Asgjë nuk do të arrihet në Ballkanin Perëndimor pa përfshirjen e fortë të Shteteve të Bashkuara, thotë Joseph DioGuardi, presidenti i Lidhjes Qytetare Shqiptaro – Amerikane (AACL)
“Historia e rajonit ka treguar që kjo është e vërtetë”, është shprehur ai, në fjalimin e tij më 29 prill 2015, para Komitetit të Kongresit të SHBA-së, për Punë të Jashtme, me temën ‘Progresi dhe sfidat në Balllkanin Perëndimor’, transmeton zeri.info.
Ai shpreh shqetësimin se e ardhmja e integrimit të Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian është në rrezik.
Për Kosovën thotë, se për shkak të Planit të Ahtisaarit dhe për shkak të refuzimit të Serbisë për ta njohur sovranitetin e Kosovës, Kosova është e pavarur vetëm në emër.
Kërkon nga Departamenti amerikan i Shtetit, që të marrë përgjegjësinë për përkrahjen që i ka dhënë Qeverisë Thaçi, e cila siç thotë ai ‘është shndërruar në një ndërmarrje haraçi’.
Kur është fjala për Maqedoninë, DioGuardi thotë se, 'realiteti kyç është se Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001, e cila i dha fund konfliktit të armatosur ndërmjet maqedonasëve dhe shqiptarëve atë vit dhe parashtroi një numër ndryshimesh kushtetuese dhe ligjore të hartuara për të përmbysur një dekadë diskriminimi kundër shqiptarëve, ende nuk është zbatuar plotësisht'.
Më poshtë lexoni fjalimin e plotë të tij, për Kosovën dhe Maqedoninë
Politika e jashtme amerikane në Ballkan po dështon edhe një herë. Pa një zgjidhje të drejtë për marrëdhëniet mes kundërshtarësh, të cilat ende janë evidente ndërmjet Serbisë dhe Kosovës gjashtëmbëdhjetë vjet pasi sulmet ajrore të NATO-së kundër Serbisë i dhanë fund luftës, nuk do të ketë paqe dhe stabilitet në Ballkan. E ardhmja e integrimit të Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian është në rrezik.
Kosova
Kanë kaluar dy vjet që nga nënshkrimi i Marrëveshjes Prishtinë-Beograd nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, dhe ky komision ka mbajtur një seancë dëgjimore në lidhje me këtë. Atëherë Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e BE-së, Catherine Ashton, e cila kishte ndërmjetësuar marrëveshjen dhe e kishte quajtur historike, priste që zbatimi i saj të ndodhte disa javë pas nënshkrimit që iu bë në datën 19 prill 2013. Në vend të kjo të ndodhte, pak nga marrëveshja 15-pikëshe është zbatuar. Çka është më e rëndësishmja, ndarja de facto e Kosovës veriore me Serbinë është ende e pazgjidhur, dhe Serbia ende nuk i ka shpërbërë strukturat e veta paralele atje.
Serbia ende është duke kërkuar të drejta që shkojnë përtej Planit të Ahtisaarit (formalisht të njohur si “Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”) – në bazë të të cilit Parlamenti i Kosovës e shpalli pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt 2008, dhe pranoi mbikëqyrjen
ndërkombëtare. Plani i Ahtisaarit, i cili përqëndrohet kryesisht në mbrojtjen e të drejtave të pakicave në Kosovë, përfaqësonte koncesionin maksimal nga shumica, e përbërë nga 92 përqind shqiptarë kosovarë, për zgjidhjen e statusit final të Kosovës. Ndërkohë, shumica shqiptare në Serbinë jugore në Preshevë, Medvegjë, dhe Bujanoc, nuk gëzon asnjë të drejtë të ngashme më ato që gëzon pakica serbe e Kosovës.
