Masakra e Dubravës : Krimi që nuk duhet të harrohet

Masakra e Dubravës (1): Krimi që nuk duhet të harrohet (Foto ekskluzive)

Në maj të vitit 1999, ndodh një krim i planifikuar i pushtetit serb në burgun e Dubravës. Ky burg i sigurisë së lartë, gjatë luftës së fundit në Kosovë përdoret edhe nga forcat policore, ushtarake e paramilitare të Serbisë. Meqë pushteti serb kishte informata se do të bombardohet ky kompleks, nga burgjet e ndryshme të Serbisë e të Kosovës sillen të burgosurit politikë shqiptarë. Qëllimi ishte i qartë: që ata të vriten nga bombat e NATO-s dhe nga vetë forcat serbe, për të fajësuar pastaj aleancën perëndimore.

Në këtë burg do të ndodhin krimet më makabre që mund të përshkruhen më së miri me fjalët e Mustafë Kolgecit, një prej të mbijetuarve të kësaj masakre: “Nuk ka shkrimtar, nuk ka poet, nuk ka regjisor që mund të ilustrojë ato tmerre. Kishte çaste kur vdekja, krahasuar me jetën në burg, dukej shumë më e mirë”.
Skicë që ilustron krimin (19 maj 2000)

Telegrafi, sot dhe në ditët në vijim, do t’ju sjellë këto rrëfime tmerri, ku vdekja pra shihej si shpëtimi i vetëm.
Në këto rrëfime do të pasqyrohet edhe ana e errët e shqiptarëve, e bashkëpunëtorëve të Serbisë që futën shumë të burgosur në grackë që të iknin nga burgu, për çka menjëherë janë ekzekutuar nga forcat e armatosura serbe. Në këto rrëfime do të pasqyrohet mbi të gjitha vuajtja dhe forca e shqiptarit, si dhe humanizmi për të nxjerrë nën breshërinë e plumbave të plagosurit e mbetur në terrenin ku forcat serbe vranë me çka mundën mbi 100 shqiptarë.
Pamje nga burgu i Dubravës (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

Krimet ishin aq të rënda, sa që disa të burgosur kryen madje vetëvrasje duke mos përballuar rrethanat në të cilat gjendeshin. Ndaj, të burgosurit kujdeseshin për njërin-tjetrin që edhe shpirtërisht e mendërisht të jenë të fortë.
Avni Klinaku, i mbijetuar i plojës së Dubravës, thotë në një bisedë për Telegrafin: “Përveçqë kemi pa njerëz të shtrirë, të plagosur, të vrarë, kemi parë edhe të burgosur trupat të cilëve fluturonin në ajër nga bombat”. Ndërsa, se cila ishte gjendja e të plagosurve, që do të tingëllojë si një film horror, këtë mund ta kuptoni në ditët në vijim nga rrëfimi i të mbijetuarit, Frashër Shabani.
Pamje nga kompleksi i Dubravës, ku shihen gjurmët e bombardimeve 

(Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)
Sot, burgu i Dubravës është rinovuar. Ky renovim ka filluar menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë, ndaj nuk mund të vërehet më asnjë gjurmë që do të ilustronte këtë krim. Në maj të vitit 2000, ekipi i Magazinës së Ilustruar Shqiptare - “Zëri” (Agron Shala dhe Ridvan Slivova), ishin brenda këtij kompleksi, ku përmes fotografive dëshmohen rrëfimet e dëshmitarëve të mbijetuar. Këto fotografi të botuara në javoren e sipërpërmendur në vitin 2000, Telegrafi do t’ju sjell për herë në kualitet më të mirë bashkë me pjesë të tekstit të rubrikës “Dosja e hapur”. /Telegrafi/ 

RRËFIMI I SALI BYTYÇIT: BURGU I VDEKJES!
Sali Bytyçi për herë të dytë arrestohet në maj të vitit 1998. Profesori i Gjimnazit të Rahovecit, ndërpret punën e tij për t’ju bashkuar forcave të UÇK-së. Ai do të bie në pritë të forcave serbe në Gexhë dhe do të dënohet me pesë vite burg. Menjëherë pas arrestimit, Bytyçi do të jetë viktimë e maltretimeve të mëdha e të vazhdueshme fizike e psikike. Ai e përjetoi dhe mbijetoi një nga momentet më të rënda të historisë së fundit të shqiptarëve - masakrën e Dubravës.
Sali Bytyçi

