Lahuta e Malcis, Koha e Re
Hej, moj Zânë, tý t’kjosha true,
Si s’po t’bje nder mend per mue,
Punë të hershme me m’kumtue;
Kangë e valle me m’fillue;
Por më rrin tue fluturue
Mollë më mollë e ftue më ftue
Me ato shoqe tue këndue,
Me ato shoqe tue vallzue -
Tue vallzue - e tue lodrue
Nper ledina - e nper rudina,
Np’r ata brej, aha e çetina,
Kû bân çerdhen gjeraçina.
Bulon molla e lulzon thâna
E prîjn valle Orë e Zâna
Neper rreze qi lshon hana.
Ardhun shtatit si "breshana",
Rreze diellit dora e lana,
Ftyra shtrue n’fletë t’drandofillit,
Kama matë per gjeth të lilit,
Shartue zâni m’zâ t’bylbylit,
Dishka borë e dishka brymë
Si njaj hylli me ferfllimë:
Mori sumlla sumullore,
Mori dardha dimënore,
Si t’shkoi moti kangë e valle -
Kangë e valle - e zanamare
Tash mbas flutrash neper zalle
Tash mbas lulesh nper livadhe
Herë ndiq sutat neper curra,
Zhytu e mbytu neper gurra
Ngallit shoqet n’shtiqe t’vshtira
Sí, perzèt, ty t’raftë e mira -
T’ raftë e mira si t’ká rá,
Bjeshkë e vrrî qi m’ké shkelqá!
A din shka moj gerxhelí,
Mori rrezja nper frangí:
Se mue kripit m’i rá bora
Se kah m’ lên âsht kama e dora,
Se edhè as vonë, tham, s’ká me shkue,
N’jetë pertej un pa u kalue,
Prej kah s’lânë kend me u kthye dalë...
Prandej ndgjoma ktû nji fjalë:
Lêni sod, moj Shtozovallet,
Lêni flutrat t’marrin zallet,
Lêni sutat t’marrin malet:
Shporru vjollcash edhe lilash,
Shporru gurrash e çurrilash
- Se, perzèt, kshtû, moj petritë,
Tuj m’u lá, tuj m’u flladitë
Herë nper hanë e herë nper dritë
Drue po m’ngrîhesh akull–ó
Drue po fikë mue e vedin–ó -
Edhe lshou prej Dukagjinit,
Kû m’a shkon të cemtë e dimnit
Neper biga e lvore blinit,
E fluturim neper ajrí,
Si njaj hylli qi shkëndí
Shkrepë prej mramjet neper eter,
Behma ktû n’ket Lissus t’vjeter,
Kû, larg zhurmet e poteret,
Dola edh’ un n’ket buzë Prandveret,
Per me kndue m’Lahutë t’Malcís,
Se si u end fati i Shqypnís,
Kúr pshtoi kthetrave t’Shkjenís
E duel zgjedhet të Turkís:
- Perendija si e kisht’ shkrue -
E zojë m’vedi edhè u ndertue,
Mbas sa gjakut qi pat dkue;
Pse kaq njerzit po i’n të kqí,
Sa qi askund m’ket shekull t’zí
Pá shkue gjaku ví e ví,
Nuk po gzohej, jo, lirí.
Prandaj sod - tý t’kjosha falë! -
Morì e Mira rritë në halë,
Dèr në Lissus ti me m’dalë,
Per me m’vû kangen per fille,
E tue m’ndritë menden me kshille,
E tue m’majtë mbrenda hullís
Së burrnís - e t’bujarís,
T’bâjsh qi fjala - e butë herherë
Si njaj flladi në Prandverë:
Tash e fortë, e rrebtë, dermuese,
Si duhija shungulluese -
T’m’ rrjedhë e marë e kund pa neje,
Qi t’rysë mendet, zemrat t’theje,
T’i reshë gjinden kah e mara,
Fén e Atdhén t’i lvisë perpara;
Pse, po m’u end kanga per s’marit,
Vonë e vonë fisi i Shqyptarit,
Manà, tý ká me t’urue,
Bjeshkë e vrrî me t’u lulzue,
Si don vetë moti me t’shkue:
Kangë nper hanë e kangë nper dritë.
Se edhe as ktû s’ké me u merzitë -
Me u merzitë jo cok nuk ké,
Ke në fllad t’ksajë stine t’ré,
N’jetë natyra tue shperthye,
Këtû gjên shka t’kande tý:
Vezullime - e xhixhillime,
Gurgullime - edhé blerime
Me lugina - e me kodrina
Me ledina - e me rudina,
Hije, kroje edhè çurrila,
Dejka, mjellme e n’shtek kojrrila,
Vjollca, lila - e karajfila
Drandofille në bubuqe,
Flutra t’larme e mollakuqe:
Kndo bylbylat nper filiza
Këcè dhijzit neper driza
Tue blegrua kingjat nper mriza,
Endë hardhija m’qeperiza,
Lulzon pjeshka e zerdelija,
Me u shêjë matet m’gem qershija
Bleron bungu e bleron vidhi
Shatorr fiku kokrrat lidhi
Njethet plepi bregut t’Drinit
Rahá t’mirë ep lulja e blinit
Kerset fyell e zanamare,
Ushtojn hijes kangë shqyptare:
Qiella kalter, toka blerë
Njeti dimen, ktû Prandverë:
Njimend stinë per Orë e Zana,
Me prî vallet tue ndritë hana
Mal e m’mal, rudinë m’rudinë.
