2015-05-23

REXHEP SHAHU : 22 DITË ARMIK Z. MINISTËR I BRENDSHËM

Rexhep Shahu

Me datën 1 maj, 2015, ditën e festës së birrës e qofteve e jo të protestës, pasi protesta është e drejtë që e ka në dorë vetëm qeveria dhe e jep me leje sa herë të dojë e kujt të dojë ajo, unë shkela rregullat e qarkullimit rrugor dhe polici me mori lejen e drejtimit (patentën) dhe më tha që brenda 10 ditëve të paraqitesha para komisionit diku në Kinostudio, ku do të ndëshkohesha.

Në fletë gjobë ishte e shkruar se duhej të paraqitesha brenda 5 ditëve, por me gojë polici më tha të paraqitesha brenda 10 ditëve.

Po ta tregoj historinë z. ministër.

Për arsyen e vetme se një natë të pashë në televizion, duke folë për dinjitetin e njeriut, duke vajtuar si di ti për dinjitetin e jo të fortëve dhe sikur shfaqe deshirë me fjalë të jesh avokat i jo të fortëve, avokat i atyre që s’kanë lekë që ta blejnë drejtësinë, i atyre që nëpërkëmbën se s’kanë as lekë e as miq në qeveri.

Më erdhi mirë që fole ashtu atë natë.

Dola nga parkimi ku isha, pranë derës së oborrit të pasëm të Bibliotekës Kombëtare, dhe po ecja për në rrugën pas 15 katëshit, për të dalë tek farmacia në krah të Albanian University, ku kisha për të marrë disa ilaqe.

 Duke hyrë në kryqëzim të Rrugës së Dibrës, nuk u ndjeva mirë me shëndet, pata një fibrilacion të fortë, një shpeshtim rrahjesh të zemrës.

Se sëmuresh apo se je sëmurë, nuk është turp as krim apo jo. U tremba. Ndala. Ndeza bllokimin e rrugës.

 Në çast pashë në të majtë, ngjitur, një parkim. Pashë tek kryqëzimi i 9 katësheve që u ndez e kuqja e semaforit dhe rruga mbeti bosh, pa makina disa sekonda.

U trimërova dhe eca kundër sens për në parking. Mendova se përballë meje nuk do të vinin makina armike.

 Por qëlloi të ishte larg hyrja e parkingut, afër 15 metër. Ashtu me bllokim rruge hyra në parking.
Ndënja pak çaste në makinë duke menduar për ndonjë farmaci më të afërt.

Sa dola nga makina, që nga rruga ma bëri me dorë një polic qarkullmi mbi motor të bardhë.

Ma sill patentën më thirri nga larg. Çfarë po mendoja unë ato çaste e çfarë halli më zuri!

 Mora gjithë dokumentet dhe iu afrova. Më fal, i thashë, nuk jam mirë. Gabova, por jam pa qejf.
Edhe pse nuk isha mirë dhe shtërngoja dhëmbët, e shihja policin që me kënaqësi e frymëzim e shkruante gjobën.

Do dalësh në komision, më tha, shkruaj që je dakort.

Bjere, i thashë, pa e plotësuar akoma hartimin polici dhe shkrova, dakort. Doja të ikja një sekondë e më parë në farmaci. Ai filloi të shkruajë edhe anash fletëgjobës. Nuk po duroja.

Po më vjen keq që të thashë më fal, iu drejtova policit. Nuk qenke polic i ri. Duhet ta shohësh njeriun jo vetëm si shkelës ligji.

Ka arsye e arsye kjo botë. Unë nuk ushqehem me patentë, unë nuk jam shofer urbani, taksie apo kamioni që më le pa bukë po ma more patentën.

Nuk jam shkelës rregullash pasi dal rrallë me makinë, nuk punoj me makinë.

Çfarë punon ti, më pyeti polici kur dëgjoi se patenta nuk ishte për mua bukë e ujë.
Gazetar në zanat, shkruaj libra, i thashë.

Me mend do të ketë thënë për mua, çfarë gomari. Iu duk sikur t’i thoja se mbledh kanaqe apo shes shalqij.