Për shkak të Planit të Ahtisaarit dhe për shkak të refuzimit të Serbisë për ta njohur sovranitetin e Kosovës, Kosova është e pavarur vetëm në emër. Kosova ende nuk ka një ulëse në Kombet e Bashkuara ose në organet e tjera ndërkombëtare, çka gjithashtu do të thotë sa ka pasur pak investime të huaja. Ajo është gjithashtu i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që s’e ka mundësinë për të udhëtuar pa viza. Kjo ka çuar në papunësi masive, sidomos për të rinjtë (niveli është 60 përqind ose më shumë), shumë prej të cilëve janë me arsim të nivelit të lartë, por
të papunë dhe pa një rrugë me një të ardhme në Kosovë. Për pasojë, që nga dhjetori disa mijëra janë larguar në mënyrë të paligjshme nga Kosova drejt Evropës Perëndimore. Shumë komentues kanë vënë në pah lehtësimin e kufizimeve kufitare nga Serbia në Hungari.
Por arsyeja e vërtetë për ikjen është humbja e besimit tek Perëndimi, që siç ka thënë Këshilltarja për Çështje Ballkanike e AACL-së, Shirley Cloyes DioGuardi, në shkrimin e saj të dhjetorit 2014, te titulluar Confronting the Roots of Kosova’s Doënëarrd Spiral (Përballja me zanafillën e spirales që po e çon Kosovën poshtë) – që unë po e dorëzoj për t’u dokumentuar si pjesë e kësaj seance të Kongresit –, i cili ka lehtësuar kthimin në pushtet të elitës politike që “ka penguar lulëzimin dhe zhvillimin e Kosovës në dekadën e fundit." Me përfundimin e bllokadës gjashtëmujore pas zgjedhjeve të përgjithshme të Kosovës të 8 qershorit 2014, me shpërbërjen e koalicionit që kundërshtonte kthimin e Hashim Thaçit si kryeministër dhe të Partisë së tij (PDK-së) në pushtet, humbja e shpresës në Kosovë është bërë tronditëse.
Elita politike shqiptare në Kosovë është bërë gjithnjë e më e pasur, ndërsa shumica e popullit shqiptar është bërë gjithnjë e më e varfër. Departamenti i Shtetit duhet të marrë përgjegjësinë për përkrahjen që i ka dhënë Qeverisë Thaçi, e cila është shndërruar në një ndërmarrje haraçi. Humbja e shpresës nga ana e shqiptarëve, që historikisht kanë qenë populli më pro-perëndimor, më pro-amerikan, në Evropë, është e lidhur gjithashtu me përfshirjen e BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara në disa nga shembujt më flagrantë të korrupsionit që ka pllakosur Kosovën. (Një punonjës i BE-së, shtetas gjerman, është dënuar për vjedhjen e 4.3 milionë Euro nga Kosova.) Tani ka ardhur edhe koha që Administrata të pranojë rolin që ish-ambasadori i saj në Kosovë, Christopher Dell (2009-2012), ka luajtur duke shtyrë për arritjen e një marrëveshjeje me Korporatën Bechtel për të ndërtuar një autostradë 1 miliardëshe nga Kosova në Shqipëri (kostoja e së cilës u rrit në 2 miliardë dollarë, dhe që mund të ishte ndërtuar për shumë më pak para nga kontraktorët vendas), dhe pastaj duke marrë një pozicion pune të lartë me Bechtel-in në Afrikë kur mbaroi mandati i postit të tij në Kosovë. Ndërtimi dhe kostoja e saj e tepruar ndodhi kur Kosova ishte (dhe ende është) një vend që s’mundet të krijojë vende pune dhe stabilitet politik. Kjo është krejtësisht e papranueshme dhe duhet të hetohet nga Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Maqedonia
Në Maqedoni, përkeqësimi i situatës politike dhe i marrëdhënieve ndërmjet grupeve etnike – në të vetmin vend në Ballkanin Perëndimor ku asnjë etni e vetme nuk e ka shumicën – është bërë akute, megjithatë qeveria e SHBA-së dhe Bashkimi Evropian janë duke dështuar në zgjidhjen e kësaj krize në rritje e sipër. Siç ka thënë Erëan Fouere, ish-Përfaqësuesi Special i BE-së në Maqedoni gjatë viteve 2005-2011, në shkrimin e tij të datës 23 mars 2015, në Balkan Insight, të titulluar “Gruevski Must Resign and Make Ëay for Transition Process” (Gruevski duhet të japë dorëheqjen dhe të hapë rrugën për procesin e tranzicionit", që unë po e dorëzoj për t’u dokumentuar si pjesë e kësaj seance të Kongresit, “shkalla e korrupsionit të dyshuar dhe veprimeve kërcënuese nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe partia e tij në pushtet VMRO-DPMNE, ka dalë në shesh falë zbulimeve tronditëse që janë vënë në dispozicion për publikun nga lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, në lidhje me operacionin e gjerë të përgjimit që ka drejtuar Gruevski. Në një tjetër artikull të muajit prill, 2015, Fouere doli në përfundimin se sot Maqedonia “është një vend i qeverisur nga frika dhe kërcënimi, me një parti në pushtet që ka një agjendë etno-nacionaliste dhe populiste që ka krijuar çarje të reja në një mjedis tashmë të brishtë,” më alarmuesja prej të cilave është rihapja e tensioneve të thella ndërmjet komunitetit etnik shqipëtar dhe atij maqedonas.
