Tregim nga Riza Lahi
Poetesha e re, komshia ime gjimnaziste Çerazela, po shikonte nga lulet e oborrit ulur në parvazin e dritares dhe po mendonte "ç'të bëj…ç'të bëj".
Kur u kujtua për diçka.
Sytë I vezulluan si të një djalli të bukur dhe, si u kujtua ta mbyllte derën e dhomës mirë e bukur, mori laptopin e saj.
E hapi sikur të hapte një arkë më florinj, jo mikun e saj special që e hapte disa herë në ditë.
Fillimisht vuri në ekran një fotografi të plazhit, veshur me rrobet e saja të ndezura ku kishte dalë këmba mbi këmbë ndërsa kish qënë duke lexuar, dhe nisi ta ujdiste sipas planit.
Pas dhjetë minutash, fotoja e saj e parë qe veshur me një tyl transparent të kaltër, ku dukesh gjithçka që ka një vajzë në plazh, kur njeriun e ndajnë nga nudizmi një palë mbathje të holla dhe një mbledhëse e lehtë dhe provokonjëse e gjoksit.. Fustani i saposajuar ishte I çelur përpara deri në mesin e gjoksit , ndërsa mes këmbëve që rrinin njëra mbi tjetrën - sigurisht lakuriqësirë e gjallë plazhi por mbuluar ca me cipën e hollë si mazë të fustanit - kaloi me shumë kujdes njërën dorë. Mundi ta fuste më në fund mes këmbëve të saja, atje ku bashkohen ato.
Mmmmm…
Si i bëri fotos së sajuar "saved" dhe i vuri emrin "djallushka", u sul mes turrës së fotove të shtëpisë dhe gati sa nuk thërriti "urra", duke u hedhur përpjetë nga hareja. Para saj ishte fotoja që I kishte bërë vëllai për ditlindje para dy muajsh. Kishte qënë duke bërë mësimet, kur ai kishte hyrë me aparatin gati për ta shkrepur ,sigurisht të fshehur. E kishte provokuar me një pyetje që e ngarkonte atë me faj dhe , ndërsa ajo e vështronte me sytë gjynahqarë, të zënë në befasi dhe pa pikën e fajita e që kërkonin në të njëjtën kohë mëshirë nga i vëllai që ta besote, së paku ai, aparati kishte shkrehur.
Ja, kjo ishte fotoja që i duhej "Djallushkës" së bukur.
E skanoi me të shpejtë dhe fytyrën e saj ia montoi fotos së parë.
Bëri ca modifikime në fytyrë me shumë kujdes.. Po! Tanimë , kjo vajzë me sytë e bukur dhe të trëmbur që kërkonin dashuri, me njërën dorë mes shalëve me rrobe banjoje e të mbuluara me gjasme fustan, i ngjante ca Çerazelës, por nuk ishte Çerazela.OK, ore, krejt si ajo, por jo ajo.
Poetesha e re, komshia ime që më bezdis tash e parë në telefon apo duke trokitur në derën e dhomës së punës : " …të ta lexoj këtë poezinë e re? Hë, vetëm pesë minuta", e pa foton dhe një herë dhe përplasi duart.
Pastaj u ul të shkruante një poezi. Një poezi erotike.
Në të shkruhej se ishte përvëluar për dashuri të vërtetë; se këtë e kërkonte nga "…ti, o mashkull i zhgënjyer në dashuri ", se i dashuri i fantazive të saja duhej që ta mësonte se si notohet në "artin e oqeanit të seksit". Në fund të poezisë, klithte si derrkuc që po e pjekin të gjallë " Jam rrebele….Jam rrebele dhe dua të mëkatoj. Të mëkatooooojjjj".
Pa e vrarë mëndjen për rima, ritme e kadenca, e hodhi poezinë në "facebookun" e hapur me adresën "Dua të jem e dashura jote".
