Duke ndjekur vertikalen e historisë sonë, shohim se kleri ka luajtur rol me rëndësi edhe në
lëmin e gjuhës dhe të letërsisë. Pikërisht nga kjo letërsi doli edhe tradita gjuhësore e letrare
shqipe, e cila sipas njoftimeve që i zotërojmë deri më sot, nisi me “Formulën e Pagëzimit” më
1462: “Ven te’paghesont prémenit Atit et Birit et Spertit Senit” (Unë të pagëzoj në emër të
Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt)
Dëshmitë e para për shqipen e shkruar
Sot mund të provohet se kjo gjuhë ka nisur të lëvrohej qysh para Formulës së Pagëzmit dhe
Buzukut. Dokumenti i parë, i zbuluar deri më sot, ku mund të dëshmosh për të folmen e
gjuhës arbërore, është ai që ruhet në regjistra të kancelarisë së Arkivit Shtetëror të
Dubrovnikut, dokument ky që mban datën e 15.7.1284.
Me këtë përmbajtje të shkurtër: “Etaudiui unam uocen clamantem in lingua alnanesca” (Dhe dëgjova një zë që thërriste nëgjuhën arbënore). Ndërkaq, dëshmia e parë për shqipen e shkruar dhe për libra arbënore,është ajo që na njofton dominikani frëng, argjipeshkvi i Tivarit Guilielmus Adae (BrochardusMonachus) në ditarin e tij, “Directorium ad passagium faciendum”, ku ai shkruante: “LicetAlbanenses aliam omnino linguam latina habeant et diversam, tamen, litteram latinam habent
in uso et inomis suis libris” (Arbënit kanë një gjuhë krejt tjetër dhe të ndryshme nga
latinishtja, kanë alfabetin latin në përdorim dhe në tërë librat e tyre). Por prej këtyre librave
deri më sot nuk është gjetur ndonjë. Pavarësisht se çfarë kanë qenë ato libra, me rëndësi është
se kjo dëshmi është e vitit 1332. Po ashtu është me rëndësi, se gjuha dhe kultura e mirëfilltë
arbënore e karakterit evropian, doli nga kleri katolik shqiptar me “Formulën e Pagëzimit” të
argjipeshkvit të Durrësit, Imzot Pal Engjëllit (1417-1470), i cili ishte dorë e djathtë e Gjergj
Kastriotit-Skënderbeut. Humanistë të tjerë të njohur në tërë Evropën, si Gjin Gazulli (rreth
1400-1465), Marin Beçikemi (rreth 1468-1526), Nikollë Leonik Tomeu (1456-1531), Mikel
Maruli (1453-1500) dhe Marin Barleci (1460-1513) – nuk e përdorën në të shkruar gjuhën e
tyre amtare, por shkruan në latinishten e kohës.
Italia ishte vend botimi për literaturën shqipe
Libri i parë në gjuhën shqipe, dritën e botimit e ka parë në Romë në vitin 1555. Është fjala për
Mesharin (Messale). Librat e shtypur atëherë ishin kryesisht për shërbesa fetare. Në vitin 1592
botohet në Romë, ”Dottrina Christiana – E mbsuame e Krështerë” të autorit, Lekë Matranga.
