2013-05-21

ANALIZË ESTETIKE E LAHUTËS SË MALCIS TË GJERGJ FISHTËS


Xhelal Zejneli


Ka të tillë që Fishtën e kanë cilësuar si figurën më të madhe dhe më të fuqishme të letërsisë shqiptare (shqipe) të gjysmës së parë të shekullit XX. Studiuesit si Eqrem Çabej, Benedikt Dema, Françesko Ercole, Maksimilian Lamberci, Zef Skiroi, Ernest Koliqi, Georg Shtadmyleri, Zef V. Nekaj, Xhuzepe Gradilone, Ignjac Zamputi, Tonin Çobani, Aurel Plasari etj. janë marrë me krijimtarinë letrare të Gjergj Fishtës në periudha të ndryshme: para Luftës së Dytë Botërore, pjesërisht gjatë luftës, pas luftës, d.m.th. në vitet 1945-91, si dhe në periudhën e pluralizmit politik. Siç dihet, në vitet 1945-90, krijimtaria letrare e Fishtës në Shqipërinë moniste nuk ka qenë lëndë studimi e kritikës letrare shqiptare. Në periudhën në fjalë, vepra e Fishtës është studiuar në mënyrë të njëanshme dhe me kritere jashtëletrare dhe joartistike.
Me krijimtarinë e Fishtës janë marrë studiues shqiptarë, por edhe studiues të huaj, sidomos italianë, austriakë dhe gjermanë. Sipas studiuesve të sipërthënë të veprës fishtiane, Fishta, më shumë se cilido krijues tjetër, i ka dhënë shprehje artistike shpirtit kërkues të shtetit të ri sovran shqiptar. I dëgjuar e i ngritur lartë deri në vitin 1941 si “poet kombëtar i Shqipërisë” dhe si “Homeri shqiptar”, pas vitit 1945 Fishta menjëherë ra në harresë. Edhe vetëm përmendja e emrit të tij, ishte një tabu për shqiptarët, që zgjati pothuajse gjysmë shekulli. Në periudhën para Luftës së Dytë Botërore, Fishta cilësohej si zëri i kombit.
Ka studiues që kanë pyetur: a mund ta mbajë epitetin poet kombëtar edhe gjysmëshekulli më vonë?

SHËNIME PËR JETËN – Lindi më 23 tetor 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës ku dhe u pagëzua nga misionari françeskan dhe poeti Leonardo de Martine (1830-1923)[1]. Ndoqi shkollat françeskane në Troshan dhe në Shkodër ku, që fëmijë, u ndikua nga de Martino dhe nga misionari boshnjak Lovro Mihaçeviq, i cili ia ushqeu këtij djaloshi të zgjuar dashurinë për letërsi dhe për gjuhën amtare. Më 1886, kur ishte 15 vjeç Fishta u dërgua nga françeskanët në Bosnjë për t’u bërë prift. Në seminaret dhe në institutet françeskane në Sutjeskë, në Livno dhe në Kreshevë Gjergji studioi teologji, filozofi dhe gjuhë të huaja, sidomos latinishten, italishten dhe serbo-kroatishten. Ai përgatitej për karrierë ekleziastikedhe letrare. Gjatë qëndrimit në Bosnjë ra në kontakt me shkrimtarin boshnjak Gërga Martiq(1822-1905) dhe me poetin kroat Silvie Strahimir Kranjçeviq (1865-1908) të cilët ia zgjuan talentin letrar. Më 1894 Fishta u shugurua prift dhe u pranua në urdhrin françeskan. Me t’u kthyer në Shqipëri në shkurt të atij viti, filloi punën si mësues në kolegjin françeskan në Troshan e më pas si famullitar në fshatin Gomsiqe. Më 1899 bashkëpunoi me Preng Doçin (1846-1917), i cili ishte abat me influencë në Mirditë; me prozatorin dhe priftin domNdoc Nikaj (1864-1951) dhe me folkloristin Pashko Bardhi (1870-1948) për të themeluar shoqërinë letrare Bashkimi të Shkodrës, e cila i hyri punës për ta zgjidhur çështjen shqetësuese të alfabetit të shqipes. Në këtë kohë Fishta ishte bërë figurë udhëheqëse e jetës kulturore dhe publike në Shqipërinë e veriut e sidomos në Shkodër. Më 1902 Fishta u emërua drejtor i shkollës françeskane në qarkun e Shkodrës, ku zëvendësoi italishten me shqipen, për herë të parë si gjuhë në shkollë. Më 14-22 nëntor 1908 mori pjesë nëKongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë letrare Bashkimi. Ky kongres ku morën pjesë delegatë nga Shqipëria dhe jashtë saj, vendosi përfundimisht alfabetin e gjuhës shqipe, çështje kjo e studiuar hollësisht nga Fishta. Ai u zgjodh nga kongresi për të kryesuar komisionin prej 11 delegatësh që do të përcaktonte variantin më të mirë të alfabeteve të propozuara. Në tetor 1913 Fishta themeloi të përmuajshmen françeskane Hylli i Dritës, e cila iu kushtua letërsisë, politikës, folklorit dhe historisë. Me përjashtim të viteve të Luftës së Parë Botërore, të viteve 1915-1920 si dhe të viteve 1925-1929, kjo revistë me ndikim dhe me nivel të lartë letrar doli rregullisht deri në korrik 1944. Nga 5 dhjetori 1916 deri në nëntor 1918 Fishta botoi gazetën e Shkodrës Posta e Shqypniës, gazetë politike dhe kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadrin e kultus protektorat-it. Po më 1916, së bashku me Luigj Gurakuqin (1879-1925), me Ndre Mjedën (1866-1937) dhe meMati Logorecin (1867-1941), Fishta luajti një rol udhëheqës në Komisinë Letrare Shqype, të ngritur prej Austro-Hungarezëve me sugjerimin e konsullit të përgjithshëm August Ritter von Kral (1859-1918), për të vendosur lidhur me përdorimin zyrtar të drejtshkrimit si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Pas disa diskutimeve, Komisia vendosi që të përdorej dialekti qendror i Elbasanit si një kompromis asnjëjës për gjuhën letrare. Fishta shpresonte se koinea shqiptare e veriut do të shërbente si normë letrare për gjithë vendin, ashtu siç kishte shërbyer gjuha e Dantes si udhërrëfyese për italishten letrare. Gjatë gjithë këtyre viteve Fishta vazhdoi të japë mësim dhe nga viti 1921 të drejtojë shkollën françeskane në Shkodër, me emrin Collegium illyricum (Kolegji ilirian), i cili ishte bërë institucioni kryesor arsimor në Shqipërinë e veriut. Tani ai ishte edhe një figurë me autoritet në letërsinë shqiptare.
Në gusht 1919 Fishta qe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris (1919) dhe në këtë cilësi, iu kërkua nga kryetari i delegacionit – Imzot Luigj Bumçi (1872-1945) të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në SHBA për t’u kujdesur për interesat e shtetit të ri shqiptar. Atje Fishta e vizitoi Bostonin, Nju-Jorkun dhe Uashingtonin. Më 1921 përfaqësoi Shkodrën nëparlamentin e Shqipërisë dhe në gusht të atij viti u zgjodh zëvendëskryetar i tij. Talenti në gojëtari e ngriti në detyrat e tij si personalitet politik apo si klerik. Në vitet më pas mori pjesë në konferencat ballkanike në Athinë (1930), në Sofje (1931) dhe në Bukuresht (1932) para se të tërhiqej nga jeta publike për t’ia kushtuar vitet e mbetura urdhrit françeskan dhe shkrimeve të veta. Nga viti 1935 deri më 1938 mbajti funksionin e provincialit të të gjithë françeskanëve shqiptarë. Këto vite, më të frytshmet e jetës së tij, i kaloi i veçuar në qetësinë e kuvendit françeskan të Gjuhadolit në Shkodër, në hajatin, në kishën dhe në kopshtin e tij plot trëndafila, ku Fishta merrej me krijimtarinë e vet letrare. Si poet kombëtar i brezit të tij, është nderuar me diploma, me çmime dhe tituj të ndryshëm, brenda e jashtë vendit. Më 1911 Austro-Hungarezët ia dhanë Ritterkreuz-in. Më 1925, Papa Piu XI e dekoroi me çmimin Al Merito. Qeveria greke ia dha medaljen prestigjioze Feniks. Urdhri françeskan e nderoi me titullin Lector jubilatus honoris causae, ndërsa më 1939 u bë anëtar i rregullt i Akademisë Italiane të Shkencave dhe të Arteve. Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940. U varros në oborrin e kishës së Gjuhadolit.

Nekrologun e varrimit e mbajti veprimtari i Rilindjes Kombëtare dhe personaliteti i arsimit Aleksander Xhuvani (1880-1961) dhe me atë rast Gjergj Fishtën e krahasoi me poetin antik Tirteun.[2]


Zotnij të ndershëm

            Si vetëtimë u-perhap an’e kand të Shqipnisë lajmi i idhët i vdekjes së poetit t’onë kombëtar At Fishtës dhe e mahnitun mbetet sot mbarë bota shqiptare, tue kujtue emnin zâmadh t’auktorit të Lahutës së Malcisë, që ka këndue, si dikur Omeri, burrnin’e besën e fisit t’onë, që ka ndezë zemrat e Shqiptarëvet, si dikur Tirteu i vjetërsisë.             E me të drejtë i kanë thanë Fishtës Tirteu i Shqipnisë, se sikurse ai me elegjit’ e tij ndezi zemrat e Spartanëvet për luftë, njashtû edhe epopeja e Lahutës, odet edhe elegjit’e Mrrizit të Zanavet e të poezivet të tjera kanë mbjellë në zemër të djelmnisë s’onë dashunin e pamasë për truellin e të parëvet dhe për gjuhën amtare.             Nji këto dy ideale, atdhedashtënija dhe ruejtja e gjuhës si dritën e synit, lavrimi e përparimi i saj kanë qenë polat, rreth së cilëvet shtrihej gjithë vepra e çmueshme e Fishtës. E s’ka kush tjetër veç neve arsimtarëvet që kemi pasë e kemi ndëpër duer edhe ua kemi mësue nxanësvet poezit’e tij, që e çmon mâ mirë veprën zâmadhe të Fishtës, e cila si nji far i math dritëdhanës ka ndriçue mendjen e djelmënisë s’onë, si nji Ungjill shkëndimath morali ka zbutë e ka edukue zemrën e saj.             Nuk ka qenë pra Fishta për ne vetëm nji poet kombëtar epik, lirik, dramatik e satirik, por edhe nji edukator i rinisë s’onë. Nuk kanë mësue e shijue nxanësit e shkollavet t’ona vetëm artin e tij poetik, bukurin’e harmonin’e vargut, rrjedhshmnin’e dlirsin’e stilit e të gjuhës së tij, që âsht nji thesar i pashterun frazeologjije e leksikologjije të kulluet, por kanë thithë prej veprës së tij, si nji nektar të hyjnueshëm të bletës attike, idealet mâ të nalta të njerëzimit: urtinë, burrninë, besën, drejtësinë e dashuninë për të mirën, të bukurit, të drejtën e të vërtetën.             Nuk jam unë, o burra, i premë sot që të mund të thuri imne për veprën lavdimadhe të At Fishtës. Âsht historija që ka për të zbukurue faqet e saj me emnin zâmath të tij; âsht letërsija e jonë që do të mburret për veprat e tij grat-plota e të pavdekshëme; janë             Zanat e malevet t’ona, që ai ua përcillte vallet me lahutën e tij, që kanë me këndue me katrime kumbim-randa deri te froni i Empirit, veprën e kangatorit zâ-ambël të tyne; âsht djelmënija shqiptare që ka për t’u-ushqye e për t’u-vaditë me manën hyjnore të tij; së mramit âsht Shqipnija mbarë, Gegë e Toskë, malsi e qyteta, që do të kujtojnë, deri sa të ndrisë e diellit rrota, emnin e njenit prej bijvet të mëdhej të saj, që e deshi, e lavdoi dhe e nderoi për gjithë jetën.             Na të gjithë lavdimtarë të veprës së tij, shokë e nxanës të tij, të pikëlluem e të mallëngjyem thellë, kah kujtojmë veprat e tij, fjalët e ambëla e plot atdhedashtëni e këshillat e tij, le t’i lutemi Fuqimadhit Perëndi, që t’i caktojë pranë fronit nji vend të meritueshëm, si në kët dhe, prej kah të vijojë me i lutë për lumnin e Shqipnisë.

Shkodër 31 dhjetor 1940


Pushtetarët e pasluftës, nën akuzën proitalian, i nxorën eshtrat e poetit nga varri dhe urdhëruan hedhjen e tyre në lumin Drin.

Lidhur me “fatin” e eshtrave të poetit, është botuar një shkrim në Gazetën Shqiptare, datë 10 prill 2008 që jepet në vazhdim:

Në Kishën e Fretënve Françeskanë zotëron heshtja këtë mesditë. S‘ka kurrfarë lëvizje. Asnjë pipëtime. Zëri ynë kumbon. Hapësira e sallës së madhe plotësohet veç prej stolave të drunjtë, të cilat në kohë meshe me siguri janë të mbushur plot me besimtarë. Është mbresëlënëse arkitektura e kësaj ndërtese. At Vitori, na shoqëron për tek ai vend që shumë kush sot e quan varri simbolik i At Gjergj Fishtës. Ecim drejt tij dhe ndeshim një kryq në mur, një flamur i kuq përbri tij dhe dy pllaka të errëta mermeri në dysheme. “Ky është vorri i Fishtës, – thotë At Vitori, ndërsa na rrëfen historinë e ndërtimit të tij. Historia është e njohur për shumëkënd. Në vitin 1995, aty në atë cep të kishës janë kryer gërmime. Të gjithë e dinin se aty ishte varrosur Fishta, varri i të cilit në vitin 1967 u hap, dhe prej andej u nxorën eshtrat e poetit të madh.        Kjo ngjarje përkonte me kthimin e kishës në kinema për qytetin e Shkodrës, dhe në përgjithësi me sulmet e ashpra ndaj çdo subjekti të klerit katolik. Ai që i kishte zhvarrosur eshtrat e poetit në 1967 nuk kishte menduar ta pastronte deri në detajet më të imta varrin. Pjesë të vogla eshtrash dhe dëshmi të tjera kishin mbetur në vend. Në vitin 1995 aty u kryen gërmime, ku u gjendën disa eshtra të poetit. Dëshmi që i kishin rezistuar kohës, janë ende aty poshtë njërës prej pllakave të errëta prej mermeri. Pjesa tjetër e eshtrave? Ajo pjesë e historisë është e zotëruar prej hipotezave. Dje në Gazetë botuam një letër të hapur të studiuesit shkodran, Fritz Radovani, i cili dëshmon mbi një amanet që i kishte lënë në vitin 1980 ish-roja i varrezës së Rëmajt, i quajtur Gjon Gjergji. Në dëshminë e tij, Radovani tregon se si ish-drejtori i Ndërmarrjes që merrej me riparimin e Kinema “Punëtori” (ish-Kisha e Fretenve), i Ndjeri Shyqyri Rrjolli, i kishte shkruar në shtëpi Gjon Gjergjit një pasdite rreth orës 15:00 dhe pasi e kishte marrë në makinën e tij, ishin drejtuar kah varreza e Rëmajt. Atje, në afërsi të varrit të Motrave Stigmatine, fare branë murit të varrezës pranë një selvie, kishin hapur një gropë të thellë rreth 50-60 cm dhe kishin futur brenda një thes çimentoje me eshtrat e Fishtës. Shyqyri Rrjolli sipas gjasave e kishte kryer këtë veprim në kundërshtim me urdhrin që i kishin dhënë. Ish-roja i varrezës ia ka treguar këtë sekret Fritz Radovanit në vitin 1980, duke iu lutur ta mbante të fshehtë deri kur të vinte momenti i duhur për ta publikuar. Dje, kjo dëshmia e publicistit Radovani u publikua në faqet e “Gazetës Shqiptare”. Ishte pikërisht kjo histori që na solli në Shkodër. Jemi fillimisht këtu, në Kishën e Fretënve Françeskanë, sepse këtu nis historia. Nga biblioteka e Françeskanëve kemi marrë procesverbalin e gërmimeve të vitit 1995, ku jepet me hollësi se ç‘pjesë të eshtrave kishin mbetur në varrin e Fishtës. Pjesa tjetër, e marrë që aty, nëse nuk janë hedhur në lumin Drin, sikurse është besuar deri më sot, duhet të jetë diku në Shkodër.

