2015-05-11

Maksimilian Lamberc-i (1882 - 1963)


Maksimilian Lamberc*-i i është afruar fushës së studimeve shqiptare duke ardhur nga bota klasike. Kërkimet e tij tregojnë një përzierje të lumtur të gjuhëtarit, të folkloristit e të letrarit. Në këtë mënyrë ato na dalin përpara të shumanshme e të plota, si dëshmia e një njësie mendore të veçantë.


Për sa i përket gjuhësisë shqiptare, gjurmimet e tij përfshijnë më pak etimologjinë e gramatikën historike se sa më fort sintaksën, leksikologjinë e sidomos dialektologjinë. Mjafton të përmendim këtu monografinë Periudha hipotetike në gjuhën shqipe (Die hipothetische Periode in Albanischen Indogerm. Forschungen 34 1914/15), 44 - 208), një punë pionieri në një truall aq të papunuar. Kërkimet dialektologjike të Lambercit përfshijnë jo vetëm Shqipërinë, po edhe kolonitë shqiptare. Ato janë me vlerë të madhe për këtë degë të dijes, sepse nuk janë fryt i një pune në tryezë, po kanë dalë prej hetimesh të palodhura në terren. Në punimin e tij Kumtim për studimet e mia linguistike në Shqipëri nga mesi i muajit maj në fund të gushtit 1916, botuar nga Akademia e Shkencave të Vjenës, hiqen tiparet kryesore të të disa ligjërimeve të Shqipërisë veriore, aty ravizohen për të parën herë edhe vija e ndarjes së gegërishtes në nëndialektet e saj. Një interes të veçantë paraqesin kërkimet e tij rreth historisë edhe gjuhës së kolonive arbëreshe të Italisë mbeturinat e gjalla të toskërishtes së moçme. Këtyre ai u ka kushtuar një varg studimesh.

Në punimet albanistike të këtij dijetari nuk mund të lihen pa u përmendur pastaj një radhë librash hartuar me qëllimin praktik të mësimit të shqipes, disa nga këto në bashkëpunim me të tjerë dijetarë si p. sh. me Gjergj Pekmezin. Duhej të hynte këtu edhe "Libri i leximit të shqipes“, hartuar më 1949 (Albanische Lesebuch. Mit Einführung in die albanusche Sprache, 1948), Fjalori shqip - gjermanisht (Lehrgang des Albanisches. Teil I. Albanisch - deutsches Wörterbuch, 1954) i pasur me lëndë të re e me frazeologji, nuk synon plotësi, po u hartua me qëllimin e caktuar për të kuptuar shkrimet literature të shqipes. Në këtë drejtim punimesh hyn më në fund edhe pjesëmarrja e puna e tij në „Komisinë letrare të Shkodrës“, e cila , sikundër dihet, vuri themelet e ortografisë së shqipes.