“Që në muajt e parë të vuajtjes së dënimit në Burgun e Qarkut në Prizren - pas arrestimit tim për herë të dytë (herën e parë jam burgosur në dhjetor 1982), më 12 maj 1998 - kisha frika se një ditë do të më transferonin në Serbi. Çdo lëvizje në burg e prisja me drithërimë. Një ditë, më 9 shtator 1998, në kulmin e ofensivës serbe, më hipën në autobus dhe më nisën drejt veriut. Isha i sigurt se fundi i kësaj rruge do të ishte ndonjë burg i Serbisë. Një lehtësim në shpirt ndjeva kur më zbritën në burgun e Qarkut të Prishtinës në Lipjan. Këtu, jo rrallë, në prani të përgjegjësit shqiptar që na fliste serbisht, si dhe një pjese të gardianëve shqiptarë që flisnin vetëm serbisht, më rrihnin deri tri herë në ditë, ndërsa bukë na jepnin vetëm sa për ta mbajtur shpirtin. Por, megjithatë, një lehtësim e kisha, sepse ndodhesha në territorin e Kosovës”, ka thënë Bytyçi për Telegrafin.
Gjatë qëndrimit të tij në Lipjan, një pjesë e të burgosurve nga ky burg u transferuan në Serbi, ndërsa Bytyçi prapë kishte “fatin e mirë” që nuk e dërguan jashtë Kosovës. Por, një ditë, në kohën e bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore dhe ushtarake serbe, më 30 prill 1999, atë dhe shokët e tij i hipin në autobusë për t’i dërguar diku tjetër.
NGA LIPJANI NË DUBRAVË
“Gjatë gjithë kohës kisha parandjenjën se udhëtonim drejt Vranjës. Ngaqë nuk guxonim të ngrinim kokën dhe të shihnim, më dukej se vazhdimisht shkonim drejt lindjes. Edhe kur arritëm në një vend dhe një ushtarak serb e ndali autobusin e i përshëndeti gardianët me ‘Ovde malishevski Korpus’ dhe ‘Kako ste braqa’ (‘Këtu Korpusi i Malishevës’ dhe ‘Si jeni vëllezër’), më shkoi mendja se ishim në Malishevë të Gjilanit. Ngaqë isha afër derës, dëgjova oficerin serb të pyeste udhëheqësin e autobusit: ‘A ka ndonjë për t’u therur?’. Ai ia ktheu se nuk kishte nevojë, se të gjithë janë për t’u therur kur të arrijnë në destinacion. Unë këtë e mora vetëm si një shfryrje të mllefit të tyre në këtë situatë”.
Pas arritjes në “destinacion”, në burgun e Dubravës, të burgosurit që në fillim u “mirëpritën” me dajak. Por, përkundër kësaj dhune, atë që e mbante të fortë Bytyçin ishte sërish qëndrimi në vendin e tij.
“Na dhanë dajak që përfundoi tek kur u lodhën policët dhe gardianët serbë. Pas gjysmë ore, pasi u vendosëm në pavijon, e kuptuam se ishim në Dubravë, pra në Kosovë e jo në Serbi. Kisha dhembje të madhe në gjoks, sepse më kishin goditur rënd me këpucë, por fakti se ishim në vendin tonë sikur më jepte forcë për të përballuar dhimbjen. Po të njëjtën ditë me ne i kishin sjellë këtu edhe të burgosurit nga burgu i Mitrovicës së Sremit dhe ai i Nishit. Shumica prej tyre e kishin nga një fashë në fytyrë apo në kokë, pasi një kamion ushtarak, një ditë më parë në Carrallukë, u kishte dalë para dhe avionët e kishin goditur. Ushtarët serbë nëpër autobusë, që t’i vrisnin, por përgjegjësi u ishte lutur duke thënë se ishin nën përgjegjësinë e tij. Në shenjë hakmarrjeje, ushtarët të burgosurve ua kishin bërë nga një prerje në fytyrë dhe në kokë”.
Kthimi në Dubravë u bë pasi Ministria e Drejtësisë së Serbisë, përmes një komunikate dhënë mjeteve të informimit, kishte urdhëruar masa të jashtëzakonshme në të gjitha burgjet e Serbisë dhe të Kosovës ndaj të burgosurve shqiptarë. Në këtë urdhëresë nuk specifikoheshin masat, por të gjithë pasojat e saj ranë mbi lëkurën e të burgosurve.
SKENARI MORBID
“Gjatë kësaj kohe maltretimet u intensifikuan, duke u përdorur të gjitha mjetet kundër të burgosurve shqiptarë, prej shqelmave, grushteve e shkopinjve, e deri te shufrat e metalit. Në këto masa hyn edhe kthimi në Dubravë”.
Sistemimi i të burgosurve në burgun e Dubravës, gjatë kohës së bombardimeve, hyn në skenarin morbid serb për t’i eliminuar të burgosurit politikë shqiptarë.
“Vetëm në një radhë të pavijoneve, Lindje-Perëndim, janë të vendosura pesë pavijone. Në jug është pavijoni ‘I pritjes’, ku vendosen përkohësisht të burgosurit, të cilët pastaj sistemohen nëpër pavijone tjera. Në radhën e pavijoneve Lindje-Perëndim, të burgosurit u vendosën në pavijonin e parë, C-ja si e quanin; në pavijonin e tretë, B-ja; dhe në pavijonin e pestë, A-ja. Një plot, një i zbrazët. Pastaj, në jug, të burgosurit u vendosën në pavijonin ‘E pritjes’ (këtu ishte grupi i robërve nga Gjakova, që u sollën në Dubravë nga mesi i majit 1999, i cili numëronte rreth 155 veta). Në mes të këtyre pavijoneve dhe atij të ‘Pritjes’, janë: Kuzhina, Shtëpia e Kulturës, Salla e Sportit etj. Jashtë mureve ka edhe godina të tjera: Drejtoria, Ngrohtorja etj., që do të thotë se është një kompleks i tërë ndërtesash. Nga të tri pavijonet Lindje-Perëndim, C-ja ishte pavijon i tipit të mbyllur, B-ja gjysmë i mbyllur (dy herë në ditë të burgosurit nga ky pavijon ushqeheshin në Kuzhinën që ishte nën pavijon), A-ja ishte e tipit ‘të lirë’. Të burgosurit e këtij pavijoni punonin brenda mureve të burgut: kositnin barë, punonin në Kuzhinë, si dhe punë të tjera. Në këtë kohë numri i të burgosurve të ardhur nga burgjet e tjera arriti në rreth 1000 sish”.
Të burgosurit e kthyer në Dubravë jo njëherë pyesnin veten apo njëri-tjetrin se përse i kishin sjellë këtu. Këtë pyetje ia kishin bërë edhe Bytyçit.
“Më pyesnin duke menduar se njeriu që ka pak shkollë, duhet të dijë diçka për këtë. Por, unë, për t’jua larguar atyre frikën, po edhe vetes, u përgjigjesha se sigurisht kthimi këtu është për të mirën tonë. Shkurt, kur të largohen trupat serbe nga Kosova, të mos na kenë barrë në Serbi. Ndoshta këtij varianti i kam besuar më shumë unë, sesa ata që pyesnin”.
BOMBARDIMI I PARË
Më 16 maj, ditë e diel, “u lëshua” nga burgu i Dubravës Ukshin Hoti. Tri ditë më vonë, më 19 maj pasdite, aeroplanët e NATO-s bombarduan së pari pavijonin C, pas pak edhe pavijonin e dytë me radhë i cili ishte i zbrazur. Me këtë rast, në pavijonin C mbetën të vrarë tre veta (Enver Topalli, Abdullah Tahiri e Gjokë Ndrecaj), ndërsa disa të tjerë u plagosën.
“Nga frika se do të vinin prapë aeroplanët dhe do të bombardonin edhe pavijonin e tretë në vazhdim, B-në, ku isha edhe unë, të burgosurit u ngritën dhe me ndihmën edhe të të burgosurve nga pavijoni A, që ishin të lirë në hapësirat e burgut (në mesin e të cilëve dallohej një i burgosur me ngjyrë, të cilit i rridhnin djersët çurg, ngase u mëshonte hekurave sa të mundte me kazmë), i thyen dyert e burgut dhe dolëm në oborr. Në momentin sa po dilnim, Sherifi (Ilazi) më tha: ‘Tashti në mal, a?’. I thashë mos të tentonte, se nuk kishte shpëtim. Pasi kaloi vala e bombardimeve, me urdhër të gardianëve të armatosur, në mesin e të cilëve tani hynë edhe të burgosur ordinerë serbë, u kthyem në pavijone. Prej këtij momenti, pasi njëherë hanim në Kuzhinë, racionin e dytë - buka pa asgjë - na jepej me vete”.
Porta e burgut të Dubravës (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