Dhe ra të flinte…
xxx
Të nesërmen,si u kthye nga shkolla, u sul te "vëndi". Të nesërmen ishte ditë pashkësh, pushim, pra.
Mamit dhe babit që po rrinin në guzhinë, u tha se do të studionte. E ëma iu sul me të bërtiturat e saja të zakonëshme të atit " lëre, ore vajzën të mësojë!", kur ai i propozoi Cerazelës të dilnin ca për shëtitje.
Aaaashtuuuuuu.
Hapi adresën e saj, me kujdes të madh, siç bëjnë peshkatarët kur duan të nxjerrin sefte rrjetën që kanë hedhur në Bunë tër natën.. kur….
Nisi të kërcente nëpër dhomë "hoplala – hoplala" si një djall që kërcen përmvi zjarr; zgërdhihej e shkrihej e këndonte me zë shumë – shuuuuuumëëëë të lehtë, që të mos e dëgjonin mami me babin.
"Friends"…
I numuroi edhe një herë kërkesat për "friends"; i numuroi pa u nxituar si një çifut që numuron thesarin e fshehur. Ishin plot 2129 kërkesa që vinin nga shqiptarët e të pesë kontinenteve dhe të katër drejtimeve të vëndit. Vinin edhe nga Maqednia, Kosova, Mali I Zi. Biles ishin tetë që i vinin nga arvanitas të Greqisë, gjashtëmbëdhjetë nga arbëreshët e Kalabrisë dhe , popo, edhe nga Zara e Kroacisë. Biles katër vinin nga shqiptarët e Karakumit – një nga secili prej katër fshatrave shqiptare në Ukrainë, themeluar nga nizaëm dezertorë të ushtrisë Osmane.
Sigurisht pjesa dërrmuese ishin të ardhura që nga Konispoli më pëllëmbë e deri nga cepi më verior i vëndit, Vermoshi; njëri me emrin Lekë Plepi.
Papërjashtim, që të gjithë ishin meshkuj.
Komshia ime poete, kjo "djallushka", u bëri Ok pa hezitim që të gjitha kërkesave dhe, si e mbyli laptopin, si hëngri edhe bukë me shumë oreks, i tha babushit të dilnin për shëtitje .
xxx
Kur hapi laptopin, ndërsa klikonte "passuordin" po priste me sytë katër se çfar kishte rënë në rrjetën e peshkatarit. Dhe…
Nisi të qeshte me të madhe.
Nuk kishte këmbë njeriu në shtëpi.
Ndërsa qeshte ashtu, u sul te pasqyra dhe kundroi fytyrën e saj se si dukej duke qeshur në atë farë feje. Do të bënte një pozë ashtu, kur të botonte librin e saj të parë e ta vinte mu në kopertinë. Hahahahaha…
Nisi të lexonte mesazhet që i kishin ardhur. 1492 mesazhe meshkujsh që I kërkonin takim. Kush për një kafe, kush për t'i shtërnguar dorën për poezinë aq të bukur e kush … Njëri nga Kosova i shruante "T'i hëngça c…. A je kah vjen me kerrin tem me shtetitë nëpër Evropë?".
Këtij i ktheu përgjigje menjëherë dhe e skuqur nga inati, kështu: " I paedukatë!Ik, o turipështirë, o dhëmbpalarë . Po më shkruajte më, për çfardo lloj gjëje, do të ta hedh këtë mesazh që më ke dërguar në tër agjensitë virtuale!"
E kishte herën e parë që të dëgjonte drejt saj kësi fjalësh. Çerazelën ende nuk e kishte prekur dorë mashkulli me dorë , kurse në shtëpi kishte një ambient të pastër nga kësi brutalitetesh.
Për t'u qetësuar, gjeti një CD me këngë të Mihallaq Andreas dhe Ermira Babaliut – këngëtarëve më të preferuar të babit – dhe vazhdoi me nge të lexonte mesazhet e ardhura.