Ndërkohë, Ali Ahmeti, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), partia shqiptare e të cilit është partnerja e vogël në koalicionin qeverisës, ka përdorur kartën nacionaliste kurdo që e gjen atë politikisht të përshtatshme dhe ka heshtur për skandalin e përgjimit, që me sa duket është rezultat i përfshirjes së parties së tij në korrupsion me partnerin e tyre të madh të koalicionit, VMRO-DPMNE, kryesuar nga kryeministri Gruevski, i cili tani akuzohet publikisht nga opozita maqedonase, Bashkimi Social Demokratik i Maqedonisë, për një agjendë politike dhe ekonomike kriminale masive, veçanërisht kundër popullsisë së madhe shqiptare në Maqedoni.
Kur është fjala për Maqedoninë, realiteti kyç është se Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001, e cila i dha fund konfliktit të armatosur ndërmjet maqedonasëve dhe shqiptarëve atë vit dhe parashtroi një numër ndryshimesh kushtetuese dhe ligjore të hartuara për të përmbysur një dekadë diskriminimi kundër shqiptarëve, ende nuk është zbatuar plotësisht.
Frustrimi dhe dëshpërimi në rritje i popullsisë së madhe shqiptare në Maqedoni me qeverinë e korruptuar Gruevski, duke përfshirë edhe partitë politike shqiptare bashkëpunëtore të udhëhequra nga Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, është një bombë figurative që mund të shpërthejë në çdo moment, sidomos në një ekonomi që prodhon vetëm vende pune në qeveri që shkojnë kryesisht te maqedonasit etnikë dhe pastaj vetëm për ata që votojnë për partneritetin e korruptuar Gruevski/Ahmeti, i cili është duke e skllavëruar të gjithë vendin politikisht dhe ekonomikisht. Strategjia e status quo-së së Departamentit të Shtetit ndaj Ballkanit, e cila tani mund të “përkthehet” si “paqe dhe stabilitet në Ballkan me çdo kusht,” është bërë një aspirinë, ose koktej i përditshëm, për popullin shqiptar për ta qetësuar dhimbjen e tyre për sot, ndërsa mbjell farën për shpërbërjen etnike të Ballkanit, e jo për integrimin evropian.
Konkluzioni
Në fund, asgjë nuk do të arrihet në Ballkanin Perëndimor pa përfshirjen e fortë të Shteteve të Bashkuara. Historia e rajonit ka treguar që kjo është e vërtetë. Lidhur me Kosovën, të gjithë anëtarët e BE-së duhet të njohin pavarësinë e Kosovës dhe t’i japin fund izolimit të vendit duke ofruar mundësi ekonomike. Për sa i përket Maqedonisë, shqiptarët duhet të trajtohen si partner i barabartë në një Kushtetutë të re të këtij shteti që tani po dështon, ose duhet të përballemi me mundësinë e federalizimit, i cili do t’i lejonte popullit shqiptar të ketë kontroll administrativ, social dhe financiar mbi fatin e tyre si pjesë të një federate maqedonase të shqiptarëve etnikë dhe maqedonasve etnikë. Maqedonia është tashmë një shtet aparteidi, në të cilin grupet e mëdha etnike jetojnë të ndara, por jo në mënyrë të barabartë, dhe kjo duhet të korrigjohet. Përndryshe, Maqedonia nuk do të mbijetojë si shtet sovran që mund të integrohet në Bashkimin Evropian.