Dëgjojmë shpesh të thuhet se nuk e kuptojmë dot kulturën e një vendi tjetër dhe duhet kohë që të hysh në dritëhijet e trashëgimisë kulturore. Nuk është aspak e vërtetë, pasi kultura është gjuha më e thjeshtë dhe më e larta e një kombi. Nuk ka aspekte më të vyera e tërheqëse të një shoqërie, sesa vetë kultura. Në Bukuresht gjatë ditëve të qëndrimit, kultura ishte në majat e saj kultminate, me bienalen e muzikës që organizohet për nder të kompozitorit të madh rumun, George Eneskut. Veprimtaritë ishin të shumta në disa drejtime dhe në pika të ndryshme të qytetit magjepsës, të shumë e shumë emrave të mëdhenj të kulturës rumune dhe botërore. Vetë Bukureshti në pjesën historike rrezatonte kulturë, një trashëgimi që duhet patur zili dhe që duhet marrë si model harmonie, në dimensionet e një metropoli të vërtetë. Pranë Ateneut, qendra më e rëndësishme e muzikës, ishte ende verë, sheshi priste në orë të ndryshme të ditës dashamirës së muzikës. Në orët e pasdites ishte një koncert i orkestërs së Radiotelevizionit të Bukureshtit dhe ftesës së mikut tim Panaite, familja e tij është familje artistësh, nuk mund t’i përgjigjesha negativisht. Kur dita është tepër e gjatë dhe pasditet po aq të bukura, nuk mund të refuzosh veprimtari të tilla. Në pak kohë të gjitha vendet u mbushën dhe shumë të tjetër qëndronin në këmbë, pikërisht për të dëgjuar perlat e muzikës botërore. Nuk mund ta përshkruash me fjalë atmosferën e tingujve muzikorë, po të mos jesh i pranishëm. Natyrisht një shkrimtar tepër i hollë, nuk e lë kurrë mangut në tregimet e tij përshkrimin e atmosferës. Kanë peshë jo vetëm fjalët, por edhe emocionet që të rrethojnë dhe që të duket se muzikën e përthith në atë mënyrë dhe masë, sikur të ishe në shesh apo skenë. Por përsëri nuk është e njëjta gjë. Bukureshti ato ditë llamburiste edhe për faktin e festës së themelimit që do të zgjaste tre ditë gjatë fundjavës, me veprimtari të jashtëzakonshme. Për një të huaj, janë vërtet të tilla, pasi ke mundësi ta njohësh qytetin pikërisht në anët jetësore dhe kundruese si asnjëherë tjetër. Koncerti zgjati gati një orë e gjysëm dhe ende në mendje sillen rrotull, memoria është ende e freskët për tradhëti befasuese, imazhet e instrumentistëve të shkëlqyer rumunë. Diku kisha dëgjuar për traditën e shkollës rumune në muzikë dhe kjo u konfirmua në koncertin për nder të Eneskut. Një moment tjetër ishte vizita tek Parlamenti ku kati i parë ishte i gjithi i dominuar nga ekspozitat e përhershme që artistët rumunë hapnin : muzeu etnografik, ekspozita e pikturës moderne që mund ta shijoje edhe në katet e sipërme të ndërtesës madhështore. Në vizitën tonë brenda Parlamentit, arti fliste përsëri me gjuhën e ëmbël të skulpturave dhe pikturave që zbukuronin faqet e mureve. E miku im u ndal një çast që të shijonte edhe një herë frytet e punës së vet dhe të shumë skulptorëve të tjerë në një periudhë 5 vjeçare. Në fillim nuk po e kapja kërshërinë e tij për ta riparë, si ndërtuesi i mirë që herë pas here kalon tek vepra e tij nga meraku se mos koha e ka cënuar sadopak, atë art që sot, thoshte ai, është vështirë që ta bësh. Malli në sytë e Panaites është treguesi më i qartë se veprat e realizuara gjithmonë të ngjallin nostalgji dhe dëshirë që t’i vizitosh, sikur edhe për pak çaste, t’i prekësh dhe të ndiesh dy shpirtra të lidhur pazgjidhmësisht dhe të çmallesh me to. Por surprizat ishin të shumta dhe disa prej tyre, nuk mund të shkoje në të gjitha qendrat ku kishte veprimtari, patëm rastin që t’i shikonim në televizor, që për çudinë e të gjithëve, iluzioni i pikturës ta jep këtë mundësi, qyteti dukej sikur ishte gdhirë me dhjetra gropa të hapura nga ndonjë firmë ndërtuese. Nëse shkon në qytete të tilla, disa ditë nuk të mjaftojnë kurrë që të vizitosh të gjithë morinë e monumenteve të kulturës në qiell të hapur, apo muzetë e shumtë. Edhe në Kraiovë spktaklet e arkitekturës në qendrën historike nuk ishin të pakta, po ashtu muzetë, objektet e kultit. Shteti ia dinte vlerën dhe ndërtesat që ishin shpallur monumente i blinte që t’ia rikthente artit artistëve dhe artdashësve. Tek vizitonim në Bukuresht ekspozitat, më bëri përshtypje një fakt tepër domethënës : artistët kanë lidhjen e tyre dhe janë të pajisur me një teserë që i lejon që të hyjnë pa probleme në të gjitha veprimtaritë kulturore apo muzetë, në të gjithë Rumaninë. Tek ne edhe një Lidhje të Shkrimtarëve që kishim, e minuan në të gjithë këto vite “demokraci”, duke e asfiksuar dhe goditur në mënyrë sistematike nga pozicionet e antikulturës dhe njerëzve që në shpirtin e tyre nuk ka snjë fije shijesh veç parasë.
