2016-01-11

nga MSC. Albert HABAZAJ/NEXHAT HAKIU, POET I MANIFESTIT TË DASHURISË

Nexhat Hakiu

Ne Foto:Drejtuesit e Revistes: Nexhat Hakiu, Sterjo Spase, Vedat Kokona dhe Mitrush Kuteli



Nexhat Hakiu mbahet mend si poet i ëmbël dhe njeri i ditur. Kur themi që Nexhat Hakiu është tërësisht poeti i dashurisë, kuptojmë që ai e zbërthente dashurinë me detaje shpirti si një sistem zinxhir në klasifikimin hierarkik të kësaj ndjenje universale, që thur ylberin më të bukur të botës njerëzore. Më të vjetrit në qytet kujtojnë lirikat e tij melodioze, (jo vetëm idilet e madrigalet) që vijnë si vijim i këndshëm nga këndvështrimi i tij artistik e shpirtëror i imazheve liriko – epike të princit të Principatës së Dashurisë, Ali Asllanit. Por përsëri, Nexhat Hakiu është zë i veçantë, sepse është zëri i tij, origjinal, me këngët e zambares si një simfoni pranvere. U lind në Vlorë më 20 qershor 1917 dhe vdiq më 18 qershor 1978. Njihet në letrat shqipe si poet dhe studiues, përkthyes dhe botues. Poezia e N. Hakiut është manifest në shërbim të dashurisë. Ai i përket brezit përparimtar të shkrimtarëve të viteve ’30 që kërkuan fjalën e lirë e u bënë zogjtë e fluturimit të saj në atë kohë të murme me vetëtima.

