Këto kohë ka pasur zëra të shkruar e të pashkruar, për ta riparë datimin e së parës shkollë shqipe në vendin tonë, që sot për sot zyrtarisht e kemi në fundin e shekullit XIX, me Mësonjëtoren e Korçës të vitit 1887, natyrisht një gjurmë e shndritshme e veprës së Rilindësve tanë. Po a nuk janë rilindës dhe ata që i hapën ato shkolla dy shekuj e gjysmë para kësaj?
Shkolla e parë shqipe” mund të kërkohet dhe në një tjetër gjeografi rajonale nga ajo e mësipërme, në Jug të vendit. Kronikat thonë se në vitet 1628–1661, shkolla shqipe me germa latine u hap në Dhërmi të Himarës dhe më vonë edhe në disa qendra të tjera të krahinës.
Një kapitull më vete përbën shkolla e parë shqipe në Kosovë, aq më tepër se ajo është e shekullit XVI, afro gjysmëshekulli para shkollës së Kurbinit e Velës. Shkolla shqipe e Stubllës ka një traditë pesëshekullore. Edhe atëherë kur persekutimi i arsimit shqip nga autoritetet osmane ishte i ngritur në sistem, në Stubëll, fshat i Malësisë së Karadakut, më 1584 fillon tradita e arsimit shqip, i pari dhe i vetmi rast atëherë në Kosovë, kur edhe kishte funksionuar shkolla e parë.
Duke marrë në analizë këtë traditë të vyer të katër shekujve më parë, shkencërisht dhe pa paragjykim, siç i ka hije një historiografie moderne, a nuk është me vend që “datëlindjen” e shkollës shqipe ta shtyjmë më përpara, në gjysmën e parë të shekullit XVII, te një shkollë në Velë, Kurbin a diku tjetër
HISTORI/ NDRYSHE
NDUE DEDAJ
(I përkasin “rilindjes arbënore”, që i parapriu asaj kombëtare)
Korrigjimi i parë historiografik do të ishte: Nuk kemi një shkollë të parë shqipe, por disa shkolla të tilla dhe kjo është lumni për një komb. Korrigjimi i dytë historiografik: Shkollën apo shkollat e para shqipe nuk i kemi në shekullin XIX, por në shekujt XVI – XVII, të paktën nga viti 1632, ose 255 vjet më herët se shkolla e Korçës, që njihet zyrtarisht si i para. Korrigjimi i tretë historiografik: nuk ka kuptim që katolicizmit t’i pranosh librat e parë shqip, por jo dhe shkollat e para shqipe, pasi ato janë një unitet kulturologjik shqiptar, thënë ndryshe, ngjizur nga e njëjta ABC. Duhet mbajtur fort e ngulitur në mendje ajo që thoshte Faik Konica, se katolikët shqiptarë janë shkaku që u mbajt gjallë kombësia jonë, të cilët i thoshin lutjet shqip në meshën e së dielës, shkruanin librat shqip e hapnin shkollat shqipe. Kisha Katolike, në ravën e mundimshme të krijimit të vlerave themelore në shumëfishin e kulturës, s’i rreshti përgjatë Mesjetës përpjekjet
shqipnore në lëmin e gjuhës dhe shkollimit. Ipeshkvi i Arbnisë, Imzot Gjon Kolesi, françeskan shqiptar, në vitin 1625 shpall para Selisë së Shenjtë nevojën e “ngrehjes” së një a dy shkollave në malësitë e dioqezës së vet (ku mvareshin dhe kishat e Krujës, Kurbinit, Matit, Lurës, Dibrës, përfshiheshin famullitë mirditore të Kthellës, Selitës e Rranzës) “me nga 10-12 çuna secila”, ku nxënësit “të mësonin shkrim e këndim dhe themele të mira të besimit”. Pastaj, të shkolloheshin më tej jashtë vendit, në Loreto (Itali), “sepse kështu do të nxirrej fryt i mrekullueshëm n‘ato vende ku s’ka shkolla e as mësues”. Dhe më e rëndësishmja: “mbasi të kenë nxanë për vete, do të bahen mësues për të tjerët”.
(Injac Zamputi, Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore dhe të Mesme në shekullin XVII, Vëllimi I, Tiranë 1963, f. 371.)Kërkesa të tilla të prelatëve të lartë shqiptarë të shekullit XVII, por dhe të një shekulli më parë, bënë që për nevoja të predikimit shqip dhe formimin e klerit katolik vendas të hapeshin disa shkolla shqipe. “Një rol të rëndësishëm për këtë qëllim luajtën priftërinjtë katolikë shqiptarë, të cilët gjatë shekullit XVII hapën shumë shkolla fillore e të mesme në gjuhën shqipe; hartuan tekste shkollore, bënë përkthime të librave fetarë dhe hodhën themelet e letërsisë së shkruar shqipe”.
