Lindi më 20. 7.1940 në fshatin Zhur të komunës së Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndësa Normalen në Prizren, në vitin 1960. Ishte studenti i parë që u regjistrua në grupin e matematikës dhe studenti i parë që diplomoi në këtë grup, me sukses të shkëlqyeshëm, në vitin 1964.
Studimet pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore të Beogradit, në vitin 1970, ku në temën “Grupet lokale nilpotente pa përdredhje” mori titullin magjistër i shkencave të matematikës. Disertacionin e doktoratës me titull “Kontribut për teorinë e grupeve të fundme të thjeshta” e mbrojti në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore të Zagrebit, në vitin 1976.
Filloi punën asistent në Shkollën e Lartë Teknike të Prishtinës. Në periudhën 1967-1971 punoi asistent dhe pastaj docent, më 1977 merr titullin profesor inordinar për lëndën Algjebra e përgjithshme në Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore të Prishtinës, ndërsa në vitin 1987 zgjidhet profesor ordinar për lëndët Algjebra e përgjithshme dhe Algjebra II.
Rezultatet shkencore të punës së tij i ka kumtuar në tubime të ndryshme ndërkombëtare (në Stamboll, Novosibirsk, Varnë, Leibnitz, Novi-Sad, Athinë, Ohër etj.) Që nga viti 1970 ka mbajtur ligjërata në shumë universitete, si në atë të Tiranës, Sofjes, Jenës, Heidelbergut etj. Në vitin 1993 është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Ishte iniciator dhe realizator i studimeve pasuniversitare nga matematika në FSHMN të Prishtinës, ku ka mbajtur disa kurse speciale nga Teoria e grupeve të fundme të thjeshta, Gjeometria e fundme dhe Kombinatorika. Ishte anëtar i komisioneve për përshtatshmëri, vlerësim dhe mbrojtje të disa disertacioneve të doktoratës në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin e Zagrebit, si dhe mentor i disa magjistrantëve dhe doktorantëve në Universitetin e Prishtinës. Me qëllim studimi dhe specializimi qëndroi nga një vit shkollor në disa institucione shkencore në botën e jashtme, si në në universitetin shtetëror “Lomonosov” të Moskës, në vitin shkollor 1972/73 dhe në Institutin e Matematikës të Universitetit të Heidelbergut, në vitin shkollor 1982/83.
Ushtroi shumë funksione udhëheqëse në UP dhe jashtë tij. Ishte kryetar i Pleqësisë në Shkollën e Lartë Teknike dhe në Fakultetin Teknik të Prishtinës, shef i Seksionit të Xehetarisë dhe të Teknologjisë në Fakultetin Teknik të Prishtinës (1970 – 1972), prodekan në FSHMN të Prishtinës (1977 – 1979), dekan i FSHMN të Prishtinës (1979 –1980), shef i studimeve pasuniversitare në Seksionin e Matematikës në FSHMN (1978 – 1982), kryetar i Shoqatës së Arsimtarëve Universitarë dhe Punëtorëve Shkencorë të Kosovës, anëtar i Kryesisë së SHMFA të Kosovës, kryeredaktor i revistës Matematika – Fizika, sekretar i Këshillit redaktues të revistës Buletin i punimeve shkencore të FSHMN të Prishtinës, kryetar i Këshillit organizativ të Kongresit VIII të MFA të Jugosllavisë në Prishtinë më 1985, anëtar i këshillit redaktues të revistës Glasnik matematički, kryeredaktor përgjegjës i revistës shkencore Punime matematike, daljen e së cilës e inicoi dhe pastaj e shpërndau në botë. Ishte prorektor i Universitetit të Prishtinës dhe ndër prijësit e tij në kohën më të rëndë, pas përjashtimit nga ndërtesat; ishte anëtar i KMDLNJ me seli në Prishtinë. Meritë e tij ishte që në numrin 1-2 të revistës Viktimologjia 91 (Zagreb) me titull Kosova Viktimë, Kosova të paraqitej si viktimë e terrorit dhe e politikës okupuese serbe.