Emri i N. Hakiut në Bibliotekën Kombëtare, në kujtesën akademike dhe në memorien sociale: Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë janë regjistruar 15 botime që mbajnë firmën e Nexhat Hakiut, nga të cilat 11 tituj librash dhe 4 regjistrime bibliografike janë cikle me poezi të botuara në organet e e shtypit të përditshëm dhe periodik si suplimente apo në rubrikën e kulturës dhe letërsisë. Sipas rendit kronologjik ato janë: “Kangët e Zambares”, Tiranë : Shtypshkronja “Gutenberg”, 1939, autori në fletën e titullit është shënuar Nexhat Haki Mahmuti, libri ka 36 faqe; “Këndoj”, [poezi], Tiranë, 1958, 63 f.; “Zëri i fyellit” : vjersha Tiranë, “Naim Frashëri” 1959, 80 f.; “Fjala ime”, [poezi], Tiranë, “Naim Frashëri” 1961, 63 f. ; “Komente të zgjedhura : kl. V – XI”, Tiranë : Drejtoria e Studimeve dhe e Botimeve Shkollore, 1962, në serinë “Biblioteka e Mësuesit”, me 180 f., ku trajtohet letërsia shqipe, ajo botërore, si tekst për mësuesit dhe për shkollat 8 vjeçare të kohës; “Antologji e komentuar : klasa e V”, me 129 f. me serinë: “Biblioteka e Mësuesit”, Tiranë: Ministria e Arsimit dhe Kulturës, 1964, ku ka antologji të letërsisë shqipe me poezi dhe prozë, tekst për shkollat 8 – vjeçare; “Kënga e gjakut”, poezi, Tiranë, me 46 f.; “Një lule mbolla”, vjersha, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1973, me 44 faqe; “Copa letrare të komentuara në ndihmë të mësuesit : nga leximi letrar kl. 5 – 6”, përmbledhje (antologji) e përgatitur me përzgjedhje nga letërsia shqipe, si tekst për mësuesit), me 80 f., Tiranë: Instituti i Studimeve Pedagogjike, 1974; “Në garë me stinët” : poema, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1977, 38 f. Dhe, me këtë libër të vogël me poema, e mbylli jetën e madhe poeti optimist i dashurisë, i cili ishte ai intelektuali që ia ngriti Vlorës ballin në lartësitë kombëtare të vlerësimit e të nderimit të meritueshëm. Një vit më vonë, Nexhat Hakiu mbylli sytë nga emfizema polmonare. Vetëm 61 vjeç. Iku qetësisht, pa u ndier. Dhjetë vjetë mbas ikjes së poetit tonë të ëmbël, Mësuesi i Popullit Kristaq Shtembari (1934 – 2007) do të bënte shkrimin “Homazh i vonuar për poetin Nexhat Hakiu”, ku, ndër të tjera, na njeh: “Veç miqve, shokëve, dashamirësve e nxënësve, njerëzve të dashur të familjes, askush nuk tha ndonjë njoftim për vdekjen e tij. “Për të s’ra asnjë kambanë”. Edhe revista “Nëntori” nr. 7, korrik 1978, që botoi vjershën e fundit të shkruar prej poetit nuk dha ndonjë njoftim. Historia e letërsisë dhe e artit njeh plot shembuj të tillë. Por ajo rezervon edhe vende në panteon për ata- siç shkruante poeti – “që duke u djegur vetë, të tjerëve u falin dritë dhe jetë”” . (Shih: Shtëmbari, Kristaq, “Udhëve të hapësirës letrare”- gjurmime, studime, kritika, Tiranë,Toena, 2002, f. 134). Duhej të kalonte një çerek shekulli e kusur (plot 27 vjet) heshtje, që poeti i dashurisë t’i thoshte lexuesit vlonjat dhe atij shqiptar: “Tungjatjeta dhe mirësejugjeta!” dhe ata, që aq shumë e kishin pritur, ta përshëndesnin gëzueshëm: ‘Tungjatjeta dhe mirësenaerdhe për fare!”. Është pikërisht viti 2005, kur Prof. Nasho Jorgaqi mbledh, redakton dhe boton në Tiranë librin antologjik “Këngët e Zamabares” me krijimtari të zgjedhur nga poezia, proza, kritika, interpretimi dhe menditaria e Nexhat Hakiut, me 431 faqe. Gjithashu, pjesë të zgjedhura poetike nga krijimtaria e tij janë botuar, përkatësisht: [Poezi] në “Rilindja demokratike”, Nr. 1156, 13 janar, 1996, f. 5; “Si u lidh, o kjo krushqi…”; “Nusja mbi govatë lante”, në “AKS”, Nr. 27, 8 korrik, 1995, f. 7; “Pëshpëritje vjeshte; Madrigal; Vitit të Ri; Stinët e tua” në “Revista letrare”, Nr. 9, 1998, f. 37 – 41; “Nusja mbi govatë lante : poezi” në “Gazeta shqiptare”, (“Milosao”, suplement), Nr. 4948, 6 qershor, 2010, f. XI. Vetëm duke studiuar bibliografinë e botimeve të tij, kuptojmë kontributin e dukshëm të këtij intelektuali vlonjat, që na sjell imazhin e kallirit të grurit me kokrrën e plotë e të pjekur, i pabujë, i heshtur, punëshumë e punëdobishëm për arsimin, për kulturën, për letërsinë dhe qytetërimin shqiptar. Botimi i nivelit akademik “Historia e Letërsisë Shqiptare…”, 1983, kur merr në shqyrtim poetët e prozatorët e brezit të viteve 30 dhe letërsinë e tyre të rrymës së realizmit kritik zbërthen dhe mendimin e përparuar demokratik të kohës. Dhe në vijim: “Me disa përjashtime (Bulka, Spasse, Shuteriqi, V. Kokona, N. Hakiu) shumica e shkrimtarëve të rinj të viteve 30 nuk arriti të dilte me përmbledhje të botuar në vëllime me vete. Në këtë mënyrë, krijimtaria letrare e këtyre autorëve mbeti e përhapur përgjithësisht nëpër organe të ndryshme shtypi ose nuk u botua”. (Shih: “Historia e Letërsisë Shqiptare që nga fillimet deri te LANÇ”, bot. i ASH së RPSSH, IGJL, Tiranë, 1983, f. 568). Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (FESH) kemi këtë informacion telegrafik: “HAKIU, Nexhat (1917- 1978). Poet dhe publicist. Lindi në Vlorë ku kreu dhe shkollën e mesme tregtare. U diplomua në Institutin e Lartë Teknik të Selanikut. Punoi si gazetar dhe mësues i letërsisë. Drejtoi gazetën “Bashkimi i Kombit” (1943-44) dhe është ndër themeluesit e “Revistës letrare” (1944). Debutoi në letërsi që në v.’30 me vëllimet poetike “Këngët e zumbares” (1939), “Këngë gjaku” (1944) dhe duke bashkëpunuar në shtypin e kohës. Pas çlirimit ka botuar përmbledhjet poetike “Këndoj” (1958), “Fjala ime” (1961), “Një lule mbolla” (1973) dhe “Në garë me stinët (1977). Poezitë e N.H përshkon nga notat lirike dhe fryma popullore”. (Shih: FESH, 3, ASHSH, Tiranë, 2009, f. 3033, zëri përgat.: Nasho Jorgaqi. Ndërkohë që Profesori ka vlerësim mirënjohës, sepse e nxorri nga hiri emrin poetik dhe intelektual të Nexhat Hakiut me botimin e krijimtarisë së tij të zgjedhur, duke dhënë mesazhin kohës së sotme, se Nexhat Hakiu me poezinë e tij më të mirë na paraqitet një poet i ngrohtë lirik, këngëtar i dashurisë, i botës dhe i natyrës shqiptare. Botimi i plotë i veprës së shkruar, që na ka lënë trashëgim ky njeri i dashur, i ëmbël, artist, virtuoz dhe njerëzor, do të jetë plotësimi i detyrës ndaj Njeriut që detyrat ndaj nesh dhe emancipimit letrar dhe kulturor të Shqipërisë i kreu korrektësisht. Shumë nga vjershërimet e tij mbahen mend përmendësh nga vlonjatët e vjetër, disa prej tyre dhe janë këngëzuar, sidomos ‘Banushja”, apo dhe të tjera që këndohen lehtësisht si: “Më more…”, “O moj lule!”, “U bubu…”, “Trim, o trim…”, “Ku ta dijë e zeza grua”, ‘Bir, të keqen…”, “Ç’ka ky trim…” etj. Këto tekste qarkullonin gojë më gojë në mëhallat e në lagjet e qytetit dhe këndoheshin nga banorët, sidomos nga plakat apo dhe vashat e reja. Disa vjersha të tij, sidomos dy, ato me titull “Pëshpëritje vjershe” dhe “Kam një fjalë” djemtë (trimat e dashurisë) ua këndonin si serenada vajzave të bukura, sidomos netëve të ullinjta me kitarë e mandolinë, poshtë dritareve të së dashurave përkatëse të zemrave djaloshare, trimërore dhe për dashuri. Poezitë e tij të kënaqin me gjuhën e pastër, me vargun elegant, në stilin popullor, me fjalë të ëmbla, të dhembshura, të natyrshme, me melodi të ngrohta Vlore. Ja teksti i plotë i serenadës së parë: “Ja po piqet, mike rrushi/ Deg’ e pjeshkës më një thyhet,/ T’i ka zënë faqet pushi/ Edhe gjiri po të fryhet…/ Eja mike bashkë të bredhim,/ Erdhi koha që t’i mbledhim:/ Un’ i zgjedh, ti i këput/ Ca në dorë e ca në futë…/ Në se degat nuk arrin/ Do të kap, moj, mu në mes:/ Të të ngre, moj, mbi pëqin/ Me një zemër, me një shpresë./ Kokrrat fshehur nëpër fletë/ Hajt t’i mbledhim, më nuk rriten,/ Eja mike, se un’ vetë/ T’i këpus kam frik’ se vriten…!”. Lirika e Nexhat Hakiut vlerësohet shumë në Vlorë, mbas Kushtetutës Poetike që shpalli përjetësisht Ali Asllani. Ndjenjat, shqetësimet, dëshirat e përjetimet e tjera të poetit, që përbëjnë lirikën e natyrës, atë qytetare dhe dashurore të Hakiut rrjedhin, siç e përcakton kritiku dhe studiuesi Rinush Idrizi, “në psikologjinë e fizionominë e vlonjatit e vlonjates dhe nga kjo pikëpamje, ai është një biografi e vendlindjes së tij. Poet social, ai është njëkohësisht dhe poet i portreteve” (Shih: Hakiu, Nexhat, “Këngët e Zambares”, Tiranë, 2005, f. 408). Robert Elsie, teksa e trajton me poetë të tjerë të kohës para marrjes së pushtetit nga komunistët, në rrymat e letërsisë shqipe deri më 1944, pasi na jep profilin e V. Prennushit, L. Shantos, B. Palajt, Gj. Bubanit e A. Asllanit, shkruan: “Nga Vlora është poeti Nexhat Hakiu (1917-1978), i njohur edhe si Nexhat Haki Mahmudi, autor i një vëllimi me poezi të gjallë e spontane me titull “Këngët e zambares”, Tiranë 1939, një përmbledhje e ribotuar më pas me titullin “Zëri i fyellit”, Tiranë 1959. Më vonë, Hakiu, poezia e të cilit është me ndikim të fortë nga poezia gojore toske, botoi edhe vëllimin “Fjala ime”, Tiranë 1961, por pati sukses më pak” (Shih: Elsie, Robert: “Histori e Letërsisë Shqiptare”, Tiranë – Pejë, dukagjini, 1997, f.326). Dhe kur shkruan për vërshimin e realizmit socialist, për letërsinë shqiptare të pasluftës deri më 1961, krahas mjaft figurave të shquara intelektuale shqiptare që u arratisën nga vendi qysh vjeshëtn e 1944-ës, si Ernest Koliqi, Mehdi e Mid’hat Frashëri, Karl Gurakuqi, Branko Merxhani, Tajar Zavalani etj., studiuesi i huaj e përmend emrin e poetit Nexhat Hakiu ndër 25 shkrimtarë dhe intelektualë të tjerë, ndër ta Mitrush Kuteli, Petro Marko, Musine Kokalari, Andrea Varfi, Kudret Kokoshi, Mirash Ivanaj, Sejfulla Malëshova, Pashko Gjeçi, Jusuf Vrioni, Selman Riza, atë Donat Kurti, Dionis Bubani etj. që u arrestuan e u burgosën gjatë gjuetisë së shtrigave pas Luftës së Dytë Botërore [LDB]. (Shih: Elsie, Robert: vep. e cit., f. 377-378). Emri i Nexhat Hakiut dallon në zenitin kulturor të mesit të viteve tridhejtë, si një nga pikat më të larta për fuqizimin e kulturës së shkruar në Shqipërinë e asaj kohe. Nexhat Hakiu, së bashku me Mitrush Kutelin, Vedat Kokonën dhe Sterjo Spassen themeluan në 15 shkurt 1944 revistën e përdyjavshme “Revista letrare”, e cila edhe pse qe afatshkurtër u paraqit me një staturë serioze dhe pati ndikim më peshë në kulturën shqiptare gjatë jetës së saj të shkurtër nëpër stuhi lufte. Studiuesi kosovar Isak Shema, gjatë trajtimit që i bën monografisë së Ilinden Spasses “Im atë, Sterjo!: përmes arkivit vetiak”, (me kujtime e biografi në formë letrare), Tiranë, 1995, ndër të tjera shkruan: “Katër shkrimtarë dhe miq të pandarë: Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Nexhat Hakiu dhe Sterjo Spasse, më 13 shkurt 1944 botuan numrin e parë të “Revistës letrare”. “Revista është themeluar nga katër të rinj…që patën kujdes të madh të vinin emrat e tyre në majë të fletushkës, nga frika se mos nuk binin mirë në sytë e leçitësit…”. Më 1944 doli nga shtypi edhe përmbledhja e novelave “Nusja pa duvak”, në të cilën, në mënyrë realiste është trajtuar tema sociale. Në rrethanat e ashpërsuara të zhvillimit ëtë luftës, Sterjo, si edhe disa shkrimtarë të tjerë, bashkëpunonin me “Revistën letrare”. Ajo ishte gëzimi dhe shqetësimi i tyre. Pas botimit të trembëdhjetë numrave, revista u ndërpre së botuari, sepse bëhej presion i madh ndaj anëtarëve të redaksisë. Nexhat Hakiu ishte në rrezik, sepse ndiqej në çdo hap. Mitrush Kuteli kishte ikur, sepse edhe ai ndiqej nga oficerët gjermanë, “për ta arrestuar për sabotimin e emisionit të monedhës së re kombëtare”. Nonda Bulka ishte…”. (Shih: Shema, Isak: “Vlerësime të Letërsisë Shqiptare”, Orishtinë, Rilindja, 1996, f. 103). Ky informacion, të nderuar lexues të gazetës sonë “Dielli” nuk ka nevojë për koment. Ai flet vetë. Nga ne vetëm duhet drejtkuptuar. Dhe më tej Profesor Shema vë në dukje: “Mbas luftës Sterjo takohet përsëri me shokët e tij në “Kasollen e xha Tomit” me fjalët “Fitore dhe Paqe”; “…u përshëndetën…Nexhati, Mitrushi, Nonda, Vedati, Petro Marko, Andrea Varfi, Manol Konomi, Peter Elezi, Mustafa Greblleshi, çunaku më i ri etj.” (Shih: Shema, Isak: vep. e cit., f.104). Më 1979 Sterjo u nda përgjithmonë nga dy shokët e tij të dashur: më 19 qershor vdiq Nexhat Hakiu [18.06. 