(Menduh Dërguti, dr. Sonila Boçi, dr. Ledia Dushku, Historia, Tiranë, 2010, f. 38.) Studiuesit kanë vërejtur se “përveç shkrimit e leximit, aty mësohej gramatika shqipe dhe përdoreshin librat e Bardhit, Budit e Bogdanit”. (
Edwin Jasques, Shqiptarët, 1995, f. 313. Të dhënat për këto çerdhe të para të diturisë sigurisht që nuk janë të mjafta, për shkak të travlimeve politike që kalonte vendi, rrënimit të arkivave e bibliotekave. Por dihet se në Shqipërinë e Veriut në Mesjetë kemi një gjerdan shkollash dioqezane, ku dy më kryesoret ishin e Kurbinit dhe e Velës. Ndoshta ndër ato të dyja, asnjëra nuk ishte e para, por sipas një shprehje latine, secila ishte e parë ndër të para. Mundet të ketë qenë rastësi, por më shumë mund të ketë qenë marrëveshje mes ipeshkvnish që ato shkolla të hapeshin njëherësh, në një vit. Ato vijnë përgjatë shekullit të 17 si dy krenat e një shqiponje, sa në një kreshtë Kurbin-Kruje, në një tjetër Mirditë-Lezhe. Duhet mbajtur parasysh se ato shkolla ishin në male të thella, të fshehura, pasi nuk mund të ishin lirisht në qytete, që ishin nën sundimin otoman. Malet ishin më të lira dhe për vetë rrojtjen e Ipeshkvinjve. Kemi një lartësim shpirtëror, moral dhe kulturor në nismën për këto shkolla, për çka memoriali i tyre nuk duhet vonuar më tej në shekullin XXI. Shkollat më së shumti ishin “ngjitur” në male, në Shna Premte të Kurbinit (dikur abaci e Ipeshkvnisë së Krujës), në Velë-Mirditë (qendër ipeshkvnore e Lezhës) e Shën Llezhdër të Oroshit (abaci dhe rezidencë verore e Ipeshvit të Lezhës), ku institucionet e besimit herë pas here përtëriheshin, shekullare dhe rregulltare. Françeskanët u jepnin arsimin fillestar fëmijëve të shtresave të gjera të popullsisë, aq më tepër që në Urdhrin Françeskan kishte dhe shumë shqiptarë. Në vitin 1585 ata mbijetonin në kuvendin e Sebastes-Laç, atë të Lezhës, të Rubikut dhe të Kepit të Rodonit, me një numër të përgjithshëm prej 40 rregulltarësh. Edhe shekullarët i kishin shtuar e përmirësuar shkollat, dhe për faktin se Koncili i Trentos (1545-1563) kishte vendosur që çdo dioqezë të kishte seminare për përgatitjen e priftërinjve.
(Nikollë Loka, zhvillimi i arsimit në Arbërinë mesjetare, “Dielli”, 2012.) Krijimi i këtyre seminareve u ndërmor për të garantuar një formim më të mirë fetar, kulturor e moral të klerit të ardhshëm, me qëllim që ta bënte atë të aftë në zhvillimin e veprimtarisë pastorale
. (Gian Luca Potestà, Giovanni Vian, Historia e krishterimit, Bolonja 2010, Tiranë 2012, f. 334.)
Shkolla e Velës
Shkolla e Velës u hap nga ipeshkvi i Lezhës. “Aty nxënësve u mësohej gjuha shqipe.” (Historia e Letërsisë Shqiptare, Tiranë 1983, f. 14.) Dom Prend Suli shkruante se për shumë vjet, Ipeshkvia e Lezhës ka pasur në Velë një Gjakoni (shkollë fetare), ku priftnit u mësonin shkrim të rinjve. Më pas, djemtë kryenin mësimet pranë Ipeshkvit, i cili i shuguronte meshtarë. Historiani i njohur, Zef Mirdita, shkruan se qëllimi i kësaj shkolle ka qenë formimi i klerit, prandaj ajo mund të konsiderohet si seminar. Këtë shkollë e vlerëson në shkrimet e veta dhe profesor Jup Kastrati, kurse akademik Jorgo Bulo, duke pasur parasysh kryesisht ndihmesën e saj, shkruan se Mirdita është vendi ku shqipja u mësua të paktën nga shekulli XVII dhe ku u ruajtën trajta arkaike me vlerë për historinë dhe zhvillimin etimologjik të shqipes. (Gjon Marku, Mirdita-intervista I, 2002, f. 52.) Rëndësia e Shkollës së Velës dëshmohet dhe nga një Urdhëresë e Kuvendit të Arbërit (1703) që lëshohet posaçërisht për këtë shkollë dhe atë të Kurbinit, si dy shkollat kryesore të kohës. Kapitulli 5 i Koncilit Shqiptar “Mbi shkollën e Kurbinit