Ja disa më të veçantët që I prishin mëndjen njeriut, kur i thonë:
"Ju jeni një poeteshë e lindur…A mund të blej ndonjë librin tuaj me autografin tuaj? Në cilën orë dhe ku? Kam dëshirë të pijmë një kafe së bashku"
" Ju jeni Safoja shqiptare. Ju jeni zana, nimfa, floçka e detit, princesha e panjohur e poezisë erotike. A më pranoni për redaktor të poezisë suaj? E kam për privilegj këtë nder, nuk ju dua asnjë lekë"
" Kaq e bukur sa ju ka kenë nana Mbretnesha Teutë. Ty veçse sall emni Teutë a kah të shkon, oj sojnike. Jam kah vi me aeroplan me pi sall ni kafe me ty, në koftë se je kah më begenisë"
"Sigurisht që keni poezi të tjera. Shtëpia ime botuese do të t'i botojë falas. Të gjithë kontigjentin e librave merrini ju. Natyrisht do të bisedojmë më parë. Ja nr im i celularit…"
" Ju keni arritur Everestin e poezisë dhe unë të kundroj si me sytë e hënës"
" E dashur zonjushë. Më keni rrëmbyer me sinqeritetin tuaj dhe po u them një gjë që e dijnë vetëm dy njerëz në këtë botë. Jam burrë i martuar por kam 8 vjet, katër muaj e nëntë ditë sot, që nuk flë me gruan. E kam nevrastenike. Do të të kem si shpirt. Dhe….ooohhhh, sa për artin e atij oqeanit…atij…Unë do të jem profesori yt. Të puth me buzët e nxehta dhe të panjohura."
Nga aktori I njohur, "Artist i Merituar" X.L. kishte këtë mesazh: " Dua të njihem me ju. Jam X.L. Do të dëshëroja të takoheshim dikund, që të mos më njohin, sepse mua më njohin ngado. Jua puth dorën e bukur X."
Çerazela, e lumturuar dhe e habitur pa masë lexoi mesazhin e shkrimtarit 65 veçar S.K.
" Zonjushë. Më tregoni orën dhe vëndin ku mund t'u dhuroj gjith serinë e librave të mi dhe të pijmë një kafe. Ju keni një të ardhëme të shkëlqyer. Mjafton të pish një gotë verë për të ditur se çfar ka brënda buti. S.K."
Si e lexoi dhe herën e dytë mesazhin në fjalë ia dha një të qeshure plot hare.. U kujtua për një personazh të Remarkut nga "Tre shokët", për Rozën, që quanin "Kali i hekurt" e cila thotë: "Në barkun e buajve pleq ka vërshyer pranvera"
Shkruajti një tekst të përbashkët për 7 "krapuliqat", siç tha me zë të lartë.
"Zotëri. Me shumë dëshirë do të doja të njihesha me ju edhe për fytyrë, pasi, ja, disa cepa të zemrës suaj, i njoha.. Ju lutem më prisni nesër te lulishtja pas "Muzeut Kombëtar"fiks në orën dhjetë paradreke. Të më prisni te një kaçubë trëndafile që ka çelur një trëndafil të madh, të kuq. Është i vetmi trënëdafil i çelur në tërë lulishtën. Unë fiks në atë orë do të kaloj pranë trëndafilit. E di që është vënd që nuk reshtin së kaluari e së qëndruari njerëz. Por dhe do ta kuptoj që jeni ju, sepse ju do të jëni përkulur mbi trëndafil duke i marrë erë atij…Më falni zotëri, por ngaqë më konsiderojnë çupë shumë të bukur, unë nuk kam se si të ndaloj e të kërkoj t'u gjej mes lulishtes. Unë do të ec me të shpejtë dhe do t'u prezantohem vetë, sapo t'u shoh juve përkulur , me buzët mbi trëndafil. Zoti të bekoftë.
