2013-08-27

Isa Qosja kthehet me çmim të parë nga Sarajeva

Isa Qosja kthehet me çmim të parë nga Sarajeva
Projekti filmik kosovar ‘Tri dritare dhe një varje’ ka fituar çmimin e parë në CineLink - Work in Progress që mbahet në kuadër të Festivalit të filmit në Sarajevë.
Çmimin e parë në vlerë prej 80,000 euro e jep kompania prestigjioze gjermane për post-produksion filmik ''Post Republic''.
Projekti filmik i metrazhit të gjatë ‘Tri dritare dhe një varje’ në regji të Isa Qosjes, i produksionit ‘CMB’, subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, poashtu vitin e kaluar është zgjedhur si projekti më i mirë në ‘Connecting Cottbus’ në Festivalin e filmit në Cottbus, Gjermani.
Programi ‘Work in Progress’ i Festivalit të filmit në Sarajevë prezenton projektet filmike më të reja dhe premtuese, që aktualisht ndodhen në fazën e postproduksionit, para një paneli të përfaqësuesve dhe vendim-marrësve të nivelit të lartë nga industria europiane e filmit.
Nga gjithsejt 40 projekte aplikuese, sivjet juria nderkombetare perzgjedhi filmin kosovar nga 6 projekte nga shtete të ndryshme evropiane që u futën në fazën finale.
CineLink është pjesë e Festivalit të Filmit të Sarajevës, dhe është një platformë për zhvillim dhe financim të projekteve regjionale të filmave të metrazhit të gjatë të përzgjedhura me kujdes dhe të parapara për koproduksion me Europë.

Oscar Wilde/ Historitë e dashurisë së dramaturgut dhe shkrimtarit të njohur irlandez që besonte te liria



Oscar Wilde/ Historitë e dashurisë së dramaturgut dhe shkrimtarit të njohur irlandez që besonte te liria…

Robbie Ross e kishte dashur Oscar Wilde para se të takoheshin. Teksa ecnin të dy një mbrëmje dhjetori rrugëve të Londrës, me duart e futur thellë në krahët e tij, Ross i tregonte se çdo fjalë e tregimeve të lexuar prej tij e kishte ndryshuar. Kur kishte dëgjuar për herë të parë leksionet e tij, Robbie nuk ia kishte ndarë vështrimin profesorit të pashëm 32-vjeçar, me të cilin do të jetonte një histori të gjatë dashurie. “Që në momentin e parë që u takova me Robbie, e ndjeva se kisha gjetur një pjesë tjetër timen, një njeri që do të ishte gjithnjë i rëndësishëm për mua, dhe asnjëherë nuk do të më zhgënjente”, do të shprehej më vonë Oscar Wilde. Ross do të ishte lidhja e parë dashurore e Oscar Wilde me një burrë, lidhje në të cilën ai do të vërtetonte dhe dëshirat që kishte pasur gjithnjë për të vështruar djemtë e rinj. Në Anglinë e atyre viteve, një lidhje e tillë dashurore ishte e ndaluar. Vetëm pak kohë para se të takonte Ross, Wilde ishte martuar me një miken e tij, Costance, me të cilën kishte dy djem.
Takimet e tyre bëheshin në fshehtësi, jo vetëm prej Costance-s, por edhe prej syve të tjerë. “Ne jetonim në rrezik, por kjo gjë na e bënte më të padurueshme dëshirën për njëri-tjetrin”, tregonte më vonë Robbie. Historia e tyre do të ishte e bukur deri në momentin kur Robbie nisi studimet në Kembrixh… Më pas ata do të jetonin tensione xhelozie, të cilat do t’i largonin nga njëri-tjetri… Oscar dhe Robbie u ndanë para se ai të përfundonte studimet në Kembrixh, por pavarësisht kësaj ndarjeje Ross do të kthehej në një nga njerëzit më të rëndësishëm në karrierën dhe jetën e Oscar Wilde. Ai do të bëhej kritik letrar dhe njeriu që do të evidentonte dhe promovonte veprën e tij. Në vitin 1891, Oscar takon lord Alfred Douglas, një poet dhe përkthyes i njohur anglez, me të cilin do të jetojë historinë e vërtetë. Më 1894-n, Robert Hichen botoi romanin “Karafili i gjelbër”, ku tregon historinë e dashurisë mes Alfred dhe Wilde. Douglas, i njohur nga miqtë me pseudonimin “Bosie”, përshkruhet si një njeri ekstravagant, i pamatur, fyes. Ai shpenzonte para në bixhoz dhe Wilde kontribuonte për shijet e tij. Ata shpesh janë zënë për këto çështje, por sërish janë pajtuar.
Alfred Douglas dhe Oscar Wilde
Për miqtë, kjo lidhje e shkatërroi Wilde. Për shkak të martesës së Wilde, dy dashnorët sajonin situata që të rrinin bashkë. Teksa qëndronin në Brighton, Douglas u sëmur me grip dhe Wilde u detyrua të kthehej në shtëpi. Teksa festonte ditëlindjen e tij të 40 në hotelin “Grand”, Douglas i dërgoi atij faturat e qëndrimit në Brighton për t’i paguar. Alfred u jepte dashnorëve të tjerë rrobat e Wilde dhe i përdorte letrat e tyre të dashurisë për shantazh sa herë që ata zemëroheshin. Alfred refuzoi dhe paratë e të atit për të përfunduar studimet e nisura në Oksford. Pavarësisht jetës së tij plot aventura, Wilde nuk mundi të ndahej nga i dashuri i tij i zemrës. Ai i gjendej gjithnjë pranë, dhe atëherë kur mund të kishte kaluar ditë të tëra me një tjetër. Pas kohëve të trazuara dhe burgimit të Wilde, dy dashnorët do të kalojnë disa vite bashkë në Rouen, por për arsye financiare detyrohen të ndahen. Wilde e kaloi pjesën e mbetur të jetës së tij në Paris, ndërsa Douglas u kthye në Angli në vitin 1898. Kur Wilde vdiq në vitin 1900, Douglas do të ishte njeriu që do të kujdesej për ceremoninë mortore. Në leximin e nekrologjisë, ka pasur një zënkë mes tij dhe Robbie Ross, dy të dashuruarve të përjetshëm të Oscar Wilde. Pas vdekjes së Wilde, Douglas u martua me poeten Olive Eleonor Custance, me të cilën lindi një djalë.
Costance, gruaja e Wilde
Constance Wilde është gruaja e dramaturgut dhe shkrimtarit të njohur irlandez Oscar Wilde dhe nëna e dy fëmijëve të tij Cyril dhe Vyvian. E bija e një avokati irlandez, ajo u martua me Wilde më 29 maj 1883 dhe gjatë dy viteve të para të martesës do të lindte fëmijët. Constance i pëlqente e shkruara, dhe kjo ishte edhe një nga arsyet e lidhjet së saj me Wilde. Katër vjet pas martesës ajo botoi një libër me tregime për fëmijë, që i kishte dëgjuar më parë nga gjyshja e saj. Brunja me flokët me onde që i kapte gjithnjë lart, ishte e dashuruar pas modës. Bashkë me të shoqin ajo do të përfshihej në lëvizjen për reformat në veshje në atë periudhë. Constance do ta kuptonte shumë shpejt se dashuria e saj me Oscar Wilde nuk ishte një dashuri si në librat ku ajo kishte besuar.
Burri që flinte çdo ditë pranë saj, nuk kishte për të pasionin që ka një burrë për gruan që do. Ai nuk mund të ishte asnjëherë burri që ajo donte… Pak vite më vonë, Constance njihet me homoseksualitetin e tij. Në vitin 1891, Wilde e prezantoi atë me të dashurin e tij Alfred Douglas. Ai shkoi në shtëpinë ku jetonin për vizitë. Wilde kishte jetuar më shumë hoteleve sesa në shtëpinë e tij. Costance do t’i duhej të mbante të bashkuar familjen për hir të fëmijëve që shpesh pyesnin mbi mungesat e gjata të babait. Më 1895-n, Oscar Wilde u burgos për shkak të homoseksualitetit të tij. Constance vazhdoi ta vizitonte natë në burg, megjithëse ndryshoi mbiemrin e saj dhe të fëmijëve në Holland, në mënyrë që të mbante larg skandalin nga fëmijët. Çifti nuk u divorcua kurrë dhe Costance mbeti deri në fund të jetës një mike e shtrenjtë për të.
Jeta
Oscar Wilde është shkrimtar, poet dhe dramaturg i shquar irlandez. Lindi më 16 tetor të vitit 1854 dhe rridhte nga një familje me prindër intelektualë anglo–irlandezë. Gjatë studimeve në Dublin dhe më pas në Oksford, u shfaq si njohës i shkëlqyer i klasikëve dhe që në moshë të re përvetësoi shumë mirë gjuhën frënge dhe atë gjermane. Gjatë kohës në universitet u përfshi edhe në lëvizjen e quajtur esteticizmi. Pasi kreu studimet, shkoi në Londër, që ishte qendër e rretheve shoqërore, kulturore dhe letrare të kohës. Mori pjesë në shumë aktivitete të ndryshme letrare dhe mbajti leksione të ndryshme mbi esteticizmin në Amerikë dhe Kanada. Më pas u kthye në Londër, ku ushtroi profesionin e gazetarisë dhe me mprehtësinë therëse, veshjen dhe oratorinë e tij u bë një nga personalitetet më të shquar të kohës.
I jepte shumë rëndësi artit, duke i shprehur idetë nëpërmjet dialogëve të ndryshëm, eseve, të cilat përmbanin pikëpamje mbi dekadencën, bukurinë etj., që mishërohen edhe në të vetmen novelë të tij “Portreti i Dorian Grejit”, botuar në vitin 1890. Për të shprehur më mirë idetë e tij estetike dhe për t’i kombinuar me tema më të gjera sociale, Wilde u fut në rrugën e dramës. Në vitin 1891 boton në Paris dramën “Salome”. Jo më pak të njohura janë komeditë e tij, ku mund të veçojmë “Një grua pa rëndësi” (A woman of no importance), “Erashka e zonjës Uindëmiër” (Lady Windermere’s fan), “Një bashkëshort ideal” (An Ideal Husband) dhe atë që konsiderohet si kryevepër, “Rëndësia e të qenët i ndershëm” (The Importance of being Earnest). Përveç dramave dhe novelës së vetme, krijimtaria e tij përmbledh edhe tregime, ku mund të përmendim “Krimi i lordit Artur Sevilit” dhe histori të tjera, botuar në vitin 1891, apo përralla si “Princi i lumtur” dhe histori të tjera, “Shtëpia e Shegave”. Jo më pak vend zënë edhe poezitë e tij apo letrat De Profundis, esetë dhe dialogët. Wilde pikasi si një shkrimtar që nëpërmjet veprave të tij u mundua të shpalosë hapur jo vetëm idetë e tij mbi artin dhe letërsinë, por edhe mbi probleme të ndryshme të shoqërisë nën sundimin e mbretëreshës Viktoria.
Për shkak të ideve të tij, veçanërisht ato mbi homoseksualizmin, për të cilin iu bënë edhe akuza të drejtpërdrejta dhe u arrestua në vitin 1895, Wilde kaloi disa vite i burgosur në Londër. Wilde shquhej për mprehtësi dhe lexuesit e veprave të tij tërhiqen jo vetëm nga librat e shkruar por edhe nga thëniet e tij, shumica e të cilave janë marrë nga po këto vepra. Oscar Wilde vdiq më 30 nëntor të vitit 1900 nga meningjiti dhe për arsyen e sëmundjes jepen shkaqe të ndryshme. Aktualisht varri i tij ndodhet në varrezën Père Lachaise, Paris. Të shumta janë botimet dhe biografitë mbi figurën e këtij shkrimtari të madh duke u munduar të hidhet sa më shumë dritë mbi jetën, veprat dhe seksualitetin e tij. Për nder të tij, në disa qytete janë ngritur edhe përmendore, një nga të cilat në sheshin “Trafalgar” në Londër. Oscar Wilde mbetet ndër personazhet më të jashtëzakonshëm të shtjellës viktoriane. Një karakter i pakapshëm, si njeri, artist, shpirtëzim lirie apo një nismëtar kurajoz normash qytetarie. Ai mishëroi modelin më të stuhishëm dhe njëherësh, më të debatuar të kohës.
Si në të përditshmen, i zhytur në një jetë të shpenguar intime, ashtu dhe në kryeveprën e tij, mbetet maja më e kulmuar. Ky zotëri elegant, i hijshëm e plot sharm, i marrosur pas paradokseve dhe gjithçkaje të modeluar nga kodi i qytetarisë viktoriane, ngjiste nivelet e adrenalinës dhe ambrozisë, duke thyer kangjellat etike ku mbahej mbyllur një nga vendet ku gëlonte civilizimi. Nuk u ndal, edhe pse u desh ta paguante fundin me çmimin e tragjikes dhe madhështinë e tij ta ngryste nën mykun mbytës të vetmisë. Ky rebel, ky “hero i së keqes”, skaliti mbi muret e mykura të Londrës, jo vetëm emrin e tij të patëdytë, por mëtoi një dritë më shkëlqyese në sytë e lenteve të avulluara të paragjykimit. “Mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimit”, do të shprehej ai.
Thënie nga Oscar Wilde
Miqtë e vërtetë nuk ta ngulin thikën pas shpine, por përballë.
Kur isha i ri mendoja që paraja ishte gjëja më e rëndësishme në jetë. Tani që jam rritur jam bindur se ashtu është vërtet.
Një burrë mund të jetë i lumtur me një grua për sa kohë që nuk është i dashuruar me të.

