2013-08-09

Rina Cakrani ‘Rrufepritësi’

Ngjarjet e romanit janë të vendosura në dy prej qyteteve më të njohura të Brazilit: Sao Paolo dhe Brazilia, në të tashmen dhe të shkuarën (falë leximit të një ditari).
rrufe

Familja e Dolores dhe Paolo Dos Santos Oliveira Gostinja, jetonte në njërën prej lagjeve të Sao Paolos. Dikur kishte qenë një familje e lumtur, pa problem familjare, me të ardhura ekonomike të mira, por tashmë që Paolo vazhdonte të pinte më shumë alkool, si mënyra e vetme për t’u larguar nga realiteti, grindej çdo ditë me Doloresin, edhe për gjëra fare pa kuptim, madje dhe para syve të fëmijëve, grindeshin kudo… Madje, ndonjëherë, kur ishte tepër i pirë, ushtronte dhunë edhe ndaj fëmijëve, sidomos ndaj Andreas, djalit të tij të vetëm. Kishin tre fëmijë, Andrean, Sonjën dhe Martinën.

William Golding, “Forca e një gruaje”

William.Golding

Kur hapat e saj nuk ndiheshin në shtëpi dhe kur pas orëve të gjata aroma e parfumit të saj zhdukej lehtë nga era, William e dinte ku mund ta gjente. Në kopshtin pas shtëpisë, ajo ishte aty duke u kujdesur për kopshtin e saj të vogël, ulur në karrigen e drunjtë e duke menduar. Dikur flokët e saj shkëlqenin nga dielli, dhe aroma e luleve dukej sikur i shpërndahej kudo në trup. Kishte diçka që dukej sikur shkëputej nga natyra e futej brenda trupit të kësaj gruaje, diçka që William e ndiente sapo i afrohej. Ai e ndjeu se ajo ishte ndryshe që kur u takuan për herë të parë. Në Londrën e pas viteve ‘30, vajza e veshur me një fustan të thjeshtë nën gju, kishte diçka e cila djaloshit të ri Golding i kujtonte mëngjeset bri detit… Kjo ishte Ann Brookfield, kimistja të cilës William Golding do t’i kushtonte gjithë jetën. Ann do të ishte gjithnjë aty për të, jo vetëm si e dashura e tij e zemrës, por dhe si gruaja e cila do ta mbështeste në çaste jo të lehta të një karriere të gjatë. “Ann ishte ajo që i bënte gjërat e lehta”, do të shprehej shpesh William. Gruaja që dukej sikur zotëronte natyrën, ishte e aftë të zotëronte me aq butësi jo vetëm zemrën e një burri, por dhe jetën… Për kritikët, forca e Ann ndihet në gjithë letërsinë e shkruar prej tij. William Golding është një nga shkrimtarët më të njohur jo vetëm në Britani, fitues i çmimit “Nobel” në letërsi. Ai është ndër të paktët shkrimtarë që jo vetëm është përpjekur të lidhë karakteret njerëzore me ritmet e natyrës, por edhe e ka realizuar atë më së miri. Romancier, poet dhe dramaturg, në vitin 1980 fiton çmimin “Booker” për trilogjinë “Ritet e udhëtimit”. Tre vjet më vonë, ai fiton çmimin “Nobel” në letërsi, duke u renditur në një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm britanikë. Në vitin 2008, gazeta “The Times” e rendit ndër “50 shkrimtarët më të mëdhenj britanikë që nga viti 1945”. William G. Golding lindi më 19 shtator 1911, në shtëpinë e gjyshes së tij, në Kornuoll. Babai i tij, Alec Golding, ishte mësues i shkencave ekzakte, ndërsa nëna, Mildred, u shqua si aktiviste feministe. Golding u arsimua në shkollën “Grammar Marlborough”, atje ku babai i tij ishte mësues. Fillimisht studioi shkenca ekzakte, por më vonë ndoqi kurset e anglishtes në Oksford. U diplomua më 1934-n dhe në verën e atij viti arriti të botojë veprën e parë, një përmbledhje me poezi, e cila u botua në Londër nga “Macmillan & Co”. Golding iu bashkua Marinës Mbretërore në vitin 1940 dhe ishte pjesë e sulmit në Normandi. Ai kishte një dashuri të fortë për detin dhe lundrimin. Menjëherë pas luftës iu kthye mësimdhënies dhe shkrimeve. Më 1953 dërgoi për botim dorëshkrimin e romanit “Perëndia e mizave” që iu refuzua kategorikisht. Pas shumë e shumë ndërhyrjeve, shkurtimeve dhe ndryshimeve në tekst, Golding arriti ta botojë një vit më vonë. Pas kësaj, vijnë romanet “Trashëgimtarët”, “Ritet e udhëtimit” etj. Suksesi i veprave që ishin botuar filloi ta shkëpuste shkrimtarin nga mësimdhënia. Kështu që në vitin 1961, Golding heq dorë nga posti i mësuesit dhe e kalon atë vit akademik në ShBA si shkrimtar në “Hollins College”, në Virxhinia. Për kritikën, ai është shkrimtari i imazheve të hollësishme të xhunglës njerëzore. Arti i tij është i mbushur me përshkrime të jashtëzakonshme, jo vetëm me ato të personazheve, por me përshkrimin e detajuar të një ferishteje apo me përshkrimin e një peme pranë detit. Ai ishte dhe është ende i njohur për simbolikën e fuqishme që përdor. Në të vërtetë, disa kritikë mendojnë se simbolizmi i tij është aq i fuqishëm sa ka aftësi që të shtypë një pjesë të mirë të punës së tij. Vepra më popullore e tij është “Perëndia e mizave”, ku alegoria merr një status kult. Libri arriti të frymëzojë botën e filmit dhe në pak vite të realizohen dy filma bazuar në këtë roman. “Perëndia e mizave” është përkthyer në 26 gjuhë dhe është shitur në miliona kopje në mbarë botën. Kjo vepër u bë shumë shpejt standarde në kolegjet dhe shkollat e mesme. Romani portretizon një grup fëmijësh britanikë, të cilët gjenden të braktisur në një ishull për shkak të një aksidenti ajror gjatë një lufte globale bërthamore. Fëmijët, të vetëm, vendosin të krijojnë një shoqëri të organizuar dhe demokratike. Ata fillojnë të ndahen në grupe e të marrin përsipër rolet që u janë paraqitur. Dikush do të ruajë zjarrin, disa do të ndërtojnë çadra për të kaluar natën, ndërsa të tjerë do të shkojnë për të siguruar ushqim. Por fëmijët, të gjendur tërësisht pa rregulla dhe kontroll, fillojnë të ndihen të tensionuar. Situatat sa vijnë edhe përkeqësohen, aq sa edhe mbijetesa e tyre bëhet e vështirë. Vitet e fundit Golding i kaloi në heshtje me gruan e tij, Ana, në shtëpinë e tyre. Ndërroi jetë më 19 korrik 1993.

