Dr Gëzim Alpion
Angli, 6 qershor 2015
Siç vepruam një muaj para zgjedhjeve
parlamentare para dy vitesh, edhe tani në prag të zgjedhjeve lokale, ne po e
pezullojmë fushatën lobuese për Rrugën e Arbërit. Këtë po e bëjmë për t’i qëndruar
konsekuent premtimit që bëmë kur filloi peticioni më 18 Mars 2013, se nismën
tonë do ta mbajmë larg politikës deri në përfundimin me standarde të rrugës. Pra,
edhe tani, si qeveria ashtu edhe opozita, nuk kanë asnjë arsye të na
konsiderojnë si “aleatë” apo “kundërshtarë” politikë.
Megjithatë, siç do të përmendim
më poshtë, kjo është hera e fundit që pezullojmë fushatën e lobimit para
zgjedhjeve pasi ka ardhur koha t’i themi MJAFT maratonës 20 vjeçare të
hezitimeve, premtimeve, zvarritjeve, mashtrimeve, abuzimeve dhe sabotimeve në
lidhje me Rrugën e Arbërit.
Mesa duket, Rruga e Arbërit do
të bëhet. Në mungesë të informacionit zyrtar, tani për tani nuk dihet nëse kjo
do të jetë një vepër me standarde ndërkombëtare apo një “rrugë fshati”, që i
shkon për shtat zonave të “largëta” të harruara deri në përçmim që nga
themelimi i shtetit shqiptar. Po kështu, nuk kemi asnjë garanci nga qeveria se
nuk do të ketë abuzime me fondet e kësaj vepre, abuzime të cilat ka kohë që
janë shndërruar në një traditë të institucionalizuar neveritëse.
Ne jemi ndryshe nga zyrtarët
që ua urojnë (kjo nuk është hera e parë) këtë vepër dibranëve pa u ndërtuar
dhe, të cilët me “modesti” karakteristike, mesa duket, presin të falënderohen
meqë po bëjnë punën për të cilën paguhen, punë që, deri tani, asnjëherë nuk
është shoqëruara me transparencë, siç do të veprohej në një shtet serioz. Po
kështu, ndryshe nga politikanët, si ata fjala e të cilëve ka peshë përsa i përket
kësaj vepre, ashtu edhe “sejmeneve” provincialë që i rrethojnë, nuk i jemi
futur kësaj pune për të marrë lëvdata. Me historinë e “baballarëve” dhe “varrmihësve”
të kësaj rruge le te merret kush të ketë ngenë. Ne na intereson thjesht ndërtimi
i saj brenda këtij mandati qeveritar dhe me cilësi të pakompromentueshme.
Ne që po lobojmë për këtë
vepër si idealistë të pandreqshëm, do t'ia freskojmë vazhdimisht kujtesën Edi
Ramës dhe deputetëve të Dibrës që të mos harrojnë premtimin elektoral të
2013-tës, se kjo vepër do të përfundojë brenda qershorit 2017. Po qe se ky
premtim nuk mbahet, zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë interesante,
dhe jo vetëm në Dibër.
Është mirë që Shqipëria tu jap
mundësinë vendeve ballkanike që të kenë akses në Adriatik dhe Jon. Por të jesh “internacionalist”
(jo nga “vizioni” por nga trysni jashtë kontrollit të politikës shqiptare) kur afër
një çerek milionë njerëz vuajnë izolim të përjetshëm në Dibër, Mat dhe Malësinë
e Tiranës, sikur nuk shkon. Kjo nuk na bën ne lobuesve "nacionalistë"
por, po të huazojmë një shprehje që Kristo Frashëri përdor në librin e tij për
Ahmet Zogun (2014), “patriotë të kulturuar”. Në fund të fundit, nga Rruga e
Arbërit, përveç zonave të lartpërmendura, do të përfitojnë jo vetëm Shqipëria
dhe kombi në tërësi, por edhe disa vende fqinje.
Ne do ta rifillojmë lobimin
pas shpalljes se rezultateve të zgjedhjeve lokale.
Edhe një herë, ju falënderojmë
për përkrahjen tuaj të vazhdueshme për peticionin për Rrugën e Arbërit.
*****************
Peticioni për
Rrugën e Arbërit mund të nënshkruhet në linkun që vijon: