2013-05-21

Vijnë në shqip kujtimet e Mbretëreshës Geraldinë






“Jeta e Mbretëreshës nuk është vetëm historia e ëmbël e një dashurie të qëndrueshme, por edhe një sagë guximi dhe karakteri të fortë përballë pengesash të pakalueshme në një vend të vogël, i cili përdorej si gur shahu në lojën fushën ndërkombëtare të luftës”. Kështu shkruan shkruan Gwen Robyns, autorja e librit me kujtime “Geraldina e Shqiptarëve”. Shtëpia botuese UET-Press promovon sot librin me kujtime të Mbretëreshës Geraldinë, i cili vjen edhe në gjuhën shqipe. Në 231 faqet e librit vijnë ngjarjet më të rëndësishme që kanë shënjuar jetën e Mbretëreshës që nga dita e njohjes me Mbretin Zog, martesa, jeta në ekzil, vdekja e Mbretit etj. Libri biografik, veç kujtimeve të rrëfyera nga vetë Mbretëresha, plotësohet nga dëshmi dhe kujtime nga miq e të afërm si princi Leka, bashkëshortja e tij Suzanë, kontesha Virginia Appony, motra e Mbretëreshës, Skënder Zogu, nipi i mbretit etj. Këtyre rrëfimeve u shtohet edhe një letërkëmbim i pasur (rreth 200 letra) që Mbretëresha Geraldinë i dërgonte nga Tirana dhe Egjipti, mëndeshës së saj, baroneshës Ruling. Duke qenë se Mbreti Zog gjatë gjithë jetës së tij ka refuzuar qëllimisht të mbante ditar zyrtar apo personal, duke ia ndaluar këtë gjë edhe Mbretëreshës, sipas një njoftimi të UET-Press, të gjitha thëniet që i referohen atij janë marrë nga shënimet që u diktonte Mbretëreshës, ministrit të Oborrit, kolonelit Sotir Martini, si edhe adjutantit, kolonel Selmanit. Libri është shkruar përpara se Mbretëresha Geraldinë të rikthehej në Shqipëri pas 63 vitesh ekzil dhe pak muaj para se ajo të mbyllte sytë.

Amerikanët dhe “kujtimet” e Ismail Qemalit





MOIKOM ZEQO


William Morton Fullerton ka qenë një qytetar amerikan i lindur në Norwich (Connecticut) më 18 shtator 1866. Studioi në Akademinë Philips të Andoverit në Universitetin e Harvardit ku u laureua në vitin 1886. Redaktor i “Advertiser”-it të Bostonit , e pastaj në Paris u bë bashkëpunëtor i korrespondentit të famshëm De Blowitz të “Times-”sit, që e zëvendësoi pas vdekjes. Më 1911-n u bë publicist i lirë, shkroi shumë libra të ndryshëm, në mes të të cilëve “Problems of Power” (Probleme të pushtetit). Gjatë Luftës së Parë Botërore zhvilloi një aktivitet të gjerë e të rëndësishëm kontaktesh midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve. Vdiq në vitin 1952 në Paris, ku kishte qëndruar gjithë kohës.

Po ç’lidhje ka ky amerikan me Ismail Qemalin? Përse e përmend rastin e tij të pashkëputur nga emri i Ismail Qemalit? Është për t’u vënë në dukje se ishin pikërisht gazetarët amerikanë dhe ata të Europës Perëndimore që treguan një kujdes maksimal për figurën e Ismail Qemalit.

Dhe ishin amerikanët që punonin në gazetat e mëdha të kontinentit Europian, të cilët bënë edhe intervista me Ismail Qemalin, madje edhe shkruan përshtypjet e tyre koncize dhe të thukëta për të. Dhe ishte pikërisht një amerikan, gjatë viteve 1917-1918, Somer Sommer Wille Story, i redaksisë së gazetës “Times” të Parisit që regjistroi kujtimet e cituara nga Ismail Qemali. Këto kujtime u fiksuan në gjuhën angleze.

U botuan po në Paris, në vitin 1920.

Botimi u shoqërua me një parafjalë shkruar nga gazetari dhe studiuesi William Morton Fullerton. Në këtë parafjalë jepen detaje tejet interesante për mënyrën se si u formuluan rrëfimet e Ismail Qemalit. Fullerton shënon: “Formulimi i këtij libri ka kërkuar një proces të vështirë. Gjatë tregimeve të tij, Ismail Qemali ishte shpesh i përpirë nga probleme personale, shpesh torturuese dhe me shqetësime për atdheun e tij nga intrigat që rëndonin mbi Shqipërinë. Ai nuk i kushtonte, dhe sigurisht nuk mund t’i kushtonte gjithë kohën kësaj pune.

Çastet e tij të entuziazmit dhe të frymëzimit këmbeheshin me largimet e tij të papritura. Pastaj, sa herë rifillonte, nguronte për të vënë rregull në kujtimet e tij. E gjithë kjo krijonte një kompleks kushtesh, jo të favorshme, për vazhdimin e mirë të veprës, që Story kishte marrë përsipër ta përfundonte, prandaj pa ndihmën e tij “këto kujtime” nuk do të kishin dalë në dritë.

Story e intervistoi Ismail Qemalin gjatë shumë muajve, duke e takuar atë ku të mundte. Shpesh periudha të qeta dhe të rregullta të një pune frytdhënëse, ndiqeshin nga ndërprerje të gjata. Atëherë redaktori rifillonte punën me durim të admirueshëm duke marrë shënime, duke i lidhur me vetëdije dhe duke ia parashtruar për rishikim Ismail Qemalit shënimet mbi kujtimet e tij, shpesh pak të çrregullta, me mungesë vazhdueshmërie kronologjike, “por gjithnjë shumë të pasura. Lidhur me rrethanat rezultati ishte i rëndësishëm dhe më duket se e justifikon gjerësisht këmbënguljen për ta nxitur Ismail Qemalin që të zbulojë të gjithë përvojën e tij të gjatë dhe të thellë”.

Fullerton e ka njohur personalisht Ismail Qemalin. Ka ndenjur gjatë me të, ka biseduar, kanë shkëmbyer mendime politike të ndryshme për të ardhmen e Shqipërisë, por edhe të vetë Europës. Duket qartë admirimi i sinqertë që ndien dhe shpreh Fullertoni për Ismail Qemalin. Marrëdhëniet e dy miqve amerikanë, të cilët u bënë arsyetuesit kryesorë, regjistruesit dhe sendërtuesit e librit memorialistik të Ismail Qemalit ende nuk janë ndriçuar siç duhet. Ne dimë vetëm diçka, por jam i sigurt se kërkimet arkivore do ta shtjellojnë më hollësishëm dhe në mënyrë më të shumëfishtë këtë motiv.

Pas një shekulli ne mund të kuptojmë se lidhjet e dy amerikanëve me shqiptarin e madh e tejkaluan cakun e rastësisë sepse pa këto lidhje ne nuk do të kishim një libër konkret, pikërisht librin e paravdekjes të Ismail Qemalit. Nuk kemi të bëjmë, ndërkaq, vetëm me një histori të librit, por kemi të bëjmë me një konceptim të drejtë dhe vizionar të dy personaliteteve amerikane që ngulmuan për të regjistruar në mënyrë të pashlyeshme vetë thëniet dhe rrëfimet e Ismail Qemalit, të cilat mund të kishin humbur në harresë dhe në terr.

Ideja amerikane e lirisë dhe e mëvetësisë së popujve ishte e gjallë dhe u paraprinte ngjarjeve. Prandaj, Fullerton dëshmon admirimin që Ismail Qemali kishte për Amerikën. Fullerton shkruan: “Mbaj mend kënaqësinë e Ismail Qemalit kur në shkurt të vitit 1918 më tregoi një pergamenë të hollë, të dërguar nga një asamble e Partisë Kombëtare të Shqipërisë, që ishte bërë dy muaj më parë Worcester të Massachusset-it. Me këtë i jepeshin kredencialet për të përfaqësuar koloninë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me mandatin për ‘të siguruar dhe garantuar pavarësinë politike dhe ekonomike të Shqipërisë’ dhe për të realizuar ndryshimet e nevojshme të kufijve shqiptarë që të futeshin brenda kufijve ato toka dhe krahina të banuara krejtësisht nga shqiptarë që Konferenca e Ambasadorëve të Londrës i kishte shkëputur më 1912-n dhe 1913-m në mospërfillje dhe padrejtësisht, duke ia dorëzuar Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi”.

Dhe më tej shton: “Burri i vjetër i shtetit, Ismail Qemali, u nis nga Parisi duke lënë në duart e zotit Story ‘Kujtimet’ e tij të papërfunduara. Ato janë një bulëz e jetës së tij, sikurse edhe vendi për të cilin nuk kurseu asgjë dhe sakrifikoi shumë. Ismail Qemali vdiq në Itali (në Peruxha, në hotel ‘Brufani’, më 26 janar 1919) me planet dhe dëshirat e tij të paplotësuara për të ardhmen”.

Në këtë pikë interesante kuptojmë se jeta politike e Ismail Qemalit nuk mbaron aspak me aktin final të shpalljes së pavarësisë, sepse edhe për shtatë vjet më pas, derisa mbylli sytë, idetë e tij politike ishin frymëzuese dhe përmbanin një modernitet të madh bashkëkohor.

Koncepti i tij për të mos u mposhtur, por për të këmbëngulur deri në fund që të sqaroheshin dhe të eliminoheshin padrejtësitë e mëdha historike që lidheshin me copëtimin e trojeve dhe të kombit shqiptar përbën një lëndë inkandeshente për të gjithë historinë që pasoi më pas për historinë e shqiptarëve gjatë gjithë shekullit XX dhe deri më sot.

NË ISHULLIN E PAEMËR






Irena Gjoni 

Jam në ishullin tim të paemër,
me maja e magmë dallgësh,
ku fatitë e fatet vallëzojnë
në ritin e pagëzimit,
të larjes katartike
me valë e shkumë.

Ku brenga nanuris të flejë
në një varkë diku
atje tej të harruar,
ku Joni e rrethrrotullon
pareshtur si një fluger,
në ngrënie të vetvetes
të ishullit të paemër.

E shpirti sërish në rit,
kërkon një breg.
Për far
është fikndezja e një xixëllonje.
Çasti midis
dy përndritjeve të shkëndijta,
fanitet si jehonë Feniksi,
si pushim Sizifi…

Kalëroj me krahë Pegasi
nëpër majën e shpirtit tënd,
kur ti lundron
nëpër një luginë me mjegull e re,
për t’u takuar aty ku barka ankorohet,
edhe pse furtunë,

përjetësisht në bregun prehër të blertë,
ku shtojzovallet heqin valle drite,
me hirin e dashurinë
e nuseve të ujërave shkumë...

