Ata që lanë gjurmë në shkencë dhe atdhetarizëm :Feriz Krasniqi(1931-)




Lindi më 4.01.1931 në Tërpezë të Malishevës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, Gjimnazin e Ulët e mbaroi në Prishtinë, kurse Shkollën Normale në Gjakovë. Në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Nishit studioi në degën e biologjisë ku edhe diplomoi në vitin 1954. Një kohë punon arsimtar i biologjisë e pastaj regjistrohet në Fakultetin e Shkencave Matematike - Natyrore të Universitetit të Shkupit, në grupin e biologjisë, ku edhe diplomon në fillim të vitit 1961. Pasi kreu Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Shkupit, një kohë të shkurtër punoi profesor i lëndës së biologjisë në Shkollën Normale të Prizrenit. Më 1961 u zgjodh asistent për lëndën Sistematika e bimëve në Katedrën e Biologjisë të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Disertacionin e doktoratës “Vegjetacioni i pyjeve të regjionit kodrinor të Kosovës” e mbrojti në vitin 1968 në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1969 u zgjodh docent, kurse më 1980 profesor ordinar për lëndën Sistematika e bimëve të larta në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Prishtinës, ku punoi gjersa u pensionua. Ushtroi një varg funksionesh të ndryshme: një mandat ishte prorektor i Universitetit të Prishtinës, gjatë viteve 1973-1975 dhe dy mandate rektor i Universitetit të Prishtinës, gjatë periudhës 1975-1979. Gjithashtu ai kreu edhe disa funksione shtetërore, si deputet i Dhomës të Kombeve të Kuvendit të dikurshëm Federativ dhe anëtar i Kryesisë së dikurshme të Kosovës.
Dr. Feriz Krasniqi përcaktimin e vetë në lëmin e kërkimeve shkencore e ka orientuar në studimin e florës dhe t vegjetacionit spontan në tërësi, me theks të veçantë të atij të hapësirës kosovarë. Kështu që duke filluar që nga viti 1963 e gjer më tani ai vazhdimisht ka kontribuar në këtë drejtim duke publikuar numër të madh punimesh shkencore nga kjo lëmi, të cilat janë botuar në revista të ndryshme shkencore të qendrave të ndryshme universitare. Gjatë kësaj periudhe, relativisht të gjatë të punës shkencore ai ka dhënë kontribut të madh dhe të vlershëm në studimin mjaft detal të florës dhe vegjetacionit të Kosovës dhe ate në disa drejtime, duke përfshirë këtu: veçoritë karakteristike dhe shumëllojshmërinë e bimësisë së kësaj treve, gjendjen e mëparshme, atë ekzistuese dhe ndryshimet e mëdha në te, sidomos ndryshimet drejt degradimit dhe shkatërrimeve të mëdha, varfërimit dhe zhdukjen e gjenofondit të rrallë bimorë siç janë elementet floristike: endemike, relikte dhe endemoreliktet.
Me punën dhe iniciativën e tij, kërkimet bashkëkohore në florën dhe vegjetacionin e Kosovës, kanë fituar një intensitet, kurse metodat e punës hulumtuese në këtë lëmi vazhdimisht janë përsosur dhe zgjeruar në drejtime të ndryshme. Ai në fillim vetë, e pastaj me ekip bashkëpunëtorësh ka grumbulluar material të pasur floristik dhe të dhëna të ndryshme për florën dhe vegjetacionin e Kosovës, duke i vërë kështu themelet e sigurta për kërkime të mëtejme në këtë lëmi. Mund të thuhet se Dr. Feriz Krasniqi është nismëtar i parë vendor (kosovar), që me përkushtim dhe mbi bazat shkencore i rreket studimit të gjithanshëm të florës spontane dhe vegjetacionit spontan autokton të kësaj treve. Gjatë kësaj pune ai ka konstatuar një varg elementesh floristike të reja për florën e Kosovës e më gjerë si dhe ka konstatuar dhe përshkruar varianta e asociacione bimore të reja në trevën e Kosovës. Dr. Feriz Krasniqi në punimet e tij u përmbahet kritereve rigoroze të shkencës. Në to ai nuk bën improvizime dhe kombinime, publikon vetëm ato për të cilat është i bindur se janë risi apo kontribut në lëmin përkatës të shkencës.