1978- shën. im: A.H] dhe më 1 tetor Petër Elezi [1903-1979. P. E. qe veprimtar i arsimit kombëtar, autor tekstesh mësimor, gjurmues i folkorit dhe studiues i etnografisë shqiptare. Atje ku lindi, prehet, në Shelcan, Shpat të Elbasanit – shën. im: A. H] Pikëllimin e thellë Sterjo e ka shfaqur edhe në kujtimet që ka lënë në dorëshkrim”. (Po aty, f.112). Qoftë dhe nga kjo paraqitje fragmentare, kuptojmë që ata burra të lartë e të pashëm edhe nga bota e brendshme, i lidhte diçka më e madhe në Bërthamën e Molekulës së Kulturës Shqiptare: Dashuria për jetën, për atdheun, për diturinë dhe përparimin, humanizmi m edritë të ngrohtë. Ata ishin altruistë, idealist, dritanë të dijes. Ishin Njerëz. Ishin Artistë. Nexhat Hakiu ka kontribute edhe për bibliografinë e veprave dhe të studimeve të historisë së letërsisë, që është vertët e pasur. Siç theksojnë edhe studiuesit, kronologjia e hartimit dhe e botimit të doracakëve, e teksteve shkolloree universitare dhe e historive të letërsisë shqiptare, paraqet më së miri zigzaget e zhvillimit të historisë së letërsisë gjatë shekujve XIX dhe XX. Ecim në kohë dhe vijmë në LDB, për ngjarjet letrare- arsimore- kulturore që ndodhën. Nën kujdesin e Ernest Koliqit dhe Namik Resulit, në Tiranë, më 1941, doli nga shtypi “Shkrimtarët shqiptarë I” (1462-1878), dedikuar klasës së tretë e të katërt të kursit të lartë të shkollave të mesme. Bashkëautorë të këtij vëllimi kanë qenë: Aleksandër Xhuvani, Filip Fishta, Justin Rrota, Karl Gurakuqi, Lumo Skëndo, Namik Resuli, Rosalin Petrotta, Simon Shuteriqi dhe Zef Valentini. Pasqyra e historisë së letërsisë shqiptare që nga viti 1878-1943 është përfshirë në pjesën e dytë “Shkrimtarët shqiptarë”, 1943. Bashkëpunues të vëllimit të dytë janë Aleksandër Xhuvani, Andon Fashëri, Filip Fishta, Gjon Kasmi, Henrik Laçej, Justin Rrota, Karl Gurakuqi, Namik Resuli, Nexhat Haki, Rosalin Petrotta, Stefan Shundi, Sterjo Spasse, Vedat Kokona dhe Zef Valentini. “Një poet që mbeti deri në fund poet- e cilëson studiuesi Jorgaqi Nexhat Hakiun. Lirik në shpir, lirik në këngët që këndoi. Nga mesi i viteve 30, që mund të quhet vërtet kohë e artë për për shpërthimin dhe lulëzimin e letërsisë artistike shqiptare, edhe N. Hakiu e nisi rrugën e vjersëhrimit me një grup vjershëtorët të rinj, që hodhën hapat e parë nën ndikimin marramendës të poezisë së L. Poradecit. Të gjithë pothuaj u bënë lasgushianë, epigonë e tij të tij dhe askush nuk arriti të krijojë individualitetin e vet. Epigoni (fjalë me burim nga greqishtja – epigonos – i lindur vonë) quhet në mënyrë përbuzëse ai që ndjek dhe imiton verbërisht një shkrimtar të njohur pararendës, përsërit në mënyrë mekanieidetë dhe mjetet e tij artistike. N. Hakiu nuk u bë epigon as i Lasgushit, as i Ali Asllanit, pati ndikim nga ata, por asnjëherë nuk i imitoi. Sa qe gjallë këndoi me zërin e tij nëpër blerimet e ëmbla të lirikave intime, të florës, të faunës, të fshatit, të qytetit. Edhe këngë liriko – epike bëri ai. Këndoi këngë atdhetare që u pëlqyen nga njerëzit. Qe i vetmi ndër shokët e grupmoshës së tij që fitoi emër në poezinë shqipe të kohës me zërin e tij norigjinal. Të paktët moshatarë me shekullin në Vlorë, Petrit Velaj dhe Shaban Xhyheri e kujtojnë me mallëngjim dhe nderim “Kingun e Tregtares”, që bashkë me Sh. Musarajn, P. Markon e A. Varfin, më pas, u bënë katër shkrimtarët e Vlorës me djep formimi të përbashkët Shkollën Tregtare të Ujit të Ftohtë. Pas studimeve të larta në Institutin Teknik të Selanikut, N. Hakiu punoi si gazetar e më von si mësues i shkëlqyer i letërsisë në shkollat e Tiranës. U bë bashkëpunëtor i rregullt i organeve letraro- kulturore të kohës: “Bota e re”, “Illyria”, “Përpjekja shqiptare” etj. Në vitet ’40 drejtoi revistën “Shkëndija” dhe gazetën “Bashkimi i Kombit”. Përmbledhja e tij e parë me poezi “Këngët e zambares” 1939 vlerësohet si më e mira artistikisht. Libri me poema “Kënga e gjakut”, 1944 erdhi si një frymë antifashiste në formë artistike. Mbas çlirimit botoi disa thërrime letrare. Ai do t’i paguante kështu haraç të pamerituar një kohe në të cilën nuk u rreshtua asnjëherë si këngëtar i saj i vërtetë i angazhuar, i përkushtuar dhe militant, sikurse ishin disa autorë minorë bashkëkohës dhe “patriotë” të tij (me origjinë nga Vlora e Himara). Shpesh herë në Vlorë poezive të tij u thonë këngë e disa prej tyre marrin trajtën e romancave dashurore. Kënga e N. Hakiut frymëzohete buron në radhë të parë nga gazet e dertet e fshatit, të agjes , të mëhallës, të rrugicës, nga jeta zakonore. Ajo gurgullon si poezi e mirëfilltë dhe e pastër rustike (fshatare), plot kolorit e frymë fshatarake, brend asë cilës gjallojnë personazhe dhe ndihen shqetësime të kohës. Poeti shfrytëzoi në mënyrë krijuese modelet e lirikës popullore, sidomos të këngëve lirike të Labërisë. Disa nga vjershat e tij më të bukura morën trajtën e idileve (poemtha dashuror me subjekt baritor e fusharak ku paraqiten në mënyrë të idealizuar tablo e ngjarje nga jeta e njerëzve të thjeshtë që rrojnë në gjirin e natyrës, sidomos nga jeta e barinjve, mes fluturimesh romantike – shën. im: A.H). Idilet e Hakiut janë si llokume të spërkatura në lëng portokalli dhe pëlqehen edhe sot, fakt që tregon se i kanë qëndruar kohës, të rreptës kohë, e cila s’pyet për miq, por vetëm për vlera. Vjershat e tij të bëjnë për vete e të rrëmbejnë me hovet lirike dhe situatat psikologjike, me tonet optimiste dhe reflekset e gjalla njerëzore. Të gjitha këto përcillen me një shprehje spontane, varg të harmonishëm e gjuhë të rrjedhshme, që i bëjnë të denja për çdo antologji të poezisë shqipe. Sa qe gjallë e në këmbë, ai mblodhi, zgjodhi, përgatiti, përpiloi, pajisi me shënime e botoi autorët e shquar pararendës. Tradita duhet ta vijojë fisnikërisht stafetën. Kritikët, studiuesit e poetët e sotëm duhet të bëjnë me Nexhat Hakiun atë që ai bëri me Ali Asllanin. Vetëm kështu shkon haka tek i zoti, siç na kujton fjala e urtë. Edhe pse ai qe mendimtar i lartë e përkthyes i mirënjohur, edhe pse pena të spikatura të kritikës letrare shqiptare e klasifikojnë si njërin prej këngëtarëve më lirikë të poezisë shqipe në kapërcyell të shekullit XX, gjykoj se poezia e N. Hakiut nuk është majë, kodër është, një ndër kodrat e shumta të letrave shqipe, që duket në horizont që tej. Ai është një individualitet artistik i pakontestueshëm, por poet mesatar është Nexhat Hakiu. As vetë poeti ynë nuk do t’i duronte këto lëvdata që kërcasin, se s’i ka patur kurrë qejf fryrjet si kokoshi i vitit të ri. Po seç m’u kujtua biseda e famshme e Johann Peter Eckermann me gjeniun Johann Wolfgang von Goethe, kur Gëte, midis të tjerash, i thotë Ekermanit, se ai njeri që njeh nga letërsia gjermane vetëm tre-katër shkrimtarë të shquar të këtij kombi nuk ka aspak dijeni të plota për këtë letërsi. Dhe më tejpohon mendimin: “Në doni të jeni të drejtë, t’i jepni cilitdo vendin dhe vlerën që meriton, duhet më përpara të njihni mirë letërsinë tonë mesatare, që nuk është punë e paktë”. Ndaj m’u shpalos në kujtesë ky mendim i vyer i Gëtes, teksa po shkruaja këto radhë paharrimi për Nexhat Hakiun, që na ka dhuruar gjithë këto lule artistike të pavdekshme me “Këngët e zambares”, antologji e përzgjedhur nga krijimtaria e tij e paraçlirimit. Fillimet e botimeve të vjershave të para datojnë: “Trëndafili dhe konxhja” më 22 shkurt 1934 “Poetit dhe bilbilit”, 12 gusht 1934, “Çerdhe e shqipes më 28 Nëndor!” dhe “Mike t’iku lumturia” të dyja botuar më 28.11. 1934 dhe të gjitha sa shkruan në “Kuvendi kombëtar”. Gjatë vitit 1935 ka dhe dy vjersha botuar në “Kuvendi kombëtar”: “Fytyra jote!” më 10 maj dhe vjershën humoristike “Agaj qan hallet”, po aty më 11qershor 1935. Edhe pse në rrafshin patriotik më pak poezi ka shkruar, ato janë të mbushura me zjarrin e dashurisë si rilindasit për Shqipërsinë, me vargje origjinale, që i burojnë natyrshëm e pa sforco figuracioniste: “Er’ e ditës shkoi, fryn flladi atdhetar…/ Dhe në zemrën e arbneshkës futet plot me dashuri”. Vijon me vjershën tjetër patriotike “Si bien dëshmor burrat”, botuar te “Populli”, 8 tetor 1935, me lirikën e dhembshme e të gjatë “Shegertit”, “Illyria”, 2 nëntor 1935, me “Epopeja Kombëtare (1443-1912), i kushtohet kujtimit të Naim Frashërit”, botuar te “Populli” 28 Nnëtor 1935, që vjen si “një psherëtimë djalërie për KOSOV’ E ÇAMËRINË”; me dy vjersha të tjera “Plakut të Njëzetetetës”, botuar te “Illyria” më 28 Nëntor 1935 dhe “Rrapo qorrit…” po aty më 1shkurt 1936. Më tej autori boton te “Bota e re” nga ku do të veçoja “Vallja e kohës” dhe tingëllimën “Djepit”, kur dimë që tingëllimën apo sonetin pak autorë shqiptarë e kanë lëvruar si L. De Martino, Z. Serembe, E. Koliqi, me kryemajë Mjedën poemat sonetike “Lissus”, “Scodra”, e “Lirija”. Është peshë e rëndë artistike dhe teknikisht kërkon mjeshtëri të lartë soneti, se pastaj i qorton keq krijuesit Francesco Petrarca e William Shakespeare. N. Hakiu ka guxuar duke lënë një gjurmë të bukur e ndjesore të virgjër në shportën e paktë me yje tingëllimash shqiptare. Në vijim të krijimtarisë së tij poetike autor boton tek “Përpjekja shqiptare”, “Kombi”, përsëri te “Bota e Re”, te “Jeta e re”, “Diana”, “Shkëndija”, “Shkolla shqiptare”, “Vatra shqiptare”dhe “Revista letrare”. Është një vjerëshëz e ëmbël, qaj e qesh e qesh e qaj: “Vaj -me det çobankë, vaj! (në kadencë popullore)”që nuk duhet komentuar. Duhet shijuar po aq ëmbëlsisht sa ç’e ka thurur autori në hojet e shpirtit të zjarrtë romantik e sentimental. Na vjen çudi se asnjë studiues nuk e ka vështruar këtë poezi dhembshurisht të zjarrtë. Do ta sjellim siç e ka shkruar në original, sepse duke respektuar parimin fonetik, kuptojmë frymën popullore të autorit dhe burimin e frymëzimit të krijimit. Vjersha na vjen si një melodie ngrohtë Jugu. Edhe dhembje, edhe mall, edhe dert, edhe gaz, edhe gjëmë, edhe fat: “Vaj- medet, çobankë, vaj!/ Qaj, çobankë e vogël, qaj/ Se kasollja ty t’u doq/ Se manarja ty t’u poq,/ Qaj çobankë, q ëtë qaj/ Se kjo bota qënka vaj!/ Moj e gjor’, çobankë e gjorë,/ Mbete moj me krrab’ në dorë/ T’iku syska me këmborë,/ Vaj- medet, çobankë, vaj!/ Qaj, çobankë e vogël, qaj/ Se kjo bota qënka vaj!/ Kú- kú- kú, çobanë kú,/ Bú-bú stani seç t’u doq/ Pú-pú nëna seç t’u poq,/ Bú-bú-ú, çobankë, bú,/ Ku je ti, çobankë ku,/ Mbete qyqe dhe kërcu!/….Há-há-há, çobankë, há/ Qesh, çobankë e vogël, qesh/ Se ky trimi të pru desh,/ Qesh, çobankë, qesh, mos qaj,/ bota qënka gas e vaj/ Qesh, çobank’, që të mos qaj!”. Përdorimi i onomatopesë për të krijuar harmoninë imituese i jep forcë shprehëse vargut dhe ndez emocione mbresëlënëse. Kontributi i N. Hakiut, përveç se si poet, shfaqet edhe në kritikë, studime e gazetari letrare, në mësuesi, në shërbim të arsimit kombëtar dhe në fushën e vështrirë të përkthimeve. Nuk do të zgjatem shumë në prozën e tij, që e ka brilante dhe na duket sikur flet me shumë elokuencë, por dua të theksoj se N. Hakiu ka një skicë të veçantë “Shamisë”, që ai e quan vjershë në prozë. “Fshi lotët e mos u gris, moj shami!- shkruan autori në mbyllje të kësaj proze kaq të gjallë, që duket se ecën kundër rrymës, duke i thurur himn shaminë, kur dihet se kujt i kushtohen himnet, ato këngë solemne…Në një trajtë tjetër, vjershanë prozë “Shamisë” e N. Hakiut më bën të heq një paralele të largët me prozën poetike të Gorkit “Kënga e Zgalemit”: “…Mbi të thinjtin shesh të detit, era fryn e mblidhen retë…” (Megjithëse këto krijime të Gorkit janë vigane, të papërsëritshme, të paarritshme). Pena e mendjes së Nexhat Hakiut ka bërë edhe përkthime dinjitoze, duke na sjellë në shqip poezinë “Kau” të Giosuè Carduccit (nobelist i vitit 1906), novelën “Shkallët e lumit” të nobelistit indian Rabindranath Tagore, (1913) “Formaliteti” të Luigi Pirandelos (nobelisti italian i vitit 1934), prozën “Stania” të shkrimtares italaine Ada Negri, “Dialogu i fisnikërsië” nga Giuseppe Parinio, si dhe poezinë e Petrarkës “Kajsia” me një koment për këtë vjershëtë vogël me katër strofa katërvargjëshe, nëntërrokëshe, me rimë të kryqëzuar ABAB, krijuar nga një prej më të mëdhenjve të Rilindjes Europiane, Francesco Petrarca. Me vlera është dhe mendimi kritik i N. Hakiut për veprën “Folkor shqiptar”, vëll.I me autor Stavro Th. Frashëri, për librin me poema “Ngjyra të jetës”, shkruar nga Skënder Arrëza, studimin e gjatë dhe të arrirë “Naimi si poet i dashurisë”, “Shkrimtarët dhe populli”, “Libra që duhet”, “Shkrimtarët, frymëzimi dhe origjinaliteti”, sidomos “shkrimi “Talentet femërore”, me rastin e librit “Rreth vatrës” të Musine Kokalarit, botuar me pseudonimin Ali Dervella në “Bashkimi I Kombit” më 9 korrik 1944. Vlera të veçanta studimore përbëjnë punimi i gjatë “Komedia hyjnore – Ferri”. Ato nuk janë dy fjalë për përkthyesin e talentuar Pashko Gjeçi të kryeveprës së madhështorit Dante Aligeri; ato janë një skaner i plotë i kritikës letrare shumë i nevojshëm sidomos për brezate sotëm, sepse punime të tilla i ka zënë pluhuri i harresës egoiste të gjithologëve të shqyer që kemi në qarkullim. Unë kujtoj. Po kështu, një artikull i goditur, serioz dhe i punuar me përgjegjësi profesionale është “Natyra në poemën “Milosao”, që, si duket, aq shumë i shkon për shtat dhe natyrës së tij poetike, të dashuruar aq fort me natyrën shqiptare. Shkrimi “Poezi të zgjedhura (vëllim nga Ali Asllani)” u botua në revistën “Nëntori”, nr. 7, 1974, pas botimit antologjik të lirikut të madh vlonjat. Artikullshkruesi thekson se me krijimtarinë e Ali Asllanit letërsia shqiptare mori tipare të reja dhe e vlerson fuqinë poetike të tij, q ëka ditur të transfigurojë realitetin me një veshje artistike, me frymë popullore dhe kolorit shqiptar. Na tërheq vëmendjen vëmendjen largpamësia, dhe vizioni i Nexhat Hakiut, kur shkruan, ndër të tjera në revistën “Shkëndija”, nr. 2, gusht 1949: Pasi të kemi formuar SHKOLLËN FOLKORISTIKE SHQIPTARE, atëhere jemi të pregatitur edhe për agime të reja të Muzës së huaj, e cila do të na zgjerojë horizontin e ndjenjave e të mendimeve dhe do të na bëjë të kuptojmë shpirtin e botës” (Shih: Hakiu Nexhat: “Këngët e Zambares”, Tiranë, 2005, f.300). Për veprën e N. Hakiut kanë shkruar Jani Lili, (Malseni) [1939], Qemal Draçini, [1940], Mario Skanjeti, [1942], Dr. Kolë Ashta [1943], H.H (iniciale vetëm) [1944]…heshtje, heshtje dhe Rinush Idrizi [1993], Nasho Jorgaqi [1995], Tarik Llagani [1996], Perikli Jorgoni[1996], Kristaq Shtembari[1998], Albert Habazaj [2007] dhe Hiqmet Meçaj [2009]. Ai bëri shumë për ne. Ne pse kaq pak për të?! Më kujtohet një natë magjike detare e 28 Gushtit 2006. Me të paharruarit Koçi Petritin e Kristaq Shtëmbari. Poeti, kritiku dhe mikpritësi. Sot e kujtoj si ëndërr. Ruaj në shtëpi edhe fotografi dhe kemi një kujtim të bukur, të papërsëritshëm: E gdhimë thuajse tërë natën me yje duke folur me zjarr e respekt për letërsinë, sidomos për korifejtë e traditës nga Vlora. Ju vlonjatët duhet ta mbani kokën lart, sipër te Çika, sidomos me shkrimtarët që keni nxjerrë: Ali Asllanin, Petro Markon, Nexhat Hakiun… Ju, ose s’i njhni, ose s’doni t’i njihni, ose s’dini t’i njihni. Vetëm Nexhat Hakiu është një ajsberg. Poezitë e Nexhat Hakiut, fliste me zjarr Profesor Kristaqi jan ësi buqeta lulesh shumë ngjyrëshe dhe erëmira, që të japin kënaqësi me freskinë dhe njomësinë e tyre. Vokacionet e vjershërimit të atij vlonjati dallohen që përtej nga ëmëblsia, natyrshmëria e ndjeshmëria emocionale që na përcjellin ne si lexues. Po të lexojmë, më mirë të këndojmë “Këngët e zambares” na duket se n ashfaqet parasyve një tablo sie punuar me akuarel, që na ngjallimazhet për natyrën dhe njeriun e thjeshtë. Dhe biseda mori zjarr nga mirësia e ëmbël e profesor Koçiut apo dhe detajet që dija unë. Dhe pimë raki rrushi shoqëruar me meze sinqeriteti. E mali na hidhte fllad. E deti na niste valë. Formohej një iso e magjishme sikur dilte nga Epi i Gilgameshit, nga Këngët e Kreshnikëve apo Labërishtja shumëzërëshe, e shtruar labçe, vënçe, himarioçe, që pastaj ndizet e s’ka zjarrfikëse ta shuaj… Në fakt ajo harmoni krijohej nga Akrokeraunet pellazgjiko-ilirike, që janë, ja këtu, sipër, mbi ballë të Vlorës. Me nderim u këndon edhe Homeri vargmaleve të Vetëtimës – Akrokerauneve… E…