2013-08-26

Kush na e ka fajin ne shqiptarëve…


(Titull rezervë: Koha për të ndërruar status)



Nga Vangjush Saro

Një histori me shumë përplasje e të panjohura, një drejtim autoritarist i shtetit dhe i zyrave, një jetë e ngarkuar me shumë eksese, përfshi varfërinë, si në Shqipëri edhe në Kosovë, polemika pa fund për të djeshmen dhe të sotmen, të gjitha këto na bëjnë të pyesim herë pas here: Pse ndodh kështu me ne? Kush na e ka fajin ne shqiptarëve…Rrahim të gjejmë një përgjigje apo disa dhe nuk duket se mund t’i formulojmë lehtë ato. Mbase për dikë, përgjigjet janë të thëna e të qarta; diskutimi më tej i këtij argumenti duket bezdisës. Unë për vete, bëj pjesë ndër ata shkrimtarë e publicistë që përpiqen të sillen në mënyrë të sinqertë, që iu pëlqen të thuhen gjërat haptazi e pa doreza, për të mos i mbuluar të këqijat dhe ato që s’na pëlqejnë, përndryshe të tjerët na i vënë në dukje, koha vetë na i përplas ndër fytyra vend e pa vend.
Kështu, po e tjerr pak këtë argument, pa pretenduar se gjithë sa mund të ofrojmë është me doemos kështu.
1.Çka kemi mbi kurriz?
Jam kundër disa shkruesve që vend e pa vend përpiqen të thurrin lëvdata për kombin dhe veten, jo po jemi më të vjetrit, jo po më të mirët, të parët e Ballkanit, të Evropës, nuk di ç’tjetër. Natyrisht, është gjë e mirë, e domosdoshme, të dish nga vjen dhe si i kanë shkuar punët popullit të cilit i përket. Por duke sjellë një trashëgimi të caktuar, nuk ka nevojë për brohori dhe mburrje, sepse ndërkaq historia jonë dhe jeta jonë kanë kaluar nëpër shumë vuajtje e tallaze, jo për gjithçka mund t’i themi fjalë të mira e përgëzuese vetes dhe të parëve tanë. Në këtë sens, mendoj se me qetësi dhe drejtpeshim, duhet të inkurajojmë temën pellazgjike, të mësojmë brezat që ne vijmë nga ilirët, sikundër gjuha shqipe vjen nga ilirishtja, të skanojmë me realizëm çka ndodhi përgjatë pushtimit romak, përgjatë dyndjeve sllave, nën regjimin otoman, kur vendi ndërroi fe dhe kur struktura jetike shqiptare u trandën, e kështu me radhë. Ne duhet të skanojmë më tej e gjithaq me kujdes edhe periudhën e paqendrueshme nga viti 1912 deri në vitin 1939, pastaj fatalitetin që na diktoi Konferenca e Mukjes, qëndrimin për një kohë të gjatë në një rend shtypës, e po kështu këto 22 vjet tranzicion i stërzgjatur, një peshë dhe barrë e pamerituar për ne. Apo e merituar?
Ja tani po hyj në temë. Nuk jam i prirur të mohoj disa arritje në Shqipëri e në Kosovë, si vendosja e ekonomisë së tregut, ndërtimi i rrugës që lidh dy vendet, përpjekjet për një raport të qendrueshëm me Perëndimin, etj. Por ndërkaq, kemi një tufë halle që ne të gjithë i dimë. Konfliktualitete politike absurde, sjellje jo profesionale nga drejtuesit e vendeve, pasiguri e shumë krime (veçmas në Shqipëri), varfëri, administrata me militantë të verbër e mëtonjës, intelektualë e media pa mëvetësi dhe që lehin për atë që iu jep ca para...
Shpesh herë pyes veten: Çfarë kanë më shumë këta sllovenët, që janë kaq të shtruar, nuk ndihen, nuk bërtasin, as mburren por as edhe vuajnë, Prodhimin e Brendshëm vjetor për frymë e kanë 21.000 euro (nga më të lartët në Evropë), etj....Vë re prej kohe se ç’ndodh në Greqi, se si u ngritën dhe e dogjën Athinën kur policia vrau një të ri, se si i përcjellin problemet e tyre ekonomike duke rëzuar qeveri pas qeverie. Shikoj se si u ngritën bullgarët vetëm e vetëm pse kuptuan që po ua hidhnin me faturat e dritave. Dhe kryeministri i tyre që dorëhiqet, duke thënë se nuk mund të drejtojë në një vend ku policia rreh qytetarët. (A nuk i vrau si te ne, a?) Lexoj më së fundi se Fituesi i Ariut të Artë - si filmi më i mirë në edicionin e 63-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin - ishte drama rumune "Child's Pose". E të tjera këso.
Dhe megjithë që e di se edhe ata popuj kanë shumë probleme, prapë pyes vetën pse ne edhe më shumë, ç’na mundon, kush na e ka fajin…
2.Rreth termave fshatar dhe malok
Ka shkrues që na kujtojnë se në Shqipëri, deri në fillimet e vitit ‘90, 60% e popullsisë jetonte në fshat. Kjo e shpjegon njëfarësoj prapambetjen, shfaqjen e kaq shumë pragjeve në udhën tonë. Megjithatë, unë nuk mendoj se mund të fshihemi pas këtyre termave. I pari. Të gjithë e kemi një damar nga fshati. Edhe kur jemi prej dy a tre brezash qytetarë, gjyshi (për dikë stërgjyshi) andej na ka ardhur. Ca më pak, në kushtet kur njerëzit kanë ndërruar tashmë udhët e destinacionet, gjykime këso nuk mund të na çojnë shumë larg. Unë mendoj se fjala fshatar nuk na ka zënë rrugën. Gjatë viteve të jetës studentore në Tiranë, në kohën kur punoja mësues në Tomorricë, por edhe më pas, në vitet që jetova në ish-Kinostudio (për shkak se nuk kisha shtëpi), kam pasur afër djem nga fshati, që për nder, nuk i bën më nëna. Jo jo, nuk e pranoj që na e ka fajin ky term.
Kohët e fundit, ne kemi filluar të “fshihemi” edhe pas termit malok. Çfarë kuptoj unë me këtë fjalë? Ata që kanë ardhur në Tiranë nga zonat e vështira të Veriut? Nga ato të Jugut? Se male ka kudo; dhe Korça, vendi im i lindjes, ka malësi e ç’malësi...Nuk e di ç’kuptojnë të tjerët, por unë vetë me këtë fjalë kuptoj një njeri të trashë, që nuk respekton rregullat elementare të shoqërisë dhe të shtetit, një njeri që mëton të xhvasë nga të mundet, një njeri që shkel mbi të tjerët. Ja kaq. Kujt t’i djegë le të kruhet. Për mua, të tillë ishin ata zyrtarë të lartë dhe të afërmit e tyre që kanë gisht në Gërdec. Po ashtu, ata që vranë në 21 janar, urdhëruesit dhe gardistët idiotë. Për mua, malokë janë edhe ata që e nxitën 21 janarin, struktura të majta, por edhe të djathtë të çuditshëm (po më kujtohet tani Spartak Ngjela) që thoshin para gjëmës se...populli s’di ç’bën kur revoltohet, s’e mbajmë dot...
Jo. Nuk mund të fshihemi pas termit malok. Dhe më së koti përpiqen të na armiqësojnë. Ne i duam shqiptarët nga Veriu, ca më shumë Kosovën, që e dimë sa ka vuajtur. Këtë raport të paprekshëm, nuk mund ta përqeshin as shkruesit snobë dhe as politikanët e korruptuar dhe me maska nacionalizmi ndër fytyra. (Kërkoj ndjesë për personalizimin e temës diku më lart dhe në këto radhë, por e vërteta është që nga ato anë kam pasur miqtë e mi më të mirë. Për rastësi, tre recensione që mbaj mend të jenë adresuar në krijimtarinë time, janë si më poshtë: Hamit Aliaj, poeti tropojan që tani, me sa di, është i papunë në Tiranë, ka shkruar për librin tim të parë me skica “Prolog satirik”. Për novelën për fëmijë “Polic Këmbëvogli” ka shkruar një recension (sado modest) poeti dhe publicisti kosovar Skënder Zogaj, që për vite me radhë drejtonte në gazetën “Rilindja”, kur ajo botohej edhe në Tiranë. Për novelën “Një ditë pa mamin” dhe pjesën tjetër të krijimtarisë sime gazmore për fëmijë, ka shkruar sërish një verior, Milaim Nelaj (nga Kukësi) studjues i letërsisë për fëmijë; (libri “Profile letrare”)).
Nuk mund të na hedhin dot kundër njëri-tjetrit me terma. Jo. Shqiptarët, në Veri dhe në Jug, kanë treguar se nderojnë jetën e njëri-tjetrit, trashëgiminë, të folmet, temperamentin, gjithë sa ka të bëjë me ngjyrime sipas krahinave. Nëse politikës i duhet një përçarje artificiale, kjo nuk ka perspektivë; nëse dikush ngre në pozitë dhe punëson ku të mundet gjithë njerëzit nga fshati a rrethi i vet, kjo shpejt do t’i kthehet mbi shpinë si një barrë e rëndë e gabimeve për të cilat dikur do të përgjigjet.
3.Feja si një kompleks...
Edhe kjo mund të jetë një arsye pse na shkojnë gjërat lëmsh, por gjithsesi, rafsh i vështirë; nuk mund të ecim larg edhe përmes këtij arsyetimi. Ç’është e vërteta, një nga qasjet që nuk kam arritur ta kuptoj asnjëherë, është fakti që bullgarët, rumunët, grekët, të gjithë këta nuk ndryshuan dhe nuk e panë veten në një tjetër religjion e të tjetërsuar në shkallën që ne u zhbëmë. Por nga ana tjetër, është po kaq e vërtetë se religjionet nuk i kanë nxitur shqiptarët të hidhen kundër njëri-tjetrit, përkundrazi, kanë mësuar urti e mirëkuptim.
Për fat të keq, kohërat i lëvizin këto dimensione. Ne vetë shpërthejmë në etiketime të pavend. Klanet dhe misione të paqarta qeveritare bëjnë “pazare” të paskrupullta. Një i tillë ishte edhe i shumëpërfoluri census i realizuar këto kohë në Shqipëri. Natyrisht, mua si ortodoks, dhe as familjes sime (dhe këtu s’është fjala thjesht për gruan dhe vajzat e mia) nuk mund të na vijë mirë që ai censusi i pabesë na katandisi në 8.6%, nëse jam i saktë. Po ashtu, nuk më vjen mirë kur dëgjoj nga miq të mi në Shkodër që atje (po e them butë) janë shfaqur rivalitete ndërmjet myslimanëve dhe katolikëve. Një nga parimet kryesore të jetës në një vend demokratik, është liria e mendimit dhe e besimit. Politika ka për detyrë t’iu krijojë të gjithëve shanse të barabarta dhe jo të përdorë mjete të rrezikshme për të peshkuar përfitime.
Nuk do ta uroja kurrsesi, por duke parë edhe disa teprime të religjionit islamik në Shqipëri dhe në Kosovë, druaj se kjo temë mund të na shkaktojë andralla dikur. Të shpresojmë jo.
4.Esat Pashë Toptani dhe simbolika e dasisë dhe mendjemadhësisë
Nuk besoj që ka ndokush dyshim se kur vjen fjala për të kuptuar atë që nuk funksionon me ne, emri i mësipërm mund të flasë shumë. Në një sërë veprime prej turkoshaku e kokëshkreti, ky individ i erdhi kundër fateve të vendit vetëm e vetëm pse donte të ishte ministër, kryeministër, të kishte shtetin e vet, feudin e vet, qoftë edhe në një sipërfaqe sa për katër fshatra. Esati është njëlloj simboli i asaj çka nuk shkon te ne, në historinë dhe në aktualitetin tonë. Publicisti dhe shkrimtari historian Fritz Radovani na dha këto ditë, përmes së nderuarës “Zemra Shqiptare”, një novelë të tërë që flet për kundërshti e moskuptime të krerëve shqiptarë në mërgim gjatë kohës së komunizmit. (Letra e Kolë Mirakajt dërguar Abaz Ermenjit.)
Historia vazhdon, sepse ata që drejtojnë apo vijnë përqark për të drejtuar, janë “krenarë, fodullë, të pashtruar dhe të etur për fitim”, siç thoshte dikur shkrimtari dhe historiani Xh. Finlej për udhëheqësit shqiptarë. Fatos Nano, para do kohësh, deklaronte se vitin tjetër (domethënë këtë që jemi) do të ishte ose kryeministër ose kryetar i Partisë (PS mendoj). Është kaq vanitoz. Nuk e lëshoj unë karrigen, thotë ndërkaq Sali Berisha, nuk ia lë unë atij zyrën...Është për të qeshur. Tre ose katër herë ka ardhur dhe ka ikur (siç ka ardhur) Eduard Selami, duke menduar se njerëzve iu ka mbetur ora atje te Qyteti i Studentëve, (kur së paku 80 % e shqiptarëve kërkonin rëzimin e diktaturës dhe Evropën); por kanë kaluar 22 vjet nga ajo histori, s’kemi ç’i shtrydhim më. Vjen nga Haga Ramush Haradinaj (me gjithë respektin për kontributin në UÇK dhe për qëndrimin në gjyq) dhe pa e pirë ende një kafe në Kosovë, thotë se do të bëhet kryeministër. Këta ne nuk mund t’i marrim seriozisht, sepse “siguria që kanë rrjedh nga marrëzia e tyre”, siç thotë diku një personazh i Franc Kafkës. Politikanët shqiptarë, andej dhe këtej kufirit, sidomos ata që jetojnë në klane, nuk kanë kurrfarë idealesh, përveçse të përfitojnë ç’të mundin dhe të garantojnë pikërisht klanet dhe familjet e tyre...e kështu, na rroftë mbrothësia e klaneve dhe e disa familjeve të pasura e të lumtura që mund të tregohen me gisht.
Mbase iu afruam edhe më së vërtetës; por pa e lënë jashtë përgjegjësisë ndërgjegjen qytetare të shqiptarëve, të cilët në shumë raste janë pajtuar me tiraninë, kanë bërë aleancë me të, duke parë përqark për ndonjë kockë a përfitim tjetër çfarëdo. S’mund të them se këtë e bëjmë vetëm ne shqiptarët, por jam i bindur që heraherës ne këtë e kthejmë në sistem. Tre ilustrime: mercenarizimi në kohën e pushtimit osman, shërbimet e përulura ndaj diktaturës komuniste dhe tash në demokraci lektisja pas butaforisë për një vend pune apo për më shumë se kaq, duke u pajtuar ende me forma (të kamufluara) të tiranisë.
5.Ç’ndodh kur pushojnë ëndrrat...
Unë mendoj se për ta përmbysur këtë gjendje, më së pari kemi ende nevojë për civilizim dhe kjo nuk mund të bëhet me “deus eks makina”. Situata është komplekse. Që të jenë të mëvetshëm dhe koshientë për ç’kanë në dorë (së pari me votën) shqiptarëve iu duhet më shumë siguri ekonomike dhe sidomos respektim rregullash; (në gjykata, në spitale, në shkolla, pse jo edhe në parti a organizata ku mund të jenë). Varfëria dhe pasiguria ushqejnë të marrurit me politikë, nga më i fundit individ i shoqërisë deri te kreu i vatrës. Duke iu besuar institucioneve, (për çka jemi aq larg), duke fituar më shumë siguri për jetën dhe punën, më në fund duke qenë në një gjendje të qendrueshme ekonomike, njeriu pyet më pak për politikën; por kur pyet, kërkon llogari deri në fund dhe vë gishtin atje ku duhet.
Mandej, jemi po në këtë anije, na duhen - dhe shpresoj shpejt të vijnë në drejtim të vendeve tona - njerëz të tjerë, teknikë, pra ekonomistë të zot, inxhinierë të aftë, juristë të vendosur, diplomatë me karrierë të shënuar. Dhe ç’është më e rëndësishme, njerëz që të mos varen nga ambasadorët, por nga kërkesat e qytetarëve. Nuk besoj se është e pakonstatueshme që ndryshe nga shumë vende të tjera, ne presim gjithnjë me përulje se ç’do të thonë të huajt. Kjo duhet të marrë fund, bie erë pushtimi. Gjer më sot, kemi parë vetëm servilë kryeqytetesh fqinje dhe të Evropës, e drejtues tejet ideologjikë dhe të mbushur me vrer për njëri-tjetrin, për më tepër njerëz të dyshimtë, të pamësuar me dialog, (detaje që në fakt bëjnë të tërën në atë çka nuk shkon me ne).
Të vijmë në legjitimitet (në fakt, zgjedhjet në Kosovë janë vlerësuar pozitivisht), të ngremë një shoqëri me parime të cilat s’mund t’i shqyejnë dot klanet, të kemi dëshirë t’iu tregojmë brezave që vijnë të gjitha dimensionet e së vërtetës, të punojmë me durim për t’u bashkuar brenda kuadrit të BE-së, këto do të na ndihin sadopak të ndërrojmë status. Duhet ta grishim një të ardhme të tillë, edhe pse ëndërrimtare, sepse siç thuhet edhe në Epos, “kur më pushojnë ëndrrat, më fillojnë dhimbjet”.