Sot, një shenjë varri e Fishtës ndodhet në kishën e Fretënve.

KRIJIMTARIA LETRARE  - Fishta është poet, dramaturg, prozator, estet, publicist, klerik i lartë, politikan. Është autor i gjithsej 37 botimeve letrare, por emri i tij është i lidhur në mënyrë të pashlyeshme me një vepër të vetme, madje me një nga krijimet më mahnitëse – siç thonë disa studiues – në mbarë historinë e letërsisë shqiptare, me poemën epike historikeLahuta e malcís, Shkodër 1937.
Vepra e Fishtës në letërsinë dhe në kulturën shqiptare është e shumanshme. Në fushën e letërsisë, ku punoi dyzet vjet, krijoi një vepër të madhe në të gjitha gjinitë. MeLahutën e malcis, për të cilën u pagëzua “epiku më i madh i shekullit”, e ndërtoi epin shqiptar të shekullit XX.  
Edhe pse Fishta përmendet kryesisht si poet epik, arritjet e tij si poet lirik e satiriknuk janë më pak të rëndësishme se ato në gjini të tjera. Shumë studiues e vlerësojnë më lart poezinë e tij lirike.
Botimi i parë i Fishtës me poezi lirike, Vjersha të përshpirtshme të kthyeme në shqip,Shkodër 1906, përmbledh krijime me frymëzim katolik. Aty gjejmë përkthime poetësh italianë si Pjetro Metastazio-n (Metastasio, 1698-1782) nga Roma; romancierin e poetin romantik Alesandro Manxoni (Manzoni, 1785-1873) nga Milano; atdhetarin Silvio Peliko(Pelico, 1769-1845) nga Torino; lirikun dhe historianin e letërsisë Xhakomo Xanela (Zanella, 1820-1888) nga Viçenca etj.
Përmbledhja e parë e Fishtës me lirika origjinale u botua me titullin Pika voëset, Zarë 1909, kushtuar Luigj Gurakuqit (1879-1925).

Në librat me lirikaMrizi i zanave dhe Vallja e Parizit paraqiti botën e tij shpirtërore që ushqehej nga dashuria dhe dhimbja për atdheun.
Mrizi i zanave, Shkodër 1913, përfshin edhe disa poezi fetare nga Pika voëset. Fryma e përgjithshme që e përshkon këtë përmbledhje është më fort kombëtare se fetare. Karakteri patriotik i saj bie në sy edhe më fort në botimet e tjera të zgjeruara të viteve 1924, 1925 dhe në botimin post mortem më 1941. Poezitë si Shqypnija, Gjuha shqype, Atdheu, Shqypnija e lirë dhe Hymni i flamurit kombtar shprehin krenarinë e poetit për pavarësinë e atdheut.
Në këtë vëllim janë përfshirë edhe melodrama alegorike Shqyptari i gjytetnuem dhe vazhdimi i saj Shqiptarja e gjytetnueme.
            Krahas poezisë me tema atdhetare të përqendruar në vëllimin e mësipërm, poezinë e vet me tema fetare Fishta e përmblodhi në vëllimin me 235 faqe Vallja e Parrizit, Shkodër 1925. Poezia e kësaj përmbledhjeje, ndër to vjershat si Të kryqzuesmitTë zanun e pafaj të Virgjërës Mri, Nuntsiata dhe Sh Françesku i Asizit, përbëjnë një kulm në letërsinë katolike në Shqipëri.
Fishta ishte edhe mjeshtër i poezisë satirike. I qortoi cenet e sjelljes dhe plogështinë intelektuale të bashkëvendësve. Ai nuk e kishte ironinë dashamirëse e këshilluese të Çajupit, por satirën therëse e djegëse, një ekuivalent ky në poezi i prozës satirike therëse të Faik Konicës. Fishta kishte botuar vjersha satirike në revistën Albania të Konicës me pseudonimin Castigat ridendo (qorton duke qeshur).
            Më 1907, ai e botoi pa e vënë emrin e vet, përmbledhjen satirike me 67 faqe Anxat e Parnasit, Sarajevë 1907, e cila i hodhi themelet e satirës si gjini poetike në letërsinë shqiptare, e që nga disa kritikë konsiderohet si vepra më e mirë poetike e tij.
Me veprat satirike Anzat e Parnasit dhe Gomari i Babatasit Fishta u bë satiriku më i njohur i letërsisë shqiptare.
            Anxat e Parnasit, e shkruar më pas Anzat e Parnasit me shumë shprehje therëse, por të bukura, u ribotua më 1927, 1928, 1942 dhe 1990. Kjo përmbledhje satirike i solli poetit shumë miq e armiq.
Gomari i Babatasit është një tjetër vëllim satiriko-humoristik, i botuar me pseudonimin Gegë-Toska, në kohën kur Fishta qe anëtar i Parlamentit të Shqipërisë. Në këtë vepër që fitoi popullaritet të madh në kohën e vet, autori godet atdhetarët e rremë dhe dembelët.

Përveç melodramave të përmendura më sipër, Fishta është autor edhe i disa veprave të tjera për teatër, ndër to edhe përshtatje nga një varg klasikësh të huaj, p.sh. I ligu për mend, Shkodër 1931, komedi në tre akte e Molierit dhe Ifigenia n’Aulli, Shkodër 1931 eEuripidit.

KRIJIMET DRAMATIKE - Ndër veprat e tjera dramatike që hartoi apo përshtati janë edhe disa pjesë të shkurtra me tema fetareBarit e Betlêmìt, pjesë me tre akte për krishtlindjen, Sh’ Françesku i Asisit, Shkodër 1912, tragjedia Juda Makabé, Shkodër 1923, Sh’ Luigji Gomzaga,Shkodër 1927 dhe Jerina, ase mbretnesha e luleve, Shkodër 1941.

Fishta ka shkruar ese dhe studime për çështje të kulturës autentike shqiptare dhe për problemet estetike të artit. Në shkrimin Parathënia e Kanunit të Lek Dukagjinit, bën një tipologji të kulturës shqiptare në gjirin e kulturave të tjera botërore.
Fishta shkroi një tip të veçantë proze, në fillim udhëpërshkruese e më vonë një shkrim dëshmues dhe komentues – eseistikLot gjakuNjë udhëtim nëpër Shqipëri të re.
Me veprën e tij, himnizonte shqiptarin e përjetshëm duke kritikuar shqiptarin e përditshëm.

SI LINDI LAHUTA E MALËSISË – Më 1902 Fishta ishte dërguar në një fshat të vogël për të zëvendësuar përkohësisht famullitarin vendor. Atje u njoh me fshatarin e moshuar Marash Uci (vdiq më 1914) nga Hoti, të cilin do ta përjetësonte më vonë në vargje. Marash Uci i rrëfente Fishtës për betejat heroike midis malësorëve shqiptarë dhe malazezë, në veçanti për betejën e famshme në Urën e Rrzhanicës, ku Marash Uci kishte marrë pjesë vetë. Pjesët e para të poemës me titullin Te ura e Rrzhanicës, u botuan në Zarë më 1905 e 1907. U ribotuan të zgjeruara më 1912, 1923, 1931 dhe 1933. Fishta i shkruante këngët e tjera të cilat filloi t’i botonte që nga viti 1921 në revistën që drejtohej prej tij - Hylli i Dritës. Botimi përfundimtar i poemës me 30 këngë dhe 15.563[3] vargje u paraqit në Shkodër më 1937 në kremtim të 25-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Poema permban 1274 fjalë të rralla.
Verbi (fjala) fishtiane i përcjell notat muzikore të instrumentit të lahutës me përsëritjet e tingujve të fjalëve dhe të strukturave sintaksore; me epitetet, krahasimet, similitutat [4]dhe hiperbolat; me metaforat, simbolet dhe mitemat[5]me pyetjet dhe përgjigjet, mepyetjet retorikepasthirrmat etj.
Poema ka një strukturim të hapur gjuhësor dhe ritmik (aliteracioni, rima, ritmi i këmbyeshëm brenda njësisë metrike dhe ndërmjet vargjeve).
Kjo poemë epike u ribotua në Romë më 1958, në Lubjanë më 1990 dhe përsëri në Romë më 1991.
Lahuta e malësisë është përkthyer edhe në gjermanisht dhe në italisht.




LAHUTA E MALCIS

Poema nis me përleshjet kufitare midis fiseve të Hotit e të Grudës dhe fqinjëve po aq të rreptë malezezë më 1858. Thelbi i veprës janë këngët 6-25 që u kushtohen ngjarjeve të viteve 1878-1880, që lidhen me Kongresin e Berlinit, i cili i dha toka kufitare shqiptare Malit të Zi dhe çoi në krijimin e Lidhjes së Prizrenit për të mbrojtur interesat e kombit. Këngët e tjera mbulojnë periudhën e revolucionit të xhonturqve, i cili në fillim u ngjalli shpresa nacionalistëve shqiptarë për një autonomi, si dhe luftërat ballkanike të viteve 1912 dhe 1913, që çuan në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
*   *   *
            Lahuta e malcis, me synimin që të bëhej epope kombëtare, e kapërcen stilin baladesk të De Radës dhe tregimin historik të Naimit, duke u derdhur me një vrull epik dhe dramatik. Duke qenë se poema u shkrua për një kohë të gjatë, ajo nuk e ka të njëjtën fuqi në çdo këngë veç e veç, ashtu siç nuk ka dhe një strukturë të lidhur në vazhdimësi. Në variantin përfundimtar, autori krijoi një renditje kronologjike për ndodhitë shqiptare nga gjysma e shekullit XIX deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe Konferencën e Londrës, më 1913. Në poemë pasqyrohen luftërat e dy brezave, mirëpo këngët e saj më tepër tregojnë ngjarje të veçanta. Nuk është një poemë që ka një veprim kryesor dhe një hero kryesor, siç janë eposet e mëdha. Heronjtë e Lahutës janë të shumtë dhe nga ana funksionale janë të ngjashëm në vepër, për arsye se i kanë karakteristikat e heroizmit shqiptar.
Vepra nis me heroizmin e shqiptarëve për të mbrojtur tokat e tyre nga sulmet e malazeziasve, të përqendruara në Shqipërinë e veriut. Ajo vjen duke u zgjeruar në hapësirë dhe në kohë për t’i kapur ndodhitë dhe cilësitë shqiptare. Nga fokusimi i një krahine vepra zgjerohet në tërësinë etnike shqiptare. Nis me trajtimin e burrërisë së një mjedisi për të arritur te koncepti i burrërisë si virtyt kombëtar.
Në këtë mënyrë Lahuta e malcis bëhet vepër për himnizimin e virtyteve të përhershme të shqiptarëve si dhe projekt i idealeve të poetit. Duke u mbështetur në jetën autentike shqiptare, me mjediset reale e fantastike të mendësisë shqiptare si dhe me kërkimin e modelit të shkrimit që mbështetet në letërsinë popullore shqiptare, poema epike e Fishtës synon të ngrihet në nivelin e eposit kombëtar.
            Pavarësisht nga fakti se poeti mbështetet në modelet krijuese të letërsisë popullore,Lahuta e malcis është një vepër e kulluar autoriale.

Poema përmban tre tipa këngësh:

këngë historike, si Vranina, Kongresi i Berlinit, Lidhja e Prizrenit, Lufta e Ballkanit, Konferenca e Londonit të cilat janë të ngjashme me këngët popullore historike. Në to ngjarjet historike pasqyrohen në kohë;
këngët kreshnike, ku shpërthimet krijuese imagjinatave shpiejnë te cikli i kreshnikëve apo te baladat popullore. Në to fantazia krijuese e poetit ndërtohet mbimitologjinë shqiptare (Orët, Zanat, Dragonjtë);
këngët autoriale, si Patër Gjoni apo Tringa, ku imagjinata e poetit, edhe kur mbështetet në tekstet e baladave, i shndërron ato në stilin vetanak. Te këto këngë vepron fantazia e autorit, por edhe mendësia e tij që del në vepër në trajtën e porosisë përfundimtare.
Kjo formë e krijimit i prek edhe heronjtë e veprës: përballë Oso Kukës së patrembur, i cili për atdheun në çdo çasst është i gatshëm të flijojë veten, model ky popullor i therorisë shqiptare, shfaqet Abdyl Frashëri – hero i ideologjisë kombëtare, apo Naim beu (Frashëri) – hero i kulturës shqiptare (në këngën origjinale të Patër Gjonit). Shfaqet edhe heroina Tringa, e cila, bashkë me flijimin për atdheun, shpalos një bukuri, dashuri, virgjëri dhe pafajësi, duke u kthyer kështu në një krijesë poetike burimore të Fishtës.
Lahuta e malcis është një vepër epike me një ndërtim të brendshëm dramatik, ku spikatin veprimet, dialogu, përshkrimi i shkurtër dhe gjuha e folur, e cila, duke u kthyer në gjuhë të shkruar, i ruan shenjat e emocioneve të personazheve. Duke iu përmbajtur këtij modeli dhe këtij stili, poeti vë në tekstin e tij format e dendura apo të shkurtra  letërsisë gojore, jo si citat, por si mbindërtim, rëndom më fuqishëm – në trajtën e urimeve dhe të mallkimeve.
Një nga figurat zotëruese të poemës është hiperbola me të cilën poeti përshkruan ngjarjet dhe pamjen fizike të personazheve. Kjo figurë është ndërtuar rëndom duke marrë për bazë krahasimin.
Faqe tronditëse të poemës janë ato ku bashkohen dhe harmonizohen veprimet epike me shpërthimet lirike dhe me lirinë e imagjinatës së autorit, duke krijuar kështu një dramacitet të fuqishëm. Të tilla janë këngët që ndërlidhen me heroinën letrare – Tringën. Këtu bashkohen idealet e poetit: trimëria dhe atdhetarizmi deri në flijim; bukuria dhenjomësia që rrezatojnë dashuri; pasqyrimi i moralit të femrës shqiptare dhe tragjizmi i saj. Të gjitha këto lidhen në një orkestrim të habitshëm e të magjishëm të natyrës.
Në veprat e tij epike, poeti manifestoi një forcë të madhe lirike, ngase atje kishte mundësi. Vetëm mjedisi shqiptar i krijonte mundësi poetit të shfaqte shpërthimet personale, si karakteristika të lirikës së tij.
Poeti u mbështet në modelin e Këngës së Gjergj Elez Alisë. Në këngën e Fishtës veprimi është invers: i sëmuri (vëllai) vdes dhe mbetet Tringa (motra), e cila mbron nderin, pragun, bukurinë e saj të paprekur, virgjërinë dhe botën poetike të Fishtës. Në këtë mënyrë, ajo i dorëzohet jo vdekjes, por pavdekësisë. Ajo që ndodh më tej me Tringën, është endje e imagjinatës së poetit në botën e mitologjisë shqiptare. Heroina shkon te simotrat e saj –zanat.
Cikli i këngëve për këtë heroinë zbulon mënyrën se si poeti e ndërton  Lahutën e malësisë: ngjarja apo ndodhia reale, me anë të frymëzimit lirik, kalon në shkallën e përgjithësimit dhe të idealizimit. Çdo gjë që është burimore shqiptare ngrihet në nivelin e përjetësisë, si kërkesë morale, jetësore dhe artistike e poetit. Një portretizim të tillë fizik dhe moral të bukurisë me anë të figuracionit popullor, poeti e bën pikërisht te personazhi i Tringës.
Sipas disa studiuesve, kryevepra e Fishtës – Lahuta e malcis, është e papërsëritshme në letërsinë shqiptare. Ajo pasqyron në mënyrë të sistemuar kulturën dhe historinë autentike të shqiptarëve me anë të shprehjeve të pasura gjuhësore, si dëshmi e jetës shqiptare edhe në lëmin e gjuhës.
Vargu i poemës, tetërrokëshi i ngjashëm me vargun më të njohur popullor, ndikoi që poema të fitojë një popullaritet të shpejtë.
Vepra ka një histori të gjatë shkrimi dhe leximi që kanë ndikuar te njëra-tjetra. Këngët e para të poemës autori i botoi si këngë popullore. Por, lexuesi i priti ato më me endje se krijimet e tjera të tij. Me fjalë të tjera, shija e lexuesit, u bë frymëzim shtesë që autori ta vazhdojë dhe ta përfundojë veprën. Mirëpo, Fishta nuk do të ishte i madh, sikur të mos e tejkalonte shijen e kohës. Në këngët popullore, poeti gjeti vetëm modelin e komunikimit, ndërkaq këndvështrimi për qenësinë shqiptare është i vetë poetit.