Dy fjalë për vëllimin me poezi të zgjedhura “Këngët e zambares” të Nexhat Hakiut: Më kujtohet, ka qenë mesdita e së martës së datës 21 mars 2006, kur në Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj” të Vlorës me forcat krijuese të qytetit përuruam botimin e veprës së zgjedhur të poetit Nexhat Hakiu, i cili, ka qenë edhe një nga themeluesit e Bibliotekës së qytetit të Vlorës. Diskutuam për krijimtarinë e zgjedhur të poetit të ëmbël të Vlorës, mbledhur dhe redaktuar nga Prof. Nasho Jorgaqi, botuar në librin me titull “Këngët e Zamabres”. Edhe unë mbajta një kumtesë të shkurtër, në të cilën i quajta poezitë e Nexhat Hakiut Manifest në Shërbim të Dashurisë. Sot kujtoj, se pikërisht dje Nexhat Hakiu kishte 98 vjetorin e lindjes, ndërkohë që pikërisht në qershor, data 18, 37 vjet më parë, iku të prehet në heshtjen hyjnore 61 – vjecari i përjetshëm Nexhat Haki Mahmudi. Fatmirësia jonë është sot ky nderim i merituar që i bëjmë një pinjolli të kulturës kombëtare, që shkëlqeu për mendimin e tij brilant, human e të emancipuar. Emri i Nexhat Hakiut i bën mirë Vlorës në ballafaqimin që vendlindja e tij dhe e jona bën me djepet e tjera qytetare të Atdheut, siç janë për kohën: Korça, Elbasani, Shkodra, Gjirokastra etj. Vepra e Nexhat Hakiut është një manifest bukurisht origjinal i lirikës dashurore vlonjate, ku ai shpall mesazhet, synimet poetike, shenjtërimin shpirtëror të vargut të lulëzuar, vlerat artistike, estetike, etike dhe humane të krijimtarisë së tij që e ngrenë veprën e këtij dashnori të penës së ëmbël në nivel kombëtar. Ne jemi me fat që kemi në dorë veprën e tij të zgjedhur me emrin kuptimplotë e të veçantë, labëror: “Këngët e zambares”. Liriku ynë mendjehollë qe me fat, se pati profesor Ernest Koliqin dhe Skënder Luarasin, të birin e Petro Ninit. Përsëri qe me fat sepse nuk e shpërdoroi këtë mundësi që iu dha. Ai shfaqet si një zë i dëgjuar në vitet ’30 dhe gjysmën e parë të viteve ’40 në shekullin e kaluar. Bashkëkohës i Petro Markos, Migjenit, Musarajt, Shuteriqit, Andrea Varfit, Branko Merxhanit, Krist Malokit, Nonda Bulkës, Vedat Kokonës, Sterjo Spasses, Lumo Skëndos, etj., ai bëhet krijues i angazhuar i këtij ansambli të zgjedhur dijetarësh. Shfaqet në disa plane me talentin e tij mendimtar.Veçojmë katër: I) Poezinë me sheqer për ndjenjën e hollë dashurinë dhe vargjet me kripë për ndjenjën e lartë, atdhetarizmin. II) Prozën e këndshme me skica, tregime e novelëza sentimentale. III) Mendimin kritik të vyer e të emancipuar si dhe IV (përkthimet dinjitoze që u ka bërë F. Petrarkës së madh, Pirandelos e Cardduccit, Giusepe Parinios e Ada Negrit,Tagores së papërsëritshëm të Indisë e mjaft penave të shquara të letërsisë botërore. Ai qe studiues e mësues i talentuar, një pedagog i klasit të lartë për t’u marrë shembull, sidomos me botimet e tij pedagogjike. Por së pari e mbi të gjitha ai qe poeti, liriku. Tok me Lasgushin, Ali Asllanin, Mitrush Kutelin çelën shkollën letrare të kohës me individualitete. Të veçantë, origjinalë, të talentuar. Me “Këngët e Zambares” ai shfaqet si emblemë lirike e Vlorës epike, sepse e ka spërkatur me sherbet trëndafili vendlindjen e bëmave të mëdha. Nexhat Hakiu është autor antologjik. Këtë e them me plot gojën, sepse emrin e tij e kam lexuar dhe te “Fjalori Enciklopedik Shqiptar” dhe tek “Histori e letërsisë shqiptare” të Robert Elsie: Nexhat Hakiu (3.12.1917 – 8. 6. 1968). Poet i lidhur shumë me frymëzimin popullor; poezia e tij është freskët, ka botuar këto vëllime me poezi “Këngët e Zambares”, Tiranë 1939; “Zëri i fyellit”, Tiranë 1959; “Fjala ime”, Tiranë 1961. Bashkë me M. Kutelin, S. Spassen dhe V. Kokonën ka botuar “Revistën Letrare” që në shkurt 1994. Ka punuar si gazetar dhe arsimtar. Figurë kryesore në letrat shqiptare, antar themelues i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, së ngritur më 07. 10. 1945 nën drejtimin e Sejfulla Malëshovës, pati ndikim me peshë në kulturën e kohës. Poezia e tij e gjallë, spontane është e guximshme në vërtetësinë e shijshme me të cilën këndon autori. Duke kënduar me melodinë e këngëve popullore qytetare vlonjate, të shtatë strofat e “Banushes”, që s’donim të mbaronin kurrë as atë natë vere të grohtë të gushtit 2005, kur profesor Kristaq Shtëmbari vinte për herë të parë mik në shtëpinë time, në Ujë të Ftohtë. Duke biseduar në ballkon, ai më tha: “More, Berti! Jo vetëm “Banushja” po gjithë “Këngët e zambares” të vlonjatit tuaj dhe mikut tim janë me yndyrë. Poezi me yndyre të shëndetshme dhe të freskëta si ëndrrat e çupave labe, vargje ilaçi që të bëjnë mirë t’i dish e t’i këndosh”. Dhe unë mendoja gëzueshëm: “Lumthi ti, o xha Nexhat, që t’i ka mësuar përmendesh vjershat Vlora. Lum si ti që ike si një stuhi dashurie e vjen sot si mal i trishtuar me profil të ndezur lirik. Dritë paç ku prehesh mbuluar me ëndrra! “Nëno shpirti, nëno xhani/ M’u zvogëlua xhamadani/ Edhe linja m’u shkurtua/ Nëno gazi sa të dua!/ Mu fry gjiri, shpejt u zgjata,/ Po më ndjek një trim nga prapa/ Po më ndjek se u zu malli/ Për gërshetat vijë mali./ …E kur në shtëpi po via/ Prap-Banushe! – thirri trimi/ M’u te brodha ra shamia/ Ra dhe shtëma nga nxitimi!…”. Ja vargje të tilla mbushur me mjalt dashurie këndon Vlora dhe Labëria jonë nëpër dasma e gëzime dhe nuk harrojmë asnjëherë që është pikërisht Nexhat Hakiu majaja e këtye brilantinave që bota e qeshur e gëzimit i shikon me një zili të admirueshme.



- See more at: http://gazetadielli.com/nexhat-hakiu-poet-i-manifestit-te-dashurise/#sthash.Hmqcabo2.dpuf

Nga Albert HABAZAJ, studiues/KËNGA E TËRBAÇIT,THESAR I FOLKLORIT SHQIPTAR

Labce
Kur ishim të vegjël, shikonim më të rriturit që mblidheshin grupe – grupe dhe i dëgjonim si këndonin aq mirë, aq bukur, aq natyrshëm. Na dukej se konkuronin me biblibat e malit. M’u kujtua një burrë i asaj kohe. Pa sy qe. Po Zoti, në vend të gurmazit, i kishte vënë një bilbil në fyt, thoshnin pleqtë. Prënjo Xhaka quhej. Ishte biblbil gjyzar, siç thoshnin lisat e moçëm në vitet ’65 -‘70 të shekullit XX për këtë banor të Tërbaçit, që s’ kishte sy, po zë kënge si ai s’kam dëgjuar deri më sot. Ata burra, kur bëheshin tok, sidomos pasdarkeve apo nëpër dasma e festa tradicionale, këndonin këngë të shtruara, në shtrat, këngë tabani, këngë burimi, që të kënaqnin shpirtin me atë karakterin e tyre sinkretik, që e bën folkorin krijimtari artistike specifike. Me ato fjalë që ngjitnin, që zinin vend e mbaheshin mend, që i krijonin në moment, si të zgjedhura me dorë, si bleta zgjedh nektarin nëpër lule, vargje të atypëratyshme, sa të thjeshta aq sublime, me bukuri estetike, me melodi të pëlqyeshme, me një akustikë magjike, me veshjen karakteristike, që u kishte hije, në atë mjedis, në atë kohë dhe hapësirë praktikmi, kënga e atyre burrave të lartë e hijerëndë më dukej se vinte tek ne e kulluar nga një burim hyjnor. Me të drejtë gjeniu Kadare (vetëm burokratikisht ende i pashpallur si Nobelist nga Akademia Suedeze) e cilëson folkorin shqiptar “Autobiografia e popullit në vargje” (1971, 1980, 2002). Kur ishim të vegjël e të rriturit na merrnin pas, dëgjonim që flisnin për Këngën Himarioçe, për Këngën smokthinjoçe dhe për këngën Tërbaçioçe. Kuptuam më vonë që, në vijë kronologjike, se këto tre variante, melodi, apo avaze, si flitej nëpër lokalitetet përkatës, ishin tre stilet muzikore që e pasuruan dhe e ngritën artistikisht këngën labe në veçanti dhe shtuan një shufër floriri në minierën e artë të Folkorit Shqiptar. Në atë kohë, (ende pa dalë televizioni) Radio Tirana kishte një program, Radio Posta quhej dhe jepte këngë që të zbukuronin botën e brendshme, të mbushnin shpirtin me dashuri, me ndjenja të larta se ishin kënëg të ngrohta, të bukura si thëllëza, jo si ca laraska e sorra që dalin fatkeqësisht sot (edhe ndër këto vise), kishte një emision me këngë popullore, i cili realizohej dhe me një nënndarje të titullura: Këngë labçe, vënçe, himarioçe, që më vonë nga studiuesit e folkorit u emërtuan këngë polifonike labe (Spiro Shituni, Agron Xhagolli, 1986: ndër figurat më të spikatura të folkoristikës shqiptare, me që kënga labe këndohet nga shumë zëra – shën im: A. H). Këngët labe himariote të Neço Mukës deri te Dhimitër Varfi, ato smokthinjote të Qazim Ademit deri te Hysen Ruka dhe Këngët labe tërbaçiote të Kujtim Micit me Sinan Hoxhën e Syrjat Hodon janë tre maja malesh me trëndelinë në diell e suferinë, në Vargmalin Folkorik Madhështor të Folklorit Shqiptar, që shkëlqen në Etnokulturën Kombëtare. Shkëlqyen në ato vite stile e variante, si një mozaik ylberor, që e ngritën në nivele artistike të larta këngën labe me grupe të mëdha nga pesha specifike, si grupi i Pilurit me të madhin Lefter Çipa, i Bënçës me Maliq Lilën e paharruar, i Vranishtit me Muhamet Tartarin e papërtuar, i Tragjasit me Hamdi Pulon vargbrilant, “Violinat” e Lapardhasë me ustain e labërishtes Feti Brahimi. Në sotshmëri është grupi i Dukatit me Fatosh Likën etnopërbashkues që është ngjitur në majë të Malit Folklorik. Dhe të tjerët ecin, fushave, brinjave, kodrave të shpirtit të gjerë të Folkorit Shqiptar, që kemi si visar ne labët, si pjesë e së tërës etnokulturore. Të gjithë ë eduan majën, por jo të gjithë arrijnë. E rëndësishme është që rrjedh e nuk shteron kurrë ujët e kulluar nga Gurra Popullore.
***
– Janë mbi 400 këngë të kënduara nga grupi i Madh i Tërbaçit, ku përveç teksteve të Dragoit të Këngës Kujtim Mici – Mjeshtër i Madh, këndohen këngët e bardëve të traditës edhe të autorëve të njohur jotërbaçiotë.
– Grupi i parë që bëri emër doli në skenë në vitin 1967, si vijim i grupit të vjetër të Riza Beqirit, Sefer Bilbilit, Tahir Lilos me shokë.
– Grupi i valleve qe një meteor që shndriti me Mujo Gjondedën, Mejdi Skëndon, Kujtim Micin, Rexhep Abazin, Abaz Abazin, Qazim Çelon, Ago Rustemin (Beqiri), Qazim Abazin, Asllan Nikën dhe Izet Skëndon e Rrapush Mehmetin që mbyllin Harkun e Vetëtimave me 11 valltarë sa 11 male, që mbetën të paharrueshëm, të papërsëritshëm, të paarritshëm!
– Kur flasim për këngën polifonike, në qoftë se është një Tërbaç (për këngën), gjysma është një Nebi Xhakë.
– Syrja Hodo është pasuri kombëtare.
– Sinan Hoxha është themeli i këngës së re të Tërbaçit.
– Endri S. Hodo duket si filiz i gjelbër i këngës labe.