dhe të Lezhës/Velës” porosit që nxënësit “pas përvetësimit të shkrim – këndimit, duhet të mësojnë njohuritë e para gramatikore (nënkupto: shqipe) dhe ato të gjuhës latine.” (P. Vinçens Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703, Ulqin-Tuz, 1999, f.127-128.) Ka pasur datime të ndryshme për sa i përket Shkollës së Velës, ndonjëherë është thënë gabimisht (nga mosnjohja e dokumenteve) se i përket vitit 1692, apo se është hapur rreth vitit 1660, por tashmë kohëhapja e saj është përcaktuar. Studiuesi amerikan Edvin Zhak, në librin e tij “Historia e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme”, shkruan: “Shkolla e parë, e dokumentuar, në gjuhën shqipe, u hap në Velë të Mirditës më 1632”. Por kjo nuk ishte e vetmja. Sipas tij, “një tjetër shkollë mjaft e hershme ishte hapur në Kurbin po më 1632.” (Shih dhe Mehmet Elezi, Shkolla e Parë Shqipe në Shkodër, “Bota sot”, 8 nëntor 2003; Safet Hyseni: Histori e shkurtër e arsimit shqip, 10.09.2012.) Pas vdekjes së ipeshkvit Gjergj Uldanji më 1690, shkolla vazhdoi të funksionojë, ndërkohë që ipeshkvi la me testament që nga të mirat (të ardhurat) e tij të ndihmoheshin dy nxënës, dëshirë që nuk u çua në vend nga të kushërinjtë. (Z. Mirdita, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Zagreb 1998, f. 324.).
Shkolla e Kurbinit
Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (1985) shkruhet: “Shkolla e Kurbinit. Një nga shkollat e para shqipe, e themeluar me 1632 në afërsi të Krujës, që i përkiste vilajetit të Shkodrës. Përveç leximit e shkrimit, aty jepej dhe mësimi i gramatikës. Përdoreshin si tekste mësimore edhe veprat e Frang Bardhit, Pjetër Budit, Pjetër Bogdanit e të ndonjë tjetri, në gjuhën shqipe. Pushtuesit osmanë e penguan veprimtarinë e saj derisa e mbyllën”. (Shefik Osmani – Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 1021.) Pak radhë, por thelbi është i qartë, shkollë shqipe, ku mësohej shkrimi shqip e ku përdoreshin librat e shkrimtarëve të vjetër shqiptarë. Shkolla e Shna Premtes së Kurbinit në Gallatë, u hap nga Ipeshkvi Gjon Kolesi dhe vazhdoi deri në vitin 1650, kur ipeshkvi i pasardhës i Arbnisë, Mark Skura, tashmë ishte mplakur dhe nuk mund ta mbronte nga sulmet dhe persekutimi otoman, siç i shkruan një kardinali të asaj kohe. Shkolla hapet përsëri dhe vazhdon gjatë, ajo kishte herë 10 e herë 12 xhakonj që Ipeshkvi i përgatiste meshtarë. Disa studiues, ndër ta dhe gjuhëtari David Luka e konsiderojnë atë si shkollën e parë shqipe. Por çudia është se ajo që pranohet si e mirëqenë në Enciklopedinë e vitit 1985, fshihet pa dhimbtë në Enciklopedinë e mangët të vitit 2008. Akademia e Shkencave, nëse me të vërtetë e meriton këtë emër, nuk duhet të lejojë lajthitje të tilla në botimet akademike. Vitet e fundit, bazuar në relacionet e vizitorëve apostolikë në dioqezën e Arbnisë e dokumente të ndryshëm arkivorë, kemi një profil të plotë të kësaj shkolle historike, bërë nga studiuesi i pasionuar i historiografisë kishtare dr. Kastriot Marku. (Kastriot Marku, Historiku i shkollës së Kurbinit, “Republika”, 30.10.2012.) Ndonëse drejtimi i këtyre dy shkollave (Kurbinit dhe Velës) ka qenë formimi intelektual i klerit, prapëseprapë qëllimi i tyre ka qenë më i gjerë – arsimimi i popullsisë në përgjithësi, thekson akademik Zef Mirdita në citim dhe të dr. Fra. Andria Nikiç. Gjatë mesjetës, arsimi ka qenë dyfarësh: arsimi klerikal, pra, në suazën e teologjisë së bashku me lëndë të tjera të karakterit linguistik dhe filozofik, si dhe të arteve të lira, por dhe arsim laik i llojit shekullar. (Moikom Zeqo, Ndihmesë për arsimin në Shqipëri gjatë shekujve, “Mësuesi”, 24 maj 2000.)
