Ashtu si djaloshi Verter, që e kaloi gjithë vuajtjet e një dashurie fatale për Sharlotën në heshtje, ashtu dhe shqipëruesi i këtij libri në shqip (Vuajtjet e djaloshit Vërter) parapëlqeu ta kalonte në heshtje gjithë jetën e tij. Jo vetëm gjatë sistemit komunist kur në punën që bënte në shtëpinë botuese “8 Nëntori” i duhej të sfidonte kornizat e kohës, duke u zhytur në rreshtat e librave që i besohej për t’i sjellë në shqip, por edhe pas viteve ’90 atëherë kur mund të merrte flamurin siç bënë shumë kolegë të tij dhe të ngrinte lart punët e bëra, Petro Zheji parapëlqeu të heshtte. Në biblioteka, autorët e sjellë prej tij në shqip kishin hapur herët horizonte të reja për shqiptarët. Me portretin e një njeriu të rritur herët me filozofi, dhe që besonte tek ajo ashtu siç besonte te shkrimi, Zheji vijoi të bënte jetën që kishte bërë gjithnjë, duke “refuzuar” famën, reklamimin në ekrane televizorësh apo faqe gazetash. Emri i tij kujtohej këto vite sa herë në biseda profesionistësh flitej për modelin e përkthimit të mirë, për një “shkollë” që Zheji e ndërtoi ashtu me veprat e tij, apo kur mund të hapje faqen e parë të një libri ku ishte shkruar “Shqipëroi Petro Zheji”. As jeta në SHBA pas viteve ’90 dhe as rikthimi këto vitet e fundit nuk grishën tek ai ndjenjën e protagonizmit, i bindur se është puna ajo që duhet të flasë. Ashtu si me përkthimet, por edhe me jetën e thjeshtë Zheji dha një model për shoqërinë tonë të trazuar. Modelin e një intelektuali të vërtetë europian, pikërisht në një vend që vazhdon të ketë probleme me modelet. Zheji vijoi të jetonte në apartamentin e tij të thjeshtë, mes morive të librave dhe dorëshkrimeve për të çuar deri në fund një vepër të nisur. Librat dhe gjuha shqipe ishin shqetësimi i vetëm i këtij shtergu të madh të shqipes, që iu dorëzua asaj pa kushte. Lajmi për ndarjen e tij nga jeta (në moshën 86-vjeçare) është një lajm i hidhur pikërisht për gjuhën shqipe. Ajo ka humbur dje një nga mbrojtësit e saj më të mëdhenj, një stilist që e trajtoi me dinjitet dhe përkujdesje çdo shkronjë të saj. Është i çmuar kontributi i Petro Zhejit në kulturën shqiptare, një kontribut që koha do ta nxjerrë çdo ditë e më shumë në pah. “Vuajtjet e djaloshit Vërter” nga Gëte është një libër i ardhur vitet e fundit prej tij, ku ndihet eleganca me të cilën ka trajtuar gjuhën një mjeshtër. Vuajtjet e dashurisë së Vërterit të duken të bukura pikërisht nga gjuha. Zheji ishte një tjerrës i mrekullueshëm i saj, duke e shndërruar në të gjitha format për të sjellë ndjesinë më të mirë. Përkthimi i vëllimit të II të “Don Kishotit”, duke vijuar një sfidë të nisur nga Fan Noli, e bëri Zhejin një udhëheqës shpirtëror të këtij aventurieri të madh të botës letrare në shqip. Vetë Servantes do ishte ndier mirë të shihte sesi kjo krijesë e tij kishte mundur të pushtonte shqiptarët, të cilët e kishin lexuar këtë aventurë ashtu siç ishte. Don Kishoti do të na kujtojë gjithnjë atë, njeriun që i bindur se ky libër nuk ishte thjesht një përkthim, por një botim që do të hapte e trazonte ndërgjegjen njerëzore të vendit të tij, iu fut një pune titanike për ta përkthyer. Janë të pafundme përkthimet e ardhura prej tij në shqip si: “Fedor Panferov “Bruski” të cilin e ka përkthyer bashkë me të vëllain Gjergjin, “Nipi i Ramonit”, Didëro, “Vitet e zemërimit” Stajnbek, “Njeriu i padukshëm” Herbert Uells, Ringjalla “Tolstoit”, “Obllomovin” i Goncarovit, “Zoti President”, “Papa jeshil” i Asturiasit etj. Zheji ka ndihmuar dhe për përkthimin në anglisht të librit “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit. Një vit më parë ai u nderua me çmimin e mirënjohjes në Panairin e Librit. Homazhet për nder të përkthyesit u bënë dje në hollin e Muzeut Historik Kombëtar. Qindra miq, njerëz të kulturës, por edhe politikës u përulën para arkëmortit të këtij prijësi të shqipes. “Kjo është dita e dhënies së lamtumirës një mendimtari dhe krijuesi të niveleve europiane që në atë kohë kur Shqipëria ishte një ishull i izoluar në mes të Europës”, tha kryeparlamentari Ilir Meta. Për ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, “Petro Zheji është një monument kulture”. “Jam rritur me letrat dhe me shpirtin universal dhe me gjuhën shqipe të Petro Zhejit dhe me dashurinë për gjuhën në përgjithësi dhe për kulturën botërore. Me shkrimtarin me shkronja kapitale, nuk mund të ndahemi dot. Do të ndahem me Petro Zhejin kur të ndahem vetë nga jeta ime”, u shpreh Kumbaro. Petro Zheji lindi më 16 tetor 1929 në qytetin e Gjirokastrës. Studimet e hershme i ka kryer për Matematikë-Fizikë, më vonë studioi Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës. Për vite me radhë ai punoi në shtëpinë botuese “8 Nëntori” ku dha një kontribut të çmuar në prurjen e një sërë autorësh në gjuhën shqipe. Zheji i përket një plejade autorësh që jo vetëm shqipëruan, por dhe hapën dritare që lidhnin me botën përmes librash, mijëra lexues, në kohën e një Shqipërie të izoluar. Përkthimi ishte dashuria e tij e madhe, prej së cilës ai nuk hoqi dorë deri në ditët e fundit të jetës.