FLET PROFESOR AGIM VINCA:TE REAGUARIT, DETYRE E ÇDO KRIJUESI DHE INTELEKTUALI






Në një kohë kur apatia dhe mosreagimi ndaj padrejtësive e problemeve shoqërore ka përpirë të gjithë shqiptarët, pavarësisht nivelit shoqëror që përfaqësojnë; përballë këtij realiteti, ku të gjithë ulin kokën dhe pranojnë në heshtje e kapërdijnë çdo prapësi të keqqeverisjes dhe sharlatanizmit të politikanëve apo drejtuesve, thuajse në të gjitha nivelet drejtuese, pikërisht mes kësaj amullie mbizotëruese dhe njëherësh paralize të reagimit, vjen një zë kumbues, një penë e ndritur, një autoritet i mendimit dhe i shkencës shqiptare, një personalitet imponues dhe gjithnjë kërkues e hetues i së vërtetës, vjen profesori i nderuar Agim Vinca me librin e tij “Arti i reagimit”.
Ashtu siç shenjohet që në titull, kjo përmbledhje shkrimesh publicistike përçon art, si në aspektin formal ashtu edhe në atë përmbajtësor. Publicistika e profesor Agim Vincës karakterizohet nga gjuha e gjallë dhe leksiku i pasur, që gërshetohet me mjeshtërinë e letrarit, i cili me finesë, vërtetësi e qartësi sjell copëzat dhe fragmentet e jetës së mishëruar në të. Kjo cilësi e një mjeshtri të fjalës, bën që shkalla e ndikimit të shkrimeve dhe të temave të rrokura prej realitetit historik dhe aktual të jetë shumë e madhe te receptuesit. Natyrshmëria dhe qartësia e stilit të publicistikës së profesor Agim Vincës janë një sistem reference për të gjithë, por në mënyrë të veçantë ky libër shërben si një manual shumë i mirë orientimi për mënyrën se si mund të shkruajmë dhe të shprehemi mbi fenomene të ndryshme, që shqetësojnë realitetin tonë.
Për t’u ballafaquar me problemet e realitetit kërkohet guxim, largpamësi e mençuri dhe pikërisht këto cilësi shpërfaq autori, teksa ekspozon një bosht tematik, që rrok çështje të ndryshme, si: situata politike e shoqërore, opinione për çështje të rëndësisë kombëtare, përshkrimi i veprimtarisë jetësore e profesionale të heronjve dhe personaliteteve me kontribut intelektual, letrar e patriotik, krijimi i UÇK-së dhe fakte tronditëse të luftës së Kosovës e deri tek përsiatjet e thella dhe reflektimet rreth botës.
Agim Vinca kritikon dhe nxjerr në pah jo vetëm të keqen që vjen nga jashtë, konkretisht nga pushtuesit, por edhe atë që vjen nga brenda, si pasojë e anarkisë, hipokrizisë, servilizmit, frymës së shkatërrimit etj.
“Arti i reagimit” është libri i tretë publicistik i autorit, që vjen pas librave “Populli i pandalur” (1992) dhe “Shqiptarët mes mitit dhe realitetit” (1997), si një vokacion i pastër dhe i hapur për çështje të jetës së përditshme dhe për çështjen kombëtare në tërësi.
Për të mësuar më shumë rreth përmbajtjes së këtij libri, ju ftojmë të lexoni një intervistë që autori ka dhënë për Radio Kontaktin, ku ai rrëfen arsyet që nxorën në dritë këtë libër publicistik.

Pse “Arti i reagimit”? Çfarë keni dashur të shenjoni me këtë titull?

Titujt e librave janë si emrat e fëmijëve, autorët gjithnjë kanë dilema si t’i pagëzojnë ata. Unë kam menduar gjatë për titullin e këtij libri dhe kam ardhur në përfundim se ky titull, pra “Arti i reagimit”, i përshtatet përmbajtjes së tij. Shumë nga shkrimet e librit janë reagime të lindura në çaste dhe situata të ndryshme historike, nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë, madje dhe të Shqipërisë, në këto 10-12 vitet e fundit. Dihet që kjo është periudhë e ngjarjeve dramatike, si: rënia e komunizmit, robëria e Kosovës, rezistenca paqësore, lufta e armatosur, bombardimet e NATO-s, çlirimi i Kosovës, vendosja e administratës së UNMIK-ut pas luftës, një lloj protektorati ndërkombëtar në bashkëqeverisje me vendorët, që zgjati deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008; zhvillimet pas shpalljes së pavarësisë etj.
Koncepti i këtij libri mbështetet në reagimin intelektual ndaj ngjarjeve, dukurive dhe situatave nëpër të cilat kanë kaluar shqiptarët gjatë kësaj periudhe.

Ajo çfarë të bën përshtypje është fakti që dhe pse ka kaluar një periudhë kohore, duke ditur që disa nga shkrimet tuaja datojnë nga vitet 1998-99, sërish kur i lexon ato arrin ta kuptosh sfondin. Ka një lloj ekstrakti që nuk është fort i zakonshëm për publicistikën, e jo më kot gazetarët njihen si shkrues së të sotmes dhe historianët si shkrues të së djeshmes. Ndërkohë që ju i keni alternuar magjishëm këto dy kohë. Cili është çelësi për ta arritur këtë?

Këto nuk janë shkrime të një gazetari, por të një krijuesi e intelektuali, i cili vokacion të vetin e ka letërsinë, kurse profesion studimin e letërsisë dhe mbajtjen e leksioneve në fakultet. Këto shkrime kanë lindur si rezultat i shtytjeve të mia intelektuale. Intelektuali nuk mund të jetë indiferent ndaj zhvillimeve të kohës. Sociologë e filozofë të shquar kanë shfaqur mendime për këtë çështje. Kështu, fjala vjen, sociologu dhe filozofi bashkëkohor francez, Edgar Moren, thotë se intelektual nuk është njeriu që merret me çështje të profesionit të tij (shkrimtari, filozofi, mjeku, avokati etj.), por njeriu që angazhohet me problemet e kohës së vet dhe se, rrjedhimisht, jo çdo njeri i shkolluar mund të quhet intelektual, duke shtuar se misioni i tillë i intelektualit bëhet i nevojshëm sidomos në kohë krizash, kur shoqërisë i kanoset rreziku i erozionit moral, në mos edhe ndonjë katastrofë. Duke dashur ta arsyetojë këtë mendim të tij, Moreni thotë se Zola ishte shkrimtar i njohur, madje edhe themelues i një shkolle letrare – natyralizmit, edhe para vitit 1898, por intelektual u bë kur shkroi pamfletin “J’accuse” (Akuzoj), me të cilin mori në mbrojtje kapitenin Drajfus, të burgosur padrejtësisht mbi bazën e një akuze të rreme.
Ka edhe shumë shembuj të tjerë, nga Sokrati e gjer te Unamuno, por nuk dëshiroj të zgjatem me numërimin e tyre. Dëshiroj të them se edhe unë, me mundësitë e mia, i frymëzuar nga shembujt e ndritshëm, të cilët nuk mungojnë as në letërsinë dhe kulturën shqiptare (Noli, Konica etj.), kam bërë përpjekje ta marr në mbrojtje popullin tim prej sulmeve, akuzave, shpifjeve, denigrimeve dhe në përgjithësi nga fushata antishqiptare, që zhvillohej në vitet ’90, sikurse edhe më parë, nga propaganda serbe.
Shkrimet e këtij libri mbajnë qëndrim kritik ndaj fenomeneve negative në shoqëri dhe posaçërisht ndaj faktorëve që janë bartës dhe frymëzues të tyre. E këto janë në radhë të parë formacionet politike e shtetërore dhe njerëzit që janë në krye të tyre. Jam përpjekur gjithmonë të shpreh mendimin tim kritik me kohë ndaj problemeve shoqërore e politike, edhe atëherë kur ato mbështeten nga një numër i madh njerëzish, për të mos thënë nga shumica dërrmuese. Nuk jam pajtuar me të ashtuquajturën “lëvizje paqësore, pacifiste” në Kosovë, e cila ishte pozitive në fillim, kur doli në skenë, në fillim të viteve ’90, por pastaj u akomodua në “pushtet” dhe u bë si të thuash një lloj legjitimimi i dhunës dhe terrorit të përditshëm millosheviçian në Kosovë. Konsideroja se duhej një lëvizje më aktive, mosbindje qytetare, protesta, demonstrata, greva, në mos edhe diç më shumë: kryengritje e armatosur. Kam qenë ndër mbështetësit e protestës së njohur të 1 tetorit 1997 të studentëve dhe mësimdhënësve të Universitetit të Prishtinës, por edhe dhe organizator i saj në nivel të Fakultetit të Filologjisë dhe të Degës së Letërsisë Shqipe, protestë kjo që kundërshtohej nga kryesia e LDK-së, përfshirë edhe disa kolegë të mi profesorë, që ishin anëtarë të saj ose të afërt me të. (Dihet se kujt i dha koha të drejtë). Kam mbështetur pa rezervë, ndër të parët nga intelektualët kosovarë, daljen në skenë të UÇK-së; i jam kundërvënë propagandës kundër saj me gojë dhe me shkrim, me intervista në mediat e shkruara e elektronike, me shkrime e fjalë të mbajtura në tribuna të ndryshme, brenda e jashtë, çfarë është, fjala vjen, tribuna e rëndësishme me temë: “Dopo la Bosnia, il Kosovo” (Pas Bosnjës, Kosova), e mbajtur në Romë në tetor 1998, në organizim të Fondacionit “Moravia”, ku unë u paraqita me kumtesën “Holokausti kosovar, thirrje ndërgjegjes së Evropës”, e cila u botua në revistën e njohur “Quaderni” të Romës (nr. 1.’99), nën titullin “Kosovo, olocausto di fine secolo”.

Domethënë ju jeni angazhuar përveçse me shkrime edhe me veprimtarinë tuaj të drejtpërdrejtë intelektuale?

Po. I kam dhënë përparësi të parës: reagimit përmes shkrimeve, por nuk kanë munguar as veprimtaritë e llojit të dytë, herë-herë, madje, në nivele të larta… Dy muaj pas Romës, në dhjetor 1998, kam udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të UNICEF-it, për të marrë pjesë në manifestimin e mbajtur me rastin e 50-vjetorit të Deklaratës së Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut, me ç’rast, në mbledhjen solemne që u mbajt më 10 dhjetor në selinë e OKB-së, kam folur për situatën në Kosovë; për represionin serb mbi shqiptarët; për shkeljen e të drejtave dhe lirive të njeriut: për vrasjet, burgosjet dhe shpërnguljet, që kishin si synim spastrimin etnik të Kosovës etj. Kam pasur nderin të qëndroj pranë funksionarëve të lartë të OKB-së, si Carol Bellamy, Mary Robinson e Federico Mayor dhe personaliteteve të shquara të artit botëror, si aktorja dhe veprimtarja e madhe e të drejtave të njeriut, Vanessa Redgrave, që kishte ardhur nga Londra; aktorja amerikane Mia Farrow, poeti i njohur rus Jevtushenko etj.

Është një fakt që pak njihet në opinion…

Po, është e vërtetë. Sepse unë më shumë jam kujdesur që ta bëja si duhet punën time, t’i dilja zot asaj, sesa t’i bëja publicitet, siç veprojnë shumë të tjerë, për të mos thënë shumica. Gjatë qëndrimit në SHBA kam pasur, natyrisht, edhe takime me bashkatdhetarët tanë që jetojnë e punojnë atje; kam marrë pjesë edhe në tubimet që kishin për qëllim mbledhjen e ndihmave materiale për UÇK-në, të cilat edhe falë pranisë sime janë treguar shumë të suksesshme.

Ju njiheni si krijues letrar, posaçërisht si poet dhe si studiues i letërsisë. Çka ju shtyu që të merreni edhe me publicistikë?

Është një traditë në letërsinë shqipe që shkrimtarët, krahas krijimtarisë letrare, të merren edhe me shkrime publicistike. Kjo dukuri lidhet me rrethanat historike në të cilat kanë jetuar shqiptarët dhe me qëndrimin aktiv të krijuesve ndaj çështjeve me karakter kombëtar, politik, shoqëror etj. Kjo traditë ka qenë shumë e përhapur në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Fillon me Naimin, Samiun, De Radën, Pashko Vasën e Jani Vreton; vazhdon me Konicën, Nolin, Çajupin, Asdrenin, Fishtën etj. dhe arrin gjer te Mihal Grameno me shokë në periudhën e pavarësisë dhe te shkrimtarët bashkëkohorë më vonë. Mendoj se përmes shkrimeve publicistike njeriu i shpreh më drejtpërdrejt shqetësimet e tij si qytetar dhe komunikon më shpejt me bashkëkohësit. Në krijimtarinë letrare ky komunikim është më i ngadalshëm, por s’do mend edhe më afatgjatë.