Emri i saj është pasioni


Shkrimtarja libaneze, Alauija Sobh, sjell një roman që “i zhvesh” femrat libaneze nga komplekset dhe i shpërfaq ato me gjithë sensualitetin e tyre.

emri-i-saj

 Këtë roman e ka bërë të suksesshëm fakti që autorja e njeh më së miri botën arabe dhe e ka shprehur gjithçka që ka përjetuar, që ka ndier, pa asnjë lloj doreze, kamuflimi apo zbukurimi. Ka paraqitur një realitet të zhveshur ku shumë gra kanë parë të pasqyruar jetën e tyre dhe janë ndier të përfaqësuara nga Nahla dhe shoqet e saj. Fakti që autorja ka drejtuar për vite me radhë një revistë shumë të suksesshme për gra, e ka bërë edhe më të ndjeshme ndaj problemeve të tyre.

Kalvari i trishtë i femrave që vuajtën në burgjet dhe internimet gjatë komunizmit… Jetë njerëzish të thjeshtë, që sjellin dëshmi tronditëse të një kohe


Aktuale-BURG_121322827
Elena e kishte menduar ndryshe jetën e saj. Vajza me flokët e zeza mbi supe, që e kalonte kohën duke lexuar libra, e shihte të ardhmen ashtu si vargjet që hidhte në fletoren e bardhë. Një dashuri që do të shfaqej në horizont, martesa e më pas fëmijët… Jeta e saj do të ishte deri në një moment e tillë, kur pasi mbaroi Institutin “Nëna Mbretëreshë”, nisi punë si arsimtare në qytetin e saj të lindjes, Shkodër, ndërsa martohet më 1936-n me oficerin e ri Gjelosh Luli, djalë i familjes së shquar patriotike të Dedë Gjon Lulit, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Torino. Luli emërohet oficer në ushtrinë mbretërore dhe vendoset në radhët e para të antikomunistëve të qytetit verior. Mbas tre vjetëve rezistencë në malet e Veriut vritet nga forcat e ndjekjes së regjimit komunist. Ëndrra e bukur e Elenës përfundon këtu… më pas jeta e saj do të shkojë internimeve me dy vajza ende të vogla. Historia e Elena Lulit është vetëm njëra nga qindra histori femrash që e çuan jetën burgjeve apo internimeve gjatë komunizmit. Fatbardha Saraçi (Mulleti) ka sjellë për herë të parë në një libër, një studim të plotë mbi jetën e atyre mijëra grave të panjohura, jeta e të cilave është secila një dramë më vete. Robina të fatit të tyre, ato iu dorëzuan atij, duke ndjekur njëra pas tjetrës të gjitha kalvaret e një jete të tillë. Gra që harruan një jetë me burra dhe iu dedikuan punës së rëndë dhe rritjes së fëmijëve… Historitë e sjella nga Mulleti janë të shumta… Ajo i ka takuar një pjesë të tyre, që kanë mundur të jenë ende gjallë, historitë e të tjerave i ka marrë përmes rrëfimeve të protagonistëve që kanë qenë pranë tyre… “Ishin nëna që iu pushkatuan burrat, apo djemtë, shpesh pa e ditur se ku e kanë varrin; ishin gra e vajza që e kishin vënë jetën në rrezik për të shpëtuar atë të burrave, vëllezërve, miqve të shtëpisë, duke i fshehur; ishin gra e vajza që vuajtjen e mbajtën për vete, që njohën vetëm punën e rëndë edhe për burrat që arritën të mbijetojnë”, thotë autorja e këtij studimi. Libri i botuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është dëshmi e një kohe, përmes mënyrës sesi janë trajtuar femrat.


