LIRIKA QYTETARE DHE INTIME E REXHEP SHAHUT

Image result for BEHAR GJOKA
NGA BEHAR GJOKA

Në detin e vargëzimeve që ndeshim përditëzaj, në hapësirën shqiptare, është vështirë të gjesh atë që është e veçantë tek poezia që shkruhet. Megjithatë, udhëhequr nga ideja e Benedetto Kroçes, se poezia duhet kërkuar aty ku gjendet dhe aty ku fshihet, e vlen që rrëmosh edhe në këtë situatë, jo pak të ndërlikuar të ekzistimit të poezisë shqipe. Poezia e librit të fundit të Rexhep Shahut është e veçantë, sidomos për faktin së është një poezi që shpërfill kodet se si do ta marrë shoqëria e tanishme ligjëratën poetike, shpërfill kodet e akademizmit, shpërfill të gjitha paragjykimet dhe thotë atë që ndien, atë që është poezi, vetëmse në konceptin autorial. Kur shprehem kështu, kam parasysh faktin që te ky libër gdhendet “uni” i qytetarit zemërak, që lëshohet kundër mbrapshtive të botës, pa doreza dhe kufizime, por bashkë me të është edhe “uni” i një raporti krejt intim me jetën, me erotikën, me dashurinë. Këto janë dy prani dhe esenca unike, që shpërfaqin përmasën e shkrimit poetik të autorit. Ngjizja e tillë, e unit të dyfishtë, kuptohet se është pjesë e vetëdijes, është pjesë e udhëtimit në krahët e poezisë për të folur me poezinë dhe jo për të jetuar me poezinë, siç ngjet rëndom në hapësirën shqiptare. R. Shahu si poet, në varësi të tekstit poetik, të hapësirave të komunikimit, është nga ato raste, që nuk ka nevojë të ulërasë. Libri i tij, në një kuptim shpërthyes ndaj mbrapështive të realitetit, në vështrimin dhe shijen time, sjell një atmosferë migjeniane, poetikën e të vërtetave që ne i prekim, por dikush nuk sheh, dikush nuk do, dikush në mënyrë të shëmtuar i mbulon ato me hipokrizi. Poeti thotë të verteta të cilat, do të thosha, kur shndërrohen në poezi, janë të tilla që të mrekullojnë, të mrekullojnë për faktin e një poetike të vargut të lirë, të vargut që nuk do të dijë se çfarë ndodh dhe si e shohim ne, të një fjalësie e cila sjell pranë lexuesit gjithë atmosferën e kohës, rrok shpirtin e qytetarit sot, shpirtin e qenies shqiptare, me gjithë ato mungesa, por të dhëna me dritëhije dhe përthyerje të befta poetike. Në ligjëratën e vet poetike, në një mënyrë tepër befasuese, si një element që më ka bërë përshtypje, është edhe pashaportizimi tashmë i paskajores, në shkrimin poetik, që me rikthimin e vetë sendërton një hapësirë tjetër, si frymë dhe kumt i mirëfilltë. Poeti flet natyrshëm dhe me art me këtë mjet stilistik-gjuhësor, që dihet se është pjesë e ligjërimit të shqipes. Poezia nuk ka nevojë të ulërasë, poezia e ka misionin, parësisht estetik, që gjellin brenda saj, nëse do ta lexojmë. Pra, veçanësitë janë të shumta, janë të prekshme, por vetëm leximi dhe rileximi i tyre na mundëson t’i zbulojmë. Qysh me përshtypjen e parë, por edhe në leximin e dytë, erdhi duke u thelluar dëshira, që ky libër të shkojë te lexuesi, sepse kemi shumë poetë gjeni por që nuk kanë poezi, madje pavarësisht marrjes së jo pak çmimeve letrare. Poeti, tashmë nuk ka nevojë të jetë gjeni, poeti flet me poezi. Më ndodh rrallë të ndihem mirë në poezi, të mrekullohem në poezinë shqipe të tanishme, për arsyen e thjeshtë se jo çdo ndjenjë është poezi, jo çdo ndjesi tragjike është poezi, jo çdo vargëzim, që na vjen rastësisht në majë të gjuhës, realizon shenjën poetike. Poezi është atëhere kur paraqitet çdo gjë në hapësirën e teksteve me ligjësi estetike. Harold Bloom, në mes të tjerash, thotë se poezia është e pritur të mos merret shumë me histori por të merret më atë që quhet përthyerje shpirtërore dhe, prizmi i poetit është i tillë që po tingëlliu nuk të le rehat. Nëse nuk tingëllin, jeho sa të duash, bubullo më zhurmë etj., duket se poezia ka mërguar për në brigje të tjera. Në rastin e përmbledhjes “Qyteti i Lutjeve”, do të thoja që më ka bërë për vete vargu i sigurtë, metafora e larmishme, plazmimi i shpirtit të kohës, përmes një uni, që është i vetëdijshëm për atë që thotë, e madje që e thotë jashtë çdo elementi për të marrë kështu brerore. Poezia e këtij libri i bën nder letërsisë shqipe, është një cak krejt i ri i autorit, krejt i veçantë, por në morinë e botimeve, në detin e poezisë që shkruhet, është vështirë të gjesh një libër që të ketë, sipas gjykimit tim, mbi 15 poezi që janë të nivelit antologjik. Kur them kështu, kam parasysh shijen personale, pra një pëlqesë që buron nga leximi dhe rileximi i kësaj përmbledhjeje poetike. Në fakt, edhe njëherë tjetër, varësisht materies letrare që ofron vëllimi i mbramë poetik, dëshmohet se poezia nuk ka moshë. Por mbretëresha e synuar nga të gjithë, siç është poezia, mbretëresha e fjalës, mbretëresha e shpirtit, mbretëresha e të sotmes, e të nesërmes, e atdheut, ku qenia ekziston në formën e një kurore të mrekullueshme, le të synohet nga të gjithë. Gara për të mbërritë atje është krejt e hapur dhe zakonisht në cakun e fundëm mbërrijnë shumë pak.

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Ese për Vitin e Ri

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)