Dua të jem e dashura jote "
xxx
Po shkonte ora dhjetë e asaj të shtuneje me qiell të mrekullueshëm e kësaj dite pranverore të mrekullueshme.
Në lulishten pas "Muzeut Kombëtar"atë ditë kishin nxjerrë, duket për ajrosje, të gjithë topat e muzeumit; I kishin nxjerrë atje përsipër, por kjo mjaftonte për të kaluar andej më shumë kalimtarë sesa zakonisht.
Vërtetë , në tër lulishten e madhe, kishte blerim, plot, lule të bardha, pppoooooo, kishte sa të duash nga ato , ama, trëndafila - vetëm një kaçube. Dhe ajo kishte çelur vetëm një trëndafil. Ishte i madh e i kuq si një zemër shalqini dhe me një aromë të veçantë, si ajo që përdorin për të bërë levandë në Bullgari. Vetëm në Bullgari, në Kazanllëk, në "Luginën e trëndafilave" rritet ai varietet trëndafili, si ky që kishte lënë takim me dashnorin e saj të mundëshëm komshia ime lozanjare që më pyet tash e parë " Profesor! A e kam bërë vjershën të bukur?", "Profesor, sa e kam shkallën e KI ( koefiçentit intelektual)?".
Në orën dhjetë pa shtatë minuta, shtatë burra po qëndronin në këmbë te kaçubia me trëndafilin e mrekullueshëm nga "Lugina e trëndafilave".
Ata rrinin jo krejt me këmbët në lëndinë, por në rruginën me zhavorr, sepse përqark kalonin punonjëset e bashkisë me rrobet e jeshilta të stamposura, të cilat të marrin erzin po u shkele barin apo po u këpute ndonjë lule në lulishten ku shërbejnë .
Shkrimtari SK , me kostum dhe kollare që nuk I hiqte as në tmerin e vapës, me një çantë në dorë plot me librat që I kishte premtuar asaj "Dua të jem e dashura jote" mbante sytë sa më të tretur. Kështu pakësohej sadopaksa mundësia për të takuar ndonjë të njohur këta minuta që I kishin mbetur për të takuar "të përvëluarën për dashuri".
Në krah të tij ishte botuesi …ai…i asaj shtëpisë botuese. Kishin patur dikur një zënkë dhe, shyqyr, kjo, që të mos i flisnin njëritjetrit, gjë që e dëshëronin më shumë se kurr që të dy ; kuptohet, aspak, për motivin e zënkës që e kishin harruar thuajse.
Në mes të të dyve ishte një burr shtalartë dhe me sy të kërcyer, që disa shkrimtarucë mesatarë kanë dëshirë t'u thonë "sy idiotësh". Ky kishte ardhur me aeroplan nga Prishtina dhe ishte president firme. Ishte ai jarani që i shkruante Cerazelës se ajo meritonte vetëm "emnin e nanës Teutë". I kishin thënë se vajzat e tokës Amë ishin fort të shijëshme e ia dinin dashurisë e, shyqyr zotit, qe bre, i kishte ardhur zogu sall në kafaz. E kishte mbushur portofolin përplot sepse I kishin thënë që këta vajzat e Nanës Teutë këndej kah Tirana, i paskëshin fort qejf paret. Kush mos i pastë qejf, ia marrtë perëndia mendët, more!
Botuesi pikasi që po vinte nga drejtimi i grykave të topave, i vëllai I gruas. Mundi t'I shmangej paq atij, që kaloi duke mërmëritur me vete. Kushedi se si I kishte hallet fakiri, poj, haj, shyqyr, kaloi. Pupuuuuu, se mos kthehej prap.