Në poemën epike, Lahuta e malësisë, kemi personazhe historike si: Oso Kuka, Ali Pashë Gucia, Abdyl Frashëri, Marash Uci, Çun Mula, Haxhi Zeka, Pater Gjoni, Bec Patani, Tringa, Dedë Gjon Luli. Fishta na jep edhe figura historike të huaja si: Franc Jozefi i Austro-Hungarisë, Vilhelmi i Gjermanisë, Krajli i Inglizit, Regji i Italisë etj.
Përballë tyre, autori i poemës na jep figurat historike të palës kundërshtare, si: knjaz Nikolla, Mark Milani, Vulo Radoviqi, Mil Spasi, Mehmet Ali Pasha, Abdullah Pashë Dreni, Turgut Pasha; cari i Rusisë, kreu i Francës etj.
Poeti na i jep në poemë edhe figurat mitologjike: Ora e Shqipnisë, Ora e Bardhë e Trojanit, Zana e Durmitorit, Zana e Miliskaut, Zana e Veleçikut, Zana e Madhe, Zana e Frymëzimit, Ora e Durmitorit, dragonjtë, kuçedra etj.

Për poemën mund të nxirren disa konstatime por edhe ca dilema, si:

Uniteti i poemës duhet gjetur te fryma e kombit e cila ka bashkuar njerëz, fakte dhe ngjarje të Rilindjes deri në pavarësi;
Mjetet artistike për krijimin e poemës janë marrë, qoftë nga eposi i lashtë shqiptar, qoftë nga tradita homerike;
- Mbështetja e poemës në eposin e lashtë duhet kërkuar në motivet tradicionale që i përshtaten lëndës bashkëkohore, në mendësinë kanunore që i përshtatet më së miri mendësisë bashkëkohore, duke himnizuar besën dhe burrërinë me gjuhën burrërore të Këngëve të kreshnikëve;
Lidhjen me traditën homerike të Lahutës fishtiane duhet kërkuar në situatat e veçanta të kënduara në poemë me figuracion dhe përmasë homerike;
Bota mitologjike e poemës duhet studiuar në dukurinë funksionale të saj: zanat dhe qeniet e tjera të mitologjisë sonë (Lugati, Kulçedra, Dragoi etj.) a janë te Fishta me funksionin që kanë hyjnitë te Homeri, ku njerëz, fakte dhe ngjarje shpesh varen prej kapricave të hyjnive;
Figuracioni, a i ka ato përmasa hiperbolike siç e kërkon epika tradicionale dhe siç e kanë Këngët e kreshnikëve, ku topuzi ngulet 12 pash nën dhe, dhe 12 pash përpjetë ngrihet pluhuri.

Parimet nga të cilat u udhëhoq poeti për krijimin e epopesë së shqiptarëve janë njësintezë e poetikës aristoteliane me shkollën romantike të Evropës perëndimore të shekullit XIX.[6] Duke qenë se Fishta bazohet te klasikët greko-romakë, poema epike e tij Lahuta e malcis është vepër neoklasiciste[7]
Vargu epik i Fishtës këmbehet me pasazhe lirike pa më të voglin kufizim dhe si tablotë rrëqethëse tragjike që mbizotërojnë në vepër, filtrohet në të, një ironi e hollë.
Përveç konfliktit shumëpalësh, që herë zgjerohet e herë qendërzohet dhe subjektit të pasur me episode dramatike, në poemë veprojnë edhe qindra personazhe të individualizuara që e shpalosin karakterin e tyre me veprime heroike, përballë kundërshtarëve dhe krahas bashkëluftëtarëve e qenieve mitologjike. Fati i tyre është i përcaktuar historikisht, manipulohet nga mbretër e diplomatë, mbrohet ose braktiset nga Orët e Zanat dhe në çastin e fundit, ndodhet në dorën e vetë atyre, pikërisht si fati i atdheut. Këndej buron ndoshta edhe mesazhi më optimist i eposit fishtian. Mesazhi i poetit është mesazh i krijuesit artistik të frymëzuar nga Zana mitologjike, mesazh i përjetimeve vetjake nga kontaktet me thellësitë e shpirtit njerëzor të një fisi që ka mbetur i pacenuar prej ideologjive të huaja. Ky mesazh optimist vjen si një ndjenjë që përftohet nga skajshmëritë e dhimbjes dhe të krenarisëtë zhgënjimit dhe të kokëfortësisëtë pasionit dhe të stoicizmittë arsyes dhe të instinktittë qytetërimit dhe të primitivizmit.
Trajta tregimtare, e gërshetuar me dialogje të gjata, i mundëson poetit të përcjellë një informacion të gjerë etnografik dhe një dendësi të thellë mendësish kontradiktore. Përshkrimet e dhjetëra betejave me hollësi tronditëse janë tabllo të gjalla, ku vijnë në kontrast ngjyrat natyrore të peizazhit në orë të ndryshme të ditës apo të natës, të ngjeshur me ngjyrën e kuqe të gjakut, që kullon nga kokat e prepra dhe nga baruti i djegur, përzier me kundërmim kufomash kundërshtare. Betejave të individualizuara u paraprijnë kuvendet e trimave, debatet e diplomatëve, prapaskenat e mbretërve, të shfaqurit e qenieve mitologjike, që për nga veprimet dhe gjykimet, me të madhe u ngjajnë njerëzve.

VLERËSIME PËR LAHUTËN E MALCIS DHE PËR FISHTËN 
           
Eqrem Çabej: “…Fishta zë fill me njësinë e vogël të fisit për të mbaruar te njësia më e madhe e kombit, ia fillon me bariun e moçëm Marash Ucin dhe mbërrin te Abdyl Frashëri në Lidhjen e Prizrenit. Duket qartas përpjekja e tij të zgjerojë dalëngadalë botën në një brendi më fort nacionale, të ngrejë kështu veprën në sferën kombëtare. Kështu vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar…duke qenë njëkohësisht në një farë kuptimi edhe një epos ballkanik. Një dritë jete homerike shkëlqen mbi veprën e tij: si në dukje të zanave që u përngjajnë Dianës e Atenës…”
Katër vjet para se të vdiste Fishta, Çabej jep këtë gjykim: “Gjergj Fishta është bërë, sidomos në Lahutën e malcis, përfaqësuesi më i parë i literaturës së sotme shqiptare”.[8]

Lasgush Poradeci: “Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar, ky është si të thesha “monopoliteti” gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t’i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit…” [9]

Kostaq Cipo: “Tetërrokëshi i ngadalshëm e vrap e vrap, si e lyp zjarri i zemrës, asht i premë për poemë epike. Me këtë ritëm janë pre ngjetmi e pashoq fishtian, thërrmënitë e forta, uratat e mallkimet…” [10]

Sterjo Spasse: “Lahuta e at Fishtës shfaq ndjesitë më të thella dhe karakteristikat më të kristalizuara që i ruajti raca shqiptare përmes shekujve plot shtrëngata… Shqipëria e tërë përfshihet e dehur nën vargjet e kësaj Lahute, e cila bëhet pronë kombëtare, mish e gjak, ndjenjë e mendim i përbashkët”.[11]

Ernest Koliqi: “Tue lexue Lahutën e tij, (të Fishtës – Xh.Z.) përplot me teprica kangësh rapsodike të pa emën, të duket se je tu e vështrue popullin shqiptar kah i këndon vedvetit, me fjalët e Fishtës, ma të kulluetën kangë, e cila shpërthen nga një gjak misterioz, që rrjedh në zemrën e tij ilire” [12]

Faik Konica: “Atë Fishta është marrë me secilën gjini letrare dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm. Mirëpo, jashtë Shqipërisë ai është i njohur vetëm si autor i Lahutës së malcis – një epope pastorale e kalorësiake, përkthimi gjerman i së cilës, i botuar në Lajbcig para disa vitesh, të lë një përshtypje të dobët, meqë nuk ka qenë e mundur të përkthehet muzika e ritmit të Fishtës dhe koloriti i tij verbal”.[13]

Viktor Volaj (1910-1995): “Shqiptari nuk ka nevojë t’i krijojë vetes një histori për me u afirmua. Bota e Lahutës së malcis asht shfaqja më e sigurt e shpirtit të tij heroik e fisnik”.[14]

Vehbi Bala: “Me gjeninë e tij, Fishta ka ditur ta shfrytëzojë me plot fantazi thesarin e popullit dhe duke i shtuar atij trillin e vet krijues, ka arritur në majat më të larta të artit poetik të letërsisë sonë”.[15]

Daniel Gjeçaj: “Fishta, çmos kurni shkrimtari tjetër të Rilindjes sonë, aq i hini shpirtit shqiptar, që në fund të fundit ishte dhe shpirti i tij… Fishta këndohej pa ditë se si i thojshin emnit: këndohej pse në kangë të tija ishte shqiptari: shqiptari në doke, në kanu, në mitologji, në folklor, në aspirata, në jetë, në luftë e në ngadhënjime… Shqiptari pa Lahutë (të malcis – Xh. Z.) asht pa epokë kombëtare: Lahuta pa shqiptarë asht pa subjekt”.[16]

Engjëll Sedaj: “Vargjet e Lahutës mund t’i lexosh në fillim, në mbarim, në mjedis apo në çdo mëngjes para se të fillosh punën ditore. Ato të japin fuqinë e jetës, fuqinë e punës, sepse mobilizojnë të gjitha ndjenjat e shpirtit… Aq shumë imponohet kjo vepër, saqë disi kurrë më nuk e heq nga dora… Poeti ka arritur të mishëronte të gjitha ligjshmëritë artistike në poezinë popullore, sidomos në përdorimin e figurave stilistike të krahasimit dhe të metaforës”.[17]
Anton N. Berisha: “Nga poezia gojore Fishta mësoi dhe shfrytëzoi atë që kuptimisht ishte më e rëndësishme, artistikisht më e vlershme dhe me mundësi ndikimi estetik më të madh, por çdo gjë duke ia nënshtruar sistemit të vet krijues, asimilimit në shkallën dhe mënyrën më të lartë, qoftë edhe atëherë kur në të parët fitohet përshtypja se në veprën e vet ka futur pjesë të tëra të poezisë gojore”.[18]

Gjergj Zheji: “Te Fishta ndihet një vargëzim në të njëjtën masë sa poeti erudit, aq edhe rapsodi popullor, që di të krijojë me dorë të sigurt dhe shije të rrallë artistike orkestrimin e muzikalitetit të vargjeve dhe të verbit të tij të pashtershëm poetik”.[19]

Norbert Jokli: “Ai hyri aq thellë në shpirtin e këngëtarëve të maleve shqiptare dhe diti të karakterizojë në mënyrë të dhimbshme dhe të sigurt artin, botën ideale e gjithëmbarësisht të gjitha veglat e armët e rapsodëve që gjenden edhe ndër më të skajshmet krahina të maleve. Vetëm ai që gjendet në mes të kësaj bote mund të ndiente aq thellë zemrën e të rrahmen e diellit të këngëtarit kombëtar shqiptar, mund të kuptonte aq mirë e qartë mendimin e tij”.[20]
           
Maksimilian Lamberc: “…Lahuta e malcis e Gjergj Fishtës, jo vetëm se ka rëndësi në pikëpamje artistike, por edhe pse ajo, por si vena e mirë, sa ma shumë vjet që të kalojnë aq ma vlerë merr, duke qenë se ajo është pasqyra, magazina e kopja besnike e jetës, e shpirtit, e dëshirave, e përpjekjeve, e luftës dhe vdekjes së shqiptarëve: me një fjalë, Lahuta asht shprehja më e qartë e dokeve të fshatarëve, banorëve të Maleve të Veriut. E prej se doket e lashta të fiseve malore janë gjykue të zhduken nga tallazet e forta të civilizimit, lexuesi, letrari, folkloristi, juristi e historiani i nesërm ka për t’ia ditë për nder më dhjetë a qindvjetët e ardhshëm Poetit, i cili në Lahutë të Malcis na la një ritrat të Shqiptarit, të përshkruar nga goja e dëshmitarëve njëkohorë, ashtu si këta e gjetën në agimin e shekullit XX me atë ndryshim të vogël, që shqiptari pësoi ç‘prej kohërave të largëta të iliro-trakëve”.[21]

            Për Fishtën dhe krijimtarinë e tij letrare është prononcuar edhe Sejfulla Malëshovanë vitin 1945, me pseudonimin e vet Lame Kodra. Ai botoi konferencën e mbajtur më 10 qershor 1945 në Kinema – teatrin “Kosova”, me titullin: Roli i kulturës në Shqipërinë e sotme”. Te faqja 21 e këtij botimi Sejfulla Malëshova (Lame Kodra) thotë: “Kam dëgjuar, p.sh. se në disa rrethe ka tendenca që Faik Konica dhe Fishta të fshihen fare nga defteri… Koncia, Noli dhe Fishta janë fytyrat më të mbudha të Shqipërisë në fushën e kulturës. Bashkë me K. Kristoforidhin dhe Naim Frashërin ata janë leronjësit e mbëdhej të gjuhës shqipe, janë ata që kanë ngritur gjuhën shqipe në dignitetin e një gjuhe letrare… Kontributin e tyre e qujamë pjesë të pandarë të trashëgimit t’onë nacional, të pasurisë s’onë kulturale”.[22]

            Disa autorë e kanë shikuar shkrirjen e letërsisë gojore dhe asaj të shkruar si të pafrytshme, kurse të tjerë e kanë parë Lahutën e malësisë si një anakronizëm në shekullin XX.

Lidhur me gjuhën e veprave të Fishtës e ka dhënë mendimin e vet edhe Prof. Dr. Konrad Gjolaj (1918-2000) i cili thotë: “Në lidhje me gjuhën e veprave të Fishtës kam mendimin personal se nuk duhet të preken për asnjë arsye praktike letrare, sepse gjuha e Fishtës asht e do të mbetet gur themeltar për literaturën e ardhshme shqiptare…”[23]
            Sipas Dhimitër Shuteriqit (1915-2006)Vehbi Bala (1923-1990) kishte përgatitur 40 faqe për Fishtën, që të përfshihej në historinë e letërsisë të Akademisë, por nuk e lejuan ta botonte.
Sipas Eqrem Çabejt (1908-1980) “Fishta qe një bir i vërtetë i polemit (popullit) të tij dhe bash nga kjo rrënjosje te trualli i vet ay u bë, në një tjetër kuptim se sa Naim Frashëri, poeti kombëtar i Shqipërisë”.[24]

Në prag të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, Fishta u njoh nga të gjithë si poet kombëtar. Albanologu austriak Maksimilian Lamberc (1882-1963) në vitin 1948 e ka cilësuar si “poetin më të talentuar që ka pasur Shqipëria” [25]Poeti italian Gabriele d’Anuncio (1863-1938) e ka quajtur Fishtën “poeti më i madh i popullit të lavdishëm të Shqipërisë”.[26]
Për të tjerë, Fishta ishte Homer shqiptarAleksander Xhuvani (1880-1964) e ka krahasuar Fishtën me poetin lirik grek të shekullit VII p.e.s. – Tirteun.
Pas luftës, Fishta u godit dhe u përgojua ndoshta më shumë se çdo shkrimtar tjetër i paraluftës dhe u la në harresë. Poeti kombëtar u kthye në mallkim. Historia e letërsisë shqiptare, botuar në Tiranë në vitin 1983, trajtimit të Fishtës i jepte një hapësirë të kufizuar. Në të Fishta cilësohet si poet, publicist, pedagog, politikan. Thuhet se drejtoi për një kohë të gjatë shtypin e urdhrit françeskan dhe veprimtarinë kulturore dhe arsimore të këtij urdhri.
Kryeredaktori i kësaj Historie të letërsisë shqiptare – Dhimitër Shuteriqi për Fishtën thotë: “Për të, interesat e kishës e të fesë qëndronin mbi interesat e atdheut e të popullit, gjë që ai e shpallte dhe e mbronte me tërë demagogjinë, por edhe cinizmin, dhe e kishte vënë në themel të punës së tij si letrar. Vepra e tij kryesore, poema epike Lahuta e malësisë, duke sulmuar shovinizmin e fqinjëve të veriut, propagandonte antisllavizmin dhe vinte në plan të dytë luftën kundër pushtuesit osman. Ajo i ngrinte himnin patriarkalizmit e bajraktarizmit, obskurantizmit fetar e klerikalizmit, dhe spekulonte me ndjenjat patriotike, kur ishte fjala për të ngritur lart ngjarjet dhe figurat e historisë kombëtare të periudhës së Rilindjes sonë… Ai kishte një qëndrim të theksuar konservator në lëmin e gjuhës. Fishta i mbaroi ditët si akademik i Italisë fashiste”.[27]
Në këtë Histori të letërsisë shqiptare që përmban 629 faqe, të hartuar nga Vehbi Bala, Razi Brahimi, Klara Kodra, Ali Xhiku, Dhimitër Fullani, Shaban Çollaku, të drejtuar nga Prof. Dhimitër S. Shuteriqi (njëherazi edhe kryeredaktor) dhe të redaktuar nga nga Prof. Mahir Domi, nga Dr. Jorgo Bulo, Prof. Vebi Bala dhe nga Doc. Razi Brahimi, Fishtës i kushtohen 22 reshta.
Pushteti i pasluftës katër dekada e quajti Fishtën “poet klerik e fashist”. Por, populli i Shqipërisë së veriut, e sidomos shkodranët, nuk e kishin harruar. Vepra e tij ka qarkulluar fshehurazi dorë më dorë dhe është lexuar ndër breza. Pas afro gjysmë shekulli, Gjergj Fishta u përkujtua hapur për herë të parë më 5 janar 1991 në Shkodër. Gjatë një recitimi, aktori në një çast kishte ngecur, por menjëherë dhe në mënyrë spontane u ndihmua nga salla, e cilaLahutën e malësisë ende e dinte përmendësh. 