Vangjush Saro: Një njeri në shkëlqim...



Tregim satirik

Unë do të takohesha me zyrtarin Zigur Qafa. Isha në paradhomën e zyrës së tij. Më duhej të mblidhja të dhëna për një reportazh për gazetën; reportazhi do t’i kushtohej një rruge asaj ane... Dhe qytetit ku drejtonte z. Zigur. Qafa. Kryeredaktori më kishte thënë që krahas reportazhit, me Zigurin do të flisnja edhe për një reklamë në një shumë të konsiderueshme. Në disa rrethe, këto jepeshin më lehtë se në Tiranë. Reklama peshonte më shumë se reportazhi.

Vangjush Saro
Ziguri ishte ende në një takim me disa të huaj. Duhej të prisnja pak. Me ç’dukej, për t’u ftilluar edhe më. Unë e njihja me dhëmbë e dhëmballë atë. Prej shumë kohe. Ai kishte qenë drejtori im i parë. Të shkuara të harruara. Por përpara se të më fliste për “njeriun e shquar’, unë ia thashë këtë kryeredaktorit. Kam disa kujtime të pakëndshme, nisa t’i tregoja...
Kryeredaktori ishte njeri i karrierës; nuk i hynin në sy diskutimet për moralin. Të mos e paragjykojmë, më tha me një ton prej babaxhani. Kohët kanë ndryshuar, më tha. Ishte një skile kryeredaktori. Puna e ka rritur atë njeri, më tha. E ka bërë të rëndësishëm. Ia dëgjojnë fjalën edhe këtu në Tiranë. Është Kryetar Bashkie, më tha. Rruga që po ndërtohet në ato anë... Të lutem, mos m’u kthe duarthatë, më tha.
Shumë kohë më parë, në një fshat të largët, në një korridor të ftohtë, përpara një zyre asfare komode, unë gjithashtu prisnja me durim shokun Zigur. Qafa. Ai ishte në takim me disa këshilltarë. Ishte dita e parë që kisha shkelur në atë fshat. Ndjehesha si në ajër...Disa orë i kisha kaluar me nja dy nga kolegët, në njëlloj “rikonicioni”...Shkolla. Banjot. Dhoma. Rruga për te mensa. Mensa. Drejtori...Po. Dikush më tha më në fund se më kërkonte drejtori. Që ishte Ziguri. Shkova sakaq në zyrën e tij. Dhe prita një copë herë. Më në fund, ata këshilltarët dolën.
- Ndini? Ja mirë se erdhe! Suksese! - më tha Ziguri me një ton mikpritës.
Burrë mesatar, në të gjitha kuptimet. Në dorë mbante një bllok. Një bllok shënimesh.
- Epo, - vazhdoi pas një çikë - u ambientove ndopak...
- Mirë, - thashë unë.
- Është dialektike, - shpjegoi ai.
Se ç’hynte në punë atje në këmbë të malit një shprehje e tillë bashkë me dialektikën e materializmin, ai e dinte. Pas një copë here, të njëjtën shprehje e tha në një kontekst tjetër. Ishte duke më folur për kolegët.
- Ne jemi një kolektiv luftarak, - tha edhe ai në mënyrë luftarake - Besoj se ti je një djalë i partishëm. Hë? Aq më tepër që... kam dëgjuar...shkruan. Apo jo?
Po po. Sigurisht. Mërmërita. Edhe ai diçka filloi të shkruante te blloku. Mblidh mendjen, i thashë vetes; sepse kisha dëgjuar shumë gjëra deri në atë kohë, sadoqë isha mjaft i ri, por një shprehje të tillë nuk ma kishin zënë veshët. I partishëm…
- Është dialektike, - përsëriti ai si ndonjë i marrë.
Më pas, nuk do të habitesha kur gjatë një analize - pasi kishte qenë kontroll tek unë - ai e përdori këtë farë shprehjeje shtatë herë. Ishte me të vërtetë një person dialektik.


Me Zigurin ishim njëfarësoj edhe fqinj. Ai jetonte në krahun tjetër të një ngrehine dykatëshe, ku kishim dhomën unë dhe Petroja, miku im më i afërt mes mësuesve. Petroja jepte histori. Kishte shumë vjet atje...Edhe ai shkruante. Por nuk botonte dot; siç do të më shpjegonte pak më vonë dhe pak ngatërrueshëm, një xhaxhi i tij, nga gjyshja e dytë, duke qenë pjesë e një grupi të quajtur Të vjetrit, i zënë goje në një rezolutë të atyre viteve, ndërkohë që emri i tij ishte përmendur vetëm shkarazi, por ngase e kishin cekur disi edhe në një buletin, duke marrë më pas një cilësor të papëlqyer në një mbledhje tjetër, kur situata ishte acarruar shumë vite më vonë, paçka se nuk ishte thënë gjë për qëndrimet e tij në përgjithësi...gjë e cila...ajo...Ishte një lojë me parti; në fakt, një cung akulli që iu rrinte mbi kokë për dhjetra vjet.
Me Petron shkoja shumë mirë. Ishim afruar në rrethana të tilla. Ka qenë një mbasdite të cilën do ta çmoja shumë po ta quaja e mërzitshme. Ne ishim duke parë një ndeshje futbolli në sallën e Vatrës së Kulturës. Një tufë me njerëz. Papritur ikën dritat; unë u bëra nervoz dhe thashë diçka të tillë, që edhe një copë sport s’e shikon dot…Petroja nxori paketën e cigareve dhe më bëri shenjë t’i bija pas.
- Ngrihemi, dalim! - më tha.
Dhe pastaj rrugës më bëri për një lek. Ç’të duhet që flet? Ku i njeh ti ata që ke përreth? Ta bëjnë letrën menjëherë…
- Ç’letër? - thashë unë.
- Letrën anonime.
- E ç’është kjo?
- O qyp, a rron këtu ti? - Petroja i bëri gishtërinjë si hinkë edhe filloi të m’i rrotullonte përpara syve; domethënë a je mirë nga mendtë? - Nga vjen ti?
- Unë? Nga Tirana.
- Jo jo, Ndini. Nga vjen ti sot, tani; nga jeta, nga shkolla…Nuk e kishe dëgjuar më parë këtë gjë? Ja e mësove. Ta ngopin dhe ecë e shpjegohu pastaj.
- T’ëmën!
Ky episod më nervozoi shumë. Jo për gjë, por në përgjithësi s’e mbaj dot gjuhën brenda. Nuk ke ç’bën, do mbajtur...më tha Petroja.
Që nga ajo ditë, u bëmë miq. Shumicën e kohës e kalonim në dhomë, duke lexuar libra ose duke u përgatitur për të nesërmen. Nganjëherë merrnim e jepnim për krijimtarinë e njëri-tjetrit. Por shpesh rrinim edhe te Korija e Puthjes. Atje Petroja iu fliste vajzave me të cilat kishte pasur të bënte. Ai iu kishte vënë drurëve emrat e tyre. Kur ishte vetëm, ndërsa pinte një cigare dhe mendonte gjëra të trishtueshme, ai iu drejtohej vajzave. Drurëve. Me shumë përkëdheli. “Hë, Vjollca, si je? Të kujtohet ajo mbrëmje me shumë yje, kur edhe u puthëm, edhe u grindëm? U pajtuam, gjithsesi. Por pastaj dikush na vuri zjarrin...” “Ç’kemi, Elda? Si je, shpirti? Pse i ke varur degët ashtu...Krahët...A nuk ta shpjegova, zemra, që do të shkoja larg? Shumë larg. Jo, në qoftë se të kam gënjyer, ti ma thuaj...”
Atje ai thoshte dhe i “thoshin” shumë gjëra. Te ajo korije nuk të dëgjonte askush.


