Pas krijimit të degës së Partisë Komuniste Jugosllave në Tiranë, në nëndor 1941, nga emisarët e saj Miladin Popoviçi e të tjerë, ata vunë në krye Enver Hoxhën, njeriun e studiuar për interesat e tyre. Deri në prill të vitit 1948, (kur dolën letrat e Informbyrosë, se Jugosllavia e Titos tradhtoi), në çdo dikaster, ishin vendosur instruktorë jugosllavë dhe flitej gjerësisht për “miqësinë e madhe”,
“Vllazërim-Bashkim (Bratsvo - Jedinstvo)" Jemi në vitin 1946. Rruga drejt Jugosllavisë së Titos, ishte hapur vetëm për studime. Kështu edhe nga Ministria e mbrojtjes u caktuan grupe ushtarakësh, njëri prej tyre, ishte grupi ynë prej mbi 40 ushtarakësh, që filluam nga muaji tetor i vitit 1946, deri në prill të vitit 1948, të kryenim shkollën e tankeve të oficerëve të Armatës Jugosllave, me emrin “Petar Drapshin”, në qytetin Bella Cërkva. Për të diskriminuar oficerët tanë, instruktorët jugosllavë në Ministrinë e Mbrojtjes, caktuan në zyrën e kuadrit të dërgoheshin për studime, persona analfabetë e gjysmë analfabetë, me dy-tre klasë fillore dhe me fillore, pati tre persona me 2 klasë të mesme.
Pra, ky ishte brumi i shqiptarëve të ardhur në Jugosllavi për të vazhduar shkollën e tankeve. A mundet vallë oficerët tanë të kuadrit të Ministrisë së Mbrojtjes të dërgonin vetë ushtarakë me këtë nivel kulture mjaft të ulët për studime? Kuptohet, se dominuan oficerët instruktorë jugosllave qëllimisht për diskriminim.
Ky grup “studentësh” përbëhej prej shumicës, që kishin qenë partizanë të viteve 1943 – 1944, gjysma e tyre ishin anëtarë partie dhe gjysma tjetër të rinj komuniste. Kishte edhe një pjesë prej ushtarëve të mobilizuar pas çlirimit.
Sekretar i partisë, për grupin shqiptar në shkollë, u caktua Murat Kasapi (i nipi i kolonel Rrahman Ruçit, që më vonë u pushkatua). Ndërsa Mua më caktuan sekretar të organizatës së rinisë. Por mbas pak kohe, Murati bëri një thyerje disipline dhe për këtë e shkarkuan si sekretar të organizatës së partisë dhe më ngarkuan mua.
Unë kisha mbaruar 5 klasë fillore në kohën e Zogut 1933-1939. Kisha lexuar shumë libra të Rilindësve të trashëguara nga gjyshi dhe babai, të vdekur njëri pas tjetrit, duke më lënë mua 4 vjeç jetim.
Në shkollë kam qenë i rekomanduar, për t’u takuar me atasheun ushtarak të ambasadës tonë në Beograd, në çdo dy muaj, për informacion dhe udhëzime. Në shkollë, veç jugosllavëve, kishte studentë të ardhur nga vendet e ish demokracive popullore dhe të gjithë ishin me kulturë të mesme e të lartë. Ne vinin nga jeta e luftës partizane, të viteve 1943 - 1944, disa me dekorata të “Kujtimi” e “Trimërisë”.
Pjesa më e madhe, ishim fshatarë, bujq e blegtorë, disa kishin qenë kuadro në ushtri. Por të gjithë me mungesë kulture, e pa literaturën e nevojshme për të mësuar gjuhën. Ne paraqiteshim me një horizont tepër të ngushtë, por me një krenari të theksuar prej shqiptari. Kësisoj, sllavo- serbët na shikonin me përçmim dhe na vinin në lojë, fjala e parë e tyre ishte: “Allbanac bez kulturni çovek”.
“Shqiptari pa kulturë”. Sllavët në përgjithësi, e serbët në veçanti, fjalën “jebenti” (të q...fsha) e kishin në majë të gjuhës dhe e përdornin si pa gjë të keq.
Kur shqiptarët mësuan kuptimin e fjalës “Jebenti”, filloi grushtimi. Atëherë ata na ofendonin më shpesh për gallatë. Shpreheshin se Shqipëria do të behet republika e shtatë jugosllave. Shpesh në stërvitje në teren, veç talljeve me gojë, na vinin këmbëzën duke na penguar, për të rënë në baltë ose në pellgje uji dhe kjo ishte gëzimi i madh i tyre.