Fati deshi që të udhëtoja përsëri në muajin tetor, por këtë rradhë drejt Romës e më pas drejt jugut, afër Napolit. Romën e kisha parë disa herë dhe qyteti i përjetshëm të zgjon emocione të ndryshme sa herë që e viziton, duke shëtitur që nga qëndra tek Altari i Atdheut, në Transtevere, ku ndien emocion tek shikon kishën dhe lexon pllakën Kisha e Shqiptarëve, sheshin Navona, Koloseun etj, I bindur se Italia vazhdon të jetë muzeu i madh i qytetërimit europian. Sapo filloi stina e verës, reklamat pushtuan kanalet italiane me botimet e “Të mëdhenjve të tregimtarisë” në një kolanë që ende vazhdon. Dhe jo një, por dy nga gazetat më të mëdha, në një “konkurencë” të paparë, kriza bën punën e vet, me kosto 1 euro, iu gjendën lexuesit, në stinën që është më e çmuara për leximet. Kur mbërrita në Romë, ish nxënësi im, Juliani, më foli për këtë ngjarje dhe më tregoi të gjithë serinë e librave që kishte blerë qysh nga fillimi i fushatës. Por mendja ime kishte mbetur tek një libër që e pata lexuar në gazetën La repubblica dhe që fliste për veprën e rusit Bulgakov, Zemër qeni. Të nesërmen shkuam në disa kioska, por ishin shitur të gjitha kopjet, bile edhe në qytetin e largët, Morra de Sanctis, ku shkuam për Takimin Ndërkombëtar. Në artikull kisha lexuar se Bulgakovi ishte nga Kievi, lindur në vitin 1891 dhe nga një familje e inteligjencës. Pas diplomimit në mjekësi, profesion që e ushtroi vetëm për pak kohë, gjatë luftës civile, iu dedikua letërsisë. Shkoi në Moskë ku kaloi një periudhë të bukur që kulminoi me librin Ditët e Turbinëve në vitin 1926. Në atë kohë shkroi disa tregime, duke kombinuar fantastiken, utopiken dhe kritikën sociale, në një gjini mjaft popullore të asaj kohe që rezultuan tek : Diavoleide, Vezët fatale dhe Zemër qeni. Kritikat ndaj regjimit Bolshevik, bënë që të shpërthente një dhunë e pashoq ndaj tij. Në vitin 1930 të gjitha veprat e tij u ndaluan. Nga dëshpërimi kërkoi që t’i jepej një punë që të punonte dhe të largohej, por nga thellësia e depresionit, e shpëtoi një telefonatë e Stalinit, a thua se artistët mund të trajtohen kështu nga disa pushtetarë që sillen edhe ndaj tyre si diktatorë të pashpirt, që i shprehu admirimin e vet dhe e emëroi ndihmësregjizor në një teatër. Nuk botoi më derisa vdiq, por ia dedikoi 12 vjetët, kryeveprës së tij, Mjeshtëri dhe Margarita. Në vitin 1939 u duk se u hap një rrugëdalje me veprën Batum, mbi jetën e Stalinit, publiku reagoi me entuziazëm dhe e ftuan në qytetin Batum. Përgjatë rrugës një telegram i mistershëm ia preu hovin dhe ia prishi festën : Stalini ishte shfaqur përsëri, por këtë herë si forcë armike. Për Bulgakovin ishte fundi dhe vdiq në vitin 1940. Zemër qeni është një shembull brilant dhe shqetësues i penës së tij. Është historia e një profesori që vendosi të bënte një transplant të disa organeve të një njeriu të vdekur, tek qeni. Pas operimit kafsha fillon të ecë me dy këmbë, i ranë qimet, filloi të flasë, por për fat të keq trashëgoi karakterin e dhuruesit, një instrumentist i balalajkës, i goditur me thikë në Moskë… Libri tregon madhështinë e një artisti që diti ta shtinte traditën e madhe fantastike dhe groteske të Gogolit, Pushkinit dhe Dostojevskit në panoramën e errët të çensurës sovjetike. Por koinçidencat nuk munguan. Po ato ditë të qëndrimit në Romë, një tjetër surprizë e madhe na priste, ekspozita e parë madhështore e Realizmit socialist sovjetik në muzeun e artit, pikërisht aty afër qendrës.
Në kthim e kisha vendosur se do ta vizitoja ekspozitën, por ironia e fatit ishte fshehur diku prapa derës, pasi atë ditë të shtune, të Indinjuarit dhe protesta e dhunshme e Black Box-ave, nuk ma dhanë rastin e shumëpritur. Kurrë mos thuaj s’ka shans. Kush e di, nëse do të kem ndonjë rast tjetër të shpejtë pak orë apo ditë për ta vizituar. Gjithësesi fjala e Drejtorit të Muzeut se para na shfaqet një periudhë e madhe dhe e pavdekshme pikture që deri dje e etikonim si socialiste, por që në fakt është art dhe si i tillë nuk duhet kanalizuar në rryma, ma përforcoi idenë që pata shkruar edhe unë kohë më parë, kur u nderua nëjri prej skulptorëve më në zë të Korçës, që i dhuroi qytetit vepra që sot i sheh kudo.
Bukuresh