***
E di që këto rreshta që po shkruaj për Tërbaçin dhe këngën e tij janë më të thjeshta se sa e ndiej unë brenda shpirtit polifoninë labe të vendlindjes time. Nisa një ndërmarrje të vështirë, por duke qenë i bindur se një punim sado modest për këngën e madhe Tërbaçiote është kurdoherë më i dobishëm se heshtja nuk ngurrova t’i përvishem një diskutimi të tillë nëpërmjet këtij studimi në maket, i cili shpresoj të ngjallë interesim. Kënga si transmetuese gojore, zanore e traditave, zakoneve, e vlerave njerëzore, e mënyrës së jetesës bëhet zëdhënëse në breza, duke realizuar një mision të lartë fisnik sa që mund të përdoret seriozisht si një dëshmi historike me ngjarje, data, personazhe, periudha e bëma të të parëve tanë. Vini re sa qartë, në pak fjalë na kthjellon origjinën tonë kënga e Tërbaçit të Kujtim Micit (është fjala për këngën “Lindi luania luanë” kënduar në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës më 1973, me tekst të Kujtim Micit, kënduar nga grupi i burrave me marrës Sinan Hoxhën e papërsëritshëm, kthyes Rexhep Abazin me famë, sepse futi për herë të parë të kthyerit me grykë në Tërbaç, me hedhës Bilbil Xhakën e mrekullueshëm, që çeli një periudhë të artë të hedhjes së këngës së Tërbaçit sikurse Sinan Hoxha, duke kujtuar e ngritur në një stad të ri hedhjen hyjnore himarjote të incizuar në pllakat disqet “Pathe” të Parisit, qysh në vitet 1929 dhe 1930 me Koço Çakallin, Neço Muko (H. Marjoti), Tula Paleologu, Tefta Tashko, Llambi Turtulli, Kleo Georga, Dhimitri Rumbo, P. Kokaveshi, A. Bala*, që u dritëroftë shpirti atje ku prehen të qetë si fisnikë të trëndafiltë të këngës së shkëlqyeshme lirike që bënë! Të rikthehemi tek kënga e Tërbaçit të Kujtim Micit që thotë: “Nëna shqipëtare,/ Mbes’e ilireshës,/ Ke lind’ e ke rritur/ Trima dhe të besës”. Ja si bëhet kënga e popullit e respektuar dhe e vlerësuar jo vetëm nga komuniteti qytetar, por e përfillur, edhe nga elita intelektuale, studiues, historianë e gjuhëtarë, sepse ka peshën e vërtetë të një burimi autentik. Nëna shqiptare është mbesë e ilireshës. E thotë qartë, saktë dhe e sigurt kënga faktin historik, prejardhjen tonë ilirjane. Gjuha u mbrujt bashkë me këngën dhe të dyja mbajtën njëra-tjetrën. Kur plagosej gjuha luftonte kënga, dhe, atje ku kënga mundohej të vritej, gjuha lëshonte ilaçin e shërimit e të mbijetesës. Për fat kënga “Lindi luania luanë” është e regjistruar edhe nga Instituti i Kulturës Popullore: Bob. 982/6. Po e japim për lexuesin tonë dhe dashamirësit e polifonisë si buqetë këtë këngë të transkriptuar nga specialistët e folklorit shqiptar: (Shih: Neço Muko (H)Marjoti: Zemra kërkon miqësinë: Vepra letrare, përgatitur prej Andrea Varfit;Tiranë: Toena, 1996). Në guidën folklorike “Vlora nëpër festivale” – Festivali Folklorik Kombëtar Gjirokastër, 2004 bëhet edhe një paraqitje e shkurtër e grupeve pjesëmarrëse të qarkut të Vlorës. Në këtë festival, gjë që plotëson historikun e këngës popullore të trevës. Ndër të tjerë, patjetër që jep profilin edhe të grupit tonë. Në këtë manual shkruhet “Grupi i Tërbaçit është një nga grupet më të hershme të polifonisë labe të trevës së Vlorës. Kënga për ta ka qenë si ushqim i shpirtit. Rapsodët e mirënjohur të këtij grupi që nga Xhebro Gjika, Arshi Xhelili, Hyso Salati, Sinan Mullahu, Izet Skëndo e deri tek i mirënjohuri Kujtim Mici kanë qenë furnizuesit kryesorë me tekste po në këtë grup. Grupi është pjesëmarrës pothuajse në të gjithë Festivalet Folklorike Kombëtare dhe në disa prej tyre dhe është vlerësuar me çmime e medalje. Vlen të përmendet marrësi kryesor i këtij grupi Syrja Hodo, i cili me zërin e tij kumbues dhe mjaft melodioz di të transmetojë emocionet e këtij repertori të shumtë që ruan ky grup” (Shih: “Vlora nëpër festivale”, Vlorë: Triptik; 2004, f. 18). Kuptohet që ndryshimet e sistemit pas viteve ’90 shkaktuan edhe çorientime deri në prishjen e traditës së organizimit të Festivaleve që bëheshin në kalanë e Gjirokastrës një herë në pesë vjet, ku tundej kalaja e gjëmonte Mali i Gjerë. Përveç një harrese të plote 7 vjeçare për visaret e folklorit, edhe sofra e festivalit u zhvendos nga kalaja e Gjirokastrës në atë të Beratit. Edhe pse Vlora nuk u vlerësua (nuk po merremi me arsyet e ditura apo të paditura) por Vlora polifonike e shfaqi përsëri gjallërinë, freskinë dhe origjinalitetin e folklorit të trevave të saj, saqë në koncertin përfundimtar në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve, nga grupi i Vlorës u muarën shtatë materiale muzikore, nga më të mirat kur rrethet e tjera kishin vetëm nga një apo fare asnjë. Viti 2000 na gjen përsëri në kalanë e Gjirokastrës, por në bazë Prefekture këtë radhë, ku Vlorës i shtohen Saranda, Delvina dhe rrethinat e tyre. Në guidën që cituam përmendet një fakt interesant, që të bën të ndihesh mirë e krenar për vlerat e pashtershme të gurrës sonë popullore. “Nëse Vlora çoi në festivalin Folklorik të Gjirokastrës një sasi vlerash të spikatura, shkruhet në këtë historik – në Vlorë mbetën po aq vlera të tjera”. (Shih: “Vlora nëpër festivale”, vep. e cit., f. 13). Ky fakt na kujton një thënie lapidare të enciklopedistit Sami Frashëri:…”Banorët e Labërisë, kanë prirje dhe aftësi natyrore për poezi dhe këngë…”. Grupit polifonik të Tërbaçit i ra shorti të hap tiparin për grupin e prefekturës së Vlorës. Kënga “O shokë do zëmë një këngë” vjen si një oshtimë nga malet e Labërisë si një shpalosje e fustanellës labe, me zërin plot kumbim të këngëtarit të mirënjohur e poetit Syrja Hodo” shkruhet në këtë historik të Vlorës së Festivaleve Kombëtare të Folklorit. (Po aty, f.13). Janë kuptim plotë vargjet e kësaj kënge që ka bërë Sinan Mullahu:” O shokë, do zëmë një këngë, /Do ma mbani a ta lëmë!/ Medet ne për mëndjen tënë,/ Mbetëm shamata e grënjë./ Nga e gjithë puna që bëjmë,/ Një metër vend do zëmë/ Dhe ajo gur e shkëmbënjë,/ O baltë e kuqe këlkënjë./ Këngët-o, dertet – o/ Këngë e derte pambarim…”.Kjo është bëra para një gjysmë shekulli e më shumë, që më 1945, pra 65 vjet më parë. E këndoi grupi polifonik i Tërbaçit në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës. Sa aktuale, ç’mesazhe të qarta që na përcjell. As ke ç’u shton, as ke ç’tu heqësh edhe pse 65 vjet s’janë pak. Lum kush ka fat të gdhendë vargje të tilla. Faleminderit, xha Sinan! (Shih: gazeta “Labëria”. Albert Habazaj: “Një tufë me lule”, data 15 gusht 2002, f. 7, 11). Edhe në FFK Gjirokastër 2004, së bashku me grupet e tjera pjesëmarrëse të Qarkut të Vlorës, Tërbaçi u paraqit siç i ka hije. Ja çfarë shkruan studiuesi e poeti Kozma Billa: “Me mjeshtëri të pazakontë vjen tema e atdhetarisë, e cila përcillet bukur me vargjet e Çajupit të madh “Mëmëdheu”, nga grupi i mirënjohur i Tërbaçit. Ajo ka një vlerë të madhe dhe aktuale edhe sot ku një pjesë e madhe e popullsisë ka emigruar. Dihet që historia përsëritet dhe si e tillë kjo këngë është një grishje, një thirrje e fortë popullore, ku në refren të çdo strofe ajo të ngjeth dhe të krijon një emocion të thellë për ta dashur dhe për të mos e harruar mëmëdheun” (Shih: “Guida e situar, f. 21). Sipas Prof. Dr. Bardhosh Gaçes – Mjeshtër i Madh: “Vlora dhe Shkodra janë dy qytete shqiptare të kënduara më shumë nga bardët popullorë dhe kjo edhe nga ndikimi i vjershërimit të Ali Asllanit e të Gjergj Fishtës….Në vitet 1990-2000, vargjet poetike të Ali Asllanit kanë marrë një përhapje edhe më të gjerë në jetën folklorike labe…Edhe kënga: “Më lejon ta puth njëherë” është kënduar nga grupi polifonik i Tërbaçit, sipas vargjeve të poezisë me të njëjtin titull…(Shih: Gaçe, Bardhosh: “Përkime poetike midis poezisë popullore dhe poezisë së shkruar shqipe; Vlorë: Triptik, 2010). Përveç teksteve të Pelivan Bajramit, që është tërbaçiot me rrënjë, grupi i Tërbaçit ndër vite ka kënduar tekste të autorëve të njohur, por jo tërbaçiotë. Fjala vjen kënga “O ju nëna tërbaçiote” është e Lefter Çipës – Mjeshtë i Madh dhe e këndon si shenjë mirënjohjeje grupi i Tërbaçit. Kjo tregon që përveçse këto këngë janë futur natyrshëm në Tërbaç dhe kanë fituar autoktonicitet në të tëra përmasat, Kujtim Mici si udhëheqës vizionar i grupit e si autor i fuqishëm e i pazëvendësueshëm për këngën e madhe të grupit të tij tekstet mbresëlënëse që i kanë dhuruar miqtë e mëdhenj të këngës si Lefteri etj. Kjo tregon botën e begatë shpirtërore, frymën e hapur përfshirëse që ka tërbaçioti dhe Tërbaçi ynë. Kënga “Dy vajza, të dyja labe” kushtuar heroinave Persefoni Kokëdhima e Bule Naipi është tekst i Kujtim Micit, që e mirëpriti dhe e këndoi me grupin e Himarës bilbili Dhimitër Varfi në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës në vitin 1973, vit kur Vlora fitoi çmimin e parë për folklorin. Shumë këngë të tij janë interpretuar nëpër skena lokale e kombëtare edhe nga grupi i Bratit, Bolenës e janë transmetuar mbarë Labërisë… I frymëzuar nga këto vlera të padiskutueshme, shkruaj në kohë të reja himnin e Tërbaçit në një trajtë të re: “Marr frymë Tërbaçi/ të ngrohtë, të ëmbël,/ një mëllë kulaçi,/ një rreze për ëndërr./ Lavdia merr qiell/ mirësisë tënde./ O Tërbaç, me diell/ i mbush këto vende./ Ne – trojet spërkatur/ me dritë dashurie,/ o Tërbaç i dashur,/ o vëlla me yje!/ Foleja e Shpresës,/ buza e besimit,/ o gurra e besës,/o drita e Trimit!

- See more at: http://gazetadielli.com/kenga-e-terbacitthesar-i-folklorit-shqiptar/#sthash.mVRXdbqJ.dpuf