Në veprimtarinë shkencore të Lambercit një vend kryesor zënë botimet rreth folklorit e, veçanërisht, rreth poezisë popullore në vështrimin më të gjerë të kësaj fjale. Me këtë punë në përgjithësi, ky dijetar pa dyshim zë kryet e vendit në këtë lëmë studimesh. Shkrimet e tij janë pema e pjekur e përpjekjeve shumëvjeçare e me dashuri të madhe. Monografia Poezia popullore e shqiptarëve, një studim hyrjeje, doli së pari te gazeta "Posta e Shqipnis" e pastaj si libër më vete. Është i pari botim përmbledhës që kemi për këtë temë. Në të trajtohen farët e ndryshme të këngëve, si këngë trimash, këngë dashurie, këngë dasme, këngë e vargje fëmijësh, ligje e vajtime, gojëdhëna etj. Folklorit në këngë i kushtohet botimi Përralla shqiptare e të tjera tekste të folklorit shqiptar botuar më 1922. Kjo vepër është themelore për njohjen e përrallës popullore shqiptare. Në këtë vazhdë ai botoi edhe disa vëllime kushtuar përrallës në gjuhën gjermane si Midis Drinit e Vjosës, Përralla prej Shqipërie (Zwischen Drin ind Vojussa. Märchen aus Albanien, 1922), Nga Briri i artë, Përralla greke të mesjetës (Vom goldenen Horn. Griesche Märchen aus dem Mittelater, 1922), Motra me krah dhe të Errëtat e dheut (Die geflügelte Schwester und die Dunklen der Erde, 1922) etj. Në vitin 1954/55 ky dijetar i ka kushtuar një monografi të gjerë të ciklit të Mujit e të Halilit, këngëve të kreshnikëve që këndohen në Veriun tonë (Die Volsepik der Albaner. Der Zyklus von Mujo und Halil I, II, Wiessenschaftliche Zeitschrift der Karl - Marx - Universität, Leipzig 4, Jahrsgang, 1954 - 55. Gessellschaft - und sprachwiessenschaftliche Reiche Heft 3, 4, 5.). Ky studim shquhet me paraqitjen e gjallë të atmosferës ku lëvizin figurat epike. Me anën tjetër, të habit analiza e thellë e gjithanshme që i bëhet mjedisit shqiptar nga kanë dalë këto këngë, mjedis që autori e njeh më së miri. Karakteristika e heronjve, rrëmbimi i grave, ditët e martesës, gostitë, alltarët, të dalët në çetë, bejlegjet, armët, zakonet e lashta shqiptare, premtimet, vrasjet, vëllamia (probatinia), kumbaria, lahuta, kuvendi i pleqve, gjaqet, dashuria motër e vëlla e vëlla e motër, besa e pabesia e grave, pritja e mikut, vajet, kullat, qendrat gjeografike, bjeshkët, tartari, motivet e këngëve, zogu si lajmës, shtazët si ndihmëtare, qeniet e mbinatyrshme të besimit popullor si orë e zana, tradhtia, mrekullitë, simbolika e numrit, bukuria e vashave, motivi i dredhisë, hiperbolat, hyritë marrë nga natyra, forma metrike e këngëve, rima, ndërtimet emfatike, proliksiteti, përsëritjet, gjuha e stili, krahasimet, betë, formula stereotipe, këto janë disa nga elementet kryesore që merren në shqyrtim në këtë vepër. Kështu ajo përbën trajtimin gjer sot më të plotin të këtij kapitulli të poezisë sonë popullore, e bashkë me përrallat shqiptare paraqet gjer më sot kryeveprën e këtij dijetari. Pra, me anë të këtij studimi poezia epike shqiptare hyn e zë vendin e saj brenda poezisë së popujve të tjerë të Evropës.

*****



*Maksimilian Lamberci (gjer. Maximilian Lambertz )(* 27. Korrik 1882 në Vjenë; † 26. Gusht 1963 në Markkleeberg, Leipzig) ishte albanolog austriak. Maksimiliani ka lënë diku rreth 60 dorëshkrime në të cilat paraqet të dhëna mbi folklorin e folkloristikën, mitologjinë, etnologjinë, gjuhësinë, letërsinë, historinë etj.

Deri më tani Zymer Neziri ka shqyrtuar HAN: Autogr. 760/44 deri në 760/50; HAN: Autogr. 978/41 deri në 978/47; HAN: Autogr. 24 917 deri në 24 925 3 shtojca; HAN: Autogr. 31 029 deri në 31 050; HAN: Autogr. 24 755 deri në 24 619. ndërsa kanë mbetur të parealizuara: HAN: Autogr. 24 620 deri në 24 678.

Publikimi i tij i parë në fushën e studimeve shqipe ishte një libër gjuhe dhe leximi shqip më 1913; pastaj shkoi Italinë e Jugut për të shqyrtuar të folmet shqip atje; në veçanti iu kushtua dialektit verior arbëresh në Abruzzo dhe Molise, sidomos dialektit në Badhesas (Villa Badessa).