Te libri “Arti i reagimit”, në shkrimet e tij, ju e konfirmoni plotësisht këtë përcaktim tuajin. Çka tjetër e karakterizon qëndrimin tuaj në periudhën për të cilin flasin këto shkrime, që është ajo e para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë?

Kam kërkuar që politika shqiptare të ketë një strategji në planin e brendshëm kombëtar, por edhe në raport me fqinjët, sepse shpeshherë kjo na ka munguar dhe pasojë e kësaj janë shumë nga ngjarjet që po ndodhin edhe sot. Fjala vjen, situata e komplikuar në Maqedoni, është pasojë e mungesës së një politike të pastudiuar nga subjektet shqiptare në Maqedoni, por edhe nga përfaqësuesit e shtetit amë, Shqipërisë, të cilët janë të obliguar edhe me kushtetutë që të interesohen për pjesët e kombit të mbetura jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Pra, unë jam përpjekur që këto probleme t’i ngre drejt, pa ekuivoke, t’i shpreh pikëpamjet e mia, t’i argumentoj ato, pavarësisht nga fakti që ndonjëherë mund të kem edhe ngjyrime emotive. Është normale kjo gjë për një njeri të penës, aq më shumë kur qëllon të jetë poet. Pikënisje është e vërteta e jo dëshira për t’i bërë qejfin dikujt a shtytja për ta denigruar dikënd. Jo rrallë këta qëllojnë të jenë njerëz konkretë, liderë politikë si Rugova, Sejdiu, Thaçi, Ahmeti etj. andej apo edhe Nano, Berisha, Topi, Rama etj. këndej. Natyrisht, kush më pak e kush më shumë, sipas “meritave”. Por zakonisht më kritik kam qenë ndaj atyre që janë në pushtet e jo në opozitë. Një kapitull pothuajse të veçantë të librit zënë shkrimet për Lëvizjen “Vetëvendosje!” si artikuluese e vullnetit të popullit të Kosovës – kërkesës për sendërtimin e së drejtës së vetëvendosjes dhe liderin e saj, Albin Kurtin, një djalë i guximshëm e inteligjent, idealist, të cilin e stolis përkushtimi ndaj atdheut dhe interesave të tij, por që, për çudi, nuk gëzon përkrahjen e duhur.
Nuk mungojnë në këtë libër as shkrimet për probleme të kulturës, të mentalitetit, të pozitës së intelektualëve në shoqëri, në këtë tranzicion tonin të stërzgjatur. Më lejoni të citoj një paragraf nga një shkrim i këtillë, i botuar në vitin 2006: “Kriter i përzgjedhjes së kuadrove në institucionet tona shtetërore (por edhe në ato shkencore, arsimore etj.) është përkatësia partiake dhe luajaliteti ndaj ‘shefit’ e jo dija, talenti dhe përgatitja profesionale. Njerëzit e kulturës kurrë nuk kanë qenë më të shpërfillur në këtë vend, ku lufta për pushtet na është bërë ‘art’ dhe ‘shkencë’. Modeli i sjelljes, që mbizotëron në vendet e dala nga ish-Jugosllavia, sikurse edhe në vendet e tjera të ish-Lindjes komuniste, është ‘kultura e gënjeshtrës’. Jo rastësisht një nga korifenjtë e mendimit njerëzor, gjeniu Niçe, ka pasë thënë: ‘Në Ballkan plehu ngrihet mbi fron, kurse froni mbi pleh’ ”.

Shkrimet e librit tuaj “Arti i reagimit” i cilëson guximi intelektual dhe fryma polemike. Këto dy veti, në fakt, spikasin në artin tuaj të të shkruarit e, madje, edhe në qëndrimin tuaj në jetën reale. A keni pasur pasoja për shkak të këtij qëndrimi dhe a jeni ndëshkuar herë pas here për rolin tuaj si polemist në lidhje me shumë çështje?

Unë jam ndëshkuar nga pushteti hegjemonist serb dhe maqedonas në të kaluarën: nuk kam pasur të drejtë të zgjidhem në vende udhëheqëse; nuk më janë dhënë çmime letrare edhe atëherë kur i kam merituar ato; nuk jam bërë anëtar i institucionit më të lartë shkencor të Kosovës, që quhet Akademi e Shkencave dhe e Arteve etj. Në periudhën e diferencimit politik, që filloi menjëherë pas demonstratave të ’81-shit, kam qenë në listën e ngushtë të të diferencuarve plot tetë vjet. Në vitin 1989 jam përjashtuar nga Lidhja e Komunistëve, ku qeshë futur si të thuash me imponin, ngaqë ishte kusht për të punuar në universitet, kurse një vit më vonë, pas marrjes së autonomisë së Kosovës, jam larguar edhe nga fakulteti ku punoja, si “armik i përbetuar i politikës jugosllave”, pjesë e së cilës ishte edhe Kosova, për ta vazhduar më vonë punën në sistemin tonë paralel arsimor të “shtëpive-shkolla” deri në çlirimin e Kosovës më 1999. Mund të them, madje, pa dashur të ankohem për fatin tim të keq, sepse mijëra të tjerë e kanë pësuar shumë më keq sesa unë, se e kam provuar edhe burgun. Kjo ka ndodhur në vitin 1996. Dhe e dini përse? Për shkak të ardhjes në Shqipëri pa të ashtuquajturën “vizë dalëse”, që patën aplikuar organet serbe për ta penguar komunikimin mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në Maqedoni, në vitet ’80, është zhvilluar një fushatë e egër politike kundër meje, pikërisht për shkak të shkrimeve të asaj kohe në mbrojtje të të drejtave dhe dinjitetit të shqiptarëve në këtë Ish-Republikë Jugosllave. Edhe më vonë, pas rënies së sistemit të vjetër, kur në qeveritë e Shkupit marrin pjesë edhe partitë politike shqiptare, ka ndodhur të më mbyllen, fjala vjen, dyert e Universitetit të Tetovës si “i papërshtatshëm”!
Ka edhe gjëra të tjera të kësaj natyre, andej-këtej, por nuk vlen të përmenden, sepse në krahasim me ato që kanë vuajtur të tjerët, “vuajtjet” e mia janë një pikë uji në oqean.

Çfarë kriteri keni ndjekur për renditjen e shkrimeve në libër?

Kriteri është tematik, sipas problemeve që trajtohen, ndërsa brenda kapitujve, që janë gjithsej shtatë, është ndjekur rendi kronologjik, sepse janë shkrime publicistike që dëshmojnë për një kohë dhe që si të tilla mbajnë datën e botimit në fund. Ka ndonjë shkrim që unë nuk kam dashur ta botoj në kohën kur është shkruar, siç është shkrimi për Konferencën e Rambujesë, ku merrnin pjesë disa miq të mi, të cilët ishin pjesë e delegacionit të Kosovës. Ajo ishte një konferencë shumë e rëndësishme, por që nuk e zgjidhi drejt çështjen e Kosovës, të paktën jo në atë kohë (në vitin 1999), sepse, sipas Marrëveshjes së saj, Kosova mbeti nën sovranitetin e të ashtuquajturës Jugosllavi (Serbi dhe Mali i Zi). Pala serbe nuk e nënshkroi Marrëveshjen as si të tillë, pra si të favorshme për të dhe pastaj, siç dihet, pasoi fushata e bombardimeve të NATO-s, e cila u bë jo vetëm për shkaqe humanitare, si thuhet, por edhe për shkak se Aleanca e fuqishme ushtarake Veriatlantike do ta humbte besueshmërinë në 50-vjetorin e formimit të saj po të mos e ndërmerrte këtë hap.
Gjykimi im ndaj Konferencës së Rambujesë (nga perspektiva e kohës kur u mbajt ajo) është kritik, por zhvillimet e mëvonshme treguan se ajo konferencë qe, megjithatë, një mundësi për të ecur përpara drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Në fund të disa materialeve, ju theksoni se është dërguar në këtë apo atë redaksi, por nuk është botuar. Si është e mundur që mediat shqiptare censurojnë edhe zërin e një intelektuali të përmasave tuaja?

Shqiptarët në sistemin monist kaluan nëpër një diktaturë të tmerrshme, që zbatonte censurën e diktatin dhe ky diktat ka lënë gjurmë në mendësinë tonë intelektuale dhe veçanërisht në politikën redaktuese të disa mediave tona. Në kohën tonë, mediat, në të dy anët e kufirit, janë shpeshherë në shërbim të partive politike e të oligarkive pushtetore dhe kur ndodh të dërgohet ndonjë shkrim në të cilin “preket” sidomos “shefi i madh”, vonohet botimi i tij për arsye formale ose edhe ndodh të mos botohet fare.
Ka redaksi e redaktorë që nuk duan “të prishen” me autoritetet, prej të cilave varen edhe materialisht ose nuk duan të preken “mitet” politike të krijuara pikërisht prej tyre, por ata harrojnë, të gjorët, se jetojmë në kohën e internetit dhe se mundësia e komunikimit virtual, fatbardhësisht, nuk varet prej vullnetit të tyre, ndryshe nga ç’ndodhte në të kaluarën.

Kapitulli i fundit i librit ka një titull metaforik: “Pikëllim i mermertë”. Përse flet ai?

Kapitulli i fundit i librit flet për vdekjen e shkrimtarëve, ndonjëri prej të cilëve mik i autorit dhe për nderimet që ata meritojnë për atë që kanë bërë për të gjallë. Në ndonjërin nga shkrimet flitet për qëndrimin shpërfillës e mohues që mbahet, herë-herë, ndaj tyre pa të drejtë dhe, madje, edhe për prishjen e varrezave të shkrimtarëve, dukuri kjo e cila ndodh të jetë po ashtu e pranishme në jetën tonë të ngarkuar gati për çdo ditë me lajme për krime e ndodhi makabre. E çka nuk ndodh sot, për fat të keq, në botën shqiptare! Të gjithë njerëzit i përjetojnë rëndë këto ngjarje, por shkrimtarët kanë dhuntinë e, besa, edhe detyrimin, ta shprehim dhembjen për to në shkrimet e tyre jo vetëm letrare, por edhe publicistike.

Disa prej shkrimeve tuaja janë shkruar para shumë kohësh, a ka ndikuar kjo distancë kohore që ju të mendoni a reflektoni ndryshe mbi ato shkrime, apo botëkuptimi juaj mbetet i njëjtë?

Unë nuk jam nisur nga interesat e mia personale e as të ndonjë grupi të caktuar, por nga ato që i kam konsideruar interesa vitale me rëndësi të përgjithshme për shoqërinë. Kam shprehur pikëpamjet e mia për zhvillimet në hapësirën shqiptare dhe kam mbështetur proceset historike: përpjekjet për liri, pavarësi e demokraci, duke iu kundërvënë në vazhdimësi dhunës, gënjeshtrës dhe padrejtësisë. Prandaj, vazhdoj të qëndroj prapa shkrimeve të mia, pavarësisht nga koha kur janë shkruar ato.