Jo qi ktû, në ket krahinë,
Kû nper molla - gêmeholla,
Kû nper male - e mriza hale
E nper zalle - e nper hamalle
Shum po i kisht’ do Shtozovalle
Shoqe t’ua, qi po kndojshin -
Qi po kndojshin - e lodrojshin,
Larg e larg m’i u ndî jehona,
Bâne bén, si kah Valbona;
Se ky vend - se mbahet n’mend,
Po kisht’ kênun nji dervend -
Nji log Zanash m’nám e n’zâ,
Kû vigâ - e katallâ
- Edhè n’ kohë para se Iliri
Vend ktû zû Arbnori i biri -
Na i’ n ndeshë - na i’n shkelveshë,
Dikúr heret m’dhâmë tu ’u shkye,
Mâ vonë s’largu tuj u msý
Kush me zhgjetë - kush me baètë,
Njani m’mzdrak - tjetri m’ çomak,
E me lata - e me supata,
Me tagana e pushkë të gjata;
Edhè rán shakull per dhé,
Kush per Atme e kush per Fé,
Njani cub, tjetri dishmuer,
Kush gjaksuer - kush simahuer.
Se edhè ktû ti ké me pâ -
Ké me pá - po njat kalá,
Qi, m’nji koder titanike
Ngrefë mbi ledhe cyklopike,
Per trí mij e kusúr vjet
T’u kercnue ndêj, si shauret,
Mbí ç’do forca kundershtare,
Qi me mende grabitçare
Deshten ksajt me kalue ván.
Ké me ndî edhé si kján
Vala e Drinit prap n’ditë t’sotit
Per urë vorrit t’Gjergj Kastrijotit,
Shpata e t’cillit, dikúr motit,
Vezulloi m’hasem t’Shqypnís,
Si ajo rrfeja e Perendís.
Pse dikúr ktû edhè Berdyli
Me gjak hasemsh dhén kertyli,
E ajo Teuta mbretëneshë,
Vashë ilire sokoleshë,
Qi nuk dijte se shka â tuta,
Si ajo Shqypja skepekrruta,
Lshote hovin mbí Rromakë,
Pá dhimë Adrjen tue pergjakë.
Prap Kliniku ktû e Pleurati,
Hila, Agroni e Genci i ngrati
Kan jetue - e kan lulzue,
Mirë a keq atà tue psue,
Kush tue mbetë, kush tue fitue;
Se ktej Gali ka kalue,
Ktej Rromaku, po, âsht pershkue
Sllav e Turq ket truell t’bekue
Me agor t’vet e kan mnderue.
Prandej n’mbramjet tue rá hana
Mlidhen tubë Orë edhè Zâna,
Edhè kapen dora-dora
Dora-dora - bardhë si bora,
Ambel zânin tue dredhue,
Nisin vallen me këndue,
Tash si t’Parët na pa’n luftue
- Atà Ilirt e kohës s’shkue -
Tash idhtë fatin tue lotue
Të ksajë s'mjeres moj Shqypní,
Se si u pshtuell e mjera n’zí
Mbasi Turku mbrendë pat hî
- Turku, shplaka e randë e Zotit -
Per mbas deket t’Gjergj Kastrjotit.
E jehojn male - edhè zalle
N’ato kangë e n’ato valle.
Pra, po t’kapi tý merzija,
A se t’lodhen kangët e mija,
- Se pa tý, besa, moj Zanë,
Vshtirë se ‘i fjalë un mûj m’e thanë:
Fjalë qi t’jetë n’gojë per t’u zanë -
Ti po del naten nper hanë
A nper zheg, si t’kape zusha,
E n’daç malit, n’daç kahë fusha
Bâhe bashkë me shoqe t’ueja,
Edhé at herë me to ti thueje
Kangës e valles sa t'keshë n’krye,
Doradoras tue këcye,
Gjithsesi të kandet tý.
Por po deshte ti ndojhera
Me ndjekë suta, a me gjuejtë fjera,
Me ato shoqe ti, po, del
Nper Molung a se nper Vel;
Se atjè gjêni drêj e derra,
Molla, urtyta e mandaferra,
Mjaltë nder zgavrra, e gurra t’ngrîjta,
Mrize t’flladta e hije t’rîjta,
Me blegrime e me çokana,
Qi tý aq fort po t’ i kisht’ anda.