Më keq nga të gjithë e ndjente veten aktori X.L ( Artist i Merituar), që kishte ardhur me shumë mëdyshje. Atë e njihnin të gjithë. Mirëpo ai kishte koefidenca shumë sidomos me sarhoshët e Tiranës, të cilët nuk e linin të fuste kurr dorën në xhep dhe kishte njëmbëdhjetë ditë që nuk e kishte prishur 50 mijëlekëshen, megjithëse pinte përnatë. Sa e nxirrte – duke buçitur, "I paguaj unë të tëra" – sigurisht që do të dilte ndonjë "viktimë" që do ta bënte ta fuste sërish në xhep 50 mijë lekëshin.
Duke iu frikësuar takimit me ndonjërin prej atyre , kishte dy minuta që po lidhte atë djallo këpucë. Lidh e zgjidh dhe shih me bisht të syrit orën që të vinte dhjetë fiks.
Mirëpo, sa u ngrit të merrte paksa frymë, kur….
"Oooooo….Hajde artisti jonë I nderuar…Nji kokë kingjit…Nuk ke kah më shkon pa e hangër me mue nji kokë kingjit, `sha zotin, jo!Rakej ka ni shoq I jemi qi a kah pret bashkë me krytin e kingjit. Sall rakej Skraparit! "
"Po, ik, more zotmut", sa nuk i tha me zë aktori I stërnjohur që ua kishte pirë gotën e rakisë tre çerekut të sarhoshëve të Tiranës.
"Po pres dikënd….Kam pak punë…Ik, se të gje unë"
" Je kah pret ndonjë jaraneshë ,or ti? Hahahahahahahah…Ikaaaaa".
Dhe kaq shumë bërtiti ai hajvan nga zonat verilndore, saqë këthyen kokat e qeshura që të gjithë që ishin brënda një rrezeje prej pesëmbëdhjetë metro. XL u bë gati të ikte me të e të pinte sepse i dolli boja , por, ja, edhe dy minuta kishin mbetur , të shkretën.
I dha një cigare e një ia vinte në vesh, dhe…U ul sërish të lidhte këpucën edhe këta dy minuta të tmerrëshme deri sa të njihte atë që kishte dëshirë të mësonte artin e seksit.
Burri I veshur sportiv , ai që kishte numuruar vitet, muajt dhe ditët që nuk kishte fjetur me të shoqen, e kishte patur orën pesë minuta përpara.
Kur erdhi ora dhjetë fiks, si me komandë u kthyen të gjashtët nga trëndafilja që hashariste si zemërshalqin, kur…e kishte mbërhyer një kokë.
Koka e atij që kishte patur orën katër minuta përpara. Ai e kishte mbërthyer me krahë tër kaçuben dhe puthte trëndafilen e ndezur, sikur të puthte të shoqen kur ishin të fejuar. Dhe interval pas intervali, hidhte sytë e zhdërvjelltë nga rruga.
Po vinin një dorë vajzash të reja duke folur me zë të lartë.
Gjashtë burrat, secili për llogarinë e tij, duke parë të panjohurin që e puthte trëndafilen ashtu, menduan se vajza do të ngatërronte këtë trapin e trëndafilit, me atë. Se, të ulet tjetri mbi trëndafil dhe të puthë lulen si lugat mes tër atij kallaballëku në lulishte, kjo, vetëm nëse ke një hall njeriu apo një shpërblim që ia vlen. Si për shëmbëll …hëhëhëhëhë….Kurse ky …
Sekush iu lut jaranit që e llogasite dashurinë me kalkulatriçe, po, more, a kishte mundësi ta puthte tër natën e tër ditën trëndafilin por, a ishte e mundur ta lejonte atë këtë cast.
Sapo ngriti ai kokën të dëgjonte edhe një herë kërkesën, mbi trëndafil qe hedhur aktori X.L (Artist I Merituar). Puthte lulen dhe shihte nga tufa e vajzave që po afrohej dhe afrohej papushim.