Intervistoi për Radio Kontaktin
Jolanda LILA

Në Ballkan secili pandeh se ia ka hedhur tjetrit


INTERVISTË ME AGIM VINCËN


Agim Vinca

“Epoka e re”: Përshëndetje Profesor dhe urime 65-vjetori i lindjes! Keni botuar dhjetëra libra, secili më në zë se tjetri dhe më i veçantë se tjetri. Keni publikuar qindra opinione për fenomene të ndryshme letrare, kulturore, arsimore, gjuhësore, politike e shoqërore. S’keni heshtur kurrë për kurrfarë padrejtësie, që i është bërë shtetit e as kombit. S’besoj se do të heshtni as tash e tutje. Por, kaherë krijuesve u është bërë kjo pyetje, “Pse shkruani?”, por edhe janë dhënë shpjegime të ndryshme nga ta. Pse shkruan profesor Agim Vinca?

Agim Vinca: Kjo është pyetja më e zakonshme, por edhe më e vështira që mund t’i bëhet një krijuesi. Përse shkruaj? Shkruaj, sepse nuk di mënyrë tjetër më të mirë për ta realizuar veten; shkruaj, sepse nëpërmjet shkrimit dëshiroj të komunikoj me njerëzit, të njohur e të panjohur, të afërt e të largët, këtu e gjetiu, sot dhe nesër. Shkruaj, sepse dëshiroj të lë gjurmë në kohë, duke shpalosur veten, duke gjykuar për kohën dhe njerëzit dhe duke afirmuar të mirën e goditur të keqen; shkruaj, sepse të shkruarit është, pse jo, një lloj terapie, e cila, nëse nuk i shëron plotësisht, së paku i zbut, dhembjet që i shkaktojnë njeriut vetmia dhe melankolia. Shkruaj, sepse e dashuroj gjuhën në të cilën shkruaj, gjuhën shqipe dhe dua ta provoj veten duke u bërë, si thotë një poet i brezit tim (më duket Xh. Spahiu), “rob dhe zot i saj”; shkruaj, më në fund, sepse dëshiroj ta sfidoj vdekjen, aq sa është e mundur kjo gjë nga ne njerëzit, që fizikisht jemi të përkohshëm në këtë botë.

“Epoka e re”: Në 65-vjetorin e lindjes suaj, Redaksia e revistës “Fjalë e valë” Ju kushtoi një numër tematik, i cili ka dalë si libër nën titullin “Krijuesi i pandalur”. Më 15 janar, ditën e fundit të semestrit dimëror të vitit akademik 2012/2013, në Fakultetin e Filologjisë u përurua ky botim, kurse Ju, me atë rast, u nderuat me mirënjohje “për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë zhvillimit dhe përparimit të Universitetit të Prishtinës”. Çfarë do të veçonit në këtë 65-vjetor? Është vështirë të plakesh duke shkruar letërsi e duke e studiuar atë?

A. Vinca: Revista “Fjalë e valë” është pothuajse e vetmja revistë letrare, që del rregullisht në Kosovë. Kohë më parë, kjo revistë shënoi 10-vjetorin e daljes së saj, gjë që do të thotë se ajo tashmë ka krijuar një traditë. Redaksia e revistës e ka parë të udhës që një numër të saj t’ia kushtojë veprimtarisë sime, siç thuhet në “Fjalën e Redaksisë”, me të cilën hapet ky numër i revistës, me rastin e 65-vjetorit të lindjes, 40-vjetorit të fillimit të punës në Universitet (1972-2012) dhe 40-vjetorit të botimit të librit tim të parë (Feniksi, 1972), për çka unë shfrytëzoj rastin t’i falënderoj publikisht. Ky botim tashmë ka dalë nga shtypi dhe gjendet në duart e lexuesve. Në të janë përfshirë shkrime të përzgjedhura për krijimtarinë time letrare e shkencore, disa poezi të miat në fillim (dy prej të cilave kushtuar Mitrovicës), një tufë poezish-kushtime për mua të disa poetëve të shquar shqiptarë e të tjerë dhe një kronologji e jetës dhe e veprimtarisë sime.
Kjo është, pak a shumë, përmbajtja e numrit tematik të revistës “Fjalë e valë”, të 23-tit me radhë, kushtuar “Prof. A. Vincës, në 65-vjetorin e lindjes”.
Ndërkaq, Universiteti i Prishtinës, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka nderuar me mirënjohje një numër të konsiderueshëm profesorësh të këtij Universiteti, në mesin e të cilëve edhe mua. Meqenëse në manifestimin e organizuar me atë rast u tha se profesorëve të gjallë mirënjohjet do t’u dorëzohen nëpër njësitë akademike, u shfrytëzua rasti që mua të më dorëzohej në takimin e para do ditëve në Fakultetin e Filologjisë, gjë që e bënë bashkërisht dekani i Fakultetit dhe zëvendësrektori për mësim i Universitetit.

“Epoka e re”: Në fjalën tuaj të mbajtur në promovimin e revistës “Fjalë e valë”, në të vërtetë të librit “Krijuesi i pandalur”, Ju evokuat kujtime nga jeta juaj studentore dhe iu drejtuat me një porosi të pranishmëve në sallë, në mesin e të cilëve kishte edhe mjaft studentë...

A. Vinca: Fjala që mbajta unë në mbyllje të këtij takimi, siç më pëlqen ta quaj, titullohet: “Mos u dëshpëroni nëse rrëzoheni; dëshpërohuni nëse nuk ringriheni!”. Duke evokuar episodin e provimit të parë në jetë, në Fakultet, unë desha t’u transmetoj studentëve të mi, atyre në radhë të parë, por edhe të pranishmëve të tjerë në sallë, të rinj e pleq, një mesazh të qartë dhe dashamirës. Jeta ka rënie e ngritje, suksese e dështime. Puna është të mos thyhemi, të mos dëshpërohemi, të mos dorëzohemi. Konsideroj se ky mesazh ka konotacione më të gjera sesa jeta studentore dhe suksesi a mossuksesi në provime; ai na përket të gjithëve si individë dhe si pjesëtarë të një kombi e shoqërie.

“Epoka e re”: Kohë më parë u mbajtën zgjedhjet e anëtarëve të rinj në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Emri Juaj, për çudi, përsëri nuk figuron në listën e të pranuarve! Përse nuk po ju pranojnë në Akademi, Profesor: për shkak të xhelozisë, frikës së qëndrimit tuaj të drejtpërdrejtë: “e bardha e bardhë”, “e zeza e zezë”, apo ka ndonjë arsye tjetër, politike?

AKADEMIA E SHKENCAVE DHE ARTEVE E KOSOVËS NUK E MERITON EMRIN QË KA

A. Vinca: Secila veç e veç dhe që të tria bashkë: xhelozia; frika nga qëndrimi i drejtpërdrejtë e jokonformist, në të vërtetë nga integriteti moral e intelektual, por edhe “mëkatet” e natyrës politike, intelektuale dhe shkencore në përgjithësi.
Pjesa dërrmuese e anëtarëve të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës nuk kanë vepër të përfillshme shkencore ose edhe letrare e artistike; shumica syresh janë intelektualisht të tredhur, të shurdhër e memecë (jo rastësisht organet serbe në ndërtesën e vjetër të ASHAK-ut vendosën Shoqatën e Shurdhmemecëve!), pa dije e guxim intelektual dhe pa kredibilitet moral dhe, e treta, në ASHAK mbizotërojnë njerëzit që në periudhën e autonomisë kanë qenë jo vetëm anëtarë të devotshëm të Lidhjes së Komunistëve, por edhe plotësisht luajalë ndaj sistemit jugosllav; njerëz që shënonin me konferenca shkencore e botime të posaçme përvjetorët e “shokut Tito”, kurse pas vitit 1990 u shndërruan në anëtarë jo vetëm të devotshëm, por edhe fanatikë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Duke mbështetur pa rezervë, individualisht dhe kolektivisht, “politikën e urtë e paqësore presidenciale”, akademët tanë kundërshtonin çdo formë të rezistencës aktive ndaj okupatorit, përfshirë edhe rezistencën e armatosur të UÇK-së, të cilën ata dhe “idhulli“ i tyre e quanin “dorë e zgjatur e shërbimeve sekrete serbe”, kurse kryengritjen e armatosur “aventurë që kishte për qëllim ta digjte Kosovën” dhe t’ia lehtësonte kështu punën pushtuesit për ta shndërruar atë, sipas tyre, në “tokë të shkretë”.
Si njeri, krijues e intelektual kam qenë pothuajse prej fillimi kundërshtar i politikës së ashtuquajtur “paqësore”, të cilën disa e quanin, madje, edhe “gandiste”, që në fakt ishte politikë e frikës dhe e nënshtrimit dhe përkrahës i rezistencës aktive, padëgjueshmërisë qytetare ndaj organeve të pushtuesit në fillim dhe kryengritjes së armatosur për çlirim, më vonë, si e vetmja rrugë që duhet të ndjekë një popull që e ka seriozisht luftën e vet për liri e pavarësi.
Kjo është një përgjigje, e pjesshme, pyetjes suaj. Konsideroj se në mënyrë pak më të plotë i jam përgjigjur kësaj pyetjeje në intervistat dhe paraqitjet e mia në media lidhur me “çështjen ASHAK”, kurse në mënyrë shumë më të plotë shpresoj t’i përgjigjem në një të ardhme jo shumë të largët.

“Epoka e re”: Kush mund bëhet sot anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës?

A. Vinca: Kushdo që e ka mirë me kryetarin e saj aktual, një gjeograf, që merret me tabela e statistikë demo(no)grafike; me dy ish-kryetarët e saj gjuhëtarë, relativisht të zotë si studiues, por tejet meskinë, cinikë e mizantropë si njerëz; me kryesinë e kësaj, ta quaj shoqate të shndërruar në shtëpi private; kushdo që u bën lajka dhe u vardiset atyre; që nuk ka “mëkate” politike dhe, mundësisht, as formim të mirëfilltë shkencor e intelektual; që është i urtë, simpatik, titist, rugovist, lëdëkë-lëdëdëist, mundësisht anëtar i ndonjërës prej partive-bisht (preferohet të qenit funksionar, fjala vjen, nënkryetar i ish-partisë fshatare të asfaltit!), preshevar a gjakovar, lokalist e provincialist (edhe në qëndrimin ndaj gjuhës standarde shqipe!); që di të tregojë anekdota e di të sillet me gjentilencë e të qeshë vesh më vesh para eprorëve të vet, pavarësisht që nuk është në gjendje të shkruajë as një faqe tekst pa gabime drejtshkrimore e të tjera; që nuk është në gjendje të mbajë një ligjëratë a fjalë për të qenë në Prishtinë se jo më gjetkë, se për vepra e projekte shkencore serioze as që mund të flitet.
Zgjedhjet e anëtarëve të rinj në Akademinë tonë “të shkencave” prej viteve ’90 e këndej janë manipuluar secilën herë, por pas zgjedhjeve të fundit, të vitit 2012, në të cilën udhëheqja agile e ASHAK-ut, e realizoi, si asnjëherë më parë, qind për qind “planin” e vet katërvjeçar, duke pranuar 19 anëtarë të rinj përnjëherë, me ndonjë përjashtim, secili më beter se tjetri, ka ardhur koha që Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës të quhet e ashtuquajtura Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, sepse nuk është më e tillë!

“Epoka e re”: Pasi jeni anëtar i Këshillit të Librit në MKRS deshëm të dimë se a jeni i kënaqur me veprat konkurruese të autorëve dhe shtëpive botuese që jua sjellin aty për ta marrë miratimin tuaj?