Jemi në kamera më tha polici, më njoftuan të vija këtu, nuk kam ç’bëj.

U ndava me policin dhe e pashë se mbeti mjaft i kënaqur e krenar me mua viktimën e bindur.

***
Pasi e mora veten, fillova të flas me ty z. ministër për dinjitetin e njeriut, për fytyrën njerzore të shtetit e sidomos të policëve që janë pasqyrë e shtetit. E mu në qendër të qendës së vendit.

Gjatë javës që vijoi, shumë miq më qortuan për gjestin tim. Edhe unë isha i qetë se e kisha hak ndëshkimin.

Por më hante vetëm meraku pse nuk më tha polici si e ke hallin, si mund të të ndihmoj. Por ndoshta duke u marrë vetëm me të ligjtë, polici s’ka faj se i duken të gjithë të ligj, të gjithë shkelësa, të gjithë armiq.

Sidomos këto kohë që janë shtuar armiqtë sa nuk po i zënë as burgjet tona të mbushura ding me armiq.

Me datën 7 maj shkova te sheshi i armiqve ku gjeta mbi 100 armiq grumbull. Nuk e merrte vesh qeni të zotin aty.

Kishin me javë aty. Aty zoti ministër dëgjova sharjet më fantastike që të bënin ty e kryeministrit.

Betohem. Dërgoni nga këta policët civilë që keni marrë në punë tani dhe do ta provoni këtë që po të them.

Nuk bëhet fjalë, duhet të zini radhë që ta dorëzoni fletë gjobën, më tregoi një veteran që kishte 5 ditë aty. Radha zihet që në dy të natës.

Fletë gjobat dorëzoheshin në orën 8, më pas jo, vetëm nëse telefonojnë nga zyrat e ministrit a të ndonjë qeveritari tjetër.

Nuk qëndrova gjatë atë ditë. Të premten me 8 maj mbërrita pak pas orës 8. Ishin dorëzuar fletëgjobat. Armiqtë ding aty. Ca shanin, ca mallkonin, ca heshtinin.

Shumë emigrantë armiq që rrëfenin se si dënohen armiqtë në shtetet ju jetojnë. Ke shpikë model dënimi z. ministër.

Hyra në radhë, për të folë me policen, por agresiviteti i njerzve të nxirrte si kockë kumbulle. Fillova të rri me deshirë e të dëgjoj me deshirë bisedat, sharjet fantastike, revoltat me fjalë, gallatat me policë.

Aq shumë të shanin ty dhe kryeministrin z. ministër sa do të kenë ulëritur mamat tuaja, udha e muret aty pranë. Por votën ua japin sërish sepse harrojnë njerzit.

Mu kujtua mësimi i vjetër se lajmi nuk gjendet tek ministri por tek roja e ministrisë, nuk gjendet te drejtori apo kryetari i koperatives por tek roja ose magazinieri.

Rrija aty në trotuar se armiqtë nuk mund të futeshin në oborr, por duhej të ekspozohen aty në udhë të madhe që t’i shohë njerzia e të zejë mend. Enveri dikur kampet e përqëndrimit i bënte lag udhëve, jo në udhë të madhe, nuk i mbante armiqtë në udhë të madhe në torturë.

Ajo zyra, si nevojtore e pështirë, ku rrinte një polic e dy police komisioni, të bënte me vjellë.

 Po kaq i neveritshëm është ky shtet i yni, saqë një zyrë nga e cila fiton mbi 30 mijë dollarë në ditë nga gjobat që u vë shoferave armiq duhet ta leje në atë gjendje ku të vjen pështirë me pshurrë! Kishte ditë që janë gjobitë mbi 147 armiq dhe gjoba më e vogël e asaj dite ka qenë 80 dollarë.

 Përfytyro sa lekë gjobash vjel shteti ynë. Këto njerëz armiq që gjobiten, a janë shqiptarë, a i konsideroni shqiptarë z. ministër?

 Këto njerëz armiq që paguajnë kaq shumë, por kaq shumë gjoba po të them, a nuk meritojnë të hyjnë në një sallë, të presin gjykimin në një salle ose në oborr të brendshëm. Ku shkojnë këto lekë gjanëm? Ah Po!