Nga figura e Gjergj Fishtës u ndikuan poetë dhe studiues françeskanë si Pashko Bardhi (1870-1948), Shtjefën Gjeçovi (1874-1929), Pal Dodaj (1880-1948), Vinçenc Prennushi (1885-1949), Marin Sirdani (1885-1962), Anton Harapi (1888-1946), Justin Rrota (1889-1964), Bernardin Palaj (1894-1947), Donat Kurti (1903-1969), Benedikt Dema (1904-1960) dhe Gjon Shllaku (1907-1946).

VLERËSIMI I DISUTUESHËM I  ISMAIL KADARESË PËR LAHUTËN E MALËSISË TË FISHTËS:

            “…një tjetër personalitet, madje më i njohuri e më i reklamuari, i kurrorëzuar si poet kombëtar, prifti Gjergj Fishta, në vetminë e kuvendit të françeskanëve po rrekej të krijonte një vepër që ishte sa jashtë kohe, aq edhe jashtë mundësive të tij. Ai orvatej të thurte poemën e madhe totale ku të mblidhte krejt eposin shqiptar në shembullin e mbledhësit mesjetar të Nibelungëve, të epeve të tjera evropiane, madje edhe më thellë, të epeve homerike. Absurde si ndërmarrje, për arsye që merreshin lehtë me mend, ajo bëhej dyfish e tillë për shkak se poetit françeskan i mungonin shumë gjëra, e në radhë të parë ai talent i veçantë për të përpunuar apo më saktë për të vënë në fre, atë shkumëzim të lirë, magjepsës e me bukuri befasuese, herë parajsore e herë infernale të eposit verior. Në vend të atij tërbimi ai nxori nga pena poemën e gjatë monotone “Lahuta e malcis”, një kronikë sterile, e cila duke qenë, veç të tjerash, moralizuese e didaktike, ngjante me epet e veriut aq sa ç‘mund të ngjante ujët e distiluar me ujëvarat e bjeshkëve.  
            Në këtë poemë, që u shpall e në të vërtetë “vepra e jetës së tij”, himnizohej Shqipëria e prapambetur, kanunore e mesjetare. Në kërkim të një të vërtete të përjetshme të kombit, çka do të kushtëzonte dhe universalizmin e pretenduar prej tij në poezi, ai nuk shkoi më tej konfliktit ndëretnik midis shqiptarëve e sllavëve, që e shpalli si një luftë gati kozmogonike…
            …Ndeshja sllavo-shqiptare kishte qenë dhe vazhdonte të ishte e egër dhe se eposi shqiptar vazhdonte të këndonte kundër sllavëve edhe pse shqiptarët kishin armikun e ri – osmanët.
            Nuk i lejohej një poeti, e aq më tepër një poeti të shekullit XX, që të mos shihet në këtë kob asnjë dritë e asnjë rrugë pajtimi, madje as aq dritë sa jepte herë-herë vetë eposi zemrak. Aq më pak nuk i lejohej një poeti që duke dhënë tablo tronditëse të kësaj ndeshjeje dhe duke u revoltuar me të ndaj padrejtësive që i qenë bërë e vazhdonin t’i bëheshin kombit shqiptar, të mos bënte, megjithatë, një dallim midis popujve sllavë dhe shovinizmit sllavomadh e sidomos serbomadh… Mesazhin racionalist të Fishtës, mesazh që herë-herë merrte përmasat e një ksenofobie totale e që synonte izolimin e plotë të Shqipërisë prej botës së jashtme, nuk e përfilli as letërsia e as mendësia shqiptare…”[28]

Lidhur me Lahutën e malësisë Kadareja ka dhënë vlerësime disa herë. Mund të përmenden vlerësimet në vitet 1988 dhe 1991: “Mirëpo kësaj vepre artificiale, që ishte veç të tjerash një manifest reaksionar, idealizimit të Shqipërisë së prapambetur, kanunore e mesjetare, iu bë një reklamë e tillë, saqë rrezikonte ta kthente atë në një gur varri që mund t’i merrte frymën gjithë letërsisë shqipe. Dukuri jo fort të shpeshta, vepra të tilla (të një autori, të një grupi autorësh ose të një drejtimi letrar) qëllon që shfaqen në letërsi të ndryshme, tamam si sëmundje, që duhen kapërcyer. Për fat të mirë, letërsia shqipe u çlirua më shpejtë se ç‘pritej nga ky keqkuptim e nga ky ankth”.[29]
Tre vjet më vonë lidhur me Lahutën e malësisë Kadare thotë: “Në të vërtetë, me gjithë mosqasjen e ftohtësinë që treguan për të shkrimtarët e intelektualët e shquar shqiptarë, veprës së Fishtës, sidomos Lahutës së malësisë, iu ngrit një kult e iu bë një reklamë e tillë, saqë rrezikonte ta kthente atë në një gur varri që mund t’i merrte frymën gjithë letërsisë shqipe. Dukuri jo fort të shpeshta, vepra të tilla (të një autori, të një grupi autorësh ose të një drejtimi letrar) qëllon që shfaqen në letërsi të ndryshme, tamam si sëmundje, që duhen kapërcyer. Për shkaqe e rrethana jashtëletrare (çlirimi i vendit nga fashizmi, përmbysja shoqërore etj.), u çlirua më shpejtë se ç‘pritej nga ky keqkuptim”.[30]
Mirëpo, në takimin me studentët, lidhur me vlerësimet e tij për Fishtën dhe përLahutën e malësisëKadareja thotë: “…mbase mund ta kem gabim”.[31]

DUHET SHTUAR PO ASHTU SE KADAREJA KA THËNË: “FISHTA NUK DO TË DALË KURRË MBI NAIMIN, AS KONICA MBI NOLIN”[32]

*  *  *

QËNDRIMI SLLAV NDAJ FISHTËS DHE KRIJIMTARISË LETRARE ARTISTIKE TË TIJ

Ndjenjat antisllave të shprehura në poemën Lahuta e malësisë të Fishtës bënë që vepra dhe autori i saj të ndaloheshin nga autoritetet jugosllave. Elementi antisllav i veprës së Fishtës është gjithashtu i vetmi që theksohet në botimin e parë të Enciklopedisë së Madhe Sovjetike në Moskë. Në të është shkruar: “Veprimtaria letrare e priftit katolik Gjergj Fishta pasqyron rolin që ka luajtur kleri katolik në përgatitjen e agresionit italian kundër Shqipërisë. Si ish agjent i imperializmit austro-hungarez, Fishta, në vitet e para të veprimtarisë së tij letrare, mori një qëndrim kundër popujve sllavë, të cilët ishin kundër planeve grabitqare të imperializmit austro-hungarez në Shqipëri. Në poemën e tij shoviniste antisllave “Lahuta e malcis”, ky spiun ngrinte lart ndjenjat armiqësore të shqiptarëve kundër popujve sllavë, duke bërë thirrje për luftë të hapur kundër sllavëve”.[33]
Kështu shkruajnë për zërin e kombit – Gjergj Fishtën – bolshevikët dhe bizantinët rusë, të cilët historikisht kanë vepruar për shfarosjen e kombit shqiptar në Ballkan.

*  *  *

Lidhur me vlerësimet për Lahutën e malësisë unë kam këtë mendim:

- në një vepër letrare-artistike, në radhë të parë duhet të studiohet struktura dhe arkitektura sipas të cilave është ndërtuar ajo;
- në një poemë lirike, epike apo epiko-lirike duhet të analizohen në radhë të parëmetrika dhe stilistika sipas të cilave është krijuar ajo;
- në një krijim letrar-artistik duhet të vlerësohen gjuha dhe stili.
- në një krijim letrar-artistik duhet të vlerësohet porosia që jep autori nëpërmjet veprës;
- dimensioni human i veprës;
- karakteri universal i veprës;
- bashkëkohësia e veprës (a është shkruar vepra në kohë të duhur, apo disa dhjetëvjeçarë më vonë).

Vlerësimet e Kadaresë për Lahutën e malësisë kanë të bëjnë vetëm me një apo dy mendimet e mia të sipërthëna. Me analizën e një vepre letrare, mund të merret profesionalisht, sidomos kritiku letrar, teoricieni i letërsisë, historiani i letërsisë, metodologu letrar, esteti dhe eseisti. Vlerësuesit e tjerë, mund të ndodhë të japin gjykime jomeritore dhe jokompetente.

Sa i përket Lahutës së malësisë të Fishtës, kam këtë mendim: Poema është shkruar me vonesë. Përfundon më 1937, d.m.th. 25 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Kjo poemë mbase do të kishte qenë më e vlefshme për letërsinë shqipe dhe për ngritjen e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar, sikur të botohej në kohën e Rilindjes Kombëtare. Po të ishte botuar në shekullin XIX, epi fishtian do t’i printe lëvizjes së pavarësisë. E finalizuar 25 vjet pas pavarësisë, kjo poemë nuk ka mundur ta ketë një mision të tillë kombëtar.
Një shkrimtar është i madh sidomos kur shkruan për kohën e vet dhe për vendin e vet dhe jo kur i kthehet të kaluarës, shekullit XV, prejardhjes së largët. Shkrimtari që nuk ballafaqohet me problemet e kohës, ai në të vërtetë, për shkaqe të caktuara, oportuniste apokonformiste, u ikën problemeve. Po të mos kishte qenë Balzaku bashkëkohës i problemeve që i pasqyron në veprat e veta, askush nuk do ta përmendte sot.

LITERATURA 


Aurel Plasari , Fishta – estetikë dhe kritikë, në, Hylli i Dritës, Tiranë 1999; 

Benedikt Dema, Gjergj Fishta, jeta dhe vepra, Romë 1992; 

Lek Pervizi, Mbi Gjergj Fishten, Revista Kuq e Zi, Nr. 44-45, 2010; 

Stefan Çapaliku, At Gjergj Fishta, Shkodër 1993, 33  f.;

Stefan Çapaliku, Historia e letërsisë si grindje metodike, Studime shqiptare 2. Shkodër 1995,  99 f.; 

Lahuta e malësisë, Botimi i tretë, Romë 1991, 525 faqe, botuar nga Qendra e Katolikëve Shqiptarë Jashtë Atdheut; 

Gjergj Fishta, Lahuta e malcis Sh. b. “Faik Konica”, Prishtinë 2000, 508 faqe; 

Injac Zamputi, Fishta, koha, njeriu, vepra, Tiranë 1993, Sh.b. “Pasqyra” ;

Robert Elsie, Historia e letërsisë shqiptareDukagjini, Tiranë-Pejë, 1997, f. 283-304;

Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Botim i ri, Tiranë 2008, I-III; Vëllimi I, f. 684-686;

Pjetër Jaku, Vlerat letrare në Lahutën e malësisë të Gjergj Fishtës, Lezhë 2000, Sh.b. Kuvendi, f. 88;

Vehbi Bala, Gjergj Fishta, Jeta dhe vepra, Tiranë, Ombra, GVG, 1998, f. 165




[1] Leonardo de Martino është autor i dramës së parë të shkruar dhe të botuar në shqip në Shqipëri – Nata e Këshndellavet (1880).

[2] Nekrologun e Aleksandër Xhuvanit me rastin e varrimit të Fishtës, Adrian Klosi (1957-2012) e ka botuar në gazetën Shekulli të datës 14.03.2010.

[3] Numri i vargjeve, ndër studiues të ndryshëm të Lahutës së malësisë, nuk del i njëjtë. Sipas disa studiuesve, poema ka rreth 17.000 vargje.

[4] Similitudë-a (lat. similitude = ngjashmëri, përngjasim) – krahasim i zgjeruar, kur të dy krahët e krahasimit nuk janë dy fjalë, por dy fraza. I ka përdorur me të madhe Homeri, Naimi etj.

[5] Mithema – greqisht: njësi struk

Gumeni rrëfen çerekshekullin në qelitë e burgut



“Dudaj” boton kujtimet e ish-të dënuarit politik.
Ditët e një të burgosuri dhe ngjarjet e mëdha politike në “Shënime nga Shkolla e Partisë”


Daut Gumeni
Daut Gumeni ka kaluar vitet më të bukura në burg. Hyri 24-vjeçar dhe doli kur i kish kaluar të 50-at. Kaq shumë vite që i kaloi nga njëri burg në tjetrin, brenda qelive të ftohta dhe telave me gjemba, ku gjithsesi gjallonte një mikrokozmos me personazhet dhe historitë e veta, më së shumti të dhimbshme, por ku nuk mungonte edhe ndonjë buzëqeshje apo dashamirësi e shprehur nën zë. Pasi kanë kaluar 22 vjet që kurse u lirua nga burgu, bashkë me të gjithë të burgosurit e tjerë politikë, Daut Gumeni sjell për lexuesin librin “Shënime nga Shkolla e Partisë” (Pesë tablo që mund të shihen edhe si një roman). Janë rrëfime burgu, por të shkruara nga dora e një letrari ato e tejkalojnë tregimin dokumentar. Libri, të cilin ai ia dedikon “Mëmës dhe motrës  që vuajtën edhe burgjet e mia”, vjen për lexuesin nga shtëpia botuese “Dudaj”, e cila organizon sot në orën 18:00, në hotel “Tirana” promovimin e kësaj vepre. “Këtu do të mundohem të rrëfej për ju një pjesë të gjatë të asaj jete të thurur mbase më shumë me fillin e hekurt të telave me gjemba, sesa me atë fillin e lehtë artistik, që është gjithnjë i nevojshëm për ta bërë leximin tuaj më pak të lodhshëm e, mbase, edhe për t’i dhënë asaj, jetës në Shkollën e Partisë, edhe një fije jetë më shumë. Të rendim pak tok nëpër terr pas bukureve… Po rastisi që dikush mund të shohë shumë ngjashmëri me ndonjë nga personazhet e këtyre shënimeve, nuk kam ç’t’i bëj unë që ne vdekatarët ngjajmë me njëri-tjetrin. Madje, thonë se secili prej nesh ka në këtë botë dhe sozinë e vet…”, shkruan Gumeni në parathënien e librit të tij. Kush ka dalë nga ai ferr, e di fare mirë se përse flet autori dhe nuk e ka të vështirë të identifikohet me atë të burgosurin që flet në dyshemenë e ftohtë të qelisë, me duart e shtrënguara me pranga, që dëgjon këngën monotone dhe të sharat e vazhdueshme të gardianit të burgut, që Gumeni e quan “Shkolla e Partisë” dhe kërcënimet dhe grushtin e hetuesit apo punonjësit të Sigurimit. Por, edhe për ata që e kanë vetëm me të dëgjuar, përshkrimet e autorit janë aq të qarta dhe të ngjeshura me histori, saqë vështirë të mos imagjinosh atë zbritje në ferr dhe daljen prej tij pas një çerekshekulli. Ç’ndodhte në ato vende të frikshme dhe si komentoheshin ngjarjet e mëdha politike që ndodhnin në “botën” jashtë telave me gjemba, kongreset, eliminimet e “grupeve armiqësore”, deri te vetëvrasja e Mehmet Shehut dhe vdekja e Enver Hoxhës.


