vajzën
e vogël, Ilirianën. Edhe ato do të vijnë me ju për Drenicë, se kur të kalohet
nëpër postblloqet e policisë serbe, do të duket si një udhëtim miqësor”. Ky u
duk një mendim i habitshëm! U vendos. Pa
humbur kohë, Shaban Hoxha shkoi e mori Dritën edhe Ilirianën, u pajisën me
gjithë ato që duhej të merrnin me vete, së bashku me anasteziologun dr.
Shpëtimin e profesor Binishin u nisen për të shkuar për në Likoc. Ishte një
rast i detyrimit moral. Ishte një rast që na thërriste, ishte një rast që më e
lehtë dukej vuajtja personale sesa mos kryerja e porosisë. Të pranishmit u
treguan tepër të përgjegjshëm. Ishte një rast që duhej kap; çasti i duhur i
historisë. Por në mua kumbonte porosia
“është nder me të ra hise me luftua për atdhe”. Porosi dhe detyrim.
Më
pas, derisa shkuam në zyrat e Kryqit të Kuq të Kosovës, profesor I. Dedushajt i
rrëfeva këtë porosi e detyrim: “Është nder me të ra hise me luftua për atdhe”.
Kur familja jonë pesëdhjetanëtarëshe ishte e shpërbërë, në konakun tonë shekullor,
baba im ishte i vetmi nga brezi i axhallarëve që ende jetonte. Në një çast,
derisa ne të dy e shikonim në TV, se si votohej për ndërrimet kushtetuese në
Kuvendin e Kosovës, asokohe, nën trysninë e politikës së Serbisë, ku aty shihej
edhe lavdia edhe tradhtia akademike, ende pa përfunduar mirë duarngritja, baba
m’u drejtua me një ton urdhërues: “Bir, është nder me të ra hise me luftue për atdhe, se shkojnë breza e breza
e kjo nuk u takon. Lum atij brezi që i takon. Lufta është e vështirë, o biri im,
por pasha të madhin Zot, sot pa e kap pushkën me luftue, po u ba kjo, me ty
përkrah biro! Ju nuk e dini çka është shkau (serbi), ju nuk e dini çka është liria! Mos u mashtroni bir për
asgjë, se serbët janë ata që na e kanë thithë gjakun me pamuk”. U ngritë në
këmbë dhe doli në oborr. Ndoshta edhe me lot në sy, por për këta lot nuk jam
edhe aq i sigurt? Megjithatë mosha ia lejonte. Si ta kuptosh një votim të
tillë, veç si abuzim i të ardhmes me kombin tonë.
Por, porosinë më të shpejtë e shkrova me
ngjyrë të kaltër, jo në fletë të pastër e as fletë fletoreje, por mbi shkronjat
e librit te Kadaresë “Prilli i thyer”, që e kisha më afër, se u frikësova mos
po m’i ik gjë kësaj shprehjeje. Ndoshta e kërkonte hakmarrjen për shokët që iu
kishin vrarë pranë këmbëve të tij në Tivar; ndoshta i kujtoheshin torturat
kur shtëpinë ua kishin e rrethuar
xhandarmëria dhe ushtria, në një muzg nate në vjeshtë të 1924, e ai si
shtatëvjeçar e kishte pa babën e vete si vdiste i rrethuar nga armiqtë e tij.
Ndoshta i kujtohej rasti kur familjarisht, i gjithë katundi, i kishin kaluar në
pyll net të tëra në dimër plot acar; apo e kujtoi kur farefisin tonë, siç
thoshte, “mixhën Man e bacën Ramadan”, ua kishin mbyllur derën dhe i kishin
djegur për së gjalli, ndoshta e ëndërronte lirinë në dimensionin e saj, ndoshta
e kërkonte lavdin e historisë, apo hakmarrjen. Çfarëdo që të ketë menduar, kjo:
“Është nder me të ra hise me luftue për atdhe”, është moto, që asnjëherë nuk
bën të harrohet. Por, kjo luftë, siç kërkonte ai, nuk bëhet vetëm më armë,
bëhet në çdo kohë. Me prof. I. Dedushajn derisa e përshkuam rrugën e
“Dubrovniku”, llafosem shumë gjëra nga e kaluara, por mua mendja më thërret tek
udhëtimi i ekipit për Likoc. Ndoshta edhe pa arsye. Por, dita ishte plotë
diell.
Sot, kur koncipoj për publikim këtë
shkrim të hershëm, pyes: kush ka të drejtë të shkelë mbi vuajtjen e këtij
populli me kaq lehtësi, duke shpërdoruar shtet e pushtet?!