Shkolla e Pllanës dhe e Blinishtit
At Donat Kurti, në një studim të botuar në revistën “Hylli i Dritës”, më 1935, përmend disa nga shkollat e para, por me gjurmimet e mëvonshme, informacioni dokumentar rreth tyre është bërë më i plotë, sado që ende jo shterues e përfundimtar. Vargu i shkollave do të përfshinte: shkollën e Himarës (1628), shkollën e Pllanës (me 50 nxënës, hapur më 1638 nga Pater Karli i Mirandolës), shkollën e Shkodrës (1638), shkollën e Blinishtit të Zadrimës (hapur më 1639 nga Fra Kerubini, që më vonë do të ngrihej në nivelin e mesëm), shkollën e Oroshit (1657), shkollën e Janjevës në Kosovë (1671), shkollat e Durrësit, Pejës, Gjakovës, Prizrenit etj., shumë prej tyre të çelura nga françeskanët, përfshi dhe Kuvendin e Troshanit (1639), të Rubikut (1582) etj. Nuk kemi të bëjmë me një panoramë lokale, por me një arsimpërhapje strategjike, ani se kryesisht në arealin verior, nga ata misionarë që u kishin mësuar nxënësve për herë të parë shkrimin në gjuhën shqipe, po dhe që kishin përkthyer vetë nga latinishtja në shqipe. Shkollat shtohen pas dekretimit të misionit të Fretërve të Vegjël të Reformuar në Shqipëri më 1634. Në njërin nga relacionet e kohës thuhet se fretërit e Pëdhanës, Blinishtit e të tjerë i “stërvisnin fëmijët në punët e fesë, duke i mësuar të ishin të aftë në mësimin e shkronjave”, (shto faktin se “gjatë meshëve gjithnjë predikohej ndonjë gjë në gjuhën shqipe”), “ishin afërsisht pesëdhjetë fëmijë që mësonin me shkrue e me lexue… të cilët në pak kohë përparuen shumë në mësime… disa prej të cilëve, mbrëmjeve, në shtëpiat e tyre, u mësonin të vetëve shkrim e këndim. (P. Vinçens Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703, Ulqin-Tuz, 1999.) Përndryshe, po vërtetohej ajo që ipeshkvi i Durrësit, Gjon Kolesi, kishte paralajmëruar dhjetë vjet më parë, se prej shkollave që do të hapeshin do të dilte fryt i mirë i dijes për popullin. Thuhet se në bibliotekën françeskane ka ekzistuar dhe një fletore e shkruar nga një ish-nxënës i shkollës së Blinishtit e vitit 1639.
Shkolla e Oroshit
Vizitori Apostolik Shtjefën Gaspri, gjatë vizitës së tij në Orosh në vitin 1671, ndër të tjera përmend dhe shkollën me nxënës që mbahej nga prifti Dom Nikollë Vladani, i afërt i ipeshkvit të Lezhës. Nuk jepen të dhëna se kur ishte çelur ajo shkollë, sa nxënës kishte etj., por sidoqoftë i rëndësishëm është fakti se në mesin e shekullit XVII Oroshi kishte një shkollë të veten me nxënës ku shkruhej gjuha shqipe. Në një tjetër dokument përmendet se, më herët, më 1657 në Mirditë kemi një seminar me 12 nxënës që përgatiten të vazhdojnë studimet e larta në kolegjet italiane, një praktikë e njohur e kohës. Nuk thuhet se ku është ky seminar, por të gjithë gjasat janë të jetë fjala për shkollën e sipërthënë të Oroshit, pasi asokohe shpesh ky identifikonte Mirditën, ngaqë aty ishte kryekisha abaciale dhe selia princërore e Gjomarkajve. Në të mirë të vendpërcaktimit të këtij seminari të Mirditës, në Orosh, vjen dhe fakti që Nikollë Vladani ishte një emër i spikatur mësuesi të shqipes, i cili më 1675, bashkë me Pjetër Perlatin dëshmohet si mësues i shqipes në dioqezën e Lezhës, nga ku varej Abacia e Mirditës. Ky misionar në kohën kur mbahet Kuvendi i Arbnit me 1703 ishte Ipeshkëv i Lezhës, sipas Viçens Zmajeviçit, “më i afti dhe më inteligjenti në ipeshkvinjtë e tjerë”.(Ndue Dedaj, “Toka e katedraleve”, Tiranë 2006.) Janë po misionarët katolikë, me Abat Prend Doçin në prije, që rihapin shkollën e Oroshit më 1899, me mësues famullitarin Dom Zef Marashi, për të vazhduar me shkollën e Spaçit, Rrëshenit, Kashnjetit, Milotit, Selitës, Kthellës, Rranzës, me mësues gjithashtu priftërinjtë.