Z. Zigur po vonohej, kështu që iu dhashë tërësisht kujtimeve. Dikur, Vatra e Kulturës mori një televizor tjetër. E rregulluam me ata të Këshillit që të vjetrin ta merrnim në dhomë. Me ndihmën e farkëtarit dhe këpucarit të fshatit (të dy këta artizanë kishin nga një kthinë) sajuam edhe një antenë. Mbrëmjeve shikonim stacione të Jugosllavisë; më shumë Shkupin dhe Sarajevon. Kur ishte koha xham, hynte edhe Italia. Rai. Kjo ishte ç’ishte, sepse atë gjuhë e kuptojnë treçereku i shqiptarëve. Kështu. Mirëpo pa e gëzuar televizorin as edhe një javë, na vjen si rastësisht për një vizitë gruaja e Zigurit. Ajo punonte edukatore kopështi. Ishte trupmadhe, tërheqëse, e paturpshme.
- Si jeni? - tha - Po ti qënke vetëm, o presor...
- Siç e sheh…
- Ç’kemi? Jemi fqinj, ë. Unë jam Florija, gruaja e Zigurit. Po rri pak.
Me sa duket, ajo e kapi më në fund drojen time dhe duke më parë drejt e në sy, më tha:
- Nuk po më qiras me ndonjë gjë?
S’dija ç’të bëja. Nxora nja dy gota me raki. Ajo e uruar na ndodhej. Gëzuar! Gëzuar! E pashë që e rrëkëlleu mirë. Dhe pas pak:
- Mërzitesh? Hm. Do më lexosh ndonjë vjershë? - e tha me njëlloj përkëdhelie, që mbase pak i shkonte.
Kisha dëgjuar që ishte një grua e hapur, që mbartte histori. Njëra prej këtyre historive kishte të bënte me të shoqin. Mbas disa netëve që bënin dashuri, ai i kishte thënë: Po ti, Florë, nuk qenke e virgjër? Kurse ajo: O surat, po ty do të të prisnja unë?...E di ti që u martova gjer këtu ngaqë po më ikte koha? Historia e dytë ishte edhe më e bukur. Një operativ i Degës së Punëve të Brendshme, kthehej nganjëherë për darkë te Ziguri. Në një nga këto netë, ai kishte lëvizur andej nga kuzhina, sepse - siç i kishte thënë Zigurit - seç kishte lënë në çantë. Në kuzhinë ishte duke gatuar Florija. Ai ishte një burrë i pakët, por shumë ngac. Ajo, grua e bëshme, gjithsesi dukej mjaft e shijshme; pastaj, edhe me një barrë llafesh mbi vete. I ngacëllon sytë operativi; një t’iu afruar dhe i fut duart. Mirëpo të rrëmben një tigan ashtu me fund të sterosur ajo edhe bam(!) në kokë; xhuxhit të ndezur i lëshuan sytë xixa. Ishte dëgjuar edhe pak zhurmë. “Florë, çfarë ka?” pyeste që andej nga dhoma e ndenjies Ziguri. “Asgjë, o burrë, ra përdhe një tigan.” Por tigani ishte në duart e saj, gati për t’ia ngjeshur njëherë edhe suratit...Operativi zuri të mërmëriste: “Unë kam dëgjuar për ty...që ti...” Dhe Florija: “Kurse unë kam dëgjuar për gruan tënde...që ajo...” “Çfarë ke dëgjuar, moj?” Ziguri që andej, kishte edhe ai pyetjet e tij: “Ka ndonjë gjë, Florë?” “Po ç’do ketë, mo! Ja, vaj të përvëluar për patatet...”
- Ore, veshllapush, - tha Flora me të qeshur - mos më rri kaq ftohtë mua!
Në të vërtetë, i kam pak të mëdhenj veshët. Sidoqoftë...
- Nuk po të kuptoj, - thashë ngrirazi - Qetësohu!
- Ore hundëpallë, unë po të begenis...
Në të vërtetë, e kam pak të madhe hundën. Megjithatë, me kë fliste kështu ajo? Moj, Florë! U hodha t’i kërkoja pak llogari e t’i thosha si e ke dhe si s’e ke punën...Kur ajo më xhvati sakaq sikur të isha ndonjë nga ata fëmijët për të cilët kujdesej në kopësht dhe më puthi gjithë afsh, diku midis buzëve dhe njërës faqe.
- Ndonjë ditë, do rri më shumë, - tha - Ti më pëlqen.
Dhe teksa po dilte, më pyeti:
- A e di pse isha këtu?
- ...
- Kujdes me televizorin, - tha çiltaz - Ai mund t’ju demaskojë...
- Ç’televizor, moj? Kush do na demaskojë?
Ajo më puthi edhe njëherë me shumë dëshirë dhe e lumtur.
- Televizori dëgjohet, - tha - Filmat anglisht...Muzika italisht. Çiao!
Kur u kthye Petroja, unë iu rrëfeva; nuk mund t’i fshihesha mikut tim të vetëm në ato skërka. Për Florën, ai lëpiu buzët. “T’ëmën! - tha - unë kam kaq kohë këtu, s’më qaset. Është me të vërtetë e çuditshme.” Kurse për televizorin, u përpoq të bënte shaka: “Këtej e tutje, le ta shikojmë pa zë...”


U hap dera e zyrës së Qafës dhe doli përpara një gjë kështu e lyer si mos më keq. Dhe kundërmoi një parfum i rëndë. Ishte sekretarja e z. Zigur. Ai më lutej ta mirëkuptoja, për shkak se takimi me ata të huajt ishte zgjatur...Sekretarja më solli edhe një gotë martini në akull. Madje la edhe shishen atje. Tani mund të vonohej Qafa sa të donte.
Z. Zigur ishte mjaft kompleks si tip. Petroja më kishte thënë se nganjëherë ai bënte sikur ikte për ndonjë mbledhje a takim dhe fshihej. T’i zinte të tjerët në gabim, ky ishte pasioni më i madh i atij njeriu. Ai fshihej në shtëpinë e tij. Pastaj kundronte prej andej se ç’ndodhte në shkollën e tij. Kishte pasur raste që kthehej, i mblidhte mësuesit edhe iu thoshte: “Pse dole ti orën e dytë? Nevoja personale? Është dialektike...Por ti u pe te klubi. Apo e kam gabim?” Kurse tjetrit: “Çfarë kishe orën e tretë ti? Po mirë, kabineti i kimisë sikur ishte bosh...Nga e pashë unë? S’ka rëndësi. Pra, ia kishe shtruar muhabetit...E jo. Do marr masë. Është dialektike.” Ndonjëherë ai ndërronte rrugë dhe fshihej te Çezma e Plakës. Kështu i thoshin, por atje ishte ferrë dynjaja...Dhe vëzhgonte.
Papritur qesha me zë, aq sa pata droje se po më dëgjonin ata që ishin brenda. Z. Qafa dhe ata të huajt. Nuk e di nëse ndodhin gjetiu këto...Por dy ditë më vonë, profecia e Petros u përmbush. Ziguri qëndroi përpara mësuesit dezhurn dhe la porosi:
- Unë kam një mbledhje në Gropë. Kujdesuni...
- Siurdhëron, drejtor! - sekush tha - Do të vonoheni ca, besoj?
- Doemos. Është dialektike.
Çantën në dorë dhe theu qafën. Në të vërtetë, po bënte lojë. Dhe Petroja e ditkërkej shumë mirë këtë. Bëji orët sagllam, se sikur është kthyer dhe kush dëgjon konferenca, më tha ultazi. Në pushimin e orës së parë, dolëm te oborri, në mos më përtej, të pinim nga një cigare. Ka shkuar te këpucari, tha Petroja. Orën tjetër e ke prapa ferrave, te Çezma e Plakës. Kur largohet në drejtim të Jug-Lindjes, përgjon nga shtëpia e tij. Kur drejtohet për në Veri, qëndron te Çezma e Plakës. Bllokun e shënimeve nuk e heq nga dora asnjëherë.
Me të vërtetë, në pushimin e orës tjetër, një gjë e çuditshme lëvizte në atë reliev ku s’kishte shumë për të treguar. Është ai, më tha Petroja. Do bëj sikur qëlloj me gurë për ndonjë zog...Ha ha ha! Në fillim, doja ta ndaloja Petron. Por pastaj, më hipi edhe mua damari...Filluam të dy të hidhnim gurë tej atyre ferrave. Sa për ta trembur. Po kur ishte vërtet atje...
- Oreee! Mjaft qëlluat, se unë jam...
- Kush ti?
- Po prit, o prit...
- Dil o maskara, dil!
- Po ç’bëni oreee, jam Ziguri.
- Ti qenke, drejtor? Po shurrën po bëje atje?
- ...Është dialektike.
Ai po vinte këtej i ngallosur me pak baltë. Dhe njërën mëngë e kishte gjithë gjemba. Seç llomotiti diçka për anullimin e mbledhjes dhe e mbajti frymën drejt edhe në zyrën e tij. Në këtë rast, mëria më e madhe i tij ishte që nuk kapi ndonjërin në gabim...