Jeta
I biri i Spiro Ballos i lindur më 1903 në Gjirokastër (me origjinë nga Zheji i Zagorisë) dhe i Theodorës së Niko Petridhit. I ati ka qenë oficer i shkolluar në Itali gjatë kohës së Mbretnisë, i graduar më vonë si major-kolonel. Në një bibliografi që pasqyron një libër që ka qenë i të atit të Petros, jepet grada dhe banesa, Ajutanti i Kumandës fuqisë Armate Tiranë. Ndë rrugë të Durrësit. I ati u grish nga Spiro Moisiu për me marrë pjesë në rezistencën kundër gjermanëve. Përndiqet në fund të viteve '40 nga regjimi i rishtë komunist dhe i sekuestrohen pronat në Tiranë.
Petrua studion Matematikë-Fizikë në nivel dyvjeçar në Tiranë, jep mësim në gjimnazin "Qemal Stafa" dhe vajti me dhanë mësim në gjimnazin e Gjirokastrës, më tej studion për gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës. Punon pranë ndërmarrjes së botimit "8 nëntori", ku botoheshin libra politiko-shoqëror dhe si përkthyes me normë pranë shtëpisë botuese "Naim Frashëri" në kryeqytet.
Martohet me aktoren gjakovare Besa Imami, martesë nga e cila më 1961 u lind djali i vetëm, Arturi. Pas 15 vjetësh martesë u ndanë dhe Petrua mbas viteve '90 largohet drejt ShBA-së. Me kthimin e tij vendoset në Tiranë. Me mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e një shtese pensioni të posaçëm shtetëror 14 personaliteteve, ndër ta edhe Petro Zheji.
Përkthime
I përfolur si një nga përkthyesit më elitarë, cilësia e tij është në përpjestim të drejtë me vëllimin e punës së bërë. Në një artikull kulturor më 2008, botuesi i përkthimit më të mbramë të tij ("Jeta e Galileit" e Bertolt Brehtit) Mehmet Gëzhilli kumton se Zheji mund të ketë 13 mijë faqe përkthim të botuara.
Përkthimi i tij i parë daton më 1958 dhe ka qenë vëllimi i parë i romanit "Bruski" të Fedor Panferov; përkthyer së bashku me të vëllanë, Gjergjin. Titujt më të shquar nga lista e gjatë e përkthimeve janë "Vuajtjet e djaloshit Verter" të Gëtes, "Sojliu mendjemprehtë - Don Kishoti i Mançës" nga Servantes, "Nipi i Ramonit" nga Didero, "Vilet e zemërimit" të Stajnbek, "Njeriu i padukshëm" i Herbert Uells; si dhe shumë e shumë tituj tjerë nga letërsia gjermane, spanjole, australiane, estoneze, rumune, ruse, kineze, nordike. Duke u radhitur me emrat e tjerë elitarë të përkthimit si Dhimitër Pasko, Klio Evangjeli, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, etj.
Përkthyesja amerikane e veprës “Rrno vetëm për me tregue”, Kathleen Schank, e ka falënderuar për ndihmën që i ka dhënë për prurjen në anglisht të dëshmisë së Át Zef Pllumit.Përpjekje kjo që Zheji e kishte ndërmarrë qysh në të gjallë të fratit.