Në bombardimin e dytë të NATO-s, viktimat u shtuan në numër.
“Kur filloi bombardimi i burgut, më 19 maj, po më shumë kur vazhdoi më 21, më shkoi mendja për keq: serbët, pasi ranë viktimat e para, do ta vazhdonin me viktima të tjera, duke i arsyetuar me bombardimin e NATO-s. Kjo as mua nuk më pëlqente të ndodhte, po as nuk mund ta shfaqja këtë mendim para të tjerëve, se edhe ashtu kisha vendosur që asnjë mendim të ligë që më vinte në kokë mos t’ua thosha të tjerëve”.
21 maji ishte ditë me diell, nga ditët më të kthjellëta të asaj pranvere. Pasi nuk kishte fjetur mirë, Bytyçi ishte zgjuar pak më herët.
“I zgjova edhe shokët tjerë. Qemajlit (Qemajl Bytyçi, 1964, djalë i xhaxhait, inxhinier i bujqësisë, u vra më 22 maj nga serbët), të cilit gjersa po flinte i kishte rënë një nur i veçantë në fytyrë, i thash të zgjohej nga gjumi dhe të dilte në natyrë, sepse kishte kaluar më shumë se 12 muaj që nuk i kishim shijuar rrezet e diellit, të lirë, sikur këto dy ditë. Gjatë natës, që e kisha kaluar i vetëm në katin e dytë, në sallë të ngrënies kisha dëgjuar lëvizje të forcave serbe nga jugu në veri. Shokëve iu thashë në mëngjes se, siç po shihet, serbët janë në tërheqje e sipër. Por, aty nga ora 10 e ditës, kur shumica e të burgosurve ishin në hapësirat përreth Kuzhinës, ia arritën aeroplanët dhe filluan bombardimin, në fillim jashtë mureve”.
VIKTIMAT E BOMBARDIMIT TË DHE SPIUNËT
Nga forca e projektilëve që godisnin Ngrohtoren, në fillim ngrihej një si kërpudhë e pastaj përhapej pluhuri, dheu e copat e tjegullave të cilat binin mbi kokët e të burgosurve.
Pamje nga hyrja e kompleksit të Dubravës (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

“U bëmë të gjithë të kuq nga pluhuri. Në fakt, ndjeja një disponim të pashpjegueshëm nga goditjet e fuqishme të avionëve... Por, për një çast erdhën tre të tjerë dhe krisma e tyre ishte më e madhe. Unë kam vënë xhaketën mbi kokë dhe jam shtrirë përdhe. Në këtë kohë, sikur më qeshej me goditjet e avionëve, por kur e ngrita kokën pash se një pjesë e metalit që ishte shkëputur nga pullazi i Kuzhinës e kishte prerë në fyt, si me zhilet, shokun nga Suhareka me të cilin po bisedoja deri para dy-tre minutave. Ai po dridhej në minutat e fundit të jetës... Tashti e pash se nuk ishte momenti për të qeshur. Nga tmerri, instinktivisht, të gjithë sa ishim aty bëmë një lëvizje në drejtim të lindjes, gjatë së cilës pash edhe një person me organe të trupit jashtë (në mes të barkut dhe këmbëve); tjetrin të sakatuar; një tjetër që po bërtiste sa po mundej; të plagosur në këmbë... Edhe në këtë vend vazhduan të binin viktima të tjera nga bombardimi, ndaj të gjithë të burgosurit u tërhoqën krejt në lindje, në Fushën e Sportit. Nga kjo lëvizje, po edhe nga bombardimi me projektilë të intensitetit më të vogël dhe më precizë, të burgosurit i ikën vdekjes, edhe pse bombardimet vazhduan deri në mbrëmje”.
Bytyçi tregon për një situatë aspak të këndshme, se si në mesin e tyre kishin edhe bashkëpunëtorë të Serbisë, që tentonin t’i bindnin shqiptarët të iknin... drejtë vdekjes!
“Në Fushën e Sportit, pasi ishim më larg nga rreziku, disa herë më shkrepi mendimi se kur të pushonin avionët, do të vazhdonin serbët. Por, këtë mendim sikur ma zbuti ca një fakt: gjatë kohës së bombardimeve, nga dalja që ishte krijuar në murin verior, një shok i dhomës, Qamil Thaçi nga Llapushniku, vetë i treti apo i katërti, në kulmin e bombardimeve kishin mësyrë të iknin. Atyre u kishte prirë një Arsim, i burgosur ordiner, me të cilin për një kohë kishte qenë në një dhomë në Lipjan. Aty nga ora 15, Arsimi u kthye, por jo nga e çara nga kishte dalë, po nga dera që ishte në jug. Unë nga kureshtja iu afrova dhe e pyeta se si ndodhi që u kthye. Ai më tha se kishte arritur të ikte deri në Gjurakoc, po e kishin zënë trupat serbe, të cilat ishin të shumta, dhe e kishin kthyer në burg. Për shokët nuk dinte asgjë. ‘Në mesin e atyre që më zunë, kishte qëlluar edhe një serb i Rahovecit, i cili më tha se ‘edhe ne njerëz jemi - nuk hamë njerëz’. Nga rrëfimi i Arsimi sikur më lindi një fije shpresë se, derisa nuk e kishin vrarë atë në fushë të hapur, nuk do të na vrisnin as ne që ishim në burg”.
MASAKRA...
Bombardimi i pavijoneve përfundoi rreth orës tetë të mbrëmjes. Ngase pavijonet u demoluan nga bombardimi, por edhe më shumë nga frika se do të vazhdohej bombardimi edhe natën e 21 majit 1999, të burgosurit vendosën ta bëjmë “gjumin” në qiellin e hapur, në Fushën e Sportit.
Puseta ku strehoheshin të burgosurit e ku forcat serbe hidhnin bomba dore 

(Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)
“Edhe gjatë natës përmbi Dubravë vazhduan fluturimet e avionëve, po më nuk ndodhi asnjë bombardim. Disa të burgosur, sikur ndodhi edhe gjatë ditës kur bombardohej burgu, tentuan të iknin, pasi edhe në mur ishte krijuar një e çarë e hapur (për të cilën nuk di kush se si ndodhi që të hapej, ndoshta nga vet Ushtria serbe që ishte përreth murit). Kam dëgjuar njëherë gjatë natës britmat ushtarëve serbë që ishin jashtë murit: ‘Stoj’ (Ndal), pastaj rafalin e plumbave dhe në fund “Sad pobegaj” (Tash ikë)! Ndërkaq edhe mbi pjesën ku ishin të burgosurit është hedhur një bombë, por pa u shkaktuar ndonjë viktimë”.
22 maji ishte dita e masakrës në burgun e Dubravës, gjendje tmerri, frike, por edhe force.
“Të nesërmen në mëngjes, më 22 maj, të burgosurit - shumica prej të cilëve nuk kishin vënë gjumë në sy - janë zgjuar. Ndonjë që ka pasur ndonjë gjë për të ngrënë e ka ngrënë, kanë bërë ndonjë bisedë, derisa një gardian me trup mesatar ka dalë në karakoll dhe është drejtuar në gjuhën serbe: ‘Dëgjoni, këtu më nuk ka kushte për të jetuar. Mblidhni plaçkat, rreshtohuni për katër, se do t’ju dërgojmë në Kapedom në Nish’. Të burgosurit i kanë mbledhur plaçkat ashtu si ishin, të lodhur. Ndonjë edhe ka menduar se si po rreshtoheshin në anën e kundërt ku ishte porta nga kishin hyrë në atë burg. Ndonjë tjetër ka menduar për maltretimet çnjerëzore që do t’i prisnin në Burgun e Nishit, ndërkohë që kanë filluar krismat e llojeve të ndryshme, të cilat, po të krahasoheshin me ato të avionëve të NATO-s që të çanin veshët, dukeshin se po vinin nga ndonjë armë lodre. Në ato minuta të qitjes viktimat ishin të mëdha, sepse zjarri i tyre ishte i koncentruar drejt në trupat e njerëzve të gjallë”.
TMERRI...
Këtu u takua mishi me zjarrin, barotin dhe hekurin. Për disa minuta mbi trupat e të burgosurve kanë rënë plumba armësh automatike, bomba dhe granata dore.
Hyrja e pavijonit C (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