" Ju lutem a bën ta puth pak…Ja, sa t'I vë buzët " – foli botuesi , por, sapo u përkul ai, e ndjeu veten përtej nga dora e fortë e kosovarit që kishte udhëtuar me aeroplan dhe që i kishte dhëmbët e vegjël e të rrafshuar si me sharrë.
Shkrimtari SK mendoi diçka krejt tjetër, ndërsa të gjashtë të tjerët, duke harruar të gjitha etiketat, shtynin njëritjetrin për të vënë buzët mbi trëndafilin e madh sa një kokë bullgari nga Kazanlliku dhe drejt tyre qenë afruar dy lulishtare, nga ato më të egrat, që ta japin erzin në grusht.
As që u lodh më, por i nguli sytë "rosave", "femnushave" që kalonin duke qeshur me zë të lartë. Nga përvoja e gjatë e zhbirilimeve psikollogjike, u bind që "Dua të jem e dashura jote", nuk ishte mes këtyre, ku po vështronin sytë e burrave që puthnin trëndafilin.
Pas tyre, as pesë gjashtë metro pas atyre kofshëve me fustana që sapo kaluar, ja ku po vinte një vajzë e vetmuar.
Me sytë e gjelbër, flokët e derdhur deri te supet si dallgë të ngurosura , me një fustan si ta kishin endur për dëshirën e tyre vetë lulekumbullat e kësaj pranvere dhe me gjoksin "dekolte" si dy pëllumba që mezi presin fluturimin, ajo po ecte me një nxitim mesatar. Siç ecin perëndeshat. Por lehtë , si një kunadhe në lëndinat e pyllit
Dhe qe përqëndruar e tëra atje, çfar po bëhej te trëndafili.
Booooo….
Pa e zgjatur, I kërceu vajzës përpara duke mos e lëshuar çantën me vepra nga dora.
Burrat e tjerë, secili sipas llogarisë së tij, u sulën sërish me buzët te trëndafili duke parë nga vajza.
Po, interesant, dakord, ja, unë po e puth, por ç'kanë këta të tjerët, që këmbëngulin të puthin të njëjtin trëndafil, xhanëm. Me siguri që, ja, u pëlqen trëndafili, po, pse nuk e thyejnë qafën paksa sa të takoj unë këtë vazën? Se, mos më ngatërron me ndonjë nga këta këtu. Se, ajo, e bukur e dheut, nuk ka mashkull në Tiranë që të mos bëjë hara-kiri për `të, kur I thonë. Ja, megjithëse I dolli para ky matufi me trastë, ajo, o zot, po vështron nga unë.
Kështu po mendonte secili nga burrat e tjerë, ndërsa shpërtheu si krisëm pushke një klithëm e pasuar nga një tjetër edhe më e egër.
" More, a keni turp, gaxhjtë e derrit, që e shkelët barin me thundra kali. Yyytni, more se do t'I them policit. Poliiiiiiic! Nuk u mjafton rruga? ???"
Iahin ato dy lulishtaret që kryebashkiaku Edi Rama I kishte veshur si ushtar dhe me nga një stampë në shpinë, si futbollistët.
Vajza e bukur , ndërsa shihte atë skenë gazmore, që e bënte të qeshte me të madhe, por edhe ndërsa dëgjonte klithmat e lulishtareve të bashkisë , që të trëmbnin; pra, kur në fytyrën e atyre syve të gjelbër lexohej e përzier në mënyrë të mahnitëshme ndjenja e haresë dhe e të trëmburit, kur…
""Dua të jem e dashura jote"? Unë jam….Më njihni?"
Ishte ora dhjetë e katër minuta .
Shkrimtari SK, shtërngonte librat e tija si gjynahqarë dhe po e shihte vajzën drejt në sy.
"O…Profesor Sadetini? …Nuk po më njihni? "
Elhyqymyrylah!.