Studiuesi, profesor universitar dhe albanologu i njohur austriak, prof. dr. Maksimilian Lamberc, që nga viti 1906 kur dëgjoi gjuhën shqipe në Atikë të Greqisë, e deri më 1963, kur vdiq, nuk iu nda punës për t’i çuar përpara studimet albanologjike në fushë të folkloristikës, e sidomos të epikologjisë e të poetikës së përrallës, të mitologjisë, e në veçanti të demonologjisë, të së drejtës zakonore, sidomos të Kanunit të Lekë Dukagjinit, të morfologjisë, të sintaksës, të dialektologjisë, të leksikologjisë, të drejtshkrimit, të historisë së gjuhës, të letërsisë, të historisë së letërsisë, të dramës, të përkthimit, sidomos të Gjergj Fishtës etj.

Jeta studimore

Sipas Astrit Lulushit nga maji në qershor 1916, Lamberc shkoi në Shqipërinë veriore dhe qendrore duke regjistruar për herë të parë mbi baza shkencore gjuhën dhe folklorin shqiptar. Në këtë udhëtim ai vizitoi Grudën, Shkodrën, Lezhën, Krujën, Tiranën, Durrësin, Luginën Kir, Shoshin, Shalën, luginat e Drinit dhe të Valbonës dhe sidomos Mirditën.

Në dhjetor 1916 ai u kthye në Shqipëri, këtë herë me trupat perandorake austriake që kishin pushtuar Shqipërinë veriore dhe qendrore në kuadër të Luftës Botërore. Ai ishte ngarkuar për krijimin e sistemit arsimor shqiptar dhe ishte anëtari i vetëm i huaj i Komisisë Letrare Shqipe që autoritetet austriake kishin formuar per krijimin e një sistemi shkollor të njësuar për mbarë Shqipërinë. Në Shkodër, Lamberc ishte me Gjergj Fishtën botues i gazetës Posta e Shypnisë në të cilën botoi edhe disa studime të vetat. Pas Luftes I Boterore Lambertz u kthye në Austri, dhe shkroi disa libra dhe artikuj mbi aspekte të ndryshme të kulturës shqiptare, veçanërisht folklorit.

Fundi i Luftës II botërore e gjeti Lambercin në Gjermaninë Lindore nën kontrollin sovjetik. Në qershor të vitit 1945, ai u emërua drejtor i shkollës së gjuhëve të huaja në Lajpcig dhe në tetor 1946, bëhet profesor i Gjuhësisë Krahasuese. Deri sa doli në pension, më 1957, Maksimilian Lambertz drejtoi edhe Institutin e gjuhëve indo – evropiane.

Lamberci e vizitoi Shqipërinë në qershor të vitit 1954 dhe në vitin 1957. Edhe pas prishjes së marrëdhënieve të ngushta politike midis Shqipërisë dhe vendeve të bllokut sovjetik, Lamberci refuzoi t’i shkëpuste lidhjet e tij me Shqipërinë në fushën e gjuhës dhe kulturës. Në pritjet e ambasadës shqiptare në Berlinin lindor, ai merrte pjesë vazhdimisht duke u interesuar për ecurinë e studimeve albanologjike në vend. Maksimilian Lamberci ndërroi jetë më 26 Gusht 1963; autoritetet komuniste gjermano lindore lejuan që trupi varrosej në Vjenë, duke respektuar dëshirën e tij të fundit.

Tituj të veprave

Vëllimi i këngëve popullore lirike dhe epike historike
Ditari i Maksimilian Lambercit
Lambercit mbi eposin e shqiptarëve
Lamberci mbi mitologjinë e shqiptarëve
Lamberci mbi përrallat e shqiptarëve
Lamberci mbi arbëreshët
Korrespondenca e Lambercit


^ Zymer Neziri : Dorëshkrimet e Maksimilian Lambercit mbi folklorin shqip në Vjenë 

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...