Drejtori i Institutit - Driton Mehmet Kajtazi
Aktivitetetet e Institutit Zviceran për Studime Shqiptare janë hulumtimet, forumet dhe simpoziumet e ndryshme. Me Institutin shqiptarët nuk janë vetëm objekt studimi, por edhe studiues – thekson drejtori Driton Mehmet Kajtazi.
Nga Kujtim SHABANI
«Instituti Zviceran për Studime Shqiptare është 100 për qind zviceran dhe 100 për qind shqiptar – domethënë 100 për qind njerëzor!», e përcakton identitetin e tij drejtori, Driton Kajtazi. Bashkëpunëtorët shkencorë të Institutit janë nga gjithandej, deri në Amerikën Latine, e shpjegon ai gjeografinë e Institutit.
Përtej numrave dhe etiketave, Instituti Zviceran për Studime Shqiptare – ISEAL – administrativisht është zviceran. «Ai është një institucion me vlerë publike, i njohur nga Konfederata dhe i përgjigjet asaj», thekson Driton Kajtazi. Për nga objekti i studimit, Instituti është shqiptar. Ai e studion shoqërinë shqiptare – kulturën, ekonominë… Për drejtorin, «Instituti synon krijimin e urave ndërmjet Zvicrës dhe shqiptarëve, para së gjithash atyre që jetojnë në Zvicër».
Një ide në sirtar
Hapja solemne e Institutit është bërë në vitin 2011. Një dekadë e ka ruajtur Kajtazi dhe ka punuar për këtë projekt pa bujë. Ideja e tij ka lindur në vitin 1999, kur lufta e Kosovës mbaroi, Kajtazi kishte mbaruar studimet dhe nuk angazhohej më në asociacionet studentore ku ishte aktiv. «T’u ikim reflekseve, t’u qasemi refleksioneve», është filozofia që e ka ndjekur Kajtazi në ambicien e tij për krijimin e një instituti shqiptar në Zvicër.
Themelues të Institutit më 2008 kishin qenë njëmbëdhjetë zviceranë, të cilët iu bashkëngjitën kësaj nisme, njerëz me kredenciale në jetën publike këtu. Ndërkohë, Instituti i ka konsoliduar strukturat; nën ombrellën e tij funksionojnë Drejtoria, Shoqata e Miqve dhe Këshilli Drejtues i Fondacionit. Ai ka katër sektorë – të kërkimeve, të botimeve, të kurseve dhe atë të dokumentimit.
Vetëm Shoqata e Miqve të Institutit ka mbi 160 anëtarë, kuadro të ndryshme – zviceranë, shqiptarë dhe të tjerë. Vetëm koha që duhet për një takim me secilin prej tyre gjatë një viti e jep një ide për peripecitë e krijimit të Institutit.
Emra të Institutit
Në vija të trasha, Instituti Zviceran për Studime Shqiptare momentalisht prezantohet me shtatë botime: në gjermanisht, frëngjisht dhe shqip. Pos tjerash, ai ka qenë organizator i tri simpoziumeve njëditore shkencore me tema të ndryshme nga kultura dhe ekonomia. Aty kanë referuar përfaqësues të institucioneve më reprezentative zvicerane dhe shqiptare. «Kjo tregon se këto institucione kanë besim në Institutin tonë», konstaton Kajtazi.
Instituti u shkon gjërave deri në fund. Çdo aktivitet dokumentohet dhe botimi u dërgohet institucioneve e personave të interesuar për ato tema. Doracaku me autor Naxhi Selimi, «Bazat e integrimit parashkollor» është shpërndarë në 1’600 adresa. Botimet e fundit u kanë shkuar 350 institucioneve zvicerane dhe ndërkombëtare.
Driton Kajtazi është krenar për personalitetet që ka fituar rreth Institutit. Ata janë hiç më pak se Victor Ruffy – ish-kryetar i Parlamentit Zviceran, dr. Doris Jakubec – ish-udhëheqëse e Qendrës për Studime Letrare në Romandie, dr. Peter Knoepfel – ish-udhëheqës i Institutit për Studime të Larta dhe Administratë Publike në Gjenevë, profesorët dr. Basil Schader, dr. Laurent Matthey, dr. Olivier Meuwly etj. Këto figura nuk janë thjesht ‹eminenca gri› e Institutit, por konceptuesit e programit dhe supervizorë të projekteve të tij. Dr. Régis Marion-Veyron, kryetar i ri i Këshillit të Fondacionit të Institutit, dhe Francis Cousin, kryetar i Nderit janë ndër bartësit kryesorë të aktiviteteve të tij.