nga MSC. Albert HABAZAJ : SHKRIMTARI I VENDLINDJES DHE I HUMANIZMIT UNIVERSAL

1 Duro
Duro Mustafai: 21 shkur 1933 – . Nëpërmjet faqes online të gazetës “Dielli” dua të nderoj një personalitet të letrave shqipe, që bën letërsi të bukur dhe kombëtare, por s’do reklamim. Është një firmë e njohur me botime librash apo në shtypin e ditës, i shquar sidomos për publicistikën letrare ky, emri i Duro Mustafait. Duke folur për letërsinë, kulturën dhe artin në Vlorë, “Ore po na është bërë shumë i dashur ky emri i Duros, – më tha një mik nga Himara, ndërsa pinim nga një krikëll birre me dallgë deti në Ujë të Ftohtë, një çap mbi det të Vlorës, buzë muzgut trëndafilor të kësaj së premteje të datës 31 korrik 2015. – Sot kishte botuar një shkrim shumë të bukur në gazetën “Tirana Observer”, në nderim të 95 vjetorit të Luftës së Vlorës me titullin emblematik “Kapedan Sali Vranishti dhe koha e heronjve”. Më pëlqeu sidomos për jehonën morale, kombëtare dhe estetike që mbartëte shkrimi dhe që përhapte në bashkësinë e sotme qytetare, si dhe për mesazhet që përçonte”. Ai, së bashku me Muharrem Fejzon, është skenarist i filmit artistiko – etnologjik “Gunat përmbi tela” (1977), i cili trajton Luftën epope të Vlorës së Njëzetës.
Jetëshkrim lakonik: Duro Mustafai (Avdurahman Bashaj) ka lindur në qytetin e Vlorës, më 21 shkurt 1933, në Mëhallën e Re (sot lagje “Partizani”), me baba nga Vranishti dhe nënë nga Kanina. Baba Mehmeti ishte patriot, i cili, përveç se në Luftën e Janinës, u shqua sidomos në Luftën e Vlorës. U martua me jetimen Fezire Nelaj nga Kanina dhe e ndërtuan jetën me thjeshtësi e ndershmëri në qytetin e Vlorës. Durua, mësimet e para i kreu në shkollën 7 vjeçare “Naim Frashëri” në vendlindje. Përfundoi me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” në Elbasan. Mbaroi më tej dy fakultete. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, dega Gjuhë – Letërsi, Tiranë. Fillimisht ka punuar si drejtor shkolle dhe mësues i letërsisë në Vlorë. Një kohë aktive, të vrullshme, plot fantazi e aksione të mbushura me zjarr idealisti kaloi me rininë aq mbresëlënëse. Krijimtarinë letrare e ka nisur që në bankat e shkolës. Për më shumë se 30 vjet është marrë me gazetari. Ka punuar redaktor në gazetën “Zëri i Popullit”, kryeredaktor i gazetës “Drita” (6 vjet). Disa vite, para se të dilte në pension ka qenë kryeredaktor i gazetës “Shqipëria” (për diasporën), në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Për disa vjet ka dhënë mësim si pedagog i jashtëm, në degën e Gazetarisë të Universitetit të Tiranës. Mbahet mend që bëri bujë në shtypin letrar të kohës me një cikël poetik për Kubën, shkruar në Havana (janar 1963) dhe botuar në gazetën “Letrari”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (shkurt 1963). U ravijëzua ndër krijuesit e atyre viteve për stilin lakonik, për kulturën e vargut, për ndjenjën e dukshme humane dhe për një sherbet humori që të bënte shumë mirë për shëndetin letrar dhe estetik. Duro Mustafai është autor i librit “Edhe ti do të bëhesh gjysh”, që është edhe një kontribut për letërsinë shqipe në llojin e autobiografisë në formë letrare (të cilit i ka bërë një botim të plotësuar e të përmirësuar: Tiranë, Ilar, 2014); “Vranishti në sytë e mi” (portrete, skica, reportazhe, artikuj e intervista), Tiranë, Toena, 2006; “Nën qiellin e Prishtinës” (Ditar i një dashurie të përgjakut), roman, Tiranë, Toena, 2008; “Ne gazetarët e atyre viteve”, Tiranë, Ilar, 2014; “Me sytë e një gruaje”, poezi, Tiranë, Da Vinçi Press, 2015, etj. Në Bibliotekën Kombëtare, nga krijimtaria e Duros Mustafait, ka 19 regjistrime bibliografike të shfaqura.
Shkrimtari i buzëqeshjes krijuese: Mëmëdheu im është Kanina – thotë shkrimtari human Duro Mustafai, se nga Ballkoni i Vlorës kam Nënën, ndërsa Atdheu im është Vranishti, se nga fshati i Kapedanëve kam Babën. Me atë dashuri që shkruan për Vlorën, shkrimtari Duro Mustafai, thur hoje me fjalë mjalti për Prishtinën. Ja si e ka vlerësuar romanin e dashurisë sublime studiuesi i njohur Prof. Dr. Shaban Sinani: “Duro Mustafai e ka shkruar këtë libër me një pasion rinor, me një nderim shembullor për ndjenjën njerëzore, me fjali të shkathëta dhe me ligjërime të përveçme për çdo situatë e karakter. Ky është një libër që të frik dhe të iluminon. Jo gjithçka vjen prej “Arsyes shtetërore”. Shumëçka vjen prej “arsyes patriakale”. Njerëzit dhe ngjarjet janë në kornizë, por me më pak kufij se në kohën e tyre. “Nën qiellin e Prishtinës” është një ode që i kushtohet një dashurie të flijuar. Fati i Ljubas dhe i Sadriut vërtitet nëpër kohëra. Flijimi i tyre s’mund të thuhet se i takon të shkuarës. Kjo i jep librit një vlerë jo vetëm dokumentare dhe letrare, por edhe ndihmesë në realitetet tona. Ndoshta kur Kosova dhe Serbia do të ishin dy vende fqinjë, historia e Lufës së Ftohtë do të mbyllet në arkiva dhe dashuritë do të jenë pa rekuiem, siç është libri i Duro Mustafait për dashurinë e Ljubas me Sadriun” (07.11.2007). I kam lexuar me një ndjenjë respekti të 207 faqet e këtij romani me 10 kapituj, dhënë nga autori mjeshtërisht dhe me dashuri në trajtën e një ditari dhe u ndjeva mirë që ky libër është i veçantë në llojin e vet dhe me vlera të shumta artistike dhe njerëzore, sepse thyen edhe tabu, ndoshta 15 shekullore, për ta bërë jetën më të bukur, më njerëzore, të lirë në kufijtë e dinjitetit, për ta përmirësuar jetën, për ta bërë më të dashur e pa komplekse. U ndjeva qytetarisht bukur, kur vërejta se romani nis me ditarin e kosovarit Sadri të bacë Veli Krasniqit nga Peja, qysh më 3 prill 1957: “Kam bërë një hap të guximshëm e të veçantë në jetë: jam dashuruar me një vajzë të një kombësie tjetër…Ajo është një serbe…”. Mora frymë të plotë, mesdhetarisht, kur epilogu kishte në mbyllje fjalinë: “Dhe fytyrat e njerëzve shkëlqenin nga drita e lirisë”. “Nën qiellin e Prishtinës” është një harmonizim i letërsisë artistike me letërsinë dokumentare, ku çdo faqe zbukurohet me dinjitet nga një buzëqeshje e trëndafiltë e dashurisë së pastër e të thellë, që s’njeh kufi. Ky roman ëshë gjithashtu jo vetëm një kontribut i letërsisë etnologjike, por është një gur, e gur për në qoshet e ndërtesës së letërsisë antroplologjike. Themelet e këtij rrokaqielli të dashurisë universale i kanë hedhur burra të lartë si Ernest Heminguej, Janis Ricos, Petro Marko e ca të tjerë. Më vuri në mendime shprehja e Klintonit që përdor autori në epilog: “Askush nuk ju detyron të harroni, por përpiquni të falni”. Thjesht, shkurt, qartë, me domethënie. Duke dalë mbi kanunet e maleve, duke u ngritur pozitivisht mbi të drejtën dokesore (zakonore), Institucioni i Faljes është burrëri, është qytetari, është mesazh për ta përmirëzuar dhe për ta zbukuruar botën njerëzore. Sidomos sot. Ndër Shqiptarë sidomos. Dhe ndër Ballkanas. Ndër Mesdhetarë. Jemi pak. Duhet të duhemi shumë. S’ka kohë për sherre. Ky libër i Duro Mustafait më frymëzoi të bëj këto vargje: “Ballkan, pash nderin!/ a ma jep fjalën burrash/ të bëhesh ballkon i paqes/ se sherrit hajrin ia ka parë/ veç sherri…”. Duket që shkrimtari Duro Mustafai ka ndikim nga “Hasta la vista” e papërsëritshme e P. Markos, por jo, nuk ka një presje të kopjuar andej; gjithçka është prodhim “bio” i Duro Mustafait, që rrjedh natyrshëm në shtratin e tij të krijimit, tashmë të dallueshëm, me stilin e tij sa të ngrohtë e të qeshur, aq zhbirues në botën shpirtërore të personazheve. Krijimtaria e Duro Mustafait shfaqet me gjurmë të dukshme në tre plane të letërsisë shqipe: në prozë, kryeshisht me prozën e gjatë, romanin, me poezinë dhe me publicistikën letrare. Poezitë e tij kanë emrin e tij. Janë të shkruara (së pari e së fundmi) me DASHURI, me kulturë letrare, me brendi ideo – emocionale të thellë, me temperamentin dhe me fizionominë personale të shëndoshë të shprehjes poetike. Në poezitë e tij gurgullon ujët e Gurrës së Çikës, gjelbërojnë ullinjtë e Kaninës, freskojnë dy detet e Vlorës, lulëzojnë lulet e Elbasanit. Nektarinat e Duro Vlonjatit kërkohen në Europë; hijeshohen më tepër nga motivet helene në Akropol me urtësinë e Sokratit dhe trimërinë legjendare të heronjve të Heladës; shijohen në gadishullin Apenin; ëmbëlsohen më këndshëm nga motivet turke në Ankara e Marmara; e ruajnë freskinë me motivet gjermane; bekohen në motive egjiptiane; lahen me dritë dielli e mirësie ndër motivet kubane. Duro Mustafai, siç spikat si shkrimtar i vendlindjes (s’kam parasysh vetëm vendlindjen e vogël, atë të ngrohtën e frymës: Vlorën, Vranishtin, [më e madhja në botë, ndërkohë], por Shqipërinë, Shqiptarinë më saktë), ashtu ai ngrihet në përmasat e shkrimtarit të humanizmit universal.
Duro Mustafai na mëson si të shkruajmë për vendlindjen: Kur kujtoj vendlindjen time, apo kur marr penën për të shkruar për Tërbaçin, ku u linda e që s’e këmbej të më japin botën, më del përpara buzëqeshja e qeshur, imazhi më i plotë i dashurisë që mund të ketë njeriu në këtë botë – Duro Mustafai, që edhe natyra është treguar aq bujare, se i ka falur tërë atë nur e fisnikëri hyjnore, ama dhe ai nuk e ka shpërdoruar, por e ka mirëpërdorur bukur dhe dobishëm. Kur kujtoj vendlindjen, kam mall si Duro Mustafai i durimit dhe i dashurisë universale. “Kam mall për shtëpinë në kodër,/ Ku linda në atë dimër të rrallë,/ Ku eca e fëmijëria aty më iku,/
Pranë një sokaku me gurë të bardhë./ Dhe për oborrin me gjethe hardhie e fiku…”. Sikur mos ta dija dhe sikur mos ta njihja autorin dhe stilin e tij, do të thosha, pa mëdyshje, që këto vargje janë bërë, ose nga nobelisti i pashpallur ende, për arsye të korrupsionit global, nga i dali mbi rè, nga fenomeni i Universit, i pakapshmi I. Kadare, ose janë pjellë e Mbretit të Principatës së Letrave Shqiptare, Dritëroit të Madh. Por unë, që kuptoj simbolikën DUMEMUS, të cilën na e shfaq miku i pastër pedagogu dhe autori i disa librave letrarë Luan Çipi, unë që mendoj se e njoh afërsinë dhe distancën midis treshes, përveçueset dhe përbashkueset e kësaj trioje, në shfaqje të panjohur, në thelb të shfaqshme, them se studiuesit e mirëfilltë të letërsisë mund të gjejnë optika studimi tek dritërori ndër dritërues, Abdurahman Mehmet Bashaj. Pse e them këtë? Po ka një logjikë, që të paktën, përdoruesit e penës së dobishme, për vlera e bukuri artistike, estetike e sociale, e njohin mirë e goxha mirë Duro Mustafain, alias = thënë ndryshe Avdurrahman Bashon e Vlorës e sidomos të Tiranës, që qe kupola e situr mirë për klasifikimin hierarkik të shkrimtarëve dhe artistëve shqiparë (dje qe oaz, sot u bë oqean, [aq adhá, më duket se na ironizon krenarisht e dhëmbshëm i përveçmi ndër ne, shqiptaro – amerikani i vargut e i këngës së thekur, Pelivan Bajrami]). “Kam mall. Oh, sa mall!…”. Këto vargje sikur më realizojnë, shqiptarisht dhe në gjuhën e nënës, atë që dua: harmonizimin e dashurisë së bërthamës së mbjellë nën tokë dhe mbi tokë, të pemës së shëndetshme, plot degë të gjelbra e fruta të ëmbla.
“Dhe strofat e mallit ndjekin njëra – tjetrën deri sa arrijnë në apogje”, – thotë Përparim Hysi e prapë, në fund të çdo strofe, fjalia: “Kam mall. Oh, sa mall!”.
Shpesh herë mendoj të bëj për këtë personalitet të poezisë shqipe një shkrim sipas parametrave që kërkon një studim. Po shpesh herë them të flas për poezisë e tij, siç ma ka ënda, siç dëgjoj njerëzit që i reciojnë njerëzit e tij, siç dëgjoj ata burra me mend Labërie që i përfillin vargjet e tij dhe i komentojnë lartësisht, pozitivisht, meritueshëm. Jam pak i mërzitur, se dikush më tha në vesh, “myshorazi”, sikur Duro Mustafai na paska kaluar 82 vjeç. “52?” – e pyeta unë. Oto, jo çinkue,- më tha këmbëngulshëm miku i përbashkët. E ç’ta kundërshtoja xha Zeqon, vëllamin e Duros, një nga personazhet e tij letrarë, ndërkohë vjehrrin tim, të mrekullueshmin Zeqir Dule Ribaj. Qe pikërisht 14 shkurti, kur po diskutonim këtu, në Vlorë për vlerat universale të Duros dhe u pajtuam me njëri – tjetrin, duke marrë një mirësi në mungesë për Duron e Tiranës, të Vlorës, të Vranishtit, të Kaninës edhe të Tërbaçit, me nga një teke raki rrushi, nga pjergulla në fik të bardhë.
Një rreze e diellit të ngrohtë feks në një shpatull mali të bardhë: Kishin një vlerë veçantë komunikuese dhe respektore dikur ato kartolinat që shkëmbenim aq sinqerisht, sidomos ato midis miqsh në shoqëëri. Këtë 21 shkurt që kaloi Duro Mustafai mbushi 82 vjeç. S’më besoni?! As unë nuk e besova fillimisht. Eee. Debatova dhe me punonjësen e gjendjes civile, biles edhe me përgjegjësin e saj në Tiranë, por më kot. Aq qënkërkesh ditëlindja e Shkrimtarit të Vendlindjes: 21 shkurt 1933. Ju thoni 28? 52 ? Jo, mor jo, 82 qënkërka vërtet, (sipas gjendjes civile, ë?) Ishte i padobishëm debati me zyrtarët e pabindshëm burokratë, kështu që iu vura punës time shpirëtrore për ta uruar këtë njeri të mirë. Mendova: T’i bëja sms? E – mail? S’ më pëlqeu kjo ide virtuale. Durua është original dhe prodhon krijime origjinale. Vendosa, tradicionalisht, t’i nis një kartolinë simbolike, me shkrim dore. Ja teksti: “Sot, i mirënjohuri i penës së bukur shqipe, Duro MUSTAFAI mbush 82 vjeç. Me këtë kartoline urimi për ditëlindjen, po i nis një det me të fala nga Vlora. Pak diell në një mal të bardhë pashë të ngrohte çiltër zogjtë e folezës së publicistikës letrare këtyre trojeve të mia arbërore, në përpjekje për të marrë fluturim si shqiponjat qiejve të gazetarisë, të qytetërimit, të kulturës botërore dhe të progresit. E kam lexuar librin “Ne, gazetarët e atyre viteve…” të mendimurtit si uratë, të zemërzjarrtit si vullkan me fuqi pozitive hyjnore, të shpirtqeshurit si qershor, të shkrimtarit dhe gazetarit elitar Duro Mustafai. Jo vetëm sa për kujtim e frymëzim, siç ma kushton me shkrimin e tij autori. Po unë kam një problem me këtë libër. Nuk dua të ndahem nga ai. E kam në shtëpi, kur jam në shtëpi, e kam në punë çdo ditë pune. E kam te cepi i majtë i tavolinës së punës. E hap mbas çdo ore pune në kompjuter. Për t’u qetësuar dhe për t’u frymëzuar. Në kontekst. Në vend të kafes. Për të freskuar mendimin, si buzën me një gotë ujë natyral. Çmallem dhe mësoj nga ata, gazetarët e atyre viteve të stuhishme, të ndezur nga Idealizmi i Bardhë i Lirisë Njerëzore Qytetare. Ata ishin lule në furtunë. S’mund të ndahem nga ata. Dua të vijoj gjurmët e tyre më të mira, më të bukura, më të dobishme.Ky është motivi që libri “Ne, gazetarët e atyre viteve…” e shoqëron qenien time, kudo. E marr me vete. Të them si Biblën, është pak, sinqerisht. Bibla është Libri i Shenjtë për të gjithë ne. Edhe, “Ne, gazetarët e atyre viteve…” më ngjan si një libër i shenjtë, por për mua, është edhe i shtrenjtë.
Personat jetësorë, për bëmat e tyre të mira në dobi të kombit, shndërrohen në personazhe historikë, artistikë a kulturorë…Kujtoj Dhaskal Todrin tek “Udha e shkronjave” dhe heq një paralel, kur në vështrim krahasues, po aq ndritshëm, më shfaqet imazhi me dritë të ngrohtë i Duro Mustafait majë kalit të bardhë të publicistikës letrare të Shqipërisë, që me penën e mprehtë të gazetarit, na ka bërë më të shëndetshëm estetikisht për shtyllën tonë etiko-morale. Kur shkruan Duro Mustafai qesh fjala e, si rrjedhojë, zbukurohet leximi, i cili fisnikëron çiltër e thellë të zotin e leximit, lexuesin qytetar, dashamirës të kulturës. Nga pena e Duro Mustafait mëson si të shkruash për vendlindjen dhe si ta duash atë sa dritën e syve. E unë i kam thurur vjershën: “Si mund të shkruhet një libër për vendlindjen Sa herë lexoj Duro Mustafain/ ngjyej penën në një pjatë mjalti/ kujtoj, në korrektesën e tij, babain…/ dhe futem në Mbretërinë e Artit./ Dhe i marr një kafshatë ndjenje e malli,/ ca thërrime nga figurat letrare,/ se ai bën të qesh bukur dhe zalli/ me at’ shpirt të çiltër, të pastër fare./ Duro Mustafain sa herë lexoj/ me zemër i them: të lumtë dora!/ Vranishtin e tij e Tërbaçin tim nderoj/ të dy kemi Çika, dhe të dy HORA./ Se për Horën ilirike të parët:/ Mete Çobo, Lulo Abaz Mehmeti…/ u vërsulën si shqipe mbi barbarët./ Lavdia e tyre tempull për ne mbeti./ Sa herë lexoj Duro Mustafain/ zë, lundroj nëpër ëndrra diellore,/ më pushton një rrymë e ngrohtë faji…/ e metaforat më kapin për dore,/ që për vatrën e zjarrit, ku u ngroha/ çdo ditë ta mbjell të freskët fjalën/ e të shkruaj për njerëzit që njoha,/ si bujku i mirë që mbjell arën./ Duro Mustafain sa herë lexoj/ Them: s’ka si rrënja e pemës së gjelbër/ e për Tërbaçin tim si zog fluturoj/ E për mua si Tërbaçi s’ka tjetër!/ Sa herë lexoj Duro Mustafain/ (këtë e them me gjithë bindjen)/ kujtoj në sinqeritetin e tij babain/ dhe si mund të shkruhet një libër për VENDLINDJEN”; Vlorë, e shtunë, 21.02. 2015. “Vendlindja është si familja, – shkruan poeti – e ndjejmë nevojën e saj kur na mungon…”. Mozaik tematik, mozaik ngjarjesh e njerëzish, shkruan me ndjenjë e dashuri Duro Mustafai dhe ky prodhim etnoletrar është një dhuratë e çmuar për brezat pasardhës. Lajmotivi i autorit është: Gjithmonë e sa të kem frymë, vendlindja, në rastin konkret Vranishti është i bukur në sytë e tij. Ndjen vërtet kënaqësi kur lexon librat e Duro Mustafait, sepse të ngjallin emocione, sepse siç shkruante shkrimtari i paharruar Skënder Hasko “të njeh me vende, që, megjithëse ua ke dëgjuar emrin shpesh, nuk i njeh në thellësi, që të njeh me njerëz të cilët meritojnë të respektohen për bëmat e tyre”. Ndjen kënaqësi estetike, sepse autori ka përdorur figura letare si metaforën, krahasimin epitetin, të cilat e ushqejnë e ujë të pastër e të pasur letrar lëndën, qysh në rrënjë. Edhe pse ka qenë larg Vranishtit, shkrimtaria e tij tregon se zemrën e ka në Vranisht e Vranishti e ka në zemrën e tij. Ato nuk mund t’i ndash dot dhe kjo vihet re lehtësisht jo vetëm nga pena e botuar e autorit, por edhe nga fjala e dëgjuar nga goja e tij.ai, me një dashuri të tejdukshme, flet për njerëzit dhe virtytet e tyre, për vlerat morale e shpirtërore, për bukuritë e natyrës së Vranishtit të tij, që mban brenda emrit të vet ngjarje ebëma të lakmueshme për këdo. Libri i Duros për vendlindjen është një monografi e letrarizuar plot jetë, me njerëz realë, që kur e lexon të duket sikur fjalosesh me personazhe të njohur më parë. Dhe kjo është një nga vlerat e tij. Duro Mustafai ka bërë kujdes që të sjellë në vëmendjen e lexuesve famën e emrave vranishtjotë, të penës e të dyfekut, të mendjes e të punës, heronj e akademikë, që kanë “pushtuar” Shqipërinë. Le të përmendim vetëm dy tituj shkrimesh, ndër 52 që ka libri “Vranshti në sytë e mi”: “Heroin në fletët e një ditari”, ku flitet për yllin e pashuar të lirisë Hysen Çinon dhe “ Ç’m ëtha Shaban Sinani” ku flitet për madhështorin Sali Vranisht, i cili s’ka mbetur rastësisht në vargjet e mëposhtme, aq lavdëruese e aq domethënëse: “Mal i lart’ e ti mbi male,/ Kur luftoje, hidhje valle…/ Kush të bë, ç’qe ajo nënë?/ Shqiponja me krah’ t’ergjëndë”. Ky libër është ndërtuar me katër kapituj. Kapitulli i parë me skica, portrete e përshkrime, nis me thënien e Ciceronit “Historia është dëshmitarja e kohërave, drita e së vërtetës, mësuesja e jetës, lajmëtarja e lashtësisë”, ku autori nis të përdorë bisturinë kulturore historike nëpër tisin e kohës për “Shtëpinë e zotit”, malin e Bogonicës mbi Vranisht, “afër Qiellit, afër Zotit”. Kapitulli i dytë nis me sentencën e Molierit: ‘Marrim pjesë në lavdinë e të parëve tanë, vetëm atëherë kur mundohemi t’u ngjasim”, përmban tri intervista si dhe një bisedë imagjinare. E para, “Intervistë me Avdurrahman Bashën – ai që nuk njeh jetën e tij, e ka të vështirë të njohë jetën e të tjerëve” më ngjan përsëri si një bulëzim i freskët i Kalorësit Rebel të Lirisë te “Intervistë me vetveten – Retë dhe Gurët”. Bukur kështu, kur përsëritet cikli i krijimit dhe i rrëfimit në një trajtë të re e origjinale, sepse ka shumë vlera sidomos për historinë letrare të shkruar, e cila vetëm në fushën e dokumentimit arkivor është shumë e çmuar (pa përmendur vlerat letrare, gjuhësore, kulturore, etj.). Nga dera e intervistave të Duros, mun dtë hysh në Vranisht dhe mund të bisedosh me protagonistët. Një ndër to është ajo me Nderin e Kombit, me njeriun e mirë e shkrimtarin e respektuar, Dritëro Agolli, i cili kur pyetet: “…Çfarë dini për Vranishtin?”, përgjigjet: “E ku ka ndonjë shkrimtar të moshës sime që të mos dijë gjë për Vranishtin!” dhe, pasi përmend vajtjen e Plakut të Flamurit në Vranisht, se nga Vranishti është Sali Vranishti, se aty më 1943 u krijua çeta “Sali Murati” dhe s ejanë të rrallë fshatarat që kanë 51 dëshmorë si Vranishti, dhe aq me më shum ëmartirë të luftës, thotë: “Pastaj unë kam miq vranishtjotë si Maman Salinë, Muhamet Tartarin dhe ty, o Duro Vëllai”. Në kapitullin e tretë gjendet një minierë e pasur reportazhesh, që kanë siglën e L. Tolstoit: “Ka vetëm një mënyrë për të qenë i lumtur: të jetosh për të tjerët”. Kapitulli i katërt ka artikuj dhe vëzhgime, të cilat kanë një thënie të thukët me humor lab e moral njerëzor: “Le t’ua lëmë të vdekurve lavdinë e përjetshme, le t’u japim të gjallëve dahsurinë e pavdekshme”. Nuk mund të lësh pa përmendur shkrimin mbresëlënës “I katërti i Kodrës së Kuqe”, ku flitet për heroizmin e rrallë të vranishnjotit Muharrem Llanaj, i cili ka qenë “nënshkrues” i asaj epopeje aq të njohur, ku ranë heronjtë e lirisë: Vojo Kushi, Xhorxhi Martini e Sadik Stavaleci, ndërsa Muharremi, i plagosur rëndë, mbeti pa ndjenja nën gërmadhat e shtëpisë ku ishin strehuar. Të vjen vërtet keq që, ky njeri, hero i katërt, u la tërë jetën në harresë. Por, populli ka thënë: “Koha mënon, por nuk harron”. Duro Mustafai është i madh, por nuk duket, nuk do të duket, nuk kërkon të shkruash për të. Ndoshta mund të jetë tipike kjo cilësi e tij. Thjeshtësia e një njeriu të tillë të madh në vlera, në krijimtari, apo në modelin që paraqet qytetarisht dhe me cilësi artistike, e bën po aq të pranueshëm në bashkësimë e krijimit sa edhe të lartë për profilin e dinjitetit të shkrimtarit Duro Mustafai. Vetëm fakti që Durua ka punuar në organet më të larta të shtypit qendror të kohës dhe sot kujtohet me respekt e admirim, flet shumë e s’do komente fare. Meritojnë nderim dhe vlerësim pena si Skënder Hasko, Pavllo Gjidede, Shaban Sinani, Irfan I. Bregu, Luan Çipi Përparim Hysi, Laureta Petoshati etj. të cilët kanë shkruar për mjeshtërinë e rrallë dhe pasionin e shkrimtarit mbresëlënës Duro Mustafai. Më pëlqen thënia e shkrimtarit Përparim Hysi: “Libri me poezi nga Duro Mustafai “Në udhët e jetës” është si në album i vërtetë malli”, prandaj po e citoj edhe në këtë profil letrar të këtij autori vital. Pena e Duros ka pasqyruar artishtikisht botën e madhe shpirtërore të njerëzve atdhetar, që çmojnë mbi çdo gjë lirinë dhe dinitetin e kombit. Si gazetar ai së bashku me Hamit Boriçin janë shkolla e gjallë e publicistikës letrare. Ai është siç ka qenë gjithë jetën njeri solidar, altruist në gen, sepse si pakkush i ka ndihmuar talentet e reja, qoftë në gazetari, qoftë në krijimtyari. Këtë mision fisnik e realizon aq fisnikërisht e edhe sot e kësaj dite, duke i flakur tutje si pelelerinë e vjetëruar 80 e ca vite, që na bezdis ajo gjendja civile… E ka bërë revistën “Hora” standart përt’u ndjekur edhe nga botimet luksoze ciëlsisht të larta. Dhe gjithçka e bën vullnetarisht. Krijimin dhe prodhimin e 8 numrave të derisotmë të kësaj reviste të pavarur periodike, social – kulturore – artistike të Vranishtit të Vlorës (sikurse mbi 10 vjet gazetën “Hora”) e ka dora, mendja, zemra, shpiri Duro Mustafait, ndërsa sponsorizimin e saj e ka bërë realitet bujaria e pazhurmshme ing. Besnik R. Hasanaj. Kjo revista “Hora” vetëm cilësimin ka për Vranishtin e Vlorës, se aty është Vlora, Labëria, Shqipëria, antikiteti, sotshmëria, historia botërore dhe qytetërimi. Revista “Hora” më kujton revistën “Ylli”. Kjo është merita e Duros, që veten , si dhe përvojën e tij krijuese dhe të gazetarisë e sakrifikon për të tjerët, për njerëzit e thhjeshtë, për njerëzit e mirë.
Shkrimtari që s’ka kohë të plaket: Vetëm pak ditë më parë Duro Mustafai më dhuroi librin e tij më të ri me poezi, titulluar: “Me sytë e një gruaje”, me autograf: “Albert Habazajt, me dashurinë dhe respektin që nuk do të më shuhen kurrë, miqësisht Duro Mustafai”. Shkrimtari nuk ka kohë të plaket. Pse nuk ka kohë të plaket poeti, shkrimtari, gazetari Duro Mustafai? Është një arsye e fortë dhe një motiv i madh që s’e lë të plaket: Duro Mustafi është shkrimtar atdhetar i talentuar. Si e kujtoj unë të qenit e tij shkrimtar atdhetar? Së pari, ai e do dhe e nderon veten dhe familjen. Kush kërkon komente, të rilexojë librat e Duros, sepse janë aty të qarta si drita e diellit. Aty është bërthama e Atdheut. Djepi. Vatra. Zjarri. Së dyti, do vendlindjen, vendorigjinën, simbolet e shenjta, gurin, dheun, varret e të parëve, “Shqopet e Bashue”; së treti, do Shqipërinë dhe Shqiptarinë; së katërti , do Kosovën dhe Çamërinë. Zjarri i tij atdhetar ndizet nga talenti i qëndrueshëm dhe i admirueshëm, që spikat dukshëm në krijimtarinë e autorit. Nuk do të merrem me librin e ri, por dua të them se, me që e njoh natyrën e tij, dallova qysh në faqen e parë të vëllimit, se Duro Mustafait, kur i bën një nder, ta shpërblen dhjetëfish. Kjo ndodh dhe me librin e tij më të ri “Me sytë e një gruaje”. Është një ditë në Amerikë që i thonë: “Dita e Falënderimeve”. Në librin e Duros, faqja që çel vëllimin: “Në vend të hyrjes – nga autori, mund të quhet dhe Faqja e Falënderimeve, ku në rastin në fjalë, autori, me thjeshtësi të pastër e bujari poetike, falënderon mikun e vjetër, Dr. Irfan Bregun për mirësinë dinjitoze me sonetet e pasthënies së merituar. Këshilla poetike, porosi, aforizma e fjalë të urta në vargje: “Kur të hidhni sytë tek ajo “Shtëpia”/ Mos shikoni lulet kokëvarur te varri im,/ Më mirë hapni librin me vargjet e mia,/ aty janë lulet e shpirtit tim” na vijnë të poetizuara hijshëm dhe me një nuancë të çelur humori, të situra nga shpirti artistik i një 82 vjeçari të ri. Libri është strukturuar me katër kapituj poetikë të dashurisë për njeriun, për jetën, për të vërtetën, për të drejtin, për të ndershim, për përballjen e madhe edhe poetikisht të së mirës me të keqen, si dhe me gjashtë motive të dashurisë universal. Autori mendos se me sytë e një gruaje bota është ndryshe, në kuptimin më e bukur, më e mirë, më e dashur. Ka një poezi ai me titullin: “Kur shoh m e sytë e një gruaje”. Kjo poezi sikur ka një magji të bukur hyjnore. Kjo poezi edhe lexuesin e bën ndryshe, më njerëzor, më të bukur, më të dashur. Edhe në këtë poezi – yll humanitar shfaqet kredoja poetike e autorit D. Mustafai: dashuria për njeriun e mirë, për njeriun e vërtetë, për jetën qytetare. E kështu, libri rrjedh këndshëm në lexim, ta freskon të nxehtit afrikan që po na merr territore edhe këtu, në Ujë të Ftohtë. Kemi të bëjmë me një libër serioz të një poeti të pjekur në të gjitha rrafshet e krijimit dhe të qytetarisë. Pasi mbaron së lexuari librin, vëren se ke shijuar artistikisht poezi serioze të një autori të ngritur në nivelet më të larta artistike. Në kopështin e lulëzuar me vjershërime të Duro Mustafait ka shumë fidanë, që kopështari i poezisë, si një mjeshtër i vargut të shëndetshëm ka mbjellë me kohë dhe sot pas 82 vjetësh i shikon me kënaqësi e, ndërkohë, me krenari e thjeshtësi, që janë bërë edhe pemë letrare, edhe pemë pedagogjike, edhe pemë etiko – morale, ujitur me ujët e bollshëm e të kulluar të Gurrës së Artit të Fjalës.