Aty mësova se janë punësuar 1200 policë këto kohët e fundit për të siguruar zgjedhjet, qetësinë e mbarëvajtjen e tyre. Gjysma e tyre janë policë civilë.

Njerzit armiq shkelnin mbi bishta cigaresh si një tapet fantastik. Nuk kisha parë askund aq shumë bishta cigaresh të shtruar në tokë. Dera e hekurt e komisionit kishte ngjitur një bankomat të një banke. As kolibja e qenit e shtëpisë më të keqe nuk është kaq e keqe sa kjo kthina a zyra e komisionit tënd z. ministër.

Shtyrje, përplasje, thirrje emrash që nga brenda. E pamundur të durojë aty një i fuqishëm e jo më nje i pazoti të rrijë në këmbë nga ora 3 e natës e deri në 3 të pasditës. Ishin aty njerëz që nuk kishin mbaruar punë një javë.

 E kështu mbarteshin ditë për ditë. Ditë për ditë festival e garë sharjesh kundër qeverisë, kundër policisë.

Kalonin aty lloj lloj policësh, me yje e pa yje, por askujt nuk i bën përshtypje ajo turmë sklleverish, ajo turmë armiqsh. Sikur njerzit knaqen që një turmë, asnjë ditë nën 100 veta, vuan aty në pikë të diellit.

A ndjen kënaqësi ti z. ministër që vuajnë ashtu armiqtë, a knaqesh. Po kryeministri a knaqet boll? Hë ju lumtë. Poshtë armiqtë.

Të shtunën datë 9 maj, ditën e fitores mbi nazizmin, një armik i fortë aty, një njeri i gjallë na i mblodhi fletë gjobat që t’ia dorëzonte njërës nga policet që shfaqej në derë herë pas here. Unë isha numri 17.

Por disa orë më vonë doli policja në derë dhe tha se nuk pranohen letrat sot. Ai djali i ri u detyrua të na i shpërndante fletë gjobat tona. U shpërndamë. Një polic te porta më tha që të vija të hënën, por më herët.

Të hënën shkova në orën 6 të mëngjezit. Dikush tjetër i grumbulloi fletë gjobat tona. Unë, megjithëse shkova në orën 6, isha i 63-ti në radhë dhe u shkrua numri 63 pas fletë gjobës time që më parë pati numrin 17.

Radhë për të paguar gjobën, radhë për t’i dhënë lekë shtetit, e jo pak lekë por rreth 30 mijë dollarë në ditë. Popull fantastic, I bindur si dele. Qeveri ujk. Jo! Tigër. Qeveri që të shqyen po e krove me të.

Pasi i mori fletë gjobat policja, u lumturuam, u relaksuam. Sa filluam të shpëndaheshim drejt kafeve, gjëmoi zëri i polices: Gjobat e datave teke të rrinë këtu, gjobat e datave çift të shkojnë te komisariati nr. 4.

 Pritëm sa u bë ndarja. Si duket kishe dhënë urdhër ti z. ministër që të pakësohej turma e armiqve që jepnin shfaqje armiqësie aty. Unë e kisha gjobën në datë teke dhe qëndrova.

Pas një ore doli policja dhe lajmëroi se ata që dorëzuan fletë gjobat sot, të vijnë për të dalë në komision ditën e premte datë 22 maj. Veten për dorë dhe ika, i lehtësuar, i lumtur sikur kisha fituar një betejë të rëndësishme.

Me 22 maj në orën 9 mbërrita aty. Ding me njerëz, ndonëse të gjobiturit në data çift nuk ishin aty. Prit të më thërrasë emrin policja, hiq. Prit, hiq. Afrohem ta pyesja policën, thërret me të madhe, ik or zotëri, kur të dalë emri.

 Mbaruan gjobat e mbledhura ditën e hënë, datë 11 maj dhe filluan ata të ditës së martë, datë 12 maj. Duke u shtyrë futa gjysmën e trupit brenda.

Një polic me mjekrën si ti zoti minister, por të thinjur, ishte në mes, dy police ishin ulur anash. Ky qe komisioni. Nuk ishte komision që dëgjonte armiqtë, ata dëgjonin vetem veten e tyre, zërat e tyre të brendshëm dhe vetëm jepnin letrat që armiqtë të shkonin të paguanin sa më shpejt.