Performansa që nuk paguhet
Krenar Driton Kajtazi është edhe për objektin që i ka caktuar Institutit Qyteti i Lozanës: Një shtëpi katërkatëshe me kopsht. Pjesën më të madhe të qirasë së shtëpisë e mbulon Qyteti. Donacionet janë vaji që e lehtëson punën e mekanizmit që ka konstruktuar Kajtazi dhe njëmbëdhjetë anëtarët tjerë themelues.
Shumicën e projekteve të deritanishme të Institutit i ka sponsorizuar Federata nëpërmjet Entit për Migracion, Kantoni i Vaudit, qytetet Lozanë dhe Vevey, Loteria e Romandisë, «Migros Kulturprozent» etj. Forumi ekonomik në vitin 2013 është bashkëfinancuar nga Ministria e Diasporës së Kosovës. Sa për ilustrim, vetëm përkthimi profesional simultan i simpoziumeve ka kushtuar 3’500 franga në ditë, raporton Kajtazi.
Një punë e madhe vullnetare fshihet pas performansës së Institutit. Renovimi dhe përshtatja e ambienteve të objektit është bërë nga firma shqiptare, rrëfen Kajtazi. «Pa asnjë cent!», shton ai.
Ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës
Driton Kajtazi punon si profesor në një kolegj në Yverdon, ku e jep frëngjishten, histori religjioni dhe lëndën e projekteve. Ai i ka kryer në Lozanë studimet në frëngjishten moderne. Në Institutin për Studime të Larta dhe Administratë Publike në Gjenevë e ka studiuar Menaxhmentin e Organizatave Ndërkombëtare. Masterin në Advanced Studies in Inter-Cultural Studies e ka fituar në Lugano.
Në Zvicër, Driton Kajtazi është vendosur në vitin 1991. Ai ka qenë kryetari i parë i Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Lozanës, në vitet 1994-1999. Në vitet 1997-1999 ishte koordinator i Unionit të Studentëve Shqiptarë në Zvicër.
Kajtazi është gjeneratë e 1970-tës. Shkollën fillore, të mesme dhe tre vjet të Fakultetit të Mjekësisë i ka kryer në kryeqytetin e Kosovës. Origjinën e ka nga zemra e Kosovës – fshati Shpat i Drenicës. Ai është autor i një antologjie të letërsisë zvicerane të Romandisë në shqip. Drama e tij «Guri Ura, l’étranger d’ici», në shqip «Guri Ura, i huaji i këtushëm» luhet prej shatë vjetësh në Zvicrën franceze. Së fundmi ka botuar edhe një libër publicistik, «Dera».
Në vitin 2013, Driton Kajtazi u emërua kryetar i Jurisë për ndarjen e çmimit të Kantonit Vaud për integrim: «Le Milieu du Monde».
Njëherë për një herë
Me kulm mbi kokë, gjithçka është më e lehtë. Pas sistemimit në një objekt vetëm për Institutin, ai e ka luksin t’i rregullojë departamentet e tij si duhet. Tani e ka në terezi. Në kuadër të sektorit të kurseve, Instituti e ka strehuar edhe Shkollën e Muzikës – «Polifoni Toskë e Gegë». Një investim prej mbi 30’000 frangave, që do t’ua mësojë fëmijëve të emigrantëve shqiptarë vlerat e muzikës shqiptare nga jugu në veri dhe do t’i afirmojë ato në Zvicër. Për departamentin e dokumentimit ka filluar mbledhja e materialeve me vlerë publike – gazeta, revista, libra… që kanë dalë dhe dalin në vendet nga vijnë shqiptarët dhe ku ata jetojnë në botë.
Sihariqi i radhës së Institutit Zviceran për Studime Shqiptare janë dy punë kërkimore që do të realizohen këtë vit dhe gjashtë botime të ndryshme në gjermanisht, frëngjisht dhe shqip. Gjithmonë për shqiptarët! Tani pritet sistemimi në objektin e ri i një administrate të Institutit.
Idetë për të ardhmen nuk mungojnë, pohon Driton Kajtazi. Ai shprehet i hapur për bashkëpunim me të gjitha subjektet që kanë interes në punën e Institutit – qofshin këto zvicerane, apo shqiptare. Për Kajtazin, një është e sigurt: «Nuk kemi kërkuar partner zyrtar – as shqiptar, as zviceran». I tillë për të është vetëm Federata. Bashkëpunimi me të gjithë varet nga projekt-idetë. «Kështu shkon gjithandej», përfundon ai. Dhe i pëlqen të shtojë se «me ISEAL-in shqiptarët nuk janë vetëm objekt studimi, por edhe studiues».