Shkolla e Himarës
“Shkolla e parë shqipe” mund të kërkohet dhe në një tjetër gjeografi rajonale nga ajo e mësipërme, në Jug të vendit. Kronikat thonë se në vitet 1628–1661, shkolla shqipe me germa latine u hap në Dhërmi të Himarës dhe më vonë edhe në disa qendra të tjera të krahinës. Ato u ngritën nga misionarët bazilianë, shumica e të cilëve ishin arbëreshë të Italisë së Jugut, të vendosur atje në vitin 1482. Kjo shkollë ka të bëjë me ndihmesën e bazilianëve për shkollim andej dhe këndej Adriatikut. Më parë, prej tyre kemi shkollën shqipe të Arbëreshëve të Italisë, ku “katekizmi i Lekë Matrëngës “E mbësuame e krishterë” (1592) ishte shkruar qëllimisht për t’u përdorur si tekst didaktik për mësimin e shqipes dhe besimit njëherësh te arbëreshët e Siçelisë.” (Kastriot Marku, “Shkolla e parë shqip e arbëreshëve të shekullit XVI, “Standard”, 2 mars 2015.) Lidhur me këtë vepër akademike, Gjovalin Shkurtaj shkruan se qysh prej saj, “nëpër ngulimet arbëreshe kanë parë dritë shumë vepra e vepërza, origjinale ose të përkthyera, në shqipen e variantit arbëresh të ngulimeve përkatëse”. (Gjovalin Shkurtaj, Ligjërimet arbëreshe, Tiranë 2006, f. 39.) Por të vijmë te shkolla e Himarës. Petro Marko, një nga korifenjtë e letrave shqipe, duke qëndruar në Francë dhe Itali, kishte hulumtuar dhe gjetur dokumente që vërtetonin dëshmitë e mësipërme për këtë shkollë. Prandaj historia e shkollave shqipe besohet se fillon me këto shkolla mesjetare, më shumë se 250 vjet përpara asaj të Petro Ninit dhe Papa Kristo Negovanit në Korçë. (Shih: Himara, Enciklopedia e lirë.)
Shkolla e Stubllës së Karadakut
Një kapitull më vete përbën shkolla e parë shqipe në Kosovë, aq më tepër se ajo është e shekullit XVI, afro gjysmëshekulli para shkollës së Kurbinit e Velës. Shkolla shqipe e Stubllës ka një traditë pesëshekullore. Edhe atëherë kur persekutimi i arsimit shqip nga autoritetet osmane ishte i ngritur në sistem, në Stubëll, fshat i Malësisë së Karadakut, më 1584 fillon tradita e arsimit shqip, i pari dhe i vetmi rast atëherë në Kosovë, kur edhe kishte funksionuar shkolla e parë. (Isak Ahmeti, Stubëll, 11 maj 2004.) Kjo shkollë, siç shkruan edhe studiuesi i njohur Dhimitë S. Shuteriqi, ishte në formë kolegji, i rangut të një instituti të lartë, çfarë ishin zakonisht kolegjet fetare të asaj kohe në Europë, ku, përveç teologjisë, mësohej filozofia dhe studioheshin klasikët (shih: Dhimitër S. Shuteriqi, Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera, “Naim Frashëri”, Tiranë 1987, fq. 92). …Dhe vazhda e dituripërhapjes nuk ndalet. Në vendin e një qytetërimi të rrallë ballkanas, më 1744 u themelua në Voskopojë “Akademia e re”, e cila pati një ndikim të madh në zhvillimin e gjuhës shqipe.
“MËSONJËTORJA E KORÇËS”, E PARA? APO SHKOLLA E VELËS DHE E KURBINIT? …
Duke marrë në analizë këtë traditë të vyer të katër shekujve më parë, shkencërisht dhe pa paragjykim, siç i ka hije një historiografie moderne, a nuk është me vend që “datëlindjen” e shkollës shqipe ta shtyjmë më përpara, në gjysmën e parë të shekullit XVII, te një shkollë në Velë, Kurbin a diku tjetër? A nuk përkon kjo jo vetëm me një të vërtetë historike të padiskutueshme, por përafrohet natyrshëm në kohë dhe me fillimet e letërsisë shqipe dhe të shqipes së shkruar? A nuk ishin të një rangu, të një lartësie historike, të një frymëzimi, të një misioni kishtar e kombëtar, si ata që shkruan librat e parë shqip, si ata që hapën shkollat e para shqipe në dioqezat e tyre? Të gjithë humanistë-ipeshkvij e meshtarë shqiptarë! A nuk është e udhës që një famulli malesh shqiptare, të shpallet në mënyrë simbolike si “akademia” e parë shqiptare e dijes? Le të jetë kjo në Tivar, Durrës, Tiranë, Vlorë, Mirditë, Shkodër, Elbasan, Ulqin, Karadak a Prizren. Duke shqyrtuar veprat e Matrëngës, Budit, Bardhit, Bogdanit (35 vepra, krejt a pjesërisht shqipe, të dala prej Propagandës Fide të Romës nga shkrimtarë shqiptarë) studiuesit kanë nënvizuar se kështu “ishte hedhur baza kulturore dhe ideore e një rilindjeje arbënore, e cila vërtet do të vononte të vinte, porse kishte të ardhme të sigurt. (
Artan Shkreli, Propaganda Fide dhe Shqipëria, “Shqip”, 17 shtator 2006.)