A. Vinca: Jo, aspak. Ose fare pak. Prurjet janë tejet modeste. Herë-herë edhe joserioze. Kjo gjendje flet për krizën nëpër të cilën kalon kultura jonë, e mjedisit tonë, kosovar, ku edhe njerëzve me tituj më të lartë shkencorë u mungon shumë herë kultura elementare e shkrimit, dija dhe përkushtimi krijues.

“Epoka e re”: Profesor, për punën, dijen, librat dhe kriteret në fakultet ju nderojnë kolegët dhe studentët, me shkrime promovuese rreth jush, kush tjetër jo. Edhe sa kohë do të jeni ligjërues në Fakultetin e Filologjisë dhe ku do të shkoni më pas?

UNIVERSITETI DHE POLITIKA E KUADROVE

A. Vinca: Me 65 dilet në pension. Sipas ligjit. Por ka një qëndrim që profesorët, për mungesë të pensionit (pensionet ekzistuese s’janë veçse ndihma sociale!), të angazhohen deri në moshën 70 vjeç. Pastaj, kush si; kah sytë këmbët!... Nëse do të jem gjallë e shëndoshë do t’i përkushtohem finalizimit të veprës sime shkencore dhe letrare, përfshirë edhe ditarët dhe kujtimet.

“Epoka e re”: Çfarë masash duhet të marrin Rektorati dhe Ministria e Arsimit për profesorët që mbajnë nga dy e tri punë, për ata që ligjërojnë në UP dhe në kolegje private?

A. Vinca: Mendoj se kjo çështje duhet të zgjidhet një herë e mirë, konform ligjit, pa bërë asnjë lëshim. Por problemi i mbajtjes së dy a tre vendeve të punës dhe i angazhimeve të shumta në Kosovë është dukuri shumë e përhapur, që i kalon caqet e Universitetit të Prishtinës dhe të sistemit arsimor në përgjithësi. Uzurpimi i posteve, i vendeve të punës, marrja përsipër e angazhimeve nga më të ndryshmet, të qenit anëtar bordesh e këshillash, gjithnjë kundruall një page të caktuar, është dukuri e përgjithshme në Kosovë. Në Kosovë ka shumë njerëz të papunë (edhe me kualifikime të larta shkollore e me grada shkencore), ka shumë të varfër, madje edhe të rrezikuar nga uria, ka pensionistë që, edhe pas dyzet vjet pune e kontributi, nuk mund ta sigurojnë ekzistencën e vet minimale dhe ka njerëz që s’ia dinë skajin pasurisë. Në këtë grup hyjnë në radhë të parë njerëzit e politikës (ata që i kanë në dorë penjtë e shtetit dhe tenderët e famshëm), por edhe në mesin e intelektualëve ka jo pak profiterë. Ka edhe njerëz që qëndrojnë me dekada në krye të institucioneve, madje edhe pa konkurs, duke iu përshtatur si kameleonë secilës parti që vjen në pushtet dhe duke i mitosur me lajka e dhurata ata që vendosin për postet e tyre, ministrat përkatës dhe shefat e tyre.

“Epoka e re”: Kaluam kështu, spontanisht, te problemet shoqërore dhe politike. Çfarë është politika e kuadrove në Kosovë? A bazohet ajo mbi meritokracinë apo mbi luajalitetin partiak, nepotizmin dhe servilizmin?

A. Vinca: Më vjen keq ta them, por Kosova nuk do të prosperojë derisa nuk do të ketë një politikë më të drejtë të kuadrove, që bazohet mbi kriterin e aftësisë profesionale dhe të ndershmërisë morale e jo mbi përkatësinë partiake dhe lidhjet familjare e “kritere” të tjera të ngjashme. Ende mbahet mend deklarata qesharake e një ministri të njërës nga qeveritë e kohës së LDK-së, i cili vërejtjes se kishte punësuar në dikasterin e tij dhjetëra të afërm të vet, iu përgjigj me fjalët: “Në Kosovë të gjithë janë: nip e dajë!”. Fjala “dajë” u përmend edhe në bisedat telefonike të njerëzve përgjegjës të partisë e cila e udhëheq sot Kosovën, të cilat iu bënë të njohura kohë më parë opinionit, aq sa mund të thuhet lirisht se tashmë është bërë metaforë e nepotizmit tonë proverbial.
Kundër nepotizmit duhet luftuar, njësoj sikurse kundër korrupsionit, shkeljes së ligjit, uzurpimit të pronës publike, keqpërdorimit të pushtetit dhe keqpërdorimeve të tjera, të të gjitha llojeve, që kanë vërshuar Kosovën tonë të dashur e martire, si e quanim dikur.
Politika e kuadrove e qeverisë aktuale dhe e partisë kryesore të koalicionit qeveritar, PDK-së, lë shumë për të dëshiruar edhe në një plan tjetër. Edhe pse duket si paradoks, PDK-ja, çuditërisht, më shumë se mbështetësit e saj, të dikurshëm apo edhe të tanishëm, i mbështet, shumë herë, kundërshtarët e saj, realë a potencialë, duke i shpërblyer me poste, privilegje e shpërblime! Më tha një ditë një mik, mbështetës i UÇK-së që në orët e para dhe i “krahut të luftës” pas ’99-s, si me shaka: “Ata më shumë kujdesen për armiqtë sesa për miqtë!”.
Do të përpiqem ta konkretizoj, pak a shumë, këtë që thashë më lart.

KUSH “VDES” E KUSH “NGORDH” NË KOSOVË!

Lexova kohë më parë në një nga të përditshmet tona fjalinë e mëposhtme: “Në Kosovë vdesin vetëm bletët, kuajt dhe anëtarët e LDK-së. Të gjithë të tjerët ngordhin”. U skandalizova dhe s’u besoja syve duke e lexuar këtë fjali idioteske, që përsëritej dy herë brenda një teksti të shkurtër, të shkruar nga një kolumnist, i cili bënte sikur i kundërvihej asaj, por, ja që gjente rastin ta plasonte në shtyp. Askush nuk ka reaguar deri më sot, as me gojë e as me shkrim, ndaj kësaj thënieje morbide, që, po të ishte shqiptuar diku tjetër, do të ishin ngritur në këmbë i madh e i vogël. “...vetëm bletët, kuajt dhe anëtarët e LDK-së vdesin; të gjithë të tjerët ngordhin”! O Zot, deri ku arrin fanatizmi politik! Po gratë lehona, po nënat plaka, po pleqtë mjekërbardhë, po fëmijët e foshnjat e pafajshme; po njerëzit zemërbardhë të kësaj toke, që nuk i takojnë e as nuk i kanë takuar ndonjëherë ndonjë partie politike... Kot. Të gjithë “ngordhin”, si qentë, nëse nuk janë anëtarë të LDK-së! E tmerrshme ta mendosh! Jo ta botosh! Dhe, papritmas, po ato ditë, autori i kolumnes në të cilën haset fjalia e mësipërme, zgjidhet anëtar i një bordi të rëndësishëm si përfaqësues i njërës nga ministritë tona më të rëndësishme, MASHT-it! Kurse vitin e kaluar, po nga kjo ministri, u zgjodh “shkencëtar i vitit” një profesor, i cili, në vitin 1991, kur u aplikuan masat e dhunshme në Universitetin e Prishtinës, i pranoi ato dhe vazhdoi të ligjëronte në Fakultet, serbisht, deri në vitin 1993, kur u largua nga Kosova, për të mos u kthyer kurrë më.

“Epoka e re”: Në 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar me mirënjohje e motivacione të ndryshme u nderuan shumë figura në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ju, edhe pse përgatitët “Muzën e Mëmëdheut”, u harruat. Pse?

A. Vinca: Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, në një ceremoni të organizuar në selinë e Presidencës, të cilën unë e ndoqa përmes ekranit, nderoi me “Medaljen e Mirënjohjes” të gjithë autorët që kontribuan me botime letrare dhe artistike në shënimin e këtij jubileu të rëndësishëm. Nuk e di si dhe kush ka vendosur për këtë çështje (kush e ka bërë përzgjedhjen e laureatëve), por me të gjitha kriteret në këtë listë është dashur të ishte edhe “Muza e Mëmëdheut” dhe unë si autor i saj.
Unë jam mësuar të anashkalohem nga çmimet dhe dekoratat, por kësaj radhe vërtet e ndjeva veten të fyer, ashtu sikundër edhe kur lexova emrat e atyre që ishin shpallur “Qytetarë Nderi” të Vlorës nga kryetari i Bashkisë së këtij qyteti historik, po me rastin e 100-vjetorit, në mesin e të cilëve ishin edhe një poet kosovar, i cili me vargjet e tij të botuara në vitin 1997 kishte fyer Vlorën dhe vlonjatët, si dhe dy kryetarë komunash periferike të Kosovës.

“Epoka e re”: Çfarë keni ndërmend të shkruani pas gjithë asaj bibliografisë suaj dhe për çfarë mendoni se opinioni do t’ju mbajë mend dhe do t’ju përmendë?

A. Vinca: Nuk e di. Nuk jam i sigurt. Askush nuk mund ta dijë plotësisht një gjë të tillë, madje as krijuesit e mëdhenj. Besoj se disa poezi të miat do të lexohen, mbahen mend e citohen edhe pas njëqind vjetësh. A janë pesë, dhjetë a pesëmbëdhtjetë nuk e di, por e di se këtu hyjnë ato poezi që kanë kuptim e muzikalitet, që tingëllojnë shqip dhe që mësohen lehtë përmendsh. Studimi im monografik “Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980)” besoj se do të jetë pikë referimi sa herë që do të flitet për poezinë bashkëkohore shqipe si pjesë shumë e rëndësishme e letërsisë dhe kulturës shqiptare. Edhe disa shkrime të tjera kritike, ese, vështrime e studime për letërsinë shqipe shpresoj ta mbijetojnë autorin e tyre. Ndoshta polemikat, ndoshta shkrimet publicistike a diçka tjetër që pritet të lindë, sepse krijuesit gjithmonë mendojnë se veprën e tyre më të mirë do ta shkruajnë më vonë.

“Epoka e re”: Jeni shpirt polemik. Pakëz Nol, pakëz Konicë. Keni polemizuar me shumë shkrimtarë, gazetarë, publicistë e intelektualë maqedonas, serbë e të tjerë (herë-herë edhe shqiptarë) në mbrojtje të interesave kombëtare dhe të parimeve tuaja morale e krijuese. Keni botuar shumë shkrime polemike të kësaj natyre në shtyp, si dhe tre libra publicistikë... A ju ka marrë shumë kohë e energji kjo punë dhe a ju ka ndarë nga puna krijuese?