Albanian-Jewis-women_Burrel


Zojë Gjeloshi, e Drande Stakja

Zojë Gjeloshi është një grua trupvogël, me një fytyrë ovale, me faqet e kuqe, me bishtalecat rreth fytyrës dhe shamia e zezë rreth kokës. Ja si e tregon ajo jetën e saj: “Jam vajza e Gjelosh Dedës prej Vuksani, datëlindja 1930. Më martuan 16 vjeçe (siç ishte tradita në Malësi) me Gjon Marashin (që në atë kohë ishte ushtar), ishte djali i vetëm i Marash Sokolit. Në ushtri burrin tim e bënë kandidat partie. Kur u kthye nga ushtria e caktuan kryetar këshilli të rinisë. E ndanë fshatin përgjysmë. Aty djali i ri pati një grindje me kryetarin Mark Ndoc Buçaj, pasi pa shumë padrejtësi që po u bëheshin fshatarëve. Atëherë ai doli në mal, u nisën për në Guci, fshat ku ndodheshin kushërinjtë e tij. Ai hynte e dilte kufirit me shpresën që të merrte me vete nënën dhe nusen e tij, por ndodhi e papritura… Unë po qëndroja në një shkëmb me shpresë që të takoja burrin tim, por roja nga larg më drejtoi armën. Nënë Drande, vjehrra ime, ia largon dorën ushtarit, ia mori armën e i tha: ‘Po më vret nusen!’”. Zojën e internuat në Berat, provoi kampin e tmerrshëm të internimit në Tepelenë, pastaj në Vlorë, Kuçovë, Lushnjë, Peqin, Memaliaj. Fatin më të dhembshëm e pati vjehrra e saj. Ajo u dënua me 8 vjet heqje lirie. Gjyqin ia bënë në Tiranë dhe dënimin e mbaroi në burgun e grave në Tiranë. Por një ditë me tradhti e vranë djalin Marash Sokoli, vetë i dytë me shokun e tij Lekë Marashi. “I vranë djemtë se gjoja kishin tradhtuar atdheun pa gjyq. Kishin thirrur gjithë popullin e Dukagjinit, të gjithë nxënësit e shkollave. Unë, tregon Zoja, isha kthyer nga internimi, u ndodha mes turmës, mbulova kokën me shami dhe më dalloheshin vetëm sytë. Qëndroja e shtangur dhe shihja ata dy djem me trupa të drejtë e të bukur, ishin si drita e diellit… I vranë më 18 maj 1956. Qëndrova me turmën deri në mbrëmje dhe e ngulita mirë në kujtesë vendin ku i varrosën në një përrua. Zemra ime e re u copëtua, nuk mund ta mendoja atë pamje të tmerrshme dhe shpirti im vuante për njeriun e zemrës, për fatin tim… Mbas 5 vitesh që më ishte vrarë burri, babai më martoi me Ndue Binakun, nga familje Sadria, ku gjeta dy vajza të vogla të mbetura jetime. I rrita ato plot dashuri dhe e shtova numrin e fëmijëve në tetë. Një natë trokiti dera dhe hyri vjehrra ime (i kishte bërë tetë vitet e burgut). Erdhi të më takonte. Burri im e priti plot respekt e dashuri. Ajo i ledhatonte vocërrakët e mi, dora e saj i prekte lehtë e plot ëmbëlsi ato zemrat e vogla, lulet e mia që duhet të kishin qenë të familjes së saj. Iu lut bashkëshorti im të qëndronte të jetonte me ne. ‘Do të dua njësoj si nënën time’, i tha. Por nënë Drande nuk pranoi. E falënderoi të zotin e shtëpisë. Përpara se të largohej më pyeti: ‘A di të më tregosh varrin e djalit tim të dashur?’ Ditën e Shënkollit, shkoi natën e hapi varrin e të birit, i ka marrë kafkën. E gjora grua, në një çantë të vogël kishte futur kafkën e të birit dhe një varëse medaljon me fotografinë e të birit, i qëndronte mbi gjoks. Ecte e ecte nëna e shkretë, e ku e zinte nata i hapej ndonjë derë mikpritëse e njerëzve me zemër të madhe, të dukagjinasve të saj, ata që e deshën aq shumë deri sa u fik në moshën 80-vjeçare.” Zoja e vazhdon tregimin: “E kujtoj gjithmonë me mall atë gruan me trup të vogël, e bukur, punëtore, shumë e urtë, që dinte të thoshte vetëm fjalë të arta. E varrosën bashkë me kafkën e të birit, ia vendosën te zemra e saj, atë që kishte qenë jeta e asaj nëne.” Zoja e mbyll tregimin duke thënë: “Kur mora lekët e pushkatimit të burrit të parë, ndërtova varret e të dy burrave të mi…”. Zojë Gjeloshja banon në Hot të Ri, Shkodër.

makbule-1

Zehnije Gjylbegu

E lindur në Berat në familjen e Resulve, më 1936-n, u martua në Shkodër me Musa Gjylbegun. Ai ishte anëtar i Partisë së Legalitetit. Kishte mbaruar Universitetin e Munihut dhe e dinte çdo të thoshte diktaturë. Që në dhjetor të 1944-s ai u fsheh në shtëpinë e tij, pastaj të një miku, pasi kërkohej nga komunistët. Zemra e Zehnijes e dinte se çfarë ndjeu, e provoi gjatë kontrolleve të shumta, apo kur e thërrisnin në zyrat e Sigurimit për të mësuar prej saj se ku ishte i shoqi. Më 1946-n ai dorëzohet, sepse përfiton nga amnistia. Por kjo ishte një lojë e sistemit, pasi ai dhe të tjerë u dënuan me afate të ndryshme burgimi. Një vit më vonë i konfiskohet pasuria, e siç ishte zakoni i asaj kohe, mobiliet, sendet e tjera shërbyen për mobilimin e vilave të pushtetarëve të rinj. Për strehim asaj dhe vajzës së vogël iu lejua vetëm bodrumi i shtëpisë. Kështu nisin ditët e varfërisë për Zehnijen. U lejua të punonte për thyerjen e gurëve, për përgatitjen e çakllit që do të shërbente për shtrimin e rrugëve. Kjo grua e urtë u kujdes për të shoqin duke i dërguar ushqim në të gjitha burgjet. U mundua ta mbante gjallë duke i çuar ushqime e duke i dhënë kurajë të përballonte punën sfilitëse. Sa të vështirë e kishte ajo që të ecte në këmbë që të flinte edhe jashtë, se nuk donte t’i vinte në pozitë të vështirë banorët e Burrelit, që survejoheshin nga Sigurimi se mos strehonin kënd nga “armiqtë e klasës”. Më 1950-n i shoqi i vdes në Maliq. Nusja 34 vjeçe mbetet e ve.

Viti-1956-Vuajtjet-e-popullit-shqiptar-në-diktaturën-komuniste-Sistemi-i-triskëtimit-dhe-propaganda-nga-kastriot-dervishi-per-gazeten-the-albanian-london_1

Naxhije Curri

Naxhija, vajza e Dan Hasanit, u martua me Shaqir Currin, nipin e Bajram Currit. Nëntori i vitit 1944 ia prishi jetën kësaj familjeje. Shaqiri ishte person “non grata” për komunistët, pasi ishte për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Mbasi e arrestojnë, ia dorëzojnë serbëve, të cilët e dënojnë me 21 vjet. E dërgojnë në burgun e Nishit. E vetme Naxhija u kujdes për fëmijët, duke shitur gjithë pajën e saj… dhe vazhdonte t’i shkruante të shoqit… Ata u takuan me njëri-tjetrin vetëm në vitin 1965 kur ishte në prag të pensionit. 20 vjet pa u parë. U duheshin dhe 20 vjet të tjera për t’i treguar njëri-tjetrit hallet e kaluara.