“Mua, pasi isha në rreshtin e katërt, më ranë përmbi tre rreshtat e parë. Mbi grumbullin e trupave që ishin mbi mua ranë edhe dy bomba apo granata dore, ndërsa britmat e të gjymtuarve e çanin qiellin. Gjatë kësaj kohe për jetë a vdekje, jam tërhequr nga trupat dhe kam marrë vrapin deri në Sallën e Sportit. Një pjesë e të burgosurve mbetën në vend; të tjerë në mes të rrugës e disa arritën të largoheshin. Ndërkaq, ata që nuk u plagosën, ikën tani në skajin tjetër në jug, edhe më larg nga ku një ditë më parë ishin larguar nga bombardimi. Pas një pushimi të shkurtër, ata që ishin më të shkathtë u kthyen në fushën e krimit dhe i ndihmuan shokët e plagosur. Pjesa më e madhe u strehua në bodrumin e Kuzhinës, e të tjerët në ndonjë pavijon. Një pjesë janë futur edhe nëpër kanalizime të burgut. Unë isha në bodrumin e Kuzhinës, kur mora vesh se Qemajli, i cili ishte në rresht afër meje, kishte mbetur i vrarë në vend”.
Në mbrëmje, persona të uniformuar janë futur në hapësirat e burgut. Ata, kur e kanë hasur ndonjë të burgosur jashtë pavijoneve, e kanë vrarë në vend. Pastaj, të tjerëve, duke e ditur se janë futur në kanalizim (puseta), u kanë hedhur bomba brenda, duke i vrarë disa prej tyre. Gjatë natës ndonjë ka rrezikuar të ikte nga burgu, pasi në të dyja anët e murit, në veri dhe në jug, kishte mundësi daljeje.
Rrobat e viktimave të paidentifikuara të burgut (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

“Ditën tjetër, më 23 maj, në hapësirat e burgut kanë hyrë shumë trupa ushtarake dhe gardianë, të armatosur me armë automatike, po edhe me armë të rënda, të cilët pasi i kanë vrarë disa dhjetëra të burgosur nëpër vende të ndryshme, pastaj kanë dhënë urdhër, me megafonë, që të burgosurit të dalin nga bodrumi i Kuzhinës dhe nga vendet tjera ku ishin fshehur. Të burgosurit, duke e ditur se do të pushkatohen, në fillim kanë kundërshtuar. Por, pasi serbët i gjuajtën dy-tri bomba në bodrum, u dorëzuam: iu bindëm urdhrit të dalim. U bëmë dy nga dy dhe u nisëm në drejtim të Sallës së Sportit. Përskaj nesh qëndronin të rreshtuar trupat serbe të armatosura deri në dhëmbë. Kështu i kanë mbledhur edhe të burgosurit nga pavijonet tjera, dhe i kanë grumbulluar në Sallën e Sportit. Gjatë kësaj kohe ka fluturuar ndonjë avion përmbi Dubravë, por nuk ka pasur bombardime”.
DUKE PRITUR...
Në Sallën e Sportit, me të burgosurit ka qëndruar një gardian i maskuar dhe një ushtar i pamaskuar. Gjatë kësaj kohe, disaorëshe, të burgosurve brenda u është sjellë ujë, ndërsa jashtë është bërë numërimi i të vrarëve e i të plagosurve. Në hapësirat u Dubravës nuk kishte vend që nuk kishte të vrarë, ndërsa e gjithë koha sa ishin në sallë i ngjante pritjes dhe ankthit... Të dyja palët ishin në pritje.
Hyrja e pavijonit C1 (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

“Të burgosurit shqiptarë prisnin që të masakroheshin, si shokët e tyre gjatë mëngjesit të kësaj dite dhe të një dite më parë, ndërsa të uniformuarit serbë pritnin të vrisnin, siç kishin vrarë. Kjo varej nga komanda që do të vinte nga lart, sepse po të varej nga njerëzit e uniformuar, ata do ta kryenin punën menjëherë”.
Pas disa orësh pritjeje (gjatë numërimit flitej për më tepër se 100 të vrarë dhe shumë të plagosur), një gardian tha se çdo gjë ka përfunduar. Të burgosurve, për t’u relaksuar, u është shpërndarë cigare “Partner”. “Ka qenë çka ka qenë”, është shprehur gardiani, “tani e prapa jeni të lirë. Hani çka të gjeni, gjenduni si të mundni, vetëm mos u afroheni afër mureve”.
“Të nesërmen, 24 maj, në kohën që po dilnim, te dera e burgut e pash një grumbull trupash të pajetë të të burgosurve që kishin tentuar të iknin nga ana tjetër, veriore, por gjatë natës edhe nga dera jugore. Më theri në shpirt kur në mesin e tyre pashë trupin e Qamilit nga Llapushniku, me të cilin kishim qenë një kohë në një dhomë në Lipjan. Me autobusë për të aftët dhe me kamionë për të plagosurit, të burgosurit e Dubravës, të cilët u detyruan t’i hidhnin të gjitha plaçkat dhe të merrnin vetëm ato të trupit, u transferuan në Burgun e Qarkut të Prishtinës në Lipjan, ku u pritën me maltretimet më çnjerëzore në sy të drejtorit të këtij burgu, Lubomir Çimburoviq, i cili tani i kishte të veshura rrobat ushtarake”. /Elfije Boletini/Ridvan Slivova/Telegrafi/

