Poetja, publicistja dhe studiuesja Migena Arllati, lindi në 6 shtator 1974 në qytetin e Elbasanit, në qytetin e Kristoforidhit e Xhuvanit, të Normales e të Isuf Myzyrit. Qyteti i saj i lindjes, i njohur për traditat e lashta mijëvjeçare, është vendi ku shkrihen aq natyrshëm gegnishtja e toskërishtja, ku përthyhen me njëra-tjetrën konfesione të ndryshme fetare, ku vlerat e qytetarisë dhe civilizimit kanë qenë gjithnjë për t’u lakmuar. Atje në Elbasanin e traditave shumë shekullore, ajo do të brymosej dhe edukohej, shkollohej dhe rritej gradualisht. Shkollimi i mesëm do t’i përkiste gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi” gjatë fillimviteve të nëntëdhjeta kur në Shqipëri u përmbys regjimi komunist për të triumfuar erërat demokrate të ndryshimeve. Elbasani si një qytet i qetë dhe me tradita të hershme në arsim, në vitin 1990 do të themelonte Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Migena u rregjistrua në të menjëherë pas mbarimit të maturës, në vitin 1992. Disa vite më vonë, fati do ta sillte në Kosovë për një arsye krejtësisht personale, pasi do të fejohej dhe shpejt martohej me një djalë nga Gjakova. Në vitin 1996, kur Kosova kishte filluar të hynte në periudhën më të vështirë të saj, çifti i ri që prisnin ardhjen në jetë të fëmijës së parë, erdhën në Gjakovë duke kaluar ilegalisht kufirin me Malin e Zi. Familja e re do të shtohej me tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Si mbarë popullata shqiptare e Kosovës, në vitin 1999, edhe ajo përjetoi eksodin duke u detyruar të strehohet tek familja e prindërve në Elbasan.
Fillimet në gazetari
Ardhja e lirisë dhe rikthimi në Gjakovë, ndryshuan katërcipërisht jetën e të gjithëve, sigurisht edhe të Migenës, e cila tani nuk kishte nevojë të strukej dhe izolohej. Puna e parë që bëri ishte ajo në një radiostacion. Radio Amadeus, e hapur në Gjakovë disa muaj menjëherë pas luftës, do ta kthente sërish në optimizmin e dikurshëm. Entuziazmi që merrte nga puna në radio, dëshira për t’iu dhënë dëgjuesve më të mirën, bashkëbisedimet e këndshme në mikrofon, njohuritë e shumta dhe gjuha tepër e rrjedhshme, e bënë atë të famshme brenda një kohe të shkurtër. Pas disa vitesh, filloi të bashkëpunojë me KosovaLive, agjensinë e lajmeve në internet. Disa vite më pas, do ta gjente vehten në gazetën e sapohapur Lajm Ekskluzive, si korespondente nga Gjakova, por edhe në televizionin lokal Syri Vision. Ajo u kthye në një shembull të mirë të gazetarisë së printuar dhe televizive, duke treguar se vetëm me aftësi dhe punë mund të thyhen tabutë në shoqërinë tonë. Gjatë kësaj kohe nuk i munguan as sukseset dhe nderimet. Në vitin 2003, gjatë kohës sa punonte në Radio Amadeus, Migena fitoi vendin e dytë dhe shpërblimin prej 2.500 dollarë nga organizata amerikane IREX, në konkursin mbarëkosovarë për trajtimin gazetaresk të problemeve të femrës në Kosovën e pasluftës. Në kuadër të këtij projekti, ajo realizoi programin radiofonik “Ajo në kontrast” në të cilin shpeshherë trajtoi edhe tema tabu në shoqërinë e kohës. Në vitin 2006, Qendra Mediale “Dukagjini” i ndau asaj çmimin e parë dhe shpërblimin prej 500 euro për prezantimin me efikasitet dhe profesionalizëm në shkrime gazetareske të vështirësive me të cilat përballet gruaja shqiptare. Sukseset e saj të njëpasnjëshme, temat e trajtuara me realizëm dhe paanshmëri, stili gjuhësor i pasur me forma shprehjesh dhe larg klisheve, e dalluan si një ndër gazetaret më punëtore në mediat e reja kosovare. Por, impenjimet në gazetari, sa vinin e rriteshin çdo ditë. Kështu vitet do të rrokulliseshin njëri pas tjetrit, derisa pas një periudhe dhjetë vjeçare në gazetari, do të rikthehej në profesionin për të cilin kishte studiuar dhe ëndërruar, arsimin.
Arsimtarja e gjuhës shqipe dhe letërsisë
Gjimnazi “Hajdar Dushi” në Gjakovë ishte qendra arsimore ku ajo u punësua dhe vazhdon të punojë edhe sot e kësaj dite. Si mësimdhënëse e lëndës së gjuhës amëtare dhe të letërsisë, ajo thotë se përparimin e botës e mundësojnë njerëzit, institucionet e pavarura, ndërmarrjet, me një fjalë: shoqëria. Por pa arsimin, asnjëri prej këtyre s’do të luante rolin e duhur në këtë mission. Tek mësimdhënia ajo gjen shumëçka por jo gjithçka, pasi letërsia për të nuk është thjesht lënda të cilën ligjëron, por edhe fusha e artit në të cilin ajo krijon. Krijimet e saj poetike, u botuan relativisht vonë krahasuar me kohën kur u shkruan.