Gjon Shllaku, tregon për nënën e tij

Z. Gjon ishte në dhomën e punës, i ulur në tryezë duke punuar. Gjatë bisedës i tregova që zonja Pina Shllaku, ishte një nënë e moshuar që shoqëronte nuset dhe vajzat shkodrane në drejtim të burgut të Burrelit… Gjatë intervistave me këto zonja të nderuara ato tregonin: “Zonja Pinë ishte një grua shumë e shoqërueshme dhe ne udhëtonim së bashku në drejtim të burgut. Ajo ishte një mbështetje e madhe për ne, sidomos nga ana morale, na jepte kurajo…” Z. Gjon ndaloi një moment punën dhe ra në mendime, mendoi e më tha… “Nana ime Pinë, më ka ndjekur për shtatë vjet, ka ardhur me më parë në burgun e Burrelit, më sillte ushqime e veshmbathje dhe zemrën e saj të artë prej nane… Nana më ka ardhur në Burrel 71 herë dhe kthehej në Shkodër e lodhur, kur hiqte çorapet, bashkë me to, i hiqej dhe lëkura e këmbës prej lodhjes e stërmundimit….



Maria Rafael

Maria ishte një grua e bukur hungareze, një artiste, mjeshtre e lojës në pianoforte, e cila për tridhjetë vjet jetoi në rrugën shqiptare të mundimeve. Ajo erdhi në Shqipëri, nga dashuria për të shoqin, të cilin e kishte njohur në konservatorin e Budapestit. Vitet e bukura të punës e të dashurisë nuk zgjatën shumë, pasi një ditë burri i saj arrestohet e dënohet me burgim të gjatë… Nusja e re, Maria dhe i biri Adi, i sapo ngritur në këmbë, mbeten në mes të katër rrugëve. Ajo nuk zgjodhi rrugën e shkurtër të largimit nga Shqipëria, ashtu siç bënë shumë gra të huaja, as nuk e ndau të shoqin, por vendosi ta presë atë aty ku ai e la në shtëpi… Ajo nuk u thye nga arrestimi i të shoqit, as nga goditjet e mëvonshme të mënjanimit nga kolegët, e mbetjes pa punë dhe të internimit në Fier. Ecte gjithmonë me hap të shpejtë, me dinjitet drejt punës, dyqanit apo agjencisë së udhëtimit që i mundësonte vizitat e shpeshta tek i shoqi, prapa telave nëpër kampet e ndryshme të të burgosurve politikë, anë e kënd Shqipërisë… Më vitin 1990 Maria Rafael u largua bashkë me të shoqin e të birin, duke marrë me vete gjithë kalvarin e një jete jo të lehtë në Shqipëri. U vendos në Hungari dhe u nda nga jeta, më nëntor të vitit 2006.

Shqiptarët kanë qenë në Greqi gjithmonë

Reagojnë ashpër arbëreshët e Italisë kundër deklaratave të parlamentarit të së djathtës ekstremiste greke. “Greqia, me bashkëpunimin e Qytetërimit Europian, mohon paturpësisht ekzistencën historike të popullit arbëresh.”
Vincenzino Ducas Angeli Vaccaro*
gra shqiptare ne greqi 1860Këto ditë, përmes mediave, informohem se qeveria greke, përveçse e përqendruar në synimin për të zgjidhur çështjen e saj ekonomike, e fundosur tashmë në karakatina të errëta dhe shpellare, me anë të një parlamentari të ekstremit të djathtë, me tone dhe pikëpamje të thartuara, vazhdon e patundur të mohojë ekzistencën e bashkësisë arbërore, ndryshe e njohur si arbëreshe, bashkërisht me identitetin e tyre gjuhësor dhe të kaluarën e tyre të lavdishme. E gjitha kjo tendencë të bind që të mendosh negativisht për rolin që luan entiteti shtetëror i Greqisë, shpesh me një arrogancë të qetë mbizotëruese (dhe abuzuese e fondeve publike europiane, përfshi edhe e parave tona), në kontekstin “qytetar” të të ashtuquajturit Komunitet Europian.
Greqia, si një vend anëtar i Bashkimit Europian, është i vetmi shtet që nuk njeh minoritetet gjuhësore që ekzistojnë në atë territor për më shumë se gjashtë shekuj: arbërorët, ose siç e quajnë ata ndryshe veten arbëreshët, të cilët jetojnë dhe punojnë me dinjitet ekstrem.
flamuri i luftes i familjes Duka - EngjelliShfaqja e parë historike e shqiptarëve në territorin ku sot shtrihet Greqia daton në fund të 1200-s dhe në fillim të 1300-s, e megjithatë kronisti bizantin Kantakuzeno, përmend se në malet e Thesalisë rreth vitit 1100 u vendosën aty fise epirote, të tilla si ai i Buas dhe Maseretëve. Në lidhje me të njëjtin argument dhe të njëjtën periudhë kohore na flet edhe dijetarja Ana Komnena (1083-1150), e cila në veprën e saj “Alessiade” e identifikon këtë popullsi me emrin ALBANOIdhe specifikon se ata janë ‘Abasileuti’, pra që do të thotë se nuk i sundonte asnjë mbret.
Në vitet në vijim shumë shqiptarë u thirrën nga despotë të ndryshëm të Greqisë bizantine (kujtojmë këtu se Greqia nuk ka ekzistuar kurrë si një entitet shtetëror), për të populluar tokat e Atikës, Beotisë, Kosturit, Korinthit, Lakonis, Arkadias, Mores dhe të Thrakës.
Popullata shqiptare, krenare për origjinën e vet, jo shumë kohë më pas filloi të dallohej pozitivisht në krahasim me atë greke, kësaj të fundit i mungonte një identitet i vërtetë etnik dhe këtë aspekt e nxjerrim në dukje konkretisht nga shkrimet që rezultojnë në një raport nga veneciani Marino Sanudo i Vjetri (Marino Sanudo il Vecchio, 1270-1343), përmes së cilës na informon se: “Rajonet më pjellore, ato në Arkadia, në More, në Lakoni, në Negroponte ose ndryshe Eubea dhe nëThesali, ishin të mirëpopulluara me shqiptarë, të cilët jetonin në mirëqenie në shtëpitë e tyre, në sajë të parave që përfitonin nga bujqësia dhe nga blegtoria”.
Nga kjo dëshmi është e qartë se popullata shqiptare e vendosur në Greqi rreth shekullit XIII, nga një entitet nomad ishte transformuar në një entitet sedentar, duke u kujdesur për tokën dhe bagëtinë në një mënyrë më racionale.
arvanitas
Për shkak të ngjarjeve historike të shekujve XV dhe XVI, shkaktuar nga ekspansionizmi i njëpasnjëshëm i imperializmit osman, shumë familje arbërore/arbëreshe u zhvendosën në jug të Italisë, ku dhe ekzistojnë akoma. Ndërsa popullata shqiptare që pati më pak fat e që mbeti në Greqi, luajti më pas një rol shumë të rëndësishëm gjatë luftërave për pavarësinë e vendit në çerekun e parë të shekullit XIX. Në këtë kontekst duhet të përmendim personazhet heroike, si Marko Boçari, bëmat e Suliotëve, kapitenia e anijeve Bubulina e shumë të tjerë.
Si mund të fshijë padrejtësisht e sipas dëshirës disa nga faqet e historisë i pamaturi, arroganti e sipas të gjitha gjasave ndoshta injoranti, deputeti grek i së djathtës ekstreme? Kush mendon se është ky individ, Hermes ose një fëmijë i privilegjuar i Zeusit? Jo! Ai është vetëm një abort i qytetërimit dhe një polinom i arrogancës e i budallallëkut të pakujdesshëm.
Komuniteti Europian, si garantues i qytetërimit të Kontinentit të Lashtë, po mbetet i shurdhër e i verbër përkundrejt diskriminimit, i cili vazhdon ende edhe sot të praktikohet kundër popullsisë arvanitase. Më 16 shtator të 1969-s, arbëreshi i Kalabrisë, Papas Antonio Bellushi, bashkërisht me studiues të rinj europianë, do të raportojnë rezultatet e hetimeve të tyre në lidhje me gjendjen diskriminuese të shtetit grek përkundrejt pakicës gjuhësore shqiptare në Komisionin e Komuniteteve Europiane. Të shkëputur nga ky raport i Papas Antonio Bellushi, po sjellim në vijim kundërpërgjigjen që mbajti politika greke:
1) Qëndrimi i Partisë Nea Dhimokratia: “Nuk ekziston problemi i gjuhës shqipe në Greqi ashtu si nuk ekzistojnë fshatrat me origjinë shqiptare. Në qoftë se kjo gjuhë flitet brenda kontekstit familjar (sh. i autorit: ky është paradoks, ekziston apo jo kjo gjuhë?), nuk mund të shprehë një mendim të një rëndësie shumë të madhe”;
2) Qëndrimi i Partisë Pasok: “Kush nuk flet gjuhën tonë (greke), nuk është pjesë e racës sonë dhe e kombit tonë”;
3) Qëndrimi i Ministrisë së Kulturës: “Nuk ekziston dhe nuk duhet të ekzistojë asnjë mësimdhënie e gjuhës shqipe, sepse ajo nuk ekziston në territorin grek”;
4) Qëndrimi i gazetës periodike “Anti” në Athinë: “Pakicat gjuhësore në Greqi si arvanitasit, vllahët, pomakët (bullgarët) nuk mund të pretendojnë asnjë të drejtë. Në Greqi ka vetëm grekë”.
Kontradiktat dhe arroganca e qeverisë greke dhe e parlamentarëve të saj, në lidhje me çështjen e mbrojtjes së pakicave etnike, duhet të jetë një tematikë që Bashkimi Europian duhet të shqyrtojë me prioritet të jashtëzakonshëm, pasi, e ashtuquajtura Europë e civilizuar deri tani i ka vendosur qëllimisht në Erebo (sh.p.: bota e përtejme).
Gjithçka mund të injorohet, por jo historia!
(Me kërkesë të autorit përktheu nga italishtja dhe përshtati në gjuhën shqipe: Brunilda Ternova)