Pas Buzukut dhe Matrëngës, poeti parë arbënor është At Pal Hasi, i lindur afër Prizrenit
(vdekur në vitin 1599). Këngët e tij “Dita e gjygjit” dhe disa të tjera të përshpirtshme, të
karakterit të katekizmit në vargje, që sot e kësaj dite i di populli, i ka botuar Imzot Pjetër Budi
në librin e tij “Doktrina e krishtenë” të botuar në Romë më 1616. Kronologjikisht më pas vjen
autori tjetër, nga radhët e priftërinjve katolikë, Pjetër Budi (1566-1623), argjipeshkëvi
dioqezës Sappa-Sarda. Në vitin 1618 boton në Romë një përkthim në arbënisht me titull
“Dichiarazione più copiosa della Dottrina Christiana” ku shprehej: Zoti nuk i ndigjon uratët e
atyne qi lutën në gjuhë të huaj, për pa kuptue vështrimin e fjalvet qi thotë, gjegjësisht ata kanë
shkruar vepra, me qëllim të mbrojtjes së fesë krishtere dhe gjuhës amtare prej turqve, të cilët
depërtonin me fenë e tyre. Me fjalë të tjera, shkruante studiuesi i shquar, J.Rexhepagaqi:”Priftërinjtë katolikë kanë shkruar në gjuhën shqipe të nxitur nga arsyet fetare,
2/5
por edhe nga ato edukative dhe letraro-gjuhësore”. Këtë qëllim e shprehte edhe ipeshkvi i
Zadrimës, Frang Bardhi (1606-1643), në “Parathënien” e Fjalorit të tij me titull,
“Dictionarium Latino-Epiroticum” (Romë 1635): Me ndimuem mbën-janë gjuhënë tanë, që po
barbaretë e po bastardhohetë saa mââ parë të ve; e mââ fort me ndihmuem gjithë atyne qi
janë nd’urdhëni të t’inë Zot e të Shintesë Kishë Katolike e s’dijnë gjuhënë latine, paa të sijët
askush s’munë shërbenjë si duhetë paa të madh error e faj hesape të zkonetë e ceremoniatë e
Shintesë Kishës Romës. Në vitin 1706 u botua sërish nga Propaganda Fide një vepër e re,
tepër interesante. Është fjala për aktet e të parit Koncil Nacional shqiptar të vitit 1703, të
drejtuar prej Vinzenz Zmajeviq, argjipeshkëv i Tivarit.
Aktet u botuan njëkohesisht në dybotime paralele, në latinisht dhe shqip: “Concilium Albanum provinciale sivenationale/Konçili Provinçiale-Kuvendi i Arbenit”. Në vitin 1716, Propaganda Fide boton dhegramatikën e parë në shqip, “Osservazioni grammaticali nella lingua albanese”. Hartues ishteprifti P. M. Da Lecce, i cili kishte qëndruar me vite në Shqipëri si misionar. Gramatika
përmban edhe një udhëzues për gjuhën me formula përshëndetëse, shprehje frazeologjike, etj.
U ribotua disa herë dhe shërbeu deri më shek. XIX si një mjet ndihmës për të mësuarit e
shqipes. Libri i fundit në shqip në shek. XVIII ishte “Gjella e Shën Mërisë Virgjër” i Jul
Varibobës, që u botua nga një shtypshkronjë e panjohur në vitin 1762 në Romë. Nga fundi i
shek. XVIII Italia pushoi të jetë vend i botimit dhe shtypjes së librave në shqip. Tashmë
shtypeshin libra dhe në Monarkinë Habsburge, në Rumani, Bullgari, Greqi, Egjipt dhe Turqi.
Në gjysmën e dytë të shek. XVIII priftërinjtë katolik humbin pozicionin e tyre të monopolit si
autorë librash. Në shek. XIX, Imzot Dario Bucciareli, argjipeshkev i Shkupit, i cili vdiq në
Prizren më 1878, botoi në Roma në vitin 1862 (në italisht), Gramatikën e gjuhës shqipe. Po në
këtë vit ky autor botoi edhe librin “Udha e Krygjës”. Atë Francesco Rossi da Montalto Ligure,
misionar për një kohë të gjatë në Kosovë, shkroi veprën “Regole grammaticali della lingua
albanese” (Roma 1865) dhe Fjalorin shqip-italisht dhe italisht-shqip (Roma, 1866, 1875). Në
se bëjmë një rekapitullim të të gjitha botimeve që u përmendën më sipër dhe të disa të tjerave
që nuk u përmendën fare për shkaqe të hapësirës, mund të konstatojmë se vetëm Propaganda
Fide në Romë prej vitit 1635 deri më 1897 shtypi 25 botime. Disa të tjera ndërkaq janë botuar
në tipografi të tjera, si botimi i parë i Doktrinës së Budit nuk u shtyp në Propaganda, por te
shtypshkronja B. Zannetti në Romë më 1618. Ky tipograf I botoi edhe dy vepra të tjera të
Budit: Rituale Romanum (në 1621) dhe Pasqyra e të Rrëfyemit (më1621). Sa i përket
Katekizmit të Matrangës dihet se u shtyp në Roma në vitin 1592 te tipografi G. Facciot to.