Nga libri





Kopertina e librit:
“Shënime nga Shkolla e Partisë”
i Daut Gumenit, botimet “Dudaj”
Në mbrëmje

Të burgosurit po diskutonin ende lajmin që kishte dhënë Radio-Tirana në emisionin e atij mëngjesi: “Sot u botuan në Danimarkë vëllimi nr… i veprave të shokut Enver Hoxha dhe vëllimi i parë i veprave të shokut Mehmet Shehu”…

- E hëngri!

- U duk që në protokollin e kongresit.

- E shoqja e kryeministrit nuk qe fare në presidium.

- Mos ia fut kot! Tani që nisi t’i botojë edhe “veprat”, paska vendosur ta ndërrojë trashëgimtarin…

- Ka vendosur t’i ndërrojë jetën!

- Po pse nxorën tërë ato fjalë sikur po i jepte në dorë edhe partinë?

- Që ta vinte në gjumë më mirë.

- Është usta për kurthe i biri i mulla Halilit.

- Djali i bukur i Gjylos, thuaj më mirë.

Befas, të burgosurit shtangën dhe e prenë fjalën. Lajmet e orës tetë të mbrëmjes nisën me një njoftim të papritur:

“Pas një krize nervore, anëtari i Byrosë Politike dhe kryeministër i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, Mehmet Shehu, vrau veten”…

Si të mos mjaftonte ai njoftim i thatë, si për një roje vreshti, ku nuk i thuhej as fjala zyrtare “shoku”, që kishte zënë me kohë vendin e fjalës “zotëri”, programi me muzikë popullore që nisi menjëherë pas lajmit të vdekjes së kryeministrit, tregonte haptazi se këtë radhë nuk kishim të bënim me “një shok më pakë e me një amanet më shumë”, por bëhej fjalë për larje hesapesh në luftën për trashëgimin e pushtetit.

Pas disa valleve të kënduara, ku daullja ngrihej mbi të gjitha veglat, radioja dha një kaba me gërnetë e pastaj e mbylli programin me një këngë labe, që të bënte të mbuloje kokën me batanije:

Dolëm të parët në botë,

I ramë armikut në kokë…

- Tani na vranë! – tha me zë të dridhur e me fytyrë të zbardhur Kanakari.

- Ç’thua? Mblidhe veten, se nuk e kanë me ne. Ky përbënte pengesën më të madhe në udhën e trashëgimtarit dhe u hoq pengesa kryesore. Dhe aq! Të tjerët janë pesha të lehta.

- Po ti, ç’pate, o dora jonë? Nuk kishe të haje, nuk kishe të pije apo nuk të rrinte makina pas bythës? Ç’pate ti, o dora jonë? Tani u dhie puna! – tha Bejto Demi duke iu drejtuar altoparlantit….

- Po vjen në pushtet brezi i dytë i të zgjedhurve të mareshal Titos, – tha me trishtim Laba.

- Ç’hyn Titoja me diktaturën e Tiranës? – ia priti Kanakari.

- Nxënës të Titos janë dhe shumica e vendimmarrësve komunistë të Tiranës, apo nuk e pranon që Titon e kanë trajnerin e parë, siç e kanë pasur për 40 vjet mbështetjen e tyre kryesore? Ti vetë thua që nuk bëhet politikë me dy lekë gazetë…

- Mos do të më thuash se edhe dallëndyshet u mblodhën me tufa atë mëngjes, që të na njoftonin vdekjen e Titos? Nuk bëhet politikë me hamendje! Politika bazohet në fakte e jo në përralla me mareshalë e me dallëndyshe. Unë të them që tani jemi më të rrezikuar se kurrë, ti më tregon përralla me mbret! – vijoi Kanakari i trembur keq.

- Ajo që po të them unë, është një përrallë e gjatë me mareshal. Uroj ta kem gabim, siç thua ti, por ca fakte sikur tregojnë që këtë vend e kanë dashur gjithmonë nën diktaturë, pavarësisht nga boja e nga emri i saj në atë gazetën dylekëshe. E kanë dashur diktaturë Shqipërinë, për t’ia penguar zhvillimin e natyrshëm. Dhe na kanë vënë kësulën e radhës, na kanë caktuar gjithnjë ata komandantët tanë të gjatë, të marrë e të regjistruar si myslimanë… Komandantët tanë mercenarë, që kanë ndjekur gjithnjë politikën e skllavërimit të Shqipërisë me boshtin Veri-Jug dhe nuk kanë ndjekur kurrë boshtin Lindje-Perëndim, që i mbron më mirë interesat tanë kombëtarë. Nuk kanë ndjekur kurrë boshtin e aleancave që u përpoq të ndiqte diplomati më i madh i historisë së re shqiptare, themeluesi i shtetit modern shqiptar, Ismail Qemal Vlora. Prandaj dhe nuk e lanë të ecte më tej në atë udhë. Sikurse nuk e lanë as Mit’hat Frashërin dhe as të tjerët pas tyre. Ndoshta edhe këtë hanxharin e diktatorit e hoqën qafe se mund të mos ketë qenë aq i besuar i atyre, që e mbajnë Shqipërinë të mbërthyer në boshtin Veri-Jug.

- Tani po më lodh kot me matematikën tënde! Politika nuk bëhet as me përralla me mareshalë e as me boshtet kartezianë. Politika është verb!

- Që politika është e verbër në vende të verbra, këtu ke plotësisht të drejtë – tha Laba dhe e lanë bisedën duke mbetur secili në të vetën.

Dhomat e ngushta

U sajuan nga ndryshimi i tretë në burgun e Burrelit. Ato merrnin vetëm nga dhjetë vetë. Tetë të burgosur shtroheshin në dhogat e njërës anë të murit dhe, në anën tjetër, vendoseshin në radhë për së gjati shtrojat e dy të tjerëve mbi një si punë shtrati me dhoga, që lejonte të hapej dera lirshëm.

Ndryshimi i tretë në burgun e Burrelit kishte ndodhur ngaqë pati ndryshuar banesë edhe diktatori i plakur, i lodhur nga zullumet e veta e i sëmurë rëndë. Dhe ishte përcjellë me një zi të gjatë, që ndihmonte fuqizimin e shpejtë të trashëgimtarit të caktuar me kohë prej vetë diktatorit. Ishte përcjellë nën një shi të butë prilli, sikur dhe moti po përpiqej ashtu të lante disi gjurmët e përgjakura të krimeve të rënda, që kishte lënë për së gjalli diktatori i vdekur. Madje thanë sikur kishte dhënë frymë që më datën nëntë prill, por e shtynë me shiringa edhe dy ditë të tjera, për të mos përkuar dhe vdekja e tij me vdekjen e Zogut. Se, edhe në ditët e një zie të mbajtur me urdhër e pa urdhër nga një popull i tërë, prapë nuk mund të priteshin fare pësh-pëshet e njerëzve të trembur.

Pasi e kishte lënë vendin pa ushtri, duke siguruar trashëgimtarin nga ndonjë grusht ushtarak, diktatori i qe kthyer krasitjes së thellë të shërbëtorëve të tij më besnikë në organet e punëve të brendshme. Dy ministrat e Brendshëm të kohëve të fundit qenë përfshirë në “tablonë sinoptike” të diktatorit mbi “komplotet e zbuluara nga partia” – se nuk e lejonte “modestia” të thoshte se të gjitha komplotet qenë zbuluar nga ai vetë. Dhe ata dy ministrat e tij të brendshëm qenë dërguar në botën tjetër, në radhë pas kryeministrit, që paskësh qenë “poliagjent” dhe “partia e paskësh ditur me kohë”, por e kishte falur, deri sa të bindej edhe “populli i lirë e sovran,që kishte në dorë pushtetin”…

Pasi “populli u kishte dhënë dënimin e merituar” të gjithë atyre që për 40 vjet të tërë kishin qenë “shtylla e çeliktë e partisë” e pasi diktatori kishte ikur i përcjellë nëpër shi nga populli i tij i qullur më shumë se i helmuar, trashëgimtari kishte nisur udhëtimin e tij nëpër Shqipëri, për t’u njohur si i pari i vendit.

- “Ahmet Shqarri” shkoi edhe në Jug! – tha ato ditë Gugusllavi, duke shtuar edhe një pseudonim tjetër për bisedat që nuk duheshin kuptuar nga ata që dëgjonin për të raportuar. Dhe komentatori i njohur sportiv u bë ashtu padashje një mbrojtës i të burgosurve nga biruca, kur bisedonin për trashëgimtarin e pushtetit…

Në njërën nga ato ditë, Labon e thirrën në komandë. Kishte ardhur nga Tirana dikush, që sikur i vinte turp të thoshte pse e kishte bërë tërë atë rrugë të lodhshme.

- Ke kaq vjet e nuk na ke bërë asnjë kërkesë, të paktën për t’u transferuar në një kamp, se u kalbe në Burrel, o burrë! Si ka mundësi të jesh kaq i helmuar nga armiqësia me pushtetin popullor, edhe pas gati njëzet vjetëve në burgun e Burrelit? – po bënte të habiturin i dërguari i Tiranës, që i vinte rëndë të thoshte edhe se ç’punë bënte.

- Mbase nuk e keni keq. Por jo se kam helmuar veten. Thonë se janë përpjekur të më helmojnë. Madje me një dozë që do të ngordhte edhe kalin, sipas vetë atij që keni paguar me vite për ato lloj “vepra bamirësie” – iu përgjigj Laba.

- Për kë e ka fjalën kështu? – e pyeti operativin i dërguari i qendrës.

- Ka dalë në pension me kohë. Ka punuar gjatë këtu si mjek ushtarak dhe doemos që ka dhe legjendime rreth punës së tij – qeshi operativi me pohimin e të burgosurit.

- Po sikur babanë të ta kenë vrarë ata kriminelët komplotistë që morën dënimin e merituar? – e pyeti duke dalë befas në arsyen pse kishte ardhur i dërguari i ministrisë.

- Nuk kam dyshuar ndonjëherë se ata që e vranë tim atë, janë kriminelë.

- Po pra, janë kriminelë si Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu me shokë! Ata e kanë vrarë edhe babanë tënd! – u gjallërua i dërguari i qendrës.

- Shpejt qenkeni kujtuar që ata janë vrasës! Si nuk kujtoheni që ata janë vrarë edhe për vete në luftën për pushtet e mua nuk më duhet fare as t’i përmend tani që kanë vdekur? Se ata nuk e njihnin as babanë tim e aq më pak të më njihnin mua. Se babanë tim e shokët e tij të shumtë i ka vrarë ai që vrau edhe sejmenët e tij, kur nuk i hynin më në punë. Ata që sapo numërove zotrote. Ata qenë e mbetën vetëm shërbëtorët e tij në krime, por autori përgjegjës është gjithnjë ai vetë! Paske ardhur nga Tirana të më tregosh se e kanë fajin hanxharët e jo kasapi? Dhe tani, po nuk keni gjë tjetër për të më thënë, bëni mirë të më ktheni në dhomë – i tha Laba, sepse nuk e kishte më qetësinë e fillimit të bisedës.

- Me këtë qenka e kotë edhe mirësjellja! Edhe biseda me këtë qenka ashtu si thonë shkodranët: “Fol me ty e rruj ve!”. Kthejeni në dhomë këtë gjuhëhidhur! Hiqeni shpejt, që të mos kthej mendje e ta dërgoj në birucë! Ky qenka helm i gjallë! – u ngrit nga tryeza me fytyrë të mrrolur keq i dërguari i ministrisë….

Përgatiti: ALMA MILE

GJUHËT INDOEVROPIANE


Xhelal Zejneli

Xhelal Zejneli
         Gjuhët indoevropiane janë grup gjuhësh të cilat për nga krijimi i tyre janë të afërta. Ky grup i gjuhëve përbën familje gjuhësore të veçantë.  Që nga lashtësia fliten ose janë folur në një brez të gjerë prej skajit perëndimor i Evropës deri te cepi lindor i Indisë dhe deri te Turkestani kinez, në zemër të Azisë. Prej zbulimeve gjeografike e këndej, këto gjuhë fliten po ashtu në zonat e të shpërngulurve të Amerikës, Veriore, Qendrore dhe Jugore, të Australisë, të Zelandë së Re, pastaj në Siberi dhe gjetkë. Emërtimi “indoevropian”për këto gjuhë është më i vjetri dhe i pranuar nga të gjithë. Pothuajse po kaq i vjetër është edhe emërtimi: gjuhët“indogjermane” , që përdoret në vendet e shprehjes gjuhësore gjermane. Në Angli ngandonjëherë shfaqet edhe emërtimi“ariane”. Mirëpo, termi arian i përgjigjet gjuhës së indasve dhe të iranianëve të vjetër, të cilët janë të vetmit nga indoevropianët që e kanë quajtur veten arianë.    

            Ngjashmëria ndërmjet gjuhëve indoevropiane, në shumë raste edhe sot është evidente. Për shembull fjala “tre” në indishten e vjetër është trayah, në greqishten e vjetër treis (në të vërtetëtres), në gotishte preis, në lituanisht trys, në sllavishten e vjetër trije, në latinisht tres. Kuptohet, ka edhe shumë fjalë të tjera që shqiptohen ngjashëm në disa gjuhë të kësaj familjeje. Në bazë të tyre, gjuhëtarët kanë ardhur në përfundim se në të kaluarën e largët banorët e hapësirave të lartpërmendura kanë folur në gjuhën e lashtë indoevropiane, d.m.th. në gjuhën e indoevropianëve të parë.             Supozohet se atdheu i parë i indoevropianëve ka qenë diku në Evropën Qendrore dhe Juglindore, por ka të tillë që e vendosin në Azinë Qendrore. Pothuajse para gjashtë mijë vjetëve fiset indoevropiane kanë filluar të shpërndahen duke kërkuar hapësira të reja për t’u vendosur. Në këtë kohë bashkësia e parë gjuhësore indoevropiane fillon të shpërbëhet. Kështu lindën më vonë edhe degët dhe nëndegët e familjes gjuhësore indoevropiane. Gjuhë të caktuara indoevropiane përfshihen në to në bazë të afërsisë së ndërsjellë, diku të madhe, diku më të vogël.
            Gjuhët indoevropiane gjuhëtarët i kanë ndarë në dy grupe: në grupin satem dhe në grupinkentum. Në gjuhët që i takojnë grupit satem, velaret palatale të indoevropianishtes së stërlashtë k, g, g h kanë kaluar në sibilantë. Satem buron nga gjuha avestike për numrin “njëqind” - satem.Ndërsa kentum rrjedh prej fjalës latine centum për numrin “njëqind”. Ka pasur studiues të cilët ndarjen e gjuhëve indoevropiane në satem dhe në kentum e kanë vënë në dyshim. 