*Shkruar nga arbëreshi Vincenzino Ducas Angeli Vaccaro, pasardhës i familjes aristokrate shqiptare mesjetare Duka-Ëngjëlli

Makiaveli mund të jetë mërzitur prej rënies së tij nga pushteti në Firencen e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, por largimi i tij i detyruar nga politika solli krijimin e veprës së tij të madhe, “Princi”

Ai ishte një punonjës civil veçanërisht mbresëlënës. E mori vendin e parë të punës në vitin ’98 pas një ndryshimi madhor në qeverisje. Ai ishte ende në të njëzetat dhe dukshëm njihte disa nga njerëzit e fuqishëm, por duhej të ketë qenë edhe një emërim meritokratik – që nga fillimi ai demonstroi mprehtësi dhe pasion për politikën.
1 Nga majtas-djathtas Cezare Borxhia, Kardinali Pedro Luis de Borxhia, Nikolo Makiaveli dhe sekretari Mikeleto Korela

Pjesërisht diplomat, pjesërisht këshilltar, përgjatë dhjetë viteve që pasuan ai udhëtoi pa pushim në zonat më të nxehta të politikës, duke u takuar me lojtarët, duke vlerësuar rrezikun e kërcënimin dhe duke dërguar te punëdhënësi i tij vëzhgime të detajuara dhe këshilla.
Vitet e para të shekullit qenë shumë të rrezikshme në politikën ndërkombëtare dhe këshillat e tij, megjithëse me bazë nga eksperiencat personale, nuk u dëgjuan gjithmonë nga ata që merrnin vendime. Duke parë pas, historia e tregoi se ai kishte të drejtë.

ACB_Machiavelli_render
Por testi i madh për të erdhi më vonë. Në nëntor ’12 (pra viti 1512), Nikolo Makiaveli pasi i pati shërbyer shtetit të Firences me besnikëri për 14 vjet, ra viktimë e një ndryshimi regjimi kur qeveria republikane u shpërbë përballë një komploti të jashtëm për të riinstaluar familjen Mediçi.
Burrat e djeshëm u bënë armiq të sotëm. Makiaveli nuk pati kohë as për të pastruar tryezën e tij të punës. Ai u përzu nga qeveria dhe në fillim të vitit 1513 emri i tij u zbulua në një copë letër krahas shumë të tjerëve, të cilët qenë komplotues dhe synonin të bënin një kundërpuç.