Jam i të hënës, u thashë dhe nuk më doli emri.

Nëse nuk të ka dalë emri nuk e ke dorëzuar fletë gjobën, bërtiti policja. U djersita në çast.

Ajo bërtiti, unë e ngrita zërin më fort. Në fund të fundit tre copë policë ishin dhe shpirtin tim nuk e kishin në dorë.

Nuk vendosej aty për jetë a vdekje. Të thashë z. ministër se patenta mua nuk më jep bukën e përditshme. Unë nuk shkoj me mankinë nëpër motele që do të më duhet domosdo patenta. Thjeshtë shkoj dy tri herë në vit në Kosovë dhe ndonjë ditë vere në Durrës.

 Unë nuk i shërbej askujt me makinë. Por kam miq që më sherbejnë po të kem nevoja. Aq më tepër tani që unë nuk kam makinë përsonale pasi kam disa muaj që e kam shitë makinën me shpresë të blej një makinë benz më të mirë se ai 23 vjeçari i prishur që shita.

A i mendoni njerëz këto që janë jashtë këtu, u hakërreva unë.

Çfarë numri ka pas flëtë gjoba jote, më pyeti policja.

Kam emër e nuk jam numër, unë sërish me ton të lartë, kontrollo emrin.

U ngrit në këmbë polici burrë dhe tregoi forcë me fjalë.

A e dini se ka njerëz të sëmurë që nuk rrinë dot pafundësisht në radhë, vazhdova unë.

Ikni vizitohuni, ikni te mjeku, foli fjalë të artë policja.

Ika. Nuk thashë, si ministri si policia, jo nuk e thashë këtë fjalë, por i thashë vetes, kjo është fytyra e shtetit tonë ku torturohesh e sëmuresh në radhë për t’i dhënë lekë shtetit tënd, lekët e mendjes tënde, të qerasë së mendjes.

Në orën 3 doli policja burrneshë në derë dhe filloi të lexojë vendimet që ishin të mbartura.
Mes të tjerëvë thërret emrin tim.

Këtu, thirra unë.

Ma lëshoi vendimin në dorë. 6 muaj më ishte heqë leja e qarkullimit dhe 3 mijë lekë isha gjobitur. Desha ta falenderoja komisionin që më kishin vënë gjobë të vogël.

Derisa të bëhem të blej makinë nuk më duhet patenta, i thashë vetes.

Si është e mundur, i them policës, unë këtu dhe nuk më thërrisni në komision, të më dëgjoni.
Më lëshoi një vështrim si budallait dhe duke shtrembëruar buzët e bukura hyri brenda.

Shkova të paguaja gjobën se aty ngjitë janë çelë disa dyqane ku paguhen gobat.

Ajo zonja ku po paguaja më tha, ke kamatë vonesë 650 lekë mbi tre mijë lekëshin. Pse?

Sepse vendimi për ty është marrë me datën 8 maj e jo sot. Kanë kaluar 5 ditë.

Ja lexoje më tha zonja. Ashtu ishte. Unë z. ministër kisha kaluar në komisionin tënd me datën 8 maj, pa dorëzuar fletë gjobën fare dhe isha dënuar pa më pyetur, pa më dëgjuar si armik.

 Se armiku nuk ka kurrë të drejtë. Të drejtë ka vetëm komisioni yt dhe ti z. ministër. E pashë dhe provova.

Unë fletë gjobën e kam dorëzuar me datën 11 maj ditën e hënë, vendimi i dënimit ishte marrë me datën 8 maj. Komision fantastik, polici e mrekullueshme, ministër flori e shkuar floririt.

Ja kështu ishte historia ime z. ministër. Ti nuk e lexon këtë histori, por do të ta thonë policët civilë.

Ti do të thuash ia ka futë kot Rexhepi. Mirë e ke. Drejt e ke. Se vetem ti e ke drejt, unë jo.

Po kur ia futë kot ti përditë, pse të mos ia fus kot dhe unë njëherë.

Tung qeveri!

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...