- See more at: http://gazetadielli.com/shkrimtari-i-vendlindjes-dhe-i-humanizmit-universal/#sthash.8McGfMaG.dpuf

Nga Albert HABAZAJ : Odhise Grillo


Odhise Grillo

Odhise Kristo Grillo (21 Mars 1932 – 24 Shtator 2003): Kur, në relievin shqiptar kërkojmë malet më të lartë të vendit, në pesë vendet e para renditen përkatësisht: Korabi (2751 mnd) me 3 majat e tij, Blloku i Jezercës (2694 mnd) me 13 majat mbi 2300 m, Gramozi me majën e Çukapeçit (2523 mnd), Nemërçka me majën e Papingut (2489 mnd) dhe Tomorri i lartë 2416 m, mali plak, që është quajtur dhe Olimpi Shqiptar. Kur flasim për relievin letrar të shkrimtarëve shqiptarë për fëmijë, Odhise Kristo Grillo është ndër pesë malet më të lartë. Kam në dorë tre botime (luksozë dhe në paraqitje) të nivelit akademik: “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (FESH), 1985; “Fjalorin Enciklopedik” (2006) dhe FESH, 1 (2008). Edhe në botimin e vjetër, zëri “Letërsia për fëmijë” trajtohet kronologjikisht si degë e letërsisë që përfshin vepra letrare të shkruara posaçërisht për fëmijë. Pishtarët e parë që bënë sadopak dritë me vepra të mirëfillta letrare për fëmijë ishin rilindasit e ndritur Naum Veqilharxhi (Bredhi), Sami Frashëri, Naimi i madh e Çajupi brilant, që u pasuan nga Papa Kristo Negovani, Ndre Mjeda apo me revistat e Vasil Xhaçkës e Milto S. Gurrës. Ndihmesë me vlerë dhanë Qamil Guranjaku, Tofik Gjyli, apo Zihni Sako, Haki Stërmilli etj., që shkruan posaçërisht për fëmijë. Në fund të viteve ’50 dhe në fillim të viteve ’60 të shek. XX dolën një varg shkrimtarësh që iu kushtuan tërësisht krijimtarisë letrare për fëmijë. Në botimin e parë të nivelit akademik shkruhet: “Zhvillim të mirë ka shënuar poezia, vjersha me tematikë të larmishme. Kanë botuar O. Grillo, A. Mamaqi, T. Gjokutaj etj. Edhe proza e përfaqësuar nga shkrimet e B. Dedjes, G. Bushakës ka ecur përpara”. (Shih: “FESH”, ASHRPSSH, Tiranë, 1985, f.605). Botimi më i ri i Akademisë së Shkencave ka dhe zërin: “Grillo, Odhise (1933 – 2003). Shkrimtar për fëmijë. Lindi në Vuno të Himarës. Kreu studimet e larta për gjuhë e letërsi shqipe në UT (1962). Ka lëvruar lloje të ndryshme letrare. Vëllimet me vjershadhe poema: “Legjenda e një shkëmbi” (1965), “Lulet e lirisë” (1979), “Valbona bleu ylberin” (1981), “Një zog dhe një lule” (1983), “Nisuni, pëllumbat e mi” (1985), “Zërat e fëmijërisë” (1986), “Një zog këndon e qan” (1996) etj., shquajnë për gjerësinë e tematikës, patosin heroik atdhetar, frymën lirike dhe pasurinë figurative. Të 50 përrallat në përmbledhjen “Hajduti me çizme” (1997) dëshmojnë për shfrytëzimin krijues të motiveve dhe të poetikës së folklorit. O.G. ka dhënë ndihmesë dhe në popullarizimin e krijimtarisë letrare për fëmijë përmes tre librave me vëzhgime “Panoramë letrare” (1986, 1998, 2000). Është dekoruar me urdhërin “Mjeshtri i Madh i Punës”. (Shih: “FESH, 1”, ASHSH, zëri përgat. nga Ramazan Çadri, Tiranë, 2008, f. 788). Në këtë botim, letërsia për fëmijë trajtohet me një shtrirje më të gjerë etnoletrare – ndërshqiptare: “Poezia vijoi të mbetej gjinia kryesore e Letërsisë Shqiptare për Fëmijë me autorë si Odhise Grillo, Xhevat Beqaraj, Adelina Mamaqi, Tasim Gjokutaj, Mark Krasniqi, Rexhep Hoxha, Bekim Harxhi, A. [Abdylazis] Islami e të tjerë. Lëvrimi i prozës, sidomos i tregimit dhe i romanit për fëmijë me autorë si B. Dedja, G. Bushaka, R. [Rifat] Kukaj, Vehbi Kikaj, Petraq Zoto, Shpresa Vreto, Arif Demolli; lëvrimi përrallës së kultivuar nga B. Dedja, G. Bushaka, N. Prifti e të tjerë, si dhe ritregimi i motiveve të legjendave, baladave e përrallave popullore (M. Kuteli), e zgjeroi shumë dhe e bëri më të larmishme, edhe nga pikëpamja tipologjike, gamën e veprave për moshat e ndryshme shkollore”. (Shih: “FESH, 2”, ASHSH, zëri përgat. nga Bardhosh Gaçe, Tiranë, 2008, f. 1475). Libri “Fjalor Enciklopedik”, Tiranë, Bacchus, 2006, f. 256, hartuar e përgatitur nga Pasho Baku, na jep këtë informacion për Prof. Odhise Grillon: “Shkrimtar, pedagog. Lindi në Vuno të Himarës dhe për shumë vite banoi në Tiranë. Botoi mbi 100 libra, kryesisht krijimet e tij a përshtatje nga autorë të shquar shqiptarë, duke dhënë një ndihmesë të veçantë për edukimin e fëmijëve dhe të moshave më të rritura. Botime: “Hajduti me çizme” (përralla, 1997); “Një zog qan e këndon” (poema, 1997); “Mollët magjike” (përralla, 1997); “Lahuta e malësisë (roman i rikrijuar sipas Fishtës, 1992) etj.”. Vetëm në Bibliotekën Kombëtare të kërkosh, arrin në 423 numri i regjistrimeve të gjetura, ku gjendet firma e Odhise Grillos si autor, si bashkautor, si përgatitës botimesh a redaktor, por ne nuk do të merremi me këtë fushë, se, dhe një shkrim më vete të bëjmë, nuk mjafton të hartosh bibliografinë e autorit aq popullor nga Vunoi i Bregut të kaltër.
Një nga librat e tij më të dashur: “Trimëresha e Tërbaçit” është një poemë me 10 këngë në 50 faqe dhe ka piktore fisniken e paharruar Safo Marko. E ka shkruar në Vuno dhe në Tiranë, në vitin 1974. Ia ka kushtuar baba Kristos, për këngët popullore që i mësoi në fëmijëri. Poema “Trimëresha e Tërbaçit” mbetet ndër librat më të shenjtë e më të shtrenjtë qysh nga rinia ime e hershme. Ne ishim mëkuar me trimen Miro Tërbaçe me histori në këngë e legjenda. Sa kisha mbaruar klasën e tetë në Shkollën tetëvjeçare “Halim Xhelo” Tërbaç – Vlorë (sot Bashkia Himarë). Na vjen si zog lavdie ky libër monument për tërbaçioten vajzë që vrau pashanë, se tërbeçtë haraçet hasmit nuk ia dhanë. Na jep një ndjesi krenarimi të pamendueshme ky libër që dhe sot e kujtoj me nostalgji e dëlirësi. Ja çfarë shkuar poeti ynë i mrekullueshëm në hyrje të librit: “Të dashur fëmijë, Kur isha i vogël, sa ju që po merrni në duar këtë poemë, të rinjtë dhe pleqtë në fshatin tonë këndonin himarjoçe këngën e Miro Tërbaçes. Trimëria e Miros kishte fluturuar në krahët e këngës dhe nga Tërbaçi kishte ardhur në Vuno. Mua ma kshte ndezur shumë fantazinë…Cila ishte ajo vajzë që ishte veshur si djalë dhe kishte sjkuar e kishte vrarë pashanë Brenda në saraje, për të marrë hakën e vëllait dhe të fshatit? Cila ishte ajo që u ishte vënë flakën kullave në Vlorë? Që të mund ta mësoja këtë gjë, u desh të kalojnë shumë vjetë. Pyeta, lexova, kërkova dhe e mësova historinë e saj. Thuhet se Miroja e ka varrë pashanë dhe ia ka djegur kullat më tepër se njëqind e ca vjet më parë, në kohën e kryengritjeve fshatare, gjatë reformave të Tanzimatit. Pra ajo ka qenë bashkëkohëse e Maro Kondës, për të cilën kam shkruar poemën “Kënga e Maros”. Kënga që i ngriti populli Miro Tërbaçes është një histori që flet për trimërinë e grave tona n ëtë kaluarën, e cila u përtërit aq bukur gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Ajo është një histori që tregon se atdhedahsuria ka qenë bashkëudhëtare e shqiptarëve, në shekuj.kënga ka pak vargje, po ato më ndoqën nga pas gjithë jetën, me forcën dhe bukurinë e tyre: “E zeza Miro Tërbaçe,/ moj Miro e qaj moj Mirë,/ Moj e rritura bonjake,/ me lakëra burdullake,,/ te beriberi u ngrite, vajte,/ the: – Berber a sha ëëllanë,/ premë flokëtë si djalë,/ të marr hakë për vëllanë!” trimëria e Miros dhe forca e vargjeve të kësj kënge më shtynë të shkruaj këtë poemë, që ju fëmijë të dashur të mësoni historinë e saj dhe t’u vlejë në jetë. A ia kam arritur kësaj dëshire? Këtë pres të ma thoni ju! Autori [1974]. Fatlumturisht ia ka arritur, sepse ne e mbanim mend përmendësh dhe e këndonim në kor, kur ishim në shkollë. Shumë vargje të saj edhe sot e kësaj dite i mbajmë mend dhe kur mblidhemi me shokët e fëmijërisë si Krenar Mehmeti, Shpresa Kapo, Farudin Gjondeda, Dilaver Haskaj, Nazo Dauti, Mojsi Hodo, Hava Çela,etj., (tani flokëbardhë e flokërralluar, shumica gjyshër e gjyshe të mira) i recitojmë apo i këndojmë labërisht. Ua kemi mësuar fëmijëve. Ata do t’ua mësojnë fëmijëve të tyre. Edhe ne do tua mësojmë me dashuri e krenari nipërve dhe mbesave.
Profesor i thjeshtë në madhështinë e tij: E kam njohur vetë personalisht Profesorin dhe e kam ndier nga afër fjalën e ngrohtë, inkurajuese, dashamirëse dhe frymëzuese të tij. Po kështu, shumë nga miqtë e mi të krijimit në Vlorë si Pali Shtembari, Vilheme Vranari, Andrea Petromilo etj., flasin me respekt zambakor për atë krijues të veçantë, aq të dashur, të talentuar dhe atdhetar. Ai e donte dhe vlerësonte shumë krijimtarinë e vëtretë në tërësi dhe, sidomos me krijimin që biuste ndër viset vlonjate ngazëllehej si fëmijë i lumtur. Ai ishte mik i mirë me shkrimtarët e rinj vlonjatë, që dolën në skenën letrare në vitet 1985 -’90 e në vijim. Odhise Grillo, së bashku me Ferhat Çakërrin, Skënder Haskon dhe Tasim Gjokutaj përbëjnë kuartetin vezullues vlonjat të traditës letrare për të vegjël, janë ikona të kulturës qytetare, Mirënjohje e Vlorës dhe dallojnë që tej si katër kolona të fuqishme të Letërsisë Shqipe për Fëmijë. Ata janë hajmalia poetike për fëmijët e Vlorës, të Myzeqesë, të Himarës, Labërisë e mbarë Shqiptarisë. Odhise Grillo kishte kryemik Prof. Dr. Bardhosh Gaçen, me të cilin i bashkonte krijimtaria për të vegjëlit, studimtaria për Letërsinë Shqipe për Fëmijë. Një miqësi e vjetër atdhetare – kulturore e të parëve, trashëguar nga të prindërit, e bënte të shëndetshme këtë miqësi idealistësh. Në sa se sa takime kanë qenë bashkë profesorët Grillo e Gaçe nëpër shkollat e qytetit, në lumin e Vlorës, në Mesaplik e në Kurvelesh, në Himarë, në Sevaster, në Selenicë, në Dukat e në Novoselë… dhe kudo zjarr poetik e kombëtar kanë ndezur, dashuri për librin, për dijen dhe për etnokulturën. Në kohë të vështira, Odhise Grillo ka qenë dashamirës si Vath Koreshi ndaj shkrimtarëve të rinj. Ka shumë shkrime të botuara për të. Dhe në burimet elektronike (online) janë të pafundme artikujt vlerësues për Profesor Grillon si poet dhe si studiues. Po jap një detaj të vetëm nga mendimi i tij në lëmin e kritikës letrare, në funksion të idesë që shfaqa (nuk është përmendur, se s’qënka publikuar në kohët e sotme). Po lexoja një revistë të vjetër “Nëntori”, e përmuajshme letrare artistike shoqërore politike, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Ndaloj tek shkrimi “Katër vëllime me tregime për të vegjëlit dhe disa problem të mjeshtërisë”, ku Profesori vlerëson ndihmesën e shkrimtarëve Bekim Harxhi, Shpresa Vreto, Aqif Malaj dhe Fatmira Veisllari, të cilët me botimet e tyre në vitet ’80 të shek. XX u dhuruan të vegjëlve të asaj periudhe libra të bukura, tërheqëse, sepse flasin për realitetin e kohës, parë me syrin e të voglit. “Me të drejtë – shkruan Profesori – është vënë në dukje nga kritika e nga studiuesit se në tregimin për yllkat e për fatosat kemi më pak arritje se në tregimin për pionierët. [Po e citoj me terminologjinë që përdohej atëhere; yllka quheshin fëmijët e moshave 3 – 6 vjeç; fatosa ata të moshës 6 – 9 vjeç e kështu me radhë – shën. im: A.H]. Në këtë fushë jo vetëm jo vetëm botojnë më pak vëllime por edhe niveli i tyre, me ndonjë përjashtim, sillet rreth mesatares së letërsisë sonë për fëmijë. Këtu mendojmë se ka ndikuar edhe fakti se në të kaluarën, ndryshe nga ç’ka ndodhur me tregimin për pionierët, me këtë gjini aq të kërkuar nga të vegjëlit, nuk janë marrë autorët tanë më të mirë. Gëzohesh tani kur sheh se në tregimin për yllkat e fatosat po japin ndihmesën e tyre edhe shkrimtarët Bekim Harxhi, Shpresa Vreto, Aqif Malaj, Fatmira Veisllari etj. (Shih: “Nëntori”, Nr. 9, Viti XXX i bot., Shtator 1983, f. 91). Sinqerisht ndjen respekt për mendimin e tij kritik, që unë s’kam ndërmend ta citoj më gjatë, ku i bën një operacion të saktë e të pastër krijimtarisë së katër autorëve, i inkurajon, i përgëzon, i përkrah, i kritikon me argumenta shkencorë e me dashamirësi, ngre problem, shtron ide, jep zgjidhje për ta bërë më të bukur, më të mirë dhe më të dobishme letërsinë për fëmijë. Ndjen nderim për profesionin e vështirë e fisnik të kritikut letra, ndjen kënaqësi estetike, morale, edukative dhe, së pari e së fundmi, kënaqësi artistike. Po theksoj dhe një mendim të tij: “Është një gjë e ditur dhe e nënvizuar si nga pedagogët e mëdhenj ashtu dhe nga studiuesit dhe kritikët që janë marrë me lëtërsinë për fëmijë se, në krijimet për të vegjëlit fare, rëndësi të madhe, veç të tjerave, merr fibula. Veçanërisht fatosat e yllkat kërkojnë krijime me subject të përcaktuar mirë. Tregimet që kanë në qendër një fabul sado të vogël i mbeten në mend fëmijës dhe ai është në gjendje që ta riprodhojë pasi ta ketë dëgjuar disa herë nga prindët (yllkat), ose pasi ta ketë lexuar vetë (fatosat). (Shih: “Nëntori”, vep. e cit., f. 93 – 94). Ndërsa për një përfaqsues tjetër me zë të letërsisë për fëmijë, për njërin nga autorët më të njohur të kësaj fushe, për shkrimtarin Bedri Dedja, Akademik dhe Prof. Dr. në fushën e pedagogjisë dhe të psikologjisë, Prof. Grillo ka shkruar: “Në rrugën e vet krijuese shkrimtarin Bedri Dedja nuk e kanë dehur as lëvdatat e çmimet e shumtë që ka marrë e nuk e kanë lëkundur as anatemat që kanë lëshuar kundër tij, si krijues, disa pseudostudiues e pseudokritikë, të cilët e kanë TBC – në jo vetëm në mushkëri, por edhe në shpirt…Me veprat që ka shkruar për fëmijët, Bedri Dedja ka vënë gur themeli në letërsinë tonë që krijohet për të vegjëlit”. Dhe më tej shton se “Dedja ka derdhur beton në letërsinë për fëmijë”. Mali e sheh drejt malin.
Musht nga poezitë e ëmbla të Profesorit: Jo vetëm të vegjëlit, por edhe të rriturit e shijojnë shumë hijshëm poezinë e “magjistarit” të penës, e thurësit të qindra ëndrrave fëminore. Po sjellim për lexuesin e “Diellit” tri – katër gota me ujë të trëndafiltë nga vjerëshrimi i begatë e i freskët e Odhise Grillos: “Balada e burrave – Kam pasur një gjyshe/ mbi të gjitha gjyshet,/ kur ajo tregonte,/ heshtnin dallëndyshet./ Kur fliste ajo,/ mbanim vesh dhe gurët,/ thaheshin moçalet,/ lulëzonin drurët…/ Po ku je, moj gjyshe,/ se më dogji malli,/ je prapa një ylli,/ a prapa një mali?/ Kur të kujtoj ty,/ këngët e përrallat,/ gjumi edhe sot/ vjen m’i mbyll qepallat…/ Moj e mira gjyshe,/ kur të sjell në mend,/ më kujton një re,/ më kujton një shkëmb./ Po ç’shkëmb më kujton,/ çfarë reje vallë/ aty ku rreh deti/ dhe si mal ngre valë?/ Më kujton shkëmbinjtë/ në Vuno, përposh,/ pa më kujton retë/ përmbi Mjegullosh./ Kur isha i vogël,/ shpesh të kam pyetur:/ – Këta shkëmbinj ç’janë,/ pse rrinë të heshtur?/ Dhe ti më tregoje,/ gjyshe gojëmjaltë:/ E di pse qëndron/ ky fshat e kjo baltë?/ Se në krahë i mbajnë/ shkëmbinjtë me thinja/ nën qiellin me diell/ dhe me vetëtima./ Po shkëmbinjtë ç’janë,/ mund të më tregosh,/ që me valë i rreh/ deti kaltërosh?/ Burrat që s’e lanë/ vetëm këtë vend,/ që mbetën në fshat/ dhe u bënë shkëmb…/ Ata përmbi supe/ mbajnë këtë dhe,/ ku ka mbirë ulliri,/ ku jetojmë ne./ Po retë në qiell/ çfarë janë vallë?/ Përse vijnë e ikin/ dhe përse qajnë?/ Janë kurbetllinjtë/ që ikin më natë,/ që i lanë pas/ fshatin edhe gratë./ Edhe shkuan larg,/ të huaj, të shkretë,/ me ditë e me javë,/ me muaj, me vjetë./ I hëngri kurbeti/ dhe në vend të largët/ hapën varr për vete,/ për ne hapën plagët…/ Tani i merr malli/ edhe bëhen re,/ vrapojnë në qiell/ dhe vijnë te ne./ Me lotë të nxehtë/ mallin zënë e derdhin,/ pastaj nisin kthehen/ prapë andej nga erdhën./ Na u dhemb në zemër/ edhe plagë e kanë,/ që morën kurbetin/ dhe fshatin e lanë./ Shkëmbinjtë e Vunoit/ dhe retë që qajnë,/ janë fshati ynë,/ janë burrat tanë!…/ Kam pasur një gjyshe,/ mbi të gjitha gjyshet/ kur ajo tregonte,/ heshtnin dallëndyshet!”