“Janë maltretuar edhe civilë të verbër, duke i detyruar të qëndrojnë deri në katër orë, në vetëm një këmbë, e duke i kërcënuar se do t'u hedhin nitroglicerinë në sy për t'ua nxjerrë krejt. Një të riu, që ishte i plagosur rëndë gjatë shkëmbimit të zjarrit në 'Lagjen e Trimave', nuk i ishte ofruar ndihma duke i thënë se plagën e kishte të vjetër. Njëri prej te burgosurve është dërguar në spital, si pasojë e torturave”, tha Zeka, duke rrëfyer tmerret e pamjeve që kishte hasur dhe informatat që kishte marrë në "Lagjen e Trimave", pas tërheqjes së Policisë maqedonase. "Fukarenjve, siç janë këta të verbrit, edhe bagëtitë ua kanë masakruar për t'i dërrmuar tërësisht. Deri në këtë nivel gjërat kanë shkuar”.
Gazetari Milaim Zeka, i cili posa është kthyer nga Kumanova, ka treguar se autoritetet maqedonase kanë spekuluar rëndë lidhur me numrin e të vrarëve, kurse kanë ushtruar dhunë të rëndë mbi të burgosurit dhe civilët.
Zeka thotë se nuk është e vërtetë që janë vrarë 14 luftëtarë shqiptarë nga grupi i armatosur, por se janë vrarë gjithsej tre, ndërsa shtatë të tjerë janë emigrantë që i kanë gjetur në Maqedoni e që janë nga Lindja e Mesme, të cilët autoritetet maqedonase i kanë vrarë dhe gjymtuar për të pamundësuar identifikimin e tyre.
“Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, tha që janë 14 të vrarë, por vetë autoritetet e Maqedonisë i ulën sot shifrat në 10. Sipas burimeve të sigurta që i kam bëhet fjalë vetëm për tre shqiptarë të vrarë nga 'grupi i armatosur', kurse shtatë të tjerë janë refugjatë nga vendet e Lindjes, që janë marrë dhe janë dërguar në 'Lagjen e Trimave', ku janë ekzekutuar e masakruar, sa që është e pamundur të identifikohen. Tre shqiptarët janë identifikuar nga gishtërinjtë, të tjerët është e pamundur të identifikohen”, tha Zeka për Telegrafin.
Ai ka konfirmuar se në luftime janë vrarë vetëm tre shqiptarë, Mirsad Ndreca, Begë Rizaj dhe Xhafer Zymberi.
Zeka më tej ka rrëfyer për torturat që u janë bërë të burgosurve.
“I burgosuri Beg Bajra është tepër i torturuar, sikurse edhe të tjerët. Nga lëndimet që u janë shkaktuar në fytyrë madje ka qenë e pamundur të bëhet edhe identifikimi i tyre në gjykatë...”, tha Zeka.
Ai tha se Prokuroria maqedone u ka ofruar të burgosurve të nënshkruajnë deklarata që të pranojnë fajësinë për terrorizëm, me çka do të dënoheshin deri në 15 vjet burgim, në të kundërtën, u është thënë se ndaj tyre mund të ngritet padi edhe më e rëndë me çka rrezikojnë dënim të përjetshëm.
Gazetari Zeka thotë se Policia maqedonase ka maltretuar edhe popullatën civile.
No comments:
Post a Comment