Rezultatet e fituara dhe të publikuara të autorit kanë rëndësi të madhe jo vetëm për studime më të thella e më të hollësishme në sferën e kërkimeve fundamentale dhe të mbrojtjes së ambientit, gjithnjë më të rrezikuar, por këto kërkime janë të lidhura ngushtë edhe m shkencat aplikative si agronominë, farmacinë, pylltarinë, veterinarinë, etj. Me punën e tij Dr Friz Krasniqi ka kontribuar që tani të kemi një tablo përkatësish një pasqyrë shumë më të plotë të florës dhe vegjetacionit spontan të Kosovës. Vlen të ceket kontributi i tij si themelues i herbarit kombëtarë të florës së Kosovës, pran Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës ku gjenden mijëra ekzemplarë të elementeve të ndryshme floristike të pajisura me shënime përkatëse që kanë rëndësi për hartimin dhe inventarizimin e florës së Kosovës në të ardhmen si dhe për afirmimin e kësaj treve në qarqet shkencore.
Dr. Feriz Krasniqi, ka marrë pjesë në shumë tubime të ndryshme shkencore dhe është i cituar në literaturën shkencore nga lëmi i florës dhe vegjetacionit.
Për shkallën e afirmimit dhe autoritetit që gëzon Dr Feriz Krasniqi e vërteton edhe fakti i rëndësishëm që lloji bimor i ri për shkencën e floristikës i gjinisë Cynoglosum (Solenanthus) i zbuluar në masivin malorë të Pashtrikut nga botanicisti i njohur T. Wraber emërtohet me emrin shkencor Cynoglossum Krasniqii T. Wrab., ku në arsyetim përveç tjerash shkruan “Ab omnibus Conoglossis lobis corollae lanatis diversum, Cynoglosso clandestino excepto in quo tamen stamina corollae inclusa sunt.
Species harc insifgnis in honorem botanici Feriz Krasiniqi, Universitatis Prishtinensis professoris, de cognitione vegetationis regionis Kosovo dictae benemeriti, nominata est.
Një emërtim i tillë që praktikohet dhe u dedikohet personaliteteve të dalluara e të afirmuara që kanë lënë gjurmë në fusha të ndryshme të jetës, përkatësisht të shkencës, ka bërë të mundur që emri i Dr Feriz Krasniqit të jetë i përjetshëm në historikun e shkencës s floristikës.
Në sferën arsimore-edukative ka bërë përpjekje për sigurimin e teksteve dhe të literaturës biologjike në gjuhën shqipe, në fillim si përkthyes e më vonë edhe si autor. Gjatë punës në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore, udhëhoqi me sukses punimet e diplomës të shumë kandidatëve dhe ua propozoi temat e doktoratës kandidatëve të interesuar. Si anëtar i komisionit, mori pjesë në mbrojtjen e disertacioneve të doktoratës në dy universitete (të Prishtinës dhe të Zagrebit). Për kontributin e tij në lëmin e kërkimeve shkencore, në procesin arsimor-edukativ të shumë brezave, në sigurimin e literaturës së nevojshme nga lëmi i biologjisë, në zhvillimin institucional dhe afirmimin e Universitetit të Prishtinës, u nderua me shumë shpërblime dhe mirënjohje: Shpërblimi Krahinor i Dhjetorit për rezultatet e arritura në shkencat biologjike gjatë vitit 1975; Pllaketa nga Fakulteti i Mjekësisë, për merita rreth zhvillimit të tij me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të themelimit, shpërblimi Naim Frashëri për tekstin universitar Sistematika e bimëve të larta me elementet e filogjenisë, të botuar në vitin 1985; Mirënjohje nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës për bashkëpunim të suksesshëm; Mirënjohje e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore me rastin e kremtimit të 36-vjetorit të punës së suksesshme të tij., mirënjohje e Universitetit të Prishtinës me rastin e kremtimit të 40 vjetorit të punës së suksesshme të tij. Në vitin 1995, Senati i Universitetit të Prishtinës ia jep titullin e nderit Profesor emeritus për merita të veçanta në zhvillimin dhe avancimin e Universitetit të Prishtinës, si dhe për përsosmërinë mësimore dhe shkencore. Në vitin 1996, zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt i kësaj akademie ku gjendet edhe tani.