DOSJA E HAPUR - BURGU I DUBRAVËS (botuar më 19 maj të vitit 2000, në javoren “Zëri”)
EDHE NJË TIVAR(R)
Në masakrën e Dubravës, përpos konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe rregullave të luftës, Serbia ka shkelur edhe dispozitat e ligjeve të saja. Për faktin se karakteri i Shtëpisë Ndëshkuese - korrektuese është risocializimi e jo viktimizimi i të burgosurve. Të burgosurit edhe gjatë luftës duhet të jenë nën mbikëqyrjen e shtetit, pasi që trajtohen si popullatë e pambrojtur civile. Por, në Dubravë të burgosurit u shndërruan në viktima të mllefit dhe të politikës serbe.
AGRON SHALA
Burgu i Dubravës, apo Shtëpia Ndëshkuese-korrektuese e Dubravës ishte më i madhi kompleks i këtij lloji në Kosovë. Madje, thuhej se ishte edhe më moderni në Evropë, që plotësonte të gjitha kushtet për risocializimin e të burgosurve. Ky objekt ndoshta edhe do ta kishte këtë karakter, sikur të mos shfrytëzohej nga serbët për qëllime krejtësisht tjera - për viktimizimin e shqiptarëve.
DUBRAVA DHE TIVARI
Ndërmjet masakrës së Tivarit (prill 1945) dhe asaj të Dubravës mund të tërhiqet një paralele. Në rastin e parë, për të minimizuar faktorin ushtarak në Kosovë (kinse për të marrë pjesë në luftën e Sremit), nga Kosova në drejtim të panjohur, për të përfunduar në Tivar, dërgohen dhe ekzekutohen mbi katërmijë shqiptarë. Qëllimi i kësaj masakre ishte fshehja e gjurmëve të krimit, në një vend larg Kosove. Natyrisht, në masakrën e Dubravës numri i viktimave ishte shumë më i vogël. Mirëpo, kthimi i të burgosurve nga Serbia në Dubravë kishte të njëjtin qëllim: ekzekutimi i të burgosurve dhe fshehja e krimit. Pra, serbët ishin të vetëdijshëm se kurdoherë duhet të përgjigjen për fatin e qindra e mijëra të burgosurve shqiptarë, që dihej se atë kohë mbaheshin në burgjet serbe. Mu për këtë, organet serbe i ekstradojnë të burgosurit në Kosovë (ndoshta nga informacionet që kanë se do të sulmohet ky burg), për t’i vrarë dhe për t’ua veshur fajin e krimit forcave të NATO-s.
Dyert e thyera nga të burgosurit në pavijonin e bombarduar 

(Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)
Sipas burimeve të huaja, të gazetave dhe organizatave të ndryshme botërore, në orën 1 e 15 minuta të 19 majit ndodh sulmi i parë i NATO-s - siç thuhej nga zyrtarët e NATO-s atëherë, mbi forcat policore dhe ushtarake në burgun e Dubravës. Gjatë këtij sulmi vriten katër civilë, tre të burgosur dhe një gardian, ndërsa lëndohen dy të tjerë. Sulmin mbi këtë objekt, propaganda serbe - në krye me Tanjugun - tenton ta shfrytëzojë për qëllime të veta: për ta akuzuar NATO-n për të gjitha viktimat e Dubravës. Atë kohë Tanjugu raporton se “ka frikë nga rritja e paparashikuar e viktimave”. Kjo është deklarata e parë që i paraprin rritjes drastike të viktima në Dubravë.
Në sulmin e dytë të NATO-s mbi burgun e Dubravës, rreth orës 8:10-10:25 të 21 majit, vriten 19 të burgosur dhe shumë të tjerë lëndohen. Qeveria “jugosllave” raporton për 19 të vrarë në Shtëpinë Korrektuese të Dubravës dhe për më shumë se dhjetë të lënduar “lehtë e rënd”. Ata raportojnë për 24 projektilë të hedhur që shkaktojnë “dëme të mëdha tek shumica e objekteve të Shtëpisë Korrektuese”. Ndërkaq, më 25 maj shtypi “jugosllav”, duke cituar Tanjugun, raporton se “në bombardimet disaditëshe në Shtëpinë Korrektuese të Istogut, rreth 100 të burgosur vdesin dhe 200 të tjerë lëndohen”. Këtë deklaratë Tanjugu e lëshon dy ditë pasi që në burgun e Dubravës forcat serbe ekzekutojnë mbi 100 të burgosur. Pra, kjo është edhe një dëshmi se regjimi serb bombardimet e NATO-s i ka shfrytëzuar për qëllime të veta.
TANJUGU MASAKRËN IA VESH NATO-s
Më 27 maj Tanjugu citon Vladan Bojiqin, gjykatës në Gjyqin e Qarkut të Pejës, që thotë se 96 kufoma janë tërhequr nga gërmadhat dhe se 40 të lënduar tjerë janë në gjendje shumë të rëndë. Më 29 maj qeveria “jugosllave” deklaron se “numri i viktimave në Shtëpinë Korrektuese të Istogut po shtohet. Nga 196 sa janë lënduar në bombardimin vandal mbi këtë institut, tre kanë vdekur dhe shtatë të tjerë janë tërhequr nga shkatërrimet. Kërkimi i të vdekurve ende po vazhdon”. Më 30 maj Tanjugu raporton edhe për shtatë trupa të tjerë të gjetur të vdekur, duke e sjellë numrin e përgjithshëm të të vdekurve në 93.
Dhomë ku rrinin të burgosurit shqiptarë (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