KAM POLEMIZUAR EDHE ME DAÇIQIN

A. Vinca: Sigurisht që po. Madje jo pak. E kam filluar këtë punë, i shtyrë nga rrethanat, por edhe nga natyra dhe karakteri im njerëzor, që nuk pajtohet me të bërit sehir, në vitin 1986, për ta vazhduar përgjatë viteve ’80 e ’90, por edhe më vonë, madje edhe në ditët e sotme. Kam polemizuar me gazetarë, shkrimtarë, publicistë, intelektualë e politikanë serbë e maqedonas, madje dhe me kryeministra, kandidatë për presidentë, ministra, deputetë e të tjerë. Kam polemizuar edhe me Daçiqin, në vitin 1993, kur ishte zëdhënës i Millosheviqit. Jemi “hëngër” për çështjen e Vetëvendosjes (jo si organizatë politike, sepse nuk ekzistonte në atë kohë, por si koncept politik). Në një shkrim të botuar në gazetën “Borba” të Beogradit, më 27-28 shkurt 1993, kryeministri i sotëm serb, atëherë zëdhënës i Partisë në pushtet, “SPS”, pohonte se populli serb qenkësh i vetmi popull në Ballkan, që “i mohohet e drejta e vetëvendosjes”. Në reagimin tim me titull “Shqiptarët dhe e drejta e vetëvendosjes ose vullneti i ndrydhur me dhunë”, ia kujtoja Daçiqit se nëse në Ballkan ka ndonjë popull, të cilit i është mohuar dhe vazhdon t’i mohohet kjo e drejtë, pra e drejta e vetëvendosjes - këta janë shqiptarët. Dhe është pikërisht regjimi serb, shtoja në vazhdim, që shtyp me dhunë vullnetin politik të shqiptarëve të Kosovës, të drejtën e tyre për t’u deklaruar lirisht, me referendum, nëse dëshirojnë të jetojnë nën Serbinë, të kenë shtetin e tyre të pavarur apo të bashkohen me shtetin amë, Shqipërinë, duke nënvizuar se po t’u bëhej i mundur deklarimi i lirë do të fitonte pa dyshim opsioni i tretë, ithtar i të cilit jam edhe vetë. Në replikën e tij ndaj reagimit tim, Daçiqi pat thënë, sa më kujtohet, se Serbia është “shtet demokratik”, sepse “një shtetas i saj” ka guximin të deklarohet për “bashkim me Shqipërinë” dhe nuk pëson asgjë, pra nuk burgoset për shkak të mendimit të tij.

“Epoka e re”: Dhe është po ky Daçiq që tani, në njërën anë, zhvillon negociata me kryeministrin tonë Thaçi në Bruksel, kurse, në anë tjetër, heq demonstrativisht lapidarin e dëshmorëve në Preshevë. Komenti Juaj?

A. Vinca: Po, po. Ai është. Dhe jo vetëm ai. Daçiqët bëjnë punën e vet, ashtu siç mendojnë se u përgjigjet më së miri atyre, kurse ne do të duhej ta bëjmë punën tonë ashtu siç na konvenon ne. Dhe kur them “ne” kam parasysh kastën politike shqiptare dhe institucionet tona shtetërore, Tiranën zyrtare, pastaj Prishtinën dhe, gjithsesi, edhe liderët politikë të luginës së Preshevës. Lojën e “matjes së pulsit” dhe të hidhepritjeve disaditëshe ndërmjet palëve “në konflikt”, e kapitalizoi pala serbe, kurse ne na rrofshin fjalët e mëdha! Është e vërtetë se faktori politik i Preshevës dhe qytetarët e saj nuk bënë as më të voglën përpjekje për ta mbrojtur lapidarin (ideatorët e ngritjes së tij është dashur ta mendonin edhe këtë situatë!), por heqja e këtij lapidari, në pikë të ditës, me forca të mëdha policore, është fyerje për të gjithë shqiptarët, kudo që janë. Akti vandal i heqjes së lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së nga qeveria serbe e kryesuar nga Ivica Daçiqi, tregon se ujku qimen e ndërron, por hujin jo!

DIALOGU ME SERBINË DHE DILEMAT RRETH TIJ

“Epoka e re”: Po ç’mendim keni për bisedimet që po zhvillohen në Bruksel ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe atij të Serbisë? Cili është shikimi Juaj i këtyre negociatave?

A. Vinca: Pala shqiptare ka lëshuar pe edhe në Rambuje, edhe në Vjenë, duke e bërë kompromisin e madh, kapital, sidomos kur e ka pranuar pakon e Ahtisarit, me komunat e pastra serbe, me decentralizimin etnik, me eksterritorialitetin e kishave dhe manastireve, me serbishten si gjuhë zyrtare në tërë territorin e Kosovës (dhe në Prekazin e Adem Jasharit!), me vendet e rezervuara në parlament për pakicat, veçanërisht serbët, me marrjen e vendimeve me dy të tretat e përfaqësuesve të minoriteteve, me multietnicitetin e shpifur etj. Kurse pala serbe nuk ka lëvizur fare nga pozicionet e veta. Nuk e ka pranuar Marrëveshjen e Rambujesë, nuk e ka pranuar pakon e Ahtisarit, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të cilën e konsideron pjesë të vetën me Kushtetutë; nuk e përfill, madje, as emrin e saj legal, Kosovë, por e quan “Kosovë e Metohi”; harton platforma me të cilat kërkon autonominë e serbëve në “Krahinën Autonome të Kosovë e Metohisë”, që është një absurdsui generis; e konsideron të pazgjidhur statusin e Kosovës; nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës, vazhdon t’i mbështesë strukturat paralele në Veri, pengon njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe bën, për çdo ditë, obstruksione nga më të ndryshmet në dëm të Kosovës dhe shqiptarëve. E, megjithatë, Kosova ka hyrë në bisedime me Serbinë. Sepse këtë e kërkojnë “miqtë tanë”, BE-ja dhe SHBA- të; e kërkon Brukseli dhe Uashingtoni. Ky është arsyetimi, për të mos thënë refreni. Në fillim, në të ashtuquajturat “bisedime teknike”, kurse tani në bisedimet me karakter politik të nivelit më të lartë.

“Epoka e re”: Si e shihni epilogun e këtyre bisedimeve?

A. Vinca: Uroj që ta kem gabim, por me skepsë dhe frikë. Shikoni: s’ka bisedime politike pa kompromis. E ka thënë Migjeni gjenial, ndonëse vetëm njëzet e sa vjeçar, shtatëdhjetë e sa vjet më parë, te proza “Novelë mbi krizë (1935): “O kompromis, fëmijë bastard i të gjitha mbledhjeve!”. Ndërkaq, shefja e diplomacisë evropiane, baronesha Eshton, që është ndërmjetësuese e këtyre bisedimeve, pat deklaruar që në fillim se palët duhet të përgatiten për “vendime të vështira”. Vini re: “palët” (jo vetëm njëra, por që të dyja)! Kështu thotë gruaja, e cila përfaqëson organizmin në të cilin synon të anëtarësohet Serbia falë këtyre bisedimeve, Bashkimin Evropian, ndërkohë që statusin e kandidatit tashmë e ka fituar (pas “bisedimeve teknike” të Editës dhe Borkos). Serbia, edhe pse shkaktare e luftërave në ish-Jugosllavi, e krimeve dhe gjenocidit, po përkëdhelet nga bashkësia ndërkombëtare. Nuk pati asnjë reagim nga Brukseli ndaj platformës së saj provokative, e cila s’u lë gjë mangut dokumenteve të kohës së Millosheviqit për zgjidhjen e “çështjes së Kosovës”, në mos edhe i tejkalon ato. (Po sikur shqiptarët të kishin dalë me një platformë të ngjashme, një Zot e di si do të ishte pritur?!). E shihni çfarë janë reagimet për varrezat serbe, dëmtimi i të cilave, megjithëse i bërë në afekt dhe nga njerëz të papërgjegjshëm, është një akt vërtet i turpshëm e i papranueshëm, kurse për heqjen e lapidarit, mjerisht, edhe në deklaratën e Stejt-Departamentit thuhej se ka ndodhur diku “në Serbi” e jo në një qytet ku gati qind për qind e popullatës është shqiptare!
Në lidhje me bisedimet, edhe diçka. Ne jetojmë në Ballkan dhe në Ballkan palët që “tregtojnë” (lexo: negociojnë) kurrë s’e tregojnë që në fillim çmimin real, në mënyrë që, gjatë “pazarit”, të arrijnë dikunë mes me idenë se secili ia ka hedhur tjetrit!

“Epoka e re”: Kemi lënë pa ju pyetur për shumë gjëra, të cilat do të mbushnin qindra faqe të librit, por, për fund, çfarë mesazhi keni për dashamirët e librit, për fansat tuaj në Facebook, letrarët e studiuesit e rinj dhe të vjetër?

A. Vinca: Para së gjithash për fansat në Facebook, si thoni Ju, kam jo porosi, por një sqarim dhe falënderim. Sqarimi është ky: unë kam një faqe në Facebook, të cilën nuk e kam hapur vetë e as nuk e administroj unë, por dikush tjetër. Ky është ish-studenti im nga Tetova, botuesi, gazetari dhe veprimtari i palodhshëm, Enver Neziri. Enveri i plason rregullisht shkrimet dhe intervistat e mia në Facebook, për çka e falënderoj përzemërsisht. Por unë shfrytëzoj rastin t’i falënderoj me këtë rast të gjithë “fansat” e mi, të gjithë ata që i pëlqejnë shkrimet dhe paraqitjet e mia publike, që i komentojnë ato, që bëjnë vlerësime e shprehin adhurim e simpati për punën dhe krijimtarinë time, madje edhe ata që nuk pajtohen me mendimin tim e mund të më bëjnë vërejtje, por duke e ruajtur nivelin dhe sensin e komunikimit publik. Falënderoj gjithashtu autorin e portretit që shfaqet në ekran posa ta hapësh faqen, të punuar me aq përkushtim. Është dashur ta bëj këtë më herët, por, siç ju thashë, nuk merrem me facebook-un, një për mungesë të kohës dhe, e dyta, për shkak se unë i takoj brezit që është rritur me makinë shkrimi dhe mjafton që kam arritur ta përvetësoj të shkruarit në kompjuter dhe komunikimin me postë elektronike, alias email.

Intervistoi: Mal Qorraj

VITI 2013 - VIT I KUJTESËS




Agim Vinca

“I kam borxh vitit ’13 që s’ia mbylla plagët”.