Shtira edhe një gotë të fundit. Edhe pse isha në mëdyshje nëse duhej ta pija...Një mbasdite, ai na thirri të dyve në zyrë. Dukej mjaft i zemëruar, por dinte të maskohej për bukuri. E solli bisedën pak si anës e anës. Ju e dini, tha, që Partia jonë ka moralin e saj, ka normat e saj...Është dialektike. Ne si arsimtarë duhet të jemi shembull. Propaganda reaksionare, siç e dini, depërton...E kishte thënë atë fjalën e fundit sikur të kishte parasysh ndonjë tryelë që shpon dru. Fillova ta përfytyroj atë gjë duke shpuar trutë e dikujt.
Por ai befas nuk erdhi më anës; na kujtoi sakaq televizorin. Copë. Ajo antenë, tha, duhet hequr...Unë ç’t’i bëj Florës, që ka respekt për ju të dy, ka lexuar edhe librin tënd, se për ideal të partisë, do ta paguanit shtrenjtë çdo biletë të filmave të degjeneruar borgjezo-revizionistë. Dhe sa për ato poezitë e tua, shoku Ndini...
Ç’poezi, mo! Ajo për çka kërcënohej ai, ishte me të vërtetë prozaike. Po ç’dreqin të bënim? Biseda po shkonte ecengec.
- O drejtor, antenën e kemi për Tiranën, - thamë me një gojë.
- Pra, unë jam një budalla?
- S’ta tha njeri...
- Por ama po kapa njeri...
Në të vërtetë, ai për pak sa nuk më kapi njëherë me Florën. Më qepej ajo ndonjëherë, nuk kisha nga ia mbaja. Ama në mbrëmje, ia bënte të shoqit tetë me dy. Ke shkruar ndonjë letër? e pyeste. Florë, këto janë punë partie, ia kthente ai me ton mbledhjeje. Pastaj i sillej rrotull. Po kishte gjetur me kë të mpriheshe. E kam fjalën për “presorët”, i thoshte ajo duke e mbajtur larg...Florë, edhe letra do bëjmë, është dialektike... Florë! Hajde këtu...
Sidoqoftë, ai njeri ishte “largpamës”; përndryshe, dinte të shkonte pas erës. Petron ma hoqën dhe e degdisën edhe më larg; pasi bëri nja dy muaj punë të detyruar. Për vajzat te Korija e Puthjes nuk kishte më takime. Unë shpëtova, pasi siç e tha edhe ai vetë - gjithnjë ngatërrueshëm - unë nuk kisha një xhaxha si ai, nga gjyshja e dytë, që të kishte qenë qenë “pjesë e një grupi të quajtur Të vjetrit, zënë goje në një rezolutë të atyre viteve, ndërkohë që emri i tij ishte përmendur vetëm shkarazi, por ngase e kishin cekur disi edhe në një buletin, duke marrë më pas një cilësor të papëlqyer në një mbledhje tjetër, kur situata ishte acarruar shumë vite më vonë, paçka se nuk ishte thënë gjë për qëndrimet e tij në përgjithësi...gjë e cila....” Zot, na mba mendjen!
Ndërkaq, ashtu siç ndodh rëndom në këtë jetë të padrejtë, ca shkojnë tatëpjetë (sapo e shpjeguam) ca ngjiten lart. Qafa u emërua inspektor në Seksionin e Arsimit. Kur ra nga kali partia e vjetër dhe e lodhur, teserën e së cilës ai e puthte tre herë në ditë, e pa veten sakaq te një nga partitë që sapo kishin marrë pushtetin. Dhe sërish ra në dyshek të pambuktë. Doemos, u thirr edhe njëherë në detyrë, këtë herë si Drejtor i Arsimit. Qenka bërë edhe Kryetar Bashkie...
Ore, mos më kishte zënë ca pija?


Një ligjëratë e tërë, mikpritëse, e zhurmshme dhe e gëzuar, e shkundi korridorin. Oh, ç’lumturi! Thashë se u tundën zyrat:
- Mirëdita, Ndini! Po ku je, o mall? Ku je? Sa kohë u bë pa të parë? Mirë je? Fitoi demokracia, Ndini! Ke botuar libra të tjerë? Hajde qerata, se kemi bërë sikur s’i vinim re gabimet e tua ideologjike...Ha ha ha! Flora është bërë drejtoreshë. E ke takuar Petron? Ç’bëhet ai, more aman?
Ne e vazhduam bisedën në zyrën e z. Zigur. Qafa. Ishte shumë bukur...Atë e kishte marrë malli për mua. Ai më fliste gjithë ngazëllim. E kishte harruar krejt që dikur bënte letra informuese për mua. Sadoqë e shoqja e kërcënonte me ‘bojkot’ shtrati. Ai dukej aq i lumtur. Unë jo. Edhe pse ia rrëmbeva reklamën.
Ama, të merr të qarët këtu te ne...

Nga Vangjush Saro
- See more at: http://www.gazetakritika.net/Forumi/index.php?itemid=6204#sthash.ICib4UZv.dpuf

Vangjush Saro Nga almanakët te “Bota e re”




 Përpara se të parashtroj disa argumente e konsiderata në lidhje me krijimtarinë letrare dhe krijuesit e një hapësire të njohur për trashëgiminë, sa edhe zhvillimet në art e kulturë - është fjala për rafshe ku përherë është kultivuar letërsi (Korça, Pogradeci, Devolli, Kolonja, etj.,) - do t’iu lutesha lexuesve dhe kolegëve të mos mërziten nga digresionet në të shkuarën apo vështrimet në të ardhmen, sepse pa to nuk i qasemi si duhet asaj çka merr përsipër ky shkrim. Po ashtu, do të duhej të shprehja që në fillim bindjen se këto argumente, edhe pse në dukje “lokaliste” - besoj nuk e kini harruar epitetin e vjetër - synojnë një trend që shkon përtej termit qark apo disa kufijve antologjikë.

 Më herët, duke ndjekur bisedat dhe krijimtarinë që përcillet përmes portalit “Bota e re” - një pjesë e tyre përthyhen edhe te “Fjala e lirë”, por edhe në revista e portale të tjera - ashtu vetiu m’u kujtuan almanakët e dikurshëm; bashkë me ta, edhe një sërë emra krijuesish të një kohe jo shumë të largët. Ndonjëherë, kujtesa është po aq e vlefshme dhe ndriçuese në shërbim të interesave letrare (dhe jo vetëm), sa edhe realiteti që jetojmë.

Këto radhë le t’i përplasim me butësi në dyert e rënda të institucioneve (të një qarku e zone ku rëndom ka blla-blla-blla, por jo vëmendje ndaj vlerave) mbase edhe si një apel njerëzor ndaj emrash të pazakontë, që heshtjet e pushteteve ikëdhehajde nuk ua bjerrin asfare rëndësinë dhe shkëlqimin. Do të vijë dita të pyesin brezat që vijnë - me më shumë ndriçim në mendje se ne dhe se ata para nesh - çka ndodhur në këtë vend, midis të tjerave, përtej subjekteve me socializëm e postsocializëm dhe përtej ngrënies së vakteve gjithashtu...

Që të dimë çfarë t’iu themi, lipset të mbajmë shënime. Ndoshta përpara e shumë përpara almanakëve, por sot po them dy fjalë edhe për ata. Ishin (le të themi) njëlloj reviste letrare-artistike, ku botohej krijimtaria më e mirë e shkrimtarëve, poetëve dhe artistëve të tjerë të rrethit, madje edhe më shumë se kaq. Duke filluar nga fundi i viteve ‘60 dhe më tej, ishin shkrimtarët Sotir Andoni, Vangjush Ziko, Teodor Laço, Petraq Zoto, që i dhanë tonin jetës letrare atje.


Duke qenë shkrimtarë profesionistë, me një trend të qartë drejt majave të letërsisë shqiptare, çka i çlironte nga çdolloj cmire dhe paranoje, gjëra këto mjaft të përhapura në rrethet artistike, ata e vështronin gjithë pjesën tjetër të krijuesve në një dritë inkurajuese. Ky është një mësim që (ne) jo gjithherë e kemi parasysh.


 Të kesh ambicje artistike dhe të mos njohësh zilinë artistike, këto janë dy gjëra të ndryshme. Një nga reflekset më të ndriçuara qetësisht të kësaj vlere, e kam parë këto kohë te shkrimtari dhe kritiku i njohur Fatmir Terziu (mik i klubit “Bota e re”). Nuk them asgjë të re nëse kujtoj që jo të gjithë krijuesit i realizojnë më së miri - apo ashtu si ata do të donin - ambicjet e tyre. Kjo dukuri, e tillë mbetet në çdo kohë.


 Duhet të jetë e qartë për të gjithë se statistika e botimeve dhe kontributi në tërësi i krijuesve, janë instrumente të rëndësishme nëse duam një pamje sa më të vërtetë; edhe më shumë vëmendje kërkon mandej qasja në shkallë që i ngjisim duke pasur sekush grintën e vet, sa edhe vështrimin e publikut, të kritikës, të mediave, të tregut, të antologjistëve, etj. Nuk jam shprehur dhe nuk do të shprehem asnjëherë me fjali të përmbyllura, me fjali përjashtuese, qoftë edhe për krijuesin më pak të favorizuar nga fati apo talenti i tij; ne asnjëherë nuk e dimë të gjithë të vërtetën e perspektivës së gjithësecilit në artin e vet, koha do të flasë më shumë dhe me paanësi.


 Unë nuk bëj pjesë ndër ata krijues a intelektualë që duket se e mbajnë larg metoniminë dhe i bien shkurt e thonë: “Është kështu (siç them unë).” Bëj pjesë ndër ata që thonë: “Mendoj se...” “Ndjej që...” Pra, kam thjesht një mendim, jo kutin për të peshuar të tjerët, staturën apo edhe prurjet e tyre. Por sa shkon ky mendim te kolegët dhe lexuesit, sikundër çdo gjë tjetër që shkruaj, kjo po, është shumë e rëndësishme për mua.

 ■ Jam përpjekur edhe më parë të vizatoj një pamje të jetës letrare dhe artistike në Korçë dhe në krahinat fqinje të saj, Devoll, Pogradec, Kolonjë, etj., kur përgatita shënimin për poetin V. Ziko. Po rikujtoj sërish episode të atyre dhjetëvjeçarëve të fundit (të shekullit që shkoi) për të cekur sadopak temën - pothuaj tabu - dhe që shpjegon pak a shumë nga ne vijmë dhe çka ne përfaqësojmë sot; mandej, si ta bëjmë këtë më mirë. Në mesin e viteve ‘60, biblioteka e Korçës ishte një nga më të pasurat që mund të kishte vendi. Dhe në librari gjendeshin pothuaj të gjitha letërsitë e mira të botës, nga Dante, Servantesi e Shekspiri, te Balzaku, Esenini dhe Heminguej.


Shkrimtarët dhe poetët e asaj treve, ishin në akord me këtë klas, (për aq sa mundej). Muzika dhe teatri po ashtu. Kristo Kono e Preng Jakova (kompozitori i njohur shkodran) do të kompozonin operat e para shqiptare; kjo nuk ishte pak. P. Mani vuri në skenë dramën “Pamje nga ura” të dramaturgut amerikan A. Miler. Në fillim të viteve ‘70, M. Luarasi do të sillte në skenë (bashkë me fatin e tij) dramën “Njollat e murme” të M. Jeros. “A.Z.Çajupi” një ndër teatrot më të njohura në Shqipëri, duke bashkëjetuar me temat e kohës, duke sjellë vlera nga krijimtaria botërore, nganjëherë, si e thashë më lart, duke kërkuar edhe të thyente tabutë, mbajti gjallë atmosferën artistike, edhe pse moti ngrysur ishte mjaft...


Në këtë stinë të paqendrueshme, më e shumta me ‘ngrica’, shkrimtarët dhe artistët përpiqeshin të bënin edhe ata artin e tyre. Almanakët që botonte Dega e LSHA dhe Pallati i Kulturës, në njëfarë mënyre e pasqyronin këtë. Edhe pse në kushte të denatyruara, shkrimtarët ishin të apasionuar pas letërsisë dhe i dhanë asaj më të mirën e vet.


Ashtu bëri Arsinoi Bino (që shkroi disa novela, edhe pse merrej me dramën veçmas); Andon Mara njihej për prozën e tij të thjeshtë dhe subjekte tërheqëse; unë do ta kujtoja edhe si një njeri shumë serioz dhe gazetar korrekt. Petraq Samsuri shkruante fabula dhe vjersha të bukura për fëmijë; botoi edhe ndonjë roman. Riza Hyso dhe më pas Muharem Xhaxho, shkruanin kritikë. (Ky i fundit shkruan edhe poezi për fëmijë, ka disa botime.) Nedai Thëllimi shkroi tregime; tani e kam parë të shfaqet më shumë si historian.

Një pjesë e krijuesve ishin punëtorë, si Rafael Stavre dhe Ilia Grabocka, që vdiq herët. (Ishte një njeri pa fat, nuk arriti të botonte asnjë libër me poezi, ia kthenin vazhdimisht, por unë kujtoj që poetizonte thjesht e pa bujë ideologjike dhe para së gjithash, e adhuronte poezinë.) Më tej, Guri Miçinoti, prozator dhe njeri i çuditshëm, ngac. Hamza Koçiu, pedant. Nëse mund të kem harruar ndokënd - kjo jo për shkak të mungesës së dashamirësisë - kërkoj ndjesë. Gjithsesi, po i vëmë një pikë kësaj pjese të parë të këtyre përsiatjeve, duke pohuar se pavarësisht trysnisë, kishte një jetë letrare, paçka se në limite të kontrolluara.


