2015-05-31

Paleta koloristike e artistit Sali Shijaku




Sali Shijaku lindi më 12 mars 1933 në Tiranë, në një familje tregtari të vogël. Pasi kreu Liceun Artistik "Jordan Misja", të cilin e mbaroi më 1952-shin, me pedagogët Abdurrahim Buza dhe Nexhmedin Zajmi, vazhdoi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve "I.E.Rjepin" në Leningrad (sot Shën Petërburg gjatë viteve 1956-‘61) pranë ateliesë të prof. Boris Vladimiroviç Joganson, një piktor i njohur, president i Akademisë së Arteve Sovjetike dhe Drejtor i Galerisë "Tretjakov" në Moskë.



Tabloja e titulluar "Heronjtë e Vigut" ishte diploma e studentit Shijaku, të cilën ai e mbrojti në vitin 1962 në Shqipëri, në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë. Piktori Sali Shijaku e filloi krijimtarinë artistike në fillimin e viteve ‘60. Ai bënte pjesë në grupin e artistëve shqiptarë, që trajtuan tablonë kompozicionale, kryesisht me temë nga lufta, nga historia, nga legjendat, por edhe nga aktualiteti i kohës.

Ai u fut në rrugën e artit figurativ me portretet e para të tij, si: "Portret vajze" (1953, GKA), "Kostum tiranseje" (1952, GKA), duke kaluar gradualisht nga tabloja në tablo drejt kërkimit në portrete të bukurisë, thellimit psikologjik dhe njollave dekorative etj.



Vepra e "Piktorit të Popullit", Sali Shijaku, karakterizohet nga një gamë e gjerë temash, që gjejnë zgjidhje në forma të ndryshme, shpesh të papritura. Kështu, tabloja "Partizanët e batalionit - Hakmarrja" (1966), kishte prirje të fuqishme për thellimin psikologjik të personazheve, të cilat, edhe pse me qëndrim statik, evidentonin forcën shpirtërore dhe heroizmin e kohës.

E veçanta në këtë tablo ishte paraqitja jo e plotë e personazheve të saj, një hap ky mjaft i guximshëm për kohën kur u krijua vepra.




Deri në fillimin e viteve ‘70, piktori Sali Shijaku akoma nuk ishte shkëputur nga imazhi real, pikturimi me hije dritë dhe me sfumaturë. Tabloja "Mic Sokoli" 1969, e "shkëputi" artistin përfundimisht nga kjo mënyrë pikturimi dhe i krijoi vizione të reja, ku monumentalizmi bëhet primar në personazhin e zgjedhur të një cikli tablosh njëfigurëshe.

Figurat e pikturuara të përzgjedhura nga piktori, edhe pse kanë një fund tragjik, atë flijimit dhe të vetësakrifikimit, kthehen në simbole të adhurimit për publikun: për heroizmin ndaj atdheut (Vojo Kushi, 1969), të vetësakrifikimit për kombin (Mic Sokoli, 1976, "Nora e Kelmendit" 1981), të virtytit njerëzor (Rozafa, 1983).




Ndryshime pësoi edhe paleta koloristike e artistit, e cila pasurohet, priret drejt krijimit të efekteve grafike, por dhe dekorativo-ekspresive. Figura e artistit Sali Shijaku është një nga figurat madhore të arteve pamore shqiptare.

 Shteti shqiptar e ka vlerësuar dhe nderuar kontributin e artistit me mjaft çmime dhe i ka akorduar disa Çmime Republike (1956, 1970, 1984, 1989).

 Në vitin 1969 ai mori titullin "Artist i Merituar" dhe në vitin 1979 "Piktor i Popullit". Më 2004-ën ai u nderua me titullin "Nderi i Qarkut të Tiranës". Në fondin e GKA-së ruhen 92 vepra të artistit në pikturë dhe skulpturë, nga të cilat 19 vizatime (penë, karbon dhe flamastër), 7 punime në qeramikë dhe 1 në allçi.
Një pjesë e koleksionit të veprave të Shijakut janë të ekspozuara në sallat kryesore të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e Sali Shijakut ndodhen në shumë vende të botës dhe sot janë pjesë e koleksioneve të koleksionistëve brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Sali Shijaku, para dhe pas ’90-ës

Çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozita vetjake e piktorit të njohur Sali Shijaku, e para pas viteve’90. Pikturat e sjella në këtë ekspozitë i takojnë koleksionit të tij në GKA dhe studios së piktorit. Ekspozita shoqërohet edhe nga katalogu, në të cilin përfshihet ecuria e zhvillimit të pikturës së Shijakut, që nis në vitet ’50 dhe është ende e gjallë dhe natyrale në ditët e sotme.


Më 28 maj çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozita vetjake e piktorit Sali Shijaku, e para vetjake pas viteve ’90. Ajo i prezanton publikut shqiptar dhe të huaj krijimtarinë e Sali Shijakut, përmes 65 veprash nga më përfaqësueset, në teknikën e vajit dhe mikse.

Pikturat e sjella në këtë ekspozitë i takojnë koleksionit të tij në GKA dhe studios së piktorit.

Ekspozita shoqërohet edhe nga katalogu, në të cilin përfshihet ecuria e zhvillimit të pikturës së Shijakut, që nis në vitet ’50 dhe është ende e gjallë dhe natyrale në ditët e sotme.

Piktura e Sali Shijakut vjen e prezantohet në këtë ekspozitë në dy periudha, në dy qëndrime dhe në dy interpretime ndaj botës pamore.

Para viteve ‘90…

Piktori i ri, asokohe në fillim të viteve ‘50, Sali Shijaku u shfaq në mjedisin e arteve figurative shqiptare në një periudhë, kur piktura në Shqipëri ishte e lidhur me përvojat e pakta dhe të mira akademike, të sjella nga piktorët e një brezi profesionistësh pasionantë.




Sali Shijaku hyri në art me dëshirën për të përshkruar dhe tejkaluar atë akademizëm perëndimor dhe ia doli me sukses kur jetoi dhe tejkaloi edhe një akademizëm të ndryshëm, atë lindor. Në fillim të viteve ‘60 ai iu kthye atmosferës figurative shqiptare me pasionin e artistit për të ndryshuar dekadën dhe sot mendojmë se e bëri së bashku me kolegët e tij.




Pas viteve ‘90…

Piktori i pjekur, kësaj kohe, në dhjetëvjeçarin e dytë të Mileniumit III, Sali Shijaku, vazhdon të krijojë duke transformuar botën e tij të pikturës.

 Pas viteve 90, prej tri dekadash ai bën një bashkëbisedim të ndjeshëm me ngjyrat dhe mollëzat e buta të gishtave të tij.
Nisja për të pikturuar nuk ia ka shmangur subjektin, por ato janë të thjeshta, të zakonshme, i sheh në jetën e përditshme, i sheh në përralla e në historitë e treguara.

Piktori Ksenofon Dilo shkruan se artisti Sali Shijaku ka punuar një numër të madh portretesh, peizazhesh, natyrash të qeta dhe krijime të tjera, hera-herës përmes një spektri ngjyrash të ngrohta e të gëzuara.
 Ato plotësojnë karakterin dhe tiparet e veprës së tij jo vetëm si frymëzime spontane e jocerebrale të jetës, por edhe për paletën e pasur kromatike, paletë që fillon e çlirohet gradualisht nga forma të rënduara sidomos siç vërehet pas viteve ’90 e këtej, në kushte dhe atmosferë kulturore të favorshme, ku për vite të tërë jeton e punon.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 28 qershor.

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...