Vepra
Në fillim nuk iu dha mundësia e botimit për krijimet e veta të përshkuara nga fryma e simbolizmit por më vonë iu botuan disa prej tyre, së fundi edhe studimi "Roli mesianik i gjuhës shqipe". Punimet e Petros “Kristologjia”, “Hyrja në Algoritëm”, “Paraqitja e Algoritmit” përcaktojnë në raportin botëkuptimor dhe fizik të njeriut me natyrën, që është filluar e vazhduar nga Etërit e Kishës që nga Shën Pali e deri më sot, e që pasqyron në sferën racionale dhe shoqërore, atë përmbysje, plotësim e sintezë që bëri Krishti në anën shpirtërore dhe individuale.
Bëhet i mundshëm logjikisht tërë kuptimi rivlerësues i trashëgimisë së qytetërimit, nëpërmjet trashendimit të epokës teknologjike, që del si relika e fundit e idolatrisë antike. Aty ndihet mrekullia e fillimit të realizimit të endrrës së herojve të tillë të mendimit si Niçja dhe Frojdi, Ainshtajni, Hajzenbergu etj.
Për gjuhën shqipe dhe për kombin shqiptar dhe rilindësit e tij, punime si “Shqipja dhe Sanskritishtja” (në dy vëll.; 1996, 2001, 2011), “Gjuhët e vjetra dhe shqipja”, “ Gjuhët moderne dhe shqipja”, “Universaliteti i gjuhës shqipe”, "Libri i Aforizmave" (2012) shënojnë një ringjallje dhe rivlerësim të Rilindjes Kombëtare.
Me punën e tyre rilindasit tanë, bënë çvarrosjen e kombit tonë dhe rilindjen e kristalizimin e gjuhës shqipe. Punime si të mësipërmet, tej çvarrosjes, fillojnë të ngjallin realisht kombin shqiptar në përmasat e tij primordiale e pellazgjike dhe realizojnë ëndrrën e rilindësve tanë De Rada, S.
Frashëri, Fan Noli, Át Sh. Gjeçovi, Át Gjergj Fishta etj, e madje e ndërkombëtarizojnë dhe e racionalizojnë tërësisht atë. Këto punime janë në botim e sipër. Figura si Martin Camaj, Robert Elsie etj., kanë vlerësuar lart përmbajtjen e këtyre punimeve.
Burime
^ Elsie R., "Histori e letërsisë shqiptare" (1995), përkthyer nga Abdurrahim Myftiu. Tiranë; sh.b. Pejë: Dukagjini, 1997.
^ Linguistika shqiptare në zi, ndahet nga jeta Petro Zheji, Gazeta Mapo, 15 mars 2015.
^ Vozga R., "Libri Shqip 1555-1915", Biblioteka Kombëtare, Tiranë, 2010 fq. 318 ─ ISBN: 978-99927-731-7-8. Citimi i plotë: Togger Spiro Zheji, Ajutanti i Kumandës fuqisë Armate Tiranë. Ndë rrugë të Durrësit. Shtëpija e tij mbë krahë të shtëpisë Kristo Luarasit.
^ Këlliçi S., "Don Kishoti" i Petro Zhejit - pasurim i mëtejshëm i gjuhës shqipe, Republika, 17 gusht 2012.
^ Demo E., Pa jetë private, Shekulli. Përkthyesi Afrim Koçi thotë: Kishte përkthyes si Petro Zheji që nuk e pranonte këtë kriter, – nuk i vihet normë shkrimtarit, thoshte, sepse përkthyesin e konsideronte një lloj shkrimtari.
^ Canaj A., Si po e pres 80 vjetorin tim të lindjes: flet aktorja Besa Imami, Panorama. - Nr. 2099, 3 gusht, 2008, f. 18 - 19.
^ Shteti u garanton pension të posaçëm 14 personaliteteve, Metropol, 3 mars 2011.
^ Demo E., Galilei i Petro Zhejit, gazeta Shekulli, 24 nëntor 2008.
^ Mbështetur mbi një qëmtim në fondin e Bibliotekës Kombëtare e Shqipërisë (bksh.al) me emrin kyç Petro Zheji, rezultojnë të paktën mbi 30 tituj të përkthyer. Me ndihmën e Google-it përkthimet e Petros arrijnë në 41 tituj.
^ Demo E., Kathleen Schank: Ç’na mëson miku ynë, at Zefi, Shekulli. - p. 2387, 24 gusht, 2008, fq. 11.
^ Demo E., Kurrgjë më shumë se liria: [intervista e fundit e At Zef Pllumit], Shekulli. - Nr. 2061, 27 shtator, 2007, f. 14 - 15.
^ Elsie R., "Një fund dhe një fillim - Vëzhgime mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare bashkëkohore", p. Abdyrrahim Myftiu, sh.b. botuese Globus R, Tiranë 1995; shtëpia botuese Buzuku, Prishtinë 1995.
^ Qafoku Ll., Shëmbull i madh shqiptar i heroizmit mendor, aafhsite.com, 28 dhjetor 2013.
Përgatiti:Flori Bruqi