 ■ Vite më vonë, po avitej në këto “lundrime” të vështira një brez tjetër. Kostaq Duka. Poezia e tij është një minierë përsiatjesh e meditimesh. Kristaq Balli. Nuk di pse po hesht. Prozator me sqimë. (Para ca kohësh, nën kujdesin e tij, u botua një libër me prozë nga autorë të Qarkut të Korçës.) Klito Fundo, i njohur për vjershat erotike; (së bashku kemi udhëtuar në këmbë me orë të tëra, vite të tëra, duke ngjitur rrugët e përbaltura të fshatrave të Gramshit). Thani Naqo. Proza e tij është tejet origjinale, por edhe poezitë e tij janë të sinqerta dhe të drejtpërdrejta. Jam shprehur disa herë për romanin e tij “I fundmi i shalëgjatëve”, që në vështrimin tim përbën një punë me interes për letërsinë shqiptare. Ilir Buzali.

Kolegu im i humorit dhe satirës. Para disa kohësh, na mrekulloi me kujtimet për kinematë e Korçës dhe për raportet tona romantike me to, shtyrja për bileta, bërtitjet kur digjej filmi, ngrije zërin, ndreq figurën...Kristaq Turtulli, që rrëfen aq natyrshëm dhe me të cilin jemi rritur në një mëhallë romantike, kur dëbora dhe rëshkitja me ski gjatë dimrit apo bredhjet te Korija e Shetros a te Panda gjatë verës, zgjuan te ne shkrimtarin. Vladimir Toroveci. Një nga më ‘besnikët’ e poezisë. Petraq Kita. Para disa javësh, kishte shkruar me shumë ngrohtësi për një krijues të ri. Piro Visari. Iku herët bashkë me fabulat e tij. Skënder Rusi. Një lirik i njohur, që ndjek traditën më të mirë të kësaj gjinie. Skënder Demolli. Humorin e tij gjithnjë e kam vlerësuar dhe me erdhi mirë që komedia e tij e fundit pati sukses në Manastir.


Duke mos folur për Dritëroin e Naum Priftin, që kishin jetuar gjithnjë në Tiranë, apo për Dhori Qirjazin e pafat, një pjesë e krijuesve - përfshi edhe autorin e këtyre radhëve - do ta vazhdonin edukimin letrar dhe krijimtarinë larg hapësirave në fjalë: Ruzhdi Pulaha. Nasi Lera. Kiço Blushi. Koçi Petriti. Gaqo Veshi. Natasha Lako. Gjikë Kurtiqi. Tatiana Kurtiqi. Adelina Balashi. Valter File. Vasil Dede. Çelik Petriti, etj. Në dekadat e fundit, ofruan prurje të spikatura shkrimtarë dhe poetë që e zhvilluan talentin e tyre sa brenda, aq dhe jashtë vendit, në rrethana krejt të ndryshme: Ylber Merdani, Rajmonda Moisiu, Agim Bacelli, Edmond Shallvari, Ziko Kapurani, Hysen Kobellari, Fation Pajo, Estref Haxhillari, Kristaq Mizaku, Kosta Nake, Luan Xhuli, Koço Sterjo, më pas edhe vëllezërit Pandi e Dhimitraq Papando. Nga gazetaria qaset heraherës në letërsi plot kolorit Fiqri Shahinllari; por edhe Resmi Çorbaxhi shkruan thjesht dhe me një gjuhë të pasur. Nga dekadat e pamundësisë, vinte Merita Bajraktari-McCormack. Shohim në disa botime interesante Luan Kalanën.

 Në rrugën e tyre të formimit si krijuese janë të talentuarat Julia Gjika, Lida Lazaj; po ashtu, krijues që për momentin nuk zunë vend në këto shënime - autori i këtyre radhëve do ta rimarrë këtë shkrim - trokitën dhe vazhdojnë të trokasin në blog me krijimet dhe librat e tyre. Ky është një proces, që sot meriton vështrim tjetër, vëmendje më të madhe. Gjithsesi, “shkolla” u zgjerua. Po rilindte, në një rend tjetër, në rrethana të tjera, “Bota e re”, gazeta (pothuaj institucion) e njohur e viteve ‘30 me një rreth të tërë artistik, ku gjetën veten një plejadë shkrimtarësh të njohur: Migjeni, Petro Marko, Dhimitër Shuteriqi, Nonda Bulka, por edhe Kristaq Cepa, etj.


■ Sot, nuk jemi më në kushtet kur një almanak botonte krijimtari të kufizuar. Dhe performimi artistik trysnohej nga censura, autocensura, presioni ideologjik në tërësi. Mundësitë e sotme janë shumë më të mëdha, për shkak të zhvillimeve teknologjike, por më së pari për shkak se po jetojmë në një rend tjetër, ku liria e krijimit është një realitet. Pikërisht një klimë e tillë, rrethanat e reja të zhvillimit të letërsisë dhe fakti që ka një sërë autorë të spikatur - ka ardhur koha - duhet të përcillen në publikun mbarëshqiptar (dhe jo vetëm) në një dimension të ri; pamja e kësaj letërsie meriton më shumë.

 Fakti që një pjesë e krijuesve jetojnë në Shqipëri dhe një pjesë e tyre jashtë vendit, e bën edhe më interesante sfidën, ndehja e kësaj letërsie në disa kontinente, natyrshëm “përkthehet” në cilësi dhe rritje. Krijimtaria artistike është vetiake; është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo; por qasja në “tribuna” klubesh e shkollash, si dhe përpjekjet për një menaxhim bashkëkohor, janë të rëndësishme gjithaq.


Autori i këtyre radhëve, me këtë shkrim apo edhe me disa përsiatje të tjera, vetëm sa po e shkund paksa monotoninë që ndonjëherë na pushton të gjithëve, veç e veç apo edhe si komunitet, por më së tepërmi ai rreket të rrahë këmbanat për institucionet që duhet të kenë një strategji e një axhendë për etapat dhe protagonistët e kësaj krijimtarie, e shtrirë në kohë dhe tashmë edhe në një gjeografi që të lë pa fjalë.

Vangjush Saro Vankuver - Gusht 2013

******



Vangjush Saro ka lindur më 1952 në Korçë. Më 1971 përfundoi shkollën e mesme të përgjithshme “Raqi Qirinxhi”. Më pas, kryen Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji. Punon për disa vjet arsimtar në rrethin e Gramshit. Më 1986 kryen Kursin pas-universitar për redaktor pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve dhe ish-Kinostudio “Shqipëria e re”. Pas vitit 1986 punon redaktor - skenarist në ish-Kinostudio “Shqipëria e re”. Në fillim të viteve ‘90 merret edhe me gazetari, duke punuar dhe bashkëpunuar në disa gazeta, si “Republika”, “Alternativa SD”, “Sindikalisti”, më pas në “Metropol”, “Ballkan” dhe “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli” e “Telegraf”. Autori ka marrë çmime kombëtare për vëllimin me tregime satirike “Biri i ambasadorit” dhe për novelën për fëmijë “Polic Këmbëvogli”.

Agjencioni Floripress-Flori Bruqi

Kisha në dorë zjarrin e yjeve


Kostaq Mizaku

RREZJA

S’u lodhe pra kaq kohë e arratisur ,
Kaq kohë që kur ike e më mungon ?
S’besova të vonoheshe kaq gjatë
Nga njëri yll në tjetri tek kalon.

Ndaj herë, herë kur malli më merr shumë,
Përgjatë lumit dal edhe shëtis,
Në bërryl të thellë bufkëzën e Hënës
E shpleks e nëpër gishta shpupuris

Fundprilli atëherë duhet të ishte,
Për herë të parë m’u shfaqe flokëlëshuar,
Ti shtireshe e qetë sikur për mua,
Se kishe bërë por thjesht ashtu nxituar.

Atëherë unë i hutuar s’po kuptoja,
Se si kaq befasisht në sytë e mi,
Përfundimisht ish shuar tashmë rrezja,
Një grua ishte shfaqur, një peri ?!

Por ndoshta flokët i ke mbledhur prapë,
Në bufkë ndaj dhe yjesh shkon e ri.
Sa shumë paske dashur dhe një herë
Në rreze të më kthehesh përsëri.

Lumi i mëhallës sime



Tërë këtë natë të gjatë të pagjumë
e mblodha shuk dhe e vura
në një guaskë arre
më një velëz gjetheje
e nisa ku të mundë në det,

Pa xhaketë,pa portofol
ecën serbes,serbes me duart në xhepa..
Në fund të tyre dy vrima
ku luajn gishtrinjtë.

Ndër ferrat buzë Moravës
ndehur shqetësimet e tua,
si rroba të bardha, të lara
që i valvit era.
Si mund t’i mbledhë ëngjëlli yt i mirë
ka aq shumë gjemba?!

Atje në rrëzë të malit
ku shkove e ngrite shtëpinë
nuk e dije
që rrokullisen orteqet ?

U thyen tërë xhamat e shtëpisë.
Në dhomat bosh era e Ivanit
kërcet dhëmbët
ndërsa pas shpine dyert
përplasen me vrull.

Ulesh i lodhur rrëzë një plepi ,
me sytë gjysëm të mbyllur
përpiqesh të flesh pak.
Nga supet nuk e fshin një glaskë
harabeli.

Kishte kaq shumë vemje kopshti sivjet,
kaq shumë vemje,
dhe sa pak zogj !

Është koha të ikësh,
qielli u vrenjt dhe patjetër
do kemi furtuna.
Këpucët janë prapa derës,
kujdes nga gozhdët !

Kur të dalësh në rrugën e madhe
mos u huto
kape për mënge erën
është e mirë, besnike
si qeni i të verbrit !


Kaq e përpjetë kjo rrugë
dhe kaq e përdredhur
si mund të vraposh ?!


Rri i krrusur mbi pirgjet
me hekurishte
Ndër ndryshqet pa fund
kërkon me gishtat që të dridhen ,
bukën e ditës


Netëve kur hëna të dalë
duke të servirur varkat
si fruta në pjatë të argjendtë ,
mbaj një shami me vete ,
do të të duhet për lotët.

Nganjëherë ndodh
që është më mirë të qeshësh
se sa të qash
kur bie në gjunjë.

Kush e mati ndonjëherë
sasinë e kripës në lotët e gazit
e në lotët e vajit ?
Kush e mati ndonjëherë ?

Ajo qeramidhja në kulm të shtëpisë
prapë nis e pikon
pikë, pikë
pa rreshtur

E shikon ?
Sot telefoni
nuk trokiti fare
prandaj nuk erdhën zogjtë në ballkon
të hanë thërrimet e bukës.

Është kaq e rëndë të presësh
diçka që të ka ardhur me kohë
e s’të hiqet nga vetja,
dhe ti bën sikur se shikon
e gjoja del ta presësh
duke vënë pak aroma freskie
e duke kënduar një këngë rinore
ndërsa era t"i hedh andej , këndej
flokët tashmë të rralluar.

Nga larg kur të fryjë
era e perëndimit
dil e mblidhe në një thes të zbrazur
dhe le të të tallin
diçka në të do të mbetet.

Nga tërë fjalët e së dashurës
mbetet vetëm fjala "të pres"
Nga tërë heshtja e nënës
mbetet një gozhdëz
që lëviz e lëviz kudo
bashkë me gjakun
dhe del vetëm kur kokën mbështet
në prehrin e saj.


Ajo pema jeshile që zgjatet
deri tek dritaret e katit të dytë
mbrëmjeve kur e kur hedh nga një sy
në dhomën e gjumit
andej nga krevati.

Mbasdite , kur skuqet qielli në perëndim
dhe parku nis fërgëllohet
ti nis e mbushesh mornica .
Ke frikë mos digjet bota.

Është kaq , kaq e vogël kjo botë
sa nuk na nxe të dyve bashkë
normalisht
ndaj ngjishemi e shtypemi kaq shumë
me njëri tjetrin
sa shkrihemi e bëhemi një.

Thanë që edhe Marsi
ashtu si Hëna është ,
i shkretë , pa jetë.
Nuk të duket pak e frikshme
me kaq komshinj të vdekur
rreth e rreth
s"të duket e frikshme?

E në u ndafshim ndonjëherë
ç’do të bëhet me këtë botë
kur të marrim me vete
dy gjysëmbotëzat tona ?
O Zot në u ndafshim ndonjëherë !

Mjeku të tha :
"Kujdes të është zmadhuar zemra"
Me kaq shqetesime sa fute në të
si mos zmadhohet?