            Në familjen e gjuhëve indoevropiane bëjnë pjesë gjuhët, si më poshtë:
           
            1. Gjuha shqipe, e cila përbën degë indoevropiane të veçantë. Nuk është aq e afërt me asnjërën nga gjuhët e njohura indoevropiane. Sipas gjuhëtarëve eminentë evropianë, sidomos gjermanë dhe austriakë, shqipja është pasardhëse e gjuhës ilire.  Flitet: në Shqipëri, në Kosovë, në Kosovën lindore (Preshevë, Bujanovc, Medvegjë), në viset shqiptare në Maqedoni, në viset shqiptare në Mal të Zi, në Çamëri. Në Ballkan, gjuha shqipe flitet prej shtatë milionë shqiptarëve. Shqipja flitet edhe në ngulimet e arbëreshëve në Kalabri dhe në Sicili, në Zarë të Dalmacisë në bregdetin kroat (lagjja Arbanasi) etj. Shqipja flitet edhe në diasporën shqiptare në Evropë, në SHBA, në Kanada, në Australi. Një numër i madh i shqiptarëve banojnë në Turqi.
            Gjuha shqipe i ka ruajtur tiparet thelbësore të trashëguara nga një fazë e hershme indoevropiane, siç janë sistemi i rasavedhe zgjedhimi foljor, natyrisht, me ndryshime të dukshme të përftuara në rrjedhën e shekujve. Ajo ka edhe një fond të konsiderueshëm fjalësh të trashëguara, si: ditë, natë, dimër, ujk, ujë, punë, zemër, i lehtë, i thellë, i rëndë, jam, kam, bie, ha, pi etj. Ky fond i trashëguar arrin në rreth 2000 fjalë të parme, nga të cilat janë formuar shumë fjalë të tjera të prejardhura, të përbëra dhe të përngjitura, si p.sh.: punëtor, punëtori, punishte, punoj, punim, punonjës, punëdhënës etj. Sipas studiuesve të huaj, shqipja ndodhet pikërisht te rrënja e gjuhëve indoevropiane.    
            Disa fjalë në gjuhën ilire kanë shënuar shkrimtarët antikë. Emra të përveçëm vendesh e njerëzish janë ruajtur në veprat e shkrimtarëve antikë apo në mbishkrimet ilire. Për ilirët dhe Ilirinë bëjnë fjalë burimet e autorëve antikë grekë e latinë dhe bizantinë të hershëm, prej kohëve të lashta homerikederi në shekullin VII të e.s. (Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Instituti i Historish dhe i Gjuhësisë i USHT-së, 1965, vëll. I, ribotuar në vitin 2002). Fise të veçanta ilire, panojët dhetesprotët përmenden në poemat Iliada dhe Odisea. Emri i përbashkët ilirëdel vetëm në shekullin V p.e.r. te HerodotiIliria, e banuar nga ilirët, përmendet për herë të parë në gjysmën e dytë të shekullit IV p.e.r. nga Demostenisi fqinjë perëndimore e Maqedonisë. Nga gjuha ilire janë ruajtur pak glosa, si: sika “thika”, peli “qelq” (Epir), aspetos “i shpejtë” (Epir), sabaja “një lloj birre” etj.; emra njerëzish, si Dardania“dardhë”, Dalmatia “delme, dele”, Ulkin “ujk”, Bardhyl “bardhë”, Bala“balë”, Daz “dash” etj.          
            2. Gjuha armene po ashtu është degë e veçantë. E flasin armenët në atdheun e tyre dhe jashtë tij, armenët në emigracion. Njihet në dy forma: armenishtja klasike dhe armenishtja e sotme e re.
           
            3. Dega indo-iraniane  
           
            A. Nëndega indike - Gjuhët e vjetra indikegjuha vede dhe sanskritishtja; gjuhët indike të mesme prakërt, siç janë: pali, shaurasen dhe maharashtri si dhe një numër i madh i gjuhëve të reja indike: gjuhët letrare – gjuha urde në Pakistan dhe gjuhahindu në luginën qendrore dhe perëndimore të Gangesit dhe në Rajasthan, gjuha guxharat në Guxharat, gjuha penxhapnë rrjedhën e epërme të Indit, gjuha pahar në Himalaje dhe në Nepal, gjuha land në luginën qendrore të Indit,gjuha sind rreth rrjedhës së poshtme të Indit, gjuha marat në Maharashtri në anën e pasme të Bombeit, gjuha bihar  në Bihar dhe në luginën lindore të Gangesit, gjuha orise në Orissi, gjuha bengale rreth grykës së Gangesit në Bengal. Jashtë Indisë fliten gjuha sinkaleze në Sri-Lankë, gjuha nepalenë Nepal, gjuha cigane ose rome, gjuhë e ciganëve apo e romëve evropianë. Në Pakistan fliten sot 60 gjuhë, me gjuhën urdu si gjuhë kombëtare. Në Indi fliten sot 200 gjuhë, 14 nga të cilat mësohen. Ka dhe shumë dialekte. Gjuhë zyrtare është indishtja.
            Në gjuhën sanskrit (indishtja e vjetër) u shkrua Mahabharata (Historia e madhe e Bharatas)njëri nga dy eposet e mëdha të letërsisë sanskrite në Indi, i konsideruar si një prej teksteve të shenjta hindu. Përfshin 110.000 kuplete (215.000 vargje) dhe është ndoshta poema më e gjatë në letërsinë botërore. Tema e saj qendrore është lufta ndërmjet dy familjeve kushërinjsh, Kauravas dhe asaj që në fund del fitues, Pandavas. Mahabharata nuk është vepër e një poeti të vetëm, por përfaqëson një varg të tërë poezish të rapsodëve të Indisë së lashtë, e ka të ngjarë të jetë përpiluar ndërmjet viteve 400 para erës së re dhe 200 të erës së re.
            B. Nëndegës iraniane të degës indo-iraniane i takojnë: prej gjuhëve të vjetra iraniane –gjuha avestiked.m.th. gjuha e librave të shenjtë të ithtarëve të Zaratustrës, gjuha e vjetër persianeme të cilën janë shkruar mbishkrimet të mbretit të Persisë Darit dhe të trashëgimtarëve të tij; gjuhët e mesme iraniane: gjuha pehlevi, gjuhë persiane nga fisi i sundimtarëve Sasanid, gjuha part,horezmike dhe sodike e partëve dhe pasardhësi bashkëkohor i saj gjuha jagnobike në lindje të Samarkandit. Gjuha sogdike ka qenë e afërt me gjuhën e vdekur skite që e kanë folur skitët. Supozohet se nga gjuha skite rrjedh gjuha osete e sotme – gjuhë iraniane në Kaukaz. Në Azerbajxhan fliten gjuhët iraniane: gjuha tal dhe gjuha tat. Në gjuhën kurde flasin 25 milionë kurdë të Kurdistanit, d.m.th. në Irak, në Turqi, në Iran dhe në Siri. Gjuha pashto ose  afgane është gjuhë zyrtare në Afganistan, kurse gjuha baluxhe flitet në krahinën Baluxhistan të Pakistanit. Në Pamir fliten disa gjuhë pamiri.
           
            4. Dega baltike-sllave
           
            A.  gjuhët baltike bëjnë pjesë:lituanishtja, letonishtja dhe prusishtja e vjetër e vdekur.
            B. Gjuhët sllave përbëhen prej tre grupeve: gjuhët sllave lindore, ku bëjnë pjesë: gjuha rusishtja, ukrainishtja dhe bjellorusishtja; gjuhët sllave perëndimore, ku hyjnë: polakishtja, polapishtja e vdekur, çekishtja, sllovakishtja, gjuha luzhe e epërme, gjuha luzhe e poshtme; dhe gjuhët sllave jugore, ku bëjnë pjesë: kroatishtja, serbishtjasllovenishtja, bullgarishtja, maqedonishtja dhe forma e vjetër e saj sllavishtja e vjetër. Në grupin e gjuhëve sllave jugore pretendojnë të përfshihen edhe: gjuha boshnjake dhe gjuha malazeze. Sipas shkollës serbe, kroatishtja, gjuha boshnjake dhe gjuha malazeze nuk janë veçse serbishte apo dialekte të saj. Edhe bullgarët e mohojnë ekzistimin e maqedonishtes. Sipas tyre, maqedonishtja popullore është bullgarishte.
            Pesë degët e lartpërmendura të gjuhëve indoevropiane bëjnë pjesë në grupin satem.
            Për dallim nga grupi i mësipërm i gjuhëve indoevropiane, te të cilat velaret palatale (qiellzore) k, g, g h kanë kaluar në sibilantë, grupi kentum i gjuhëve indoevropiane që pasojnë më poshtë, velaret palatale i ruan si velare. Pothuajse të gjitha gjuhët kentum i takojnë pjesës perëndimore të hapësirës së banuar me indoevropianë.
            5. Dega kelte – Prejsaj, deri në vitet ’70 të shekullit XX, janë ruajtur deri diku tri gjuhë:bretonishtja në Bretanjë, e cila, nën ndikimin e frëngjishtes është në zhdukje e sipër, gjuha velse dhegjuha skoceze. Nëndegës ishullore të gjuhëve kelte i takojnë edhe gjuha man në ishullin Man dhegjuha kornike e vdekur në Cornëall.          
            Gjuha kelte apo gjuha e galëve në pjesë kontinentale ka vdekur në shekujt e parë të epokës sonë, por fushatat luftarake të keltëve e përhapën në tërë Galinë, në Spanjë, në Italinë veriore, në Panoninë e lashtë (hapësirë e rrafshët në Hungari dhe në Vojvodinë – Serbi), në Ballkan, e deri në Azi të Vogël, ku disa emra në gjuhën kelte ruhen edhe sot, si p.sh.: krahina Galatia në Azi të Vogël. Beogradin e quanin Singidunum.
            6. Gjuhët gjermanike – Ndahen në nëndegën lindore, me përfaqësuesen kryesore - gotishtene vdekur; në nëndegën veriore, me gjuhët: islandishtja, norvegjishtja, suedishtja dhe danezishtja; në nëndegën perëndimore, me gjuhët: gjermanishtja me dialektet e saj të larta dhe të ulta, gjuha frigenë Friesland,  holandishtja në Holandë me afrikansën, gjuhë e emigracionit holandez në Afrikën e Jugut si dhe anglishtja.
            7. Dega italike – Në fillim kanë qenë gjuhët e vjetra në Italinë qendrore, si: nëndega latino-faliske me gjuhën latine, në fillim gjuhë e qytetit të Romës dhe e krahinës së Lacisë dhe me gjuhën faliske, gjuhë e qytetit të Falerisë; nëndega osko-umbre, me gjuhën oske dhe me gjuhën umbre. Pas një kohe, latinishtja mbizotëroi ndaj të gjitha gjuhëve të tjera italike dhe u bë gjuhë botërore e Perandorisë Romake.        Nga e ashtuquajtura latinishte vulgare (popullore) lindën gjuhëtromaneapo neolatine të sotme, siç janë: portugalishtja, spanjishtja, katalonishtja, gjuha provansale, frëngjishtja, tre grupet e dialekteve retoromane në Alpe të cilët disa i konsiderojnë si gjuhë të veçanta, d.m.th. grupi grizhun, tirol dhe furlangjuha istroromanenë zonën prej Pulle deri në Rovinj (qytete në bregdetin kroat dhe slloven) në Istrie, gjuha istrorumune në disa fshatra në Uçkë, gjuha dalmate e vdekur në bregdetin kroat, prej Kërke deri në Dubrovnik (flitej deri në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XX). Këtu përfshihen edhe do gjuhë që fliteshin jashtë Evropës, e që ishin zhvilluar mbi bazën romane, si p.sh. gjuha haite, kreole.
            Në veri të Danubit ndodhet Dakia, vend i vjetër në Evropë, sot Rumania. Perandori romak Marko Ulpie Trajani  (sundoi në vitet 98-117) në vitet 101-107 pas K. e pushtoi Dakinë. Banorët e saj – dakët, u romanizuan. Rumanishtjaështë e vetmja gjuhë neolatine e folur në Evropën lindore, e cila u zhvillua nga latinishtja që e solli aty Trajani. Romanë konsiderohen edhe moldavët, vllehtë, cincarët (arumunët).
            Në shekullin VI gjuha latine del nga përdorimi publik dhe mbetet të përdoret kryesisht nëpër kisha.
            8. Gjuha greke – Si shqipja dhe armenishtja, edhe greqishtja përbën një degë indoevropiane të veçantë. Dallohen: greqishtja e vjetër e cila kishte një numër të madh dialektesh; greqishtja e mesme (bizantine) dhe greqishtja e sotme ( e re).
            9. Dega anatolike –  lashtësi, në Azi të Vogël janë folur disa gjuhë të vdekura. Në radhë të parë është hetitishtja, gjuhë e Perandorisë Hetite në mijëvjeçarin e dytë p.e.s. Kjo gjuhë u zbulua në fillim të shekullit XX në pllakat e argjilës që u zbuluan prej arkeologëve në lindje të Ankarasë, në Turqi. Pastaj gjuhët që janë të afërta me hetitishten, si gjuha luvike, palaje; gjuhët më të reja të Azisë së Vogël, po ashtu të vdekura, siç janë gjuhët: likike, lidike, mbase edhe gjuha karike.
            10. Dega e tokarishtes  Në Turkestanin kinez, në lindje,  janë gjetur shkrime në dy gjuhë. Emri i tyre i vërtetë nuk dihet. Në literaturë i quajnë: tokarishtja A dhe tokarishtja B.

*   *   *

            Gjuhët indoevropiane të vdekura - Përpos gjuhëve anatolike - hetitishtessi dhe tokarishtesjanë edhe do gjuhë të tjera indoevropiane të vdekura. Në Azi të Vogël, në lindje të Lidisë, Mizisë dhe Karisë janë gjetur ca mbishkrime në gjuhën frige. Sipas legjendave, frigasit në Azi të Vogël kanë ardhur prej Gadishullit Ballkanik, e që andej në Armeni, kështu që disa mendojnë se frigishtja ka qenë mjaft e afërt me armenishten. Në Maqedoninë antike është folur maqedonishtja. Sipas studiuesve grekë, maqedonishtja ka qenë një dialekt i greqishtes së vjetër. Ka studiues që thonë se nuk dihet në mënyrë të sigurt në ka qenë ndonjë dialekt i greqishtes së vjetër apo gjuhë në vete.(Çështjet që ndërlidhen me gjuhët dhe me prejardhjen e popujve, shpesh në histori janë interpretuar njëanshëm për qëllime politike). Në krahinën e Apulisë në Italinë jugore janë gjetur mbishkrime të shkruara në mesapishte - dialekt i veçantë i ilirishtesKa studiues që thonë se mesapët në gadishullin italian kanë ardhur nga Ballkani. Në rajonin e Venetit të sotëm në veri të Italisë, para ardhjes së romakëve është folur venetishtja. Një kohë të gjatë është konsideruar si një dialekt i ilirishtes. Më vonë do studiues e konsideruan si një degë indoevropiane të veçantë. Në periudhën antike, deri në shekujt e parë të erës së re, në Iliri është folur ilirishtjaTrakishtja ka qenë gjuhë e fqinjëve veriorë të grekëve – trakasve. Prej trakishtes janë ruajtur vetëm fjalë të veçanta dhe dy mbishkrime të shkurtra. Trakia në kohën antike ka qenë vend i Heladëve në veri. Sot është pjesë e Bullgarisë, e Greqisë dhe e Turqisë (më 1923, e gjithë traka në lindje të lumit Maricë në Bullgari, iu rikthye Turqisë - Rumelia).
*   *   *

            Pellazgët - Pellazgët kanë qenë popullsi e lashtë mesdhetare parailire dhe paragreke. Sipas autorëve antikë (Homeri, Hesiodi, Herodoti, Tukididietj.) pellazgët banonin në pellgun e Egjeut dhe në bregdetin perëndimor të Azisë se Vogël, në Peloponez, në Greqinë Qendrore, në Tesali e gjetkë. Përcaktimi i karakterit etnik të kësaj popullsie u shtrua si çështje që në kohën e lashtë, p.sh. nga Straboni. Gjatë Rilindjes Kombëtare pikëpamja se nga pellazgët e ka prejardhjen populli shqiptar u përkrah si mbështetje për të treguar lashtësinë e tij. Pikëpamjet e sotme më të rëndësishme mund të përmblidhen në dy qëndrime kryesore: 1) Në Ballkan e në Mesdhe ka jetuar një popullsi e tejlashtë me emrin pellazgë, që shërbeu si bazë për formimin e popullsive të mëvonshme të kësaj treve; gjuha e tyre pellazgjishtja duhet konsideruar si një gjuhë e parë indoevropiane. 2) Në kohën e tejlashtë në Ballkan e në Mesdhe nuk ka pasur një popullsi të njëjtë dhe as një emër të njëjtë për të gjitha këto treva; prandaj – sipas disa studiuesve - emërtimetpellazgë pellazgjishte janë të pasakta. Në këtë rast popullsitë quhen parailireparagreke e paratrakedhe – sipas disa studiuesve - përjashtohet mundësia e përcaktimit të karakterit të tyre etnik.
            Pellazgjishtja – Sipas disa studiuesve, gjuha e pellazgëve është gjuhë e panjohur. Disa të dhëna për të, nxirren në mënyrë të tërthortë. Janë bërë përpjekje për të zbuluar lidhje të pellazgjishtes me gjuhë të tjera indoevropiane. E kanë afruar atë herë me ilirishten dhe nëpërmjet saj me shqipen, herë me trakishten, herë me gjuhët gjermanikeetj. Si mbetje të pellazgjishtes janë vështruar disa fjalë të greqishtes dhe disa emra vendesh, personash e perëndish me disa prapashtesa të veçantë, që nuk kanë të njëjtat tipare fonetike që karakterizojnë greqishten.
            Që në shekullin XVIII, por veçanërisht me rilindësit e shekullit XIX, nga studiues shqiptarë e të huaj u hodh e u trajtua teza e lidhjes së pellazgëve me shqiptarët dhe e pellazgjishtes me shqipen. Për të treguar lashtësinë e shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe, tezën e prejardhjes pellazge të shqiptarëve e shtjelluan sidomos rilindësit De Rada, Dhimitër Kamarda, Pashko Vasa, Naim Frashëri, Sami Frashëri. Në mënyrë të veçantë këtë tezë e trajtoi dhe e bëri të njohur në rrethet shkencore evropiane diplomati, filologu dhe albanologu austriak, i konsideruar themelues i studimeve shqiptare Johan Georg fon Han (Johann Georg von Hahn, 1811-1869).       Gjatë shekullit XX me pellazgët e me pellazgjishten janë marrë disa gjuhëtarë të njohur, si linguisti gjerman Paul Kreçmer (Paul Kretschmer, 1866-1956), linguisti dhe filologu bullgar Vladimir Ivanov Georgiev(1908-1986)gjuhëtari dhe studiuesi belg Albert Joris van Vindekens (Albert Joris van Windekens, 1915-1989)linguisti austriak Fric Lohner-Hytenbah (Fritz Lochner-Hűttenbach, 1930-) etj.
            Vindekensi pellazgjishten e quan gjuhë indoevropiane.
           