Por disa nga ne shqiptarët, si Hasan Berberi, Shyqyri Fera, Kosta Ranxhi e tj, nga filli kanë shpëtuar, se do t’u kishin nxjerrë zorrët me bajonetën e pushkës. Kishte disa studentë, si kolonel Selmanoviç Esadi nga Bosnja, që na afronte si mysliman dhe premtonte në mbledhje, se do të na mësonte shkronjat për të zhdukur analfabetizmin, por kjo ishte një tallje e tij për humor.
Në poligonin e tankeve do të behej qitje me tre topa të tankeve. Kur erdhi radha e tre shqiptareve për të bërë qitje me top, ndërresa serbe që bëri qitje para nesh, u kishin hequr “Okularët, periskopëve të topit.
Ata sabotuan qitjen e shqiptarëve me një urrejtje të hapur kundër nesh. Shkolla bënte shërbim garnizoni (roje 24 orë).
Sipas radhës, na vinte edhe ne shqiptarëve ky shërbim, por në një mbledhje në mencë, pas ngrënies së drekës, komisari i shkollës, koloneli Mirko Vraniç tha: “Shqiptarët kanë ngrënë bukë misri, prandaj janë gjaknxehtë për të ruajtur miqësinë me ne, që mos të ndodhi ndonjë aksident me armë, unë urdhëroj, që nga sot, shqiptarët të mos bëjnë më shërbim garnizoni (roje me armë)...
Të gjithë studentët quheshin me parashtesën e emrit të Titos “Titovi Pitomci” (studenti i Titos). Kur të thërrisnin, ose kur dilje në raport, apo kur doje të paraqiteshe tek eprorët, duhet të thoshe: “Të paraqitet studenti i Titos Filani”.
E gjithë shkolla kishte divizën, kostumin e liridaljes në festa ose piknikë, për liridalje të shtunën e të dielën dhe veshja e kostumit përfaqësonte armën e tankeve. Ne, shqiptarëve, akoma nuk na e kishin dhënë këtë kostum, ndonëse kishin kaluar 6 muaj dhe ne paraqiteshim në qytet me një veshje të përçudnuar.
E kishim kërkuar disa herë kostumin, por thoshin, me sot e nesër, si nga përfaqësia ushtarake që na mbulonte edhe nga drejtoria e shkollës. Kishte edhe studentë të ardhur nga ish demokracitë popullore, por ata kostumin e kishin marrë brenda javës.
Ndërsa për ne shqiptarët, kishte kaluar gjysmë viti pa e marrë. Pra, edhe këtu kishim të bënim me një diskriminim të hapur...
Më 7 maj 1947, ishte ditëlindja e Titos. Atë mëngjes, kambana bëri zgjimin e të 30 studentëve të dhomës më herët.
Të gjithë merreshin me rregullimin e krevateve, përgjegjësi i dhomës, (stareshina) Millosaleviç Kristivoj, më urdhëroi: “ dëgjo pitomac Bebo, sot në orën 3:30, lajmëro të mblidhen të gjithë shqiptarët para shkollës, se e gjithë shkolla do të shkojë te omlladinski dom (shtëpija e rinisë), për të festuar ditëlindjen e Marshallit Tito”.
Unë iu përgjigja:
–Zoti nënkolonel Kristivoj, ne shqiptarët nuk vijmë, mbasi ne nuk kemi uniformën e liridaljes së shkollës!...
-Dëgjo edhe një herë, ju urdhërojmë të vini për ditëlindjen e Titos patjetër, s’ka asnjë diskutim.
-Ne, po të vijmë, do të jemi në fund të kolonës, me një uniformë të keqe dhe qytetarët do të na marrin si robër gjermanë e mund të na gjuajnë me sende të qelbura. Sepse krijohet një kontrast i madh përpara grand uniformës tuaj...
-Unë nuk dua të di. Ju do të vini për ditëlindjen e Titos patjetër!...
-Jo. Ky është diskriminim që na bëni ne shqiptarëve, kur presim të na jepni uniformën si ua keni dhënë të tjerëve brenda pak kohe, ndërsa për ne kaluan 6 muaj.
-Urdhër! – klithi ai, - do vini për Titon!...
Unë në atë moment, pa menduar thellë, përdora shprehjen e zakonshme të tyre) “Jeb..... Titon, ne nuk vijmë!”...
-Ti allbanac, shan mareshalin Tito?... Unë të godas! - dhe mori në dorë ristelen e gjatë që hekuroste krevatin për të më goditur.