. Kjo vjershë e gjatë e Grillos është narracion i tipit baladesk, që na nxjerr mallin e rrëfimit të Petro Markos te “Retë dhe Gurët”. “Balada e gjyshes” qëndisur nga Profesori është simotra në vargje e “Intervistës” së vëllait të tij më të madh nga Dhërmiu. Ndërsa poezia “Kryefjala e Fjalëve” është perla e krijimit të Grillos dhe një nga më shkëlqimtaret e Poezisë Shqipe për Fëmijë, që rrezaton ngrohtë dhe qartë Adhte dhe Art. kjo poezi e tij është bërë burim frymëzimi dhe djep ku përkunden motivate dhjetar poetëve të letërsisë shqipe në tërësi, jo vetëm autorët për fëmijë. Ja poezia, që fëmijët e thonë sikur e këngëzojnë, gati në kor, një kor kombëtyar që na krenaron në ndjenjën e bukur atdhetare dhe na mbush me dahsuri të përjetshme për vendlidnjen, për dheun e të parëve, të babës dhe të mëmës: “I mora A – në atit,/ në të ishte dhe nëna,/ i mora T – në tokës,/ në të ishte dhe zemra,/ i mora D – në detit,/ në të ishte dhe qielli,/ i mora H – në hënës,/ në të ishte dhe dielli,/ i mora E – në erës,/ në të ishte dhe shiu,/ i mora U – në ujit,/ në të ish’ dhe njeriu…/ I lidha të gjitha bashkë/ dhe si ylber shkëlqeu/ e para kryefjalë/ e fjalëve:/ ATDHEU!”. Ja dhe një poezi tjetër, ku na duket i prekshëm çdo varg e strofë, ku aq natyrshëm poeti futet në botën e fëmijëve dhe flet ëmbël e ligjëron me magjinë e fjalës që vetëm ai di tia falë aq bukur dhe bujarisht buzëqeshjes së Atdheut, fëmijëve të vegjël dhe aq të mirë, gonxhet e jetës shqiptare. E ka poeti këtë fat, sepse është edhe profesor, sepse di psikologjinë e moshave të vogla, sepse njeh pedagogjinë dhe metodat e edukimit të fëmijëve. Ja vjersha “Ç’ëndërrojnë vogëlushët – Ç’ëndërrojnë vogëlushët,/ që shëtisin rrëzë malit?/ Eh, të kishim për qeleshe/ pak nga bora e Korabit./ Ç’ëndërrojnë vogëlushët/ që po lozin në lugina?/ Eh, të kishim ne në faqe/ portokallet që ka Vrina/ Ç’ëndërrojnë vogëlushët,/që mrizojnë rrëzë bjeshkës?/ Eh, të kishim ne për sytë/ pak nga ujërat e Prespës!/ Ç’ëndërrojnë vogëlushët,/ që shtegtojnë pas kopesë?/ Eh, t’i kishim ne këmishat/ porsi fusha e Myzeqesë!/ Ç’ëndërrojnë vogëlushët,/ që po ngjiten majë kodrës?/ Eh, t’i kishim ne fustanet/ si qilimat e Kosovës!”. Poezia ka thellësi, ka gjeografi, ka thjeshtësi në të shkruar dhe një qiell me qershi metaforash që e ëmbëlsojnë aq shumë vjershërimin dhe e bëjnë pronë të çdo fëmije nga Saranda në Mitrovicë, nga Tuzi në Tetovë, nga Tropoja në Arpicë, nga Struga në Shkodër, kudo ku cicërohet shqip nga zogjtë e Shqipes. Në vijim po botojmë një poezi shumë simpatike, me të papritura të këndshme, me imagjinatën e ndezur fëminore e aq të freskët, me një fabul trëheqëse, që të bën të qeshësh çiltër e ta puthësh në sy mbeskëzën që ka atë fantazi aq origjinale e të natyrshme, që të bën për vete e të rrëmben në botën e saj të çudirave të mirësjellshme. Ngjarja rrjedh si një këngë me melodi gazmore , interpretuar nga Gjyshja, Blerta dhe prindërit e çupkëzës: “Blerta na harroi gërshetat – Nëna dhe babai/ na e pyesin:/ – Blertë,/ Çfarë vizatove/ përmbi atë fletë?/ – Vizatova veten,/ a nuk e shikoni?/ Ju jeni të rritur / si nuk e kuptoni?/ – Po ç’ke ngatërruar/ bletë edhe qershi/ flutur e kalem/ mollë dhe kuti?/ Jo asgjë, asgjë/ nuk kam ngatërruar,/ në fletore veten/ unë kam vizatuar!/ Po habitet nëna/ babai bën çudi…/ – Ti nuk je kalem,/ ti nuk je kuti!/ Mollë edhe qershi/ ti nuk je, moj Blertë,/ pastaj këtu ç’duan/ një flutur,/ një bletë?/ – Jua thotë gjyshja/ pritni kur të vijë…/ – Kur s’e dimë ne/ gjyshja s’mund ta dijë!/ – Jo, e di, e di!/ Gjyshe moj, vrapo!/ se ç’kam vizatuar,/ eja na trego./ Ja ku erdhi gjyshja, / vizatimin pa…/ – Kjo këtu është Blerta! -/ prindërve u tha./ Se, kur afron mbrëmja/ edhe do të flerë,/ i këndoj një këngë,/ që gjumi ta zërë./ Gjumi mbi qepalla/ vete edhe vjen/ unë, një kënge, mbesës/ nis edhe i them:/ ” I ke faqet mollë,/ sytë si qershi/ hundën si kalem,/ gojën si kuti”./ Pa, i them: “Je bletë”/ Pa i them: “Je flutur”,/ se është punëtore,/ sepse është e bukur./ Pra në vizatim/ është vetë Blerta/ veçse ka harruar/ të bëjë…gërshetat!”.
Pak jetëshkrim letrar: Opusin letrar të shkrimtarit Odhise Grillo e përbëjnë mbi 120 vepra poetike dhe tregimesh, poemash e romanesh, pjesësh humoristike e teatrore, përrallash, ilustracionesh, skenaresh e pjesësh teatrore, studimesh e kritikash për letërsinë për fëmijë, shkrimesh publicistike e gazetareske etj. Padyshim, që ai është personaliteti më i lartë i letërsisë sonë për fëmijë dhe njëra nga figurat më të shquara të letërsisë shqipe në përgjithësi. Fitues i dhjetra çmimeve dhe mirënjohjeve kombëtare e ndërkombëtare në letërsinë për fëmijë, i përkthyer dhe i botuar në shumë gjuhë të botës, i përfshirë në antologjitë dhe enciklopeditë më të zgjedura botërore, Odhise Grillo e ka nisur punë e tij krijuese para gjysmë shekulli dhe, atëherë e sot, është njëri nga shkrimtarët tanë më prodhimtarë, por edhe më cilësor në kopshtin e letërsisë shqipe. Shkrimtari i njohur për fëmijë dhe studiuesi kosovar Skënder Zogaj e ka cilësuar Odhise Grillon “shkrimtar i fëmijëve dhe mësues i shkrimtarëve”.
“Mjeshtrit të Madh”, shkrimtarit bashkëkohor të letërsisë për fëmijë Odhise Grillo, para 15 vjetësh, i është dhënë Medalja “2000 Milenium”.
Është vlerësim i madh i Institutit Biografik Ndërkombëtar të Amerikës (ABI). Medalja është mirënjohje që u jipet krijuesve të shquar të vendeve të ndryshme të botës, të cilët meritojnë të radhiten përkrah personave më të shquar në fushën e letërsisë. Shkrimtari Grillo ka botuar mbi 120 libra për fëmijë në prozë, poezi, studime kritike dhe të tjera. Grillo është shpërblyer dhe mirënjohur nga qendra biografike e Cambridge – it në Angli (IBC), nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve të Letërsisë për Fëmijë dhe të Rinj në Mynih me romanin për fëmijë “Historia e Skënderbeut”, sipas veprës së Naim Frashërit. Kjo vepër e Grillos hyn në fondin e librave më të mirë të dhjetëvjeçarëve të fundit. Janë të dashueshme kontributet e tij në prozë, në poezi, në dramaturgji e në kritikën letrare dhe ka marrë me dhjetra çmime kombëtare. Ndër veprat e tij më të njohura, që e ruajnë freskinë artistike edhe sot, edhe nesër poashtu, janë: “Ai që mundi perandorinë”, “Balada e burrave të Vunoit”, “Balada e lirisë” (poema), “Një zog e një lule”, “Zërat e fëmijërisë” (përmbledhje me vjersha), “Njeriu i nates”, “Pushkë në bregdet” (novela), “Camcakëzi”, “Një njeri u bë majmun”, “Përtacukët” (poema humoristike), “Historia e Skënderbeut”, “Lahuta e malsisë”, “Tradhti në sarajet Topias”, “Don Kishoti i Mancës” (romane sipas veprave të N. Frashërit, Gjergj Fishtës. Për profilin e tij letrar ka ndikuar pozitivisht edhe fakti që për një kohë punoi në revistën “Hosteni” dhe më pas në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, në redaksinë e letërsisë për fëmijë, ku punoi gjersa doli në pension. Së fundi punoi në Shtëpinë Botuese “Toena”, si shef i redaksisë për fëmijë dhe të rinj. Grillo është redaktor i mbi 1500 librave të autorëve të ndryshëm. Përveç letërsisë është marrë edhe me publicistikë dhe ka botuar shumë shkrime në organe për të rritur dhe fëmijë si: “Drita”, “Nëntori”, “Ylli”, “Zëri i Rinisë”, “Pionieri”, “Fatosi”, “Yllkat”, “Bota e fëmijëve” etj. Ai drejtoi për më shumë se dhjetë vjet Shoqatën Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, në fillim si nënkryetar, pastaj për disa vjet kryetar e së fundi si president i kësaj shoqate. Po kështu, ka punuar pedagog i jashtëm, i letërsisë për fëmijë në Universitetin e Tiranës dhe të Elbasanit. Odhise Grillo ka qenë anëtar i disa bordeve të revistave që dalin në Shqipëri, në Kosovë dhe në Shkup e Tetovë. Odhise Grillo mban titullin “Profesor” dhe Mjeshtër i madh”. Është Laureat i disa Çmimeve të Republikës, si dhe fitues i dhjetëra çmimeve të të gjitha niveleve në konkurset e ndryshme letrare që janë organizuar. Vjershën e parë e ka botuar në vitin 1947, ndërsa librin e parë “Shtatë ngjyrat”, në vitin 1954. Në jetën e gjatë krijuese ai numëron qindra tituj për fëmijë, mes të cilëve, të paharrueshëm për fëmijë janë “Gabimet e Veshkaushit”, “Aventurat e maçokut”, “Pesëqind grosh”, “Një njeri bëhet majmun”, “Qau e qeshi Pallaveshi”, “Kur njerëzit kishin bisht”, “Një zog këndon e qan”, “ Vuuu gënjeshtra, gërrr paratë”, “Hajduti me çizme”, “Dy gomarë këngëtarë”, “Mollët magjike”, etj. Një numër i madh titujsh të tij është botuar në Kosovë dhe Maqedoni, ndërkohë që shumë prej tyre janë përkthyer edhe në greqisht, maqedonisht, italisht, madje dhe arabisht.
LEXIKON: shkrimtarët shqiptarë për fëmijë (1872 – 1995): Lexikoni i hartuar nga Prof. Odhise K. Grillo përmbledh rreth 530 shqiptarë, që në harkun e 123 vjetëve (nga viti 1872 gjer në fund të vitit 1995) kanë botuar libra për fëmijë. Viti 1872 është marrë si fillim i letërsisë sonë për fëmijë, pasi në këtë vit Kostandin Kristoforidhi ka botuar “Abetaren” e vet ku janë botuar vjersha “Ylli i vogël lart në qiell” [përshatje nga poeti Stivenson, dhe jo nga Arçibald Kronini, siç shkruan një historian i njohur i letërsisë shqipe (R. Q.), pasi Kronini ka lindur më 1896, pra 24 vjet më pas nga viti kur u botua “Abetarja” e Kristoforidhit] dhe nja dy fibula. “Lexikoni” i Grillos është informativ dhe jo vlerësues. Në të jepen të dhëna nga jeta e vepra e autorëve: kur kanë lindur (viti), ku kanë lindur, çfarë shkollash kanë kryer dhe ku e çfarë punësh dhe profesionesh kanë patur dhe ku i kanë ushtruar e ku jetojnë. Në fund janë dhënë veprat që kanë krijuar: 1- Në rast se janë autorë që kanë shkruar për të rriturit, por kanë dhënë ndihmesë edhe në letërsinë për fëmijë, në fillim përmenden disa nga librat e tyre më të mirëqë u drejtohen të rriturve e më pastaj jepen librat që kanë botuar për lexuesit e vegjël. 2- Autorëve, që kanë krijuar vetëm për fëmijët, u janë shënuar të gjitha veprat kronologjikisht. Ndonjë vlerësim është bërë për shkrimtarët që nuk jetojnë më, por që kanë lënë emër nga pas, ndërsa për ata që janë gjallë nuk është bërë asnjë vlerësim. Kriteri bazë për ta futur në “Lexikon” autorin është ky: të ketë botuar të paktën një libër. Përjashtim është bërë për ata autorë të mirënjohur që nuk kanë shkruar për fëmijët, por që pjesë nga veprat e tyre kanë hyrë në leximet e fëmijëve (në leximet letrare apo në leximet jashtëshkollore – lektura shkollore) [gjithmonë deri për kohën e përgatitjes për botim të këtij fjalori (lexikon)]. Të tillë janë De Rada, Naimi, Çajupi, Asdreni, etj. Në “Lexikon” përfshihen shkrimtarët që kanë lindur e kanë krijuar brenda kufijve shtetërorë të Shqipërisë dhe shkrimtarët e Kosovës, shkrimtarët shqiptarë të Maqedonisë e Malit të Zi, që jetojnë në trojet e veta dhe nga diaspora. Ndjen një trishtim, shpreh hapur të vërtetën e me guxim qytetar Prof. Grillo kur shkruan: “…më ra në dorë “Fjalori” i Robert Elsiesë dhe u habita kur pashë se në të mungonin të gjithë shkrimtarët që kanë shkruar për fëmijët, ashtu siç mungonin edhe shumë shkrimtarë të jerë që krijonin për të rriturit, pasi i kishte përfshirë “lufta e klasave”…(Shih: Grillo, Odhise; “LEXIKON – shkrimtarët shqiptarë për fëmijë (1872 – 1995)”, Tiranë, Botimet Enciklopedike, 1997, f. III) . As në botimin më të plotë të R. Elsiesë: “Historia e Letërsisë Shqiptare” Tiranë – Pejë, Dukagjini, 1997, nuk jan ëpërfshirë shkrimtarët për fëmijë. Kështu që ky manual i Prof. Grillos merr dy herë vlera. Biobibliografinë e O. Grillos në “Lexikon” e kanë përgatitur shkrimtarët e mirënjohur Adelina Mamaqi dhe Skënder Zogaj. (Shih “Lexikon”, vep. e cit., f. 74 – 75), të cilat ne nuk i kemi shfrytëzuar për këtë profil, pasi kemi bollëk informacioni dhe kemi patur njohje të drejtpërdrejtë me autorin (i ndritë shpirti aty ku prehet, se na mungon shumë) dhe ato materiale i përkasin një punimi më të gjërë për profesorin. Nga bibliografia e autorit, si dhe nga vlerësimet e personaliteteve më të shquar të kritikës letrare të kohës mësojmë se Odhise Grillo, që nga shkrimet e para poetike, të botuara gjatë viteve 1948 – ‘49, kishte dëshmuar se është një shkrimtar i talentuar. Këtë konstatim të para gjysmë shekulli mund ta vërtetojmë edhe sot duke shfletuar librin e tij të parë “Shtatë ngjyrat”, të botuar në vitin 1954,që shpreh forcën krijuese të një artisti të mirëfilltë letrar, i cili me librin e parë e meritonte epitetin shkrimtar. Dhe vërtetë këtë e dëshmon bindshëm me vazhdimin e krijimtarisë që u pasua me botime të shumta e shumë të suksesshme veprash poetike dhe tregimesh, poemash e romanesh, pjesësh humoristike e përrallash, ilustracionesh, skenaresh dhe pjesësh teatrore, studimesh e kritikash për letërsinë për fëmijë, etj. Të shënohen gjithë titujt e veprave të Odhise Grillos është e pamundur, sepse janë mbi njëqind tituj librash, mirëpo nuk mund të mos theksohen përmbledhjet poetike: “Nisuni pëllumbat e mi”, “Një zog e një lule”, “Zemrat e fëmijërisë”; poemat: “Kënga e Maros”,”Trimëresha e Tërbaçit”, “Legjenda e një shkëmbi”, “Ai që e mundi perandorin”, “Përtacukët”, “Pesëqind grosh”, “Aventurat e Maçokut” etj.; përmbledhjet me përralla: “Kush e ka kapuçin”, “Përrallat e veshkaush Llapushit” etj.; librat me tregime e novela: “Pushkë në bregdet”, “Njerëzit e natës”, “Tregime shqiptare”…; romanet dhe novelat e ritreguara: “Erdhi dita e arbërit”, “Thirrjet e gjakut”, “Lahuta e Malësisë (sipas veprës së Fishtës), “Histori e Skënderbeut” (sipas Naimit), “Tradhëti në sarajet e Topiasë” (sipas De Radës) etj.; pjesët teatrore “Hakmarrja e komitës”, “Një natë me fortunë”, “Milingonat punëtore” etj. Punës së Odhise Grillos i përkasin edhe një varg librash me studime e kritika letrare, të cilat reflektojnë qasjene tij të përqëndruar në pasqyrimin e vlerave dhe problemeve letrare, që hetohen me një sesns të veçant studimi dhe që janë me shumë rëndësi për zgjerimin e njohurive mbi artin letrar. Studimet dhe kritikat letrare të Grillos ndërlidhen edhe me punën e tij si pedagog i jashtëm në Universitetin e Elbasanit, ku vite me radhë ka përhapur njohuritë e tij ndër breza studentësh. Kaptinë e veçantë që duhet të thuhet është se Odhise Grillo meriton respekt e lavdërime të shumta edhe për angazhimin e madh në afirmimin dhe përhapjen e krijimtarisë letrare anëkënd Shqipërisë. Nuk ka dyshim se si rrallë ndonjë tjetër, Odhise Grillo ndihmesë të jashtëzakonshme ka dhënë edhe në zbulimin, përkrahjen dhe ndihmën që u ka ofruar krijuesve të rinj në Shqipëri, nga të cilët, shumë nga shkrimtarët e sotëm për fëmijë, janë bërë shkrimtarë pikërisht në saje të ndihmës së pakursyer që xhaxhi Odhise u ka ofruar që nga hapat e tyre të parë. Prandaj jo rastësisht ky shkrimtar quhet dhe me të drejtë konsiderohet “mësuesi i shkrimtarëve”. Shokët dhe miqët e shkrimtarit: Dionis Bubani, Xhevat Beqaraj, Skënder Hasko, Bardhyl Xhama, Aqif Mala, Sokol Jakova, Bardhosh Gaçe, Xhahid Bushati, Skënder Zogaj, Thanas Qerama, etj., me krenari e kanë thënë se, Odhise Grillon e kanë mësuesin e tyre, nga i cili kanë mësuar shumë dhe vazhdojnë të mësojnë, sepse nuk ka dyshim që shkrimtari Odhise Grillo, aktualisht është mjeshtri më i shquar në letërsinë tonë për fëmijë. Një kurorë e veçantë për merita Odhise Grillos i përket edhe për punën e palodhshme dhe shumë të suksesshme në integrimin e letërsisë shqiptare në kohë e rrethana tepër të vështira. Shkrimtari Odhise Grillo që në kohën e monizmit, kur komunikimi me letërsinë që krijohej jashtë kufinjve të atëhershëm shtetëror ishte punë e rrezikshme, i rreket punës dhe i thyen barrierat. Në tavolinën e tij të punës, apo dhe në shtëpinë e tij, në sa e sa vizita të ngrohta artistike e miqësore, që bëheshin gati familjare në shkallën 2/25 të pallatit 7, në rrugën “Gjin Bue Shpata” në Tiranë, kemi parë qysh në gjallje se si i kishte zgjedhur, redaktuar dhe botuar mbi 100 vepra të shkrimtarëve nga Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, që të parat janë prezantuar ndër lexuesit e shtetit amë. Më vjen mirë e them se ka të drejtë miku im kosovar Skënder Zogaj, kur thotë: “Ky shkrimtar nuk ka dyshim se është nderi i letërsisë sonë për fëmijë dhe një monument i gjallë i letërsisë shqipe në përgjithësi”

- See more at: http://gazetadielli.com/odise-grillo-mesuesi-i-shkrimtareve-shqiptare-per-femije/#sthash.vPUxcn5l.dpuf

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...