images (1)
I arrestuar, i burgosur dhe i torturuar, ai kaloi shumë javë në atë që e quajti “bujtinë me shije të hollë” në një shtëpi me erë kalbësirë, ku morrat qenë aq të mëdhenj sa fluturat, ndërsa dëgjonte ulërimat përreth tij.
Fati – një faktor gjithmonë i fuqishëm që duhet të kihet parasysh kur merresh me politikë, – erdhi në ndihmë të tij. Në Romë, kardinal Mediçi u zgjodh Papë dhe ndërsa Firence u çmend nga gëzimi, ai dhe shumë të burgosur të tjerë u falën dhe u liruan.

images (2)
I dëshpëruar për t’u rikthyer në politikë, por duke e ditur se askush nuk do ta punësonte, ai e kaloi shumicën e vitit në pronën e familjes në jug të qytetit dhe ishte pikërisht atje, ekzaktësisht 500 vjet më parë, që ai filloi të shkruajë një manual këshillash mbi artin e kapjes dhe ruajtjes së pushtetit.
Duke vlerësuar sjelljen e njeriut përgjatë historisë dhe natyrën si arenë cirku të politikës italiane, ai argumentoi se një sundimtar i suksesshëm duhet të jetë i aftë dhe me vullnetin për të balancuar virtytet morale me pragmatizmin disa herë të ashpër dhe të pamëshirshëm. “Princi” do të bëhet një nga librat më të admiruar, të studiuar dhe me ndikim. Për të u shkrua në fushën e filozofisë politike, duke i siguruar autorit një vend në histori, të cilin shumica e sundimtarëve përreth tij nuk e arritën kurrë.
Kjo, natyrisht, është vetëm një hyrje mbi njohuritë e tij të thella. Por për momentin, le të mbetemi në verën e thatë të Toskanës 500 vjet më parë, kur një 44-vjeçar, me armët dhe krahët ende të copëtuar nga strappado (një instrument torture i krijuar për të tërhequr krahët deri në agoni), u ul për të shkruar atë që ai shpresonte se do të bëhej edhe mjeti për të marrë një ftesë për t’u rikthyer në politikë.
Ne në fakt mundemi të rikrijojmë shumë detaje nga ai moment. Prona e familjes, ku ai u kthye për të lëpirë plagët e veta, ekziston ende. Censusi i taksave të vitit 1498 e përshkruan atë si një pronë prej 60 hektarësh të mbushur me vreshta, ullinj dhe pyje.

Kupola Bruneleski e Basilikës së Santa Marias del Fiore
Toka, tani nën pronësinë e një biznesmeni vere, qëndroi në duart e pasardhësve të familjes Makiaveli deri pak dekada më parë dhe shumica e shtëpisë origjinale është restauruar me dashuri. Stema e familjes, dy gozhdë të kryqëzuara që përfaqësojnë pasionin e Krishtit, është gdhendur në derën e saj dhe pas një dollapi të vjetër rrobash mund të gjesh ende govatën e gurit ku Makiaveli duhet të jetë larë para dhe pasi të hante.
Megjithëse shtëpia aktualisht është e hapur për publikun, ajo është disi larg rrugëve dhe duhet të caktosh një takim paraprak: brenda saj gjendet një oxhak i madh, ndërsa ti mund të zbresësh në qilarin e freskët të verës për të gjetur gjurmë të forta të së shkuarës, të cilat krijojnë emocione shumë të forta.
Nëse ecën deri në fund të tarracës dhe shikon nga lugina, mund të shohësh japin e kupolës madhështore të Bruneleskit. Sa e dhimbshme duhet të ketë qenë për një njeri që ishte për aq shumë kohë në zemër të të gjithë biznesit të politikës, ndërsa shikon poshtë drejt qytetit që ai dashuronte dhe që e dinte se ishte përjashtuar nga qeverisja e tij.
Ah, shkrimtarët flasin shumë, mund të jeni duke menduar ju – nuk ka asgjë të vërtetë në këtë histori. E pra, ka edhe nuk ka. “Unë po jetoj në fermën time dhe që kur pata fatin e keq nuk kam kaluar as njëzet ditë në Firence… çfarë jete po bëj, do të duhet t’jua them.”

Machiavelli_AF
Makiaveli si shumë njerëz të moshës së tij, ishte një shkrues letrash i regjur. Në muajt që pasuan “fatin e tij të keq”, korrespondenca e tij është e mbushur me analiza të rivalitetit mes Spanjës dhe Francës (politikani tek ai nuk flinte kurrë), por ai ofron edhe informacione më intime mbi jetën e tij.
Një letër shumë e cituar, e 10 dhjetorit 1513, për korrespondentin e tij të rregullt, Francesko Vetori, ambasador në Romë dhe një njeri që ai shpresonte se do të mbronte çështjen e tij, përshkruan ekzilin e tij të përditshëm: fillon me kurthet për mëllenjat, pastaj me menaxhimin e punëve të fermës, leximi i pak poezive mbi dashurinë, pasdreka kalohet në hanin e vendit, duke luajtur lojëra tavoline “të cilat sjellin mijëra mosmarrëveshje dhe fyerje të panumërta deri sa plas përleshja për ndonjë qindarkë”.
Pamje nga prona e familjes Makiaveli në Toskanë