BIBLIOGRAFIA

Punimet shkencore:

Krasniqi, F., 1963: Kontribut njohjes së florës së maleve të Drenicës, Përparimi, Prishtinë.
Marinović, R., Krasniqi, F., 1963: Algat e ujrave të tharta të Deçanit, Përparimi, Prishtinë.
Tatić, B., Krasniqi, F., 1963: Ranunculus falcatus i Asphodeline liburnica, Nove vrste za floru Srbije. Zbornik Filozofskog fakulteta u Prištini, knj. I, str. 323-326.
Krasniqi, F., 1963: Përshtatshmëria dhe përgatitja e bimëve për t’u mbrojtur nga ftohtësia dhe ngricat, Përparimi, Prishtinë.
Marinović, R., Krasniqi, F., 1965: Mikrofite poklečkih mineralnih voda, Glasnik prirodnjačkog muzeja, Beograd, Serija B, knj. 20
Krasniqi, F., Marinović, R., 1966: Mbi mikrofitet që gjenden në ujrat minerale të Poklekut dhe ndikimi i ujrave të tilla në përbërjen e tyre floristike, Përparimi, Prishtinë.
Krasniqi, F., 1966: Šuma sladuna i cera kao posebna geografska varijanta u Lipovici (Quercetum confertae – cerris scardicum). Zbornik Filozofskog fakulteta u Prištini, knj. III. Str. 445-452.
Blečić, V., Tatić, B., Krasnići, F., 1968: Kratak prilog flori Jugoslavije. Buletin de l’institut et du jardin botaniques de l’universite de Beograd, Tome III, nr. 1-4.
Krasniqi, F., Marinović, R., 1969: O rasprostranjenju Tetraspora ulvacea Kutz. u vodama Belog Drima na Kosovu, Zbornik Filozofskog fakulteta u Prištini, knj. VI, str. 159-162.
Blečić, V., Tatić, B., Krasnići, F., 1969: Tri endemične zajednice na serpentinskoj podlozi u Srbiji, Acta botanica croatica, Vol. XXVIII, Zagreb.
Marinović, R., und Feriz D. Krasnići, 1970: Uber die charas (Chara) in mineralgeässrn der Pokleka. Buletin de l’institut et du jardin botaniques de l’universite de Beograd. Tome V/137-145.
Blečić, V., Krasnići, F., 1972: Zajednica endemičnog šibljaka forzicije i krstušca (Polygalo-Forsythietum europaeae Blečić i Krasnići) u jugozapadnoj Srbiji. Glas. Republ. Zavoda zašt. Prirode – Prirodnjačkog Muzeja, Titograd, 4, str. 35-40.
Krasnići, F., 1972: Šumska vegetacija brdskog regiona Kosova – 6 (monografi), Zajednica naučnih ustanova Kosova, Priština, knj. 27.
Krasniqi, F., Hundozi, B., Pajazitaj, Q., 1980: Rreth disa taksoneve bimore të reja për florën e Kosovës e të Serbisë, Buletini i pun.shkenc. i FSHMN, Prishtinë, VI/137-142.
Krasniqi, F., Hundozi, B., Pajazitaj, Q., 1981: Kontribut njohjes së florës së Kosovës, Bul. i pun. shkenc. i FSHMN, Prishtinë, VII/133-139.
Krasniqi, F., 1982: Promene u flori i vegetaciji Kosova poslednjih decenija i mere njihove zaštite. Makedonska akademija na naukite i umetnostite, Skopje, Prilozi III/59-67.
Krasnići, F., 1987: Endemi u flori SAP Kosovo i problem njihove zaštite. Akademija nauka i umjetnosti Bosne i Hercegovine, Odelj. prirod. nauka, knj. 14, Sarajevo.
Krasnići, F., Hundozi, B., Pajazitaj, Q., 1990: A short contribuiton to the flora of Kosovo. Rasprave IV razreda Slovenska Akademija znanosti in umetnosti, Ljubljana.
Hundozi, B., Krasniqi, F., 1995: Colchicum hungaricum Jka. the Coronilla vaginalis Lam., lloje ibmore të reja për florën e Kosovës. Buletini i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, nr. 10/177-181, Prishtinë.
Krasniqi, F., 1998: Veçoritë e florës dhe të vegjetacionit të Kosovës dhe problemi i mbrojtjes së tyre. ASHAK, Seksioni i Shkencave të Natyrës, Kërkime 6, Prishtinë.

Tekstet shkollore – universitare e literaturë tjetër:

Krasniqi, F., 1985: Sistematika e bimëve të larta me elementet e filogjenisë, Tekst universitar, faqe 438. Botoi Endi i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Kosovës, Prishtinë.
Williams, H.G., Hunyad, K., 1987: Dictionary of weeds of eastern Europe. Akademia KIADO, Budapest. Nga 13 gjuhët e aplikuara në këtë botim, pjesa në gjuhën shqipe në të është përgatitur nga F. Krasniqi e B. Hundozi.
Krasniqi, F., Ruci, B., Vangjeli, J., Susuri, L., Mullaj, A., Pajazitaj, Q., 2003, Fjalor i emrave të bimëve – Dictionory of plant names, ASHSH dhe ASHAK, Tiranë-Prishtinë.

Puna në projekte shkencore-kërkimore:

Në projektin Hulumtime në florën e Kosovës, të udhëhequr nga Feriz Krasniqi e të realizuar gjatë periudhës 1986-1990, pas shumë ekspeditave në terren dhe punës kërkimore në laboratorë, janë determinuar dhe studiuar mbi 1200 taksone të bimëve të larta vaskulare të përhapura në trevën e Kosovës. Këto taksone bimore, së bashku me ato të studiuara më herët, të herbarizuara dhe të sistematizuara në mënyrë bashkëkohore e me shënime përkatëse, janë të vendosura në herbariumin e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Prishtinës. Kështu janë vënë themele solide për studime të mëtejshme në florën dhe vegjetacionin e Kosovës, si në aspektin fundamental ashtu edhe në atë aplikativ.
Rezultatet e fituara gjatë punës në projektin e lartpërmendur, së bashku me hulumtimet e mëhershme, kanë kontribuar që tani rreth 70% të llojeve të florës së Kosovës të jenë të njohura dhe të studiuara, duke krijuar kështu mëndusë që në të ardhmen flora e Kosovës të botohet në formë të një edicioni të veçantë.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)