Dr.Flora Brovina mbështet fillimin e punës së
Spitalit Amerikan në Prishtinë
Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, Flora Brovina, nuk e ka asnjë dilemë nëse Spitali Amerikan duhet të operoj apo jo në hapësirën brenda qendrës më të madhe publike shëndetësorë në vend (QKUK).
Brovina ka thënë se ka pasur reagime nga qendra Klinike Universitare rreth këtij spitali por vlerëson se në të gjitha vendet e botës brenda hapësirave të spitaleve publike ekzistojnë edhe spitalet private.
“Në gjitha vendet e botës ekzistojnë brenda oborreve të spitaleve publike edhe spitale private”, ka thënë kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Flora Brovina.
Edhe ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani në emisionin Zona B në Klan Kosova ka folur për Spitalin Amerikan, i cili është duke u ndërtuar në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndërtimi i të cilit është kritikuar nga Sindikata e Shëndetësisë dhe disa parti politike.
“Çështja e Spitalit Amerikan është diskutuar edhe gjatë vizitës time në Departamentin e Shtetit, në Washington, mirëpo kjo nuk është më në dorë të ministrisë që unë drejtoj, por nën autoritetin e Qeverisë. Prokuroria ka vendosur që t’ua lejojë punën dhe jemi në pritje të dokumentacionit për ndërtimin e spitalit”, ka thënë ministri Rrahmani.
Kur ka folur për licencimin e spitalit amerikane, Brovina ka thënë se nuk është në kompetencën e Komisionit për Shëndetësi, por që sipas saj, anëtarët e Komisionit duhet ta vizitojnë spitalin amerikan për të parë më afër kushtet dhe shërbimet mjekësore që ofron ky spital.
“Nuk është në kompetencën time kjo çështje, si komision duhet ta vizitojmë spitalin për të parë kushtet rreth ofrimit të shërbimeve nga ky spital. E dyta ne kemi ligjin që barazon shërbimet private dhe publike”, ka thënë Brovina.