"Porofesor Sadetini" u bë si boja, ndërsa vajza e shihte gjith mirësi, siç I shikojnë fëmijët "xhaxhi shkrimtarët"
" Ju na vinit në shkollën tonë kur bënim takim për librat tuaj. Ju jeni burri I zysh Ketit…Po…Me se mundem t'u ndihmoj…."
"Ppppp…….mmmmm…..ffffff….facebook", seç mërmëriti nëpër dhëmbë SK duke e parë vajzën si gjynahqar.
"Profsor…Shumë të fala zysh Ketit…I kam celularin…Më duhet të ik me të shpejtë"
Andej nga trëndafili kishte plasur sherri I madh. Kishte ardhur polici për të vënë gjoba për prishësit e lulishtes. Goxha pare e madhe. I vetmi që e puthe lulen të kohës kur plicët po prisnin fletën e gjobës dhe vajza fliste me burrin e "zysh Ketit" - le të ishte gjoba sat ë duash - ishte ai biznesmeni që kishte ardhur me aeroplan, që i kishte dhëmbët e vegjël e të palarë si të prerë me sharrë.
Ndërsa "professor Sadetini" kishte mbetur me çantën e librave të tij në dorë , iu afrua një plakë. Kishte qënë fillpas vajzë së bukur
Ishte e veshur me një rubë të zezë në krye dhe me një fustanellë prej shajaku të trashë e të zi , siç I kanë pas veshur gratë ilire e etruske këtu e 2700 vjet më parë. Pra, dukej që ishte një plakë mirditore.
Me zërin si të dalë nga gështenjat e pjekura, plaka i foli shkrimtarit SK:
" Mirëdita zoti shkrimtar…Unë ju kam parë në televizor"
"Mirëdita", u përgjigj tjetri, ndërsa burrat te trëndafili sa një kokë bullgari po kruanin xhepat për të paguar gjobat . I vetmi që , jo vetëm që nuk u "tranue " hiç por dhe i la bakshish për një kafe lulishtareve , ishte biznesmeni nga Kosova.
" Unë…a mund të më gjeni ndonjë libër tuajin?"
Për sherr tashmë në lulishte kishte shumë pak njerëz dhe asqë dukej gjëkundi më ajo…ajo…""Dua të jem e dashura jote".
Po kjo plakë mirditore? Libra nga unë? Ncncncncn…Librat nuk I pranojnë me librashitëset, kjo…
" Unë do ta blej librin…Libra keni në çantë? Por…Nuk ka nana lek… A ban me m'I shitë me kile nanës? Nuk më del pensioni për bukë…Kam lexuar nana libra shumë kur isha vajzë… Te kandari…"
SK ia la plakës librat në duar, dhe u largua I inatosur I përcjellur nga urimet më të zgjedhura të plakës mirditore me fustanellë të punuar në avlëmend.
xxx
Kishte nja dy orë që kisha ngecur për një kapitull romani që kam nisur, kur , si trokiti dera, në dhomën time hyri një plakë. Mbante një çantë në dorë
Ishte ajo plaka mirditore. Më uroi punë të mbarë me zërin si gështenja të pjekura dhe u ul në karrige.
Një plakë mirditore në studion time?
Sapo ia ngula me kujdes – e ku ka burrë në botë më ma hedhë mua – plasi e qeshur e Cerazelës.
Si qesha me të madhe edhe unë, se pieta se mos me kishte sjellë ndonjë vjershë tjetër, apo…"mos është gjë "Hollouin" sot, moj Cerazela? Apo ditë karnavalesh?"
Çerazela hoqi rubën duke u shkrirë së qeshuri dhe nisi të më tregonte për aventurën që kishte endur me "facebook".
"Hë profesor, a kam talent për shkrimtare? …Po shakllën e KI (koefiçentit intelektual)…hë, e kam të madhe?...Hahahahahaha", nuk pushonte së qeshur Cerazela as edhe kur hyri ime shoqe, që nisi të qeshte edhe ajo me të madhe, pa e ditur ende përse…
RIZA LAHI