Xh. Spahiu, Borxhet e mia



Derisa viti që lamë pas, 2012-a, për shqiptarët ishte, me të drejtë, vit feste, viti në të cilin kemi hyrë, 2013-a, do të duhej të ishte: vit kujtese.
Në ç’kuptim?
Shqipëria, pas një robërie të gjatë gati pesëshekullore, u shpall, më 28 nëntor 1912, “e lirë dhe e mosvarme”, por shqiptarët dhe trojet e tyre, me vendimin e padrejtë të Fuqive të Mëdha, u ndanë në mënyrën më të vrazhdë të mundshme, duke mbetur, më tepër se gjysma e tyre, nën sundimin e shteteve fqinje: Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Kjo padrejtësi e madhe historike: ndarja e një kombi në dysh, që ndodhi njëqind vjet më parë, u shoqërua me krime e masakra të tmerrshme, që ushtruan trupat serbo-malazeze dhe bullgare mbi popullsinë e pafajshme shqiptare.
Është detyrë e shkencës sonë, e historisë dhe e historianëve në radhë të parë, që t’i kujtojnë këto ngjarje, jo për të ngjallur urrejtje mes popujve, por për të njohur të kaluarën dhe për të mos lejuar që ajo të përsëritet, ashtu siç u përsërit në Kosovë në fund të shekullit që lamë pas.
Kur i lexojmë dhe rilexojmë sot dëshmitë e para njëqind vjetëve, shohim se ngjarjet e përgjakshme të fundshekullit XX, ishin, në masë të madhe, reprizë e atyre të fillimit të shekullit dhe se, si të parat, ashtu edhe të dytat, kishin frymëzim e synime politike: pushtimin e territorit nëpërmjet spastrimeve etnike.
Janë të shumta dëshmitë e udhëtarëve, gazetarëve, publicistëve dhe diplomatëve të huaj për krimet që bënë trupat serbe, malazeze dhe bullgare gjatë Luftërave Ballkanike në viset shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë së sotme, por për ta kursyer hapësirën e, besa, edhe ndjenjat e lexuesve, po ndalemi vetëm te disa sosh.
Mikja e shqiptarëve, shtegtarja angleze Miss Edith Durham (1863-1944), e cila ka lënë disa libra me shkrime për Ballkanin, tregon se gjatë tetorit të vitit 1912, kur ndodhej në Mal të Zi dhe kur lufta në Kosovë kishte përfunduar, kërkoi që të vizitonte Prizrenin, por pushteti serb ia ndaloi udhëtimin. “I pyeta malazeztë se përse nuk më lejohej të shkoja atje - dëshmon zonja Durham dhe vazhdon - ndërsa ata qeshnin dhe më thanë: Nuk kemi lënë atje asnjë shqiptar me hundë të paprerë!”.
Dhe, vërtet, zonja Durham, gjatë udhëtimit të saj në viset veriore të Shqipërisë, pati rastin të shihte njerëz “me hundë dhe buzë të prera”, vepër e pushtuesve që mëtonin paturpësisht se po sillnin “civilizimin” në ato vise.
Historiani anglez Noel Malcolm, në librin e tij “Kosova, një histori e shkurtër”, sjell dëshmi të shumta për vrasjet masive të shqiptarëve në vitet 1912-1913, për djegien e fshatrave të tyre dhe krimet e tjera të bëra mbi ta. Edhe pse “shumicës së gazetarëve të huaj iu ndalua hyrja në Kosovë”, thekson Malcolm-i, megjithatë, e vërteta për një pjesë të mizorive të kryera në Kosovë arriti të depërtonte në botë. Një gazetar danez raportonte nga Shkupi se në Prishtinë ishin vrarë 5.000 shqiptarë pas pushtimit të qytetit, për të shtuar se “fushata serbe kishte marrë karakterin e një masakre të tmerrshme mbi popullatën shqiptare”. Disa të dhëna depërtuan në Evropë nëpërmjet Kishës Katolike. Kështu, një prift vendës katolik, sipas gazetës “Daily Telegraph”, informonte për një masakër në Ferizaj, ku komandanti serb u kishte bërë thirrje shqiptarëve që të ktheheshin pa frikë në shtëpitë e tyre dhe kur ata e kishin bërë këtë ishin pushkatuar që të gjithë (rreth 300-400 veta), aq sa në këtë qytet kishin mbetur gjallë vetëm tre shqiptarë myslimanë të moshës 15-vjeçare. Arqipeshkvi katolik i Shkupit, Lazër Mjeda (i vëllai i poetit Ndre Mjeda), në një raport të datës 24 janar 1913 dërguar Vatikanit, shkruante se popullata shqiptare e Gjilanit ishte masakruar, “edhe pse qyteti ishte dorëzuar pa rezistencë”, kurse Gjakova ishte shkretuar krejtësisht. Akoma më keq kishte kaluar qyteti i Prizrenit, që, sipas raportit, ishte shndërruar në një “mbretëri të vdekjes”. Ushtarët serbë trokasin në dyert e shqiptarëve, i marrin burrat dhe i pushkatojnë në vend (numri i të vrarëve arrin në 400), kurse e tërë kjo plojë shoqërohej me grabitje, plaçkitje e dhunime, sepse urdhri i ditë ishte: kundër shqiptarëve lejohet çdo gjë, madje jo vetëm lejohet, por edhe kërkohet dhe urdhërohet. Dhe kulmi i të gjithave: komandanti ushtarak serb, Bozho Jankoviq, urdhëron parinë e qytetit me revole në dorë që t’i dërgonte letër falënderimi kral Petrit për “lirinë” që ua kishte sjellë! (Cituar sipas: Noel Malcolm, Kosova, një histori e shkurtër, “Koha”, Prishtinë 1998, f. 264-265).
Revolucionari i njohur rus, Lav Davidoviç Bronshtajn, i mbiquajtur Trocki (1879-1940), i cili gjatë Luftërave Ballkanike ishte korrespondent i gazetës “Kijevskaja Misl”, ka lënë dëshmi tronditëse për krimet e ushtrisë dhe të paramilitarëve serbë në viset shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni. Në raportin e datës 23 dhjetor 1912, nën titullin “Krimet e shovinizmit dhe të demokracisë”, Trocki shkruan: “Tmerret filluan të duken posa kaluam kufirin. Në orën pesë pas dite, kur iu afruam Kumanovës, dielli kishte filluar të perëndonte dhe të binte terri. Sa më shumë që ngrysej qielli, aq më shumë shndrisnin flakët e zjarrit, që ngjiteshin lart në qiell. Gjithçka rreth nesh digjej. Të gjitha fshatrat shqiptare ishin në flakë…”. Më tutje autori tregon se pamjet e këtilla e kanë ndjekur gjatë gjithë udhëtimit të tij nga Kumanova në Shkup. Në stacionin e trenit në Shkupin e shkretuar, një ushtar i dehur serb, çetnik, me shishen e rakisë në njërën dorë dhe me kamën në tjetrën, luan me shqiptarët e zënë robër si macja me miun, duke u bërtitur: “Ngrihuni!”, “Uluni!” dhe duke i detyruar të pinë raki. Ndërsa një ushtar tjetër, esull, i thotë udhëtarit për njerëzit me të cilët tallej shoku i tij: “Këta janë arnautë. Tash do t’i therin e do t’i bëjnë copa-copa”.
Në pamundësi që t’i shpëtojë ata, por edhe duke mos dashur të shohë me sytë e tij skena të tilla, Trocki vazhdon rrugën, por kur arrin te Ura e Gurit, në qendër të qytetit, i del para “një grumbull kufomash me koka të prera”. Që të gjithë shqiptarë, të vrarë dhe të masakruar nga çetnikët.
Trocki jep detaje tronditëse për krimet serbe mbi shqiptarët, duke raportuar direkt nga vendi i ngjarjes.
”Tre ushtarë kaluan pranë meje. Dëgjova bisedën e tyre. ‘As vetë s’e di sa shqiptarë kam vrarë’, tha njëri nga ata. Por te asnjëri nuk gjeta asgjë të vlefshme. Vetëm kur e thera një bullë (kështu quhen te myslimanët gratë që zbukurojnë nuset), gjeta tek ajo dhjetë lira ari”.
“Një natë në kafene takova një toger, njësia e të cilit ishte stacionuar në Ferizaj. ‘E çka bëni atje, në mes të shqiptarëve?’ - e pyeta. ‘Pjekim zogj dhe vrasim arnautë” - m’u përgjigj. ‘Por jemi lodhur edhe nga kjo’, shtoi duke hapur gojën nga mërzia“.
“Po si mund të silleni kaq brutalisht?” - e pyeta i shokuar nga fjalët e tij. “Nuk e di as vetë. Mësohesh. Në luftë, siç e dini, komanda jep urdhra dhe ju duhet t’i zbatoni”. Kur i thashë se po silleshin si banditë, duke vrarë e plaçkitur njerëz të pafajshëm, togeri u nxeh pak dhe filloi të arsyetohej. “Jo, nuk është ashtu. Ne, ushtria e rregullt, u përmbahemi rregullave… nuk vrasim njerëz nën 12 vjeç! Për paramilitarët nuk mund të garantoj asgjë; ata nuk njohin kufij. Të rekrutuar nga djerraditës, të papunë, keqbërës dhe fundërrina të shoqërisë - ata vrasjet, plaçkitjet dhe dhunën i kanë shndërruar në argëtim”.
Këto pasazhe të llahtarshme për krimet e para njëqind vjetëve, ngjajnë si veja me venë me krimet e viteve 1998-1999 në Kosovë, veçanërisht ato të periudhës së bombardimeve: mars-qershor ‘99. Nuk ka pothuajse kurrfarë dallimi mes tyre. Vetëm koha ndryshon: falë mundësive pakrahasueshëm më të mëdha të komunikimit bota merr vesh për atë që ndodh në Kosovë, kurse Aleanca Veriatlantike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e sodit me indiferencë tragjedinë e një populli të tërë, por ndërmerr diçka për ta mbrojtur atë, qoftë edhe nga ajri, ndryshe nga ç’ndodhte në kohën e Trockit.
“Nuk isha në gjendje ta duroja këtë atmosferë; nuk e kam lukthin aq të fortë. Interesi politik, entuziazmi dhe kërshëria morale - të gjitha u zhdukën. Sërish u gjenda në tren, në vagonin e bagëtisë… Të iki nga ky vend, të largohem sa më parë dhe sa më larg!” - shkruan Trocki në “Kijevskaja Misl”, në artikullin e datës 23 dhjetor 1912, i cili, tok me shkrimet e tjera të tij nga gadishulli i quajtur ndryshe “fuçi baruti”, janë përfshirë në vëllimin e gjashtë të veprave të tij të zgjedhura.
Afërsisht në të njëjtën kohë, një diplomat i huaj, ambasador i një shteti perëndimor, harton një raport të hollësishëm për mizoritë e ushtrisë serbe në krahinën e Dibrës, gjatë operacionit për shtypjen e kryengritjes antiserbe të vitit 1913, kur kryengritësit shqiptarë të Dibrës, Strugës, Ohrit arritën t’i dëbonin trupat serbe deri në malet e Manastirit. Ky raport, i botuar në gazetën italiane “Corriere delle Puglie” të datës 21 dhjetor 1913 dhe në gazetën “Përlindja shqiptare” të Qeverisë së Vlorës në janar 1914, është një dokument i një rëndësie të veçantë.
Rrallë ndonjëherë mund të gjendet një material me të dhëna aq të sakta e të hollësishme jo vetëm për vrasjet dhe masakrimin e njerëzve, por edhe për grabitjen e pronës dhe të pasurisë.
Në raportin në fjalë flitet me emra e shifra jo vetëm për qytetin e Dibrës dhe të Peshkopisë, por edhe për secilin fshat veç e veç (rreth 80 vendbanime gjithsej), aq sa mund të thuhet lirisht se ai do të mund të shërbente si model për raportet e ngjashme të shoqatave që merren me të drejtat e njeriut përkitazi me krimet e bëra në luftërat e fundit në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe Kosovën.
“Në Klos - Bandat serbe duke u futur bajonetën masakruan: Ahmet Aliun me të vëllanë e tij, Nezir Sulejmanin dhe Mehmet Salihun. Fshati u dogj krejtësisht.
Në qytetin e Dibrës - prefekti dhe komandanti i garnizonit arrestuan 18 vetë nga paria (para shpërthimit të kryengritjes), nga të cilët u pushkatuan pa gjyq: Ramiz Karamfili, Sheh Hyseini, Numan Hasani dhe Safit Beu. Kur u kthyen serbët e plaçkitën tërë qytetin dhe morën me vete një plaçkë, e cila kapërcente vlerën prej një milion lirash turke. Veç kësaj ata dogjën mjaft shtëpi dhe sidomos atë të Ali Beut, Rakip Atibit dhe Kurtish Agait, duke masakruar gjithashtu me një egërsi të padëgjuar shumë njerëz që kishin qëndruar në shtëpitë e tyre dhe nuk kishin marrë pjesë në kryengritje. Midis të masakruarve duhen shënuar: Kurtish Aga, Behxhet Efendiu, Haxhi Syrja Efendiu, Reshit Efendi Kusari dhe Sadullah Strazimiri. Tani qyteti i Dibrës është pothuajse i shkretë, banorët janë tërhequr në male, kurse brenda në qytet nuk kanë mbetur më shumë se 200 a 300 veta meshkuj dhe femra.
Në Homesh - Nga 150 shtëpi të fshatit kanë mbetur vetëm tri. Të gjitha të tjerat u dogjën pasi më parë u plaçkitën. Pas shtypjes serbët masakruan: Musa Ismailin, Shemshedin Bajramin dhe Halil Sulejmanin, të cilët ishin kthyer në fshat pas amnistisë. Nga gjëja e gjallë e fshatit morën me vete 1000 dele, 150 qe dhe 50 kuaj, kurse radhën e dytë 50 dele, 9 qe dhe 9 kuaj.
Në Zogaj - Fshati qe plaçkitur krejtësisht, orenditë, zahiretë dhe të gjithë gjënë e gjallë e morën me vete, 124 shtëpi u dogjën. Ndërsa flakët po përhapeshin në mënyrë të frikshme u hodhën në flakë, madje të gjallë: një grua me emrin Rihane, dy fëmijë Fazilea dhe Myslimea, si dhe një fëmijë 7 vjeç i quajtur Bajram. Trupat e tyre u kthyen në hi. Pastaj u masakruan: Haxhi Myslimi, Neziz Hazizi, Halil Numani dhe Zenel Hasani. Kur u kthyen herën e dytë serbët masakruan: Mustafa Myslimin, Haziz Jusufin, Adem Shabanin dhe Edin Nurkën. Rrëmbyen 7 lopë dhe 6 dele.
Në Bllatë - Fshati u plaçkit dhe më pas u dogj krejtësisht. Banorët u masakruan të gjithë pa dallim moshe dhe seksi. Qe një masakër e vërtetë që na pengoi të bënim një listë të plotë të viktimave. Veç kësaj serbët kapën dhe rrëmbyen 250 dhen, 37 lopë dhe 28 kuaj”.
(Cituar sipas librit “Historia e Dibrës” të historianit Kristo Frashëri, botim i vitit 2012, vepër në të cilën është botuar i plotë raporti i diplomatit të huaj, i cili i ka mbledhur personalisht të gjitha të dhënat, duke vizituar një për një vendet e masakrave në terren).
Njësoj vepron autori i raportit në fjalë edhe me shtatëdhjetë e sa vendbanime të tjera dibrane, duke regjistruar me emër e mbiemër të vrarët dhe të masakruarit, burra, gra e fëmijë; duke dhënë numrin e saktë të shtëpive të djegura dhe të bagëtive të grabitura: kuaj, qe, lopë, dhen, sepse atëbotë nuk kishte vetura, kamionë, traktorë, televizorë, frigoriferë dhe mjete të tjera teknike si ato që u grabitën nga policët dhe paramilitarët serbë në ’99-n, pa harruar as paratë e gatshme, kryesisht marka gjermane, shuma e të cilave, po qe se do të bëhej një llogari qoftë edhe e përafërt, do të arrinte shifra marramendëse.
Është për të ardhur keq, por ne nuk kemi as sot, tre-katërmbëdhjetë vjet pas mbarimit të luftës, një evidencë kaq të saktë, me shifra e fakte konkrete, për vrasjet dhe plaçkitjet që u bënë në Kosovë, në secilin cep të saj, në vitet 1998-1999 dhe veçanërisht gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s (24 mars-12 qershor 1999) nga policia, ushtria dhe formacionet paraushtarake serbe.
Me të drejtë flasim për gjenocid a tentim gjenocidi, por pa e kompletuar dosjen e krimit, kryesisht për shkak të ngathtësisë dhe indolencës sonë të njohur. Madje edhe kur ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave (Serbe), i dënuar nga Gjykata e Hagës, pranon fajësinë për krimet e bëra në Kosovë: vrasjet masive, deportimin e popullatës, djegien e pronës, zyrtarët tanë heshtin; thua se ngurrojnë ta shfrytëzojnë këtë argument kaq të rëndësishëm në bisedimet me palën serbe, ta nxjerrin troç në tavolinë, duke kërkuar nga kreu shtetëror serb, presidenti dhe kryeministri aktual, që të ndjekin rrugën e gjeneralit Ojdaniq, i cili, sikurse edhe ata vetë (Nikoliqi e Daçiqi), ishte në shërbim të regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit.
Dëshmitë e Trockit, të zonjës Durham dhe të diplomatit italian (?) të cituara më lart, të cilat nuk mund të lexohen me gjakftohtësi, paraqesin vetëm majën e aisbergut të mizorive serbe mbi popullatën shqiptare në vitet 1912-1913, dëbimi dhe shfarosja e së cilës ishte program dhe strategji e të gjitha regjimeve të shtetit serb - nga Karagjorgjeviqët e Pashiqi e gjer tek Rankoviqi e Millosheviqi.
Në Konferencën e Londrës (1912/13), ku u caktuan kufijtë e shtetit shqiptar, qyteti i Dibrës dhe Gjakovës ishin koncesionet e fundit që iu bënë monarkive të shteteve fqinje, që kishin pushtuar me forcën e armëve viset shqiptare gjatë Luftërave Ballkanike.
Ja ç’thotë lidhur me këtë çështje - për marrjen e Dibrës dhe shuarjen me gjak të kryengritjes së ’13-s, socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq: “Kryengritja e shqiptarëve në muajin shtator, për shkak të së cilës Serbia u detyrua të mobilizonte afër tri divizione, është një shembull klasik që tregon se si mund të shkaktohen luftërat koloniale. Nga lindja, okupimi i ushtrisë serbe shtrihej deri në grykat e maleve… Ajo e ndau bujkun prej arës, bagëtinë prej kullotës, blerësin dhe shitësin nga tregu, rrethin prej qytetit dhe tërë viset malore prej qendrës së tyre ekonomike dhe hambarët e ushqimit”. (Cituar sipas Xhafer Martinit, Optika e Schmitt-it për Skënderbeun, Tiranë 2009, f. 23).
Ndarja e kombit shqiptar dhe e trojeve të tij njëqind vjet më parë u la në gjak. Ky është një fakt, që s’mund e s’bën të heshtet, e aq më pak të mohohet. Historia është mësuese e jetës. Kur i shërben të vërtetës e jo koniunkturës!
Ja përse viti 2013 duhet të jetë vit i ndriçimit të së vërtetës historike të para një shekulli, por edhe më parë e më pas, në funksion të lirisë dhe paqes e jo të urrejtjes dhe hakmarrjes. Le të na lejohet, pra, të propozojmë që ky vit të shpallet - në nivel kombëtar (dhe jo vetëm) - Vit i Kujtesës.
Dhe jo për të nxitur ndjenjën e revanshit ndaj fqinjëve tanë, tek të cilët, fatkeqësisht, siç tregojnë edhe ngjarjet e kohëve të fundit (heqja e lapidarit në Preshevë; intervista luftënxitëse e kreut të partisë naziste greke “Agimi i Artë”, deputet në parlamentin grek; sulmet e paradokohshme ndaj të rinjve shqiptarë në Shkup etj.), nuk është fashitur ende urrejtja dhe mosdurimi ndaj shqiptarëve si komb, por për të nxjerrë mësim nga e kaluara.
Sepse, siç thoshte filozofi amerikan me origjinë spanjolle, Santayana (George Santayana, 1863-1952): “Kush e harron të kaluarën është i dënuar ta përsërisë atë”.
Email This
BlogThis!
Share to Twitter
Share to Facebook