Këto ishin versionet serbe për viktimat e Dubravës, që të vetmet atë kohë kishin qasje në këtë burg. Në të gjitha raportimet që i jep Tanjugu, asnjëherë nuk pranohet përgjegjësia për masakrën e më shumë se 100 të burgosurve. Natyrisht, ngase kjo masakër ishte e planifikuar për të eliminuar një numër të madh shqiptarësh dhe për të njollosur misionin e bombardimeve të NATO-s. Në këtë kontekst nuk duhet harruar se më shumë se 100 të burgosur të Dubravës ishin joshqiptarë dhe çuditërisht, të gjithë ata u shpëtuan bombardimeve të NATO-s.
Mirëpo, këto deklarata, menjëherë pas tërheqjes së forcave serbe, bien ndesh me realitetin. Human Rights Watch, në një raport të saj, konsideron se forcat “jugosllave” janë përgjegjëse për shkaktimin e vdekjeve më të mëdha që ndodhën pas bombardimeve. Në bazë të hulumtimeve të pavarura nga kjo organizatë, shumica e të cilave janë bërë në bazë të rrëfimeve të dëshmitarëve, të burgosurit janë rreshtuar pranë mureve të Shtëpisë korrektuese pas sulmit të 21 majit. Pas këtij rreshtimi, sipas tyre, ka pasuar ekzekutimi dhe vrasja e më shumë se 80 vetave.
Dyert e thyera nga të burgosurit në pavijonin e bombarduar (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)
Në një version të sajin, që bie ndesh me deklaratat se të gjithë të burgosurit shqiptarë janë vrarë nga bombardimet e NATO-s, Qeveria “jugosllave” arsyetohet se shumica e të burgosurve kanë tentuar të ikin gjatë bombardimeve dhe se gardianët janë përleshur me ta. Pra, sipas këtij versioni ndodh që një numër i të burgosurve janë vrarë pasi që gardianët “mbanin rregull”. Mirëpo, e vërteta, në bazë të raportit të Human Wright Watch dhe dëshmitarëve, është se qindra të burgosur rreshtohen në fushën sportive të burgut. Pas disa minutave mbi ta fillojnë të shtënat me granata nga muret dhe karakollët e burgut, që vrasin së paku 70 të burgosur. Ndërsa, në 24 orët e ardhshme, rojet e burgut, forcat policore dhe paramilitarët sulmojnë të burgosurit që janë fshehur në pjesët e padëmtuara të burgut, në bodrume dhe puseta kanalizimi, duke vrarë kështu edhe 20 të tjerë.
NATO DUBRAVËN E KONSIDERON CAK LEGJITIM TË SULMIT
Gazetarët e huaj që vizitojnë Burgun e Dubravës më 21 maj raportojnë se kanë parë të vdekurit në rresht për 10 apo 20. Ndërkaq, në një vizite tjetër pas ekzekutimit të 22 majit, Jacky Rowland, gazetar i BBC-së, në një raportim të tij thotë se nuk e ka të qartë se si të gjitha ato viktima kanë vdekur: “...Na thanë se ata kanë vdekur prej të premtes e deri të dielën. Por, nuk ishte e qartë se si të gjithë ata e gjetën vdekjen, si dhe pse të gjithë ata ishin në një dhomë relativisht të padëmtuar”.
Washington Post, menjëherë pas hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, në një artikull për Dubravën, shkruan: “Vizitat e pasluftës në burg, nga gazetarët, dëshmojnë se të burgosurit janë vrarë pas bombardimeve”.
Pjesa e jashtme e pavijonit B3 të bombarduar nga NATO (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)
Pra, versionet e gazetarëve serbë edhe këtë herë nuk arritën të bindin opinionin e huaj. Mirëpo, ende mbeten të paqarta shkaqet, arsyet që kanë shtyrë NATO-n të bombardojë dy herë burgun e Dubravës. Atë kohë, më 21 maj, në konferencat e rregullta për shtyp, zyrtarët e NATO-s deklarojnë se kanë bombarduar “në afërsi të burgut, në Istog, barakat dhe objektet e Policisë dhe të Ushtrisë ‘jugosllave’ që kanë bërë spastrimin etnik të popullatës së Kosovës”. Më 22 maj, zëdhënësi i NATO-s, koloneli Conrad Freytag, thotë se burgu ishte në listën e goditjeve si “burg i pabanuar, me fushë ajrore dhe pajisje ushtarake të përdorura nga forcat militare, forcat tokësore serbe dhe Policia speciale”. Ai thotë se NATO-ja ka bombarduar një “kompleks të gjerë” dy herë më parë dhe se “ka shkaktuar dëme të mëdha”.
Edhe para bombardimeve të NATO-s, sipas dëshmive të shqiptarëve, shumë forca serbe të angazhuara në sulme kundër civilëve ishin të vendosura në burgun e Dubravës. Këto forca kishin edhe helikopterë në dispozicion. Edhe KDOM-i atë kohë ka vërejtur se aksesi në rrugët drejt burgut, shumë lehtë mund të përdoret si zonë aterruese. Sipas burimeve shqiptare, në burgun e Dubravës ishin të dislokuara forcat paramilitare speciale të kriminelit Frenki. Kjo edhe ishte arsyeja pse serbët largojnë nga ky burg pjesën më të madhe të të burgosurve.
DUBRAVA - BAZA MË E FORTË SERBE NË DUKAGJIN
Para bombardimeve, shumica e të burgosurve shqiptarë nga ky burg, si dhe shumë burgje tjera të Kosovës, barten në burgjet e Serbisë. Mirëpo, prej prillit 1999 bëhet ekstradimi i tyre në burgun e Dubravës. Kjo si duket bëhet me qëllim të caktuar, pasi që burimet e NATO-s ishin të informuara për shfrytëzimin e burgut nga Ushtria, Policia dhe paramilitarët serbë. Në burg vendosen paramilitarët e Frenkit, por edhe “Tigrat” e Arkanit dhe forcat e rregullta ushtarake dhe policore.
Pamje nga burgu, pavijonet e bombarduara dhe Fusha e Sportit ku u krye masakra 
(Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

Dubrava ishte një prej bazave më të forta serbe në Rrafshin e Dukagjinit, prej nga do të komandohen, siç thonë disa burime, rreth 30 mijë ushtarë. Pra, pikërisht këto ishin arsyet pse numri i të burgosurve prej 254 vetash, sa ishin deri më 24 mars, shtohet në 950 të burgosur politikë, ordinerë, por edhe të kidnapuar në mënyrë arbitrare.
Më 19 maj kryhet bombardimi i parë i NATO-s mbi Dubravë. Por, mbetet ende e paqartë e dhëna se si objektet e komandës, para bombardimeve, zbrazen nga serbët. Nga kjo lind dyshimi mos forcat serbe në Dubravë kanë pasur ndonjë pikë përgjimi. Goditja mbi burgun e Dubravës (njëri prej 12 goditjeve të NATO-s që u shfrytëzuan nga propaganda serbe për shkak të viktimave të padëshiruara në civilë), ishte një prej temave që u ka shkaktuar kokëçarje të mëdha zyrtarëve të NATO-s në Bruksel. Atë kohë, pyetja kryesore që u shtrohej zëdhënësve ushtarakë të NATO-s ishte se a ka ditur shërbimi informativ i Aleancës për të burgosurit shqiptarë në burg.
E vetmja fotografi, e cila është përdorur gjatë asaj kohe në konferencat për shtyp, ishte një incizim i marrë nga televizioni serb, sipas të cilit kishin pësuar edhe disa të burgosur. Në NATO ishte e pamundur të sqarohet se si ka ndodhur që të pësojnë ata. Në konferencat për shtyp të zyrtarëve të NATO-s nuk jepeshin sqarime se a ka ditur NATO-ja apo jo për të burgosurit shqiptarë. Koloneli Freytag as sot nuk jep sqarime përkitazi me këtë problem. “Ne kemi goditur një kompleks ushtarak, ashtu siç kemi thënë edhe para një viti”, i ka thënë ai javores “Zëri”.
EKZEKUTIMI BËHET PRANË FUSHAVE TË SPORTIT
Në anën tjetër, mbetet ende e paqartë mos depërtimi i informacioneve nga Kosova për ekstradimin e të burgosurve shqiptarë në Dubravë. Në një intervistë për javoren “Zëri”, Ramush Haradinaj, ish-komandant i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, për bashkëpunimin dhe këmbimin e informatave mes UÇK-së dhe NATO-s, thotë: “Ka pasur bashkëpunim teknik, por kjo nuk ishte lidhje direkte... Informimi i pikave për sulm është bërë përmes mediumeve, përmes raporteve që janë dhënë atëherë”. Pra, faktorët e UÇK-së nuk kanë pasur mundësi direkte të komunikimit me autoritetet e NATO-s. Mirëpo, këtë herë informatat e mediumeve, që thuhet se i kanë shfrytëzuar edhe analistët ushtarakë të NATO-s, nuk arritën të depërtojnë tek autoritetet e NATO-s.
Gjurmët e armëve të përdorura nga serbët ndaj të burgosurve gjatë masakrës së 22 majit 1999. Aty shihet edhe karakolli nga gjuanin serbët në Fushën e Sportit 

(Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)
Nga bombardimet e NATO-s në mbi burgun e Dubravës vriten 24 të burgosur. Vdekja e tyre vjen si rezultat i lëndimeve nga pjesët e rrënuara të ndërtesës, por edhe nga gjakderdhja. Mirëpo, numri më i madh i vdekjeve shkaktohet më 22 maj, pas ekzekutimit masiv që forcat serbe e bëjnë tek të burgosurit shqiptarë.
Më 22 maj, në ora 5 e 40, komandanti i burgut ka urdhëruar të dalin të burgosurit në fushën sportive. Ata urdhërohen të radhiten në rreshta dhe pastaj mbi ta fillojnë të shtënat nga predhat, plumbat dhe bombat e dorës. Sipas dëshmitarëve - sipas të dhënave me të cilat disponon NKMDLNJ e Istogut - aty vriten 130 veta. “Në fushën e sportit vriten 130 veta. Por, ky numër nga pasojat e lëndimeve rritet”, thotë Ejup Kameraj, kryetar i Këshillit. Mirëpo, ç’është e vërteta, rrallëkush nga të burgosurit e din numrin e saktë të të vrarëve gjatë këtij ekzekutimi. Blerim Krasniqi (1977) në një dëshmi të tij thotë: “Na kanë ftuar të dalim jashtë fushës ku kemi fjetur dy netët e fundit. Na kanë thënë se për shkak të sigurisë do të na transferojnë në burgun e Nishit. Pas urdhrit që dha komandiri Aca, papritmas filluan gjuajtjet me armë zjarri, me bomba dore, minahedhës etj. Nga këto sulme u vranë 70 të burgosur shqiptarë...”. Ndërsa, sipas një dëshmie tjetër të Musa Krasniqit, gjatë këtij ekzekutimi vriten 110 veta. Enver Hashani, në një rrëfim të publikuar kohë më parë në javoren “Zëri”, thotë se numri i të ekzekutuarve ishte 130.
NGA DUBRAVA LARGOHEN 650 TË BURGOSUR
Ekzekutimi i të burgosurve bëhet nga largësia 15-20 metra. Këtë e dëshmon edhe raporti i ekspertëve të patologjisë spanjolle, që bën ekshumimin e kufomave të masakrës së Dubravës. Ndërkaq, në puseta të kanalizimit ekzekutimi bëhet në afërsitë prej 1-2 metra. Numri i përgjithshëm i të vrarëve në Dubravë, sipas Ejup Kamerajt, është 170. Mirëpo, sipas një dëshmie tjetër, ndoshta më e sakta nga gjithë të tjerat (e Bajrush Xhemajlit, dëshmitari i masakrës së Dubravës), numri i përgjithshëm i të vrarëve është 120.
Shufrat që të burgosurit i përdornin për mbrojtje (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

Bartja e të burgosurve nga Dubrava në Lipjan bëhet me tetë autobusë dhe katër kamionë të vegjël për të plagosurit. Sipas dëshmitarëve, në secilin autobus ishin nga 80 të burgosur, ndërsa në kamion nga 10 të plagosur. Pra, numri i përgjithshëm i të burgosurve të gjallë ishte 640. Në punktin e fundit nga Istogu, një i burgosur dëgjon një serb tek thotë se 650 veta shkojnë në Lipjan. Pra, numri i atyre që i shpëtuan masakrës ishte rreth 650. Ndërsa, nëse nga numri i përgjithshëm prej 950 të burgosurve sa ishin në fillim të bombardimeve, afro 800 thuhet se ishin shqiptarë, numri i të vrarëve në Dubravë arrin shifrën prej 150 vetash.
Kufomat e masakrës së Dubravës janë gjetur në fshatin Rakosh. Numri i kufomave të gjetura është 97. Prej tyre nga patologët spanjollë janë identifikuar 39 veta, ndërsa nga anëtarët e familjeve dhe aktivistëve të KMDLNJ-së 24. Pra, janë gjithsej edhe 34 kufoma tjera të paidentifikuara. Këto kufoma janë të varrosura në Rakosh.
Serbia, me masakrën e Dubravës, përpos të drejtave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe rregullave të luftës, ka shkelur edhe dispozitat e ligjeve të saja, ngase karakteri i Shtëpisë Ndëshkuese - korrektuese është risocializimi e jo viktimizimi i të burgosurve. Të burgosurit edhe gjatë luftës duhet të jenë nën mbikëqyrjen e shtetit, pasi që trajtohen si popullatë e pambrojtur civile.
Ajo që masakrën e Dubravës e bën edhe më të veçantë në tmerrin e saj, është e dhëna se të burgosurit serbë bëhen ekzekutues të të burgosurve tjerë. Pra, në mënyrë direkte dhe të hapur organet serbe autoritetin e bartin tek kriminelët e burgosur. Përgjegjësia për këtë, si edhe për shumë masakra dhe krime tjera serbe, bie mbi organet serbe, në rend të parë mbi Ministrinë e Drejtësisë. Këtë e thotë edhe Natasha Kandiq, kryetare e Fondit për të drejtën humanitare, në një intervistë për të përditshmen beogradase “Danas”. “Ministria e Drejtësisë është përgjegjëse për këtë, prej ditës kur të burgosurit dhe të arrestuarit janë nën juridiksionin e tij”, thotë ajo. /Telegrafi/

RAMUSH HARADINAJ, DËSHMI E VITIT 2000 (botuar në javoren “Zëri”, më 19 maj 2000)
DUBRAVA ISHTE QENDËR E FORCAVE SERBE
Forcat serbe, pas fillimit të sulmeve të NATO-s, kanë filluar maskimin e tyre. Dhe, kanë filluar të përqendrohen në vendbanimet ku ka pasur më shumë popullatë. Më konkretisht, në një shtëpi kati i poshtëm ka qenë me forca serbe, ndërsa në katin e sipërm ka pasur popullatë, ose e kundërta. Kemi edhe shembuj konkretë të kësaj dhe popullata i din ato. Forcat serbe kanë filluar të përdorin për transport mjete civile: kamionë, traktorë dhe gjithçka tjetër, por jo ato ushtarake, me qëllim që të maskohen, ndërsa kanë filluar të përdorin gjithë infrastrukturën që ka pasur Kosova për qëllimet e tyre ushtarake. Forcat serbe kanë qenë të detyruara të përdorin objektet e mëdha, për shkak të organizimit të tyre të brendshëm, por në raste të caktuara janë shpërndarë edhe nëpër banesa ose shtëpi.
Podrumet ku janë strehuar të burgosurit, pas masakrës së 22 majit 

(Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)
Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me vetë Burgun e Dubravës. Dubrava ka qenë një prej epiqendrave të forcave serbe në rajonin e Istogut dhe të rrethinës dhe ka qenë një prej caqeve të parapara për sulm nga NATO-ja.
Sa i përket asaj se a ia kemi dhënë ne NATO-s këtë cak për sulm, këtë fakt nuk e kam të qartë dhe nuk mund ta them qysh tash, por e di se forcat serbe kanë qenë të përqendruara rreth Burgut të Dubravës.
Kur ka ndodhur Dubrava, unë personalisht kam qenë në Ratishë të Deçanit, ndërsa Ushtria Çlirimtare e Kosovës në këtë kohë ka qenë në zonën e lirë të fshatrave të Dushkajës, domethënë që nga Ratishi, Mazniku, Jabllanica e fshatrat e tjera. Ka qenë edhe sipër Vrellës, në bjeshkë, në Studenicë, nëpër fshatrat e Istogut, në Pejë, në Rugovë etj.
Ne vetëm nga lajmet kemi mundur të marrim vesh se çfarë ka ndodhur në Burgun e Dubravës... /Telegrafi/

NATO DHE SULMI MBI DUBRAVË (botuar në javoren “Zëri”, më 19 maj 2000)
Jamie Shea

20 maj 1999, ora 10:30
Në komunikatën e shpërndarë para konferencës për shtyp të Jamie Sheas, pos tjerash thuhet: “...Aeroplanët e NATO-s kanë bërë 446 fluturime, 118 fluturime goditjesh dhe 35 të tjera kundër raketave mbrojtëse të ushtrisë serbe. Goditjet kundër forcave serbe në Kosovë janë bërë kundër tankeve, veturave të blinduara, pozitave artilerike, transportuesve të raketave SA-6 dhe automjete të tjera ushtarake...“
Në listën e caqeve të goditura figuron edhe Dubrava (me emrin Istok), i vlerësuar si vend me pajisje ushtarake serbe.
Korridoret e pavijonit C1 (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

20 maj 1999, ora 15, konferenca për shtyp:
PYETJE: Kemi parë se NATO-ja ka goditur një cak të quajtur Istog. Ka disa raportime nga mjetet serbe të informimit, të cilat thonë se NATO-ja ka goditur një burg edhe pse është ditur se autoritetet serbe kanë dërguar aty shumë të burgosur politikë shqiptarë nga vendet e tjera të Serbisë. Çfarë mund të thoni për këtë cak dhe a keni ndonjë të dhënë se NATO-ja ka goditur këtë burg, apo jo?
GJENERALI WALTER JETZ: Nuk është burg, është cak ushtarak. Ne e dimë se ai është një kompleks ushtarak i sigurisë dhe është goditur si cak ushtarak legjitim. Nuk kemi ndonjë të dhënë se ndonjë raketë ka shkuar në ndonjë vend tjetër, apo se arma ka goditur keq...
PYETJE: A mund të ndodhë që forcat serbe kanë përdorur këtë objekt si mburojë njerëzore?
GJENERALI WALTER JETZ: Nuk mund të spekuloj lidhur me këtë. Sipas informatave të mbledhura nga shërbimi ynë informativ, e dimë se ai ishte një kompleks ushtarak i sigurisë që u takon forcave të Milosheviqit për komandë dhe kontroll.
Shkatërrimet që sollën bombardimet (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

21 maj 1999, ora 15:00, konferenca për shtyp:
PYETJE: Ka raportime se një burg në Istog është goditur nga aeroplanët e NATO-s. A keni ndonjë koment për këtë?
GJENERALI WALTER JETZ: Krejt çfarë mund të them është ajo që thashë dje. Nuk kemi ndonjë të dhënë se është goditur përsëri.
PYETJE: Por, raportimet thonë se po?
GJENERALI WALTER JETZ: Nuk ka ndonjë të dhënë për këtë. Nuk e kemi goditur dhe nuk e di nga ka ardhur kjo informatë.
PYETJE: Kjo do të thotë se ju nuk e keni goditur sot Istogun?
GJENERALI WALTER JETZ: Jo.
JAMIE SHEA: Nuk besoj se kemi goditur ndonjë cak në Kosovë, për shkak të kushteve të motit.
PYETJE: Por, raportimet thonë se sulmi është bërë sot në mëngjes.
GJENERALI WALTER JETZ: E kam fjalën për sulmet në 24 orët e fundit. Informatat për këto orë përfundojnë në mëngjes, prandaj nuk kam ndonjë raport tjetër...
Korridoret e pavijonit C1, ku shihen të mbathurat e të burgosurve shqiptarë (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

(pas disa minutash...)
GJENERALI WALTER JETZ: Sapo e mora një informatë se Istogu ishte në listën e caqeve për sot. Por, lista e mëngjesit për 24 orët e kaluara nuk e ka përshirë atë. Një kompleks i sigurisë është sulmuar këtë mëngjes, por nuk kam ndonjë informatë më shumë...
Shkatërrimet që sollën bombardimet (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

22 maj, ora 15:30, konferenca për shtyp:
JAMIE SHEA: Në Istog forcat e NATO-s kanë goditur një kazermë dhe një hapësirë e cila është përdorur një kohë të gjatë nga Ushtria jugosllave dhe nga forcat speciale të policisë serbe...
PYETJE: Kolonel Freytag, a mund të na jepni më shumë detaje për bombardimin në Istog? Sa aeroplanë janë përdorur, sa bomba janë hedhur, çka kanë goditur, sa ka qenë larg prej burgut goditja, a ka qenë vetë burgu i goditur në mënyrë direkte apo nga efekti i gabuar i bombave? Çfarë ka ndodhur atje?
KOLONELI FREYTAG: E kam një fotografi për ju, nëse doni ta shihni (v.j. të marrë nga televizioni serb). Ky cak është vënë në listën e caqeve për goditje, si burg i papërdorur, ku ka një numër të madh pajisjesh ushtarake... Ne e kemi goditur dy herë dhe kemi shkaktuar shumë dëme, por detajet duhet të na vijnë...
Pavijoni i bombarduar (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)

PYETJE: Çfarë ishte ky kompleks dhe pse ishte aq i rëndësishëm ?
KOLONELI FREYTAG: Ky kompleks ishte i madh dhe i përdorur nga forcat ushtarako-policore serbe...
PYETJE: Pra, në listën e caqeve ka figuruar burgu si i papërdorur ?
KOLONELI FREYTAG: Po...
23 dhe 24 maj
Në listën e caqeve të goditura në 24 orët e fundit nuk figuron Istogu.


Pavijoni i bombarduar (Foto: Ridvan Slivova, maj 2000)





Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)