Është shpërblyer dhe dekoruar me disa dekorata dhe mirënjohje: Mirënjohja e Universitetit të Prishtinës, 1970, me rastin e themelimit të Universitetit, për kontribut në ngritjen e mësimit dhe të punës shkencore; Mirënjohja e Fakultetit Teknik, me rastin e kremtimit të 10-vjetorit të punës së Fakultetit, për kontribut në punën e suksesshme dhe në zhvillimin e Fakultetit; Mirënjohja e Lidhjes së Shoqatave të MFA të Jugosllavisë me rastin e 30- vjetorit të punës së Lidhjes: Shpërblimi i Dhjetorit, për vitin 1978, për rezultate të arritura nga lëmi i shkencave të matematikës; Mirënjohja e FSHMN me rastin e kremtimit të 20-vjetorit të punës së Fakultetit për kontribut në punën e suksesshme të Fakultetit në vitin 1980; Shpërblimi i Nëntorit i Kuvendit të Komunës së Prishtinës për vitin 1985 për rezultate të jashtëzakonshme të arritura në lëmin e mësimit dhe të punës shkencore. Për të arriturat në fushën e shkencës ishte nominuar dhe kishte hyrë më 1995 në EDICIONIN E PESË MIJË PERSONALITETEVE NË BOTË.
Vdiq në Prishtinë më …..1994.
BIBLIORAFIA
Punimet shkencore dhe profesionale:
Grupet lokale nilpotente pa përdredhje, (punimi i magjistraturës), Beograd, 1970.
O uslovima konačnosti u lokalno nilpotentnim grupama bez torzije, Buletin i punimeve shkencore të FSHMN, Nr 2, Prishtinë, 1974.
Për izolatorët dhe nëngrupet e izoluara në grupet lokale nilpotente pa përdredhje, Buletin i punimeve shkencore të FSHMN, Nr., Prishtinë, 1974.
Konačne proste grupe s rešivim centralizatorom involucije, Buletin i punimeve shkencore të FSHMN, Nr. 3, Prishtinë, 1975.
Prilog teoriji konačnih jednostavnih grupa (disertacioni i doktoraturës), Zagreb, 1976.
A characterization of the simple group Ln(2), Glasnik Matematički, Zagreb, 1978.
Karakterizacija grupe L6(2) trećim centralizatorom involucije, Buletin i punimeve shkencore të FSHMN, Nr. 3, Prishtinë, 1986.
On a projective plane of order 11 on which operates a group of order 63 which fixes a subplane of order 2, Glasnik matematički, Zagreb, 1984.
On the Classification of Projective Planes of Order 15 with a Frobenius Group of Order 30 as a collineations group, Archiv der Mathematik, 1985.
On the Non-existence of Projective Planes of Order 15 with a Frobenius Group of Order 30 as a collineations group, Glasnik matematički, Zagreb, 1986.
Biplanes of Order 14 ëith a Group of Order 28, Punime matematike, Nr.3, Prishtinë, 1989.
Biplanes of Order14 with a Cyclic Group of Order 14, Punime matematike, Nr.4, Prishtinë, 1989.
13) Classification of Symmetric Block Designs for (71,21,6) with Frobenius Group of Order 21, në koautorësi me prof. Mario Essert.
Tekstet shkollore dhe universitare:
Algjebra për klasën e II gjimnaz, Prishtinë, 1976.
Algjebra e përgjithshme, Universiteti i Kosovës, Prishtinë, 1983.
Matematika për klasën e I të fazës së parë të AMO, Prishtinë, 1981.
Matematika për klasën e III të fazës së dytë AMO, drejtimi: makineri, metalurgji, etj, Prishtinë, 1984.
Algjebra lineare dhe gjeometria analitike, Prishtinë, 1985.