Këtej , edhe vepra monumentale e P. Bogdanit, Cuneus Prophetarum u botua në Padova më
1685 e më pastaj u paraqitë në treg si botim I dytë në Venezia më 1691. Sa për Mesharin e
Buzukut, vendi i botimit është ende një çështje e pazgjidhur mirë.
Shkollat e moçme në Kosovë
Pas Paqes së Karllovacit në vitin 1699 ndikimi dhe patronati austriak hetohet fuqishëm mbi të gjithë të krishterët nën sundimin turk dhe sidomos ndaj popullsisë katolike shqiptare. Këtej, Austrisë iu lejua në vitin 1791 të hapte një konsullatë në Shkodër dhe një nën konsullatë në Durrës, qytete këto nën juridiksionin e kishës katolike. Të drejtat e Austrisë mbi katolikët shqiptarë i njihte edhe Selia e Shenjtë, ku si rezultat u realizua Konkordati në mes të Vatikanit dhe Austrisë të arritur në vitin 1855. Sipas këtij Konkordati, “Vjena pati në kujdes ndërtimin, rindërtimin dhe mirëmbajtjen e institucioneve fetare, përkrahjen e klerit ekzistues të urdhrave katolike si dhe përgatitjen e klerit të ri me anën e shkollave brenda dhe jashtë vendit”.
Numri më i madh i tyre u ndërtua në toka shqiptare. “Prej 240 themelatave katolike nën Perandorinë Turke, 220 ishin vetëm në Shqipëri […], në shtatë dioqeza katolike: Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Prizrenit, Sapës, Pultit dhe Mirditës. Shkodra si seli ipeshkvnore, ishte qendra e katoliçizmit shqiptar”.
Në këtë aspekt kontribut të rëndësishëm, krahas ndihmës së Austrisë dhe të Vatikanit, kanë dhënë edhe urdhrat kishtare, si jezuitët, françeskanët, salezianët, stigmatinet, servianet, Motrat e mëshirës, etj. Në mbështetje të burimeve të kohës, që dalin sidomos nga provenienca Perëndimore, kishte para vitit 1840 shkolla katolike për djem e vajza në Pejë, Gjakovë dhe Prizren. Mësimi në to deri në vitin 1876, zhvillohet në gjuhën italiane, me disa biseda e shpjegime në gjuhën shqipe. Në shkollën e Pejës, një godinë ngjitur me Kishën katolike të qytetit kryesisht mësohej për fenë, me qëtë gjithë mësuesit ishin priftërinj, si dom Mark Sopi, dom Tom Gusiqi, dom Nikollë Mazreku, dom Shtjefën Krasniqi, dom Zef Harapi etj.
Përveç librave në gjuhën latine, italiane, janë përdorur edhe libra shqipe. Në Gjakovë shkolla vepronte që nga vitit 1851 dhe ishte ngritur afër kishës katolike. Kjo shkollë “ishte në një gjendje mesatare, veç sa me i krye nevojat e mësimit”. Dhe këtu mësonte dom Pjetër Doda e dom Filip Kanxhxi, dom Pjeter Zara, dom Ndue Bytyqi, etj.
Në Prizren vepronte shkolla “për të gatue meshtarë”. Në këtë shkollë fillimisht punonin disa famullitarë, si dom Simon Lumezi, dom Mazreku, ndërkaq nga vitit1889 punonin mësuesit profesionist, si Mati Logoreci dhe Lazër Lumezi. U shqua edhe shkolla katolike e Janjevës, që vepronte nga mesi i shek. XVII, shkolla katolike e Stubllës (e hapur më1846),shkolla katolike në Shestan dhe Ljare (nga gjysma e parë e shek. XIX),shkolla e Tivarit e themeluar gjatë viteve 1863-1890. “Në to zhvillohej mësimi, në fillim në italisht, më vonë në italisht dhe shqip, e në fund vetëm në shqip”.