Këto kohë ka pasur zëra të shkruar e të pashkruar, për ta riparë datimin e së parës shkollë shqipe në vendin tonë, që sot për sot zyrtarisht e kemi në fundin e shekullit XIX, me Mësonjëtoren e Korçës të vitit 1887, natyrisht një gjurmë e shndritshme e veprës së Rilindësve tanë. Po a nuk janë rilindës dhe ata që i hapën ato shkolla dy shekuj e gjysmë para kësaj? A nuk na thotë i vyeri profesor Namik Resuli, studiuesi i njohur i letërsisë shqiptare, se “për klerikët shqiptarë Rilindja Kombëtare kish zënë fill, ndonëse fshehurazi, që nga dita kur Shqipëria u robërua përfundimisht nga turqit.” (S. Çapaliku, Prijës për gjeografinë dhe sociologjinë e letërsisë shqiptare, Tiranë 1997, f. 35.) Ishte e kuptueshme që kisha katolike, i vetmi “institucion shqiptar i mbetur në këmbë”, në rend të parë të asaj rilindjeje, quaje po deshe dhe arbënore, të kishte punët e diturisë, arsimit dhe edukimit. Ndaj, sipas logjikës më të thjeshtë, do të pyetej: si mundet ta pranosh gjuhën dhe letërsinë shqipe të asaj kohe për të parë, kurse shkollën e bërë po prej tyre të mos e marrësh si të parë? Pa u nisur thjesht nga aritmetika e shifrave, cili komb nuk do të ishte i lumtur po ta kishte shkollën e vet të parë të paktën 255 vjet më përpara asaj që e mban për të tillë, d.m.th. jo në vitin 1887, por dy shekuj e gjysmë më parë, në vitin 1632! (Ndue Dedaj, Toka e katedraleve, Tiranë 2006.)
Kështu, “shkolla e parë shqipe”, në thelb s’ka të bëjë dhe aq me emrin Korçë apo Shkodër, Kurbin apo Velë, Stubëll apo Dhërmi, por me një koncept historik, atë të një Rilindjeje Shqiptare që fillon në shekullin XV dhe kulmon në shekullin XIX. Botimet dhe shkollat e para shqipe janë prirë e mbajtur gjallë nga ipeshkvijtë shqiptarë: Pal Engjëlli, Nikollë Mejkashi, Gjon Kolesi, Mark Skura, Frang Bardhi, Gjergj Bardhi, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Gjergj Uldanji, Nikollë Vladani, Shtjefën Gaspri, si dhe mësuesit: Gjon Shqiptari, Filip Shkodrani, Dhimitër Dhërmiu, Fra Kerubini, Pater Karli, Dom Prenga i Troshanit, Dom Martin Bushalla i Durrësit, Dom Pjetër Perlati i Mirditës etj. Një traditë që vinte nga shekulli XV, me humanistët shqiptarë në Rilindjen Europiane, gjer profesorë në Universitetin e Padovas, si Gjon Gazulli etj. Por, pavarësisht shkrimeve sporadike të karakterit historik të autorëve të ndryshëm, me sa dimë askush ndër studiuesit nuk është ngulur me themel në ndriçimin e kësaj maratone shqiptare për diturinë.
Shkollat e para fuqizohen me Kuvendin e Arbënit që mbahet në Mërqi të Lezhës, në kishën e Shën Kollit, me 14-15 janar 1703, me bekimin e Papa Klementit XI, me origjinë shqiptare, përkundër asimilimit otoman. Deri në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, nga Durrësi në Shkodër e Kosovë, kishte 21 shkolla fillore me nga 30 nxënës e në Prishtinë deri në 80. Fakti që dokumentet e Kuvendit të Arbnit u botuan si në latinisht si në shqip 300 vjet më parë, dëshmon se ishin të shumtë ata njerëz që dinin të shkruanin e lexonin shqipen që e kishin mësuar në shkollat ku ata ishin shkolluar. (Mehmet Elezi, artikull i cituar.) Në këtë kontekst, Mësonjëtorja e Korçës nuk zbehet aspak, si një shkollë shqipe historike, kombëtare, martire, qytetare, laike, përkundrazi ajo del më fort në pah si rithemeluese e një tradite arsimore shqiptare paraardhëse, e një etape të dytë të arsimit rilindës në Shqipëri, si dhe vetë shkrimtarët e shquar të Rilindjes ishin pasardhës të shkrimtarëve të letërsisë së vjetër, misionarë të fesë dhe të qytetërimit.