Qeni yt që ruante shtëpinë
ngordhi një mëngjes.
E morën në rrabën e plehrave .
Në këtë botë mbushur me hajdutë
a mund t’i besosh një kyçi ?

Kur të nisesh për kthim
mos i vish këpucët
se nuk do të shkelësh në tokë
do fluturosh!

E pe sa bukur perëndoi sot dielli ?
Si fanar i ndezur u var
aty midis malesh
si mbi derën e një bujtine të dhemshur
që pret me mall

Kur të kthehesh
në atë grykë të ngushtë
mos harro të hedhësh në lumë
thesin me shqetësime
Lumi do ta marrë
mespërmes atdheut
do ta çojë në det.


Deti gjërat e shtrenjta i mbledh
në bark të molusqeve
dhe ndoshta një ditë vala i nxjerr,
ndoshta i nxjerr…


Tërë këtë natë të gjatë të pagjumë
e mblodha shuk dhe e vura
në një guaskë arre me një velëz gjetheje
e nisa ku të mundë në det.


Po deti si e gjeti lumin e mëhallës sime?
Nga tërë këta lumenj të pafund


ZJARRI I YJEVE

Kisha në dorë zjarrin e yjeve
Kur ishim bashkë .
E ishte bukur,
Gjithë zogjtë e pyllit këndonin vetëm për mua .
Por ah ajo kukuvajka e orës !
Si se prisha më parë atë orë të zezë ?
Katër herë këndoi e ndali pak të të shihte
Sikur ta dinte
Se s’do të të gjente më
Deri në pesë.

Tani zjarri i yjeve
S’duket gjëkund.
E morën urithët thanë
Të ndezin qirinj tjetërkund.

si e gjeti pikërisht atë ?


LERE TËRBIMIN E QIELLIT

Lere mërinë e reve
tërbimin e qiellit
të derdhet mbi mua !

Duke më ruajtur nga shiu
merr mbi vete rrufetë.

Kështu si bën,
pa puthjen tënde,
pa dihatjen tënde të çrregullt
në gjoksin tim
s’jam harbimi i lisit
që gris lartësitë
por zgërbonja e çarë mespërmes
më rrënjë dalë dheut
ku tremben të ulen zogjtë.

Tek rrjedh ndanë varreve të moçme
atë guaskë e ngjiti nëpër të !



UNË E DI

Unë e di se sonte do të vish
Dritëzën e oborrit do të shuash
Në kanapenë e vjetër ti sërish
Do ulesh e do bëhesh njësh me mua.

Mban mend nuk kishin kushedi
Ndonjë freski të madhe ato netë
Kur mbledhur si fëmijë hyje ti
Në gjoksin tim e dridheshe si fletë.

Ashtu si kot pastaj kur më përgjoje
Të zemrës rrahje me kokën mbi të
Ca lutje mbushur ankth sikur dërgoje
Tek Shën Mëria herë, herë pa zë.

Po ku ta dija se aq dhembshurisht
Një mal me kuvaristra mbaje fshehur
Dhe drugën që të dridhej nëpër shpirt
Të gjitha një nga një i kishe tjerrur.

Të gjitha një nga një i kishe tjerrur
E mbledhur në një lëmsh,o zot ç’cfilimë,
Gjersa një muzg të vonë t’u këput filli
E Shën Mërinë thirre ti për ndihmë…….

Përmbytje e madhe ..



Në Tiranë pata përshrypjen se isha kthyer në kohën e Galileut, kur ai pohonte se, toka ishte e rumbullakët me gjithë kundërshtimet dhe kërcënimet e bëra ndaj tij. ... Çuditërisht, z. M. Korkuti dhe Mancaku i quajnë pasardhësit e Ilirëve si parailirë, sepse nuk guxojnë të përdorin emërtimin “Pellazg”. Euripidi: “Një skllav nuk e ka të drejtë të thotë të vërtetën nëse ajo nuk i vjen për shtat zotërinjve të tij”. Ndërsa Tagora: “Nëse i mbyllni potrtën të gjithë gabimeve, e vërteta mbetet jashtë”. (M. Aref “Mikena=Pellazgët”, f.24; R. Bebo “Zeusi”, f. 154).
Historiani Amerikan Edwin Jacques shkruan: “Folklori grek e kërkon origjinën e themelimit të Greqisë te Deukalioni mitollogjik dhe e shoqia e tij Pirra. Dy njerёzit e vetëm që i shpëtuan përmbytjes së madhe. Biri i tyre Heleni, ishte pasardhësi legjendar i racës greke që datohet rreth vitit 700 p. K. Prej tij njerëzit e këtij populli morën emrin helenë. Kurse atdheu i tyre Hellas. Nga kjo del qartë përse Homeri nuk i përmënd grekët apo helenët në rrethimin e Trojës, por flet për një numur fisesh pellazge. Duke patur parasysh përmëndjet e shpeshta të këtyre pellazgëve parahelenë nga autorët e lashtë grekë, duket i çuditshëm fakti që shumë historianë të sotëm ose e injorojnë ekzistencën e tyre, ose i futin në një thes me grekët. Dijetarët e lashtë nuk binin në gabime të tilla”. (1).
Mathieu Aref citon: “Legjenda e dekualionit u krijua për të fshirë plotësisht të kaluarën pellazge, një përmbytje që fshinë gjithçka, në mënyrë që të fillohet nga zero. Kështu, sI me magji, dolën në dritë Heleni i Deukalionit dhe i Pirrhas: Helen. Eponim i stregjyshit të grekëve. De Zhubainvil e thotë me forcë: “Ndëfutja e një përmbytjeje në fund të historisë pellazge është pasojë e natyrshme e pushtimit të Greqisë nga raca semito-egjyptiane (helene), historia e së ciles fillon me përmbytjen e Dekualionit”. (2).
...Reflektojmë në një pasqyrim të ri, me qëllim qëtë përcaktoj më mirë këtë anë të errët apo tinëzisht të errësuar të këtyre periudhave parahelene dhe përpiqen të deskriptojë atë që ka qënë ndërfutur, manipuluar, fshehur, shpërfillur apo hequr me dashje ndër shkrimet më antike, madje edhe në ato më të vonshmet. Ja çfarë thotë Maxime Colignon (Manuali i arkollogjisë greke): “Grekët duket se kanë marrë përsipër të errësojnë të gjithë historinë e zanafillave të tyre artistike orjentale, të cilën e kanë fshehur me shumë kujdes. Per t’i besuar, ata kanë shpikur gjithçka. Disa autorë antikë (ndër të cilët Tukididi) a nuk e kane fshehur zanafillën semito-egjyptiane, per t’i dhënë Greqis stërgjyshër parahelenë (jo grekë) prestigjiozë, të përshkruar në veçanti në poememat epike,në mënyrë absolute asgjë nuk provon se ata kanë qënë grekë? ... kjo ngatërresë dhe kjo turbullir e errët me paraqitjen e zanafillës greke, është mbushur me kontradita, manipulime, ndërfutje, përfshire kurthe në tekstesh antike. Tani ne veprat e Arefit u japin pellazgëve vendin e merituar dhe të rivendosen disa të vërteta që
ishin të paditura apo të fshehura. (3).
Samnito-egjyptianët (grekë), përvehtësuan figurat dhe qytetërimin pellazg, përpara ardhjes së tyre.
Eugjen Pitard në itin 1916 pohonte: “...Shqipëria i përmbys dokumentat më të rëndësishme arkeollogjike dhe antropollogjike për sa i takon zanafillave të popullsive të lashta të Gadishullit Ballkanik; popullsi, të cilat në agimin e historisë i shohim të figurojnë nën emrin pellazgo-ilirë. Ne përjetojmë të kaluarën e lavdishme, duke u ngjitur nëpër qytetërimet që kanë paraprirë qytetërimin grek, ndër të cilët qytetërimin e mbi quajtur Mikenian.
Sa për pellazgët, ata kanë lënë rrënoja megalike ndërtime të mbiquajtura ciklopike apo pellazge, të dallueshme deri në ditët tona. Mure gjigande me blloqe guri të stërmëdha, këto gjënden në pellgun mesdhetar (Greqi, Azin e Vogël, Egje, Itali, Palestine...) ku jetonin Pellazgët dhe Tursanët (Tirrenët apo Etruskët). Këto etni pellazge janë në zanafillën e të gjithë monumenteve para helene të Greqisë së Lashtë. Ndër më të famshme janë Akropoli me murin rrethues Pelargikoni i Athinës, është një shembull i qartë i Pellazgëve. (4).
Si mundet të fshihet një popull mijra vjeçarë si pellazgët dhe me një qytetërim të përsosur? U referohemi historianëve të thonë fjalën e tyre.
Edwin Jacques thotë: “...Kjo është popullsia ballkanase, e quajtur pellazge nga Homeri, Hesiodi, Herododi, dhe 160 historianë, gjeografë dhe poetë grekë e latinë. Arkeollogët demostrojnë se shtresimet e Kohës së Bronxit në Maliq e vënde të tjera dhe ato të Kohës së Bakrit, duke vërtetuar vazhdimësinë e të njëjtës popullsi.
Sanskrishtja, e formuar mbi bazën e gjuhës pellazge, si zendishtja, greqishtja dhe latinishtja, i ka dhënë rregullat gramatikore dhe morfollogjine më të përsosur dhe më klasike nga të tri gjuhët e tjera kanë qënë të tri gjuhët të shkruar dhe të ngritura në shkallën e gjuhëve liturgjike: Zendishtja për mazdaizmin, greqishtja për kishën e lindjes dhe latinishtja për kishën katolike. Për formimin e të tria gjuhëve, konstatojmë se i është dashur pellazgjishtes të paktën njëmijë vjet evolim për t’u bërë sanskrishte nga 3000 në 2000 vjet, greqishtja nga 1700 në 700 dhe latinishtja nga 1200 në 200 vjet p. K. (5).
Van Vindekens, prof. në universitetin e Luvenit, në Belgjikë, ka shkruar rreth një gjuhe të lashtë indoevropiane, të cilën e quan pellazge. ... Verejti se toponimet pellazge gjënden të përhapura nga Azia e Vogël deri në Itali (E. J. f. 47). Për të zbuluar rrënjët e qytetërimit shqiptar duhet të kthejmë vështrimin drejt Mikenës si kryeqendër pellazge. Straboni cilëson “qytet binjak” të Mikenës me portin e Argosit. Ndërsa tri prej tyre përmënden si “më të dashurat” e perëndeshës pellazge dhe mbretëreshës së qiellit. Heres (Junos) “Argosi, Sparta dhe Mikena e madhërishme”. Kjo trevë Pellazge ishte qendra e qytetërimit. Më vonë midis Argosit e Mikenës adhuruesit e saj ndërtuan tempullin e famshëm të JUNOS. (6).