Shkrimet letrare Frymëzimet e para letrare i përkasin moshës së adoleshencës, sidomos kohës përgjatë viteve studenteske. Por asnjëherë s’kishte menduar se do t’i botonte një ditë krijimet e hershme. Për vëllimin me 100 poezi “Mendime në kornizë” ajo ishte hamendësuar prej vitesh nëse duhet ta botonte apo jo. Gjithsesi, ngurrimi i gjatë për të botuar, do t’i linte vendin konfirmimit në vitin 2012, kur poetja do të dilte me publikimin e parë të poezive të cilat do t’i nxirrte nga “korniza” dy dekadëshe në të cilat i kishte ndryrë, pa menduar se do t’i botonte ndonjëherë. Botimi poetik u promovua në një ngjarje të rëndësishme për kulturën gjakovare dhe mbarë kosovare. Ishte Mitingu i 49-të i Poezisë në Gjakovë, Miting ky që atë vit iu kushtua veprës së Ali Podrimjes. Mes dhjetëra e dhjetëra poetëve pjesëmarrës, Mitingu e nderon këtë autore me çmimin “Yllka Domi” me dedikimin si poetja më e mirë e këtij Mitingu. Po atë vit, pra në 2012-ën, ajo boton monografinë “Lindur për t’u bërë mjek”, kushtuar dr. primarius Rifat Lila. Monografia u promovua në njëqind vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Kështu autorja Migena Arllati tashmë më në fund vendosi të hyjë bujshëm në botën e botimeve, pasi në botën e shkrimeve ajo kishte vite që ishte e pranishme. Kritika vlerësoi lart stilin e autores. Gjuha, ndërtimi sintaksor i fjalive, qartësia, e pse jo edhe forma dhe stili i shtrirë e artistik i përdorur nga Migena Arllati, përkojnë, madje edhe dallohen në këtë vepër.
Studimet gjuhësore
Një fushë me shumë interes për Migenën janë studimet gjuhësore, pasi në këtë sferë ajo ka mbrojtur titullin “magjistër”. Në kuadër të hulumtimeve shkencore ajo publikoi vështrimin studimor rreth frazeologjizmave në Gjakovë. Ky libër vjen në sajë të studimeve magjistrale të kryera në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Studimet gjuhësore aktualisht po i marrin shumë kohë, meqë ajo është shumë aktive me punime e prezantime të temave të ndryshme gjuhësore në Konferenca albanologjike. Thotë se brenda gjuhësisë dhe letërsisë gjendet një oqean i tërë të cilin një studiues dhe krijues i mirë duhet ta eksplorojë dhe pushtojë. Me pjesëmarrjet në Konferenca të shumta në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, ajo konfirmon se është një studiuese serioze e albanologjisë. Ja disa nga punimet studimore të prezantuara: “Vështrim rreth toponimisë në Gjakovë”, në Konferencën e mbajtur në Universitetin “A. Moisiu” Durrës me temë “Përqark dhe përtej gjuhës angleze, linguistikës, letërsisë dhe didaktikës”, prill 2013; “Vështrim rreth origjinës dhe formimit të patronimeve (mbiemrave, emrave familjarë) në Gjakovë”, në Konferencën e mbajtur në Universitetin “L. Gurakuqi”, Shkodër, me temë “Sfidat rreth së ardhmes”, maj 2013; “Cytje për një shqipe sa më të pastër në shkollat tona”, në Universitetin “Ismail Qemajli”, Vlorë, në Konferencën me temë “Teknologjia moderne në arsimin e sotëm”, qershor 2013; “Prania e turqizmave në toponiminë tonë” në Konferencën e Institutit “Alb-Shkenca”, Tiranë, gusht 2013; “Pse shqipja e sotme nuk po mundet të zëvendësojë emërtimet “tradicionale” orientale?”, në Seminarin VII Ndërkombëtar të Albanologjisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, shtator 2013; “Çështje të frazeologjisë në Gjakovë”, Konferenca e Qendrës së Studimeve Albanologjike, Tiranë, nëntor 2013.
Skena dhe moderimet
Një pasion i vërtetë nga i cili siç duket e ka të pamundur të ndahet, janë moderimet/prezantimet në evenimente të ndryshme kulturore. Në skenën e Gjakovës, por jo vetëm, ajo ka kohë që ngjitet në kuadër të angazhimeve të njëpasnjëshme si moderatore, gjë të cilën arrin ta bëjë me mjaft elegancë dhe elokuencë në shprehje. Drejtimi i evenimenteve kulturore, poetike, artistike, pse jo edhe politike, me plot kulturë e profesionalizëm, i vjen për shtati më së miri plotësimit të figurës së një artisteje të kompletuar, e cila na konfirmon kështu për disa prirje të njëkohësishme. Sot, pas tetëmbëdhjetë vjet qëndrimi në Gjakovë, është tejet e afirmuar, me një shoqëri të gjerë dhe një jetë të ndërtuar me shumë kujdes. E dyzuar mes Elbasanit dhe Gjakovës, ajo dëshmon se gjithçka në jetë mund të arrihet me punë dhe këmbëngulje.
Aktive në organizata shkencore e letrare
Migena Arllati është e inkuadruar në disa instanca letrare dhe shkencore, siç janë: Lidhja Ndërkombëtare e Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi” Albania, si dhe mban postin e sekretares së Pegasi Kosova. Kjo organizatë, në vitin 2012 i dha çmimin “Kumtuesja e vitit” ndërsa në vitin 2013 i ndau çmimin “Studiuesja e vitit”; Është anëtare e Klubi letrar “Gjon N. Kazazi” në Gjakovë; Është anëtare e Institutit panshqiptar “Alb-Shkenca” me seli në Prishtinë, Tiranë e Shkup; Në dhjetor 2013, “Filolet”- konkurs ndërkombëtar poetik me seli në Zvicër, i ndau çmimin e dytë në garën vjetore të poezisë.
MIGENA ARLLATI NDEROHET ME TITULLIN QYTETARE NDERI
https://www.youtube.com/watch?v=vrCnw8hjywY