Së fundi, a nuk ka ardhur koha që të ketë një qëndrim tjetër zyrtar ndaj këtyre shkollave të Mesjetës, jo vetëm nga njerëzit e letrave dhe të historisë, por dhe nga institucionet e shtetit shqiptar, posaçërisht Ministria e Arsimit dhe e Sportit? Nëse kisha katolike themeloi nëpër Europë universitetet e para si në Bolonja, Padova etj., këtu mundësitë ishin shumë më të kufizuara, por ama diçka e mirë ndodhi, një gjerdan shkollash të ulëta e deri të mesme u hapen. Por rrallë kemi vënë ndonjë pllakë aty ku ato kanë qenë. Ende në kokë kemi mendësinë ateiste se ato ishin “shkolla fetare”, lokale dhe si të tilla nuk ishin kombëtare?! Po kush mund të thotë se çfarë e bën më kombëtare “Mësonjëtoren e Korçës” se ato para saj? Në kuptimin e mësipërm, të ngushtë, a nuk ishte dhe ajo një shkollë Korçe? Por kombi kështu është bërë, me visarin kulturor, arsimor të të gjitha trevave shqiptare. Anatema “shkolla fetare” është e pakuptimtë, ajo i përket regjimit komunist, siç nuk qëndron dhe ndonjë kinse tjetër argument se atëherë nuk kishte alfabet shqip, por vetëm latinisht (?) E dinë dhe shkollarët fillestarë se alfabet shqip kishte të paktën qysh nga shekulli XV i Formulës së Pagëzimit.
___________
At Donat Kurti, “Hylli i Dritës”, Shkodër, 1935
Injac Zamputi, Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme, në shek. XVII, V. I, Tiranë 1963.
Shefik Osmani, Shkolla e Kurbinit, Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985.
Edwin Jasques, Shqiptarët, Tiranë 1995.
Stefan Çapaliku, Prijës për gjeografinë dhe sociologjinë e letërsisë shqiptare”, Tiranë 1997.
- Vinçens Malaj, Kuvendi i Arbënit 1703, Ulqin-Tuz, 1999.
Zef Mirdita, Krishtenizmi ndër shqiptare, Zagreb, 1998.
Gjovalin Shkurtaj, Ligjërimet arbëreshe, Tiranë 2006.
Ndue Dedaj, “Toka e katedraleve”, Tiranë 1999 & ribotim 2006.
Artan Shkreli, Propaganda Fide dhe Shqipëria, “Shqip”, 17 shtator 2006.
Aurel Plasari, “Fenomeni Voskopojë”, Tiranë 2000.
Mehmet Elezi, Shkolla e parë shqipe në Shkodër, “Bota sot”, 8 nëntor 2003.
Isak Ahmeti, Shkolla shqipe e Stubllës ka një traditë pesëshekullore, 11 maj 2004.
Gian Luca Potestà, Giovanni Vian, Historia e krishterimit, Bolonja 2010 dhe Tiranë 2012.
- Dërguti, Dr. Sonila Boçi, Dr. Ledia Dushku, Historia, Tiranë, 2010.
Gjon Marku, Kisha katolike dhe arsimi në Mirditë, “Shkodra në shekuj”, Shkodër.
Kastriot Marku, Historiku i shkollës së Kurbinit, “Republika”, 30. 10. 2012.
Kastriot Marku, “Shkolla e parë shqip e arbëreshëve të shekullit XVI, “Standard”, 2 mars 2015.
Nikollë Loka, Zhvillimi i arsimit në Arbërinë mesjetare, “Dielli, 2012.
Himara, Enciklopedia e lirë (online).
Publicist, shkrimtar dhe studiues. Lindur me 22. 04. 1957 në Shëngjergj (Kaçinar), Mirditë. Arsimin fillor e kreu në Kalor (Lezhë), arsimin 8-vjeçar dhe të mesëm në Rrëshen, arsimin e lartë në Fakultetin Gjuhë-Letërsi të Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër (1979-1983), arsimin pasuniversitar (kursi i kritikës letrare) në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës (1986-1987).
Ka punuar mësues i letërsisë në Gjimnazin e Rrëshenit, punonjës i shërbimit psikologjik në shkollat e Mirditës etj. Pjesëmarrës në seminare dhe trajnime kombëtare për Arsimin, në Tiranë e rrethe, si dhe jashtë vendit, në Vjenë (Austri), Brno (Çeki) me “Kultur-Kontakt” etj.
Me 1994 krijon Shtëpinë Botuese “Mirdita”, duke qenë redaktor letrar i rreth 300 tituj librash artistikë, monografikë etj. Nga viti 2000 e në vazhdim është kryetar i Lidhjes Kulturore Austri-Mirditë (KÖM); hartues dhe drejtues miniprojektesh arsimore, kulturore, botimesh - me fondacione dhe organizata humanitare, si SOROS (AEDP), KOMPAS (Co-Plan), World Vision-Albania, Caritasi Austriak etj.