            Në vitet ’60 të shekullit XX tezën e prejardhjes pellazgjike të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe e kanë mbrojtur edhe studiues shqiptarë, si: filologu, helenisti dhe historiani, pellazgologu i parë shqiptar, i lindur në Korçë, i diplomuar në Universitetin e Athinës, Prof. Spiro N. Konda - në librin historiko-filologjik “Shqiptarët dhe problemi pellasgjik”, të botuar në vitn 1962 në gjuhën greke dhe në Korçë më 1964 në gjuhën shqipe; dhe pellazgologu i shquar, i cili studioi drejtësinë në Universitetin e Sienës në Itali, nip i Thimi Mitkos – Prof. Dhimitër Pilika (Korçë, 1923-2003, Tiranë)në librin “Pellazgët, origjina jone e mohuar. Cilët janë pasardhësit e pellazgëve”, Botimet enciklopedike, Tiranë, 2005.
             
*   *   *
            Gjuhët që fliten në Evropë, e që nuk i takojnë familjes së gjuhëve indoevropiane -  Nuk u takojnë gjuhëve indoevropiane: gjuha baskefinlandishtjahungarishtjaestonishtja (në Baltik).Familjes së gjuhëve indoevropiane nuk i takon as turqishtjaGjuha finlandeze i takon grupit baltiko-fin të gjuhëve ugro-fine dhe është e afërt me estonishten. Gjuhën baske (baskishten) e flasin nëvendin bask (në Spanjë dhe në Francë) rreth një milion folës. Nuk lidhet me ndonjë gjuhë të njohur dhe ndoshta është mbetje e gjuhëve para-indoevropiane të Evropës. Hungarishtja është një nga gjuhët ugro-fine dhe është e vetmja gjuhë e madhe e degës ngrike.
*   *   *
            Studimet e para të gjuhëve indoevropiane - Qysh në lashtësi u pa se ndërmjet greqishtes dhe latinishtes ka disa ngjashmëri. Por, për paraqitjen dhe për zhvillimin eindoevropianistikësndikoi vetëm njohja e Evropës me kulturën indase dhe me sanskritin. Që nga fundi i shekullit XVI u vërejtën ngjashmëri të caktuara të sanskritishtes me disa gjuhë evropiane. Jehonë më të madhe patën mendimet e orientalistit anglez Viliem Xhonsit (Wiliem Jones, 1746-1794) i cili kishte shërbyer në Indi. Poeti dhe kritiku gjerman Fridrih Shlegel (Karl Wilhelm Friedrich Schlegel, 1772-1829) dhe romantika e hershme, konstatimet e Xhonsit (Jones) lidhur me sanskritin i pritën me entuziazëm. Në këto rrethana u paraqit vepra e njohur e studiuesit gjermanFranc Bopit (Franz Bopp, 1791-1867) “Mbi sistemin e zgjedhimit të sanskritit në krahasim me sistemin e zgjedhimit të gjuhës greke, latine, persiane dhe gjermane”. Kjo vepër merret si fillim i periudhëskrahasimtare në historinë e gjuhësisë. Bopi është një nga themeluesit e linguistikës si shkencë e pavarur. Është i pari që argumentoi se shqipja bën pjesë në trungun e gjuhëve indoevropiane. Është autor i veprës “Gramatika krahasuese e gjuhëve indoevropiane” (1833-1852). Në dhjetëvjeçarët e ardhshëm indoevropianistika mori një zhvillim të hovshëm: u shtruan çështjet që kishin të bënin me gjuhën para-indoevropiane, me atdheun e hershëm të para-indoevropianëve dhe me popullin para-indoevropian. U paraqit teooria e linguistit gjerman August Shlajerit (August Schleicher, 1821-1867) – Teoria e trungut gjenealogjik të gjuhës indoevropiane si dhe Teoria e valëve(Wellentheorie) e linguistit gjerman Johan Shmitit (Johannes Schmidt, 1843-1901). Në vitin 1861 August Shlajeri botoi veprën e tij të madhe Përmbledhje e gramatikës krahasuese të gjuhëve indogjermane. Tentoi ta bëjë edhe rikonstruktimin e gjuhës proto-indoevropiane. Filloi botimi i revistave linguistike të rëndësishme. U ndërruan drejtimet kryesore në shkencën e gjuhësisë, siç janë komparativizmi i hershëmnatyralizmi biologjik, psikologjizmi dhe Teoria mbi botën e filozofit dhe gjuhëtarit gjerman Humboldit (Karl Vilhelm, baron Von Humbold, 1767-1835). Me veprat egramatikanëve të rinj, kjo periudhë e formimit të gjuhësisë arriti kulmin e vet. Në vitin 1880 doli vepra e linguistit dhe leksikografit gjerman Prof.Herman Paulit (Herman Paul, 1846-1821)“Parimet e historisë së gjuhës”, me të cilën u vunë bazat teorike të shkencës së gjuhësisë. Gramatika krahasuese indoevropiane u bë model i studimit të familjeve të tjera gjuhësore dhe burim i rëndësishëm i njohjes së gjuhës në përgjithësi. Në fillim të shekullit XX, pas linguistit zviceranFerdinand de Sosyrit (Ferdinand de Saussure, 1857-1913), shpejt e zëvendësoi në atë rollinguistika e përgjithshmepor ndikimi i gramatikanëve të rinj në vende të caktuara ende ishte i fuqishëm.
*   *   *
            Familje të tjera gjuhësh: familja e gjuhëve uralo-altaikegjuhët hamitegjuhët semite  - Përpos familjes indoevropiane të gjuhëve, ekzistojnë edhe familje të tjera gjuhësh, si: gjuhët uralo-altaike – grup gjuhësor turan në të cilin bëjnë pjesë gjuhët: ugro-fine (hungarishtja...), samojed dhe altaike, përkatësisht manxhu-tunguze, turko-tataredhe mongoleGjuhët hamite fliten prej popujve hamit të cilët banojnë kryesisht në Afrikë, siç janë berberët, egjiptasit e vjetër, koptët etj. Në grupin e gjuhëve semite bëjnë pjesë gjuhët: babilonase, asirike, hebraishtja e vjetër, fenikase, arameike dhe sirike, arabishtja, etiopishtja e vjetër (gejez), amhar – gjuhë e Etiopisë bashkëkohore dhe disa gjuhë të tjera etiopike. Izraelishtja e sotme quhet ivrit.     


Ky nuk është vend për vajza!





Rudina Xhunga


Aisha e pa vdekjen në sy.
Policia deklaron që vrasësi i saj është një 80-vjeçar dhe ndoshta ai është. Por tanimë, kur Aisha s’është më, besoj se, kushdoqoftë monstra, nuk do të merret vesh kurrë cili vërtet e vrau Aishën.
Sepse as u mësua, as u dënua kush e vrau Erietën. Qentë e gjetën gruan e gjorë, të copëtuar dhe mbaruan punën që nisi vrasësi. Edhe media i dha një dorë, me botimin e përgojimin e moralit të së vdekurës që s’kishte gojë të përgjigjej.
Po Irena Selin, u gjet kush e vrau? Po Kozetën? Po Aurorën? Asgjë. U harruan. Vetëm nënat i qajnë.
Aisha ishte jetime. Nuk ka as nënë ta qajë. Po bëhej vetë nënë, e vogla. Mbante në bark një jetë 11-javëshe.
E kërcënuan ta hiqte. Nuk e bëri. E vranë që të mos bëhej nënë. E vranë se donte të mbronte beben e vet.
I këputën kokën si zog dhe ia hodhën në një arë me misër.
Unë nuk kam fjalë të tregoj dhimbjen, neverinë dhe llahtarën që provoj, kur mendoj për këtë vdekje. Dhe mendoj për të gjithë kohën. Nuk arrij ta shkëpus veten nga tronditja që provova për këtë makabritet.
Vetëm mendoj për atë të mjerë, për fshatin ku lindi, fshatin ku erdhi, për nënën që humbi, për vëllezërit e motrat që iu bë nënë. Për vetminë, për varfërinë, për ëndrrat që ka një vajzë e vogël. Një vajze e mjerë.
E përdhunuan të mitur. E lanë shtatzënë të vogël. E masakruan në mes të një are. Ajo e vdekur ishte, por e vranë përfare.
Po, pse moj zemër e vogël nuk kishe një armë, si Nazimja, me vete, atë natë?
Nuk është ky arsyetimi që duhet të ndaj në publik, por ky realitet nuk mban më arsyetim.
Një e mitur kokëprerë. Një mort i ndërprerë se vajza ishte shtatzënë. Një familje që ka të njëjtin version. Një motër që nuk flet. Që nuk di gjë. Për të motrën që e rriti, që ndante dhomën, që ndante tmerrin. Tani ndajnë heshtjen. Në emër të nderit.
Një media që çfarë nuk shkruan, për vrasës kasapë, profesionistë, sekte muslimane, për lloj-lloj banalitetesh të paprovuara, duke i vënë damkën e vulgaritetit, dramës së madhe të këtij kombi.
Këtij kombi që po i vrasin gratë. Dhe nuk i gjejnë kurrë vrasësit. Se jeta e grave këtu s’rrit peshë. Ka gra me shumicë…
Gra me vrasës pa emër. Po të kishte pasur emër vrasësi i Erietës, Aurorës, Kozetës, nuk do guxonte ky katil ta këpuste pa frikë e faj kokën e Aishës. Ky i marrë që i mori jetën një nëne. Por ai e pati të lehtë ta bënte, se ky yni është një vend i mallkuar për gratë. Ky yni nuk është vend për gratë. Për gratë e mjera të provincës, që vijnë në qytet me shpresë të jetojnë. Për vajzat e mitura të fshatit që humbasin në këtë qytet të madh, pa një dorë, pa një zë, pa një ndihmë, pa një fat. Qyteti i madh pa rregulla, pa ligje, pa shtet, pa solidaritet, pa zemër, po i ha, po i vret.
Unë nuk di të them, ku do shkojë e gjithë kjo? Si do të mund të rrojë qetësisht një shoqëri që vret gruan kaq normalisht?
Unë nuk di të them, a do të flasë Jozefina Topalli? A do të thotë një fjalë, do të mbajë një minutë heshtje, do të ndezë një qiri, do të kërkojë rishikimin e një ligji?
Po Liri Berisha, gruaja e Kryeministrit të vendit; po Linda Rama, gruaja e kreut te opozitës? Po Monika Kryemadhi? Do shkunden që të shkundin burrat e tyre, që bashkë kanë ndërtuar këtë sistem që po na vret?
Kanë ndonjë fjalë për të thënë, kanë ndonjë gjë në dorë? Unë nuk mundem të fajësoj asnjërën prej këtyre dhe atyre që s’kam përmendur, sepse fajin e kam dhe vetë. Edhe unë jam fajtore që Aisha vdiq. Me çfarë bëj edhe s’bëj, kam faj që s’ndalova ta thernin si zog.
Ndiej përgjegjësi për çfarëdo gjëje që u ndodh grave të vendit tim, sepse kam një zë dhe nuk e përdor sa duhet, duke besuar e menduar se këtu ka marrë fund, s’ia vlen. Po fundi s’paska fund.
Ndaj nuk kam të drejtë t’i hakërrehem kujt pse nuk bëri çfarë.
Ndaj thjesht po ju lutem. Këtyre grave publike dhe gjithë grave të këtij vendi, që e kanë një zë. Lëshojeni! Ndizni një qiri në shtëpi, a në shesh për Aishën. Bëni një shkrim, jepni një intervistë, shkojini në shtëpi, çojini lule në varr, bëni çfarë të mundeni, por mos rrini duarkryq! Vajza të FRPD, të FRESH, të LRI, të AK. Vajza të “Petro Ninit”, të FB, të Bllokut, bëni një gjë! Gjejeni vetë çfarë. Aq mend i keni. Po bëjeni! Kanë vrarë Aishën. E ke radhën ti pas saj, po nuk fole, sot.
Mos e bëj për Aishën, nëse nuk e ndien. Bëje për vete!

“TIPARET INDIVIDUALE TË STUDIUESIT YMER ÇIRAKU DHE KOHERENCA E BOTËVËSHTRIMIT TË TIJ” (Shkëputur nga libri studimor “Fjalë zemre – studim letrar për krijuesit e Sarandës” 2012)



MINELLA GJONI (Mësues i Merituar)



Mbi krijimtarinë studimore të Prof. Ymer Çirakut


Prof. Dr. Ymer Çiraku është një studiues sistematik i letërsisë
shqipe dhe i krijimtarisë së poetëve që kanë lënë gjurmë në
letërsinë tonë në vite e deri tek brezat e rinj. Ky rrugëtim studimor
ka nisur në Sarandë.
Prof. Çiraku jo vetëm rendit, por mundohet të kapë filozofinë
e kësaj krijimtarie në vite. Vërej se ai e ka mirë parasysh thënien:
“Mos shikoni atë që lexoni, por atë që kuptoni nga ajo që keni
lexuar”. Pikërisht duke u mbështetur në këtë filozofi, futet thellë
në studimin e çdo krijuesi, duke u përpjekur të depërtojë deri në
amën e ngjizjes së krijimit dhe nënshtresëzimeve kuptimore.
Bota është e handakosur dhe e mpakur. Ka në të personalitete
të famshëm, të shquar që i kanë ngritur vetes piedestal. Ka
dhe histori të dukur në muzeume madhështore para të cilëve të
gjithë përulen, por këta persona të shquar e këto muzeume
shërbejnë vetëm për të shenjtëruar botën ashtu siç është e ashtu
siç duket.
Ne jetojmë në epokën e përmbysjes rrënjësore të mënyrës
së vjetër të jetesës, në epokën kur te njeriu po ngjallet ndjenja e
dinjitetit të tij personal, në kohën kur ai po bëhet i ndërgjegjshëm
dhe po e kupton veten e tij si një forcë që e ndryshon me të vërtetë
botën. Këtë ka mundur ta zbulojë studiuesi Ymer Çiraku në veprat
e veta sidomos kur u referohet vrulleve e talenteve letrare. Duket
sikur parafytyrohet vera që zien, që e nxjerr përpjetë tapën dhe
madje e çan vetë shishen.
Ai hedh idenë: “Fusha e shkencës letrare ka ardhur koha të
bëhet më polifonike, kërkohen studime historiko- letrare, të
teorisë së letërsisë, kritikës universitare në kuptimin e
pikësynimit për shqyrtime sistematike, me modele etj.. Ka
gjithashtu vendin e vet dhe eseja që kanë filluar ta lëvrojnë vitet
e fundit sidomos shkrimtarët, duke shmangur dhe ndonjë
paragjykim për të”.

