Lahuta e Malcis, Cubat
Ty, o Zot, të kjoshim falë,
Se shum nana met pa djalë,
Se shum gjaku vojt rrkajë,
Shum u bâ gjama edhè va'i
N'at Maltzi - e në Shqypnië,
Kuer qaj Knjazi i Malitzi
Pat dyndë top, pat dyndë ushtrië,
Per me dalë n'Plavë e Gusië,
Per me shkelë Lekë e Malcië,
Edhè Shkodren m'e pushtue,
Keqas dhèn aj kshtû tue lndue,
Se shqyptarët s'po ishin kênë msue
Rob me ndéjë nen themer t'huej,
Pagë e t'dheta me i laë kujë!
Jo, po, rob sbâhet Shqyptari,
Pse atij fjalë i lanka i Pari,
Fjalë i lanka - fjalë t'vertetë,
Do e sido m'e shkue ket jetë.
Dikû mathë, po dikû zbathë,
Dikû ngranë, dikû pa ngranë,
Veç se lirë m'e shkue aj motin,
Mbi vedi tue njoftë por Zotin,
E kurrkujë n'kto troje t'veta,
Mos me i bâ kurr "tungjatjeta".
Prandej, kuer na doli zani,
Se ushtrien Knjazi gati e bani,
Per me msŷe ktej kahë Malcija,
Kahë kjo Plava e kahë Gusija,
Trup në kamë kà bâ Shqypnija;
Mirë kà lidhë nji besë të Zotit,
Kà rrokë armët ajo si motit,
E gjatë Cemit, m'atà curra,
Tue luftue burrat me burra,
- Po kisht' burra edhè n' Maltzi -
Të tanë botës kà bâ dishmië,
Se ajo gjallë s'i shtrohej kujë,
Se rob s'rrite nen kamë t'hujë.
E kje at herë qi pika e djalit
- Ku kjenë zgjedhë sokola malit
Nder Shqyptarë edhe nder Shkjè -
Sharruen mrendë e men'mbi dhè
Mish per shpêz e kaçabeta,
Pa kjà m'ta as nanat e veta.
Por, Zot pse qaj Knjaz Nikolla,
Tue kênë m'kamë Mbreti e Stambolla,
Asht lshue gaperr m'vende t'ona,
Kû si heret si n'e vona
Kà rritë nana - djelm si Zana? -
Pse Nikolla i Malitzi
Asht lshue gaperr mbi Shqypnië
Nuk âsht, besa, asnji habië;
Pse n'ket jetë, mâ t'shumen nieri
M'gjâ t'huej lshon hiri e pa hiri
Kuer mos t'kèt dangall e mgoje,
M'cak lakmiën qi t'ja pengoje.
Veç ti pvet, ka' i erdh kjo zêmer
Knjaz Nokollës, qi sod nên thêmer
Rob Shqyptarët po do me i shtrue,
Edhe'at tokë aj me pushtue,
Per të cillen vetoj motit
Shpata-rrfè Gjergj Kastriotit?
Zêmra i ardhka prej Moskovit!
N'Petrograd Cari i Moskovit
Nji bè t'madhe po kisht' bâ,
Me e ndië plak kalamâ:
Se aj natë t'madhe s'do t'kremtote,
Se aj kumarë as krushk s'do t'shkote,
Gostë as darsëm nuk do t'ngrifte,
S'do t'u late as do tu krifte,
As do t'dilte n'log t'kuvendit,
Per pa i hîë Stambollës permrendit,
Per pa i kcye mbî post të Mbretit,
Me u bâ zot i tokës e i detit
Edhè Europës tregun m'ja prè,
Mos m'e lânë me shitë, me blè,
Mos m'e lânë me çilë kund punë,
Por me bâ qi ajo perdhunë,
Per me çue 'i grimë bukë të shpija,
Rob të ngelte n'kthetra t'tija:
N'ato kthetra me gjak zhye,
Msue gjithmonë n'gjâ t'huej me rmye.
Por, pse ishte' i skile e vjeter,
Si per fjalë ashtû per leter,
Mos m'ju gjetë kund nji shoq tjeter,
Aj po e dite mirë e hollë,
Se isht' do punë me hîe n'Stamollë,
Se edhè Turku, mendje, s'thehej
Ashtû letë, si ati' i pelqehej,
Prandej zên aj me trillue,
M'shpinë Shkjeniën Turkut m'ja lshue
M'ja lshue m'shpinë Shkjèt e Ballkanit,
Qi me i qitë kta punë Sulltanit,
Me i qitë punë kta i herë mâ para
Me trazime e punë t'pamara
E mandej vetë prej Rusijet,
- Si harusha prej pusijet -
Me i rà Turkut fulikare,
M'e zhbîë m'vend, me qitun fare,
Per pa bâ me mend pleqnië,
Se me at pune botën unjië
Mujte, ndoshta, m'e pshtjellë n'zi ...
