Lindi në Pejë, më 1944, ku e kreu Shkollën e Mesme të Artit. U diplomua në Degën e Skulpturës në Akademinë e Arteve të Beogradit, në klasën e prof. Vojislav Vujisiq, në vitin 1969.
Hapi ekspozitën e parë të pavarur në Galerinë e Shtëpisë së Rinisë në Beograd; mori pjesë në Simpoziumin e skulpturës bashkëkohore në Arangjellovac; mori Çmimin për Talente të Rinj të gazetës Borba. Më 1970 u bë anëtar i SHAF të Kosovës dhe mori pjesë në të gjitha ekspozitat kolektive të saj. Më 1971 kreu studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve të Lubjanës, në klasën e prof. Zdenko Kalin. Ekspozoi me grupin AAF të Lubjanës në "Mestna Galerija". Mori Çmimin e Preshernit të Universitetit të Lubjanës.
Mori pjesë në Bienalin IX të Aleksandrisë të Egjiptit (1972). Ekspozoi në Sallonin e Tetorit në Beograd (1973) dhe në Bienalin e Plastikës së Vogël në Murska-Sobota.
Më 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative të Prishtinës.
Më 1975 hapi ekspozitën personale të portretit në Foajeun e TPK të Prishtinës. Ekspozoi në Bienalin II të Plastikës së Vogël. Po ashtu, ekspozoi me grupin "Juni" në Lubjanë dhe Kranj, në Trinalin V të Artit Jugosllav në Beograd dhe në Bienalin III të Plastikës së Vogël(1977).
Më 1978, mori pjesë në Ekspozitën Arti Kosovar në Këln dhe në Paris. Gjithashtu, mori pjesë në ekspozitat e skulpturës jugosllave në Hungari, Rumani dhe Bullgari dhe në Ekspozitën Arti Bashkëkohor Jugosllav në Australi dhe Zelandë të Re. Në këtë vit merr Çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të KSA të Kosovës dhe Çmimin e Sallonit Pranveror të SHAFK.
Më1979 hap ekspozitën e pavarur në "Mala galerija" të Lubjanës dhe
merr pjesë në Bienalin V të Plastikës së Vogël, si dhe në Simpoziumin e skulpturës bashkëkohore të Universitetit të Prishtinës.
Më 1980 merr pjesë në ekspozitën ekologjike në Maribor, si dhe në Simpoziumin Mozaiku në Hapësirë në Vela Luka, Korçullë. Më 1981 hap ekspozitën e pavarur në Galerinë e Arteve, Prishtinë. Më 1982 hap ekspozitën e pavarur (me M. Mulliqin) në galerinë "Forum" të Zagrebit.
Më 1986 hap ekspozitën e pavarur në Klubin e Artistëve në Prishtinë, ndërsa më 1989 hap ekspozitën e pavarur në Galerinë KO të Grozhnjanit, Kroaci. Më 1991 çel ekspozitën e pavarur në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe ekspozitën e pavarur në Galerinë KO të Grozhnjanit, Kroaci. Në vitet 1992-1995 hap disa ekspozita të pavarura në kafe-galeritë e Prishtinës, Pejës dhe Prizrenit, ndërsa më 1993 hap ekspozitën e pavarur në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë, në kuadër të Ditët e Kulturës Shqiptare të Kosovës.
Në vitin 1994 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa më 1996 anëtar i rregullt.
Më 1995, shpall Galeri të Hapur atelienë e tij në fshatin Çagllavicë të Prishtinës, ndërsa më 1997 hap ekspozitën e pavarur në galerinë "Dodona” të Prishtinës dhe më 1997 hap ekspozitën e pavarur tematike të portreteve në restorantin "Hani i 2 Robertëve".
Vdiq në Prishtinë, më 20 tetor 1999.