Këndvështrim avangardist i kritikës së Prof. Çirakut në evidentimin e individualiteteve
krijues të letrave shqipe

Studimet e Ymer Çirakut nuk janë përsëritje e askujt. Ato
janë gjykime individuale të një njeriu me një shtrirje të gjerë
mendimi, të një eruditi, sidomos një njohës i mirë i letërsisë
shqipe në shoqërim të historisë së saj. E ka parë krijimtarinë e
secilit në kohën që kanë shkruar e për kohën që kanë shkruar.
De Radës i ka dhënë vendin e rolin e vet të kohës, por Martin
Camajn e ka parë në kohë të reja e moderne, i ndikuar nga rrymat
aktuale të letërsisë botërore.
Sa të vështirë e kanë studiuesit e letërsisë, kur merren
seriozisht me të e shpreh bukur kritiku Adriatik Kallulli:
“Ata të paktë kolegë që janë marrë për vite dhe vite radhazi
me studimet për letërsinë dhe kritikën letrare, e dinë fort mirë
se ç’vështirësi përbën hartimi i një përmbledhjeje, ku të treten
bashkarisht edhe tiparet individuale të një kritiku, edhe
koherenca e botëvështrimit të tij, edhe evolucioni i natyrshëm
që ai duhet të përftojë në pajtim me rrethanat dhe ndryshimet
që ndodhin në mbarë jetën e shoqërisë”. (Adriatik Kallulli “Pema
e jetës” bot. OMSCA 2002, fq. 3)
Vetë Prof. Çiraku shprehet: “Çdo letërsi e vërtetë, në rrugën
e vet, mbartet me misionin e palëkundur për të fituar betejën
me letrarësinë, pra të bëjë të mundur për t’u identifikuar e
hirësuar në të”.
Studimin letrar Prof. Çiraku e ka ngritur në shkallët e kohës,
duke iu larguar disi kritikës tradicionale. Kap fenomene që i japin
shtysë shoqërisë. Nuk është një numërim faktesh, veprash a
ngjarjesh, por hyn thellë në të duke gjetur thelbin e mendimit,
figurën e goditur. Nuk është thjesht një konstatues, por një filozof
mendimi duke e qëmtuar atë, aty ku gjendet në veprat letrare.
Thotë: “Përsa i përket interpretimit të modernizuar, kjo prirje
është ndjerë sidomos në shqyrtimin e letërsisë moderne të shek.
XX... . Emërtimi konvencional “letërsi moderne” është
prezantuar kryesisht me të kuptuarit e një letërsie që i ka
përpunuar në shkallë të lartë nivelet e ligjërimit”.
Penave më të rëndësishme të letërsisë shqipe u ka zbërthyer
kodet letrare, i analizon e jep opinione për ta. E quan Martin
Camajn qytetar presticioz të “republikës së letrave”; Lumo Skëndon
“personalitet të autoritetshëm”, tek i cili mishërohej eruditi i madh
i kohës, publicisti dhe botuesi ekzigjent, përcjellësi i traditës së
Kristoforidhit e Frashërllinjve, përkthyesi dhe analisti; Konicën
“është i pari që zgjodhi modelin kritik përkundrejt modelit mitik”.
Për Poradecin thekson: “Gjithë vjersha i ngjan një kumbimi
simfonik, të kthjellët e paksa të ngadalshëm si në simfonitë
Bethoviane. Është pothuajse një psherëtimë e thellë njerëzore si e
dalë nga zemra e dheut, përshtypje që e krijon jo vetëm fabula e
pasqyruar, por edhe një varg tingujsh e pjesëzash gjuhësore që
transmetojnë këtë gjendje”.
Mund të vazhdonim kështu për shumë figura. Qëllimi i
theksimit të këtyre sekuencave nga unë është të argumentoj se
Prof. Ymer Çiraku është një përcaktues i saktë, i qartë, me
mendim të përzgjedhur për këto figura, pak i kursyer në fjalë,
por ato të japin imazhin e plotë të këtyre personaliteteve të
pangatërrueshëm të letrave shqipe edhe sikur më tej të mos ta
vazhdosh mendimin.
Gëtja thotë tek një poezi e tij “Zotat kur u zgjova nuk m’i
kishin marrë të gjitha” (Gëte “Vepra të zgjedhura” vëll 4 fq. 178
Tiranë 1998).
Edhe pse të cfilitur nga kohët, vendi ka nxjerrë një varg
shkrimtarësh të shquar që na kanë lënë në fondin e letrave shqipe
vepra në thelb të qëndrueshme, me individualitet artistik dhe
me të vërteta të rëndësishme, të cilat herë - herë janë thënë açik
e herë të tjera në guackën e figuracionit e të gjuhës ezopike.
“Asgjë nuk duhet mbytur e mospërfillur”, - thotë studiuesi
Zejnullah Rahmani, ndërsa Sabri Hamiti argumenton se “vetëdija
letrare mund të përcaktohet nga studimi i gjithë korpusit krijues
të shkrimtarit, domethënë dhe nga ajo që është botuar dhe nga
ajo që ka qenë “djepi dhe vorri i tij”. Dhe studiuesi Ymer Çiraku
përpiqet që të jetë gjithëpërfshirës.

Letërsia arbëreshe e jo vetëm, në optikën e studiuesit Ymer Çiraku

Studiuesi i vëmendshëm Prof. Çiraku nuk ka lënë jashtë
gjykimit një epokë letrare më në zë të historisë së letërsisë
shqiptare, atë arbëreshe. Është ndalur në disa veçori të
romantizmit në veprën e De Radës apo krijimtarisë së Lluka
Perone në kontekstin e poezisë arbëreshe, por dhe në rolin e
letërsisë arbëreshe sipas Çabej.
“Që nga brigjet e përtej detit për katër shekuj me radhë u
sollën nga kjo anë zëra të përmallur arbëreshë, të patërhequr e
plot drama. Të rihyje përsëri në këto vise qoftë edhe shpirtërisht,
qenkej tepër më e vështirë se ikja”, - shprehet Prof Çiraku. I
pëlqen të citojë vetë Çabejin kur shprehet: “... paraqesin një pjesë
të botës ballkanike m’u në mes të jetës latine... kjo është vatra
shqiptare... jeta e përditshme nëpër fusha e ara, nëpër bregore
e vreshta me skenat idilike ndanë krojit”.
Prof Çiraku dallon e thekson se “poezia arbëreshe në rrafsh
diakronik paraqitet si fragment i njësisë së universit të letërsisë
shqipe, por në disa aspekte shfaqet edhe si univers më vete,
specifik. Kjo poezi, përveç shpërthimit të natyrshëm talenti, është
dashur të jetë dhe mjet qëndrese në aspektin gjuhësor e kulturor.
Poezia mund të pohohet se ka qenë ai balsam e përkryer që e ka
penguar humbjen e kujtesës etno - kulturore të shumë e shumë
ngulimeve arbëreshe.
Më ka mbajtur peng për disa minuta gjykimi i prof. Çirakut
me studimin “Letërsia greke në shqip- urë komunikimi”. Është
një letërsi e fqinjit tonë, me të cilin na kanë lidhur fatet e historisë
ballkanike, por dhe në ndonjë rast na kanë larguar nacionalizmat
e shëmtuara. “Gjithsesi, - siç shprehet Prof. Çiraku, - ky fat
historik ka kultivuar mjaft elemente të përbashkët nga kultura
materiale e shpirtërore, aq sa shpesh ka qenë e vështirë të
shkoklaviten protoorigjinat e shtegtimeve dhe qarkullimeve
kulturore që gati ngjajnë si lëvizje të përjetshme në hapësirat e
galaktikës ballkanike”.
Vetë e pranon Prof. Çiraku se në letërsi nuk janë distancat
gjeografike që përcaktojnë afritë apo largësitë, por ca shenja të
tjera që globalisht përfshihen në regjistrin estetik... madje këtej
u përcoll që në kohërat antike prania e kulturës gravitacionale
për tërë njerëzimin. “Ballkani nuk ishte thjesht një rrugë kalimi,
por një mitër veprash të reja epokale, që vazhduan dhe më pas
të krijohen”.

Një jetë mes studimesh

Prof. Ymer Çirakut i shkoi jeta mes studimesh me vlera
kombëtare e më gjerë. Pena e Profesorit të nderuar ka shndritur
herët duke rrezatuar në breza të tërë studentësh dashurinë për
letërsinë shqipe e rrjedhimisht për kombin shqiptar. Ka studiuar
shumë vepra e epoka. Për secilin ka dhënë mendimin e vet
shkencor e profesional. Me studimet e tij po le gjurmë në histonë
e letërsisë shqipe. Ato janë bërë pjesë e ndërgjegjësimit të
studentëve dhe të të gjithë atyre që merren me letërsinë. Mes
tyre do të veçoja monografitë “Bota poetike e Martin Camajt”,
“Struktura e një krijimtarie letrare (Monografi mbi dramën e Kol
Jakovës”, “Në zbërthim të kodeve letrare”, “Gjurmime në letërsinë
shqiptare” japin modelin artistik e estetik se si duhet realizuar
një studim serioz me një metodikë shkencore duke u futur deri
në detaj të krijimit e synimit të vetë figurave që analizon.
Prezantimet e tij në konferenca, në simpoziume, në
promovime vlerash brenda kombit e në ato ndërkombëtare e ka
bërë atë një personalitet, akademik, ku pa frikë i referohesh
kompetencës së tij.

Prof. Ymer Çiraku ka shkruar këta libra:
1. Në zbërthim të kodeve letrare (studime, ese)
2. Struktura e një krijimtarie letrare (Monografi mbi dramën
e K. Jakovës) (studim)
3. Bota poetike e Martin Camajt (studim)
4. Gjurmime në letërsinë shqiptare (studim)
5. Letërsia bashkëkohore shqiptare (bashkëautorë: Ymer
Çiraku, Agim Vinca, Bashkim Kuçuku, Natasha Lushaj)
Teksti zyrtar i Letërsisë për shkollat e mesme.
6. Shqyrtime kritike nga Historia e letërsisë shqipe etj. dhe
një numër të konsiderueshëm librash studimorë me
bashkautorë, apo autor i shumë teksteve shkollore të
niveleve të ndryshme.

Qejfe! Paraja drejton…


Nga Petro Marko 
Botuar më 1937

Petro Marko
Eja, të shkojmë gjëkundi të kalojmë disa orë të dehur. Të çmendur, të lumtur. – Të bëjmë. . . qejf! –Po ku? – Vemi të pimë? – Po ku? – Në daç te Miti. Në daç te Dhori ose tek Tahsimi. Në daç vemi ia shtrojmë me birrë në “Nacional”. Ose vemi tek Koliqi të pimë verë. Apo nuk vemi tek Mahmuti që ka një raki rrushi që të merr në qafë! Pastaj ka dhe një lokal si nga ato ku dergjej dikur Omar Khajami. Eja të vemi pimë… Vetëm kështu mund të bëjë njeriu qejf këtu në kryeqytet. Duke pirë. Pi në “London”, pi në “Bristol”, në pijetore “Vlora”. Ku të duash pi. -Oh më fal!

Jo ku të duash. Vendet janë ndarë vetvetiu. Kushdo e ka zënë folenë e tij. Kushdo është bërë dhe familjar në ndonjë kafe. Bie fjala “Bella Venezia” është një vatër familjare pun’e madhe! Pa shko ti ndonjë ditë atje dhe ke për të parë se do të dallohesh si kau balash. Unë kur vete ndonjëherë, rrëmbej pastën e ëmbël dhe iki, se akoma atje s’ka marrë fund biseda mbi “doiçe kulturën” e shkretë…
Ose shko në ta mban të dielën në kafe “Berlini”. Aman o Zot! Atje atë ditë, përveç që fronat janë zënë krejt, po të them të drejtën, atje bie erë luftë. Sheh njerëz të skuqur, të ruarë (në kokë), të veshur njëlloj, me kravata të reja, që kanë mbërthyer tryezat dhe vëzhgojnë me egërsi si të tërbuar ato femra të pakta që shkelin me butësi pllakat e bulevardit! Pirja është “qejfi” i parë. Po pastaj? Pastaj ç’derë është e hapur? Doemos flas për ata që rrojnë e bëjnë qejf…

Ç’të them? Ç’të flas? Ç’të mollois? Thomëni, nga t’ia mbaj? – Nga “Brraka”? Nga rruga e burgut! Në “Ferrara”? Në… Në… Ku? Kudo që të shkel: një lloj! Po atje bëhet “qejfi”. Atje derdhen të hollat! Atje digjen zemrat… “Zemra më pikon gjak!…” E shkreta zemër! Nuk e di që ka humbur formën e saj. Është copëtuar. Dhe megjithatë goja e lirë të bërtet: “Ma dogje zemrën!” Eh, ç’zemër moj lumëmadhe! Apo dallga e jetës të ka hedhur këtu? Të ka vërvitur pa mëshirë! Dhe ti qesh. Qesh pa ditur përse. Çdo njeri e “dashuron” . Çdo xhep e zbraz. Po për vete ç’je? Si rron? Si u ndodhe ketu?
– He, ha! Eja të pimë! Ha, ha! Eja, eja…

Dikur kam qenë vajzë. Më gënjeu “ai”. S’mbaj mend gjë. Vetëm lëndinën ku u rrokullisëm midis barit të njomë… dhe pastaj lotët e mi. Dhe pastaj! Eh, eja të pimë! Dhe pastaj unë e gjora pa njeri, pa pare, oh! Pa pare, pare, pare! Dhe pastaj eja, eja… ma dogje shpirtin! Pare! Dhe ti e zbraz xhepin. Bën qejf. Qejf në kryeqytet. Ku të duash. Përveç, “shteteve të lira”, të njohura nga “Lidhja e Kombeve”, nga Bashkia dua të them, ka shumë autonomira të tjera, të fshehura, të panjohura, nga dalin tërë sëmundjet e botës. Po të doni pyesni Dr. Panon ose Dr. Kërçikun dhe ata do t’ju thonë përqindjen e të “plagosurve” nëpër betejat e “shteteve të paregjistruara” – Ç’të bësh mor zot. Varfëri! – Ç’varfëri mor lum? Varfëri mendore, varfëri morale! Hiç gjë më tepër. Pyet po të duash ndonjë karrocier, ose ndonjë… Thuaji: “Jam jabanxhi. Kam nevojë për një… do të ta paguaj mirë. Dhe ti ke për të marrë hakun tënd!” A di se ç’ka për të të thënë? -Po, po zotni! Peqe! Sa të duash! Dhe të cakton orën. Dhe ti vete atje ku s’e di. Çuditesh kur sheh. . .Lëre mos e nga! Po të kesh ndërgjegje, ikën! Ikën me zemrën të copëtuar. Po të jesh i fortë pyet: – Po pse keshtu moj e gjorë? – Nevoja, nevoja zotni! Qejf! Duman!
Qejf në kryeqytet…- Ku të vesh? Ku të bësh qejf? – Ja në kinema, ja në kafe, ja në…! – Flas me ty që je i lirë. Po familja ku do të argëtohet? Ku do të shkoje ndonjë orë me prehje? – Ja në “Gloria”, ja në “Nacional”, ja në “Rozafat” … Hiç gjë më tepër. Ose ne “Kursal” për ndonjë birrë të ftohtë, ose ndonjë shëtitje. S’ka më. S’ka teatër! S’ka park! S’ka gjë. Po rinia ku e kalon kohen? – Ah, ah dhe ah! Shko mor ndonjë orë, kur të duash, natën ose ditën, në “Sallon bilardo amerikan”. Shko, pash Zotin! Ke për të uluritur. Do të shikosh atje se si djelmëria shkel mbi dhoga të kalbura. Do të shikosh atje një lopatë të madhe që hap varrin e karakterit dhe moralit. Atje do të shikosh me sytë e tu drejtimet e reja të gjeneratës sëre. Gjithashtu dhe në kafene “Sporti”. Atje me të vërtetë “sporti” përparon. Përparon për vdekje. Dhe sidomos studentët, “sportin” e ndjekin me zemër. .

Qejf mor zot, qejf

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...