Kuer ket punë e kà pleqnue,
Kà marrë trimi e n'odë kà shkue,
Kà ndêjë m'tryezë e âsht vûe me shkrue,
Me u shkrue miqve kahë Serbija,
Kahë Zagrebi e kahë Sofija,
Me lidhë besen shkaf âsht Shkjà
Mbi Baltik m'Çanak - Kalà;
Edhè, tok kta ndermjet vetit,
Mos m'ja dà të keqen Mbretit;
Por m'e nzitë - por m'e merzitë,
M'ju vardisë si 'i ditë per ditë,
Herë per shtek, herë per kufî,
Tash me peng, tash me pleqnie,
Por gjithmonë, po, pa kanû,
Veç si t'mujnë n'teposhtë m'e vû.
Masandej, ky zogu i Shkinës,
Merr e i shkruen Knjazit t'Cetinës,
Merr e 'i leter ja angllatisë,
Me dredhië tue ja qendisë:
- Ti, qi jè qaj Knjaz Nikolla,
Falmeshndet Cari i Rusiës.
Se un zâ t'madh per ty kam ndië,
Qi jè trim e gerzhelië,
Qi jè burrë e kuvendtàr,
Me t'a drashtë hijen anmiku.
Por, me gjasë, kjo fjalët s'isht' gjâ;
Pse, qe, ti m'at gúr Cetine
Më kè ndêjë me 'i gjymsë opange,
E jè bâ, po, gazi i dheut,
Tue merzitë miq e kumarë,
Veç e per bukë thatë në gojë.
Mje sa Turku, per brîë tejet,
Dredhun çallimen m'vetull sŷnit,
Derdhë shallvarët aj pola-pola,
Rrin e bân kokrren e pallës,
E as m'e pà ti smund t'a shofish
Per mbas kodërs së pilafit ...
Po a, thue, t'la ty kama e dora,
A se njitë jè, ndoshta, n'rrogë,
Jo se hîë ke búlk n'e huejen,
Qi s'po ndihesh kund per s'gjalli?
Mo', bre burrë, se nuk ka hije,
Urtë me ndêjë cubi i Cetinës,
Edhè n'shpië me shkue aj motin,
Tuj u ndeshë nper furka t'gravet! ...
Po a s't'a mushë sŷnin Shqypnija
Me ato male të madhnueshme,
Me ato fusha të blerueshme,
Qi kurrkund s'jè ka orvate,
Me ja shkye 'i skundil per vedi? ...
M'tê, krahthatë, e mos rri fjetun!
Pse, pa lujtë ti kamë e dorë
S't'nihmon Zot as i Shen Nkollë:
Por, ti luej - nafaka luej,
Kà pasë thânë aj burri i huej.
Sà per bukë e per fyshek,
Piqu m'mue, se t'i qes vetë:
Edhè vêne ksulen m'sŷ,
Se të nget Mbreti i Stambollës,
Pse s'e lâ me t'prekë me pupel. -
Letren kshtû Cari e kà shkrue,
Edhe mirë e kà palue;
E kà mbyllë me dyll të zi;
Ja kà dhânë kasnecit t'ri,
Me ja çue Knjazit t'Malitzi.
Letren n'gji kà qitë kasneci:
Kà thekë kamët aj sa mund heci:
Kà lânë mbrapa fushë e zalle,
Kapercye kà bjeshkë e male,
Edhè dalë ka lum e shè:
Ka shtegtue per ujë e dhè,
Dèr qi 'i ditë, tue marrun dielli,
Në Cetinë kà behë aj filli,
- Shtjerrë opangat, grisun setren -
Knjazit n'dorë kû kà dhanë letren,
Me dyll Carit si e kisht' mshilë.
Kà marrë Knjazi edh' e kà çilë,
E kà çilë edh' e ka kndue,
Trië herë rresht aj e kà kndue,
Trië dit rresht edh' asht mendue,
Masandej aj fjalë kà çue
Njatij Vulo Radoviqit,
Qi me dalë me rà n'Cetinë,
Pa kqyrë shtek, pa kqyrun stinë -
Me flutrue si gjeraçinë,
Per me u pjekë të "Gospodari".
Njiky Vuloja serdari
Kishte kênë nji trim i çartun,
M'e pasë randë toka m'e bartun.