Labels: Agim Vinca


Newer Post Older Post Home
GOOGLE+ FOLLOWERS


MË TË LEXUARAT

Xha Gorio “Analiza” sociale e Francës së shekullit të 19-të
PëRKTHEU: LORENA KOLLOBANI Honoré de Balzak ka analizuar në mënyrën më të qartë jetën sociale dhe ndryshimet klasore të Francës së shekullit...

Në “digën” katolike!
Ka dalë nga shtypi me leje të etërve françeskanë një nga botimet e rëndësishme të albanologut kroat, Milan Shuflaj “Situata të Kishës në S...

Gallatë shkrimtarësh të famshëm
Nga Kostaq Xoxa Shumë autorë kanë humbur një pjesë të kohës për t’u marrë me tuhafllëqet e shkrimtarëve italianë e francezë. Pë...

‘Stambolli’ i shkrimtarit Orhan Pamuk dhe vendlindjet ku duket se prej nuk ndodh asgjë
Arian Leka Katër vjet më parë, teksa lexoja romanin “Unë jam e kuqja”, m’u krijua bindja se kisha njohur jo vetëm personazhet, por edhe auto...

Kujtimet e komunistes së radhëve të para dhe të persekutuarës Selfixhe Ciu Broja: Si u vra Qemal Stafa dhe dy internimet në diktaturë
Kopertina e librit “Tallazet e jetës” Një vajzë që e kishte dashur aq shumë lirinë, saqë poezitë e tregimet preferonte t’i nënshk...

Elegji për Simon Bejto Alia *

Nga Përparim Hysi


Dita e gushtit nëndhjetë e shtatë
Nuk qe ditë, por qe si natë.


Ditënatë, porsi mandatë
Ah, o çast! se ç'i zi fat !


O Simon ! O Zëmërartë!
Pse të mori, Zoti lart?!!!


O Simon Bejto Alia
O Simon Bukuria!


Sa e madhe lebetia
Të qan gruaja dhe fëmija.


Nënë Zenepja qanë me ligje
O Simon, pse më le qyqe?

Lebetitet dhe Janulla
O Simon! Ah, ç'dhëndërr humba !


Qan Juliani ! Qan Jurilda! **
Mu si qyqe qan Edlira ! ***


O Simon, po thomë një fjalë
Si do rrojë pa ty gjallë?!!!


Miq e shokë kudo që jini
Po flet Muço Velgjini! ****

O Simon, prehu i qetë
Për fëmijtë kujdesem vet.


Të kesh dhëndërr, më je djalë
Nga ta s'ndahem, sa jam gjallë.


Qëkur ike, kanë shkuar vjete
Gjallë ke qenë e gjallë mbete.


Jo. Nga ne s'largohet gjëma
O Simon! S'të harron nëna.


Ca më shumë s'të harron Edlira
As Juliani. As Jurilda!


Të kujton Muço Velgjini
Se për të ke qenë, si biri.


Dhe Janulla i rri krah
Të kujton dhe zë bën "ah!".


Ah, Simon, bën kush të njohu
Se i madh qe për ty, "ohu!".


Qe bujar që s'kishe shok
Ndaj për ty, zëmra copë!


O Simon Bukuria
Gjallë je tek shoqëria!

Qan Koçiu dhe po qan Gjoni
Se na la "jetim" Simoni.


Qe vëlla, përmbi vëlla
Sikur na mungon një krah.


Vëlla, të prisje litarin
Ndaj për ty s'e humbim mallin.


Pa Simonin, jeta hidhur
S'ka behar, por vetëm dimër.


Sa bën Simoni tek varri
Aq lot derdhur ka Behari.


E kish nip, e bëri djalë
Ndaj Beharit lotët valë.


Ku harroj ç'bëri Simoni
Edhe qan si zog gjoni.


Shoh një çupë që e mbulloi helmi
Çupë po çupë, doravet Meri !


Është Meri aliaz Merita
Lotët bien si shi me pika.


Se xhaxhai qe i tillë
Kish një shpirt të mbushur prill.


Pse i bukur qe nga shpirti
Ndaj dhe rroi, sa rrojti Krishti ! *****


Qe i tillë, pa s'të harrojmë
Sa të jemi gjallë do të kujtojmë.






* Simon Bejto Alia- ka humbur jetën aksindetalisht më 28 gusht 1997

** Fëmijtë e tij

*** gruaja

**** vjerri që është kujdesur për pasardhësit e të ndjerit.

****** Vëllezërit
****** Krishti rroi 33 vjeç


21 maj 2013

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...