Kontributet krijuese si autor ngërthejnë disa fusha: a) publicistikë, ese.b) krijimtari letrare (poezi, prozë).c) studime të profilit historik.
Publicistikë: Bashkëpunon me shtypin periodik që nga mesi i viteve ’70, si reporter i lirë i gazetës “Zëri i Rinisë” dhe organe të tjera: “Bashkimi”, “Zëri i popullit”, “Puna”; shtypin letrar: gazetën “Drita”, revistën “Nëntori” etj. Laureuar në fushën e gazetarisë, me çmim të parë për reportazhin më të mirë të vitit, “Zëri i Rinisë” (1988), çmimin “Arshi Pipa” nga revista “Kuvendi”, Miçigan (2011).
Pas 90-ës ka bashkëpunuar me gazetat e pavarura: “Koha Jonë”, “Aleanca”, “Shekulli” etj. me reportazhe, portrete, reçensa, opinione, intervista, etj., duke qenë lëvrues i zellshëm i gjinive dhe llojeve të ndryshme publicistike. Nga viti 2006 e në vazhdim është analist i pavarur në gazetën “Shqip”, ku ka trajtuar tema të mprehta social-politike, si dhe një varg esesh të zgjedhura, reportazhesh etj.
Ndër esetë e publikuara kanë spikatur: Vajet dhe vajtimoret e Mirditës, “Mirdita në histori dhe etnokulturë”, 2001; Libromania, epidemia e shkrimanëve, “Koha Jonë”, 6 gusht 2003; Balada e Nuses së Vdekur, “Shekulli”, 31 janar 2005, “Tema” 12 gusht 2007; Përqasje midis Edipit Mbret dhe një legjende mirditase, “Shqip” 2006; Ismail Kadare, mes letërsisë dhe biografisë, “Shqip”, 17 nëntor 2006; Epopeja homerike e një rruge (Durrës-Prishtinë), “Shqip”, 22 maj 2009; Musine Kokalari, triptik për një disidente shqiptare, “Shqip”, 29 shtator 2010; Martin Camaj drejt Panteonit, “Shqip”, 26 tetor 2010; Nënë Tereza, përmasat planetare të një lumnim-shenjtërimi (Misioni-Miti-Modeli), “Shqip”, 30 nëntor 2010; Një histori e pabesueshme me “Lahutën e Malcis'”, “Shqip”, maj 2011; Një panteton kombëtar në Has të Thatë (Kosovë), “Bota sot”, shtator 2011, etj.
* 1998, “Aizbergu i Hanës” (poezi).
* 2001, “Këndej kaloi koha” (poezi).
* 2007, “Planetare” (poezi).
* 2004, “Dashuri në kullën e ngujimit” (tregime e novelë).
* 2004, “Hyjnesha e Pyllit” (tregime për fëmijë).
* 2005, “Shembja” (roman).
* 1999 & 2006 ribotim, “Toka e katedraleve” (studim).
* 2000, “Kaçinari” (monografi).
* 2001, “Kanuni dhe koha e sotme” (vështrim historiko-publicistik).
* 2005, “Fabian Barkata dhe ditari i tij shqiptar” (biografi & ditar).
* 1998, “Prengë Marka Prenga” (Bajraktari i Oroshit).
* 1998, “Monsinjor Zef Skana”.
Ndue Dedaj mban titullin "Qytetar Nderi" i Komunës Kaçinar.Banon në Rrëshen.I martuar, me tre fëmijë.
Referencat: - Dhori Qiriazi, mbi vëllimin poetik “Këndej kaloi koha”. - Ndoc Gjetja, për profilin si krijues. - Dhimitër Xhuvani, mbi romanin “Shembja”. - Prof. Dr. Fatbardha Fishta (Hoxha), mbi romanin “Shembja” - Preç Zogaj, për publicistikën (lëvrimin e reportazhit) etj. - Hamit Boriçi, në përmbledhjen “Gazetarë dhe publicistë shqiptarë” (2005). - Maksim Gjinaj, në Bibliografi e historisë së shtypit shqiptar (2003). - Prof. Dr. Ismet Elezi, mbi librin “Kanuni dhe koha e sotme” (2001). - Akademik Zef Mirdita, mbi librin studimor “Toka e katedraleve” (1996). - Akademik Mark Tirta, për librin “Toka e katedraleve”. - Dr. Pal Doçi, për veprën “Toka e katedraleve”. - Fatos Baxhaku, për veprën “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit”. - Dr. Dom Nikë Ukgjini, për veprën “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit”. - Akademik Kolec Topalli, për veprën “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit”. - Miho Gjini, Mjeshtër i Madh, krtikë për veprën letrare.