Pa tê prè kund s'ishte marrë,
Pa fjalè t'tij ngarkue s'isht barrè,
Pague s'ishte varrë as gjak,
S'kishte vûe nuse n'duvak,
As isht' dà gjŷgj a pleqnië,
Pse edhè turku i Malitzi
Po e kisht' pasû shqype mbi krye,
Mos me e lânë me e pà me sye:
- Se edhè 'i pûnâ ky zogu i Shkinës
Po e kisht' bâ m'at udhë t'Cetinës.
Paska marrë e shî në rrugë
Per terthuer vûeka nji strugë,
Edhè i çueka fjalë terthores,
Qi shka âsht turk i Cernogores,
Mos me mujtë me shkapercye,
Per pa là 'i dukat per krye -
Bre kisht' kênë edhe 'i farë burri,
Larg e larg me i dajtun turri.
Ftyra e tij, porsi duhija;
Sŷni i tij, tanë zjarm e shkndija;
Vetlla, trashë, ngerthye kulàr,
Porsi lesh derrit bugàr;
Vesh e m'vesh dega e mustakut,
Si dy korba lidhë per lakut;
Edhè i mrrîjte kryet më trà:
Burrë i atilkë me sŷ me u pà.
Veshë e mathë e m'armë shterngue,
Kishe thânë se asht lè drague.
Kë ê Knjazi fort e dote,
Fort e dote - edhè e ndigjote;
Pse edhè i urtë aj kishte ndollë.
Me ja prè mendja kaq hollë.
Prandej Knjazi i çueka fjalë
Në Cetinë per ngut me dalë.
Edhè Vulja bjen m'Cetinë,
Pa kqyrë shtek, pa kqyrun stinë -
Tue fluturue si gjeraçinë.
N'at Cetinë kuer Vulja zbriti,
Atê Knjazi mirë e priti,
Mirë e priti - e n'odë e qiti,
I qiti duhan e kafe,
Edhè nisi kshtû t'bajë llafe:
- Kû jè, Vulë, eh kopilane!
Se ti ujk, po, nè na u bane,
Ke s'po duke kahe Cetina,
Ku kè miq e pobratina,
Qi s'të ndrrojnë me sŷ të ballit? ...
Po a kè mujtë? ... a kè far hallit? ...
Si po t'shkon n'Vasoviq moti? -
- Per jetë t'ande! ... si do Zoti,
Zên e i thotë Vulo serdari:
Pse sivjet, lum "Gospodari",
Nuk kà pasë toka valigë,
E ka ardhë nji kohë e ligë,
Sa nuk dië si ka m'ju bâ,
Per me pshtue do rob e gjâ,
Pse edhè buka âsht tuj na lâne. -
- Hajt, eh qê! Knjazi i kà thânë ...
Se s'po gjênë cubi me ngranë ...
Se s'po gjênë skyferi mish ...
Se ti e xjerrë koren dyfish ...
Mjaft t'i bishë ndoj vendit prè,
Se po e bân me lopë e qè,
Sa me majtë njerzt e kujriës,
Jo se mâ gjinden e shpiës ...
Ndiej shka t'thotë ty "Gospodari":
Pshtiëlli bashkë njadisa cuba,
T'idhtë si gjarpni nder kaçuba,
T'letë e t'shpejtë si gjeraçina,
Edhè lshoj ti kahë Vranina,
Per me vrà e per me prè,
Per me djegun gúr e dhè,
Mrende tue vjedhë e tue plaçkitë,
Tue grabitë - e tue robitë,
N'daç me natë e n'daç me dritë,
Se un prandej të kam çue fjalë,
Dèr n'Cetinë nji herë me dalë;
Pse dishka mue tash m'ka kcye,
Prap me Turk me u kaperthye,
Prap me Turk, po, na me u vrà:
Pse edhe as hije, tham, nuk kà,
Urtë me ndejun Turk e Shkjà. -
E kështû tue ligjirue,
Krye më krye tue bisedue,
Hollë e gjatë e kà qortue,
Si me u sjellë e si me e prûe,
Per m'e là Vraninen n'gjak.
E si vesht jânë marrë me fjalë,
Knjazi m'bukë até e kà ndalë,
Edhè falë i kà do pare
E i kà falë nji "xheverdare",
Krej n'argjan kandakut ngrië,
Mos m'ju gjetë shoqja n'Maltizi:
M'e drashtë vjerrun në sergjië,
Jo mâ m'krah të nji luftarit,
Jo mâ m'krah t'Vulo Serdarit,
Qi isht' me brè hekur me dhamë.
At herë Vulja âsht çue në kamë;
Kà bâ Knjazit "tungjatjeta",
Edh' âsht nis malit perpjeta,
Udhës me mend aj tuj perblue,
Si Vraninen me shkretnue,
He! atà Zoti i pasët marrue!