Në fund, në perëndim, kthehet në shtëpi në të gjithë kuptimin e fjalës.
“Te pragu i studios sime”, shkruan ai, “unë heq rrobat e ditës, të mbuluara me baltë e pluhur, vesh rrobat më të mira me kujdes dhe, pasi jam i veshur në mënyrën e përshtatshme, hyj në oborret e nderuara të burrave të lashtësisë, ku pritem nga ata vetë me dashuri, e ushqej veten me atë ushqim që është vetëm i imi dhe për të cilin pata lindur, jam i mrekulluar të flas me ta dhe t’i pyes për arsyet e veprimeve të tyre dhe ata me dashamirësi më përgjigjen. Për katër orë me radhë unë nuk ndiej mërzi, harroj çdo telash, nuk më kap makthi i varfërisë, nuk jam i frikësuar nga vdekja: unë ua jap veten time tërësisht atyre… dhe për shkak se Dante thotë se dituria nuk prodhohet kur ne dëgjojmë, por kur ne mbajmë mend, unë krijova këtë vepër të vogël mbi principatat…”
Nga dhjetori i vitit 1513, “Princi” ka përfunduar së shkruari.
Natyrisht, nuk ishte thjesht intimiteti i Makiavelit me të lashtët – historianët e Greqisë dhe Romës – që krijoi “veprën e tij të vogël”. Ai ofroi gjithashtu shembuj nga Italia e kohës së tij, duke nxjerrë në pah një figurë, mentaliteti dhe sjellja e të cilit e veçoi atë si njeriu më afër të qenët madhështor si Princi: Cezare Borxhia, djali luftëtar i Papës Aleksandër VI.
Vëzhgimet e Makiavelit mbi Cezaren janë përmbledhur në raportet diplomatike mbi takimet e tyre si në kohën e zenitit ashtu edhe në kohën e pikës më të ulët të karrierës së Borxhias së re, janë histori e shkruar me standardet më të larta.
Kur më 1502-shin, me një goditje të guximshme strategjike, gjenerali i ri pushton qytetin e Urbinos, Makiaveli dhe shefi i tij janë diplomatët e parë që ai dëfren. Duke u ulur së bashku në pallatin dukal të pushtuar – një xhevahir i Rilindjes që në atë kohë – ne shohim përmes syve të Makiavelit ekzaltimin, arrogancën, inteligjencën dhe ambicien e paepur të Cezares.
Ata madje argumentojnë edhe për mjetet më të mira të qeverisjes – Fiorentinët që po punonin për të mbajtur më këmbë republikën e tyre, ndërsa i zoti i shtëpisë e hedh poshtë këtë formë qeverisje. Është pothuajse sikur ne jemi në dhomë duke i dëgjuar.
Pastaj, më pak se 18 muaj më vonë, ne jemi sërish me të, në Romë këtë herë, kur i riu Borxhia është ende duke marrë veten nga ethet që sapo patën vrarë të atin e tij, ndërkohë që armiqtë e tij po fluturojnë si skifterë përreth trupit të pajetë të Papës.
Ai që dikur ishte plot vetëbesim dhe veprimtari, tashmë është me dyshime dhe i pavendosur. Është njësoj sikur, siç vëren Makiaveli, mendja e fortë strategjike është rrëzuar nga fati i keq.
Mes shumë mësimeve që ai merr nga studimi i Cezare Borxhias, fuqia e fatit është me të vërtetë e dallueshme. Ndërsa ndërmarrja e rrezikut është e nevojshme për suksesin, një kombinim i pamëshirshëm ngjarjesh fatkeqe mund të rrëzojnë edhe njeriun më të fortë.
Përgjatë viteve që nga vdekja e tij, shumë kanë spekuluar nëse pragmatizmi politik i Makiavelit është në një farë mase, pa zot – koncepti i tij se virtyti në fund duhet të jetë në shërbim të dobisë.
Cilado qoftë natyra e besimit privat të Makiavelit, është e qartë se ai – si shumë bashkëkohës së tij, përfshirë edhe Cezare Borxhian – ishte gjithashtu i skllavëruar nga perëndesha e fatit.
Në këtë kohë, kur ai u ul për të shkruar “Princin”, kjo perëndeshë sapo kishte luajtur një skenë dramatike në jetën e tij. Ishte i ndjeri Enoch Powell, gjithashtu një politikan kontrovers, i cili shkroi “Të gjitha jetët politike përfundojnë në dështim… kjo është natyra e politikës.”
Në fakt, citimi origjinal përmban një nënklauzolë – “përveç rasteve që ata gjenden në mes të një koniunkture të lumtur”.
“Unë dashuroj qytetin tim të lindjes më shumë sesa vetë shpirtin tim”, shkroi Makiaveli kur iu afrua fundit të jetës së vet. Megjithatë, pavarësisht se ia dedikoi “Princin” një anëtari me peshë të familjes Mediçi, ai nuk u rehabilitua kurrë në qeverisje. Atij iu dha një mision diplomatik i çuditshëm, por më së shumti ai mbeti një vëzhgues, duke udhëtuar, komentuar dhe shkruar mbi luftën, historinë dhe natyrën njerëzore.

Stema familjare e gdhendur e Maliavelit
Megjithëse askush, dhe ai më pak se të gjithë, do ta quante atë goditje të pamëshirshme të fatit, një koniunkturë fatlume në jetën e tij, ajo solli një nga librat më provokativë dhe me ndikim të politikës dhe një nga më të shumëshiturit e të gjitha kohërave.
Në disa raste, të qenët i pushuar nga puna është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhi një burri.
Sarah Dunant është shkrimtare, gazetare dhe kritike

Borxhiat
Një familje e famshme në jetën politike dhe kishtare të Rilindjes së Italisë.
Nga familja dolën dy papë – Alfonso Borxhia u bë Papa Kalikstus III më 1455-n dhe Rodrigo Borxhia u bë Papa Aleksandër VI më 1492-shin.
Cezare dhe Lukrecia Borxhia – vajza dhe djali i Rodrigos – fituan gjithashtu famë si rrjedhojë e manovrave të tyre politike.
Familja u dyshua për shumë krime, përfshirë incest, vrasje dhe tradhti.

Makiavelizmi
Fjala “makiavelist” para së gjithash përshkruan një lidhje me veprat e teoricienit fiorentin të shekullit të 16, Nikolo Makiaveli. Por përdorimi më i zakonshëm lidhet me cilësitë e njerëzve që kanë nxjerrë mësime nga “Princi” i Makiavelit


Diciturat
1. Nga majtas, djathtas: Cezare Borxhia, Kardinali Pedro Luis de Borxhia, Nikolo Makiaveli dhe sekretari Mikeleto Korela
2. Pamje nga prona e familjes Makiaveli në Toskanë
3. Stema familjare e gdhendur e Makiavelit
4. Kupola Bruneleski e Bazilikës së Santa Marias del Fiore, simboli më i famshëm i Firences

Historia që fshihet nën tokë

Më shumë se 2000 vjet nga krijimi i saj, “Jeniçer Kala” e ndërtuar nga osmanët, “zgjohet” nga thellësitë e nëntokës, duke nxjerrë në dritë vetëm një pjesë të saj. Një vështrim mbi copëzat e dala nga monumenti i ndodhur në rrugën “Toma Kalefi” në Elbasan, që mbartin brenda tyre historinë…


Jenicer Kala (1)
Adile, banore e lagjes “Toma Kalefi” në qytetin e Elbasanit, e sheh çdo ditë trupin e madh të dalë prej nëntokës, së kalasë “Jeniçer”. Në mëhallë që fëmijë, kishte dëgjuar për historinë e një kalaje tjetër të vjetër, që kishte ekzistuar dikur, në qytet, e ndërtuar nga turqit, por nuk mund ta mendonte se, gjatë gjithë jetës së saj, ajo kishte jetuar mbi trupin e saj.