Shoqëria “Bashkimi”
(Ne foto anetart e Shoqnise “BASHKIMI”) I tërë aktiviteti në zhvillimin e shkollave kërkonte jo vetëm përgatitje intelektuale, por edhe një alfabet për të gjithë shqiptarët. Ky nuk ishte lehtë të realizohet, duke pasur në mend argumentin se në Shqipëri vepronin disa alfabete, si alfabeti i “Bashkimit”, “Elbasanit”, “Stambollit”, “Agimit”, etj.
Me nismën e abatit të Mirditës, Prenk Doçi, në vitin 1899 ishte themeluar në Shkodër, Shoqëria “Bashkimi”.
Para kësaj kohe në tërë Shqipërinë, publikimet e çdo teksti në shqip ishin të ndaluara. Madje edhe publikimet e librave që nuk ishin thjesht me lutje fetare, nga ana e Qeverisë turke konsideroheshin porsi vegël politike me qëllime kryengritjeje dhe ligjërisht dënohet autori dhe shpërndarësi.
Abati, në formimin e shoqërisë letrare të re që u themelua në vitin 1899, mori iniciativën porsi një shoqëri fetare dhe pjesëtarët e saj ishin nga radhët e inteligjencies së klerit katolik.
Qëllimi ishte hartimi i të parit alfabet shqip. Alfabeti i Shoqërisë “Bashkimi” më vonë pësoi ca ndryshime të konfirmuara edhe në Kongresine Manastirit. Është për të vënë re, se Atë Gjergj Fishta u shqua edhe për bashkëthemelues të shoqërisë në fjalë së bashku me një varg burrash të shquar, si Imzot J. Serreqi, L. Mjeda, ky i fundit u nda prej Shoqërisë “Bashkimi” për t’i përkrahur vëllanë dom N. Mjedën, Imzot Gj.Kolecin, L. Gurakuqin, Dom N.Nikajn, Dom D. Kolecin, Atë P.Bardhin, Dom N. Sheldijen dhe Dom M. Çunin. Kjo shoqëri, veç tjerash, hartoi edhe një alfabet të shqipes me shkronja latine, sipas traditës së shkrimtarëve të Veriut, duke përfshirë këtu edhe alfabetin e Pashko Vasës, botoi me dhjetëra libra shqip.
Gjatë dhjetëvjetëve të para (1899-1908), pra deri në kohën e mbajtjes së Kongresit të Manastirit, Shoqëria “Bashkimi” botoi 32 vepra, si: libra shkollore, abetare, libra këndimi, katekizëm, fjalorë dhe bëri përpilimin e teksteve profesionale. Por në realizimin e ndërmarrjeve të tilla u dolën edhe pengesa të natyrave të ndryshme etj. Sipas njoftimeve të dom Ndoc Nikajt po i përmendim disa nga këto botime:
“Oroe permbi Abetar shcyp”,
“Abetar”,
“Knnojtorjae pare”,
“Knnojtorja e dyte”,
“Knnojtorja e trete”,
“Msimét’Kshtêna”,
“T’nnollunat shêjté”,
“Dhéshkroja”,
“Grammatika”,
“Numertorja”;
Kaléndari “Shcyptari” i viteve 1904, 1905, 1906, 1907, dhe 1908;
“Historija e Shcypniis” (D. N. Nikaj),
“Historijae Turkiis” (D. N. Nikaj),
“Lahuta e Maltsiis” (pjesa e pare dhe pjesa e dyte),
“Anxat e Parnasit” (A. Gj. Fishta),
“Bulku”,“Vargenimi” (L. Gurakuqi);
“Mili e Haidhia”,
“Fjalorthi” (L. Gurakuqi),
“Fjalori i gjuhes shcype” (D. D. Kolétsi),
“Bléta e ree” (D. N. Nikaj),
“Vjersha e pershpirtshmé” (A. Gj. Fishta), dhe
“Komsia e Kléri katolik” (A.Gj. Fishta).
