Policia edhe më tej heton se si iu ka ikur njëri prej të arrestuarve në aksionin policor në Kumanovë. Sipas MBP-së, po vërtetohen rrethanat për ngjarjen që ndodhi këto ditë në afërsi të fshatit Brezë, kur njëri prej të arrestuarve nga grupi i Kumanovës në vendin e ngjarjes ka treguar ku është fshehur armatimi i vjedhur në Gushincë, dhe ka ikur nëpër pyjet përreth.
“Edhe më tej po punohet në zbardhjen e të gjitha rrethanave. Pas zbardhjes së rrethanave do të ndërmerren masa përkatëse. Pasi tërësisht të konfirmohen të gjitha detajet, saktë do të tregohet përgjegjësia për ikjen”, thonë nga MPB-ja.
Lajmin që dje e publikoi Alsat-M nxiti interesim te mediumet vendore, por edhe ato rajonale. Lajmin e hapi vet personi që ka ikur, duke u prezantuar si Sulejman Osmani nga Breza. Në audio regjistrimin e bërë nga Xhezair Shaqiri si komandant Hoxha në territorin e Kosovës, ai publikisht tregon si është arratisur. Ndërkaq, i frikësuar nga rrahja dhe me pranga në duart, pasi ka treguar ku janë armët, ka filluar të ikë nëpër kodra. Nuk iu ka kushtuar vëmendje paralajmërimeve se policia do të shtie, kështu që policia nuk ka shtënë drejt tij. Më pas, e kanë kërkuar nëpër pyllin përreth, por nuk kanë mundur ta gjejnë. Ai ka gjetur një mik i cili e ka liruar nga prangat dhe më pas ka ikur në Kosovë.
Siç njofton Makfax, autoritetet e Kosovës kanë identifikuar tashmë trupat e pajetë të personave që kishin luftuar në lagjen e trimave në Kumanovë. Bëhet fjalë për
Xhafer Zymberaj i lindur më 18.05.1972
Valon Kabashi i lindur 14.08.1985
Turgaj Gashi i lindur më 13.04.1978
Arben Rexhaj i lindur më 17.09.1971
Samit Kastrioti i lindur më 14.12.1975
Hisen Rushiti i lindur më 20.07.1965 dhe
Fatlum Vishesella i lindur më 16.08.1983