Jenicer Kala (2)

Muret e vjetra të dala në sipërfaqe nga gërmimet, e kanë bërë më të plotë portretin e kësaj fortese, që duhet të ketë qenë e rëndësishme për osmanët, përderisa e kanë quajtur dhe “Jeniçer”, (ushtarët turq quheshin të tillë). Kjo kala duhet të ketë qenë e preferuara e ushtarëve, të cilët kalonin në të pjesën më të madhe të kohës.

Jenicer Kala (3)

E ndërtuar bri rrugës, tregon mbi gatishmërinë e Perandorisë Osmane, e cila ka qenë e përgatitur në çdo kohë nga sulmet. Qyteti i Elbasanit ka qenë një vend kyç për Perandorinë. Nëse shohim fizionominë e Kalasë kryesore të qytetit, vetëm muri i saj jugor tregon për përmasat dhe fuqinë e fortifikimeve. Vetëm kjo kala ka pasur 26 kulla në largësi të barabartë nga njëra-tjetra, gjatë gjithë murit me lartësi 9 m. Me fjalë të thjeshta, Adilja, kërkon të shpjegojë gjithë mallëngjimin që ndien, teksa kujton rrëfimet e mbartura në kohë nga më të vjetrit për historinë e kësaj kalaje, e cila ndodhet rreth 500 metra larg kalasë historike të qytetit.
Jenicer Kala (4)

Ca shkallë të dala në sipërfaqe, të ftojnë të futesh në dhomat që duhet të kenë shërbyer, për nga mënyra se si janë ndërtuar dritaret, si dhoma vrojtimi… Shtrati i gjatë i murit, i cili shkon deri në fund të rrugës ku vijojnë gërmimet, tregojnë për një shtrirje edhe më të madhe të mureve rrethues. Është e vështirë të skicosh një portret të pamjes së saj të dikurshme, kur dokumentet historike mbi këtë kala nuk ekzistojnë. Përmendet vetëm shkarazi ekzistenca e saj, më pas janë gojëdhënat, që ndonjëherë janë shpirti i qytetit dhe ato që mbajnë gjallë të vërteta që koha nuk mund t’i mbajë dot, ato që e konfirmojnë. Duke pasur parasysh faktin se Kalaja e madhe e qytetit mbart brenda saj një mori monumentesh kulture, dhe pse jo në përmasat e saj, ky objekt monument duhet të ketë në trupin e saj elementë të tillë.

Jenicer Kala (5)
E ndodhur në këtë rrugë prej mijëra vitesh, u desh një gërmim i zakonshëm për kanalizimin e kësaj rruge për të nxjerrë në pah ekzistencën e saj, e cila sjell dëshmi të jashtëzakonshme mbi periudhën otomane në Shqipëri, por është dhe një monument tjetër që i shtohet trashëgimisë sonë kulturore.
Pak kohë më parë, në afërsi të sheshit të Namazgjasë, në Elbasan, u zbuluan rastësisht rrënojat e një muri. Ky zbulim ngjalli interesin e jashtëzakonshëm të arkeologëve, të cilët kanë vendosur ta ndjekin nga afër ecurinë e punimeve për zbulimin e rastësishëm. Fillimisht, specialistët dyshuan se ato ishin rrënoja të xhamisë së vjetër të Namazgjasë. Por pas verifikimeve të para të tyre, rezultoi se rrënojat janë pjesë e një muri kalaje dhe po studiohet teza e lidhjes së tyre me kalanë në qendër të qytetit të Elbasanit.
Banorët e kësaj zone thonë se shenjat për një zbulim të një përmase ndoshta jo të tillë janë dhënë vite më parë. Punimet për rrugën, 50 vite më parë kanë hasur në detaje të elementëve që mund të çonin drejt zbulimeve arkeologjike, por sistemit të dikurshëm duket se nuk i ka interesuar të vijojë një kërkim të tillë. 50 vjet më pas, kalaja e Jeniçerit, del pjesërisht në sipërfaqe, duke dhënë shenjat e para se qyteti mbart një tjetër qytet brenda tij. Kjo nuk është hera e parë, ku në zona urbane shfaqen shenja të gjurmëve të vjetra romake, të cilat mund t’i vijnë në ndihmë trashëgimisë sonë. Në pjesën më të madhe, këto gjurmë janë mbuluar në heshtje, për t’ia lënë sërish fatit, nëse do të jetë me to, për t’u zbuluar sërish… Arkeologu Skënder Bushi, i cili ka ndjekur këtë zbulim, thotë se “nuk mund të përcaktohet koha e saktë, pasi dihet që periudha otomane fillon nga shekulli 16 dhe vazhdon deri në shekullin 19. Gërmimet e mëtejshme në brendësi të kullës mund të na japin të dhëna të reja dhe mund ta çojnë më herët”. Deri tani, është zbuluar vetëm kulla dhe një nga muret e kalasë, që shkon në drejtim të Jugut, paralel me shkollën. Mendohet se mund të jetë një tjetër mur në Jug-perëndim. Gërmimet e mëtejshme në këtë zonë janë disi të vështira për ndërtimet që mbart, por edhe sepse është një rrugë e cila bllokon trafikun.

Jenicer Kala (6)
Duke pasur parasysh  në të cilin duhet të vazhdojnë gërmimet,dalja e plotë në sipërfaqe e trupit të Kalasë, ku dikur ushtarët turq kalonin ditët shqiptare, me sytë përtej hapësirave të vogla, që sot duken në dritaret që janë ruajtur ende në nëntokë, dalja e trupit të saj të plotë do të jetë e vështirë. Por ajo çfarë tregon ky monument, me të cilin banorët e zonës “Toma Kalefi” përballen çdo ditë, është fakti se sa pak e njohim nëntokën tonë, e cila çdo ditë na nxjerr në sipërfaqe shenja për të treguar se një tjetër jetë vijon të fshihet poshtë nesh…(F.B)

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...