2015-05-31

Vajza në Pultin e Komandimit


Llambi Blido "Vajza në Pultin e Komandimit" (oil on canvas, 1971)

Kohët e fundit u njoha me veprën "Vajza në Pultin e Komandimit" tëLlambi Blidos (1971), e cila shfaq kërshëri për analizë dhe vëzhgim. Vepra në fjalë është pronë e Galerisë Kombëtare dhe ekspozohet në të. I përket një prej periudhave më të begata në të cilat kaloi piktura shqiptare e shekullit të njëzet, fillimit të viteve 1970.

Vetë autori i saj në një intervistë për gazetën Shekulli, të datës 15.6.2009, me titull "Socializmi real? Punë me porosi" shprehet:


"Është një tablo tipike e realizmit socialist, një temë e rëndësishme e kohës: "emancipimi i gruas". Kam përdorur shkronja të vendosura në mënyrë ritmike, si element përbërës i tablosë. Në përgjithësi, prirja është grafike. Një tablo ku vepron më shumë gjuha e linjave. Gjuha e ngjyrave është mjaft e kursyer, e sfumuar, e kontrolluar, qëndron afër së bardhës në kontrast me tonet e errëta të germave. Të gjitha këto janë të organizuara brenda një estetike të caktuar. Aty ekziston ajo vija melodike që mund ta quaj duke marrë hua fjalorin e muzikës. Që të jetë e denjë për t'u quajtur vepër arti, ajo duhet të ketë një vijë melodike të qartë..."

Ajo që më bëri menjëherë përshtypje tek kjo punë është thjeshtësia në trajtimin e subjektit, dekorativiteti, sipërfaqet e sheshta, mosekzistenca e volumeve, gama e kursyer e ngjyrave, linja elokuente.

Mësoj se Ll. Blido ka punuar si piktor ilustrues i librave për fëmijë(comics), në revistën Pioneri, por edhe si karikaturist, për vite me radhë; dhe ky faktor mund të ndriçojë deri diku këndvështrimin e tij në lidhje me këtë vepër, i cili largohet mjaft prej metodës së socrealizmit. Por nga angazhimi si piktor-ilustrues diku, deri në të shprehurit nëpërmjet pikturës së kavaletit me këtë frymë, ekziston vërtet një hendek mjaft i madh ndarës.

Menjëherë sa pashë "Vajzën në Pultin e Komandimit", mendja më shkoi tek piktura e një prej përfaqësuesve më të fuqishëm të pop artitamerikan, tek Roy Lichtenstein. Puna e tij "M-Mabye", e vitit 1965, dëshmon pikërisht këtë lidhje. Bëhet fjalë për dy punë me një diferencë kohore prej gjashtë vjetësh. Është vërtet për t'u habitur. Dy artistë që krijonin paralelisht, në dy anë të ndryshme të globit, dhe që kishin arritur -të paktën me këto dy punë të tyret- në të njëjtat konkluzione, në të njëjtin qëndrim estetik, në të njëjtën formë akumulimi të ambientit rrethues, si edhe në një mënyrë mjaft të ngjashme të shprehuri.

Vërej një përafri të madhe perceptimi, por dhe konkludimi vizual. Dekorativiteti, linja, thjeshtësia e trajtimit. Forma se si modulojnë psh: flokët e heroinës, është tërësisht e njëjtë. Stilizimi i buzëve, i hundës, i syve -po i njëjtë. Këndi i vështrimit -përsëri i përbashkët- tejet lozonjar, femëror, dhe i orientuar diku anash spektatorit, duke bërë të bardhën e syve të kumbojë. Përdorimi i shkronjave, i fjalës në kuadratin piktorik, për të dy i përbashkët...

Por a ishte vallë e mundur në Shqipërinë tejet të izoluar komuniste, një artist të ishte në dijeni të rrymave më përfaqësuese të artit të atëhershëm perëndimor? Nuk është aspak rastësi që kjo vepër e realizuar ngaLlambi Blido, ashtu sikurse "Epika" nga Edison Gjergo, apo "Mbjellja"nga Edi Hila, i përket fillimit të viteve 1970; asaj pranvere rigjallëruese që përjetuan artet shqiptare, si edhe frymës liberale që mbizotëronte në lidhje me informacionin që vinte përtej kufijve, mbi rrymat, lëvizjet, dhe drejtimet artistike të kohës. Nuk ishte aspak çudi që Llambi Blido të ishte njohur me pop artin amerikan, apo edhe me artin e Roy Lichtenstein, nëpërmjet revistave të ndryshme perëndimore. Këtë argument ma përforcon më tepër intervista e tij, kur flet për pikturën dhe piktorët e asaj kohe tek gazeta Shekulli dhe thotë:

"Pjesa tjetër (që ishin pak në numër) e hodhën vështrimin nga përparimi. Me gjuhën e asaj kohe, "u ndikuan nga arti borgjezo-revizionist". Në të vërtet ashtu ishte, por me ndryshimin që ishte shumë pozitiv, nuk ishte ashtu siç thoshte partia. Këta i dhanë frymëmarrje artit të realizmit socialist."

Duke folur pra për "Vajzën në Pultin e Komandimit"(1971), kemi të bëjmë me një pikturë të influencuar (të orientuar) nga filozofia e pop artit; kemi të bëjmë me një krijim që përpiqet të shkundë nga vetja dogmën ideologjike mbi të cilën merr përsipër të flasë, duke ia arritur më së miri; kemi të bëjmë ndoshta me veprën e parë përfaqësuese të pop artit në Shqipëri; kemi të bëjmë me një pikturë dinjitoze, e cila rrezaton thjeshtësi, ëmbëlsi, dinamikë, por dhe modesti krijuese.

Roy Lichtenstein "M-Maybe" (oil and magna on canvas, 1965)

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...