E para punë e Shoqërisë Bashkimi, qe caktimi i një alfabeti mbi bazën e shkronjave latine, çështje kjo që ishte vepruar më se një herë nga shkrimtarë te moçëm shqiptarë. Në të vërtetë shkrimtarët e moçëm kishin përdorur për tingujt e veçantë të shqipes shenja krejt të veçanta. “Bashkimi”, ndërkaq i zëvendësoi këto me grupe germash thjesht latine, shumicën me ndihmën e germës “h”.
Me këtë alfabet u shkruan librat e parë të këndimit, kur gjuha shqipe nisi të hynte zyrtarisht në shkollat e Gegnisë. Përdorimi i teksteve shkollore të Shoqërisë Bashkimi nuk pati jetë të gjatë. Pa u mbushur tri vjet, ndërroi situata dhe shkollat më 1901 nisën të punonin me alfabetin e Shoqërisë “Agimi”. Megjithëse, edhe më tej, jo vetëm shkrimtarët gegë, por edhe toskë, si Fishta, Gurakuqi, Nikaj, Xanoni, Çajupi, Skirò, Asdreni etj, alfabetin e “Bashkimit” e përdorën revista, fletore dhe libra, si
“Elçija”(1891-), “Albania” e Londrës nuk e ndërroi alfabetin deri në mbyllje (1897-1909);
“Albania e Vogël” (1899-1901, Bruksel);
“Kombi”;
“Shcyptari” i Bukureshtit;
“Perlindja e Shcypetarvét”;
“La Nazione Albanese” (në pjesën shqype Romë);
“Shcypenia e ree”; “Shpnes e Shcypeniis” (Ragusë);
“Toska”;
“Besa”;
“Albanija” (Belgrad);
Lajmtari i Scypniis (Romë);
“Pellazgu”;
Asdrén (“Réze Djelli”);
Chajup (“Baba Tomorri”);
Shoqnija “Dija” (Kalendari 1906 per gjys; Kalendari1907 krejt);
Karta dhé shkrimtare é Shqypniis;
G. Schirò; G. Jakova; Sotir Pétsi (Méthoda per temesuar anglishtén);
Fan Nolinë disa libra kishtare, dhe Atë Shtjefën Gjeçovi.
Me nismën e jezuitit Dom Ndre Mjedës në vitin 1901 u themelua në Shkodër Shoqëria “Agimi”. Me këtë alfabet u botuan dhe kalendari“Dija” (Vjenë më1906), fletorja “Dashamiri” në Trieste, etj. Alfabeti i “Agimit” ka vazhduar rrugën e përgjithshme, të cilën e ndiqnin një pjesë e albanologëve me rastin e transkribimeve të teksteve, si Brugmann, G. Mayer. Pedersen, etj.
Ne kete foto te rralle te Kel Marubit jane anetart e“Komisionit te Alfabetit te Manastirit” 1908:
1. Kryetari At Gjergj Fishta
2. Mehdi Frashri
3. Luigj Gurakuqi
4. D. Qiriazi
5. Dom Ndrè Mjeda
6. G. Cilka
7. Taqi Buda
8. Shahin Kolonja
9. Sotir Peçi
10. Bajo Topulli
11. Nuzihet Vrioni
Po përfundojmë duke konstatuar, se pjesëtarët e klerit katolik shqiptar, përveç traditës së bujshme në lëvrimin e gjuhës shqipe nga fillimet e saj në mesjetë, u shquan edhe me kontribut të rëndësishëm në Kongresin e Manastirit më 1908, ku u spikat sidomos erudicioni i Atë Gjergj Fishtës, dom Nikollë Kastorit, dom Ndre Mjedës, Luigj Gurakuqit e ndonjë tjetri, u arrit kompromisi ndërmjet alfabeteve të shoqërive shqiptare pa marrë parasysh orientimin fetar, ku si rezultat shpallet ky alfabet që është në përdorim edhe sot.