- Veç se shka, moj qifteli,
Me t’a vû due ‘i porosi
Per kúr t’dilni ju më Vel.
Kúr të dilni ju në Vel,
Per t’ a hasë kini nji shpellë
N’anë prej Rrêje, t’errtë e t’kthellë,
Me nji grykë porsi nji furrë,
Prej së cilles rrjedhë nji gurrë,
Sa me blue, po nji mullî:
Atý mbrendë ti mos me hî!
Asi uj’ ti, jo, atý me pí!
Pse n’at shpellë qaj Lleshi i Zi,
Nji i Gjomarkaj, Kefalí,
- Vesh e m’vesh mustaku i tij -
Nji natë gjamet e vetimet,
Me u dridhë toka prej bumllimet,
T’rrebtë kulshedren paska msý,
Edhè m’qafë i a ká merthye
Nji parë dana - t’gjata e t’randa,
Mirë nen allkë aj tue i ngujue,
Qi per t’gjallë me u shkapullue
Mos të mûjtte, edhè e branisë
Poshtë nper shpellë - n’do ujë të kthellë:
Edhè sod ndîhen tue krisë
Ato dana, sa herë t’luej
Shta’n kulshedra neper ujë;
Ke i kan mbetun ato dana
Vjerrë per qafë, porsi çokana
N’qafë t’nji skjapit brynatak.
Prandej shpesh rrjedhë gurra gjak
- Si shum kushi qi e ká pá -
Porsè danat, m’qafë tu’ e vrá,
S’i a lân varren me u perthá,
Qi i a çeli Lleshi i Zí,
Kúr i u turr nper at duhí.
Asì uj’ ti, jo, me pí!
Por as n’shpellë, jo, mbrendë me hî;
Pse atý sod, permbrenda shpellës,
Dájn orok Shtrigat e Kthellës
Me ato Shtrigat e Mirditës,
E me atò t’Zhubës e t’Selitës,
Kurdoherë duen me u bashkue,
Ndoj déll ujkut per t’fergue,
Qi me bâ ndokand gjytrým;
A me zí ndoj gjellë nper tým,
Per të lye me tê ndoj shpí,
Qi me i lshue dam e morí
Sí nder rob, si nder bagtí:
Mos me lânë me rritun fmí,
Tuj u ngranë zemrë e mushkní.
Kurrsesi ti mbrendë me hî;
Persè gjallë k’in me t’perpî.
E po bâni e t’ kcej dalldí
Bregut detit me u baritë,
Per me u lá, per me u flladitë,
Per n’mos daç kaluer me shkue
M’bedeví qi kem’ n’katue
- Bishtalec kripin trimnue -
Janë pulbardhat neper Drî,
Bardh si bora n’Haramí,
M’shpinë ndonjanes ké me i kcye...
Por, aman, týe t’kjosha true,
Per qafë t’sajë mirë me u shterngue...
Se ti jé nji rreze drite,
S’të ká randë pulbardha týe,
E mbi tê mandej vozite
Rrjedhes s’Drinit dér në dét.
Kúr të dalish n’ atê dét,
Atý bregut ké me pá
Floçka e Kshteza ndêjë n’shullâ,
Tuj u krefë, tuj u bubitë,
Shoqja shoqen tue ngallitë
Turr e vrap nper ranë të hjedhne,
Shkaterr flokët, rizat e zhdredhne,
Kmishat kapë me trîzë rreth vedit.
Se ato janë do grá të detit,
Qi, si ushujzat - e breshkujzat,
Po jetojshin n’ujë e m’ tokë,
E po flitshin si tue krrokë -
Si tue krrokë, si tue gervallë;
Por me pasë per t’i zânë gjallë
E me i mbajtë te shpija niri,
Me folë shqyp zêjshin mâ s’miri.
Se nji djalë, fisit t’Kelmendit,
Djalë i pushkës edhè i kuvendit,
- Si dishmí bâjn gjindja e vendit -
Shtatdhetë vjet mâ teper s'janë
Qi ‘i kso Floçkash paska zânë,
Edhè n’shpí e paska çue;
Kû ‘i herë shqyp atê e ká msue,
Mandej marrë e ká per grue,
Me tê bashkë kunorë tue vû.
Edhè u bâka shpijanike,
Tue rritë fmí, tue u majtë fisnike,
Me xhubletë e me shtjellak,
Si t’gjith shoqet n’at bajrak.
Veç se shka, binín e sajë
Létas nieri mund t’a dajë,
Ke i kan sýt si picigjatë
Edhè flasin per pá u matë;
Porsì me branisë zhamella
Ndokund malit neper shpella.
Edhè kshtû, nper hanë nper dritë
Tuj u argtue, s'ké me u merzitë,
E tý moti ká me t'shkue
Shend e verë, e tue galldue.
Qe Lahuta - jonebuta:
Nisja, Zânë - prá me i a thânë,
E un këndo e ti këndo,
Si kndon zogu i veres–ó.