Polibi, vë në dukje se Finiqi ishte qyteti më i pasur, më i fuqishëm dhe më i fortifikuar i Epirit. Ne shekullin e III p.e.s. ky qytet shërbente si kryeqendër e Lidhjes Epirote.
Herodoti i indetifikoi spartanët si pellazgë ishin zotër të Peloponezit dhe “ishin të parët në “Greqi”. Ata janë njerëzit më trima, Pellazgo-spartanët i dhane fitoren Greqise më 479 p.e.s. në luftën kundra persëve me mbretin e tyre Pausania. (7). (Të nderuar lexues, gjiko sa të ulët dhe shpifesa e intrigante janë grekërit, kur kërkojnë një përmbytje të madhe që mos të ketë lënë asnje gjurmë pas pellazgët).
Quhet qytetërimi minoik ai që është zhvilluar në Kretë gjatë periudhës ndërmjet 3500 – 1200 p. k., u lidh edhe me qytetërimin mikenas ndihmoi në lulëzimin e Ballkanit dhe të gjithë Europës në atë kohë. Gjatë periudhave te viteve 1600 – 1250 p. k. Shënohet me emrin: qyteterimi kreto – miken. Në fakt në këtë kohë ishte një popull i pastër pellazg. (8).
Gjuha pellazge, me mijeëjeçarë te kaluar, vijonte gjithënjë të ishte gjuha e vatrës, që shërbente si lidhëse ndërmjet lindorëve e perëndimorëve për t’iu kujtuar se përbënin po atë popull me emra të ndryshëm: pellazgë,argë, arbën, albanë etj. Dhe ka qënë kjo cilësi e nje populli unik që fliste kudo të njëjtën gjuhë, e cila i lejoi Kostandinit I të bënte, pa asnje shqetësim, shpërnguljen e kryeqytetit nga Roma në Kostandinopojë; kjo ndodhi sepse populli i Greqisë dhe i Azisë së Vogël ka qënë i njëjtë me atë të Italisë, sepse kishin të njëjtën origjinë të përbashkët, sepse adhuronin të njëjtat hyjni dhe mbitë gjitha, flisnin po atë gjuhe. (9).
Maks Zotaj shkruan: “Mjaft është diskutuar rreth Herododit i mbiquajtur edhe “Babai i historisë”, i cili gjithhtu për saktësitë trashanike që ka bërë e quajnë edhe “babai i gënjeshtrës”. Historiani E. Giboni gjatë kohës që pregatiste “Shkëlqimin dhe rënien e Perandorisë Romake” ankohej se: “Paragjykimi, injoranca dhe budallallëku i shumë historianëve të lashtë” të cilët ishin të detyruar t’i përdorte si burim informacioni”.
Në vitin 1774 në Leipzik Hans Erick Tuman, botoi librin e tij “Kërkime në historinë e Popujve të Europës Lindore”. Në parathënien e këtij libri, duke përmendur direkt shqiptarët, ai theksonte: “Asnjë popull tjetër i botës në të cilën jetojmë, nuk është aq i panjohur për europianët e perëndimit , përsa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës sa shqiptarët. E megjithatë ata janë popuj kryesorë, të lashtë dhe të rëndësishëm, që çdo historian do të dëshironte t’i njihte. Historia e tyre do të plotësonte zbrazëti të mëdha në historin e vjetër dhe të re të Europës. (këtë zbrazëti po mbush Pof. Dr, Arefi). (10).
Prof. Dr. Robert Ageli thotë: “Për të thënë të vërtetën, Greqia ka nisur të quhet zyrtarisht dhe përgjithësisht HELLAS për gjithë botën vetëm shume vite më vonë, kur u krijua si mbretëri e pavarur më 1830 të erës sonë. Më pare, dhe sidomos gjatë Perandorisë Bizantine, ajo asnjëherë nuk është quajtur as hellas as Graecia, as Perandoria Greke, ose Helenike, po gjithmone Perandoria Bizantine. Për çdo njeri që i sheh gjërat pa anësi, nuk ka asnjë hije dyshimi, se të gjithë popullsitë bizantine kanë qënë trashëgimtare të atyre, që kanë jetuar në këtë vend qysh prej lashtësisë më të madhe deri në epokën bizantine, domethënë pellazge dhe armene, arabe,egjyptiane të krishterë dhe myslimanë jetuar në këtë vend) (11).
Feja e pellazgeve ka qënë natyralizmi, d.m.th. hyjnizimi i dukurive të natyrës, i agjentëve fizike, i forcave shkatërrimtare i fuqive të mbinatyrshme. Ata janë krijuesit e kësaj mitollogjie të habitshme dhe të mrekullueshme që e morën grekët, etrusket dhe romakët ose latinet. Besonin në qenie të ndryshme nga njerëzit dhe eprorë ndaj tyre, të quajtura hyjni e hyjnesha këto ushtronin mbi njerëzit si drejtpërdrejt në ndikim favorizues ose dëmtues dhe ogurmirë ose ogurkeq, që praktik rituale ose ceremoniale te kultit i kishin si rol lavdërimi ose pengimi. Kulti i pellazgeve, është trashëguar brez pas brezi të grekët, etruskët dhe romakët, të trija palët pasardhëse flisnin po atë gjuhë pellazgjishten ose shqipen.
Në shkallën e parë të hyjnive pellazge vinin ZEUSIN, të cilin latinet e quanin JUPITER. Për termollogjin e termit ZEUS të lashtë e cilësonin hyjninë bubulluese perëndia e gjëmimit, nga pellazgjishtja ZEUS = zë-ës gjëmues. Për termin latin: JUPITER, po ashtu jepet nga gjuha e pellazgëve: tirenëve ose etruskeve: Jupiteri do të thotë ati ynë: ju(ni) piter, ashtu si Junon shënohet nga ju(na)nan: nana jone.(12).
Robert d’Angely shkruan: “Për të thënë të vërtetën. Greqia ka nisur të quhet zyrtarisht dhe përgjithësisht HELLAS për gjithë botën vetëm shumë vonë, kur u krijua si mbretëri e pamvarur me 1830 të erës sonë. Më parë, dhe sidomos gjatë Perandorisë Bizantine, ajo asnjëherë nuk është quajrur hellas, as graecia, as Perandoria Greke ose Helenike, po gjithmonë Perandoria Bizantine dhe perandori bizantin kurrë nuk është cilësuar si greke ose Ellas. Pra vetëm në mënyrë abuzive grekët sot që në krye deri në fund të veprave të tyre e quajnë perandorine greke perandorin grek dhe popullsinë bizantine si helene. (Kështu që grekëve është hapur punë e madhe duke shkruar në të gjithë litaraturën deri në vitin 1830 emrat: Greqi, helene, hellas etj., duke shkërmoqur zanafillën e tyre. Shënimi im). ( (13).
Mbas 1700 vjetëve të quajtur “Përmbytje të madhe”, greku demostroi urrejtjen kundra pellazgo shqiptareve edhe në vitin 1997 për ta kthyer Shqipërinë në nivelin zero duke nxjerrë çekun e bardhë.
Prof Bytyçi thotë: “Bashkëpunimi antishqiptar serbo-grek ka marrë përmasa te jashtëzakonshme për gjatë luftës në Kosovë. Para luftës në Kosovë, Greqia u angazhua me të gjitha forcat dhe arriti ta shkermoqe shtetin e ri demokratik të shqiptarëve. Ajo ia doli që me andartët e saj ta djegë dhe ta shkrumojë gjithë Shqipërin e Jugut, që të shkatërrojë e djegë jo vetëm bashkitë dhe komisarjatet e policisë, por edhe kadastrat, muzetë, shkollat shqipe, objektet historike, zyrat e gjëndjes civile, bibliotekat etj., me qëllim që ate ta restauronte Janullatosi dhe pas restaurimit të vihej nënshkrimi i “të ndriturit Kryepeshkop”. (14).
Kisha në Greqi ka imponuar principin e sanksionuar në kushtetutën e këtij vendi se “Çdo ortodokës është grek dhe cdo grek është ortodokës”. Feja mbizotëruese në Greqi është feja e kishës ortodokse greke. Greqia i ka dhënë legjitimitet ndërhyrjes së saj në inponimin e besimit fetar brenda dhe jashtë teritorit te saj. (Bytyçi f. 202) (15).
Është e turpëshme qe proseletizmi në Greqi njihet si krim vetëm nëse ortodoksi grek kthehet në një fe tjetër. Ndërsa, krejt ndryshe ndodh me emigrantet shqiptarë në Greqi, mbi të cilët përdoret dhuna fetare. Në shtetin grek sot sundon Ligji nr. 1363 i vitit 1938, i kohës së diktaturës së Metaksait, që ndëshkon krimin e kovertimit fetar. Nëse në greqi nderron fenë ortodokse, duke u kthyer në fe tjetër, menjherë burgosesh, sepse vepron ligji nr. 1363. Greqia është shteti i grekëve të krishterë. (16).
Të njohim grekët. Aresi (Marsi) Perëndi greke. Aresi është perëndia e urryer e luftës dhe shkatërrimit. (Deçarmi f. 199) është fjala per nje perëndi barbare e ardhur në Greqi nga fise barbare veriore. Për grekërit lufta dhe shkatërrimi, çmenduria dhe kotësia e njerëzve, që i çon në zhukje reciproke pa patur ndonje shkak të vërtetë, përbën një realitet. Vetite e Aresit janë: kotësia dhe çmenduria. Në luftëra kurrë nuk tregon qartë me kë është: herë shkon me njërin herë shkon me tjetrin, duke mos njohur miq dhe armiq d.m.th. “duke qënë i pa besë”, siç thotë për të Homeri (Iliada E, 381- 887). Përfundimisht, mund të thuhet se ai përfaqeson atë që mentaliteti grek dëshiron të jet. (17) Po sjellim dy ngjarje që kanë hangur shumë koka njerëzish dhe shkatërrim;
Viti 146 p. K. “...nën drejtimin e krerëve energjik të lidhjes Akease ose Etole. Por kundërvënia dhe lufta e armatosr të këtyre dy lidhjeve, për të cilat të dyja palët thirrën në dihmë të huajt, përfunduan duke i dhënë Greqisë goditjen vdekjeprurëse. Më 146 p. k. Ajo u be provincë romake me emrin Akaia. Si pasoje e shkatërrimit total nga forcat romake gjetën shpëtim dhe srehim në Aleksandri të Egjyptit dhe në Smirnë (Izmir, të sotem të Turqisë). Prej këndej vazhduan zhvillimin e kulturës grekët. (R. Angeli, f. 187). Rasti i dytë u përsërit pas 2090, që vazhdoi katër vjet rrjesht 1945-1949, një luftë civile e tmerrshme duke vrarë,therë, përdhunar dhe ata që mundën të shpëtonin u larguan për në shtetet fqinjë.
Anglia për të ruajtur pozitat e saja në Greqi pas Luftës së Dytë Botërore, umbështet te forcat e djathta për kundra forcave të majta komuniste. Në një rivalitet të ashpër midis tyre. Më 1 qershor 1944 Britanikët dhe Rusët kanë rënë dakord që në Rumani rusët lejohen të marrin nisjativën, ndërsa në greqi britanikët. Me 26-12-1944 në Athinë u mblodh konferenca politike anglo-greke nën kryesinë e zv/mbretit, kryepeshkopit Dhemaskinos, morrën pjesë Uiston Çurçill, Papandreu etj. Më 12 -2-1945 u nënshkrua në VA.R.K.I.Z.A. për çarmatimin e ushtrise së E.A.M-it (komuniste)dhe asaj Kombëtare (zerviste), të grumbulluar në fshatin Kacika në jug të Janinës. Armët i dorëzoheshin ushtrisë angleze, e cila do të mbante rendin e qetësin.
Historiani grekë Apostolos Valalopullos shkruan: “Gjermanët, pasi studiuan rivalitetin midis grekëve dhe panë me kujdes situatën psikollogjike të tyre, pasionet dhe ambicjet e personaliteteve greke, zbatuan të pa vdekshmen “Dividi et impera” (përça dhe sundo). Populli grek u përça. Grekët vranë njëri tjetrin në çastin kur fitorja dukej në horizont ... kush e ka fajin, ku u vra një e shtata e popullsisë greke. Për këta një milion të vrarë e të vdekur grekë. (18).
(A nuk pasqyrohet këtu vetitë e Perëndise së Aresit “kotësia dhe çmenduria)”.(Ky rivalitet ndërmjet dy partive që vazhdoi nga 2 shkurt 1945 deri në gusht të vitit 1949 është për të shpartalluar partinë komuniste greke të E.A.M-it. Shën. im). Është fatkeqësi që Akademija e Shkencave bazohet në atë që thonë “ajtullahët” dhe nuk guxojnë të përdorin emërtimin Pellazg.

Referenca

1. Edwin Jcques “Shqiptarët”, bot. 1995, f. 65.
2. Mathieu Aref “Shqipëria, bot. 2007, f. 22.
3. Mathieu Aref “Mikena = Pellazgë”, bot. 2008, f. 337.
4. Mathieu Aref “Shqipëria, bot. 2007, f. 18.
5. Robert d’Angeli “Enigma” bot. 1998, f. 68.
6. Edwin Jacques “Shqiptare”, bot. 1995, f. 69; (7) f. 54.
8. Robert d’Angeli “Enigma”, bot. 1998, f. 91; (9) f. 145; (11) f. 182; (12) f. 150-151.
10. Maks Zotaj gazeta “Illyria”, 6-2-2006, f. 26.
14. Enver Bytyçi “Shqiptarët,sërbet dhe grekët”, bot. 2005, f. 102; (15) 202.
16. Sherif Delvina “Epirin”, bot. 1999, f. 236; (18 ) 52.
17. Aristidh Kola “Gjuha e Perëçndive” bot. 2002, f. 239.

Rasim Bebo Addison Çikago gusht 2013

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...