-Në qoftë se ti godet, unë do të hedh nga dritarja, të biesh poshtë i vdekur!... – i thashë. Këtu atij i mbeti ristela e ngritur në dorë dhe u kthye mbrapa. Nuk foli më.
Nga të 28 veta të dhomës asnjëri nuk foli, të gjithë ishin jugosllavë, veç dy shqiptarë, unë dhe Ramadan Osmani nga Korça. Ramadani lajmëroj të gjithë shqiptarët, që asnjëri mos të dalë në shesh për reshtim dhe asnjë nuk doli. Nuk pati asnjë reagim nga drejtoria, asnjëri nga studentët nuk e zuri në gojë. Unë prisja arrestimin apo dëbimin nga shkolla, isha në ankth tre ditë me radhë.
Në orën 1, të natës së tretë, oficeri i rojës më zgjoi nga gjumi:
-Çou, koloneli i juaj të kërkon!...
-Ku është Koloneli?...
-Në një klasë të pallatit, kur të dalësh jashtë do të shikosh klasën që ka dritën ndezur.
Shkova në katin e katërtë dhe trokita në derë. Asnjë përgjigje.
Hapa derën. Koloneli Pertef Pumo, “ Atashe Ushtarak në Ambasaden Shqiptare në Beograd”, kishte vendosur kokën mbi të dyja duart me bërrylat mbi tavolinë. Paraqitem si pas rregullit dhe ky nuk e ngriti kokën. Mbas 5-6 minuta më drejtohet, sikur do të më hante të gjallë:
-Kush je ti që shan Mareshallin Tito?... Na ke shqetësuar të gjithëve. Nesër në Tiranë të pret gjyqi ushtarak dhe pushkatimi...
Të kishim një kuadër të mirë, tani të pret vdekja. Pse arrite deri këtu duke vënë dy shtete në lëvizje, don të na prishësh miqësinë “Bashkim- Vllazërimin” me Jugosllavinë e Mareshallit Tito, tani gjyqi special të pret...
Kur unë dëgjova fundin tim, vendosa të akuzoj:
-Unë nuk jam fajtor, fajtor je ti, që ke aprovuar për studentë disa analfabetë e gjysmë analfabetë dhe serbët kanë gjetur shkakun të na shajnë dhe ofendojnë orë e çast, duke thënë: “Allbanac bez kulturni çovek”...
-Pusho, se nuk dua të të dëgjoj!...
-E mira është që t’i dish edhe ti ato që unë do të deponoj në gjyq. Ne jemi brumi më i ulët, përpara këtyre që janë me kulturë të mesme dhe të lartë. Unë të paktën kam bërë shkollën fillore në kohën e Zogut dhe kam lexuar shumë libra, por çfarë të bësh me Selfo Dalanin, Kapllan Ajdinin, Viktor Golemin, Ahmet Bezharan e të tjerë, që serbët tallen në klasë e në stërvitje, duke u vënë këmbëzën dhe ata bien në ujë, baltë, llucë, fëlliqen ndoten dhe bëhen gazi i tyre...
Ka pasur raste me Hasan Berberin, Shyqyri Ferren, Kosta Ranxhin etj, me bajonetën e pushkës deshën t’u çanin barkun, por kanë shpëtuar për qime. Diskriminimi që vazhdon është, sepse ne nuk kemi divizën e shkollës, të cilën studentet e marrin brenda javës kurse për ne kaloi gjysma e vitit e nuk na e dhanë, ne jemi me uniformën e vjetër të ushtarit.
Me paturpësi na kërkojnë të rreshtohemi për ditëlindjen e Titos në fund të kolonës, që të dukemi më keq se robërit gjerman (kur në qytet ka shumë të tillë) dhe me paraqitjen tonë edhe populli arrin të na qëllojë me ndyrësirat e rrugës. Mbasi edhe në popull ekziston një urrejtje kundër shqiptarëve.
Pas këtyre fjalëve, zjarri i zemërimit kundër meje ra te koloneli Pertef Pumos. Më në fund shpëtova me një vërejtje në kartën e regjistrimit si dënim.
Në prill 1948, komanda e shkollës së tankeve, mbylli programin e studimit, shpërndau diplomat me motivime të ndryshme. Ne u kthyem në Shqipëri dhe u rreshtuam në krijimin e regjimentit të tankeve me emrin “Vojo Kushi”. Po të rrojë sot, ndonjëri prej shokëve të atëhershëm, pas 68 vjetëve e kujton patjetër atë diskriminim të egër serbo-sllav.
Rasim Bebo, Addison, Çikago, qershor 2015.